Të nderuar lexues.
Para juve është web faqja në gjuhën shqipe "Kamata në pikëvështrimin Kur’anor" të dijetarit të shquar islam, Sejjid Kutub rahimehull-llah.
Autori në këtë libër në mënyrë të qartë e elaboron problemin e kamatës e cila paraqet një ves të shëmtuar dhe mallkuar.
Sistemi kamator si fenomen, i pranishëm edhe në të kaluarën edhe sot, ka bërë një shtrirje pothuajse në tërë rruzullin tokësor. Për fat të keq nga kjo sëmundje nuk janë imun as pjestarët e besimit islam, të cilët me apo pa vetëdije janë kapur në kurthën e këtij sistemi të mallkuar.
Kjo po manifestohet edhe në trevat tona në përmasa të gjëra.
Situata e tillë alarmante thjesht na obligoi që ta botojmë këtë libër i cili shpresojmë se do të bie në duar të vërteta dhe do të kontribojë për kuptimin e drejtë të punës kamatore dhe pasojave të saj.
Shpresojmë se ky libër do të kthjellë mendjet e turbulluara, do ti zbutë zemrat e ngurtësuara dhe do të ngjallë ndjenjat e vdekura të disa njerëzve …
Lusim All-llahun e Plotëfuqishëm që ta largojë sistemin e mallkuar kamator nga mesi ynë dhe të na udhëzojë kah sistemi që preferon Feja e jonë e pastër.
PREJ SURES "BEKARE"
"Ata, të cilët pasurinë e vet e shpërndajnë (në rrugë të Zotit) natën e ditën, fshehurazi ose haptazi, ata shpërblimin e tyre e kanë te Zoti i tyre dhe për ta nuk ka as frikë, as pikëllim".
"Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe vetëm se si ngrihet ai i çmenduri nga të prekurit e djallit. Këtë ngase ata thanë: "Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata!", e All-llahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën. Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalë (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te All-llahu, e kush e përsërit (pas ndalimit) ata janë banues të zjarrit, ku do të mbeten përgjithmonë. All-llahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, All-llahu nuk e do asnjë besëpremë e mëkatar".
"S’ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, e falën namazin dhe e dhanë zekatin, ata i pret shpërblim i madh te Zoti i tyre, ata nuk do të kenë kurrfarë frike as brengosje".
"O ju që besuat, kini frikë All-llahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë nga ajo që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në konflikt me All-llahun dhe të dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj, askë nuk e dëmtoni as vetë nuk dëmtoheni. Po në qoftë se ai (borxhliu) është në gjendje të vështirë, atëherë bëni një pritje deri sa të vijë në një çlirim. E t’ia falni (borxhin) në emër të lëmoshës, ajo, nëse e dini është shumë më mirë për ju. Dhe ruajuni një ditë kur do të ktheheni tek All-llahu, dhe secilit njeri i plotësohet ajo që e ka fituar dhe atyre nuk u bëhet padrejtë". (Bekare, 274 - 281)
Një fytyrë tjetër përballë lëmoshës (sadakë apo zekatë qoftë) që programi i saj u prezentua në ligjeratën e kaluar….fytyra e vrenjtur dhe e ligë, kamata!
Sadaka është dhënie dhe bujari, pastrim dhe adhurim, ndihmë reciproke dhe solidaritet. Kurse kamata është shtrëngim dhe koprraci, njollim dhe ndytësirë, egoizëm dhe vetjakësi.
Sadaka është shkëputje e pasurisë pa kompenzim e kthim, kurse kamata është kthim i borxhit me një shtesë haram, e shkëputur nga mundi i borxhliut ose mishi i tij. Nga mundi i tij, nëse me pasurinë që e mori borxh ka punuar dhe ka fituar si rezultat i punës dhe aktivitetit të tij. Kurse nga mishi i tij, nëse nuk ka fituar ose ka humbur, ose e ka marrë atë pasuri për ta shpenzuar për vete dhe familjen e tij e nuk ka fituar asgjë.
Që këtu, kamata është fytyra tjetër, përballë sadakës… fytyra e vrenjtur dhe e ligë!
Pikërisht për këtë arsye konteksti Kur’anor e prezentoi fill pas prezentimit të fytyrës së mirë, bujare, të pastër, të bukur e të dashur! E prezentoi në shfaqjen e atypëratyshme që të shpalojë çfarë ka në veprimin e kamatës të keqe e gërdi, duke e tharë zemrën dhe duke i sjellë kobin shoqërisë, duke bërë kërdi në tokë dhe duke i asgjësuar njerëzit.
Nuk ka çështje prej çështjeve të xhahilijetit që Islami synoi asgjësimin e saj e që arriti në atë shkallë të kritikës dhe urrejtjes sa arriti në kritikën dhe urrejtjen ndaj kamatës.
Kërcënimi në fjalë e kuptim nuk ka arritur atë shkallë të kërcënimit siç u shpreh në çështjen e kamatës - në këto dhe ajete tjera në raste të ndryshme - e për këtë urtësia e përsosur i takon All-llahut. Kamata në xhahilijet kishte efektet e saja të këqija e shkatërrimtare. Megjithatë, këto pikëpamje të deformuara e të shëmtuara të shfaqura nga fytyra e saj e ngrysur, që të gjitha këto nuk kishin dalur në pah në shoqërinë xhahilite siç vërehen sot dhe siç janë shpalosur në botën aktuale. Puçërrat dhe lungat në këtë fytyrë nuk ishin të përhapura , siç janë përhapur sot në shoqërinë tonë të re. Kjo antipropagandë tërbuese dhe e haptë e këtyre ajeteve ndaj këtij sistemi të mallkuar, në fokusin e gjendjes trishtuese të jetës njerëzore,sot, bëhet e qartë dhe zbulohet urtësia e saj shumë më tepër se që ka qenë e zbuluar në xhahilijetin e asaj kohe. Nga e gjithë kjo që e përmendëm, sot mund ta arrijë ta kuptojë - ai që dëshiron ta gjurmojë urtësinë e All-llahut, madhështinë e kësaj feje, përsosurinë e kësaj metodologjie dhe përpikërinë e këtij sistemi - atë që nuk arritën ta kuptojnë ata që u ballafaquan me këto tekste Kur’anore për herë të parë. Ai sot para vetes, nga situata e krijuar në botë, ka fakte që çdo fjalë e vërtetojnë gjallë, drejtpërdrejt dhe realisht. Njerëzimit të mashtruar e të humbur i cili han kamatën dhe u jep të tjerëve të hanë prej saj, i shoqërohen telashe ruajtëse e rrënuese për shkak të sistemit kamator, dhe atë në moralin, fenë, shëndetin dhe ekonominë e tij. Njerëzimi, në të vërtetë, goditet me luftë prej All-llahut që do t’i nënshtrohet hakmarrjes dhe dënimit, individualisht dhe kolektivisht, në grupe e popuj gjersa njerëzimi nuk merr mësim dhe nuk vjen në vete!
Përderisa konteksti Kur’anor në mësimin e kaluar e prezentonte rregulloren e sadakasë, ai në të vërtetë prezentonte një shtyllë prej shtyllave të sistemit shoqëror dhe ekonomik në të cilin All-llahu synon që të ngritet shoqëria muslimane dhe dëshiron që njerëzimi ta përjetojë atë që përmban ajo e që është mëshirë, përballë sistemit tjetër i cili ngritet mbi bazën kamatore e që është i dëmshëm, i egër dhe i praptë.
Këtu bëhet fjalë për dy sisteme që i qëndrojnë karshi njëri - tjetrit: Sistemi islam dhe sistemi kamator! Këta dy nuk përputhen në asnjë koncept, nuk pajtohen në asnjë bazë e as në asnjë konkluzë. Çdonjëri prej tyre bazohet në një koncept për jetën, synimet dhe qëllimet që e kundërshton tjetrin plotësisht dhe përfundon me një rezultat që në jetën e njerëzve ndryshon nga tjetri tërësisht. Pikërisht për këtë u shfaq kjo antipropagandë e tmerrshme dhe ky kërcënim i llahtarshëm!
Islami sistemin e tij ekonomik, madje edhe tërë sistemin e jetës, e vendos mbi një koncept të veçantë, i cili përfaqëson të vërtetën reale në këtë ekzistencë.
Ai e vendos mbi bazën se All-llahu - lavdi pastë - është Krijuesi i kësaj gjithësie, Krijues i tokës, Krijues i njeriut, ngaqë Ai, çdo qenieje ia dha ekzistencën e vet.
Poashtu All-llahu - lavdi pastë - i cili është Pronar i çdo ekzistence, madje Ai është Krijues i tyre, llojin njerëzor e bëri përfaqësues në tokë dhe i dha mundësinë që t’i shfrytëzojë të mirat natyrore, fuqitë dhe energjitë të cilat i akumuloi në të, por me kusht dhe kontratë nga Ai. Ai këtë pronësi të gjerë nuk ia la njeriut që të krijojë anarki e të veprojë në të çka të dojë, por e bëri përfaqësues në sferë të kufijve të njohur. E bëri përfaqësues në të me kusht që ta vendosë përfaqësinë (hilafetin) në pajtim me sistemin e All-llahut, sipas legjislacionit (sheriatit) të Tij dhe atë që ai përmban siç janë aktet, veprimet, marrëveshjet
morali, ibadetet etj. Nëse të gjitha këto janë në pajtim me kontratën, ato janë të vlefshme dhe të zbatueshme, e nëse bien ndesh me kushtet e kontratës, janë të pavlefshme dhe të pazbatueshme. Nëse dikush i zbaton me fuqi e tirani, në atë rast ajo është dhunë dhe armiqësi të cilën nuk e pranon All-llahu e as besimtarët që e besuan All-llahun. Qeverisja në tokë - siç edhe është në tërë gjithësinë - i takon vetëm All-llahut. Njerëzit, qeverisësi dhe i qeverituri, të gjithë pushtetin e tyre e mbështesin në zbatimin e sheriatit të All-llahut dhe metodologjisë së Tij. Ata, në përgjithësi, nuk duhet të dalin nga ky sistem ngase, janë zëvendës të përfaqësuar në tokë, me kusht dhe kontratë, e nuk janë pronarë, krijues të asaj që e kanë në duart e tyre prej rizkut.
Prej pikave të kësaj kontrate është që të vendoset solidariteti midis besimtarëve në All-llahun, në mënyrë që të jenë të dashur për njëri - tjetrin dhe që të kenë dobi nga rizku i All-llahut, të cilin ua ka dhënë në bazë të këtij solidariteti, e jo në bazë të pronësisë kolektive, absolute, siç pretendon marksizmi, por në bazë të pronësisë parimore personale. Atij që All-llahu i jep me bollëk, ndan nga bollëku i tij për atë që rizku i është kufizuar, por duke i ngarkuar që të gjithë të punojnë, secili sipas fuqisë, përgatitjes (profesionale) dhe asaj që All-llahu ia bën të lehtë. Asnjëri prej tyre nuk është ngarkesë për vëllain e tij apo për kolektivitetin derisa është i aftë dhe i fuqishëm, siç edhe thamë më parë. Ai e bëri zekatin detyrim (farz) në pasuri, me një sasi të caktuar kurse sadakanë vepër vullnetare me sasi të pacaktuar.
Islami i kushtëzoi ata që t’i përmbahen maturisë dhe shfrytëzimit me masë e t’i largohen shpenzimit të tepërt dhe shkapërderdhjes, atëherë kur nga rizku i All-llahut, të cilin Ai ua ka dhënë, konsumojnë dhe kur nga të mirat të cilat ua ka lejuar All-llahu kënaqen. Andaj edhe nevojat e tyre shpenzuese të pasurisë dhe të të mirave tjera përkufizohen në kufijtë e shfrytëzimit me masë, kurse teprica e rizkut (furnizimit) i eksponohet detyrimit me zekatë dhe sadakasë vullnetare, e në veçanti kur besimtari është i porositur ta kultivojë pasurinë e tij.
Ai u kushtëzoi atyre, që në zhvillimin e kapitalit të tyre t’i përdorin ato mjete përmes të cilave nuk dëmtohen të tjerët ose për shkak të atyre mjeteve të mos krijohet gjymtim apo asgjësim i procesit të punës (rizkut) tek njerëzit. Qarkullimi i pasurisë sipas Islamit insistohet të jetë në rrethin më të gjërë të mundshëm: "Që ajo të mos qarkullojë ndërmjet pasanikëve tuaj" (Hashr, 7).
Ai ua bëri obligim pastërtinë në nijjet dhe veprim, dëlirësinë në mjete dhe qëllime. Ai i detyroi t’u përmbahen disa parimeve kur kemi të bëjmë me zhvillimin e kapitalit, e nuk u’a lejoi t’i përdorim disa mënyra përmes të cilave dëmtohet ndërgjegjja e individit dhe morali i tij, ose dëmtohet jeta kolektive dhe qenia e saj 1 .
Gjithë këtë Islami e vendosi mbi bazën e konceptit të përfaqësuar në të vërtetën reale të kësaj ekzistence dhe në bazë të kontratës për përfaqësim, e cila do t’i qeverisë të gjitha aktivitetet e njeriut, të cilit i është besuar ky përfaqësim në këtë pronësi të gjerë.
Që këtu, kamata është proces i cili që në fillim bie ndesh me themelet e konceptit hyjnor në çdo aspekt, sistem i cili ngritet mbi një koncept tjetër. Ky është koncept i cili nuk shikon në All-llahun,lavdi pastë dhe i lartësuar qoftë. Andaj edhe në të (sistemin kamator) nuk ka kujdes për parimet, synimet dhe virtytet të cilat All-llahu dëshiron t’i kenë njerëzit dhe ta vendosin jetën e tyre mbi to.
Ky sistem paraprakisht është vendosur mbi bazën se, nuk duhet të ketë kurrfarë raporti midis vullnetit të All-llahut dhe jetës së njerëzve. Njeriu, sipas tyre, para së gjithash, është zotëri i tokës, i çliruar nga kontrata me All-llahun dhe jo i detyruar për t’i respektuar urdhërat e All-llahut!
Njeriu si individ është i lirë për t’i zgjedh mjetet e përfitimit të kapitalit dhe mënyrat se si do ta zhvillojë atë. Ai po ashtu është i lirë ta shfrytëzojë si të dojë, jo i detyruar në asgjë për t’iu përmbajt kontratës së All-llahut dhe kushtit të Tij dhe i çliruar të shikojë në interesin e të tjerëve. Që këtu për këtë sistem nuk ka rëndësi nëse dëmtohen miliona njerëz, kur në buxhetin dhe xhiron e tyre fusin sa të munden prej të hollave. Ligjet pozitive (të cilat janë fryt i mendjes njerëzore që në shumicën e rasteve i eksponohen gabimit e pastaj ndryshimit, sh.p.) ndonjëherë ndërhyjnë për t’ia kufizuar lirinë e tij, pjesërisht, për shembull, t’ia përkufizojnë përqindjen e kamatës ose për t’i penguar disa lloje tradhtish, vjedhjesh, grabitjesh dhe dëmtimesh. Megjithatë kjo ndërhyrje kthehet në parimet në të cilat njerëzit i kanë ambientuar ndërgjegjet e tyre dhe në atë që pasionet e tyre i udhëheqin, e jo në ndonjë parim stabil të detyrueshëm nga pushteti hyjnor!
Po ashtu ky sistem ngritet mbi bazën e një koncepti të gabueshëm me efekte rrënuese. Kjo, ngase synimi parësor te këta për ekzistencën njerëzore është përfitimi i kapitalit - në çfarëdo mënyre - dhe e shfrytëzojnë sipas tekeve që ai i synon! Andaj edhe njeriu i tillë jep mund të pakufishëm (në fakt e torturon vetveten, sh.p.) për të tubuar kapital dhe për t’u kënaqur me të, ai në këtë rrugë shkel çdo parim dhe çdo interes të të tjerëve!
Më në fund krijohet një sistem që e rrënon njerëzinë përfundimisht dhe ia rëndon jetën individualisht dhe kolektivisht shteteve dhe popujve në interes të një grushti të vogël të kamatëmarrësve të cilët njerëzinë do ta shkatërrojnë moralisht, shpirtërisht dhe emocionalisht. Në këtë mënyrë në qarkullimin e
kapitalit do të krijohet një zbrazëti, e poashtu edhe në zhvillimin e drejtë ekonomik.Më në fund do të përfundojë - ashtu siç përfundon aktualisht në botë - me koncentrimin e pushtetit të vërtetë dhe ndikimit veprues për tërë njerëzimin, në duar të disa njerëzve që janë prej krijesave më të poshtëra që i ka falë Zoti dhe prej keqbërësve më të ligë. Ata janë grup njerëzish që nuk përkujdesen për ndonjë betim apo premtim që u’a kanë dhënë njerëzive tjerë e as nuk çajnë kokën për ndonjë kontratë apo marrëveshje. Ata janë të atillë që në të njëjtën mënyrë i fusin në borxh njerëzit si individë, i fusin në borxh edhe shtetet me popuj - brenda dhe jashtë vendit të tyre - në mënyrë që përfitimet e njëmendta nga angazhimi i tërë njerëzisë, me forcë, djersë e gjak njeriu, të kthehet në formë të interesit kamator te ta, e që për to ata nuk dhanë kurrfarë mundi!
Ata jo vetëm që e zotërojnë kapitalin, por ata zotërojnë edhe ndikimin. Meqë ata përgjithësisht nuk kanë parim, virtyt, koncept fetar, moral e praktik, madje meqë ata tallen me çështjen se ata këtë ndikim të fuqishëm të cilin e zotërojnë e shfrytëzojnë për krijimin e situatave, opinioneve dhe projekteve të cilat ua mundësojnë ta shtojnë shfrytëzimin dhe nuk do të bëhen pengesë në rrugën e grykësisë së tyre dhe qëllimeve të tyre mjeruese. Mënyra më e afërt për ata është zhvlerësimi i virtytit njerëzor dhe zhytja e tij në një moçal kundërmues nga kënaqësitë dhe pasionet që i ofrojnë, në atë moçal ku shumica e njerëzve e japin paranë e fundit që e posedojnë, ngaqë paratë bien në kurthat dhe rrjetat grabitëse! Kjo arrihet së bashku me dirigjimin e rrjedhave të ekonomisë botërore në pajtim me interesat e tyre të caktuara, dhe atë pa marrë parasysh se sa do të ndikojë në krizat periodike të njohura në botën e ekonomisë, si dhe në devijimin e prodhimit industrial dhe ekonomik në tërësi në ato sfera ku ekziston interesi kolektiv njerëzor e të kthehet në interes të investituesve kamatëmarrës te të cilët tubohet rrjeti i kapitalit botëror!
Katastrofa e cila u arrit në botën e sotme - e që me këtë pasqyrë të shëmtuar nuk ishte në xhahilijjet - është ajo se ata kamatëmarrës (fajdexhi) të cilët në të kaluarën përfaqësoheshin në formë individësh ose shtëpish financiare, e që sot përfaqësohen në formë të themeluesve të bankave bashkëkohore përmes pushtetit me ndikim të madh dhe frikues që e posedojnë brenda mekanizmave të pushtetit botëror dhe jashtë tyre dhe përmes mjeteve të orientimit dhe informimit të cilat i kanë në dorë anekënd këtij nënqielli siç janë revistat, librat, universitetet, profesorët, stacionet radiodifuzive, kinematografitë etj, arritën që të formojnë një opinion të përgjithshëm në mesin e popullatës së gjorë të cilës këta kamatëmarrës ia brejnë eshtrat dhe mishin, ua pijnë djersën dhe gjakun nën çatinë e sistemit të kamatës. Ky opinion i përgjithshëm i është nënshtruar bindjes së ndyrë e helmuese se kamata është sistem i natyrshëm logjik dhe bazë e shëndoshë, e se ndonjë bazë tjetër nuk ekziston për zhvillimin ekonomik dhe se prej fryteve dhe mirësive të këtij sistemi është ky përparim civilizues në perëndim, dhe kinse ata të cilët dëshirojnë ta rrënojnë janë një grup fantazuesish - pa bazë praktike - dhe në të vërtetë teoria e tyre mbështetet thjeshtë në një teori morale dhe shëmbëlltyrë imagjinuese e që nuk kanë kurrfarë mbështetje në realitet, dhe se po qe se u lejohet të ndërhyjnë në këtë sistem ata do të jenë bartës të rrënimit të tërë sistemit ekonomik! Deri aty shkohet sa që ata të cilët e kritikojnë sistemin kamator në këtë aspekt i ekspozohen talljes nga njerëz të cilët pikërisht janë viktima mjeruese të po këtij sistemi. Ata janë viktima të vetë fatit të tyre, të ekonomisë botërore të cilën e imponojnë bandat e kamatëmarrësve botërorë e që rrjedhë në rrjedha jonormale e çrregulluese, t’u eksponohen destabilizimeve të organizuara qarkulluese dhe që të devijojnë nga binarët të cilët do të ishin kthetrat e ujqve me numër të vogël.
Sistemi kamator është sistem i nënçmuar sipas vështrimit klasik ekonomik. Ky sistem arriti deri në atë shkallë të negativitetit, saqë për efektet e tij negative tërhoqën vërejtjen edhe disa profesorë të ekonomisë perëndimore të cilët janë formuar nën hijen e tij, e që mendjet dhe kultura e tyre kanë pirë nga ky helm të cilin e lëshojnë bandat e megakapitalit në të gjitha degët e kulturës, konceptit dhe moralit. Në ballë të këtyre profesorëve të cilët e nënçmojnë këtë sistem në fushën e ekonomisë klasike është edhe dr. Shaht (gjerman) i cili ishte ish-drejtor i bankës gjermane "Rajh". Në mesin e fjalëve të cilat i tha gjatë një ligjërate të mbajtur në vitin 1953 në Damask, tha edhe atë se përmes një llogarie matematikore (të pafund) vërehet qartë se i gjithë kapitali në tokë sillet në duar të një numri të vogël të kamatëmarrësve, meqenëse huadhënësi i eksponohet fitimit por edhe humbjes. Që këtu, i tërë kapitali - me anë të llogarisë matematikore - në fund patjetër kthehet te ai i cili vazhdimisht fiton! Kjo teori tani për tani në udhën e saj realizohet plotësisht. Në fakt, pjesën dërrmuese të kapitalit botëror e zotërojnë disa mija njerëz, ndërsa të gjithë zotëruesit dhe pronarët e fabrikave të cilët huazojnë nga bankat, por edhe punëtorët dhe të tjerët, në të vërtet nuk janë asgjë tjetër pos punëtorë krahu të cilët punojnë në llogari të pronarëve të kapitalit dhe që frytin e mundit të tyre e përvetësojnë për vete këta mijëra njerëz!
Nuk është vetëm kjo që e përmendëm deri më tani i gjithë kobi që e sjell kamata …Në të vërtetë, vendosja e sistemit ekonomik mbi themelet e kamatës bëri që raporti ndërmjet pronarëve të kapitalit dhe punëtorëve në tregti dhe industri të jetë raport i bixhozit dhe grindjes së përhershme. Kamatëmarrësi angazhohet që të arrijë interes (kamatë) sa më të madhe. Ai kështu e ngrit kapitalin e tij përderisa shtohet nevoja e domosdoshme e tregtisë dhe industrisë tek ai dhe kështu ai e ngren çmimin e interesit. Ai vazhdon duke ngritur çmimin e interesit (lexo: përqindjen e kamatës, sh.p.) përderisa ta vërejë se vepruesit në tregti dhe industri nuk kanë kurrfarë dobie në shfrytëzimin e këtij kapitali, ngase rritja e tij krahas pagesave të kamatës nuk lejon që t’u mbetet asgjë. Në këtë rast kapitali i përdorur në ato fusha në të cilat punojnë miliona njerëz rrudhet, fabrikat e ngushtojnë rrethin e prodhimit të tyre, punëtorët mbeten pa punë kështu që fuqia blerëse zvogëlohet. Kur çështja arrinë në këtë pozitë, e kamatëmarrësit shohin se kërkesa për kapital (lexo: kredi, sh.p.) është pakësuar apo pezulluar, kthehen dhe e ulin përqindjen e kamatës detyrimisht. Ata të cilët merren me tregti dhe industri i kthehen rishtazi po të njëjtit sistem kurse procesit të jetës i kthehet prosperiteti. Kështu periodikisht krijohen krizat ekonomike botërore e në anën tjetër, njerëzit sillen rreth tyre po sikur të ishin kafshë!
Pastaj të gjithë konsumatorët realizojnë tatim të drejtpërdrejtë për kamatëmarrësit. Pronarët e fabrikave dhe tregtarët nuk e paguajnë kamatën e mjeteve të cilat i marrin borxh me kamatë përpos prej xhepave të konsumatorëve. Ata i rrisin çmimet e artikujve konsumues dhe barrën e kamatës ua shpërndajnë njerëzve që në fund të hyjë në xhepat e kamatëmarrësve. Ndërsa për borxhet të cilat i huazojnë shtetet nga buxhetet botërore për të realizuar meremetime dhe projekte ndërtimore, pikërisht banorët e tyre janë ata të cilët e lajnë kamatën ndaj buxheteve kamatore, ngaqë shtetet në fjalë detyrohen që të shtojnë tatime të ndryshme përmes të cilave do t’i paguajnë borxhet dhe kamatat e tyre. Në këtë mënyrë, çdo person merr pjesë në pagimin e kësaj hiseje ndaj kamatëmarrësve në fund të këtij procesi. Megjithatë, rrallëherë çështja mbaron me kaq, andaj ndodh që vetëm invazioni (kolonializimi dhe eksploatimi) të shënojë fundin e borxheve … Kështu shpërthejnë luftërat për shkak të kolonializimit!
Ne këtu, brenda hijeve të Kur’anit, nuk do ta thellojmë hulumtimin për t’i zbuluar të gjitha të metat e sistemit kamator meqë kjo është një fushë që kërkon studim të veçantë 2 . Ne do të mjaftojmë me aq që të kalojmë në një përshkrim të përgjithshëm për ata që dëshirojnë të jenë muslimanë për një grumbull të vërtetash themelore, kur kemi të bëjmë me urrejtjen e Islamit ndaj sistemit të mallkuar kamator.
E vërteta e parë: është ajo se ata duhet të jenë të bindur në mendjet e tyre se nuk ka Islam aty ku është i vendosur sistemi kamator. Çdo gjë që do ta thoshin ata që japin fetva (vendime fetare) nga hoxhallarët ose të tjerët jashtë kësaj që u tha, është dexhxhallim dhe mashtrim. Themeli i konceptit islam - siç shpjeguam - bie ndesh drejtpërsëdrejti me sistemin kamator dhe pasojat e tij praktike në jetën e njerëzve, koncepteve dhe virtyteve të tyre.
E vërteta e dytë: është se sistemi kamator është mollë sherri për njerëzimin - jo vetëm në besim moral dhe koncept - por gjithashtu edhe në thelb të jetës ekonomike dhe praktike. Ai është sistemi më i kobshëm i cili shkatërron lumturinë njerëzore, bllokon zhvillimin e ekuilibruar njerëzor, përkundër lulëzimit të dukshëm mashtrues i cili duket se është ndihmë prej këtij sistemi për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik!
E vërteta e tretë: është se sistemi moral dhe ai praktik në Islam janë të ndërlidhur plotësisht, dhe se njeriu në të gjitha lëvizjet e tij është i ndërlidhur me kontratën e përfaqësimit dhe kushtet e tij, dhe se ai është i futur në sprovë në çdo aktivitet të cilin e ndërmerr gjatë jetës së tij dhe do të merret në llogari në jetën tjetër të tij. Pra, këta dy bashkërisht e përbëjnë aktivitetin e njeriut dhe që të dy janë ibadet për të cilin do të shpërblehet nëse vepron drejt dhe mëkat për të cilin do të dënohet nëse vepron padrejtësisht. Prandaj themi se ekonomia e suksesshme islame nuk mund të ngritet pa moral, ndërsa morali nuk është veprim vullnetar ku ekziston mundësia të lirohemi nga ai e pastaj të arrijmë rezultate në jetën praktike.
E vërteta e katërt: është se bashkëpunimi kamator doemos do ta degjenerojë ndërgjegjen e individit, moralin dhe ndjenjën e tij me vëllain e tij në bashkësi, do ta prishë edhe jetën e bashkësisë njerëzore dhe kompaktësinë e saj duke nxitë shpirtligësinë, lakminë, egoizmin, dredhinë dhe tradhtinë në forma të përgjithshme. Kurse në kohën e sotme kamata konsiderohen si një nga faktorët e parë për orientimin e kapitalit në sferat më të liga të investimit, në mënyrë që kapitali i huazuar me kamatë të sjellë fitim të sigurt, ta lajë interesin kamator dhe që të mbetet diçka edhe për huamarrësin. Andaj edhe kamata është nxitëse e drejtpërdrejtë për investimin e kapitalit në filmat e ndytë, revistat pa hije, diskoklubet, baret, vallëzimet e zhveshura dhe të gjitha bizneset dhe drejtimet të cilat e degjenerojnë moralin njerëzor në tërësi. Kapitali i huazuar me kamatë nuk zgjon interesin e huamarrësve të investojnë në projekte të dobishme për njerëzimin, por preokupimi i tyre është të investojnë aty ku më së shumti kanë fitim pa shikuar fare se ky fitim vjen nga nxitja e pasioneve më të ulëta dhe devijimeve të shëmtuara. Kjo është panorama e sotme anekënd botës, kurse shkaku kryesor është bashkëpunimi kamator!
E vërteta e pestë: është se Islami është sistem i përsosur. Ai kur e ndaloi bashkëpunimin kamator, të gjitha institucionet e tij i ngriti mbi bazën e pavarësisë së nevojës për të, kurse aspektet e jetës sociale i organizoi në atë mënyrë që të eliminohej nevoja për këtë lloj bashkëpunimi duke mos ndikuar negativisht në kontinuitetin e zhvillimit ekonomik, social dhe human.
E vërteta e gjashtë: është se Islami, kur i jipet mundësia ta organizojë jetën në pajtim me konceptin dhe metodologjinë e tij të veçantë, nuk ka nevojë që me ndërprerjen e bashkëpunimit kamator t’i pushojë edhe institucionet dhe mekanizmat e nevojshëm për zhvillimin e jetës bashkëkohore ekonomike në mënyrë të natyrshme dhe të shëndoshë, por ai vetëm do ta pastrojë prej ndotjes nga kamata dhe fëlliqësira e saj e pastaj e lë të veprojë në bazë të themeleve tjera të shëndosha, e ku në ballë të këtyre institucioneve dhe mekanizmave do të ishin shtëpitë financuese, kompanitë dhe format tjera të ekonomisë bashkëkohore.
E vërteta e shtatë: e cila është më e rëndësishme është bindja e domosdoshme e atij që dëshiron të jetë musliman, se është e pamundur në aspekt të besimit që All-llahu ta ndalojë një gjë pa të cilën nuk mund të vendoset jeta njerëzore e as të përparojë. Po ashtu është e pamundur në aspekt të besimit që një gjë që është e ndytë, në të njëjtën kohë të jetë e pazëvendësueshme për vendosjen e jetës dhe përparimin e saj. All-llahu, lavdi pastë, është Ai i cili krijoi këtë jetë dhe Ai është që e bëri përfaqësues njeriun në tokë. Është Ai që urdhëroi zhvillimin dhe përparimin e saj dhe është Ai që me vullnetin e Tij e krijoi jetën dhe e harmonizoi sipas dëshirës së Tij. Pra, është e pamundur që në konceptin e muslimanit të ekzistojë se në gjërat të cilat i ka ndaluar All-llahu ka diçka që pa to nuk vendoset jeta njerëzore e as që mund të përparojë, dhe se ekziston gjë e ndytë e që është e pazëvendësueshme për vendosjen e jetës dhe përparimin e saj. Ky është koncept i gabuar dhe propagandë e ndytë helmuese e zullumqarëve e cila impononte tek brezat idenë se kamata është e domosdoshme për zhvillimin ekonomik dhe kulturor, se sistemi kamator është pikërisht sistem natyror. Ata e përcillnin këtë koncept mashtrues në burimet e kulturës së përgjithshme dhe në burimet e njohurive njerëzore në Lindje dhe Perëndim të tokës, pastaj përmes vendosjes së jetës bashkëkohore mbi këtë themel, praktikisht me anë të angazhimeve të fondeve investuese (lexo: kredituese, sh.p.) dhe kamatëmarrësve, dhe përmes vështirësisë për ta përfytyruar vendosjen e saj mbi ndonjë bazë tjetër. Kjo vështirësi së pari krijohet nga mosbesimi dhe së dyti krijohet nga dobësia e të menduarit dhe paaftësia e tij për t’u çliruar nga ky pretendim, për të cilin kamatëmarrësit u angazhuan që ta përcjellin dhe vendosin krahas fuqisë që kanë për orientim, pasurisë që kanë për ndikim brenda qeverive botërore dhe posedimit të mjeteve të përgjithshme dhe të veçanta të informimit.
E vërteta e tetë: është se deklarimi i kamatëmarrësve se është e pamundur vendosja e ekonomisë botërore sot dhe nesër mbi ndonjë bazë tjetër jashtë bazës kamatore, nuk është asgjë tjetër pos trillim ose më mirë të themi gënjeshtër shumë e madhe e cila ekziston dhe jeton ngase mjetet të cilat i përdorin pronarët e interesit për mbetjen gjallë të saj, janë vërtet mjete kolosale! Por kur nijjeti të jetë serioz dhe të merrë hap vendimtar njerëzimi - ose të jetë këmbëngulës ummeti musliman - që t’ia kthejë vetes lirinë nga grushti i bandave botërore që praktikojnë kamatën dhe kur të dëshiron që vetes t’i sigurojë mirësinë, lumturinë dhe bereqetin, duke zotëruar moral të mirë dhe shoqëri të pastër, fusha është e hapur për vendosjen e sistemit të drejtë të cilin All-llahu ia dëshiroi njerëzimit, i cili u zbatua praktikisht dhe jeta nën çatinë e tij u vendos plotësisht dhe ende është i përshtatshëm për zhvillim nën mbikëqyrjen e tij dhe brenda hijeve të tij nëse njerëzit vetëdijësohen dhe udhëzohen!
Këtu nuk është vendi për të sqaruar mendimin se si do të zbatohej kjo dhe cilat do të ishin mjetet e tij … Na mjaftojnë këto udhëzime të përgjithshme 3 dhe sqarimi se procesi përçmues kamator nuk është domosdoshmëri nga domosdoshmëritë e jetës ekonomike dhe se njerëzimi i cili devijoi nga sistemi i drejtë në të kaluarën, përderisa Islami e ktheu në të, është po ai njerëzim i cili sot ka devijuar po me të njëjtin devijim e nuk po i kthehet sistemit të mëparshëm të mëshirshëm e të shëndoshë.
Tani të shohim se si shpërtheu revolucioni islam mbi atë shëmti prej të cilës njerëzimi shijoi belanë, të cilën nuk e kishte shijuar më tepër në asgjë më parë.
"Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngriten ndryshe vetëm se si ngritet ai i çmenduri nga të prekurit e djallit. Këtë ngase ata thanë: "Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikur edhe kamata!" e All-llahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën. Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalë (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te All-llahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbeten përgjithmonë. All-llahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, All-llahu nuk e do asnjë besëpremë e mëkatar". (Bekare, 275 - 276)
Kjo është antipropagandë trishtuese dhe ilustrim tërbues: "Ata nuk ngriten ndryshe vetëm se si ngritet ai i çmenduri nga të prekurit e djallit".
Nuk kemi hasë asnjë kërcënim emocional i cili përcillet në ndjenja siç përcillet kjo pasqyrë e trupëzuar, e gjallë dhe lëvizëse, pamje e të prekurit të përmbytur. Kjo është pamje e njohur dhe e mësuar për njerëzit. Këtu teksti Kur’anor e prezenton këtë për të luajtur rolin ngacmues për trishtimin e ndërgjegjes dhe ngacmimin e ndjenjave të kamatëmarrësve si dhe dridhjen e tyre, si dridhje e fortë për t’i nxjerrë nga tradita e tyre e ambientuar e sistemit të tyre ekonomik dhe nga lakmia e tyre për të arritur atë që do t’ua realizonte atyre kamatën. Ky është një mjet për të arritur ndikim edukativ i cili në këto raste është efikas, e që në të njëjtën kohë është shprehje e realitetit ekzistues. Pjesa dërrmuese e tefsireve ishin të mendimit se qëllimi i ngritjes në këtë pamje trishtuese është ngritja Ditën e ringjalljes, megjithatë - sipas asaj që shohim - kjo pamje është evidente ashtu si përshkruhet në jetën e njerëzimit në këtë botë. Kjo shprehje poashtu përputhet me atë që vjen pas saj duke tërheq vërejtjen e shpalljes së luftës prej All-llahut dhe Pejgamberit të tij. E ne shohim se kjo luftë është evidente sot, e cila dominon mbi njerëzimin e humbur I cili përplaset sikur i prekuri (nga magjia apo djalli, sh.p.) në plagët e sistemit kamator. Dhe, para se ta sqarojmë mendimin për vërtetësimin e këtij realiteti të gjendjes aktuale të njerëzimit, do të fillojmë me prezentimin e formës kamatore me të cilën ballafaqohej Kur’ani në Gadishullin Arabik dhe përfytyrimet e bartësve të xhahilijjetit ndaj saj.
Kamata e cila ishte e njohur në xhahilijjet dhe për të cilën zbritën ajetet e sipërtheksuara dhe ajetet tjera për zhdukjen e saj, fillimisht ka pasur dy forma kryesore: Riben nesieh (kamata me afat të shtyer, kredia) dhe ribel fadl (kamata me kompensim me shtesë).
Sa i përket riben nesieh, Katadeja ka thënë: "Ribaja" (kamata) e bartësve të xhahilijjetit ishte kur një njeri huazonte nga tjetri dhe i thoshte: "Do të jap kaq dhe kaq me kusht që të ma shtyshë afatin, e ai ia shtynte".
Ebu Bekr El Xhassas thotë: "Është e ditur se kamata e xhahilijjetit ishte hua me afat me shtesë kushtëzuese. Kjo shtesë ishte zëvendësim i afatit, e All-llahu i Madhërishëm e asgjësoi".
Imam Raziu në tefsirin e tij thotë: "Riben nesieh" ( kamata me afat të shtyer) ishte formë e njohur në xhahilijjet kush dikush prej tyre i jepte pasurinë tjetrit deri në një afat të caktuar me kusht që të marrë prej tij një sasi shtesë çdo muaj, kurse kapitali mbetej në gjendje të tij nëse marrësi i saj do të mund të lirohej nga kapitali i marrë. Por nëse nuk do të mund t’a kthente, atëherë ia bashkangjitte një shtesë tjetër hakut dhe afatit".
Në hadithin e Usame bin Zejdit, radijall-llahu anhuma, thuhet se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: "Nuk ka riba (kamatë) pos në nesieh (në atë me afat të shtyer)". Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.
Ndërsa ribel fadl është ai lloj i kamatës kur njeriu shet një gjë për tjetrën nga i njëjti lloj me shtesë, sikurse shitja e arit me ar, dirhemit me dirhem, grurit me grurë, elbit me elb, e kështu me radhë. Ky lloj iu bashkangjitë kamatës meqë në te ka ngjasim me të dhe me ndjenjat të cilat e përcjellin, të cilat u ngjasojnë ndjenjave të përcjellura në rast të marrjes së kamatës. Kjo pikë është tepër me rëndësi për ne kur do të bëjmë fjalë për veprimet e sotshme.
Nga Ebu Seid El Huderijj përcillet se ai ka thënë: "I dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: Ari me ari, argjendi me argjend, gruri me grurë, elbi me elb, hurma me hurmë dhe kripa me kripë: Sasi të njëjtë me sasi të njëjtë, dorë për dorë, e kush shton apo kërkon më tepër, ai ka hyrë në kamatë. Ai i cili e merr dhe ai i cili e jep, në të kanë trajtim të njëjtë". (Transmetuan Buhariu dhe Muslimi).
Nga Ebu Seid El Huderijj përcillet po ashtu: "Erdhi Bilali te Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e me vete kishte hurma të llojit më të mirë (hurma bernij) 4 . Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e pyeti: Prej nga i ke këto ? - Ai u përgjigj: Kishim hurma të ligështa, i shita dy sa’ë për një sa’ë. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ia ktheu: Oh! Po kjo është bazë e kamatës, bazë e kamatës. Këtë më mos e bën, por nëse dëshiron të bleshë, shiti hurmat me diç tjetër (të holla ose mall tjetër), e pastaj me to blejë të tjerat". (Buhariu dhe Muslimi).
Sa i përket llojit të parë, kamata në të është e qartë, nuk ka nevojë për sqarim ngase në të plotësohen të gjitha elementet kryesore të çdo veprimi kamator. Ato janë: Shtesa mbi bazën e kapitalit dhe afatit që për shkak të tij jipet kjo shtesë. Fakti se kjo fajde është kusht përbërës në marrëveshje, domethënë lindje e një kapitali të ri prej të parit, për shkak të afatit nuk është asgjë tjetër…
Sa i përket llojit të dytë, nuk ka dyshim se ekzistojnë dallime themelore në dy sende të një lloji dhe kjo gjendje imponon shtesën. Këtë e bëri të qartë rasti i Bilalit dhe i hurmës së mirë. Meqë ngjashmëria e dy llojeve në gjini krijon dyshim se bëhet fjalë për proces kamator ngase me hurmë merret hurmë, ai, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e vlerësoi kamatë dhe e ndaloi. Ai për zgjidhje urdhëroi që lloji i cili dëshirohej të kompensohet të shitet me të holla e pastaj të blehet lloji i kërkuar me të holla, duke i ikur dukurisë së kamatës nga procesi plotësisht!
Po ashtu kushti i ndërrimit "dorë për dorë" ka për qëllim që të mos shtyhet afati i shitjes së një lloji, me të njëjtin lloj qoftë edhe pa shtesë, ngase në te paraqitet dukuria e kamatës apo një element prej elementeve të saj!
Deri në këtë shkallë kishte arritur emocionimi (prekshmëria) e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, me dukurinë e kamatës në çfarëdo veprimi, po ashtu edhe urtësia e tij në flakjen e logjikës së kamatës e cila dominonte në xhahilijjet.
Ndërsa sot, disa dështues prej muslimanëve, nga ndikimi i koncepteve perëndimore kapitaliste dhe sistemet e tyre dëshirojnë që ndalimin ta përkufizojnë vetëm në një formë prej formave të kamatës - riben nesieh ( kamata me afat të shtyrë ) - duke u mbështetur në hadithin e Usames dhe në vlerësimin e selefit ndaj veprimeve në lidhje me kamatën në xhahilijjet, e që t’i lejojnë fetarisht në emër të Islamit format tjera të krijuara të cilat nuk përputhen në ndonjë funksion me kamatën e xhahilijjetit!
Megjithatë, kjo përpjekje nuk është asgjë tjetër pos një dukuri prej dukurive të dështimit shpirtëror dhe mendor. Islami nuk është sistem formalitetesh por sistem që ngritet mbi një koncept origjinal. Ai kur e ndaloi kamatën nuk ndaloi vetëm një formë të saj e jo edhe tjetrën, por Ai luftonte një koncept që i kundërvihej konceptit të tij, luftonte një logjikë që nuk përshtatej me logjikën e tij, ai ishte tepër i ndijshëm në këtë aspekt deri në atë shkallë kështuqë ndaloi ribel fadl (kamatën me shtesë në kompensim) për t’i ikur dukurisë së logjikës kamatore dhe lakmisë kamatore prej një distance shumë të largët!
Andaj çdo veprim kamator është i ndaluar pa marrë parasysh se a vjen në shprehje në format të cilat ishin të njohura në xhahilijjet apo forma të reja të cilat pastaj janë krijuar, përderisa ato përmbajnë elementet themelore të veprimit kamator ose përshkruhen me kallëpin e logjikës kamatore. Fjala është për logjikën e egoizmit, grykësisë, vatjakësisë dhe futjes në lojë të bixhozit, dhe përderisa atyre u mvishet kjo ndjenjë e ndytë, ndenja e arritjes së fitimit me çfarëdo mjeti!
Ne duhet ta dijmë mirë këtë të vërtetë dhe të jemi të bindur për luftën e shpallur nga All-llahu dhe I dërguari i Tij mbi shoqërinë kamatore.
"Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngriten ndryshe vetëm se si ngritet ai i çmenduri nga të prekurit e djallit".
Ata që e hanë kamatën nuk janë vetëm ata që e marrin interesin kamator, edhe pse këta janë të parët që kërcënohen me këtë tekst tmerrues, por janë edhe të gjithë ithtarët e shoqërisë kamatore.
Nga Xhabir bin Abdull-llah, radijall-llahu anhu, përcillet se ai ka thënë: "I dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e ka mallkuar ngrënësin e kamatës, atë që e jep kamatën, dy dëshmitarët (në rastin e kontratës sh.p.) dhe shkruesin e saj". Ai tha: "Të gjithë janë të njëjtë (në mallkim)". Transmetuan Muslimi, Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.
Kjo është sa u përket veprimeve në lidhje me kamatën personale, kurse kur është fjala për shoqërinë e cila është vendosur mbi themele kamatore, të gjithë pjestarët e saj janë të mallkuar, dhe i janë eksponuar luftës së All-llahut dhe të shporrur nga rahmeti i Tij pa diskutim.
Ata nuk ngriten në këtë jetë e as nuk lëvizin pos si lëvizja e të prekurit të destabilizuar dhe të mërziturit të goditur në mend, i cili nuk mund të stabilizohet, qetësohet e rehatohet. Nëse në të kaluarën gjatë periudhës së krijimit të sistemit bashkëkohor kapitalist në katër shekujt e parë ka ekzistuar dyshimi (i dështimit të sistemit kamator, sh.p.) përvoja e shekujve të fundit nuk i lë aspak vend dyshimit.
Bota në të cilën jetojmë sot, është botë e shqetësimeve, brengave, frikës, sëmundjeve nervore dhe psikike, duke u mbështetur në deklaratat e intelektualëve, mendimtarëve, dijetarëve dhe analistëve perëndimorë dhe në dëshmitë e vëzhguesve, vizitorëve dhe kalimtarëve në viset e civilizimit perëndimor dhe atë përkundër të gjitha të arriturave të civilizimit material dhe kolosalitetit të prodhimit industrial në përgjithësi në këto hapësira, përkundër të gjitha dukurive të përparimit material i cili dëshmohet me sy. Pastaj, ajo është botë e luftërave masive dhe kërcënimeve të përhershme për luftëra zhdukëse, botë e luftës së nervave dhe shqetësimeve të cilat nuk ndalen aty a këtu.
Kjo është një jetë e ngarkuar me vështirësi e brenga të cilat civilizimi material nuk ka fuqi t’i mënjanojë, si dhe as përparimi material, as lehtësia e jetës materiale, mundësitë e kushtet e saja në vende të ndryshme. Çfarë vlere kanë të gjitha këto të mira nëse në shpirt nuk krijohet lumturia, kënaqësia, stabiliteti dhe qetësia?
Ky është realiteti me të cilin ballafaqohet çdonjëri që dëshiron të shohë e nuk u ka vërë syve të tij perde që mos të shohë! Është e vërtetë se njerëzit në shumicën e vendeve të botës ku përgjithësisht ka përparim, si p.sh. në Amerikë, Suedi etj, të cilat kanë arritur përparim material, nuk janë të lumtur … Ata janë të mërzitur aq saqë mërzia rrjedh prej syve të tyre edhe pse janë të pasur. Brenga ka ngrënë jetën e tyre edhe pse ata janë futur thellë në prodhim! Ata këtë mërzi ndonjëherë e manifestojnë përmes grindjeve dhe britmave e ndonjëherë përmes gazetave e revistave ekscentrike të perëndimit ndërsa ndonjëherë përmes anomalive seksuale patologjike(homoseksualitetit dhe lesbicitetit). Mandej ndiejnë nevojë për ikje, ikje nga vetvetja, nga djerrina në të cilën janë ngjeshur dhe nga plogështia e cila nuk ka shkak të dukshëm, nga ndodhitë që e shoqërojnë jetën dhe rrjedhat e saj. Ata ikin me anë të vetëvrasjes, çmendurisë dhe anomalisë. Pastaj dukuria e mërzisë, djerrinës dhe boshllëkut (shpirtëror, sh.p.) i shporrë dhe nuk i lë ata të qetësohen asnjëherë!
Pse kështu?
Shkaku kryesor natyrisht se është zbrazëtia e këtyre qenieve njerëzore marrëzisht të dashuruara, të dënuara, të humbura e të pafat nga ushqimi i shpirtit, nga imani dhe nga mbështetja shpirtërore në All-llahun, përkundër gjithë atij përparimi material që e zotërojnë. Poashtu zbrazëtia e tyre nga qëllimet e mëdha njerëzore të cilat i krijon dhe proekton imani në All-llahun, përfaqësimi i tokës (hilafeti) në pajtim me kontratën dhe kushtin e Tij.
Në këtë shkak kryesor e vendimtar bëjnë pjesë edhe belaja e kamatës, belaja e ekonomisë e cila nuk zhvillohet në mënyrë të barabartë dhe të drejtë e që të shpërndahen të mirat e zhvillimit të tij dhe bereqetet e tij te të gjithë njerëzit, por zhvillohet e anuar vetëm në një krah në grushtin e financuesve kamatëmarrës të cilët plaçkisin me anë të zyrave grandioze që i kanë nëpër banka duke u dhënë hua me interes të caktuar e të sigurtë fabrikave dhe firmave tregëtare. Ata i detyrojnë fabrikat dhe firmat të shkojnë sipas një rruge (plani të cilin vet e proektojnë, sh.p.) e ku qëllimi kryesor nuk është mbrojtja e interesave të njerëzve dhe nevojave të tyre të cilat do t’u sjellin lumturi të gjithëve, të cilat do t’u sigurojnë punë sistematikisht të gjithëve dhe të cilat do t’u ofrojnë qetësi shpirtërore dhe garancë sociale, por qëllimi i tyre është prodhimi i cili do ta realizojë sasinë më të lartë të fitimit edhe nëse i dërmon miliona njerëz, u’a shkatërron jetën dhe mbjell dyshim, mërzi dhe frikë në jetën e tërë njerëzimit.
All-llahu i Madhërishëm tha të vërtetën: "Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngriten ndryshe vetëm se si ngritet ai i çmenduri nga të prekurit e djallit". Ja, ne jemi ata që e dëshmojmë këtë realitet në botën e sotme aktualisht!
Kamatëmarrësit në kohën e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kundërshtuan ndalimin e kamatës. Kundërshtuan duke u mbështur në atë se nuk ka arsye për ndalimin e veprimeve kamatore përderisa lejohen veprimet tregëtare: "Këtë ngase ata thanë: "Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata!" e All-llahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën".
Dilema në të cilën ata ishin mbështetur ishte ajo se tregëtia realizonte edhe fajden edhe fitimin ashtu siç bënte edhe kamata. Kjo është dilemë e iluzioneve, ngase veprimet tregëtare i eksponohen fitimit dhe humbjes. Shkathtësia personale, mundi personal dhe kushtet natyrore të cilat rrjedhin në jetë janë ato të cilat e determinojnë fitimin dhe humbjen. Kurse, veprimet kamatore në çdo rast kanë fitimin e paracaktuar. Ky pra edhe është dallimi kryesor dhe ky është barometër i ndalimit dhe i lejimit.
Çdo veprim i cili garanton fitim për çdo rast është veprim kamator, i ndaluar për shkak të garantimit të fitimit dhe caktimit paraprak të tij. Pas gjithë kësaj më nuk ka hapësirë këtu për pshtjellim dhe endje lart-poshtë!
"All-llahu e ka lejuar shitblerjen por e ka ndaluar kamatën".
E ka ndaluar kamatën për shkak të mosekzistimit të këtij elementi të shitblerjes dhe për shkaqe tjera të shumta të cilat veprimet tregtare në bazën e tyre i nxjerrin të dobishme për jetën njerëzore kurse veprimet kamatore në bazën e tyre i nxjerrin shkatërruese për jetën njerëzore 5 .
Islami situatën e cila ishte e pranishme në atë kohë e shëroi në mënyrë praktike pa krijuar tundje ekonomike dhe sociale:
"Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalë (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te All-llahu".
Që nga fillimi i ligjësimit të tij Islami ia përgatiti rrjedhat sistemit të tij. Ai që e dëgjon këshillën e Zotit dhe është ndalur, nuk e kthen atë që e ka marrë më parë prej kamatës dhe çështja e saj mbetet te All-llahu. Ai do të gjykojë ashtu si Ai e sheh më mirë. Kjo shprehje frymëzon zemrën se shpëtimi për ata që në të kaluarën e kanë bërë këtë mëkat është i lidhur për vullnetin e All-llahut, dhe mëshirën e Tij. Ai mbetet i frikësuar nga çështja sa që fillon t’i thotë vetes: "Më mjafton kjo llogari e punëve të këqia. Ndoshta All-llahu më fal nga dënimet e Tij nëse ndalem dhe pendohem. Nuk dua më që rishtazi t’i kthehem asaj!" Kështu pra Kur’ani shëron ndjenjat e zemrave me këtë metodologji të veçantë.
"E kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbeten përgjithmonë".
Ky kërcënim me përshkrimin e realitetit të dënimit në ahiret përforcon karakteristikat e metodologjisë edukative (pedagogjike) për të cilën sinjalizuam dhe e thellon në zemër!
Megjithatë, ndoshta shumicën e mashtron distanca e gjatë kohore dhe takimi i pacaktuar,andaj, edhe nga llogaritë (lexo: parashikimet) e tyre e largojnë llogarinë e ahiretit! Ja, tani Kur’ani ua tërheq vërejtjen me zhdukje (lexo: falimentim) në dunja dhe ahiret, duke konfirmuar se sadakatë - përveç kamatës - janë të tilla që shtohen e pastrohen e më pastaj ata që nuk i përgjigjen kufrit dhe mëkatit i lajmëron dhe ua bën me dije urrejtjen e All-llahut ndaj kafirëve mëkatarë.
"All-llahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, All-llahu nuk e do asnjë besëpremë e mëkatar".
Mallkimi i All-llahut dhe vërejtja e Tij u vërtetuan. Ja, ne jemi ata që po shohim se nuk ka shoqëri e cila merret me kamatë e të ketë mbetur në të një grimcë bereqet, stabilitet, lumturi apo rehati. All-llahu e zhduk kamatën, kurse shoqërinë tek e cila gjendet kjo ndytësirë nuk e përmbush me gjë tjetër pos me uri e telashe. Syri sheh - sipas asaj që duket - stabilitet, prodhim dhe burime të bollshme, megjithatë, bereqeti nuk vlerësohet sipas s