“Kjo grua, shkruan gazeta, nuk lëkundej nga varfëria apo kritikat, por nga dyshimet që kishte për besimin e saj”. Ndër to, në një prej letrave ku Nënë Tereza shkruan për dyshimin, ajo thotë se “nuk ka besim, se këto mendime dhe fjalë ka frikë për t’i shprehur, pasi pastaj vuan në agoni nga ajo që mendon”. “Nëse ka Zot, atëherë kërkoj falje nga ai. Besoj se e tëra ka për të përfunduar në qiell, me Krishtin”, sjell “The Times”, në vazhdim. “Vendi i Zotit në shpirtin tim është i zbrazët. Në mua nuk ka Zot. Kur dhembja e mallit (për të) është aq e fuqishme unë vetëm digjem e digjem nga malli dhe atëherë e ndiej se Ai nuk është aty”. E tërë jeta ime është përplot me kundërshtime. Unë i ndihmoj shpirtrat për të shkuar ku? Pse e gjithë kjo? Ku është shpirti në vetë qenien time”?, vazhdon shkrimi. Ajo megjithatë në njërin shkrim thotë se përkundër asaj që ajo ndien, ajo vazhdon t’i buzëqeshë, si Zotit ashtu edhe të tjerëve.Një koleksion i shkrimeve të Shenjtës së Kalkutës, e tregon atë shumë të shqetësuar nga varfëria dhe kritikat, por të torturuar nga dyshimet mbi besimin e saj. Më 17 gusht 1948, e veshur me një sari të bardhë me shirit blu, Nënë Tereza, një murgeshë evropiane jo vetëm në Indinë e sapo pavarur, ka vendosur të fillojë një jetë të re si Misionare e Bamirësisë. Mënyra e saj e jetesës do të ishte e re sa edhe kostumi i saj. Duke marrë parasysh “varfërinë absolute”, si pjesë esenciale të misionit të saj të ri, ajo zgjodhi të largohej nga komuniteti Loreto me vetëm pesë rupi. Kalkuta, me të cilën u përball, ishte ndikuar nga Lufta e Dytë Botërore, kriza e vitit 1943 dhe sherret e vazhdueshme. Menjëherë pasi India fitoi pavarësinë, fluksi i njerëzve në kryeqytetin e Bengalit ishte shumë i madh dhe banorët e rrugëve ishin nën mëshirën e sëmundjeve, urisë dhe të pangrënët.
Në ditën e saj të parë në lagjet e varfra të Kalkutës
“Në orën 8 të mëngjesit Veronika Gomes, (udhërrëfyesja ime për në zonat e varfra) dhe unë dolëm. U nisëm në Taltala dhe shkuam në çdo familje katolike. Njerëzit ishin të kënaqur, por kudo kishte fëmijë. Dhe çfarë pisllëku dhe mjerimi, çfarë varfërie dhe dhimbje. Fola shumë pak: Vetëm pastrova disa plagë, dhe u dhashë ilaçe disave. Një plaku të shtrirë në rrugë, tërësisht i vetëm, i sëmurë dhe duke vdekur, i dhashë karborson dhe ujë dhe ai më ishte kaq çuditërisht mirënjohës. Shkuam në pazarin e Taltalas, dhe atje ishte një grua shuam e varfër duke vdekur, mendoj më shumë nga uria sesa nga tuberkulozi. Çfarë varfërie. Çfarë dhimbje. I dhashë diçka që do ta ndihmonte të flinte, por gruaja më përgjërohej të kujdesesha për të. Pyesja veten se edhe sa kohë do të zgjaste, (temperatura e saj ishte 35.56 gradë C). Ajo kërkoi disa herë të rrëfehej dhe Lidhje shpirtërore. Unë aty ndjeva vetë varfërinë time, sepse unë nuk mund t’i jepja asgjë asaj gruaje të mjerë. Bëra çdo gjë që munda, por nëse do të kisha qenë në gjendje t’i jepja një filxhan me qumësht të ngrohtë, trupi i saj i ftohtë do të mund të merrte pak jetë. Duhej të përpiqesha dhe të ikja diku afër, për të kërkuar tek njerëz të tjerë gjërat që më duheshin”.
Mbi ata që e kritikuan shenjtoren
Përveç varfërisë, mjerimit dhe pasigurisë me të cilat përballej nënë Tereza, kishte edhe kritika. Kjo nuk e alarmoi atë, siç treguan mënyrat e saj të besimit. “Unë besoj se disa po thonë se çfarë vlere ka puna e të ulëtëve mes më të ulëtëve; po nëse të mëdhenjtë, të diturit dhe të pasurit janë gati të vijnë, është mirë t’u japim forcë të plotë atyre. Po, le t’i lëmë ta bëjnë këtë. Mbretëria duhet të predikohet tek të gjithë. Nëse të pasurit hindu dhe myslimanë do mund të kishin dhënë të gjithë shërbimin dhe përkushtimin e kaq shumë priftërinjve dhe murgeshave, sigurisht të varfrit e të varfërve dhe të ulëtit e të ulëtëve mund të kenë dashurinë dhe përkushtimin tonë më pak. ‘Motra e lagjeve të varfra’ më quajnë mua, dhe unë jam krenare të jem e tillë veç për dashurinë dhe lavdinë e Tij”, shkruan në një tjetër letër ajo.
Mbi nisjen e misionit
Në vitin 1950 u formua zyrtarisht Shoqëria e Misionares së Varfërisë në Kalkuta; vitin tjetër motrat filluan periudhën e stazhit si Misionare të Bamirësisë. Por jo të gjithë e mbështetën më pas reputacionin e Nënë Terezës për mëshirën dhe përuljen. Akuza dhe thashetheme u përhapën mes murgeshave të Loretos dhe Bijave të Shën Ann. Nënë Tereza i besoi Arqipeshkvit të Kalkutës, Rev Ferdinand Périer: “Unë po përballem mirë me Djallin dhe punën, ndërsa puna e tij vazhdon. Një ditë gjithçka do të jetë e qartë. Unë e dua Loreton, po aq shumë nëse nuk mund të them më shumë tani sesa e kam dashur për kaq shumë vjet. Unë lutem për ta shumë shpesh, dhe ‘persekutimi’ i tyre më bën ta dua më shumë zanatin tim të ri”.
Mbi përgjërimin
Tre vite më vonë, Nënë Tereza dha një përshkrim të detajuar të eksperiencës së saj shpirtërore. “Unë dua t’ju them diçka, por nuk di se si ta shpreh. Unë po përgjërohem ... të jem e gjitha për Zotin, të jem e shenjtë në një farë mënyre, që Jezusi të mund të jetojë jetën e tij brenda qenies sime. Sa më shumë e dua atë, aq më pas ndjehem e dëshiruar. Unë dua të dua atë siç Ai nuk është dashur më parë, por prapë është ajo ndarja, ajo zbrazëtirë e tmerrshme, ajo ndjesi e mungesës së Zotit. Unë nuk po ankohem, unë dua vetëm të shkoj gjatë gjithë udhës me Krishtin”, shkruan shenjtorja, duke vazhduar më tej, “më thonë çfarë mund të bëjë fëmija juaj. Unë dua të bindem me çdo kusht, dhe nëse ju më thonë të vazhdoj kështu deri në fund të jetës sime, unë jam gati të bindem më gëzim. Ka kaq shumë kontradikta në shpirtin tim. kaq shumë dëshirë për Zotin, kaq thellë sa është e dhimbshme, një dhimbje e vazhdueshme, dhe ende jo e kërkuar nga Zoti, e refuzuar, e zbrazur, pa besim, pa dashuri, pa zell. Shpirti nuk ka asnjë tërheqje – Parajsa nuk do të thotë asgjë: për mua ajo duket si vend i zbrazur – por ende me këtë torturën për dëshirën për Zotin. Lutuni për mua, ju lutem, që unë të vazhdoj t’i buzëqesh Atij përtej gjithçkaje. Unë jam e lumtur në mënyrë perfekte që jam askush, edhe për Zotin”.
Mbi lebrën
“Kushtet nën të cilat familjet e lebrozëve jetonin ishin të tmerrshme. Unë do të doja t’u jepja atyre shtëpi më të mira, t’i ngrija ata afër Zemrës së Shenjtë, t’i bëj që ta dinë se edhe ata janë fëmijë të dashur të Zotit dhe kanë një arsye për të jetuar. Unë dua të ndërtoj dalëngadalë një fshat të vogël, ku lebrozët tanë të jetojnë jetë normale. Nëse vetëm ta dinit se çfarë po kalon nëpër zemrën time. Ndonjëherë dhimbja është kaq e madhe, saqë unë ndjej sikur çdo gjë mund të thyhet. Buzëqeshja është një mantel i madh, që mbulon dhimbje të shumëfishta”, shkruan në një tjetër letër.
Mbi udhëtimin e saj shpirtëror
Në vitin 1957 prifti jezuit, Joseph Neuner, ka shkruar një artikull për Nënë Terezën në një revistë misionare gjermane. Pak vite më vonë ai vizitoi Kalkutën dhe ata u takuan përsëri. Më pas ajo i shkroi atij, duke përshkruar pikat kryesore të udhëtimit të saj shpirtëror: “Në Loreto, At, unë isha shumë e lumtur. Mendoj murgesha më e lumtur. Më pas erdhi thirrja. Përsëri e përsëri. Ai kërkoi në vitin 1946. Unë e dija që ishte Ai. Frikë dhe ndjenja të tmerrshme – frikë se mos kisha vdekur. Por ndërsa unë jetoja gjithnjë në bindje unë e vura të tërë qenien time përpara atit shpirtëror, me shpresën se gjatë të gjithë kohës ai do të thoshte se ishte i gjithë mashtrim i Djallit. Por jo, njëlloj si zëri, ai tha se është Jezusi ai që po të thërret. Më pas ... Superiorët e mi më dërguan në Asansol [Bengali Perëndimor] në vitin 1947. Dhe atje [atje ishte] ndodhi sikur Zoti ynë e dha veten e tij plotësisht brenda meje. “Puna filloi në dhjetor 1948. Në vitin 1950, dhe ndërsa numri i Motrave rritej, rritej edhe puna. Tani, At, që në vitin 1949 apo 1950 lindi kjo ndjesi e tmerrshme humbjeje, kjo errësirë e pa treguar, kjo vetmi, kjo dëshirë e vazhdueshme për Zotin, e cila më jepte dhimbje deri thellë në zemër. Errësira është e tillë sa unë nuk mund ta shoh, as me mendjen time as me arsyen time. Vendi i Zotit në zemrën time është i zbrazët. Nuk ka Zot brenda meje. Kur dhimbja e është kaq e madhe dhe e gjatë për Zotin dhe më pas është ajo që ndjej sikur Ai nuk më do, Ai nuk është atje. Jeta ime duket kaq shumë kontradiktore. Unë ndihmoj shpirtrat – për të shkuar ku? Pse e gjithë kjo? Ku është shpirti në qenien time? Zoti nuk më do. Ndonjëherë unë dëgjoj vetë zemrën time që bërtet ‘Zoti im’ dhe asgjë nuk përgjigjet. Torturë dhe dhimbje që nuk mund ta shpjegoj. Që fëmijë unë kam pasur një dashuri shumë të ëmbël për Jezusin në Betimin e Shenjtë, por edhe kjo është larguar. Megjithatë unë nuk do ta humbisja lidhjen shpirtërore për asgjë. “E shikoni, At, sa kontradikta në jetën time. Unë përgjërohem për Zotin, unë dëshiroj ta dua Zotin, të jetoj vetëm me dashurinë për Të, por ende nuk ka asgjë tjetër veç dhimbje, përgjërim dhe aspak dashuri. Vite më parë, rreth 17 vjet që tani, unë lidha veten me dhimbje të Mëkatit Mortor, se nuk do ta refuzoja për asgjë. Që atëherë, unë e kam mbajtur këtë premtim dhe kur ndonjëherë errësira është shumë e errët dhe unë jam në kufi për t’i thënë ‘jo’ Zotit, por kujtimi i atij premtimi më zgjon. “Unë dua vetëm Zotin në jetën time. ‘Puna’ është e vërtetë dhe vetëm e Tij. Ai drejton çdo lëvizje që unë kryej, ai vendos fjalët në gojën time, më bën t’u mësoj Motrave udhën. Gjithçka dhe çdo gjë në qenien time është Ai. Kjo është arsyeja, që kur bota më mburr mua kjo nuk e prek shpirtin tim. Përpara se unë të kaloj orë para Zotit tonë, ta dua Atë, të flas me Të; tani edhe çdo meditim shkon siç duhet. Por ende thellë në zemrën time ai përgjërim për zotin vazhdon të çajë errësirën. Kur jam duke punuar apo takon njerëz kam një ndjesi, që është dikush tjetër që jeton shumë pranë, brenda meje. Unë nuk e di se çfarë është por shumë shpesh, ajo dashuri për Zotin bëhet vërtet shumë reale. Unë e gjej veten duke i thënë Jezusit pa vetëdije shprehje të çuditshme dashurie. “Shumë shpesh tentoj të përdor ushqimin që iu jap motrave, por unë nuk mund ta bëj kurrë këtë. E njëjta për librat shpirtërorë. Të gjithë këto gjëra ishin kaq të natyrshme brenda meje, derisa Zoti ynë erdhi plotësisht në jetën time. Unë e desha Zotin me të gjitha fuqitë e një zemre fëmijërore. Ai ishte qendra e gjithçkaje që unë kisha thënë dhe bërë. Tani At, është kaq errësirë, kaq ndryshe, por ende gjithçka e imja është e Tij, megjithëse Ai nuk më do, nuk kujdeset për mua. Kur puna filloi, me gjithë zemrën time unë pranova gjithçka. Motrat e mia, At, janë dhurata e Zotit për mua, ato janë të shenjta për mua, secila prej tyre. I dua më shumë sesa dua veten. Zemra shpirti dhe trupi im i përkasin vetëm Zotit, që ai i ka hedhur tutje si fëmija i padashur i dashurisë së tij. Dhe me gjithë këtë, At, unë e kam marrë vendimin që të jem në dispozicion të Tij. Le të bëjë me mua çfarë të dojë, si të dojë, për sa kohë të dëshirojë. Nëse errësira ime është dritë për ndonjë, edhe nëse ai nuk do të jetë asnjë për askënd, unë jam e lumtur në mënyrë perfekte të jem lulja e Zotit në fushë”.
Mbi këmbënguljen
Në shtator 1962, duke i shkruar Reverendit Laurence Picachy (më pas Arqipeshkv i Kalkutës), Nënë Tereza nënvizoi errësirën e anës së saj të brendshme. “Ditën tjetër nuk mund t’ju them se sa keq u ndjeva. Kishte një moment kur unë gati sa refuzova të bindem. Me qëllim mora tespihet dhe shumë ngadalë, pa medituar apo menduar, fola ngadalë dhe me qetësi. Momenti kaloi por errësira ishte kaq e errët, dhimbja kaq e dhimbshme. Por unë u binda për çfarëdo që më dha Ai dhe dhashë çfarëdo që Ai mori. Njerëzit thonë se po lëshohen më afër Zotit, duke parë besimin tim të fortë. A nuk janë këta njerëz të mashtruar? Çdo herë që unë kam dashur të them të vërtetën, ‘Unë nuk kam asnjë besim’, fjalët thjesht nuk më vinin, goja ime mbetej e mbyllur. Megjithatë kam ende buzëqeshjen për Zotin mbi të gjitha”.
(Marrë nga The Times)
Letrat e shenjtores botohen në Londër
Në këtë libër të ri me letrat personale të Nënë Terezës, që pritet të dalë së shpejti në Londër del në pah se gjatë jetës së saj, shenjtorja Nënë Tereza kaloi një krizë besimi dhe kishte përjetuar ndjesinë se ishte braktisur nga Krishti. Vitet e errëta shpirtërore të Nënë Terezës nuk ishin bërë publike deri tashmë. E ndërsa një vit më parë u bë publik dhe lajmi për publikimin e tyre. Sipas gazetës “The Times” të datës 5 gusht 2008, mësohet se nga dita në ditë pritet që libri i shenjtores të pushtojë libraritë. Përpëlitjet e Nënë Terezës me dyshimet për besimin e saj duken qartë në letrat e saj private, kur shkruante se ndjente “një errësirë të tmerrshme brenda saj”. At Brian Kolodiejchuk redaktoi librin “Bëhu drita ime: Letrat personale të shenjtores së Kalkutës” që doli nëpër librari anglisht. Ai e kishte njohur Nënë Terezën për 20 vjet. “I gjithë libri është si një koment për atë që unë e quaj objektivi i misionit të Nënë Terezës: Nëse bëhem ndonjëherë shenjtore, do të jem shenjtorja e errësirës. Nuk do të jem e pranishme në Parajsë, por do t’u ndriçoj rrugën e atyre që janë mbështjellë nga terri në tokë”.
Mbi dyshimin
Por Nënë Tereza ishte e paaftë të shprehte veten, edhe tek ata që besonte më shumë, të cilët kontribuonin në ndjesinë e saj të izolimit. Megjithatë në lutje ajo mund ta shprehte veten, dhe dyshimet për besimin e saj, me lehtësi. “Zoti im, Perëndia im, kush jam unë që Ju të më mohoni? Fëmija i dashurisë Suaj, dhe tani jam bërë më e urryera, fëmija që ju keni hedhur tutje si të padëshiruar, të padashur. Unë thërras, unë kacavirrem, unë dua dhe ende nuk ka Asnjë që të më përgjigjet, Asnjë të cilit t’i thërras. Errësira është kaq shumë e errët dhe unë jam vetëm. E padëshiruar, e mohuar. Vetmia e zemrës që do dashuri është e padurueshme. Ku është besimi im? Edhe thellë brenda meje nuk ka asnjë përveç se zbrazëtirë dhe errësirë. Unë nuk kam besim. Nuk guxoj të shpreh fjalët dhe mendimet, që rrotullohen në zemrën time dhe më bëjnë të vuaj në agoni të pathënë. Kaq shumë pyetje pa përgjigje jetojnë brenda meje. Kam frikë t’i zbuloj ato, për shkak të blasfemisë. Nëse Zoti është atje, të lutem më fal. Besoj se çdo gjë do të marrë fund në parajsë me Jezusin. Kur unë përpiqem t’i ngre pyetjet e mia në parajsë ka kaq zbrazëtirë bindëse, saqë ato pyetje kthehen si thika të mprehta dhe ngulen në shpirtin tim. Dashuria, fjala, nuk sjell asgjë. I them vetes se Zoti më do, por prapë realiteti i errësirës dhe ftohtësisë dhe zbrazëtirës është kaq i madh sa asgjë nuk e prek shpirtin tim. Përpara se të fillonte puna kishte kaq shumë unitet: dashuri, besnikëri, besim, lutje, sakrificë. A mos bëra gabimin e dorëzimit verbërisht thirrjes së Zemrës së Shenjtë? Puna nuk është një dyshim, sepse unë jam e bindur se është e Tij, jo e imja. As edhe një mendim i vetëm apo ngasje hyn në zemrën time për të pretenduar ndonjë gjë në këtë punë. Eshtë manteli me të cilin unë mbuloj zbrazëtirën dhe mjerimin”.
http://www.panorama.com.al/index.php?id=17762