Përmasat e ibadetit (adhurimit) në Islam

Islami e kundron individin si tërësi. Nga ai kërkohet t’i nënshtrohet tërësisht Allahut, sikurse thuhet në Kur’an:
“Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)!” (El-En’am, 162-163).
Është e natyrshme që nënshtrimi i njeriut të bëhet në pajtim me udhëzimet hyjnore. Islami si udhëzim dhe mënyrë hyjnore e jetës kërkon nga pasuesit e tij që në të gjitha pikëpamjet, fetare dhe profane, ta jetojë jetën sipas mësimeve islame.


Ibadeti joritual

Islami, në anën tjetër, nuk i kushton shumë rëndësi ritualeve formale, veprimit mekanik, pa e përcjell këtë veprim edhe me aspektin shpirtëror. Këtë e vërteton Kur’ani:
“Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t’i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit.” (El-Bekareh, 177).
Ibadeti i bazuar në Islam nënkupton praktikimin e ritualeve dhe mirësjelljen sipas hadithit të Muhammedit a.s. se “Imani përbëhet prej shtatëdhjetë e ca degëve. Më e larta është fjala se nuk ka zot tjetër pos Allahut, dhe më e ulëta është të heq diçka që e pengon njerëzinë nga rruga.”
Edhe puna në pajtim me rregullat hyjnore është ibadet. Muhammedi a.s. thotë:
“Kush në mbrëmje ndien lodhje nga puna e tij, Zoti do t’ia falë mëkatet.”
“Kërkimi i diturisë është detyrë (fetare) e çdo muslimani”.
“Kërkimi i diturisë një orë është më mirë se falja (vullnetare) shtatëdhjetë vjet.”
Madje edhe praktikimi i detyrave personale konsiderohet ibadet. Shpenzimi i të mirave materiale për nevoja familjare dhe mirësia ndaj tyre është ibadet. Madje edhe jeta intime ndërmjet bashkëshortëve konsiderohet ibadet dhe këtë e arsyeton me faktin se nëse vepra e tillë e bërë në mënyrë jolegale do të konsiderohej mëkat i rëndë ashtu edhe vepra legale duhet të konsiderohet vepër e mirë.
Koncepti i ibadetit në Islam është i gjerë dhe përfshin në vete të gjitha aktivitetet pozitive të individit: në rrafshin social, ekonomik, politik dhe shpirtëror. Është stimul i jashtëzakonshëm kur njeriu kupton se të gjitha aktivitetet e tij te Zoti konsiderohen si ibadet. Kjo e shtynë njeriun të bëhet më i përgjegjshëm, më human e më altruist ndaj vetes, rrethit dhe të tjerëve dhe të gjurmojë drejt kënaqësisë së Krijuesit, Allahut të madhërishëm.


Ibadeti ritual

Ibadeti joritual në Islam nuk supozon se me këtë mënyrë zhvlerësohet vlera e ibadetit ritual, vlera e veprimeve konkrete si namazi, agjërimi etj. Përkundrazi, ibadetet rituale që kryhen në frymën e plotë sheriatike-frymore mundësojnë ngritje fizike, morale dhe shpirtërore.

Namazi - Namazi është rituali me rëndësi të pavlerësueshme: pesë herë në ditë falësi i namazit komunikon drejtpërdrejt me Krijuesin, e ripërtërin kontratën me Të qysh nga bota primordiale, kërkon ndihmë e udhëzim shumë herë në ditë nga Ai dhe tregon konkretisht se individi është besimtar, por i dobët dhe i nevojshëm për Krijuesin:
”Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm nga Ti ndihmë kërkojmë. Në udhëzo në rrugë të drejtë.” (El-Fatiha, 5-6).
Muhammedi a.s. thotë:
“Ata të cilët me kujdes dhe saktësisht e kryejnë namazin e tyre, do ta gjejnë dritën, dëshminë e besimit të tyre dhe arsyen për shpëtimin në Ditën e Gjykimit.”
Namazi është një botë ndjenjash të papërshkrueshme, është një masë edukative-arsimore, por është edhe metodë e edukimit dhe iluminimit islam. Namazi nuk bëhet nga muslimani nga arsyeja e frikës apo e interesit. Kjo formë e paraqitjes së namazit është bastardim i ritualit të namazit. Namazi individual por edhe ai kolektiv kryesin e tij (njeriun falës) e fut në harmoni me tërësinë kozmike dhe me bashkësinë e përkryer, i bazuar në kontemplim dhe respekt.

Zekati - Edhe zekati është ritual me rëndësi në Islam. Zekati, së bashkë me namazin përmenden shpesh në Kur’an dhe manifestojnë besimin e mirëfilltë se Zoti është Një i Vetmi, Mëshiruesi, Falësi ...:
“Merr nga pasuria e tyre sadakën ...”. (Et-Tevbeh, 103).
Zekati e afron njeriun afër Krijuesit, zekati ia fisnikëron shpirtin atij dhe e humanizon trupin. Në rrafshin botëror, zekati ndihmon në fshirjen e klasave shoqërore, ndihmon në zbutjen e krizave materiale dhe kontribuon në qetësinë shoqërore, si fund i shoqërisë skllavo-pronare-plutokratike. Zekati humanizon pasanikun nga egoizmi, kurse e melhemon varfanjakun nga urrejtja dhe dëshpërimi kundër shoqërisë; zekati e rritë vëllazërimin dhe solidaritetin shoqëror kurse shoqërisë muslimane i jep karakter institucional.

Agjërimi - Agjërimi i ramazanit në Islam dhe në përgjithësi si ibadet është edhe një vlerë e jashtëzakonshme e Islamit. Ai është një rast ideal, rrugë unike dhe manifestim i ibadetit të jashtëzakonshëm, i vetëmohimit, maturisë dhe pastërtisë së shpirtit. Agjërimi e pastron njeriun nga brenda sikur që disa akte të tjera njeriun e pastrojnë nga jashtë. Edhe ajeti kur’anor këtë e dëshmon:
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare, 183).
Në hadithi-kudsij, Allahu thotë:
“Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej në mënyrë të veçantë për të.”
Agjërimi e dobëson njeriun fizikisht, por e forcon dhe e disiplinon shpirtërisht, e intensifikon bindjen fetare dhe unin religjioz. Ai i përshkon të gjithë agjëruesit dhe u jep vend të piedestale të pakapshme deri atëherë. Agjërimi nuk është rrënim i barrierave ekzistenciale, por heshtje ripërtëritëse dhe zbrazje e kontrolluar e fuqisë negative. Ai është raport aktiv ndaj materies dhe epshit, duke ua dhënë këtyre statusin e mjetit e jo të qëllimit.

Haxhi - Përfundimisht, haxhi, vizita Shtëpisë së Zotit, manifeston unikatësinë muslimane. Haxhi i mirëfilltë fshin dallimet racore, gjuhësore, gjeografike dhe forcon vëllazërimin dhe solidaritetin, krijon miqësi të reja dhe së bashku udhëton në histori dhe mëson prej mesazheve gjithëkohore të Ademit a.s., të Ibrahimit a.s. dhe të Muhammedit a.s., dhe për një ideal perfekt e të ndritshëm fuzionon të kaluarën me të ardhmen. Po ashtu, haxhi jo vetëm që respekton pacenueshmërinë e njeriut, mosgrindjen e mosluftimin mes veti, por këtë frymë paqeje e rehatie e kërkon edhe për botën bimore e shtazore:
“Pra, kështu: Kush madhëron atë që All-llahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për te Zoti i vet. Juve u janë lejuar kafshët, pos atyre që u lexohen (në Kur’an), pra largohuni nga ndytësitë e idhujve dhe largohuni fjalës shpifëse. Duke qenë të sinqertë në besimin ndaj All-llahut, dhe duke mos i përshkruar Atij shok, e kush i përshkruan shok All-llahut, ai është sikur të bie nga qielli e ta rrëmbejë shpendi, ose si ai të cilin e gjuan era e stuhishme në ndonjë vend të humbur. Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e All-llahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.” (El-Haxhxh, 30-32).
Haxhi është kongres vjetor islam ku njerëzit e të katër anëve të botës tubohen, është kongres ku trasohen rrugët e përbashkëta ideore dhe frymore, historike dhe gjeografike.


Përfundim

Ibadeti në Islam, ai ritual apo joritual, është segment me rëndësi në jetën e muslimanit. Ai e përgatit njeriun ta dojë dhe respektojë Krijuesin dhe të kontribuojë në forcimin e vullnetit dhe shpirtit duke i eliminuar të gjitha negativitetet, vuajtjet dhe të këqijat, në aspektin individual dhe kolektiv, dhe duke bërë që Fjala e Allahut të bëhet më e larta.
Ibadeti në Islam na kthen te e amshueshmja, te jashtëkohorja dhe jashtëhapësinorja, na kthen te Zoti, tek I Cili është jeta dhe vdekja jonë, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja jonë.
______________________
Dituria Islame nr. 236/2010.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme