Rihapet Muzeu i xhevahireve të dinastisë shqiptare në Aleksandri

“Muzeu i xhevahireve” apo siç njihet edhe me emrin “Pallati i xhevahireve”, për shkak se ai gjendet në pallatin, i cili ishte pronë i njërës prej princeshave të familjes mbretërore të dinastisë shqiptare që sundonte Egjiptin. Ky muze gjendet në pjesën më të bukur të Aleksandrisë, në lagjen Flameng të Zizijanes dhe konsiderohet njëri prej muzeve më të mëdha të Egjiptit, ai ka një sipërfaqe prej 4185 m2. Llogaritet prej muzeve më të shtrenjtë dhe më me vlerë, sepse aty gjendet thesari dhe stolitë më të çmueshme dhe më me vlerë me të cilat mbretërit dhe mbretëreshat, princat dhe princeshat e familjes mbretërore shqiptare të Egjiptit zbukuruan kraharorët e tyre.

Anëtarët e familjes mbretërore me xhevahiret e tyre mbushën pallatet e dinastisë për afër një shekull e gjysmë aq sa zgjati sundimi i tyre në Egjipt. Në të njëjtën kohë, Muzeu i xhevahireve në Aleksandri, konsiderohet muzeu më i bukur, dallohet me modelin e tij të veçantë arkitektonik të shekullit nëntëmbëdhjetë, që mbizotëronte në Evropë.

Muzeu i xhevahireve të familjes mbretërore gjendet në pallatin e princeshës Fatimetu Ez-zehra. Nëna e saj, Zejneb Fehmi Hanim, kishte filluar ndërtimin e pallatit në vitin 1919, ndërsa vajza e saj Fatimetu Ez-zehra ishte ajo që përfundoi atë në vitin 1923. Princesha Fatimetu Ez-zehra, emrin e të cilës e bart pallati, është njëra prej princeshave të familjes mbretërore, e lindur në vitin 1903. Nëna e saj, Zejneb Fehmi Hanim ishte motra e arkitektit Ali Fehmiut, i cili mori pjesë në projektimin këtij pallati së bashku me arkitekt italian, francezë e belgë.. Baba i saj është princi Ali Hajdari i biri i princit Mustafa Behxhet i biri i Fadil Pashës, i biri i Ibrahim Pashës, biri i Mehmet Ali Pashës, vali i Egjiptit, personi që vuri bazat e rilindjes dhe zhvillimit të Egjiptit modern. Kjo do të thotë se Mehmet Ali Pasha është gjyshi i saj i pestë.

Nëna e Fatimes e kishte përfunduar aneksin perëndimor të pallatit para se të ndërronte jetë. Vajza e saj në atë kohë kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjet. Kështu ajo i shtoi aneksin lindor, të cilën e lidhi me një korridor. Ky pallat vazhdoi të shërbejë si rezidencë verore familjare deri me ardhjen në pushtet të oficerëve të rinj në korrik të vitit 1952. Me nacionalizimin pasurisë së princeshës Fatime, asaj iu lejua të qëndrojë në pallatin e saj. Ajo banoi aty deri në vitin 1964, kur princesha Fatime u detyrua të heq dorë nga pallati dhe t’ia dorëzoj qeverisë egjiptiane, e cila për një kohë e shfrytëzoi si pushimore për nevojat shtetërore derisa në vitin 1986 me një vendim shtetëror u kthye në muze.. Ndërkohë që princeshës Fatime në emër të kompensimit për pallatin, iu dha një banesë në Kajro, me kusht që ajo të dorëzonte tërë arin dhe pasurinë tjetër.

Thesari i muzeut

Muzeu përmban 11.500 pjesë stolish që janë pronë e familjes mbretëror që nga koha Mehmet Ali Pashës 1805 e deri në kohën e mbretit Faruk 1952. Pallati është ndarë në dhjetë salla, të cilat përmbajnë koleksione stolish dhe xhevahiresh që ishin pronë e familjes mbretërore, prej më të rëndësishmëve janë:
Koleksioni që ka të bëjë me themeluesin dinastisë, Mehmet Ali Pashën, një arkë prej ari, ku shkruan emri i tij “Muhamed Ali”, shahu personal i tij si dhe shpata e protokollit prej çeliku në formë të kokës së gjarprit e zbukuruar me gjashqind diamante.
Koleksioni i princit Mehmet Ali Tefikht, i cili përmban një komplet prej 12 filxhanëve prej platini dhe ari dhe 2753 gur diamanti, një kuletë prej ari stolisur me diamante si dhe një orë xhepi që ishte pronë e njërit prej sulltanëve turq.

Prej kohës së Hidejvi Ismail dhe Hidejevi Seid Pashës gjenden koleksione shiritash (brezash), orë të arta , medalje, qafore egjiptiane, turke dhe të huaja të stolisura me xhevahir dhe ari si dhe 4.000 monedha të vjetra ari: kopte, romake, persiane, bizantine etj.
Koleksione të rralla prej ari pronë e mbretit Fuad i Parë, prej më të rëndësishmëve janë:
Dorëza prej ari të zbukuruara me diamante; medalje prej ari dhe nishane me fotografitë e tij; kurora prej platini e zbukuruar me diamante pronë e gruas së tij, princeshës Shuvejkar; koleksion i xhevahireve të mbretëreshës Nazli, prej më të njohurave është një stoli prej ari e zbukuruar me diamante.

Koleksioni i stolive dhe xhevahireve të mbretit Faruk dhe mbretëreshës Nazli, prej më të rëndësishmëve:
Komplet shahu prej ari i stolisur me diamante, të cilin mbretit Faruk ia kishte dhuruar Shahu i Iranit, Riza Pahlavi; një komplet gjykim çaji prej ari ia kishin dhuruar mbretit Faruk me rastin e martesës së tij me mbretëreshën Feride si dhe një tabak prej ari, ku gjenden nënshkrimet e 110 pashallarëve të Misirit; shkopi i marshallatit prej abanozi dhe ari; një pjatë prej agati (gur i çmueshëm) që i është dhuruar mbretit Faruk nga perandori i Rusisë; kompleti i filxhanëve të zbukuruar me diamante dhe gur të çmueshëm (korund), një filxhanë përmbante 229 korund dhe 29 pjesë diamanti.
Koleksioni i mbretëreshës Safinazit, bashkëshortes së mbretit Faruk, prej më të rëndësishmëve:
Kurora e mbretëreshës prej platinit i stolisur me diamante; kapëse prej ari dhe platini të stolisura me diamante.
Koleksioni i mbretëreshës Nariman, prej më të njohurave:
Dekorata, gjerdane dhe medalje përkujtimore.
Koleksione të princeshave, Favzije Ahmed Fuad dhe Faize Ahmed Fuad; koleksione prej hallkave, qaforeve, kapëseve të kraharorit: qafore prej platini e zbukuruar me diamante ku është i shkruar emri i “Fevzije”; qafore prej ari e stolisur me diamante dhe margaritar ku është i shkruar emri “Faize”.
Koleksioni i princeshave: Semiha dhe Kadrije Hysejn Kamil: një koleksioni i orëve të xhepit prej ari të stolisura me diamante si dhe hallka prej ari të zbukuruara me diamante dhe margaritarë
Koleksioni i princave Jusuf Kemal dhe Muhamed Ali Tefik: përmban një mori stolish, xhevahiresh, dekoratash, gjerdanesh, nishanesh si dhe lloje tjerash të stolive të ndryshme.
Muzeu i xhevahireve të familjes mbretërore në Aleksandri konsiderohet monumenti më atraktiv si për vizitorët vendorë edhe të huaj. Ai përmban koleksione të rralla të stolive dhe xhevahireve si dhe punimeve të ndryshme me gurë të çmueshëm si dhe orë xhepi të zbukuruara me diamante. Kjo tregon edhe mirëqenien e popullit të Egjiptit gjatë asaj periudhe kohore sa ishte në pushtet dinastia shqiptare në Misir, siç quhej Egjipti nga rilindësit tanë në atë kohë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme