Figura e Profetit Muhamed paraqitet e deformuar në optikën e F. Nolit

Duke parë se në këto fragmente të këtij studimi, krahas disa vlerësimeve pozitive për Muhamedin dhe fenë islame, ekziston edhe një numër i konsiderueshëm i botëkuptimeve e i vlerësimeve negative për ta, e ndjeva për obligim moral që, për hir të së vërtetës dhe informimit të drejt të lexuesve, ta bëj këtë vështrim kritik dhe reagim. Si i tillë, ky shkrim ka për qëllim kryesor dallimin e së vërtetës nga e pavërteta me fakte të argumentuara.
Jorgaqi, studimit të lartpërmendur i ka bërë një analizë të gjerë në formë të recensionit dhe e komentoi me një mjeshtëri të rrallë saqë shumë lexues të painformuar për biografinë e vërtet të Muhamedit a.s., dhe duke mos dyshuar në sinqeritetin e Nolit, do të mendonin se janë të vërteta edhe të pavërtetat e përfshira në këtë artikull. Ndërsa, në aspektin profesional të elaborimit, Jorgaqi nuk është aspak në nivel të duhur, ngase kur ka të bëj me fjalë të Nolit, nuk i shënon pas dy pikave ose në thonjëza, siç e kërkon rregulli, por i ngatërron me fjalët e veta, ku lexuesi shpeshherë nuk mund ta bëj dallimin mes tyre.
Në hyrje të artikullit të tij, duke i vlerësuar lartë vlerat dhe aftësitë intelektuale të Nolit, pos tjerash, Jorgaqi thotë: “Filozofia, letërsia dhe kultura orientale kanë qenë pjesë e formimit intelektual dhe veprimtarisë së tij letrare e studimore. Kjo natyrisht nuk ka qenë rastësi në jetën e Nolit. Ai lindi dhe u shkollua në një mjedis oriental, njohu dhe mësoi gjuhë të lindjes si turqishten, hebraishten, arabishten dhe persishten. Fryt i lidhjeve të veçanta me këto, janë siç dihet, shqipërimi i Rubairave të Omer Khajamit... Ai do të shkoj edhe më tej, kur do të njihej dhe do të studionte fenë zotëruese të Orientit siç është Islami...”
Sipas të dhënave të sakta biografike, Noli lindi në Thrakinë Lindore të Turqisë, dhe filloren dhe gjimnazin i kreu në gjuhën greke. Në moshën 24 vjeçare emigroi në Amerikë, ku studioi artet, konservatorin e muzikës dhe doktoroi në filozofi për disertacionin: “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu”. Veproi gati gjatë tërë jetës së tij si prift i kishës ortodokse - riti bizantin lindor, në Boston. Shkroi dhe përktheu vepra të ndryshme në shqip me karakter kishtar dhe kombëtar. Rubairat e Omer Kajamit i përktheu nga përkthimi i Eduard Ficxheraldit (Edward FitzGerald). Nga gjuhët e huaja njohu: greqishten, latinishten, frëngjishten, spanjishten, anglishten, gjermanishten dhe turqishten.
Nga këto të dhëna shihet qartë se Noli lindi në një mjedis oriental, por u shkollua, veproi dhe vdiq në një mjedis oksidental (perëndimor). Përveç turqishtes, nuk figuron të ketë njohur gjuhë tjetër orientale, as ta ketë studiuar fenë islame. Për këtë më së miri dëshmon mos-përkthimi i Rubairave nga gjuha origjinale (persishtja) dhe mosmbështetja e tij në literaturë arabe në studimin për Muhamedin.
Duke treguar se në çka u mbështet Noli në studimin e tij, Jorgaqi thotë: “Për këtë ai, siç pohon edhe vetë, u mbështet kryesisht në burimet kryesore te Kurani dhe Hadikaja (Hadithi për H.H.), pra në të dhënat dhe gojëdhënat e shenjta të Islamit, të cilat i lexoi në arabisht.”!
Si tematika ashtu përmbajtja e studimit të Nolit për Muhamedin, tregojnë qartë se ai kryesisht u mbështet në literaturën e Perëndimit, e cila karakterizohej me akuzat dhe shpifjet e ndryshme kundër Muhamedi, Kur’anit dhe fesë islame. Kjo mund të kuptohet edhe nga të shkruarit e emrave në formë të deformuar, siç përdoren në Perëndim, psh. Aba Bakir, në vend të Eba Bekir, Omar, në vend të Omer, Otman, në vend të Othman apo Osman, Hadije, në vend të Hadixhe, Jatrib, në vend të Jethrib etj.
Në lidhje me çështjen e mbledhjes së Hadithit- që përmban fjalë dhe veprime të Muhamedit a.s.- Jorgaqi thotë: “Sipas tij (Nolit) ekzistojnë mbi 7000 gojëdhëna të mbledhura nga El-Bohan (El-Buhari, vër. HH), por një pjesë e tyre janë hedhur poshtë nga studiuesit, si të dyshimta.”
Ky botëkuptim i Nolit ndaj Haditheve të mbledhura nga Imam Buhariu, nuk është aspak i vërtetë. Ai llogaritet ndër studiuesit dhe verifikuesit më të njohur në fushën e Hadithit, i të gjitha kohëve. Imam Buhariu ka mbledhur numër shumë më të madh të Haditheve, të transmetuara nga shokët e Muhamedit a.s., dhe pas një analize dhe korrigjimi të mirëfilltë, rreth 7000 prej tyre i verifikon për të saktë, dhe i regjistroi në veprën e tij me titull “Sahihul-Buhari”. Prandaj, jo vetëm që nuk janë kontestuar apo hedhur poshtë një pjesë e tyre nga studiuesit si të dyshimta, siç pohon Noli, por ky libër i tij i Haditheve, pas Kuranit, në tërë botën islame konsiderohet si libri më i besueshëm dhe më i saktë.
Noli, gjithashtu, duke mos qenë në gjendje të dalloj Hadithin nga Kur’ani, në disa raste në studimin e tij, i ngatërron njërën me tjetrën, përkatësisht fjalët e Muhamedit i trajton për fjalë të Kur’anit ( fjalë të Zotit). P.sh. me rastin e shpjegimit të ideve themelore të Islamit, Jorgaqi për Nolin thotë: “Eruditi ynë nënvizon me këtë rast pohimin e Muhamedit në Kur’an se: “Ai që i bënë keq një çifuti ose një të krishteri, do t’më ketë mua si paditës në Ditën e Gjyqit të fundit.” Në vazhdm, duke i vlerësuar lartë reformat që i ndërmori Muhamedi a.s. në aspekte të ndryshme, përfshirë edhe çështjen e gruas, Jorgaqi thotë: “Noli sjell si shembull figurën e Hadijes (Hadixhes, vër. HH), gruas së parë të Muhamedit, të cilën e quan si një nga gratë më fisnike që ka rrojtur mbi tokë. Ajo do të ishte dishpulla e parë e Muhamedit, njeriu i tij më besnik, krah në të gjitha luftërat që ai zhvilloi kundër armiqve të Islamit. Aq e vërtetë është kjo sa, sipas Nolit, edhe Kur’ani i Omejadëve i atribuon Muhamedit fjalët e tij më të mira për Hatixhën kur thotë: “ Zoti nuk mund të më jepte një grua më të mirë, kur unë isha i varfër, ajo më pranoi, kur gjithë bota me pandehte si gënjeshtar, e më përndiqte, ajo më besoi e më ngushëlloi në momentet më të vështira.”
Me këtë rast, Noli bënë gabim të dyfisht, së pari se fjalët e Muhamedit a.s. ia atribuon Kur’anit, dhe së dyti pse atë e quan Kur’an të Omejadëve, kur dihet se në të gjithë botën ekziston vetëm një Kur’an, i cili është shpallur nga Zoti i madhërishëm. Në anën tjetër, edhe pohimi i tij se Hatixhja ishte krah besnik i Muhamedit a.s. në të gjitha luftërat kundër armiqve të Islamit, nuk qëndron fare, ngase ajo ndërroi jetë katër vite para se të ndodhte lufta e parë e tij me armiqtë e Islamit. Të konsideruarit e fjalëve të Muhamedit a.s. për fjalë të Kur’anit, tregon më së miri se Noli jo vetëm që nuk e ka lexuar Kur’anin në arabisht, siç pretendon Jorgaqi, por as të përkthyer në ndonjë gjuhë evropiane, të cilat ai i ka njohur mirë. Përndryshe, ai pa tjetër do ta kishte vërejtur se tekstet e lartpërmendura nuk gjinden fare në Kur’an.
Ndërsa, në lidhje me shkrimin dhe tubimin e Kur’anit, për Nolin Jorgaqi thotë: “Ai shpjegon se origjina e Kur’anit është gojore dhe përmbledhjen e parë të tyre e bënë pas vdekjes së Profetit pasardhësit e tij siç qenë kalifi Aba Bakir dhe kalifi Omar. Por ky Ku’an u refuzua nga kalifi Omajad Otman dhe me urdhër të tij u dogj dhe u hartua një version tjetër i revizionuar...”
Të gjitha të dhënat e lartpërmendura rreth Kur’anit janë të pavërteta dhe shpifje të trilluara. Si duket, këto të dhëna për Kur’anin, ashtu edhe ato më parë për Hadithin, në fillim u trilluan nga ekstremistët e sektit shiit, nga urrejtja kundër familjes Omejade shkaku i uzurpimit të saj të së drejtës së pushtetit nga kalifi Ali bin Ebi Talibi dhe pasardhësit e tij. Ato shpifje më vonë u përvetësuan në Perëndim nga armiqtë e Islamit, e me të cilat u shërbye Noli në studimin e tij për Muhamedin.
Për prejardhje të sigurt hyjnore të Kur’anit dhe mosndryshimin e tij deri me sot, dëshmues dhe garantues është vet Zoti i madhërishëm, i Cili ka thënë: “Me të vërtetë Ku’ani është shpallje e Zotit të botëve. E solli atë shpirti besnik (Xhibrili) në zemrën tënde (Muhamed) për të qenë ti nga Profetët.” (Esh-Shuara, 192-94)
“Ne, me të vërtetë e shpallem Kur’anin, dhe Ne gjithsesi do ta ruajmë atë (nga ndryshimet).” (El-Hixhr, 9)
Me rastin e shpalljes së Kur’anit, me porosi të Muhamedit a.s., ai u shkrua, u lexua dhe u mësua përmendsh nga një numër i konsiderueshëm i shokëve të tij. Disa muaj pas ndërrimit jetë të Muhamedit a.s., nga frika e shmangies eventuale të ndonjë pjese të Kur’anit, pasi që ende nuk ishte i tubuar në një vend, dhe frika e zvogëlimit të numrit të atyre që e dinin atë përmendësh shkaku i luftës me renegatët, me propozimin e Omer bin Hatabit, kalifi Ebu Bekër mori vendim për tubimin e tij. Ai në këtë detyrë të shenjtë i angazhoi disa shokë të tij me përvojë në krye me Zejd bin Thabitin, i cili kishte qenë shkrues i rregullt i Kur’anit edhe në kohën e Muhamedit a.s.. Pas një kontrollimi të të gjitha pjesëve të shkruara dhe krahasimit e harmonizimit të tyre me recitimin përkatës të atyre që i dinin përmendësh, i tërë Kur’ani u tubua e u lidh në një volum, dhe iu dorëzua Ebu Bekrit r.a. Pas vdekjes së tij, atë e mori në ruajtje kalifi Omer, kurse pas tij, Hafsa, bashkëshortja e Muhamedit a.s.
Në kohën e sundimit të kalifit Osman bin Afanit r.a., shoku i njohur i Muhamedit a.s., Hudhejfe bin Jeman kishte vërejtur në Siri dhe Irak disa mospajtime rreth leximit të Kur’anit për shkak të dialekteve të ndryshme. Më t’u kthyer në Medine, ai për këtë dukuri e njoftoi kalifin Osman r.a., i cili përsëri i caktoi disa shokë në krye me Zejd bin Thabitin dhe i porositi që nga ekzemplari origjinal t’i përshkruajnë disa kopje duke u bazuar kryesisht në dialektin e fisit Kurejsh, në të cilin kishte zbritur Kur’ani. Me këtë rast u përshkruan shtatë kopje identike, gjashtë prej tyre, Osmani r.a. i dërgoi në qendrat më kryesore të botës islame, një e ndali për vete, kurse kopjen e parë ia dorëzoi përsëri bashkëshortes së Muhamedit a.s. Andaj, kalifi Osman nuk e refuzoi versionin e parë, as nuk e dogji, as nuk hartoi version tjetër të revizionuar, siç pohon Noli, por ai vetëm e shumëzoi atë.
Për Ebu Sufjanin, udhëheqësin e familjes Omejade, Noli thotë: “Që në krye Muhamedi u ndoq dhe u persekutua nga Abu Sofiani dhe tarafi i tij, aq sa për t’u shpëtuar kundërshtarëve, u detyrua të mërgoj në qytetin rival të Jatribit... Fisi i tij do të luftonte me Omejadët një familje aristokratësh e kalifësh...”
Edhe këto të dhëna nuk janë të vërteta. Muhamedi a.s. në fillim nuk ka qenë i ndjekur dhe i persekutuar nga Ebu Sufjani, por nga Ebu Xhehli dhe tarafi i tij, pjesë përbërëse e të cilit ishte edhe vet axha i Muhamedit a.s., Ebu Lehebi. Ndërkaq, Ebu Sufjani mori udhëheqjen e idhujtarëve të Mekes pa dallim familjeje, vetëm pas mbytjes së Ebu Xhehlit dhe parisë tjetër të saj në luftën e Bedrit, në vitin 624. Ai i udhëhoqi dy luftëra kundër myslimanëve, kurse në vitin 630 ua dorëzoi atyre qytetin e shenjtë, Meken, pa luftë dhe bashkë më të birin e vet, Muaviun, e pranoi fenë islame. Andaj, si armiqësia, ashtu edhe lufta ndërmjet Muhamedit a.s. dhe Ebu Sufjanit nuk kishte karakter familjar ose fisnor, por kryekëput fetar.
Gjithashtu, as lufta e fisit të tij me Omejadët, siç thotë Noli, nuk qëndron, ngase këtu fjala është për luftën e kalifit Ali r.a. dhe ithtarëve të tij me Muaviun dhe ithtarët e tij për çështje të pushtetit, e jo të fisit.
Në vazhdim të artikullit, Jorgaqi, duke cituar Nolin, thotë: “Islamin ai (Muhamedi) e themeloi fshehtazi në 610, kurse në 616 e shpalli vetën për Profet.”, dhe shton për Nolin: “Ai e konsideron Islamin si një fenomen madhor në jetën shpirtërore të njerëzimit, që lindi si një lëvizje shoqërore e klasave të ulëta.” Në lidhje me këtë çështje, e vërteta është krejtësisht ndryshe: Themelues i fesë islame është Zoti i madhërishëm, ndërsa Muhamedi a.s. ka qenë vetëm predikues, kumtues dhe zbatues i saj. Ai nuk ka qenë Profet i vetëshpallur, por Zoti atë e dërgoi dhe e shpalli për Profet. Nëse Musai dhe Isai tek Noli konsiderohen si profet të dërguar nga Zoti, atëherë me çfarë të drejte mund t’ia mohoj këtë Muhamedit a.s., i cili në mesin e idhujtarisë më primitive në botë, e predikoi monoteizmin - besimin e pastër në Një Zot të Vetëm. Islami nuk është një element madhor vetëm në jetën shpirtërore, por edhe në atë materiale të njerëzimit. Ai nuk lindi si një lëvizje (revolucionare) e klasave të ulëta, siç thotë Noli, por u shpall nga Zoti si nevojë e domosdoshme për të gjitha klasat e njerëzimit.
Pastaj, Jorgaqi, për Nolin thotë: “Sipas tij, fillimisht ai (Islami) paraqitet si një sekt çifuto-kristian, dhe se Dhjata e Vjetër dhe e Re u pranuan në Kur’an si libra të shenjtë, ndërsa Jerusalemi shpallet qytet i shenjtë islam. Ndërsa jepte frymën e fundit, Profeti, lutjen e fundit do ta shqiptonte duke iu drejtuar Jerusalemit dhe jo Mekës. ... Në vitin 632, Muhamedi mbylli sytë në moshën 62 vjeçare në Meke.”
Edhe në këtë rast, Noli shërbehet me paragjykime dhe gënjeshtra. Islami fillim e mbarim u paraqit si një fe universale që i obligoi ithtarët e vet për t’i besuar pa dallim të gjithë Profetët e Zotit dhe të gjitha librat e shpallura hyjnore. Zoti i madhërishëm në Kur’an i porositi normat besimore monoteiste dhe moralo-njerëzore, siç i kishte porositur më parë edhe në Dhjatën e Vjetër - Tevratin, dhe në Dhjatën e Re - Inxhilin, si dhe i përcaktoi normat bazë për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore në mënyrën më të përsosur, në përputhje me rrethanat aktuale të njerëzimit. Andaj, Kur’ani është si një kushtetutë e fundit, në të cilën janë inkorporuar të gjitha nenet me përmbajtje të vlefshme nga kushtetuta e mëhershme, dhe është plotësuar me nene të reja të nevojshme për kohën, ku natyrisht me shpalljen e saj, pushon veprimi sipas kushtetutës së mëparshme.
Pas Mekës dhe Medines, Jerusalemi konsiderohet si vendi i tretë i shenjtë në Islam. Muhamedi a.s. dhe myslimanët në fillim u drejtuan gjatë faljes së namazit kah Jerusalemi, mirëpo një vit e gjysmë pas shpërnguljes në Medine, u urdhëruan me Kur’an që të kthehen në drejtim të Mekës. Nga ky moment, Muhamedi a.s. jetoi me tepër se nëntë vite dhe kurrë nuk shqiptoi lutje duke iu drejtuar Jerusalemit. Sa i përket vdekjes së Muhamedit a.s., përveç Nolit, e gjithë bota e di se ai vdiq dhe u varros në Medine, e jo në Meke. Varri i tij edhe sot gjendet në një skaj të xhamisë së tij në Medine, të cilin për çdo vit e vizitojnë me miliona myslimanë.
Ndërkaq, për Isain a.s. dhe nënën e tij, Merjemen, Jorgaqi thotë: “Gjithnjë sipas Nolit edhe Maria edhe Jezusi përshkruhen në Kur’an nga pozita ortodokse, më përjashtim të disa tipareve heretike të cilat mund të shpjegohen si korrigjime që u bënë më vonë...”
Përkundrazi, me plot të drejtë mund të themi se personaliteti i Isait a.s. (Jezusit) dhe nënës së tij, Merjemes (Marisë) në Kur’an fillim e mbarim përshkruhen dhe vlerësohen në mënyrë shumë më objektive, korrekte dhe dinjitoze sesa në Bibël. Në lidhje me këtë si shembull po i cekim vetëm disa citate nga Kur’ani, në të cilat Zoti i madhërishëm, ka thënë:
“Kur i thanë engjëjt: Oj Merjeme, me të vërtetë Zoti të dalloi, të pastroi (nga shpifjet) dhe të lartësoi mbi gratë e botës.’’ ‘’Kur i thanë engjëjt: Oj Merjeme! Me të vërtetë, Zoti po të përgëzon me fjalën nga Ai (për lindjen e djalit) emri i tij është Mesih - Isa bir i Merjemes (që do të jetë) i famshëm në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe nga më të afërmit (e Tij).” (Ali Imran, 42,45)
“Isai tha: Me të vërtetë, unë jam rob i Zotit, Ai mua më ka dhënë librin dhe më ka bërë Profet.”
“Dhe se Allahu është Zoti im e Zoti juaj, andaj adhuronie Atë, kjo është rruga (feja) e drejtë.” (Merjem, 30, 36)
Në vazhdim të artikullit të tij Jorgaqi thotë: ‘ një problem tjetër që shtron Noli në studimin e tij është çështja e Haremit, aq e përfolur nga kundërshtarët e Islamit, një dukuri që lindi pas vdekjes së Hadijes (Hadixhes). Noli sjell argumente në favor të Muhamedit që e ndërrmori këtë hap. Sipas tij, arabët, për shkak të klimës tepër të nxehtë, janë të dhënë pak a shumë pas epsheve dhe prej kësaj nuk mund të përjashtohej nga rregulli i përgjithshëm as Muhamedi...’
Haremi si dukuri, me shekuj para Muhamedit a.s. ka qenë i pranishëm në lindje dhe është me prejardhje sasanide-bizantine. Prandaj, as nuk lindi pas vdekjes së Hadixhes as nuk e ndërmori këtë hap Muhamedi a.s. Kjo fjalë është me prejardhje arabe, ndërsa turqisht i thonë haremllëk, dhe do të thotë shtëpi e grave e ndar nga oda e burrave, siç çështë traditë edhe tek ne shqiptarët. Në këtë kuptim ka qenë shtëpia e familjes së Muhamedit a.s., ku secila grua e kishte dhomën e vet të veçantë, e kurrësesi në kuptimin e Haremit me gra të ndryshme për nevoja vetëm epshore, siç ia kanë trilluar në Evropë e më gjerë, duke u bazuar në përrallat e ‘Njëmijë e një natë’. As argumenti i Nolit në ‘favor të Muhamedit’ se arabët janë të dhënë pas epsheve, ku as Muhamedi nuk ka mundur të përjashtohet nga rregulli i përgjithshëm, nuk qëndron. Muhamedi a.s. kohën e jetës së tij deri në moshën 53 vjeçare, kur zakonisht janë epshet në fuqi, e ka kaluar vetëm me një grua, ndërsa pas kësaj moshe, është martuar me të tjerat për shkaqe të ndryshme.
Akuzat kundër Muhamedit a.s. për çështje të poligamisë, edhe pse ajo nuk ka qenë temë diskutimi në Lindje, Noli pa kurrëfarë argumanti ia mëvesh Omejadëve, duke thënë: ‘ Ata i zmadhuan dobësitë e tij njerëzore për tëpërligjur teprimet e tyre dhe më vonë i ndërkallën në Kuranin e tyre për interesat e veta...’
Një pohim i tillë i Nolit është i paqëndrueshëm. Ndonëse kalifi i parë i Omejadëve, Muaviu, zgjedhjen e kalifit me anë të këshillit konsultues e shndërroi në mbretëri trashëguese, dhe se nuk mund të mohohet fakti se ndonjë nga kalifët (sunduesit) e kësaj familje të ketë bërë jetë të shfrenuar, siç ishte rasti i djalit të tij, Jezidit, por askund nuk mund të vërtetohet se ata duke dashur t’i përligjin teprimet e tyre t’i fusin ato në Kur’anin e ashtuquajtur të tyre nga Noli. Përndryshe, një veprim të tillë kurrsesi nuk do ta lejonin, si shokët e tjerë të Muhamedit a.s. ashtu edhe masat e gjëra myslimane.
Ndërkaq, në lidhje me akuzat e trilluara të lartpërmendura kundër Muhamedit a.s. në qarqet perëndimore, Jorgaqi thotë: ‘Noli nga ana tjetër shpjegon drejtë shqetësimin që shkaktoi çështja e Haremit në opinionin e Perëndimit, duke lidhur me nocionin e epsheve. Është fakt historik që çdo martesë e Muhamedit pas vdekjes së Hadijes (Hadixhes, vër. H.H) shpjegohet si një akt i nevojës politike se gjithë gratë, me përjashtim të Aishes, ishin gra të veja të shokëve të vrarë në luftë... Pra, konkludon Noli, ai koleksion grash plaka ishte thjesht karikatura e një haremi, siç e kupton zakonisht Perëndimi. Në të vertetë, -vazhdon ai,- haremi ishte një azil varfanjakesh për gra të veja e të moshuara. Hadija ( duhet të jetë Aishja, vër. H.H.) ishte e vetmja grua e re në këtë tufë plakash...’
Me këtë rast, Noli me qëllim kinse t’i dal në mbrojtje Muhamedit a.s., me zvogëlimin e peshës së akuzave kundër tij, me hipokrizi dhe cinizëm, trillon akuza tjera ofenduese ndaj tij dhe grave të tij. Faktikisht këto martesa të Muhamedit a.s. kishin karakter kryesisht të lidhjes së marrëdhenieve miqësore me njerëz autoritativ me qëllim të përforcimit të përhapjes dhe mbrojtjes së Islamit. Ato gra nuk ishin të gjitha të shokëve të tij të vrarë në luftë, siç thotë Noli, por më ndryshe: Hafsa ishte e bija e trimit të njohur, Omer bin Hatabit r.a., e të cilës i kishte vdekur burri nga plagët e marrura në luftën e Bedrit. Umu Seleme ishte një e vejë që i kishte vdekur burri, jo në luftë, por në mënyrë të natyrshme, dhe kishte mbetur me katër vajza jetime. Xhuvejria ishte e bia e Harithit, të parit të fisit Benu Mustalik, e cila ishte zënë rob lufte, dhe pas martesesë më të, Muhamedi a.s. për hir të miqësisë i kishte liruar të gjithë robërit e fisit të saj, me ç’rast edhe ata të gjithë e pranuan Islamin. Gjithashtu, ato nuk ishin varfanjake, as tufë plakash, por gra me kuror, të ndershme dhe bujare, me gjendje ekonomike dhe moshë të ndryshme, por që të gjitha ishin më të reja sesa Muhamedi a.s.. Prandaj, shtëpia e ndershme e Muhamedit a.s. nuk i përngjante me asgjë as karikaturës së haremit, as azilit të grave të veja e varfnjake, por i përngjante një shkolle të mirëfilltë, në të cilën gratë e tij sherbenin si mësuese të parimeve islame për gratë tjera muslimane. Në shenjë respekti, ato në Kur’an u quajtën nëna të besimtarëve.
Pastaj, Jorgaqi thotë: ‘Në mbyllje të studimit të tij, Noli arrin në përfundimin se, duke e shpërndarë mjegullen e ngritur nga kundërshtarët dashakeq, figura e Profetit Muhamed na shfaqet jo vetëm më e hijshme e më madhështore, por dhe më historike...’ Ky deklarim i Nolit është plotësisht i drejtë dhe i arsyeshëm. Mirëpo, mjegulla mund të shpërndahet duke u shërbyer me fakte të vërteta, e jo me të pavërteta, siç veproi ai në studimin e tij, dhe se mjegulla nuk shpërndahet me mjegull, por vetëm pështjellet edhe më tepër. Për këtë shkak, figura e Profetit Muhamed shfaqet e mjegulluar dhe e deformuar në optikën e Nolit.
Ndërkaq, në përfundim të artikullit të tij, Jorgaqi jep këtë vlerësim: ‘ Ky është përcaktimi më i saktë dhe më dashamirës, gjykuar e përvijuar nga Fan Noli, i cili duke u ngritur mbi pozitën e një kleriku të lartë ortodoks, pohon dhe argumenton shkencërisht e ndershmërisht të vërtetën për figurën e Profetit Muhamed.’
Pas të gjitha akuzave e trillimeve të lartpërmendura, sipas të cilave Muhamedi a.s. ka qenë profet i vetëshpallur, Kur’ani është ndryshuar, një pjesë e haditheve të Buhariut janë hedhur poshtë si të dyshimta, Islami në fillim paraqitet si një sekt çifuto-kristian, e pastaj u kthye në fe të pavarur, fjalët e Muhamedit a.s. quhen Kur’an, shtëpia e tij quhet karikaturë e haremit ose azilit me gra plakash, askush nuk mund të pohoj se ky është përcaktim më i saktë dhe më dashamirës, gjykuar për të nga Noli, përveç Jorgaqit! Sikur Noli, vërtetë, të kishte dashur të ngritet mbi pozitën e klerikut të lartë, dhe të argumentoj shkencërisht e ndershmërisht për figurën e Muhamedit a.s., do të mbështetej në veprat shqip: ‘Historia e Profetëve’ shkruar nga Hafëz Ali Korça, dhe ‘E lemja dhe jeta e Profetit Muhamed’ shkruar ne poezi nga Hafëz Ibrahim Dalliu, ku të dy këta autor ishin bashkëkombas dhe moshatar të tij. Në anën tjetër, Noli ka pasur mundësi të mbështetet edhe në veprat e një numri të konsiderueshëm të studiuesëve perëndimor, të cilët shkruan objektivisht dhe shkencërisht për Muhamedin a.s., e jo të shërbehet me të pavërteta e akuza të trilluara kundër tij, nga disa klerikë, misionar, historian dhe orientalistë fanatik e të pasinqertë.
Ndërsa, në lidhje me ‘zbulimin’ e këtij studimi të Nolit, Jorgaqi deklaron: ‘Do ta quaja veten me fat që, gjatë hulumtimeve të mija në arkivin e Fan Nolit, në bibliotekën e tij pranë katedralës së Shën Gjergjit në Boston, do të zbuloja skicën biografike ‘Muahmedi’, të shkruar nga ai në janar të vitit 1938 dhe të pabotuar, me sa dimë, në gjallje të tij.’
Para Jorgaqit, këtë skicë biografike e ka zbuluar Rushit Ramabaja dhe është botuar në gazetën ‘Bujku’ para luftës, si tekst integral pa ndonjë ndërhyrje, dhe me sa më kujtohet edhe atëherë ka pasur reagime. Andaj, Jorgaqi mund të ndien veten me fat për shkak të komentimit që i ka bërë kësaj skice, duke i bindur lexuesit e painformuar se ajo ka karakter pozitiv për Muhamedin a.s.. Përndryshe,- pa këtë komentim-, ajo më tepër do i përngjante një pamflete sesa një studimi shkencor. Mosbotimi i kësaj skice nga Noli, duke pasur mjaft kohë, ngas e ai vdiq në vitin 1965, ka domëthenie të veçantë. Sipas të gjitha gjasave, Noli nuk e botoi këtë skicë sepse ka qenë i vetëdijshëm për përmbajtjen kontestuese të saj, dhe për mundësinë e reagimeve të ashpëra, si nga bashkëkombasit e tij mysliman për vlerësimet negative dhe ofenduese për Muhamedin a.s. Sido që të ketë qenë, mendoj se si Ramabaja ashtu edhe Jorgaqi, me këtë rast e kanë thyer dyfish kodin e shtypit dhe të besës. Së pari, duke botuar punimin në fjalë pa leje ose testament të autorit të tij. Dhe, së dyti, duke ua ofenduar ndjenjat fetare islame lexuesve dhe duke i manipuluar ata me të pavërteta.
Për të qenë ironia edhe më e madhe, kjo skicë si ‘një dhuratë’ për lexuesit e besimit Islam, herën e parë u botua në Natën e Bajramit, ndërsa kësaj radhe një ditë pas Ditëlindjes së Muhamedit a.s.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme