Ç’ËSHTË DITA E SHËN GJERGJIT?

E vërteta rreth Shën Gjergjit?

Historianët me renome botërore kanë hulumtuar, kanë debatuar, deri në imtësi, për të zbuluar të vërtetën rreth tij. Dhe si përfundim, këtë të vërtetë ende s’e kanë gjetë…! The Catholic Encyclopedia (Enciklopedia Katolike) shkruan se nuk ka dyshim për ekzistencën historike të Shën Gjergjit, por nuk duhet besuar në ngjarjet fiktive që janë thurur rreth tij… Pra, ngjarjet rreth Shën Gjergjit nuk janë historike, por janë mitike, mitet nuk janë të rralla, ato janë si përralla…!


Kush ishte Shën Gjergji?

Legjenda thotë se Shën Gjergji ka lindur në Kapadokia, Azi, në gjysmën e dytë të shekullit të tretë, rreth viteve 275-385 dhe është martirizuar në Palestinë… Shën Gjergji ka jetuar në kohën e perandorit romak, Dioklecianit, perandor me prejardhje ilire, por që ishte një nga armiqtë më të tmerrshëm të Krishterimit, i cili e kishte emëruar në një post ushtarak me shumë përgjegjësi, pa e ditur se ai është i krishterë, armik i tij…! Kur më në fund, perandori romak, Diokleciani, e zbuloi që Shën Gjergji ishte i krishterë, atëherë e burgosi e torturoi dhe në fund ia preu kokën dhe trupin ia copëtoi… Por, edhe pasi i pritet koka dhe trupi i copëtohet, Shën Gjergji, sërish, ringjallet dhe tri herë në këmbë çohet…! Me pak fjalë, sepse ka edhe shumë mite, legjenda dhe përralla të tjera rreth Shën Gjergjit, kjo është e “vërteta”, pra, secili ka të drejtë nga këto të “vërteta” të nxjerrë përfundimet e veta…! Me gjithë këto mite, përralla, Shën Gjergji nderohet. Nderohet si një nga shenjtët më të mëdhenj tek të krishterët, e nderojnë deri në adhurim, duke kërkuar nga ai mbrojtje, shpëtim: Kisha Katolike, Kisha Anglikane, Kisha Ortodokse dhe shumë bashkësi ose kisha më të vogla kristiane, Lindore dhe Perëndimore…!


Shën Gjergji dhe Shën Mitri

Siç nderohet, adhurohet Shën Gjergji, nderohet, adhurohet edhe Shën Mitri apo Shmitri, Dimitrios-greqisht, Demetrius-latinisht, me, 26 tetor, 8 nëntor…


Shën Mitri (275-306)

Shën Mitri (275-306) ka lindur në Selanik, është një martir i krishterë, por nderohet, adhurohet më shumë nga Kishat Ortodokse, në veçanti nga grekët dhe sllavët, siç janë serbët, bullgarët, rusët…, kuptohet edhe nga shqiptarët ortodoks… Jeta dhe vdekja e Shën Mitrit është e ngjashme me jetën dhe vdekjen martire të Shën Gjergjit…


Dy-tri fjalë rreth miteve

Mitet janë rrëfime me bazë historike, por janë të ndërthurura me elemente mitike…Mitet krijohen, por edhe ndryshohen. Ndryshohen në periudha të vrullshme historike, kur identitetet hyjnë në faza kritike…Në periudha të tilla kohore, mitet janë si me thënë disa prej mjeteve, instrumenteve, në lindje të identiteteve… Mitet rreth Ditës së Shën Gjergjit dhe Ditës së Shën Mitrit janë krijuar në Mesjetë. Mesjeta në anglisht quhet: Dark Age, Periudha e Errësirës… Sipas llogaritjeve të lashta pagane, Dita e Shën Gjergjit shënonte fillimin e stinës së verës, kurse Shën Mitri shënonte fillimin e stinës së dimrit… Për fillimin e stinës së verës, mbas dimrit të gjatë e të vështirë, për paganët s’kishte gëzim më t’mirë, prandaj e shënonin, e kremtonin me gëzim, me dëshirë... Kurse për fillimin e stinës së dimrit, mbas verës së bereqetshme, me plotë begati, sërish e shënonin, por tani me frikë, me lutje hyjnive, që dimri të jetë i butë, jo i vështirë, që të shpëtonin pa u ngrirë…! Shkurt, këtyre ditëve të shënuara, festave të lashta pagane, Kisha në Mesjetë ju dha ngjyra kristiane…


Dita e Shën Gjergjit tek Shqiptarët

Sot, para Evropës, para botës, krenohen shqiptarët që e pranuan Krishterimin të parët…! Sot krenohen shqiptarët që janë popull i lashtë, autokton, që janë shumica muslimanë…! Sot, shumë shqiptarë, edhe pse fetarë, janë të lidhur ngushtë me bindjet dhe traditat e tyre të lashta pagane, duke u krenuar se këto festa pagane kanë prejardhje ilire - dardane…! Kjo krenari, për këto festime, për këto kremtime, nuk janë mësime, por janë pësime, sepse o të dashur shqiptarë, iliro-dardan, këto nuk përputhen me Fjalën e Zotit, as në Bibël, as në Kur’an… Krishti, hazreti Isai (a.s.) tregoi pse është e rrezikshme të ndjekësh traditat e sajuara nga njerëzit kur u tha udhëheqësve fetarë të ditëve të tij: “E keni bërë Fjalën e Zotit të pavlefshme, për shkak të traditës suaj”.
Pastaj citoi këto Fjalë të Zotit: “Ky popull më nderon me buzë, e megjithatë zemra e tyre është larguar shumë nga Unë. Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse mësimet e tyre janë thjeshtë urdhërime njerëzish.” (Bibla, Mateu 15:1-9, Isaia 29:13)

Zoti në Kur’an thotë: “Kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë…”(Kur’an, 20:124)
A ka kuptim që shqiptarët, besimtarët, të udhëzohen nga mësimet e thjeshta njerëzore e të largohen nga urdhërimet biblike dhe kuranore?

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme