MESAZHET E NJË VIZITE NEOOSMANE

Javën që e lamë pa dyshim e përshkoi vizita e ministrit të Jashtëm turk, Ahmet Davutgollu, i cili ishte për qëndrim zyrtar dyditor në Maqedoni. Dhe, kësaj radhe nuk erdhi e të shkojë siç ka bërë dy herë më parë, pa u marrë vesh se ka qenë këtu pari, por tani i ra qark e tërthor Maqedonisë, që nga Manastiri e Ohri, Tetova e Shkupi. Në Manastir u pikëllua që asnjëra xhami nuk ishte funksionale, nuk mundi pa thënë se kryqi hiç mirë nuk i shkuaka sahat kullës osmane atje, u interesua për Çarshi Xhaminë e Prilepit, në Ohër inauguroi konsullin e ri të nderit, në Tetovë, siç u shpreh ai në “kremin e vizitës së tij”, në Xhaminë e Abdurrahman Pashës e fali jacinë dhe muhabetosi shqip me ata pak qytetarë shqiptarë që u gjendën aty, e pastaj erdhi në Shkup në takimet zyrtare me kreun shtetëror, me përfaqësuesit e politikës shqiptare, por edhe me turqit këndej. Namazin e xhumasë e fali në Çarshinë Osmane në Shkup, mbajti një ligjëratë para profesorëve e studentëve të Universitetit “Shën Qirili e Metodi” në Shkup, inauguroi Qendrën Kulturore Turke “Junus Emre”, vizitoi BFI-në dhe kështu vizita e tij përfundoi.
Kësaj radhe Ahmet Davutgollu bëri mjaft bujë me vizitën e tij dhe, sado që disa çunave neoromantikë të Tetovës u paska shkuar mendja se mund të protestojnë me idetë e tyre nacionalromantike, si ata katundarët e VMRO-së para selisë së LSDM-së (që paradoksalisht protestojnë për të kaluarën), ardhja e Ahmet Davutgollut në Maqedoni si ministër i Jashtëm i shënon disa momente që do të duhet t’i lexojmë mirë.
1. Davutgollu vjen në Maqedoni në kohën kur Maqedonia është para sfidës së madhe për çështjen e emrit me Greqinë. Kjo ishte një, si i thonë turqisht, denge (baraspeshë) – derisa një vend anëtar i NATO-s dhe BE-së e konteston anëtarësimin e Maqedonisë në këto aleanca ndërkombëtare, një vend tjetër i NATO-s, bashkëpunëtor dhe aleat i SHBA-ve (pa marrë parasysh fërkimet e fundit me rezolutat), i jep mbështetje të parezervë Maqedonisë, duke krijuar kështu një baraspeshë mes trysnive evropiane dhe mbështetjes rajonale e amerikane për Maqedoninë në këtë kontest. Dhe, në këtë momente kur Maqedonia ka mbetur thuaja pa fare mbështetje, kjo sigurisht paraqet një inkurajim shumë të madh e të rëndësishëm, të cilin Maqedonia do të duhet ta çmojë.
2. Në fushën e pranisë turke, pra të Republikës së Turqisë (asaj moderne), në Ballkan, ai dhe një herë e rikonformoi se turqit kanë bajagi hise këtu: që nga saraji ku është shkolluar babai i Turqisë moderne (Ataturku) në Manastir, e deri te prania e kufiri në Ohër, ku hapi një konsull nderi turk, që mbase synon të thotë se “sado që sot Ohrin e keni shfytyruar deri në çoroditje, ai megjithatë mbetet një qytet që kultivon edhe traditën turko-osmane”. Në diplomaci një zyre diplomatike më shumë nënkupton një ndikim më shumë. Në rastin tonë kjo do të thotë se po shtohet edhe më ndikimi i shtetit turk këtu. Në anën tjetër, edhe hapja e qendrës kulturore turke ne Shkup me emrin e një poeti mistik osman, Junus Emre, jep mesazhin se kultura turko-osmane seriozisht po kthehet në skenën e këtyre trojeve.
3. Në planin ekonomik, për çka Davutgollu në librat e vet thotë se është faktor vendimtar për fuqinë ndërkombëtare të një shteti, ai nuk harroi pa përmendur se ardhja e TAV-it në Maqedoni nuk është vetëm ardhje e një kompanie të rastësishme në Maqedoni, por ky është paralajmërim për ardhjet e investimeve kapitale turke në vendin tonë. Kjo me gjuhë biznesi do të thotë vende të reja pune, ngritje të ekonomisë dhe zhvillim të përgjithshëm të vendit.
4. Dimensioni katërt i kësaj vizite ishte ajo që në opinionin tonë tashmë disa herë është interpretuar si neosmanizëm – interesimi i Davutgollut për trashëgiminë osmane dhe insistimi i tij për rikrijimin e vlerave të reja osmane në Ballkanin e ri. Në këtë aspekt ministri Davutgollu i ka dy pika interesi: 1) interesimin për trashëgiminë osmane këtu dhe 2) rolin e shqiptarëve në zhvillimet e reja në rajon. Sa i takon pikës së parë, ai gjithkund kah shkoi u interesua për trashëgiminë osmane, i përmendi edhe pikat tona të dhimbshme, xhamitë buzë greminës të Manastirit, punën e sahat kullave me kryq, problemin e paqenë për të cilin Gruevski “s’ka informacion” – xhaminë e Prilepit, ndërsa në Shkup u interesua edhe për fatin e Burmali Xhamisë. Shto kësaj edhe insistimin e tij që kahdo që të ecë, të shkelë në kalldrëmin osman, selami për vendin tonë ishte se Maqedonia duhet të jetë shumë e kujdesshme me atë që është osmane këtu. E nëse këtë analizë e lidhim me pikën nr. 1 të këtij shkrimi, me mbështetjen për çështjen e emrit, kujtoj se zyrtarët e këtij vendi e kanë kuptuar “refleksin e kushtëzuar” që i bashkon këto dy çështje. Ndërkaq kur bëhet fjalë për interesimin e tij për shqiptarët e këtij vendi, ai me qëllim e vizitoi Tetovën, e vizitoi teqenë e Tetovës, u fal në Xhaminë e Pashës, ku mbajti një fjalim me përkthim shqip, e pastaj e vizitoi Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku u takua me zyrtarët e këtij universiteti dhe nuk mundi të mos shprehet se “shqiptarët janë dobësia ime” dhe se “kur rri me shqiptarë, nuk ndjehem më si mysafir”. Po ashtu, edhe pse Ministria e Jashtme e Maqedonisë nuk i kishte paraparë pushtetarët shqiptarë të Maqedonisë në asnjë pikë të protokollit, ai si dashamir i shqiptarëve gjeti kohë të takohet me zv./kryeministrin Abdylhaqim Ademi dhe disa ministra, që ndonëse ishte vizitë e shkurtër, dha mesazhin se megjithatë “për shqiptarët gjithnjë kam kohë”. Për ata që këto veprime të ministrit turk i lexojnë në mozaikun e lëvizjeve ndërkombëtare, kjo do të thotë se fuqia rajonale e Turqisë në Ballkan (e cila ka marrë për detyrë të bëjë baraspeshë mes sllavëve e grekëve në rajon – kështu po promovohet nga SHBA-të), në këtë rast është në anën e shqiptarëve. Kjo do të thotë se nëse shqiptarët sot janë me Turqinë, automatikisht janë së bashku me një shtet të madh ballkanik kundrejt forcave të mëdha antishqiptare në Ballkan, grekëve e sllavëve, dhe se ashtu janë me aleatin e tyre kryesor – SHBA-të. Kur kësaj i shtohet interesimi i Turqisë për Shqipërinë, investimet atje, po edhe lobimi i Turqisë për Kosovën dhe njohja e Kosovës thuaja para se ta lexojë Jakup Krasniqi deklaratën e pavarësisë, lë të kuptosh se kemi të bëjmë me një aleancë ballkanike, nga e cila shqiptarët vetëm mund të kenë dobi dhe mund të dalin vetëm më të fortë. Është kjo një baraspeshë që shqiptarët moti s’e kanë shijuar në aspekt rajonal.
5. Dimensioni i fundit i kësaj analize mund të jetë pa dyshim vizita që ai ia bëri BFI-së në Shkup. Për lexuesit e mirë të këtij mesazhi, kjo do të thotë se Turqia është e interesuar për 1) mbarëvajtjen e jetës islame këtu dhe të trashëgimisë islame në Maqedoni (të asaj që quhet vakëf) dhe se 2) Turqia është e interesuar shumë që në Maqedoni të vazhdojë të zhvillohet dhe afirmohet pikërisht islami tradicional.
Marrë në përgjithësi, kur kihen parasysh përmasat intelektuale të këtij ministri që me idetë e tij barazohet me mendjet më të mëdha bashkëkohore të globit, që nga Kisinxheri, Hangtintoni e Fukujama, në çka patën rastin të binden të gjithë që e dëgjuan ligjëratën e tij në Universitetin “Shën Qirili e Metodi”, por edhe duke i pasur në konsideratë të gjitha mesazhet që lexohen nga vizita e këtij vigani të diplomacisë dhe shkencave shoqërore, me të drejtë mund të përfundojmë se kemi të bëjmë me një vizitë që mund të bëjë një kthesë në të gjitha fushat që i përmendëm, për çka besoj se edhe ne si shqiptarë nuk kemi asnjë kundërshtim. Sidomos në këtë kohë kthesash edhe për ne. Natyrisht nëse dimë t’i lexojnë mesazhet.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme