NJE LIBER MBI SHESTANIN

Për ata që nuk kanë dëgjuar për Shestanin, ajo është një krahinë e vogël e përbërë prej 9 fshatrash, ndërmjet Kraj...ës (shqiptare) e Cërmnicës (malazeze), sot pothuaj tërësisht i zbrazur dhe i sllavizuar. Nga një numër i konsiderueshëm letrash e relacionesh, shestanin e gjemë në kuadër të Krajës, bashkë me fshatrat tashmë të sllavizuara deri në Selcë, që Z. Dabaj i ka përjashtuar nga Shestani. Megjithse autori këtu ka përfshirë edhe fshatrat tjera që nuk janë në kuadër të Shestanit (Ftjan Brisk, Ljare, Muriq, Pinç e Rjeps) por që siç thotë autori i ka futë nën këtë krahinë për shkak se këto fshatra kanë familje katolike.
Pa e mohuar punën dhe sakrificën e autorit, kam të drejtë të them mendimin tim mbi këtë vepër gjigande mbi Shestanin, e cila nuk është vetëm për Shestanin por për gjithë Shqipërinë, Ballkanin e më gjërë. E mbushur me pasaktësi, paragjykime të gabuara fanatike, dhe mangësi të shumëta në paraqitjen e një të vërtete.
Posa të hapësh librin vihet re: Recensant: Matish Shestani dhe Dr. Prof Hajrullah Koliqi. Ndërsa menjëherë pas saj kemi Redaktimi shekncor dhe letrar, korrektimi (dhe punë të tjera) nga vetë autori. Një autor që korigjon e redakton punën e vet (?!) në një botim 1400 faqesh. Matush Shestanin nuk e njoh dhe nuk kam dëgjuar për të, por personalisht për vete nuk mendoj se në recenzimin e këti libri ka marrë pjesë Prof. Dr. Hajrullah Koliqi. Them kështu duke e parë cilësinë e recenzimit dhe mënyrën si është recenzuar libri si dhe nga lëshimi i pasaktësive të shumëta, që Dr. Koliqi i ka të njohura, pasi i ka spjeguar në disa botimet e tij të mëparshme. Se si ka qenë puna që të figurojë emri i tij në atë pozitë, mund ta dijë më mirë Hajrullahu.
Kjo histori e Shestanit është mbushur me gjykime sa hamendëse aq të gabuara dhe lexuesi do të ndeshet në një numër të madh shprehjesh, si: përftyrojmë, marrim me mend, do të ketë qenë, duhet të jetë, afërmendsh, me arsyetim, është fort e besueshme, na shkon mendja, në mos gabohem, ndoshta jam gabim, sigurisht, na jepet mundësia të marrim me mend, nuk e di, ndoshta, me ngijasë, hamendja ime, do të jenë, do të kenë... etj. Veç kësaj, qëllimisht janë ngatërruar referencat me shkurtesa, disa prej të cilave nuk merren vesh fare nga kanë ardhur. Disa prej tyre janë përdorur të pjesërishme, për të lejuar veten të marrë me mend si do të ketë qenë e “vërteta”.
Ja disa mendimet e Z. Dabajt në librin e Shestanit”

Omari... trashigimtar i profetit Muhamed që... po zhvillonte luftë të shenjtë (xhihadin), luftë e cila synonte të përhapte fenë islamike, jo me bindje por me dhunë... ai islamizëm që po hidhte rrënjë violente atje larg, do të vinte por me vonesë edhe në Shestan... Islamizmi, prishësi i etnosit tonë... (“Shestani...” Vol. II-të, f.79)
Më trimat e më të vetëdishmit e arbëve ishin vrarë në luftra. Ato më pak trima, por të zgjuar dhe sadopak egoistë ishin larguar për ne vendet ku jetohej më lehtë, duke e lënë vendin e vet. Kurse më të dobëtit, qyqarët si dhe ndonjë birbo, mbetën këtu dhe u islamizuan. Qëndruan disi të patjetërsuar vetëm banorët e maleve... (“Shestani...” II, f.318)
Faktorë që nuk lejuan realizimin e kësaj kërkese (fjala është për krijimin e shetit shqiptar H.M), pra faktorët që u bënë shkak i dështimit (veç tjerash H.M) ishte islamizimi i një pjese të madhe të popullsisë, që tashmë ishte një fakt i kryer dhe pengesë e pa kapërcyeshme në realizimin e asaj kompaktësie etnike e cila është tejet e domosdoshme... Islamizimi sillte me vete dy mangësi kryesore: prapambetjen kulturore në krahasim me Evropën dhe disonancën kulturore-fetare në krahasim me Evropën... (“Shestani...” II, f.406)
Më e madhja brengë, më e pashërueshmja plagë e të parëve tanë ka qenë përqafimi i fesë Islame... Islamizimi shkonte kundër idesë së çlirimit...” (“Shestani...” II, f 278)
Dobësia paqësore e popullatës katolike dhe agresiviteti i pamoralshëm i islamizimit... (“Shestani...”, II, f. 282)
Për ta përçmuar Shqipërinë si një vend islamik... (“Shestani...” II, f. 284)
(shqiptarët) kur morën fenë islame, bënë strategji të gabuar... (“Shestani...”, II, f.384)
Pse nuk u islamizuan grekët, bullgarët, serbët edhe një pjesë e arbërve që ishin ortodoks, ndonëse edhe ata ishin të pushtuar prej turqëve, njëllojë si pjesa jonë katolike që shumica u islamizuan... (“Shestani...” II, f.299)
Në vitin 1602, në Qyrjan (Krajë H.M) u vunë themelet e Xhamisë së parë - institucioni i robërisë... (“Shestani...” I, f. 278)

Përdorimi i termit Xhihad, siç do të shihet nga përmbajtja e librit, e interpretuar gabimisht me qëllime të caktuara synon të paraqesë mashtrimin më të madh të trilluar se Islami është imponuar me fuqi dhe është përhapur me dhunë e me shpatë. Çdo mysliman, sipas kuptimit të këtillë të shëmtuar e qesharak të xhihadit, është i detyrueshëm ta urrejë jomyslimanin dhe të luftojë kundër tij. Nuk është vështirë në këto thënie të njihet mashtrimi i rëndomtë, para se gjithash, Islami aspak nuk e njeh vetinë e shenjtë. Ai nuk operon me këtë veti as ia veshë ndokujt në tokë. Në Islam nuk ka njerëz të shenjtë, e madje nuk ka e as që mund të ketë luftëra të shenjta. “Lufta e Shenjtë” nuk e ka zanafillën tek profeti Muhamed, por në kryqzatat e para të Evropës së krishterë (kundër popujve të besimit islam) që donin të shpëtonin “Varrin e Krishtit”. Po ku ishte varri i Krishtit nëse jo në vetë gjakun e derdhur të atyre miliona njerëzve të pafajshëm në shtëpitë e tyre, të cilët veç Krishtit, besonin edhe profetin Muhamed. Patëm “fatin e mirë” që këmba e këtyre kryqëzatorëve të shklasë edhe nëpër tokën e djegur iliro – shqiptare.
Z. Dabaj e din shumë mirë se banorët e maleve, (shestanasit - ne rastin e tij) “i shpëtuan” tjetërsimit të islamizimit, por ata nuk i shpëtuan tjetërsimit të sllavizimit. Ata në vend që të islamizoheshin si vëllezërit e tyre e të ruajn gjuhën e traditat e tyre, i humbën të gjitha duke u sllavizuar. Shpëtuan vetëm ato që patën fatin të shpërngulen ne vendet me popullsi dërmuese të islamizuar, qoftë në Ulqin, Anë të Malit, etj. Duke njohur këtë të vërtetë të pa kontestueshme, nuk di nëse një ndërmarrje të tillë e bënë qyqarët apo të zgjuarit.
“Xhamia... institucion i robërisë” Kjo thënie nuk ka asnjë bazë historike, veçanërisht në popullin shqiptar. Më së shumti, kjo thënie është importuar qëllimisht nga fqinjët tanë dashakeq, veriorë apo jugorë qofshin, të cilët xhaminë, me të drejtë e shikojnë si një barrierë të pa kalueshme për të realizuar ëndrrën e tyre të vjetër, shkombëtarizimin e shqiptarëve. Dhe këtë mund ta shoh edhe Dabaj edhe lexuesi, se pikërisht aty ku nuk kanë ekzistuar xhamiat, popullata plotësisht ose pjesërisht është tjetërsuar me fe, me komb, me gjuhë e me tradita. Kudo që ka pasur Xhamia, popullata ende flet shqip, ka ruajtur gjuhën dhe traditat e veta. Nuk është asnjëherë vonë të kthesh pasqyrën nga vetvetja dhe të gjykosh pa qëllime të caktuara.
Ato hoxhallarët e Ulqinit që “nuk dinin” gjë veç një arabishtje “të dobët”, dijtën shumë mirë të organizojnë besimtarë nga xhamitë e tyre, dhe të vijnë në Shestan për të lënë kockat e tyre. Për dy tre ditë në Shestan u gjendën 600 burra shkodranë, ulqinakë, malësorë e krajanë, gati të gjithë të islamizuar. Pak më vonë edhe 610 burra të tjerë shkodranë, malësorë të Hotit, ulqinakë, krajanë e dukagjinas nën udhëheqjen e Hasan Hotit . Nga muret e qytetit të Tivarit, u hoqën dy topa për t’i armatosur trupat e parregullta shqiptare për ndihmë Hasan Hotit, mirëpo komandanti turk i bataljonit në Tivar, Shuman Pasha nuk arriti të gjej në qytet ndonjë udhërrëfyes deri në Krricë, për kët shkak edhe u vonua .
“Zana Popullore” tregon shumë mirë, se Ulqinakët e islamizuar kishin arritur deri në Shestanin e Gjokë Dabajt për të luftuar dushmanin në Krricë: Mustafë Broci, Cena Begu, Halil Beci, Ali Shtrema, Daut Pelinku, Veli Mani, Man Bratica. Bile Mustafë Broci, ai që organizoj kushtirmin për Krricë ishte jo vetëm një i islamizuar por edhe hoxhë, që sipas vetë Dabajt nuk dinte tejetër veç një arabishte gjysmake. Ashtu si e kishte mësuar besimi të cilit i ishte bindur, ai ra shehit duke luftuar kundër malazezëve në Shestan.
Kështu, këto njerëzit që ishin islamizuar nuk e kishin tradhëtuar ç’ështjen kombëtare, por i delshin zot më shumë se ata që i kishin mbetur besnikë fesë së tyre, por kishin ndrruar fenë, kombin, traditat e ç’do gjë tjeter që mund të quhet sot shqiptare, madje ishin rreshtuar në rreshtat e komitave ushtarake për të luftuar vëllezërit e tyre të gjakut.
Pas thyerjes së madhe të shqiptarëve, më 17 Mars 1862, malaziasit dogjën fshatrat e Shestanit dhe u tërhoqen . Banorët e Shestanit të poshtëm ikën me gra e me fëmi në Tivarë, ku jetuan në skamje dhe pa kulm mbi kokë. Për to nuk u kujdes kush , ndërsa banorët e Shestanit të epërm, siç shkruan diplomati austriak: “duket se do të qëndrojnë nën Malin e Zi, ngase krerët e tyre edhe pse ishin në duart e malazezëve, nuk u shqetësuan, atyre nuk ua dogjën shtëpitë...” .
Gojdhëna i tregonte shumë mirë Z. Dabajt, pas ngjarjeve të Krricës, se kur Ushtria Malazeze e kryesuar nga Ilija Plamenac, ishte nisur për të luftuar “turqit” e Tivarit, dhe kishte kaluar nëpër Shestan, ata e kishin gostitur përfaqësinë e asaj ushtrie në qendër të fshatit Gurrzë, me cjep të pjekur . Kot arsyetohet Gjoka se shetanasit nuk i kishin ftuar ushtarakët në shtëpinë e tyre, sepse ata nuk kishin shtëpi të mjaftueshme as për vete. A mos ishte kjo një gosti e tyre për kasaphanen mbi muslimanët e Tivarit që e kishin gjuhën dhe gjakun e njëjtë me të tyren, por që veç Krishtit kishin vendosur të besojnë edhe Muhamedin (as)... Dhe kjo gosti, sipas gojdhënës e sipas Dabajt, nuk ishte ndonjë nga ata gostitë e detyrueshme, siç ngjante shpesh në ato kohë e në ato raste, por ishte një gosti me vetë ftesën e shestanasve.
Ajo Evropa, tek po hidhte dritë renesanca, për botën shqiptare emërtonte priftërinj të huaj që bashkëpunonin me armiqt e Shqipërisë. Benedikt Orsini, të cilin Papa [1621] e emëroi ipeshkv të Lezhës në raportin që i shkruante Papës thoshte se: "Priftërinjtë shqiptarë kanë lidhur besë të mos pranojnë asnjë ipeshkv që të mos ishte prej kombit shqiptar" . Këtë besëlidhje duket e pagoi me kokë Pjetër Budi që ishte në krye të kësaj lëvizjeje për ta kombëtarizuar kishën katolike shqiptare. Historiani amerikan Edween Jack në librin e tij "Albanians" (f. 406) kur shkruan për Pjetër Budin thekson se si përpiqej të lehtësonte mjerimin dhe t’u hapte sytë bashkëatdhetarëve. Edhe zonja Edit Durham thotë se Priftërinjtë e huaj nuk kishin aspak njohuri rreth gjuhës dhe zakoneve shqiptare. Ata grindeshin me njëri-tjetrin për të zgjeruar kufinjtë e peshkopatave të tyre. Edhe Zmajeviqi na jep një pasqyrë që të shohim situatën: "Shërbestaritë e Zotit janë shthurur, prishur e dhënë pas praktikave pagane e turke. Ipeshkvinjtë grinden me njëri-tjetrin për fshatra të ndryshëm". Selia e Shenjtë emëronte në krye të dioqezave katolike të Shqipërisë prelatë serbë e bullgarë të cilët ishin po aq sllavomanë sa edhe prelatët serbë të kishës ortodokse ". Duke pasur gjithë këto të dhëna dokumentare, që ndonjë edhe mund ti cungojë në librat e tij, kuptohet se cila ishte gjendja e mjeruar e katolicizmit në kohën kur edhe u bë myslimanizimi më masiv i shqiptarëve të rrezikuar shumë nga sllavo-ortodoksia.
Për historianët tashmë është i njohur fakti se në kohën kur popullata shqiptare bëri “strategjinë e gabuar”. Kisha katolike (dhe katolicizmi) prej ndarjes së krishterizmit në Lindor (ortodoks) dhe Perëndimor (katolik) më 1054 e deri në ardhjen e Osmanëve (turqëve) në tokat shqiptare (sipas kërkesave të vendit në rrugë paqësore më 1385) ka administruar vetëm 1-3% të arealit arbëror në Ballkan ". Dhe të parët tanë, shumë të zgjuar, po të mos e bënin një “strategji të tillë të gabuar”, do të qëndronin në situatën kur areali arbëror në Ballkan dominohej nga ortodoksia shtetërore kishtare sllavo-greke.
Në kohën e Skënderbeut ka pasur ndikim të fuqishëm në jetën poilitike e diplomatike të shqiptarëve arqipeshkvi katolik i Durrësit Pal Engjëlli, që njihet edhe si "ministri i Jashtëm" i Skëndërbeut, që interesat politike i vinte në funksion të kishës universale katolike e të princërve dhe shteteve katolike edhe atëherë kur ishte në dëm të shqiptarëve. Duhej ta tregonte Dabaj edhe atë pjesë të Historisë kur Pal Engjëlli u përdor nga ambasadori i Venedikut për të detyruar Lidhjen e princërve shqiptarë që të prishnin Traktatin e paqes me Sulltan Mehmetin II. Vetë Pal Engjëlli, i përdori kërcënimet për shkishërimin e princave dhe premtimet se ai nëpërmjet Papës do t’ua falte shqiptarëve mëkatet kur të prishnin betimin para Zotit për të respektuar Traktatin e Paqes. Prishja e besës së dhënë Sulltanit nga shqiptarët i duhej Venedikut që ta kishte më të lehtë për vete luftën me osmanët në Peloponez. Pasi Lidhja Shqiptare prishi Traktatin dhe hyri përsëri në luftë, ajo mbeti e vetmuar se nuk i erdhi ndihmë as nga Papa, as nga Venediku.
Në shekullin e XIX kryengritjet e mëdha shqiptare kundër reformave të Tanzimatit tronditën Perandorinë Osmane dhe i acaruan marrëdhëniet e shqiptarëve me Portën. Këto kryengritje i bëri elementi mysliman. Kleri katolik në gjysmën e dytë të shekullit XIX pati njerëz si Abati Gaspër Krasniqi apo prifti slloven Franc Mauri që punonin si agjentë të Serbisë e cila bënte veprimtari të ethshme për të përdorur shqiptarët kundër Perandorisë Osmane dhe përgatitur pushtimin e tokave shqiptare. Për veprimtarinë e dy priftërinjve të lartpërmendur ka shkruar shumë historiani nga Kosova Sadulla Brestovci në monografinë për marrëdhëniet e shqiptarëve me serbo-malazezët deri në vitin 1870.
Veç Rusisë që kishte vu në dispozicion tri anije me 34 topa, aty ishte prezente edhe Austria me dy anije me 26 topa, Gjermania me një anije me 10 topa, Franca – tri anije me 26 topa, Anglia – tri anije me 36 topa dhe Italia – 3 anije me 13 topa . Kështu, përballë 145 tyta topash që i vinin Ulqinit nga Evropa e krishterë, ishin të gatshme ta shëndrrojnë Ulqinin në gërmalla. Dhe tashti ulqinakët bashkë me trupat e Lidhjes së Prizrenit veç këtyre tytave të topave të prendimit të krishterë, duhej të ballafaqoheshin edhe me forcat malazeze të Krajl Nikollës e forcat Osmane të Dervish Pashës, e cila tek po jepte shpirtin ishte e detyruar të dorëzojë gjëmtyrët e veta. Në krye të këtyre ulqinakëve qëndronte një hoxhë, Haxhi Mehmet Beci i Ulqinit, që njëkohësisht ishte edhe vizitues i Qabesë edhe besimtar i fesë Islame .
Z. Dabaj, qeverisjen venedike, e shikon me sy të mirë. Në realitet Venedikasit ishin okupator edhe më të mbrapshtë se sa osmanët, por mbase për arsye se ata kishin fenë katolike, Dabaj i konsideron më të mirë. Po për shqiptarët, a vërtetë ishin të tillë?
Nën hijen e Islamit, Arqipeshkvia katolike e Tivarit, gjatë tërë shekujve të sundimit Osman, e kishte pasur selinë në Tivarë dhe kishte funksionuar pa ndonjë problem madje edhe në shtëpitë e atyre tivarasve të islamizuar (Hysejn Celebi), siç ngjau për 16 vjetë (1608-1624) kur aty po shërbente Marino Bizzi. Vetëm atëherë kur këtë arqipeshkvi e mori nën “mbrojtje” Austro-Hungaria katolike e Evropës së “qytetëruar”, kur aty po shërbente Karl Poteni (1867), u desh të shpërngulet në Shkodër. Këtë e dinte mirë edhe Z. Dabaj .
Historia tregon se konvertmi i atyre shqiptarëve në Islam ka qenë një akt patriotik kryekëput për ti shpëtuar asimilimit nga fqinjët sllavë. Dëshmia më e mirë për këtë dokumenton vetë fakti se një numër i konsiderueshëm i fshatrave, që “ruajtën” ritin e krishterë, sotë janë sllavizuar plotësisht. Pra, islamizimi në këto trevëa shqiptare, ka qenë vetëm në funksion të ruajtjes së unitetit kombëtar gjegjësisht faktor shpëtimtarë. Me të drejtë, autori serb Sima Cirkovic, shkruan: “Kalimi në Islam bëri diferencimin midis popullsisë deri atëherë vëllazërore serbe dhe shqiptare, ndaj në kët mënyrë, shqiptarët me përqafimin e fesë Islame i shpëtuan sllavizimit”.
Sipas Luba Stojanoviqit: “Islami ndërpreu procesin e nivelimit etnik serb të Dardanisë, përkatësisht të Kosovës Historike e më gjërë”.
Vasa Cubriloviq konstatoj se në Perandorinë Osmane, “feve jomuslimane të pranuara u është dhënë kompetenca mbi besimtarët e vet, jo vetëm kulturore – fetare, por edhe të rëndësisë politike... Ato lloje të kompetencave i ka pasur edhe Partriarkana e Pejës nga viti 1557-1767”...
I kishte para syshë të gjitha këto edhe Faik Konica kur shkruante: “Po të mos kishte qenë Islami, populli shqiptarë do të kishte qenë populli më i madh në numër, por jo shqiptarë”-
Po të mos kishte ngjarë pushtimi Osman, shqiptarët pa dyshim do të kishin pranuar ortodoksinë, do të kishin humbur gjuhën, dhe do ishin tjetërsuar në “sllavë”. A nuk mjafton shembulli i malazezëve, të cilët dikurë ishin nga fiset ilire, kurse sot mbajnë lartë flamurin e sllavizmit? A nuk ishin ata, ushtria e të cilëve, në shekullin XX, veç muslimanëve, torturonte e mbyste edhe priftërinj katolikë, për shkak se këta refuzonin të bëjnë kryq në përshtatje me ritin e fesë ortodokse? A nuk është shqiptar Milovan Gjilasi që mbiemrin e vjeter të familjes së vet e kishte “Vithkuqi”? A nuk ishte shqiptar Mark Milani që përleshej kundër Oso Kukës, Ali Pashë Gusisë dhe kundër botës shqiptare? Po Spiro Milo, kapedani i Himarës i cili gjuhen e familjes e ktheu nga shqipja në greqishte dhe në kohën e independencës shqiptare përkrahu anën greke, a nuk ishte shqiptar? Nuk ka dyshim, se po të kishte ngjarë e kundërta e asaj që ngjau, shekullin XX-të nuk do t’a arrinte asnjë këmbë shqiptari për ta gëzuar përkrahjen e Evropës së krishterë.
Z. Dabaj, pamvarsisht në dëshoron apo jo, duhet të ketë para syshë një të vërtetë të paevitueshme. Në prak të shpërbërjes së Perandorisë Osmane, e kishin pyetur Seid en-Nursin: ”Çmendoni për lirinë që është e pranishme tash në shtetin osman dhe çfarë mendoni për qytetërimin evropian?” E ai ishte përgjigjur: “Shteti osman momentalisht është shtatzënë me embrion të Perëndimit, dhe në ndonjë ditë prej ditësh do të lindë. Kurse sa i takon Evropës, ajo është shtatzënë me embrionin e islamit, dhe një ditë prej ditësh do të lindë.”
Doemos, Z. Dabaj duhej të kishte parasyshë këshillën e rilindasit të madh Sami Frashërit që thoshte: "Mos i fyeni njerëzit për një ose dy të meta që mund të kenë. Sepse dhe guri i çmuar, sado i prerë keq, është mijëra herë më i vlefshëm se një gur i zakonshëm sado bukur i prerë"
Por, Z. Dabaj, sigurisht nuk ka pasur parasyshë këshillat e Mbretit të letrave dhe gazetarisë shqiptare - Faik Konicës. Ai duke parë se në librat e shenjtë nuk kishte asnjë lutje për shkrimtarët dhe gazetarët, e shkroi vetë një të tillë dhe mori leje ta lexojë në Fulton të Amerikës "Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur dhe të mos shkruajmë, kur s’kemi gjë për të thënë".

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme