Babizmi dhe behaizmi

Babizmi është me prejardhje shi’ite, nga sekti shejhizëm, dhe shpreh idetë e reformacionit aristokratik, i cili u lind në mesin e varfanjakëve dhe fshatarëve të Iranit në fund të shekullit XIX.
Babizmin Fjalori i ri katolik e përkufizon si “emër sekti ose sistemi religjioz, politik dhe social, të formuar në Shiraz, Persi në vitin 1844 nga Mirza Ali Muhammed, i mbiquajtur Babu’d-din (Dera e fesë). Ky është muhamedanizëm panteistik, i zhvilluar nga domethëniet e sigurta të Islamit, i ngjyrosur me gnosticizëm, Budizëm dhe Judaizëm. Ai ka inkurajuar monogaminë dhe abstenimin nga alkoholi dhe ka ndaluar asketizmin, lypsërinë dhe konkubizmin.”
Babizmin fjalorët modern e përkufizojnë si “doktrinë të sektit modern religjioz panteistik në Persi, të cilin e formoi, rreth vitit 1844, Mirza Mohammed Ibn Rabhik (1820-1850). Ai mori titullin Babu’d-din (Dera e fesë). Fjala është për një përzierje elementesh muhamedane, kristiane, judaiste dhe persiane ...” .
Themelues i babizmit është Sejjid Ali Muhammed Esh-Shirazi (1820-1852). Babai i tij, Mirza Riza ishte tregtar, qëvdiq qysh në fëmijërinë e tij. Atë e rriti daja. Në moshën 6 vjeçare ai e dërgoi Ali Muhammedin në shkollën e njërit prej nxënësve të Kadhim Rishtit në Shiraz. Pas një kohe e lëshoi shkollën dhe vazhdoi të merret me tregti, së pari në bashkëpunim me dajën e më vonë i pavarur. Në moshën 17-vjeçare iu kthye mësimit të veprave sufiste, spiritualiste dhe veprave të tjera batinite. Në moshën 22 vjeçare u martua dhe nga kjo martesë kishte një djalë me emrin Ahmed, i cili vdiq qysh në foshnjëri. Krahas tregtisë mësonte dituritë e ndryshme. Bëri edhe ca udhëtime nëpër qytete e qendra të ndryshme dhe pastaj u kthye në ligjëratat e Kadhimit. Mirëpo, shumë nxënës të pranishëm, reaguan duke i vlerësuar fjalët e Ali Muhammedit si prej renegati. Më 23 mars 1844, Esh-Shirazi, në moshën e tij 25-vjeçare, shpalli se është përfaqësues i predikuesit (bab) të imamit të pritur : “E kam parë kokën e Husejnit – kokën e shehidit më të zgjedhur – të varur për një dru se si prej tij rrjedh gjak me bollëk. Iu afrova drurit ... e preka me dorë gjakun e tij dhe ... Kur u zgjova ndjeva se shpirti i Zotit është në mua dhe se plotësisht ka dominuar trupin tim. Zemra ime u gëzua me praninë e Zotit në mua ...”. Nuk vonoi dhe ky sekt erdhi në konflikt me duodecimalizmin zyrtar në Iran. Sunduesit iranianë ishin të vendosur që të pengohej zhvillimi i këtij sekti. Meqë Ali Muhammedi ishte i luhatshëm, ai, nën presionin politik, hoqi dorë publikisht nga mësimet e tij dhe u pendua në një xhami të Shirazit. Mirëpo, pas një kohe, nën ndikimin dhe rekomandimin e disa shokëve të tij, ai u vu sërish në krye të babizmit.


Doktrina e babizmit

Bab-i la literaturë të shumtë. Vepra e tij kryesore është Bejan, e cila në versionin arabisht dhe persisht ofron esencën e doktrinës.
Përkundër sqarimeve të shumta, nuk dihet mirë nëse e ka konsideruar vetveten vetëm bab të imamit të dymbëdhjetë, komentues i vetëm i autorizuar i mendimit të tij, apo edhe mehdi, apo meqë cikli pejgamberik ka përfunduar me Muhammedin a.s., ky do ta fillojë ciklin e ri pejgamberik.
Në doktrinën e babizmit ka shumë ide interne ekstreme shi’ite dhe sufiste, por edhe eksterne ekstreme kristiane, judaiste, zaratustriste dhe të feve të tjera. Sipas tij, Zoti është i pakognitueshëm në thelbin e vet, është krijues i botës dhe materies, të cilat janë paracaktuar për shkatërrim dhe vdekje. Sipas tij, ligji që Babi ia solli njerëzimit i ka abroguar disa mësime të Muhammedit a.s., i ka abroguar namazet përveç të xhenazes, i ka hequr rregullat e detyrueshme të pastrimit, por pastrimin e rekomandon, ka ndërruar kalendarin në 19 muaj dhe 19 ditë në muaj etj..
Doktrina e babizmit kishte para së gjithash karakter eskatologjik dhe predikonte se do të lajmërohet personi “nëpërmjet të të cilit Zoti do të manifestohet”, cilësi këtë të cilën më vonë e përvetësoi behaisti Sejid Husein Ali Nuri.
Shtëpia e babit dhe vendet në të cilat ai ishte ngujuar janë shndërruar në vende të shenjta pelegrinimi. U ruajt ndalimi ndaj alkoolit, kurse dënimet përgjithësisht u zbutën krahasuar me Islamin.
Ndër angazhimet e shumta doktrinare të babizmit ishte shformimi i familjes, ndaj edhe nën ndikimin e Zirin Taxhit , u proklamuan ndryshime të shumta. Ajo deklaroi se e veja duhet të gjejë burrë të ri pas 95 ditësh. Zgjatja e këtyre ditëve sipas tyre është shkelje e ‘fesë së re’. Burri mund të mbajë zi për gruan 90 ditë, pas kësaj dite duhet të gjejë grua.
Fëmija femër duhet të martohet në vitin e 11. Nëse burri nuk pajtohet me gruan mund të ndahen 19 herë.


Babistët si kolaboracionistë të kolonialistëve

Lëvizjen babiste Perëndimi e konsideronte revolucionare, kurse liderët e saj heronj. Edhe Gold Ziheri e lavdëron Ali Muhammedin – Bab-in si hero. Rusia cariste jo vetëm që i simpatizonte babistët, por edhe i ndihmonte me bollëk me para dhe armë. Qeveria ruse, nëpërmjet njeriut të saj, me emrin Isa, vuri kontakt me babistët. Ky fliste persisht, ecte me xhybe dhe ahmedije dhe shtirej si musliman i madh. Madje e fitoi edhe simpatinë e shahut. Në një rast, kur Ali Muhammedi ishte në rrezik të kapej dhe të ekzekutohej, atë e fshehu në shtëpinë e vet një tjetër njeri i Rusisë cariste, që quhej Menoxher Han. Rusia madje përdori edhe autoritetin e konzullatës ruse për ta shpëtuar, por nuk pati sukses dhe Ali Muhammedi u ekzekutua.





Përhapja dhe shtrirja

Përndjekjet u intensifikuan sidomos pas mbajtjes së kongresit në vitin 1848 në Horasan, kur babistët shpallën ndarjen nga Islami dhe abrogimin e së drejtës së sheriatit . Nga kjo kohë filluan përndjekjet e rrepta dhe ekzekutimet e shumta. Sejid Ali Muhamed me pasuesit e tij u ndoqën, u burgosën dhe pas gjashtë vjet burgu, në korrik të vitit 1850, në Tabriz, vetë Babi u dënua me pushkatim. Simpatizuesit e tij u larguan, u burgosën, kurse disa u pushkatuan dhe u dogjën. Veprimtaria e tyre ishte shtrirë sidomos në Iran, Irak dhe Turqi. Aktualisht, sipas Enciklopedisë së Orientit, babistë sot ka në Uzbekistan dhe numri i tyre është tejet i vogël.


2) Behaizmi

Formimi i behaizmit

Behaizmi është degë e lëvizjes babiste persiane. Bab-i (dera, me ndikim nga imamizmi shi’it, që është lider i zgjedhur nga Zoti), i cili vdiq më 1850, thotë se ai është zëvendësia e Muhammedit dhe shpalli fenë e re. Mirëpo, pas vdekjes së tij, çështja e trashëgimtarit rezultoi me paraqitjen e behaizmit, njërit nga nxënësit e tij, i njohur deri në vitin 1850 me emrin Mirza Husejn Ali Nuri, respektivisht me nofkën Beha’ullah (1817-1892), i cili, siç thuhej, ishte trashëgimtar direkt i Muhammedit a.s. . Babai i tij ishte nëpunës, kurse ky me vëllezërit e vet u edukua në Teheran. Shoqërohej me sufitë dhe ndiqte babistët. Meqë tentoi të bënte atentat kundër Nasirudin Shahut më 1852, u burgos, por me intervenimin e qeverisë ruse, u lirua dhe u internua në Irak. Pas daljes nga burgu, në kontakt me një grup çifutësh, hartoi programin për rrënimin e shoqërisë muslimane. Mirëpo, duke qenë se numri i simpatizuesve të tyre rritej në Bagdad dhe Sulejmani, ku e lejoi të qëndronte Perandoria Osmane, Persia kërkoi nga Turqia që ta largonte. Mirëpo, para se të largohej nga Bagdadi, Behaullahu, më 1863, në një kopsht, shpalli se ky ishte ai të cilin Bab-i e kishte paralajmëruar se do të vinte dhe të cilin e kishte ngarkuar me detyrim ta përmbaronte misionin e tij. Fillimisht misionin e filloi me anëtarët e familjes dhe me një numër të vogël pasuesish. Ndonëse pati probleme me të vëllanë rreth trashëgimisë (behaitët e tij kundër ezelitëve të vëllait Subhulezel), ai vazhdoi të dominonte. Duke parë rrezikun nga lëvizjet e tyre, Perandoria Osmane në vitin 1868 i ndau në dy grupe dhe njërin e dërgoi në Akra, në Palestinë, kurse tjetrin në Famagusta, në Qipro. Behaullahu, i cili u vendos në Akra, vdiq në vitin 1892 nga sëmundja e etheve, duke lënë pas, sipas tyre, librin e shenjtë, Kitab’ul-akdas. Pas vdekjes atë e zëvendësoi djali i tij i vjetër Abbas efendiu, i cili, pas daljes nga burgu më 1908, filloi të zhvillonte aktivitet të ngjeshur më shumë në Evropë dhe Amerikë e më pak në vendet islame. Në vitin 1920 qeveria angleze e emëroi për kalorës të Mbretërisë së britanisë së Madhe. Vdiq në vitin 1921. Pas vetes la një numër veprash në arabisht dhe persisht. Disa vepra janë përkthyer edhe në gjuhët evropiane.


Doktrina behaiste

Behaizmi është sekt sinkretik nga disa religjione. Disa mendojnë se doktrina e bab-it në babizëm dhe behaizëm është e ndikuar nga imamizmi. Hulumtimet e shkrimeve behaiste tregojnë se behaizmi, sipas “karakterit të vet, është para së gjithash praktik dhe i kushton më tepër rëndësi doktrinës etike dhe sociale se sa spekulimeve teologjike dhe metafizike.” Kjo, thonë analistët është edhe dallimi kryesor nga babizmi.
Kurse disa perëndimorë, duke bërë një përçasje analitike, e krahasojnë paraqitjen e behaizmit si fe e pavarur dhe shkëputjen e tij nga gjiri islam, me shkëputjen e Kristianizmit nga Judiazmi apo me shkëputjen e Budizmit nga Hinduizmi.
Analizat tregojnë se dallon edhe krahu iranian i behaizmit, i cili ka ruajtur frymën zanafillore dhe krahu perëndimor, i cili është i preokupuar me aspektin etik dhe social.
Sipas tyre historia e njerëzimit zhvillohet në cikle. Cikli i parë ka filluar para 6000 vjetesh me Adamin, kurse pasues të tij janë edhe Musa, Krishna, Buddha, Zaratustra, Isai dhe Muhamedi. I fundit dhe më i rëndësishmi është vetë ai, Behaullahu, kurse të tjerët kanë për të ardhur pastaj.
Behaistët besojnë në ringjalljen shpirtërore, kurse parajsa dhe skëterra nuk përshkruhen hollësisht dhe paraqesin vetëm simbole të përparimit ose të stagnimit të njeriut në mbretërinë shpirtërore.
Behaullahu konsideron se ai ka përmbushur të premtimin e të gjitha religjioneve mbi ripërtëritësin e botës. Sipas tij, Behaullahu ka ardhur t’i eliminojë gabimet dhe mosmarrëveshjet e religjioneve të hershme dhe të konstituojë “mbretërinë e Zotit” që është synim i të gjitha religjioneve dhe personalisht ky paraqet realizimin e premtimit të Bab-it, nëpërmjet tij do të manifestohet Zoti.
Sipas fjalëve të tyre, etika behaiste nuk kufizohet vetëm me anëtarët e grupit, por është e hapur për të gjithë. Luftojnë për paqe në botë dhe për zgjidhjen e të gjitha problemeve shoqërore dhe arritjen e barazisë racore. Unitetin e njerëzisë do ta sjellë providenca e Zotit, e shpallur Behaullahut. Behaistët janë aktivë në tërë botën, sidomos në projektet sociale dhe ekonomike. Ata kanë status këshillues në United Nations Economic and Social Council (ECOSOC) dhe në United Natinos Children’s Fund UNICEF , kurse bashkëpunojnë me U.N. Ofice of Public Information etj.


Organizimi

Organizimi i bashkësisë fetare zë fill në Këshillat Shpirtërorë Lokalë dhe Kuvendet Shpirtërore Nacionale, anëtarët e të cilëve zgjedhen nga të gjithë besimtarët; trupi më i lartë, Kuvendi Botëror Shpirtëror, quhet Shtëpia Botërore e Drejtësisë.
Është me interes se në aspektin organizativ behaistët nuk kanë klerikë, edhe pse në shumë vende janë ngritur tempuj, si (më i madhi) në Vilmet, Ilionis, Los Anxhelos, Çikago, pranë liqenit Miçigen (i formuar më 1894 nga siriani Ibrahim Hajrullah, për të cilin disa thonë se është greko-katolik). E shumta e takimeve të behaistëve mbahen nëpër shtëpi individuale, në qendrat lokale të tyre apo në ato me qira.

Shkrimet e shenjta

Shkrimet e shenjta behaiste përbëhen nga shkrimet e themeluesve dhe të pasardhësve të tyre. Shumica e veprave janë të shkruara në persisht, por disa janë edhe në arabisht dhe ato të fundit në anglisht. Behaullahu ka shkruar disa vepra, por më e njohur është Kitab’ul-Akdas. Vepra të shenjta janë edhe: Kitab’ul-ikan , Heft vadi, El-Kelimat el-Meknuna. Veprat e Bab-it, sikur edhe të gjitha veprat tjera të shenjta janë tejkaluar me veprat e Behaullahut. Të gjitha shkrimet e tij quhen të shenjta, por mund të interpretohen jotekstualisht. I autorizuar për komentimin e veprave të tij nga ai ishte caktuar i biri dhe kështu me radhë. Sot, literatura e tyre nuk quhet e shenjtë dhe komentohet në dritën e rrethanave të reja.


Përndjekja e behaizmit

Qysh nga fillimi i paraqitjes, behaizmi është përndjekur në Lindjen e Mesme, sidomos në Iran. Shahu i fundit, Reza Pahlavi, i shpall ata qytetarë të rendit të dytë.
Në vitin 1921-1922 kemi përndjekjen e tyre sistematike, arrestimet, konfiskimet e pasurisë dhe mbylljen në qendrat e tyre. Madje edhe martesat e tyre u shpallën të pavlefshme, kurse fëmijët jashtëmartesorë. Nga viti 1932 në Teheran janë mbyllur shkollat behaiste. Këto aksione vazhduan edhe gjatë viteve të mëvonshme, më 1941, 1951, në vitet e 70 etj.
Ndonëse fillimin e kishin brenda Islamit, ata pohojnë se janë religjion i pavarur. Kështu, opininoni musliman merr si lëvizje joislame. Në vitin 1925, në qytetin Bab, gjykata e qytetit shpalli se behaistët janë ndarë nga Islami. Po këtë e bëri edhe muftiu i madh i Egjiptit në vitin 1939. Edhe disa asociacione fetare në Egjipt e gjetkë e shpallën lëvizjen behaiste jo vetëm “fe joqiellore, madje as që e quajtën fe, por vetëm pikëpamje që synon të shkatërrojë Islamin, të krijojë konfuzion dhe mosbesim në mesin e muslimanëve”.
Liga Islame në Mekë paralajmëroi para dy dekadash se behaistët po tubojnë në tërë botën mjete materiale dhe ia dërgojnë hebrenjve. Si kundërvlerë, Lëvizja Botërore e hebrenjve i ka ndihmuar dhe edhe sot i ndihmon behaistët, kurse Lëvizja Botërore Cioniste te behaistët shihte aleatët e vet. Në fund këtë e shpjegon fakti se qendra e behaizmit sot është Haifa, qytet në Izrael.
Edhe pse behaizmi bashkëpërkon me Islamin: sunizmin dhe shi’izmin, në problematikë, në hierarki, e herë-herë edhe në disa zgjidhje, këtë sekt këta e mendojnë të papranueshëm në tërësi dhe e refuzojnë si sekt heretik.


Përhapja dhe shtrirja

Behaizmi fillimisht kishte pak simpatizues, por pas vdekjes së Behaullahut më 1921 në qytetin Haifa në Izrael dhe pas varrosjes së tij përskaj Bab-it, trupi i të cilit është transferuar në kodrën Karmel, filloi të rritej numri i tyre. Në fund të shekullit XX mendohet se lëvizja behaite kishte më shumë se 70 mijë qendra nëpër vende të ndryshme të botës. Përhapja e behaizmit jashtë Lindjes së Mesme ishte meritë kryesisht e Abdulbehaut, trashëgimtarit të Behaullahut. Ai më 1908, pas ardhjes në pushtet të Turqve të Rinj, u lirua nga burgu turk dhe më pastaj bëri disa udhëtime në Egjipt, Evropë dhe Amerikë. Çdokund formonte degë të lëvizjes. Qendrat kryesore të tyre sot janë në Azinë Jugperëndimore, por qendra ekzistojnë edhe në Evropë (Londër, Frankfurt etj.), në Afrikë (Adis Abebë në Etiopi, Kumbalë në Ugandë, Lusakë në Zambi, Johanesburg në Afrikën Jugore etj.) dhe Amerikën Veriore (Çikago etj.) e Jugore. Në vitin 1963 ky sekt bëri edhe ndryshime të tjera në organizimin e brendshëm.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme