Tevhidi /monoteizmi/, bazë e feve të shpallura

وَإِنْ مِنْ أُمَّةٍ إِلَّا خَلَا فِيهَا نَذِيرٌ
”Nuk pati popull që nuk pati të dërguar.” (Fatir, 24).

وَلَقَدْ بَعَثْنَا فِي كُلِّ أُمَّةٍ رَّسُولًا ...
“Ne me siguri i kemi dërguar çdo populli një të dërguar...”. (En-Nahl, 35).

Ky unitet transcendental i feve, si quhet shpesh herë, qysh moti ka gjuar interesimin e shumë filozofëve, ka ndezur entuziazmin fetar të mistikëve të të gjitha grupeve religjioze dhe është bërë objekt i studimeve të shumë ezoteristëve, si burim i pashterrshëm i komentimeve të ndryshme sekrete dhe domethënieve simbolike. Filozofët zakonisht e quajnë filozofi e shpalljes (Philosophia Perennis), kurse muslimanët ezoteristë e përcaktojnë si tesavuf vetëvetiu. Sidoqoftë, ndonëse emërtimet ndryshojnë, neve na intereson se si e emërtoi Shpallja këtë pikënisje unikale të të gjitha feve.

2. Feja si model

Si muslimanë, soditjet e sipërme do t’i ilustrojmë me ajetin fisnik të Kur’anit:
فَأَقِمْ وَجْهَكَ لِلدِّينِ حَنِيفًا ۚ فِطْرَتَ اللَّهِ الَّتِي فَطَرَ النَّاسَ عَلَيْهَا ۚ لَا تَبْدِيلَ لِخَلْقِ اللَّهِ ۚ ذَٰلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ وَلَٰكِنَّ أَكْثَرَ النَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ .
“Ti drejtohu me fytyrë kah feja jote si besimtar i vërtetë, fesë së All-llahut, sipas së cilës ai ka krijuar edhe njerëzit. Nuk ka zëvendësim për krijesën e All-llahut, sepse ajo është fe e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë." (Er-Rrum, 30).
Ajeti kur’anor provon qartë se së pari Allahu i madhërishëm e përcaktoi fenë e Tij dhe vetëm pastaj , sipas saj, e përshtati krijimin e Njeriut (Ademit), i cili këtë fe në këtë krijim do ta manifestojë ("...fesë së All-llahut, ndaj së cilës ai ka krijuar edhe njerëzit...").
Ekziston një fe model sipas së cilës është krijuar njeriu dhe e cila së këndejmi është burimore, natyrore e njeriut. Me këtë fe si prirje të tij kongjenitale lind çdo njeri, por të cilën mund ta ndryshojë familja, mjedisi dhe rrethanat e tjera të fuqishme ndikuese në të cilat jeton, zhvillohet, vepron dhe vdes njeriu.
Meqë krijues i kësaj feje universale të njeriut është Allahu i madhërishëm, së këndejmi është krejt e qartë se kjo është feja e vetme të cilën Ai e pranon dhe me të cilën Ai është i kënaqur.
إِنَّ الدِّينَ عِندَ اللَّهِ الْإِسْلَامُ … .
“E vetmja fe e drejtë te All-llahu është feja Islame...". (Ali Imran, 19.);
وَمَن يَبْتَغِ غَيْرَ الْإِسْلَامِ دِينًا فَلَن يُقْبَلَ مِنْهُ وَهُوَ فِي الْآخِرَةِ مِنَ الْخَاسِرِينَ .
Dhe kush kërkon ndonjë fe tjetër përveç asaj islame, atij nuk do t’i pranohet dhe ai do të jetë nga të humburit në botën tjetër." (Ali Imran, 85.)
Islami është kjo feja e Allahut, sipas së cilës është formësuar krijimi i njeriut dhe e cila i është mbjellë në natyrën e njeriut. Njeriu lind me Islam dhe pritet që me të të jetojë dhe të vdesë. Por, a do të mbetet i këtillë varet nga fakti se ku dhe në çfarë mjedisi jeton njeriu, për ç’gjë qartë fletë hadithi i njohur në mesin e dijetarëve, kurse të cilin e transmeton Ebu Hurejre, e në të cilin Muhammedi a.s. thotë:
‏عن ‏أبي هريرة ‏رضي الله عنه ‏قال‏: ‏قال النبي ‏صلى الله ‏عليه وسلم:
‏كل مولود‏ يولد على الفطرة فأبواه يهودانه أو ينصرانه أو يمجسانه … . متفق عليه.
“Çdo njeri lind në natyrën e pastër (në Islam), por janë prinderit ata që e hebreizojnë, e kristianizojne ose e bëjnë zoroastrian (mexhus, adhurues të zjarrit)...“. (Muttefekun alejh).

3. Esenca dhe forma e pikënisjes së përbashkët

Mos vallë përfundimi ynë do të thotë se religjionet e tjera, në botën aktuale, nuk kanë kurrfarë prejardhje qiellore?! Edhe pse mund të formohet një bindje e tillë, megjithatë mund të themi se Kur’ani qartë thotë se librat e shenjta fetare hebraike dhe kristiane, Tevrati dhe Inxhili, janë të shpallura dhe muslimanët në këtë nuk mund të dyshojnë assesi. Po ashtu, edhe dilemën se në një vend thuhet se fe e pranuar është vetëm Islami, kurse në vendet e tjera thuhet se Musai a.s., Davudi a.s. Isai a.s. kanë pranuar shpalljen e Tevratit, Zeburit dhe Inxhilit, mund ta sqarojmë se të gjithë pejgamberët e Allahut nga Ademi a.s. e deri te Muhammedi a.s. kanë predikuar Islamin (monoteizmin) e mirëfilltë dhe se pjesa e ajetit kur’anor se vetëm islami do të pranohet, por jo edhe fetë e tjera nënkupton se do të refuzohen të gjitha ndërhyrjet njerëzore që janë bërë në librat e shenjtë, Tevrat, Zebur dhe Inxhil. Kjo do të thotë se termi “feja e Allahut, Islami si feja natyrore e njeriut” duhet të kundrohet në thelbin e saj, në formën e saj jashtëkohore, kundrejt formave historike, njerëzore, të cilat i njohim në historinë e kulturës dhe qytetërimit njerëzor.
Prandaj, Islami si fe natyrore e njeriut e ka formën e tij burimore, të pandryshueshme, të pandërhyrë historikisht, i cili i ruan shtyllat e tij nga Ademi a.s. e deri te Muhammedi a.s., por ka pasur disa paraqitje historike, të cilat kanë evoluar në aspekt të dytësive dhe të praktikës, kurse të cilat e morën formën përfundimtare me pejgamberin e fundit, Muhammedn a.s., si forma përfundimtare e Islamit, respektivisht si feja burimore, natyrore e njeriut.
Ky thelb i Islamit, përbëhet prej dy elementeve themelore dhe të amshueshme:

1) Tevhidit (monoteizmit), njësisë së qenies së Allahut të madhërishëm

Feja natyrore e njeriut kërkon që të besohet në Një, të vetmin Zot, që Atij mos t’ia konsiderojë në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë diç të barabartë me Të (sepse të gjithë përveç Atij janë vetëm krijesa dhe robër të Tij dhe për Të të varura), dhe që askend mos ta konsiderojë ndërmjetës ndërmjet Atij dhe krijesave të Tij.

2) Dorëzimit dhe nënshtrimit të plotë, të sinqert dhe të pakusht ndaj Allahut të madhërishëm

Njeriu krejt sinqerisht t’i dorëzohet Zotit dhe këtë ta konfirmojë me nënshtrim dhe me pasimin e Pejgamberit të caktuar, të dërguar në kohën e caktuar dhe me pasimin e feligjit të shpallur në këtë kohë.
Në këtë aspekt, të gjithë ata që e pasuan thirrjen e Musait a.s. dhe e besuan vetëm Një të Vetmin Zot duke e pasuar Tevratin si libër të Allahut dhe duke e zbatuar feligjin e Musait a.s. kanë qenë “të nënshtruar, dorëzuar Zotit”, respektivisht kanë qenë muslimanë. Po ashtu, edhe të gjithë ata që e pranuan dhe ndoqën Isain a.s. dhe Inxhilin dhe e adhuruan Një Zot sipas feligjit të atëhershëm që e ndiqte edhe Isai a.s. kanë qenë muslimanë.
Kjo na jep të kuptojmë se feja e Musait dhe Isait a.s. janë vetëm dy forma historike të një feje natyrore, burimore të Allahut të madhërishëm, por që kanë qenë të kufizuara në kohë e hapësirë. Edhe shpallja e dërguar Muhammedit a.s. është një nga këto forma historike, por është forma përfundimtare, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore deri në Ditën e Gjykimit.
Gjithashtu kuptojmë se format religjioze nën emrat judaizëm dhe krishterizëm në bazën, rrënjën e tyre, në thelbin e tyre, jashtë shtresimeve historike, njerëzore, kanë formën e vjetër të Islamit, formën e fesë natyrore të njeriut. Këtë bazë e posedojnë të gjitha fetë qiellore, pra edhe ato që sot nuk i njohim, apo i njohim në forma të bastarduara. Por, këtë bazë nuk e posedojnë vetëm idetë (religjionet) të cilat nuk janë bazuar në Shpallje qiellore, por në idetë njerëzore, fiksionet dhe fantazitë botërore.
Meqë nuk mund të zgjerohemi më tepër, lexuesve ju rekomandojmë shkrimin tonë me titull Njoftime pejgamberike për ardhjen e Muhammedit a.s. dhe Muhamedi në Bibël të ish klerikut katolik Atë David Benjamin, i kthyer në Islam me emrin Abdulahad Davud dhe disa shkrime e vepra të tjera sidomos të Ahmed Didatit.

4. Përfundim

Në themel të të gjitha religjioneve, të bazuara në Shpalljen e lashtë, ekziston një themel i përbashkët, i përbërë prej dy elementeve themelore të thelbit të Islamit si fe natyrore të njeriut:
- Tevhidit, monoteizmit të pakompromis, të qartë dhe të saktë dhe;
- Përkushtimit, nënshtrimit dhe dorëzimit të plotë e të pakusht ndaj Zotit.
Dallimet ndërmjet feve rezultojnë për shkak të dy faktorëve themelorë:
- Për shkak të formave të ndryshme të feligjeve (sheriateve) të tyre dhe;
- Për shkak të ndërhyrjes njerëzore në fe dhe librat bazorë fetarë.
Elementet e përbashkëta në themelet e këtyre feve paraqesin bazë të mirë dhe cilësore për afrimin e tyre të ndërsjellë:

قُلْ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ تَعَالَوْا إِلَىٰ كَلِمَةٍ سَوَاءٍ بَيْنَنَا وَبَيْنَكُمْ أَلَّا نَعْبُدَ إِلَّا اللَّهَ وَلَا نُشْرِكَ بِهِ شَيْئًا وَلَا يَتَّخِذَ بَعْضُنَا بَعْضًا أَرْبَابًا مِّن دُونِ اللَّهِ ۚ فَإِن تَوَلَّوْا فَقُولُوا اشْهَدُوا بِأَنَّا مُسْلِمُونَ .
“Thuaj: “O ithtarë të Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët edhe për ne edhe për ju; që të mos adhurojmë tjetër përveç All-llahut, asnjë send të mos ia bëjmë shok dhe mos trajtojmë njëri-tjetrin si zotër në vend të All-llahut. E nëse ata kthejnë kryet anash, thuani: “Dëshmone se ne njëmend jemi muslimanë”. (Ali Imran, 64.)
Nga ajeti kur’anor shohim se Allahu kërkon që ky afrim të bëhet mbi të vërtetën e tevhidit /monoteizmit/, i cili është bazë i të gjitha feve të shpallura, në çka nënkuptohet sinqeriteti së pari ndaj Allahut dhe së dyti në marrëdhëniet e ndërsjella. Nën këto kushte dallimet ndërmjet feve nuk duhet të jenë pengesë për bashkëjetesën në paqe dhe tolerancë të bazuar të marrëveshtjet e drejta :

وَأَنزَلْنَا إِلَيْكَ الْكِتَابَ بِالْحَقِّ مُصَدِّقًا لِّمَا بَيْنَ يَدَيْهِ مِنَ الْكِتَابِ وَمُهَيْمِنًا عَلَيْهِ ۖ فَاحْكُم بَيْنَهُم بِمَا أَنزَلَ اللَّهُ ۖ وَلَا تَتَّبِعْ أَهْوَاءَهُمْ عَمَّا جَاءَكَ مِنَ الْحَقِّ ۚ لِكُلٍّ جَعَلْنَا مِنكُمْ شِرْعَةً وَمِنْهَاجًا ۚ وَلَوْ شَاءَ اللَّهُ لَجَعَلَكُمْ أُمَّةً وَاحِدَةً وَلَٰكِن لِّيَبْلُوَكُمْ فِي مَا آتَاكُمْ ۖ فَاسْتَبِقُوا الْخَيْرَاتِ ۚ إِلَى اللَّهِ مَرْجِعُكُمْ جَمِيعًا فَيُنَبِّئُكُم بِمَا كُنتُمْ فِيهِ تَخْتَلِفُونَ .
“Edhe ty të shpallëm Librin, me realitete, për të vërtetuar Librat e mëparme dhe përkujdeset për ata. Dhe ti gjyko, në mesin e atyre, sipas asaj që shpallë All-llahu dhe mos ndiq epshet e atyre e të largohesh nga e vërteta që të ka ardhur; për secilin kemi caktuar një ligj dhe një drejtim. Dhe sikur të kishte dashur All-llahu, Ai do t’ju kishte krijuar vetëm një popull, por Ai don t’ju sprovojë me atë çka u jep, prandaj bëni gara për vepra të mira! Te All-llahu do të ktheheni të gjithë dhe Ai do t’ju informojë për atë çka keni kundërshtuar." (El-Maideh, 48.)
____________________
Shejh Said Feuda, Akideja maturidite, sipas: http://www.el-ahnaf.net/index.php?option=com_content&task=view&id=165&Itemid=196.
Allahu xh. sh. ka dërguar shumë të dërguar dhe disa prej tyre i përmend me emra, kurse Muhammedi a.s. thotë se ky numër është mjaft i madh:
أن عدة الأنبياء مائه وأربعة وعشرون ألف نبي , وعدة الرسل ثلاثمائة وبضعة عشر رسولا , që do të thotë: “Numri i felajmëruesve (el-enbija’) ishte 124 mijë pejgamberë, kurse numri i të dërguarve (er-rusul) ishte 300 e disa.”
Sipas: Haris Čengić, Univerzalna vjera čovjekova kao osnov objavljenih vjera, në: http://www.znaci.com/druge_tradicije/art99_0.html.
Haris Čengić, po aty.
Fjala islam në gjuhën arabe do të thotë “dorëzim, nënshtrim Zotit” dhe së këndejmi fjala muslim apo musliman përkthehet si “ai i cili është i nënshtruar Zotit”.
Më gjerësisht fjala islam do të thotë: Nënshtrim, dorëzim i vetëdijshëm, i ndërgjegjshëm, i qëllimshëm vullnetit të Zotit, Një dhe i Vetëm. Pikëpamjet, qëndrimet dhe veprimet e tërësishme të njeriut sipas besimit në Zotin në bazë të Kur’anit. Islami në aspektin besimor është po ai qysh prej Ademit a.s. e deri te Muhammedi a.s., por në aspektin e ritualeve format e Islamit gjatë historisë kanë ndryshuar. Anën praktike të Islamit e përbëjnë pesë shtyllat e tij: Shehadeti, namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi. Shih: Nexhat Ibrahimi, Leksikoni Islam, Prishtinë, 2008, fq. 56, shtylla II.
Haris Čengić, po aty.
Shih gjerësisht: Ekrem Sarikçioglu, Historia e feve, Shkup, 2008.
Nexhat Ibrahimi, Muslimanët në kërkim të Islamit, Shkup, 2007, fq. 33-50.
Benjamin Keldani, Muhamedi në Bibël, Tiranë, 2004.
Shih hollësisht: Haris Čengić, po aty.
_________________
Burimi: Etika - reviste edukative-kulturore, Tirane, prill 2010, fq. 22-25.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme