
Kam lexuar Shekspirin, që ishte mirë, por jo edhe Allama Iqbal – poetin kombëtar të Pakistanit. Orët në studimet islame nuk ishin serioze, dhe kur mbarova shkollën konsiderohesha pjesë e elitës së vendit, sepse mund të flisja anglisht dhe të vishja veshje perëndimore…
Pavarësisht se kam bërtitur “Pakistan Zindabad” (që d.m.th. Jetoftë gjatë Pakistani!) përkohësisht nëpër manifestime shkollore, unë kam konsideruar kulturën time të prapambetur dhe fenë time të vjetruar. Në mesin e grupit tonë në qoftë se ndonjëri fliste për fenë, lutej ose mbante mjekër ai menjëherë etiketohej: Mulla.
Për shkak të fuqisë dhe dominimit të mediave perëndimore, heronjtë tanë ishin yjet e filmave perëndimore ose pop yjet. Kur kalova në Oxford, tanimë i ngarkuar me këtë preokupim, gjërat nuk ndryshuam aspak për të mirë. Në Oxford, jo vetëm Islami, por të gjitha fetë konsideroheshin si anakronizëm.
Shkenca veç më e kishte zëvendësuar fenë dhe nëse diçka nuk mund të argumentohej nëpërmjet logjikës, një gjë e tillë edhe nuk ekzistonte… Të gjitha gjërat mbinatyrore ishin të kufizuara vetëm në atë çka shihej nëpër filma. Filozofët si Darvini, i cili me teorinë e tij gjysmake të evolucionit, kinse ka kundër-argumentuar krijimin e njeriut dhe kështu edhe ekzistencën e religjionit, ishin mjaft të lexuara dhe të respektuara.
Për më tepër, historia evropiane reflektonte përvojën e saj të tmerrshme me fenë. Masakrat e kryera nga klerikët krishterë gjatë kohës së inkuizicionit kishin lënë një ndikim të fuqishëm në mendjen perëndimore. Për të kuptuar pse Perëndimi insiston aq shumë në sekularizmin, duhet të shkohet në vende si Kordoba në Spanjë dhe të shohim aparaturën torturuese të përdorur gjatë inkuizicionit spanjoll. Gjithashtu, persekutimi i shkencëtarëve si heretik nga kleri, kishin bindur evropianët që të gjitha fetë janë regresive.
Sidoqoftë, faktori më i madh që çoi njerëzit si unë larg nga feja ishte Islami selektiv, mënyra selektive e praktikimit të Islamit nga pjesa më e madhe e predikuesve të saj. Me pak fjalë, kishte nje diferencë goxha të madhe në mes të asaj çka ata praktikonin dhe asaj që ata predikonin. Gjithashtu, në vend që të shpjegohej filozofia e fesë, rëndësi tepër e madhe i kushtohej ritualeve.
Sido që të jetë, mënyra e praktikimit të Islamit nga ana ime ishte po ashtu selektive. Kam pranuar vetëm pjesë të fesë që më përshtateshin mua. Faljet dhe lutjet ishin te kufizuara vetëm në ditët e Bajramit dhe herë pas here të premteve, kur babai im këmbëngulte të më merrte edhe mua në xhami me të. Mbi të gjitha, ngadalë lëvizja në drejtim që të bëhesha një Brown Sahib i besueshëm (Brown Sahib është një term i përdorur për t’iu referuar vendasve të Azisë Jugore të cilët kanë qenë tërësisht të ndikuar nga kultura dhe të menduarit perëndimorë, zakonisht britanik. Në Pakistan është përmendur nga autori i këtijë shkrimi si një mentalitet kolonialist që klasa në pushtet ushtronte mbi popullin e vet).
Pas gjithë kësaj, unë posedoja të gjitha kredencialet në aspekt të shkollimit, universitetit dhe mbi të gjitha akses, kyçje në aristokracinë angleze, diçka për të cilën Brown Sahibët jepnin jetën. Prandaj, çka më shtyu mua të bëja “lota” (ndrim të lojalitetit) ndaj kulturës së Brown Sahibëve, dhe në të kundërtën të bëhesha një “desi” (atdhetarë)?
Një gjë e tillë nuk ndodhi brenda natës…
Së pari, kompleksi i inferioritetit që brezi im e kishte trashëguar gradualisht u zhduk me zhvillimin tim në një atlet të klasit botërorë. Së dyti, unë kam qenë në pozicionin unik të jetesës mes dy kulturave. Fillova për të parë avantazhet dhe disavantazhet e të dy shoqërive.
Në shoqëritë perëndimore, institucionet ishin të forta, ndërsa të njëjtat ishin në kolaps në vendin tim. Megjithatë, kishte një aspekt ku kemi qenë dhe ende jemi superior, dhe kjo është jeta jonë familjare. Fillova të kuptoj se kjo ishte humbja më e madhe e shoqërisë perëndimore. Në përpjekje për të liruar veten e tyre nga shtypja e klerikëve, ata kishin hequr nga jeta e tyre të dyja: Zotin dhe fenë.
Ndërsa shkenca, pa marrë parasysh se sa ajo zhvillohet, mund t’iu jep përgjigje shumë pyetjeve, por, dy pyetjeve nuk do të jetë në gjendje që kurrë t’iu pergjigjet:
E para: cili është qëllimi i ekzistencës sonë; dhe:
E dyta: çfarë ndodh me ne kur vdesim?
Është ky boshllëk që mendova të kishte krijuar kultura materialiste dhe hedoniste. Nëse kjo është jeta e vetme atëherë njeriu duhet t’i shfrytëzoj të gjitha mundësitë që i jepen në jetë – dhe për të bërë këtë normalisht duhen para. Një kulturë e tillë patjetër që shkakton probleme psikologjike në qeniet njerëzore, pasi që kjo krijon ç’ekuilibër në mes të trupit dhe shpirtit.
Si pasojë e kësaj, në SHBA, e cila ka treguar përparimin më të madh materialist duke u dhënë të drejta të shumta qytetarëve të saj, pothuajse 60 % e popullsisë rregullisht konsultojnë psikiatër. Megjithatë, çuditërisht në psikologjinë moderne nuk kemi ndonjë studim të shpirtit të njeriut. Suedia dhe Zvicra, të cilët ofrojnë mirëqenie dhe jetesë më të mirë për qytetarët e tyre, gjithashtu kanë edhe numrin më të madhe të vetëvrasjeve. Prandaj, njeriu jo patjetër është i kënaqur vetëm me mirëqenien e tij materiale, por ka nevojë për diçka më shumë.
Pasi që të gjitha parimet morale rrënjët, bazamentin e kanë në fe, me heqjen dorë, largimin nga feja, kemi një rritje progresive të imoralitetit që nga vitet e 70-ta. Ndikimi i saj direkt ka qenë në jetën familjare. Në Mbretërinë e Bashkuar, numri i divorcit është 60 %, ndërkohë që është vlerësuar se ka mbi 35 % të nënave të vetmuara. Norma e krimit është në rritje pothuajse në të gjitha shoqëritë perëndimore, por fakti më shqetësuese është rritja alarmante e racizmit.
Gjersa shkenca përpiqet që gjithmonë të dëshmojë pabarazinë mes njerëzve (një studim i kohëve të fundit tregon se gjenetikisht zezakët amerikanë janë më pak inteligjent se sa të bardhët…), pra, është vetëm feja ajo që predikon barazinë e njeriut. Midis vitit 1991 dhe 1997, është vlerësuar se emigrimi i përgjithshëm në Evropë arrinte shifrën 520.000 dhe po të njëjtit ishin pre e sulmeve të motivuara në baza racore gjithandej nëpër Evropë, veçanërisht në Britani, Francë dhe Gjermani. Në Pakistan gjatë luftës afgane, ne kishim mbi katër milion refugjatë afganë, dhe pavarësisht që njerëzit ishin aq shumë të varfër, nuk ka pasur kurrë tensione racore.
Kishte një sekuencë ngjarjesh në vitet e 80-ta që më lëviznin drejt Zotit, pasi Kur’ani thotë: “Ka shenja për njerëz të cilët kuptojnë.” Një nga ato ngjarje ishte kriketi. Pasi isha nxënës i lojës, sa më shumë që kam kuptuar lojën, aq më shumë kam filluar të kuptojë se çfarë kisha konsideruar të jetë shans, mundësi… Në fakt, ishte dëshira e Allahut. Një model i cili m’u bë më i qartë me kalimin e kohës. Por jo deri me leximin e “Vargjet satanike” të Salman Rushdi që të kuptuarit tim të Islamit filloi të zhvillohet.
Njerëz si unë që jetuan në botën perëndimore mbanin barrën e paragjykimeve anti-islame, që ndoqën reagimin e myslimanëve ndaj librit. Ne mbetëm mes dy zgjedhjeve: të luftojmë ose të ikim. Pasi që ndjeva fortë se sulmet mbi Islamin ishin të padrejta, vendosa që t’i luftojë. Pikërisht ky moment ishte ai që bëri të kuptoj se unë nuk kisha pajisje adekuate për të bërë një gjë të tillë, pasi njohuritë e mia mbi Islamin ishin joadekuate. Prandaj kam filluar hulumtimet e mia dhe për mua ishte një periudhë e një ndriçimi të madh të mendjes. Kam lexuar studiues si Ali Shariati, Muhamed Asad, Alame Iqbal, Gai Eaton, dhe sigurisht, një studim të Kur’anit.
Unë do të përpiqem që të shpjegoj sa më saktë që është e mundur, çfarë “zbulimi i së vërtetës” donte të thotë për mua. Allahu gjithmonë u adresohet besimtarëve ne Kur’an me fjalët “Ata që besuan dhe bënë vepra të mira.” Me fjalë të tjera, një mysliman ka funksion të dyfishtë, njëri ndaj Zotit dhe tjetri ndaj qenieve tjera njerëzore.
Ndikimin më të madh që besimi në Zot kishte për mua, donte të thotë humbje e gjithë frikës nga qeniet njerëzore. Kur’ani liron njeriun nga njeriu, ai thotë se jeta dhe vdekja, respekti dhe poshtërimi janë nën juridiksionin e Zotit, kështu që ne nuk duhet të përkulemi para qenieve tjera njerëzore.
Për më tepër, pasi kjo është një botë kalimtare ku ne përgatitemi për botën e amshueshme, arrita të arratisesha nga disa preokupime të vetë-imponuara, siç është procesi i të plakurit/pleqërisë (që konsiderohet një mallkim i madh në botën perëndimore, dhe si rezultat i së cilës, kirurgët plastikë kanë përfitime të mëdha nga ky rast), materializmi, egoja, thashethemet e njerëzve dhe kështu me radhë.
Është e rëndësishme të theksohet se njeriu nuk eliminon dëshirat e tij tokësore, të kësaj bote. Por, në vend që të jetë i kontrolluar nga ato dëshira, ai i kontrollon ato. Duke ndjekur pjesën e dytë të besimit në Islam, unë jam bërë një qenie më e mirë njerëzore. Në vend që të jem egoist dhe të jetojë vetëm për vete, ndjej se për shkak se i Plotfuqishmi më ka dhënë kaq shumë mirësi, patjetër t’i përdori këto bekime të Zotit për të ndihmuar më pak të privilegjuarit. Kjo ndodhi duke ndjekur bazat fondamentale të Islamit.
Unë jam bërë tepër tolerant dhe një njeri mjaft zemërgjerë që ndjen dhembshuri për më të dobëtit. Në vend që këtë sukses t’ia atribuoj vetvetes, unë e di se është për shkak të vullnetit të Zotit, kështu që kam mësuar përulësinë/modestinë në vend të arrogancës.
Gjithashtu, në vend të qëndrimit neglizhues të Brown Sahibëve ndaj popullatës tonë, unë besoj në egalitarianizëm dhe qëndroj fuqishëm kundër padrejtësive që u bëhen të pafuqishmëve në shoqërinë tonë. Sipas Kur’anit, “shtypja/presioni është më e keqe se vrasja.” Në fakt, vetëm tani mund ta kuptojë kuptimin e vërtetë të Islamit, nëse i dorëzohesh vullnetit të Allahut, vetëm atëherë gjen paqe/rehati të brendshme.
Nëpërmjet besimit tim, unë kam zbuluar forca të shumta brenda meje që më parë nuk kam ditur se kanë ekzistuar,e të cilat kanë rritur potencialin tim në jetë. Unë mendojë se në Pakistan praktikohet një Islam selektiv. Vetëm besimi në Zot dhe të ndjekja e ritualeve nuk është e mjaftueshme. Ne gjithashtu duhet të jemi qenie të mira njerëzore. Unë mendoj se janë disa shtete perëndimore që posedojnë më tepër tipare islamike se sa kemi ne në Pakistan, veçanërisht mënyrën se si ata i mbrojnë të drejtat e qytetarëve të tyre, apo thënë shkurtë sistemin e tyre të drejtësisë. Në fakt, e di që disa prej individëve më të mirë që mund të ekzistojnë jetojnë atje.
Ajo çfarë më shumë urrej tek vendet e zhvilluara – janë standardet e dyfishta që përdoren në mënyrën se si ata mbrojnë të drejtat e qytetarëve të tyre, dhe si i konsiderojnë qytetarët e vendeve të tjera disi si më inferiorë ndaj tyre si qenie njerëzore, p.sh. hedhja e mbeturinave toksike në shtetet e Botës së Tretë, reklamimi i cigareve që nuk janë të lejuara në Perëndim dhe shitjen e barnave që janë të ndaluara në Perëndim.
Një nga problemet që hasi sot në Pakistan është polarizimi i dy grupeve kundërshtuese. Nga njëra anë është grupi pro-perëndimor që sheh Islamin nga këndvështrimi perëndimor dhe ka njohuri të pamjaftueshme në lidhje me Islamin. Ata reagojnë fuqishëm ndaj atyre që përpiqen ta imponojnë Islamin në shoqëri dhe dëshirojnë vetëm një pjesë të seleksionuar të fesë.
Në ekstremin tjetër kemi grupin që reagon ndaj kësaj elite pro-perëndimore, që në përpjekjen për t’u bërë mbrojtës dhe shpëtimtarë të besimit, marrin qëndrime të tilla jotolerante dhe vetëvendosëse që janë të neveritshëm në frymën e Islamit. Çfarë duhet bërë është që disi të fillohet një dialog midis dy ekstremeve. Në mënyrë që kjo të ndodhë, grupi për të cilin shpenzohet proporcioni më i madh i burimeve tona për arsim, duhet që të studiojnë Islamin ashtu si duhet.
Nëse ata do të bëhen praktikues të Islamit ose të besojnë në Zot është krejtësisht një zgjedhje e tyre personale. Ashtu siç edhe na tregon Kurani se “nuk ka detyrim në fe.” Megjithatë, ata duhet të pajisen me dituri si një armë për të luftuar ekstremizmin. Vetëm duke i ngritur hundët e tyre ndaj ekstremizmit, problemi nuk do të zgjidhet.
Ku’ani i quan myslimanët “ummet/popull i mesëm”, jo i dy ekstremeve. Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ishte i urdhëruar që vetëm të përcillte mesazhin dhe jo të shqetësohej nëse njerëzit konvertoheshin ose jo, prandaj, në Islam nuk vjen parasysh që t’ua imponosh mendimet tua të tjerëve, përkundrazi…
Për më tepër, ne jemi të urdhëruar t’i respektojmë fetë e tjera, vendet e tyre të adhurimit dhe profetët e tyre. Duhet të theksohet se asnjë misionar ose ushtri muslimane nuk vajti ndonjëherë në Indonezi apo Malajzi. Njerëzit përqafuan Islamin për shkak të parimeve të larta dhe karakterit perfekt e të pa të metë të tregtarëve muslimanë. Sot, reklamim më i keq për Islamin janë vendet që praktikojnë Islamin e tyre selektiv, veçanërisht ku feja përdoret për të privuar popullin nga të drejtat e tyre njerëzore. Në fakt, një shoqëri që respekton parimet e Islamit duhet të jetë një shoqëri liberale.
Në qoftë se klasa pro-perëndimore e Pakistanit fillon që të studioj Islamin, jo vetëm që do të jetë në gjendje për të ndihmuar shoqërinë në luftën kundër sektarizmit dhe ekstremizmit, por ajo gjithashtu do t’u ndihmoje atyre të kuptojnë se çfarë fe progresive është Islami. Ata gjithashtu do të jenë në gjendje të ndihmojnë botën perëndimore duke artikuluar konceptet e Islamit. Kohët e fundit, Princi Charles pranoi se bota perëndimore mund të mësojnë nga Islami.
Por si mund kjo të ndodhë në qoftë se grupi që është në pozitë më të mirë të pasqyrojë Islamin në botën perëndimore merr qëndrimet e tija nga Perëndimi dhe Islamin e konsideron fe të prapambetur? Islami është një fe universale dhe kjo është pse Profeti ynë (Paqja qoftë mbi të) u quajt mëshirë për të gjithë njerëzimin.
___________________
Imran Khan Niazi (lindur më 25 nëntor 1952) është ish-lojtar kriketi në pension, i cili luajti kriket ndërkombëtar për dy dekada në fund të shekullit të njëzetë dhe është politikan që nga mesi i viteve 90-ta. Në prill të vitit 1996, Khan themeloi dhe u bë kryetar i Partisë Tehreek-e-Insaf (Lëvizja për Drejtësi) të Pakistanit, një parti e vogël politike, nga e cila ai është anëtari i vetëm i zgjedhur ndonjëherë në Parlamentin pakistanez.)
Ky shkrim i tij për herë të parë u publikua në Arabnews.
Përktheu nga anglishtja:
Mensur Zeqiri
http://breziiri.com/2010/04/03/pse-lindja-gjithnje-mbeshtet-per-fene/