
Kardinali Kasper shpalli se Vatikani nuk e njeh Kosovën për hatër të klerikëve ortodoksë serbë dhe, çka është jo shumë e këshillueshme për një diplomat, rreshtoi si të tijat argumentet tashmë të njohura të diplomacisë serbe për mosnjohjen e Kosovës, që nga “djepi i ortodoksizmit” e deri te “brutaliteti kulturor” që ushtrohet ndaj monumenteve serbe në Kosovë!
Pa dashur të polemizojmë me kardinalin se kush ka ushtruar “brutalitet kulturor” në Kosovë, rrënimi, granatimi dhe djegia e 220 xhamive, gjatë viteve 1998-1999, në mënyrë sistematike nga ushtria dhe policia serbe tregon vetvetiu se kush ishte “agresori” dhe kush ishte “viktima”. Brutaliteti dhe gjenocidi serb në Kosovë arriti deri në atë shkallë sa që forcat e NATO-s u detyruan të bombardojnë caqet ushtarake dhe civile serbe për 78 ditë me radhë, me qëllim të shpëtimit të popullit të pambrojtur të Kosovës nga një gjenocid dhe dëbim në përmasa biblike.
Z. Kardinal, këtë që po shkruaj e kanë transmetuar ekranet televizive, si dhe patën rastin ta shohin dhjetëra kolegë tuaj që vizituan Kosovën në ditët e pasluftës dhe shprehën solidaritetin me prijësit e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ata vizituan selinë e BIK-ut, të shoqëruar nga ipeshkvi i ndjerë i Kosovës, z. Mark Sopi, i cili thoshte: “Unë nuk mundem që kolegët e mi nga Kisha Katolike ta vizitojnë Kosovën e të shkojnë pa u takuar me prijësit e Bashkësisë më të madhe fetare, të cilët pësuan humbje të mëdha në këtë luftë”.
Prej momentit të publikimit të deklaratës së kardinalit Kasper, në mediet e Kosovës, por edhe në ato të
Shqipërisë, pati reagime të shumta. Reagimet ishin plotësisht të arsyeshme, sepse një deklaratë e këtillë nuk është pritur nga Vatikani, prej nga me vite të tëra çështja e Kosovës ka hasur në mirëkuptim dhe në përkrahje të vazhdueshme.
Andaj, pyetja që shtrohet para nesh është se a është ky qëndrim individual i kardinalit Kasper, apo është mendim zyrtar i Vatikanit?
Deri tash nuk ka pasur ndonjë sqarim zyrtar nga Vatikani, por ne shpresojmë të jetë mendim individual i kardinalit Kasper.
Megjithatë, lobi serb është duke vepruar edhe në këtë drejtim. Menjëherë pas luftës, Kisha Ortodokse Serbe i kishte dërguar një notë proteste Selisë së Shenjtë, ku ankohej për një prononcim të një zyrtari të Ipeshkvisë së Kosovës, i cili kishte deklaruar se “kishat dhe manastiret serbe ishin ndërtuar në themelet e kishave katolike shqiptare dhe si të tilla ato nuk paraqesin kurrfarë dëshmie se Kosova është djep i ortodoksizmit serb”.
Kohëve të fundit, diplomacia serbe dhe Kisha Ortodokse Serbe janë të angazhuara që Vatikani të ketë së paku qëndrim neutral lidhur me pavarësinë e Kosovës. Diplomacia serbe është e interesuar për një vizitë të Papa Benedikti XVI që do t’i bënte Beogradit si njërit prej vendeve me popullatë shumicë ortodokse në Ballkan. Realizimi i një vizite të këtillë domosdo do bekimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Serbe, i cili deri tash nuk e ka dhënë.
Në vitin 2013 shënohet 1700-vjetori i Ediktit të Milanos, datë më rëndësi për të gjithë të krishterët dhe krishterimin. Dihet se më 313, perandori ilir Konstantini i Madh shpalli krishterimin fe zyrtare të Perandorisë dhe lejoi propagandimin e tij. Ky veprim u bë në qytetin e Nishit të sotëm. Kisha Ortodokse Serbe është e interesuar ta shfrytëzojë këtë manifestim për interesat e veta fetare, por edhe nacionale. Vatikani, po ashtu, është i interesuar që ky rast të shfrytëzohet për të manifestuar unitetin e krishterimit, në veçanti pas skandaleve dhe aferave të fundit që shpërthyen në Kishën Katolike, të cilat irrituan një numër të konsiderueshëm të besimtarëve. Andaj, këtu duhet hulumtuar ndoshta përpjekjet e Selisë së Shenjtë por të gjetur një gjuhë të ekumenizmit ndërkishtar në mes kishës Lindore Ortodokse dhe asaj Latine Perëndimore, për çka gjasat janë minimale, kur dihen kontradiktat dhe mospajtimet e thella në mes tyre. Ortodoksët nuk pranojnë lutjet e përbashkëta me katolikët.
Ajo që na intereson neve, me këtë rast, është që të mos humbim përkrahjen e Vatikanit, i cili ka ndikim në shumë vende të botës me popullatë shumicë katolike, në veçanti në Amerikën Latine. Në këtë aspekt, Ipeshkvia e Kosovës mund të japë kontributin e saj të madh.