PERANDORIA OSMANE - PERIUDHA KLASIKE 1300–1600

H Y R J E

PERIUDHAT E HISTORISË OSMANE

Në fillim të shekullit të katërmbëdhjetë, kur edhe u formua, Shteti Osman ishte një principatë e vogël brenda kufijve të botës islame, ideja lëvizëse e së cilës ishte gazva-lufta e shenjtë kundër “pabesimtarëve” të krishterë. Ky shtet i vogël e i parëndësishëm kufitar filloi gradualisht t’i nënshtrojë dhe t’i aneksojë ish territoret bizantine në Anadoll dhe në Ballkan. Kurse, më 1517, kur i përvetësoi tokat arabe, u bë shteti më i fuqishëm i botës islame.
Gjatë kohës së Sulltan Sulejmanit I (1520-1566), sukseset e pandërprera ushtarake në hapësirën e gjerë prej Evropës së Mesme e deri te Oqeani Indian i dhanë Perandorisë Osmane statusin e fuqisë botërore. Mirëpo, gjatë luftërave të gjata në shekullin e tetëmbëdhjetë, peshoja anoi në dobi të Evropës. Fuqia Osmane gjithë e më tepër dobësohej, pasi në shekullin e tetëmbëdhjetë dominonte bindja se Evropa është superiore, Perandoria Osmane edhe politikisht edhe ekonomikisht u bë e varur prej Evropës. Ekzistimi i gjatë i kësaj perandorie dhe mundësia e rënies së saj, më në fund u bënë problem i politikës evropiane, e ashtuquajtur “çështje lindore”. Jeta politike mbahej nën mbikqyrjen evropiane deri në vitin 1920.
Siç ndërronin rrethanat në disa periudha, ashtu iu nënshtroheshin ndryshimeve strukturat dhe institucionet e kësaj perandorie. Ndërrimet që u bënë në strukturën e saj të brendshme dhe në zhvillimin politik tregojnë se, si deri në fund të shekullit gjashtëmbëdhjetë, kjo principatë kufitare u bë perandori në frymën tradicionale të shteteve klasike të Lindjes së Afërt, siç ishte dinastia e sasanidëve, e posaçërisht ajo abaside. Kah fundi i shekullit të XVI, Perandoria Osmane, me traditën e saj shtetëformuese e administrative, me politikën e saj financiare, sistemin agrar dhe organizimin ushtarak, paraqiste shembull të lartë të një perandorie të zhvilluar të Lindjes së Afërt. Në kohën e rënies së saj, superioriteti ushtarak dhe ekonomik i Evropës e zgjoi vetëdijen edhe te vetë osmanlinjtë se traditat e shteteve të Lindjes së Afërt e jetuan kohën e vet dhe s’mund t’i përshtaten epokës së re.
Prej këtij çasti historia osmane është një kronikë e formave të harxhuara të institucioneve të vjetra perandorake: ose, më saktësisht, ajo është historia e përpjekjeve të një shteti të Lindjes së Afërt që t’u përshtatet provokimeve ekonomike, politike dhe kulturore të Evropës. Pas vitit 1924 dhe pas revulucionit rrënjësor, turqit përfundimisht do ta lëshojnë një koncept të këtillë të shtetit.
Në këtë mënyrë dekada e fundit e shekullit të gjashtëmbëdhjetë shënon pjesën kryesore që e përgjysmon Perandorinë Osmane. Në këtë libër është përshkruar periudha e parë dhe, para kësaj, është theksuar se si osmanlinjtë, institucionet e shteteve të Lindjes së Afërt i kanë përshtatur për vete dhe se si ata filluan të dezintegrohen para syve të Evropës moderne.


Kreu I
RRËNJËT E SHTETIT OSMAN

Në fillim të shekullit të katërmbëdhjetë, vlimet e vrullshme përbrenda tronditën mbretëritë e mëdha që shtriheshin ndërmjet Oksusit dhe Danubit - Mbretërinë ilhanidase në Iran, hordhinë e artë në Evropën Lindore dhe Mbretërinë bizantine në Ballkan dhe në Anadoll. Në fund të të njëjtit shekull, pasardhësit e Osmanit-të një gaziu kufitar dhe të themeluesit të dinastisë osmane-do të formojnë perandorinë që shtrihej prej Danubi deri në Eufrat. Këtë e formoi Sulltan Bajaziti I (1389-1402), i njohur me ofiqin “Yëldërëm”, Rrufe. Ai ke Nikopoja në vitin 1396 i shpartalloi kryqtarët, ushtrinë kalorsiake më krenare të Evropës, i bëri ballë sulltanatit të memalikëve, që ishte në atë kohë shteti më i fuqishëm islam, dhe i përvetësoi qytetet e këtij sulltanati në Eufrat. Dhe në fund e thirri të dalë në fushë të mejdanit Timurlengun e Madh, sundimtarin e ri të Azisë së Mesme dhe të Iranit.
Periudha e parë e historisë osmane e imponon pyetjen: si u zhvillua principata e vogël kufitare e Osman Gazisë, me idenë e luftës së shenjtë kundër Bizantit të krishterë, në një perandori aq të fuqishme dhe me shtrirje aq të madhe? Një teori mbron mendimin se popullata greke e Luginës Marmara kur e pranoi Islamin dhe u bashkua me muslimanët nën shtetin islam u ringjall Mbretëria Bizantine. Shkencëtarët bashkëkohor që njihen me burimet historike lindore konsiderojnë se kjo teori bazohet në hipotezë të pabazë. Ata thonë se rrënjët e Perandorisë Osmane duhet të kërkohen në rrjedhat politike, kulturore dhe demografike të Anadollit të shekullit të trembëdhjetë dhe të katërmbëdhjetë.1
Etapën e parë të këtyre ndodhive e karakterizon ekspedita pushtuese mongole në Lindjen e Afërt islame gjatë dekadës së tretë të shekullit të trembëdhjetë. Pas fitores së mongolëve në betejën te Kosedaga më 1243, Sulltanati i selxhukëve në Anadoll u bë shtet vasal i ilhanidëve iranianë. Pasojë e drejtëpërdrejtë e invazioneve mongole qenë shpërnguljet e turkmenëve, fiseve të fuqishme nomade turke, në drejtim të perëndimit. Ata, me prejardhje nga Azia Qendrore, më parë u vendosën në Iran dhe në Anadollin Lindor, e pastaj vazhduan dyndjet e tyre në perëndim, duke u vendosur përgjatë kufirit të Bizantit dhe Sulltanatit Selxhuk në viset malore të Anadollit Perëndimor. Në vitin 1271 në këtë vend filloi kryengritja kundër idhujtarëve mongolë. Forcat e muslimanëve memalikë atëherë depërtuan në Anadoll që t’u ndihmojnë kryengritësve, mirëpo mongolët mizorisht e shtypën kryengritjen. Pas kësaj ngjarjeje, ata duke mbajtur njësitet e tyre të përhershme ushtarake në Anadoll ende më fortë ia vunë zgjedhën vendit. Përsëri gjatë gjysmës së dytë të këtij shekulli shpesh fillonin kryengritje që përcilleshin me hakmarrje të mongolëve. Kështu që provinca kufitare u shndërrua në vendstrehim të forcave dhe të personave politikë që iknin nga sundimi mongol, e aty edhe shumë fshatarë e qytetarë të ngratë kërkonin jetë të re dhe ardhmëri. E gjithë kjo ndihmoi shtimin e popullatës në këto provinca kufitare. Duke shfrytëzuar rastin që të vendosen në fushat e pasura përtej kufirit në anën bizantine, këto banorë të shqetësuar - nomadë e nxitnin popullin në gaza, luftë të shenjtë kundër bizantit. Luftëtarët tuboheshin rreth udhëheqësve të gazës me prejardhje të ndryshme, kështu që invadimet e tyre në territorin bizantin ishin gjithë e më të shpeshta.
Ndërmjet vitit 1260 dhe 1320, udhëheqësit e gazive, organizatorët e turkmenëve luftëtarë, themeluan principata të pavarura në Anadollin Perëndimor-në tokat që i çlironin nga Bizanti. Historiani bashkëkohor bizantin, Pahimer shënon se paleologët të cilët në vitin 1261 e ripushtojnë Stambollin, kanë qenë aq shumë të zënë me ngjarjet e Ballkanit sa që i kanë lënë pas dore kufijtë e tyre aziatik dhe kështu turkmenëve ua kanë lënë hapur rrugën për invadime. Në dekadën e fundit të shekullit trembëdhjetë, dëpërtimet e gazive turkmenë në Anadollin Perëndimor gati u rritën në invazion të vërtetë. Prej të gjithë bejlerëve, Osman Gazi e mbante nën sundim territorin më të shtrirë nga veriu dhe më afër Bizantit dhe Ballkanit. Sipas shkrimit të Pahimerit, Gaziu rreth vitit 1301, filloi rrethimin e Nikesë, kryeqytitit të Bizantit të dikurshëm. Mbreti kundër tij dërgoi ushtri mercenare prej dy mijë ushtarësh, të cilën Osmani e priti në pusi dhe e mundi te Bafeona në verë të vitit 1301. Kjo fitore ndaj ushtrisë bizantine e bëri me famë. Burimet osmane si dhe ato bashkëkohore bizantine njohtojnë se gazitë e të gjitha krahinave të Anadollit u tubuan nën flamurin e tij. Ashtu sikur edhe nëpër principatat tjera kufitare, ata e morën emrin e udhëheqësit të tyre dhe u bënë të njohur me emrin Osmanlinj. Modeli i pushtimeve të lehta dhe vendbanimi tërheqnin përherë valë të reja të ardhacakëve me prejardhje të ndryshme nga Anadolli Qendror. Mirëpo, tanimë pas kësaj fitoreje të vitit 1301, pricipata osmane, vërtetë do të forcohet.
Gaza, lufta e shenjtë, ka qenë si një ideal, faktor me rëndësi në themelimin dhe zhvillimin e shtetit osman. Shoqëria e atyre principatave kufitare i përshtatej një modeli të veçantë kulturor dhe ishte e përshkruar me idealin e luftës së shenjtë të përhershme për të përhapur Darulislamin, mbretëri islame, deri kur të përfshihej e tërë bota. Gaza nënkuptonte detyrë fetare dhe ajo besimtarët e vet i frymëzonte për çfarëdo nisme të mbarë dhe sakrificë. Në atë shoqëri kufitare të gjitha veçoritë sociale ishin konform me idealin e gazës. Qytetërimi i zhvilluar pas saj, që e karakterizonin ortodoksizmi fetar, teologjia skolastike, letërsia oborrtare e shkruar në një gjuhë artificiale dhe e drejta e Sheriatit, në këto toka kufitare ia lëshoi vendin kulturës popullore me tipare të rendeve heretike fetare, misticizmit, letërsisë epike dhe të drejtës zakonore. Në principatat e Anadollit gjuha turke, për herë të parë atëherë u bë gjuhë administrative dhe letrare. Kjo shoqëri kufitare ka qenë njësoj tolerante dhe e përbërë. Toka e përbashkët kulturore i vë trupat kufitare bizantine, akritai, në kontakt të drejtëpërdrejtë me gazitë muslimanë. Mihal Gazi, eprori kufitar grek i cili kaloi në Islam dhe bashkëpunoi me luftëtarët osmanlinj, është shembull i njohur i një procesi të tillë të pranimit të Islamit.
Qëllimi i luftës së shenjtë nuk ishte që të zhdukë botën e pabesimtarëve, Darulharb, por që ta nënshtrojë. Osmanlinjtë e themeluan perandorinë e tyre duke bashkuar Anadollin islam dhe Ballkanin e krishterë nën qeverisjen e tyre, edhe pse lufta e shenjtë e përhershme ishte parim kryesor i kësaj mbretërie, ajo në të njejtën kohë merrte përsipër të mbrojë kishat ortodokse dhe miliona të krishterë ortodoksë. Islami të krishterëve dhe hebrenjëve iu garantonte jetën dhe pasurinë me kusht që të jenë të nënshtruar dhe të paguajnë tatim. U lejonte që të predikojnë bindjet e tyre fetare dhe të jetojnë të lirë në harmoni me ligjet e veta fetare. Osmanlinjtë, pasiqë shoqëria e tyre ishte e llojit kufitar dhe lirisht përziheshin me të krishterët, këto parime islame i zbatonin me durueshmërinë dhe zemërgjërsinë më të madhe. Ata në vitet e para të perandorisë së tyre, udhëhoqën aso politike parimore që para se ti roknin armët, mundoheshin t’i nënshtrojnë vullnetarisht të krishterët dhe të fitojnë besimin e tyre.
Administrata mbrojtëse e shtetit islam, me ligjet e tilla fetare që garantonin durueshmëri, me sukses i realizoi depërtimet e tmerrshme të gazive të vet. Megjithkëtë, qëndrimi dashamirës ndaj fshatarësisë si burim i të ardhurave ishte politika tradicionale e këtij shteti të Lindjes së Afërt, politika që cytte tolerancë. Tatimi i quajtur haraç përbënte pjesën më të madhe të të ardhurave të shtetit Osman, siç paraqitte pjesën më me rëndësi të të ardhurave në ish-halifatin arab.
Perandoria Osmane për shkak të gjithë kësaj ishte e paracaktuar të bëhej “Perandori e vërtetë kufitare” - shtet kosmopolit në të cilin të gjitha konfesionet dhe racat do të konsiderohen si pjesë të një tërësie dhe e cila do t’i bashkojë të krishterët ortodoksë të Ballkanit dhe muslimanët e Anadollit në një shtet.
Principatat e gazive në Anadollin Perëndimor shpejt i pranuan traditat dhe institucionet e Sulltanatit të selxhukëve. Qytetet siç ishin Kastamonia, Karahisari ose Denizli, që u ndërtuan në krahinat e vjetra kufitare të selxhukëve, u bënë qendra të qytetërimit selxhuk. Prej këtyre vendeve si dhe prej qyteteve të Anadollit Qendror, funkcionarët dhe dijetarët traditat e shtetit dhe qytetërimit islam i bartnin në Milas, Balat, Birgi, Smirnë, Manisë dhe Brusë, të cilët u bënë qendra të principatave të gazive të themeluara në territorin e mëparshëm bizantin. Secila principatë prej këtyre u shndërrua në sulltanat të vogël. Për shembull i biri i Osmanit, Orhani do të farkojë të hollat e para prej argjendi në Brusë, në vitin 1327 dhe do të vë themelet e Medresesë në Nike më1331; më 1340 do të ndërtojë qendrën tregtare në Brusë duke ndërtuar bazar dhe bezistan, tregun e mbuluar ku shiteshin mallëra të shtrenjtë. Ibni Betuta2, udhë përshkruesi arab, qëndroi në Brusë rreth vitit 1333 dhe e përshkruajti si “qytet të madh me bazare të bukura dhe rrugë të gjera”.
Kjo do të ishte brendia e përgjithshme shoqërore dhe kulturore në kohën e themelimit të principatave tjera kufitare si dhe të asaj osmane. Lufta e shenjtë dhe çlirimi i territoreve paraqitnin faktorë dinamik në zgjerimin e osmanlinjëve; format administrative dhe kulturore që zbatoheshin në territoret e çliruara delnin nga traditat e politikës dhe qytetërimit të Lindjes së Afërt.


Kreu II
NGA PRINCIPATA KUFITARE
NË PERANDORI
1354–1402

Në vitet e pesëdhjeta të shekullit katërmbëdhjetë, shteti osman ishte vetëm një nga shumë principatat kufitare, por ngjarjet që ndodhën pas vitit 1352 e përforcuan fortë superioritetin e saj, andaj për tre dekada të gjitha principatat e tjera u bënë vasalë të osmanlinjve. Ngjarja vendimtare u luajt kur Osmanlinjtë fituan pikëmbështetjen në Ballkan me gjasë të ekspanzionit të pakufishëm kah Perëndimi. Kalimi i parë përtej kanalit prej Anadolli në Evropë qe hap i rëndë për shkak se Dardanelet ishin në duar të të krishterëve. Fuqitë të cilat Osmanlinjtë i zbarkonin në Thraki s’mund të qëndronin. Bizantinët për çdo herë , pa marrë parasysh numrin e tyre, i zhduknin. Principata e Karesisë në bregun Lindor të Dardaneleve e zgjidhi këtë problem në favor të Osmanlinjëve.
Një sërë ndodhish u sollën fitore Osmanlinjëve. Lufta për fron në Karesi në vitin 1345 i mundësoi Orhanit ta aneksojë këtë principatë. Aradhat e Karesisë që i shërbenin ushtrisë osmane ndihmuan që të bëhet marshimi përtej Dardaneleve, nën komandën e të birit të Orhanit, Sulejmanit, komandant i kufirit perëndimor, ata u përgatitën për këtë ekspeditë. Të gjitha rrethanat u shkuan për dore. Në vitin 1346 ai lidhi aleancë me Jovanin V Kantakuzenin, i cili pretendonte të vijë në fronin bizantin, dhe u martua me vajzën e Jovanit, Teodorën. Kjo u dha rast osmanlinjëve që të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Bizantit dhe të marrin pjesë në luftën në Thraki. Kur, Sulejmani, në vitin, 1352, shkoi në Edrene që t’i ndihmojë Kantakuzenit kundër njësiteve serbe dhe bullgare, ai e mori qytetin Cimp në bregun evropian të ngushticës së Galipolit. Ai jo vetëm që i refuzoi kërkesat e Kantakuzenit që ta evakuojë kështjellën, por u ndal që ta forcojë këtë trampolinë me trupa të reja nga Anadolli dhe në të njejtën kohë të rrethojë kështjellën e Galipolit. Tërmeti, natën ndërmjet 1 dhe 2 marsit të vitit 1354 i rrënoi muret e Galipolit dhe të kështjellave tjera në atë regjion dhe Sulejmani menjëherë i mori këto baza. Ai, me atë që i renovoi kështjellat dhe në ta vendosi garnizonet e trupave anadollake, u përforcua në trollin evropian. Kjo ngjarje shkaktoi brengë të madhe në Bizant dhe në botën perëndimore të krishterë. Baili venedikas në Stamboll, në gusht të vitit 1354 shkruan se Stambolli ballafaqohet me këtë rrezik, andaj është i gatshëm të vihet nën mbrojtjen e ndonjë shteti të fuqishëm të krishterë. Në Evropë filluan të bëhen plane për të nisë luftërat kryqtare, jo vetëm për ta kthyer Jerusalemin, por që të shpëtojnë Stambollin prej osmanlinjëve; me entuziazëm përtëritës sërish u mor në shqyrtim projekti për bashkimin e kishës latine dhe asaj greke.
Gregori Palama, kryepeshkop i Selanikut, të cilin osmanlinjtë e morën në vitin 1354, pas Galipolit, transmetoi fjalët e robëruesve të vet: Përparimi i shpejtë i Islamit prej Lindjes në Perëndim është argument i qartë se Zoti atyre u ndihmon dhe se Islami është fe e vërtetë.1
Sulejmani, që të forcojë trampolinën e vet në Evropë filloi të bëjë shpërnguljet e popullatës islame prej Anadolli në Evropë, e sidomos të nomadëve të prirur të adaptohen shpejtë. U themeluan fshatra të reja turke ndërsa viset nën udhëheqjen supreme të Sulejmanit u organizuan në krahun e djathtë, në të majtin dhe në të midisit, kurse çdonjëri prej tyre i ishte besuar drejtimit të një zëvendës gaziut. Marshimet vazhdonin, ndërsa territori i osmanlinjëve zgjerohej. Mirëpo, vdekja e papritur dhe tragjike e Sulejmanit, si dhe fakti se Fokejanët e zunë rob djalin më të ri të Orhanit, Halilin, e detyruan Orhanin të lidhë paqe me Bizantin. Rrethanat i trimëruan bizantinët, andaj në mënyrë diplomatike u munduan ta kthejnë Thrakinë. Kështu territoret që ishin nën pushtetin e Sulejmanit erdhën në pyetje kurse forcat kufitare të osmanlinjëve filluan të shqetësohen. Kur u lirua Halili në vitin 1359, gazitë e kuptuan se vonimi i aksionit mund të shkaktojë humbje dhe të jetë kusht për evakuimin e tyre nga Evropa. I biri i sulltanit, Murati, komandant i krahut galipolian, dhe edukatori i tij Lala Shahin, përkrahës i luftës, e filluan ofanzivën me të vetmin qëllim që ta marrin Edrenenë. Vitin e parë morën kështjellat përgjatë luginës së Maricës së bashku me kështjellat në rrugën kryesore prej Stambolli në Edrene, në këtë mënyrë duke i ndërprerë linitë e furnizimit të qytetit. Në verë të vitit 1361 dështoi edhe përpjekja e fundit e fuqive mbrojtëse, dhe Edreneja, kryeqyteti i Thrakisë u dorëzua në po të njejtin vit.
Në territoret e posaçliruara të Thrakisë veproi njësoj si në Anadoll. Popullata greke e vendit e ekspozuar vërshimeve të pandërprera të gazive, strehohej nëpër kështjella. Qytetarët të cilët vullnetarisht nënshtroheshin, ndaj tyre nuk ndërmerreshin masa, por ata që kundërshtonin, i detyronin që t’ua lëshojnë qytetet e tyre. Qeveria osmane i motivonte turqit e Anadollit, e herë herë i detyronte që të vinë e të vendosen në vendet e tyre të posçliruara. Dervishët, po ashtu themeluan shumë zavije-strehimore, të cilat më vonë do të bëhen bërthama të fshatrave të reja osmane. Menjëherë pas marjes së Thrakisë, filloi vendosja e turqve në ato vende, me çka u krijua bazë e fortë për ekspanzionin e ardhshëm të osmanlinjëve në Evropë.
Përhapjen e osmanlinjëve në Ballkan e përcaktuan kushtet gjeografike. Turqit duke udhëtuar rrugës së njohur Via Egnatia në drejtim të perëndimit, përmes Serës, Manastirit dhe Ohrit, arritën në bregdetin shqiptar. Mëkëmbësit e vendit në Maqedoni dhe në Shqipëri e pranuan mbrojtjen e osmanlinjëve. Vija tjetër e depërtimit të tyre shtrihej drejt Thesalisë, kështu që Selaniku u dorëzua në vitin 1387; vija e tretë vazhdoi rrugën kryesore Stamboll-Beograd dhe në vitin 1365, lugina e Maricës me pak qëndresë ra nën pushtetin osman.2 Më 1395, turqit, duke depërtuar nëpër malet Ballkanike, përmes Sofjes dhe Nishit vërshuan luginën e Moravës, kurse vitin e ardhshëm e bënë Serbinë vasale. Gazitë në krahun e majtë u nisën luginës së Tunxhesë dhe nëpër ngushticën e Karnobatit kaluan qafë malet e Ballkanit. Në vitin 1372, despoti i Dobruxhes dhe mbreti i Bullgarisë u bënë vasalë të osmanlinjëve. Turqit në atë kohë i kishin marrë rrugët kryesore të Siujdhesës Ballkanike dhe vepruan ashtu siç vepruan pas marrjes së Galipolit, sollën nomadë nga Anadolli, para së gjithash, grupe të mëdha jurukë, dhe i vendosën përgjatë rrugëve të njohura të komunikimit dhe nëpër regjionet e viseve malore. Qendrat qytetare të osmanlinjëve në Ballkan, për herë të parë kanë qenë vendbanime kufitare përgjatë rrugëve me rëndësi të depërtimeve turke. Vendet e banuara me popullsi të dendur u themeluan në pjesët kufitare të Thrakisë dhe në luginat e Maricës dhe të Tunxhesë. Mëkëmbësit lokalë në vendet që kufizoheshin me territoret osmane në Ballkan e pranuan sovranitetin e sulltanit osman i cili tashmë njihej si sundues i kësaj siujdhese.
Nuk është vështirë të shpejgohet se pse turqit kaq lehtë e morën Ballkanin. Invazionit osman i shkonin për shtati copëzimet politike, kështu që shumë mbretër të pavarur, despotë dhe mëkëmbës të principatave të vogla ballkanike pa ngurim kërkonin ndihmë nga jashtë që t’i zgjidhnin përçarjet e tyre të brendshme. Osmanlinjtë për dallim nga rrëmuja që zotëronte Ballkanin, udhëhiqnin politikë të përpiktë dhe vetëm ata dispononin me forcat ushtarake dhe me pushtetin qendror që ishin të domosdoshëm për të realizuar një politikë të tillë. Ata kishin edhe një përparësi tjetër të madhe: ajo ishte korparmata e jeniçerëve, efektivi i parë ushtarak në Evropë. Sulltani këtë korparmatë e formoi prej robërve të luftës pasi e mori Edrenenë dhe ajo gjendej nën komandën e tij të drejtpërdrejtë. Në të njëjtën kohë, në secilin shtet ballkanik ekzistonte nga një fraksion i gatshëm që të lidhet me Hungarinë apo me të krishterë tjerë latinë, si dhe fraksioni tjetër i gatshëm të bashkëpunojë me osmanlinjtë. Thënë shkurt, aristokracia, shtresa e lartë klerikale, njerëzit e penës, dhe oborrtarët ishin kthyer nga bota perëndimore e krishterë që prej saj të kërkojnë ndihmë. Popullata ortodokse greke me fanatizëm e kundërshtonte dominimin e italianëve dhe çdo ndikim të katolicizmit, ndërsa osmanlinjtë, të cilët i ndihmonin luftës së tyre, së shpejti filluan që të krishterët ortodoks t’i konsiderojnë vasalë të vetët. Osmanlinjtë ndërmjet viteve 1346 dhe 1352 depërtuan në Thraki si aleatë të J. Kantakuzenit; pastaj gjatë periudhës prej 1356 deri më 1366, kur bizantinët, hungarëzët dhe rumunët i bënë shtypje të fortë mbretit të Bullgarisë, ata si aleatë të tij i dërguan përforcim.
Osmanlinjtë i respektonin parimet feudale. Në fillim prej princërve të vet vasalë kërkonin shumë pak tatim vjetor, në shenjë nënshtrimi ndaj shtetit islam. Më vonë kërkonin që princi vasal, të dërgojë të birin e vet si peng, e ai të vijë një herë në vit te Porta e lartë dhe të betohet për besnikëri, të dërgojë trupa ndihmëse në marshimet luftarake të Sulltanit. Prej princërve vasalë, gjithashtu kërkohej që miqtë dhe armiqtë e sulltanit t’i konsiderojnë miqë, në realitet armiqë të vetët. Nëse vasali i tradhëton këto detyra, trolli i tij shpallet darulharb dhe në këtë mënyrë u lehet gazive që të ndërmarrin masat e duhura.
Pasi papa nuk arriti që në emër të bashkimit të kishës ortodokse dhe asaj romake të organizojë luftën kryqtare që t’i ndihmojë Bizantit, dhe pas dështimit të plotë të personaliteteve serbe në Çernomen, në vitin 1371, sundimtarët e Ballkanit e pranuan një nga një mbrojtjen osmane. Mbreti bizantin, pas kësaj fitoreje të turqve u bë vasal i tyre i vërtetë, përderisa anëtarët e dinastisë së paleologëve kërkuan ndihmën e sulltanit që të ruajnë fronin bizantin. Sundimtarët e tjerë ballkanas vazhduan shembullin e Bizantit.
Gjatë tërë asaj periudhe të hershme, osmanlinjve asnjë shtet i fuqishëm nuk iu kundërvu, qoftë në Ballkan apo në Anadoll, as që ata u ndeshën me ndonjë ushtri kryqtare evropiane, edhe përkundër faktit se papa me dekretin e tij të 25 dhjetorit 1366 shpalli luftën kryqtare kundër osmanlinjve. Forcat e mëdha marinare ose ato tokësore kryqtare kanë mundur me sukses të ndalin hovin e osmanlinjve. Kundërshtar më i fortë i tyre në atë kohë ishte Mbretëria Hungareze e cila mundohej të shfrytëzojë përparimin e osmanlinjve në Ballkan që të zgjërojë mbretërinë e vet në pellgun e poshtëm danubian. Shteti osman e ka pasur shumë pak të zhvilluar marinën luftarake. Shtetet e krishtera i kontrollonin Dardanelet, kanalin ndërmjet Rumelisë dhe Anadollit. Amadeo VI Savojsi, në vitin 1366 e pushtoi Galipolin, e menjëherë vitin e ardhshëm ua ktheu bizantinëve, duke i vënë në këtë mënyrë osmanlinjtë në një pozitë të rrezikshme. Forcat osmane në Rumeli mbetën të ndara prej atyre në Anadoll, derisa Androniku IV, në tetor të vitit 1376, nuk u pajtua që kështjellën e Galipolit t’ia kthejë Muratit I i cili ia garantoi fronin bizantin.
Ekspansionit Osman në Ballkan i shkonin përdore njësoj si rrethanat politike po ashtu edhe ato shoqërore.3 Hulumtimet e paradokohshme tregojnë së rënia e pushtetit qendror në Bizant dhe në shtetet e tjera ballkanike ka vazhduar krahas zhvillimit të feudalizmit. Manastiret dhe personalitetet autoritative nëpër provinca e merrnin në pronësi tokën e ashtuquajtur proni, e cila më parë ishte nën mbikqyrjen e shtetit. Të ardhurat prej taksave të këtyre pasurive shërbenin për t’i plotësuar shpenzimet ushtarake. Ata duke marrë koncesione financiare dhe ligjore prej shtetit, prodhimet e fushës i shndërronin në prona me të drejtë të përjetshme shfrytëzimi, në këtë mënyrë mundnin t’i rritin taksat dhe tatimet feudale që i nxirrnin prej fshatarëve.4
Këto prona të regjioneve në administrimin e drejtëpërdrejtë osman, përsëri u gjetën nën mbikëqyrjen shtetërore dhe u shndërruan në timare, ose si dhurata për merita ushtarake iu ndanë bujqve turq të cilët shërbyen në ushtri si këmbësorë. U hoqën tatimet e vendit që nuk ishin të caktuara me urdhërin kryesor të Kanunit Osmani, Ligjit osman. Vetëm sulltani me dekretin e vet ka mundur të caktojë, ndonjë të ardhur ose ndonjë privilegj. Çdo hollësi më parë duhej të vërtetohet me urdhër, zbatimi i së cilës i është besuar kadisë, që ka vepruar pavarësisht nga pushteti lokal. Regjimi osman, duke i dhënë orientimet e përgjithshme, në vend që t’ua lëshojë sizerenëve (në kuptim të të drejtës diskrecioniste) të caktojnë tatimet dhe privilegjet, ka vënë administratën e centarlizuar në vend të decentralizmit feudal.5 Regjimi i ri për fshatarësinë nënkuptonte hap përpara në krahasim me të vjetrin. Që të kuptohet superioriteti i administratës osmane në krahasim me administratat lokale ballkanike, vlen thjeshtë të krahasohen ligjet osmane me ligjet e mbretit serb, Stefan Dushanit. Për shembull: ligji i Dushanit urdhëron që fshatari të punojë për zotëriun e vet dy ditë në javë, kurse dispozitat osmane përcaktojnë që raja të punojë vetëm tre ditë në vit në pronën e spahiut. Parimi themelor i administratës osmane ishte që të mbrojë fshatarësinë nga eksploatimi i pushtetit lokal. Megjithatë, osmanlinjtë zyrtarisht e pranuan kishën ortodokse, e në parim e shtypnin atë katolike në tërë tokat e perandorisë së vet. Të gjithë këto faktorë janë me rëndësi për të shpjeguar përhapjen e lehtë dhe të shpejtë të turqve në Ballkan dhe arsyen me të cilën arsyetohej fshatarësia që të mos u bashkangjitej zotërinjve të vet për t’u bërë qëndresë osmanlinjëve.
Mirëpo, osmanlinjtë nuk e konsideronin veten bartës të çfarëdo parimi të veçantë shoqëror qoftë. E dinin se duke udhëhequr politikë paqesore ndaj të krishterëve mund t’i zgjerojnë lehtë territoret e tyre dhe t’i shtojnë burimet e të ardhurave të tyre. Po ashtu, marrëdhënia tolerante ndaj aristokracisë së vendit dhe klasës ushtarake ishte pjesë përbërëse e doktrinës së tyre ekspanzioniste. Osmanlinjtë, nëse veçohen ata të cilët e kundërshtuan haptazi, merrnin pjesëtarë të klasës ushtarake në shërbimin e tyre, prandaj në Bullgari, Serbi, Shqipëri, Maqedoni dhe Thesali ua vërtetonin statusin mijëra luftëtarëve të njohur sipas emrit sllav, vojnik. Ata fitonin të drejtën që të shfrytëzojnë frytet e tokës shtetërore të një madhësie të caktuar, liroheshin nga pagesa e tatimit dhe shërbenin si luftëtarë në ushtrinë osmane. Vllehët, nomadët e krishterë në Serbi, shkarkoheshin prej disa taksave si kundërvlerë që luftuan si roje kufitare dhe si kaçakë. Osmanlinjtë ua ndanin timaret shfrytëzuesve të dikurshëm të pronisë të cilët, sikur kalorësit, i takonin klasës më të lartë shoqërore, por në të njëjtën kohë ua merrnin privilegjet e tyre feudale. Shumë ushtarë, të cilët i tubonin turqit në shtetet vasale, shërbenin në ushtrinë osmane nën komandën e princërve të vet ose zotërinjve të betuar e që nuk e kishin patjetër të pranojnë Islamin. Ndërkohë, Islami fitonte gjithë e më shumë ithtarë të ri, por kah fundi i shekullit pesëmbëdhjetë ende kishte pronarë timaresh, familjet e të cilëve deri më tre ose katër gjenerata e ruajtën besimin e krishterë. Osmanizimi i disa regjioneve të nënshtruara nuk nënkuptonte transformim të shpejtë dhe radikal, por zhvillim gradual.6
Osmanlinjtë para se të fillonin marshimet e tyre luftarake në Ballkan, në gjysmën e shekullit katërmbëdhjetë, tashmë kishin themeluar shtetin e fuqishëm në Anadoll, që shtrihej prej Ankare deri në Dardanele. Në Ballkan, pas shkatërrimit të mbretërisë serbe të Dushanit dhe mbretërisë bullgare, nuk kishte më shtet tjetër që mund të krahasohej me fuqinë dhe madhësinë e Perandorisë Osmane. Paralelisht me depërtimet osmane në Evropë, zgjeroheshin territoret e tyre në Azi: përparimi i tyre në njërin front përcillej me përparimin e tyre në frontin tjetër. Osmanlinjtë, gjatë historisë së tyre, me qëllim i shmangeshin luftës në të njëjtën kohë të luftojnë në dy fronte. Megjithatë në periudhën e më hershme, kur ende nuk kontrollonin Dardanelet, qëndronin mes jetës dhe vdekjes.
Në gjysmën e dytë të shkekullit katërmbëdhjetë, u paraqitën dy superfuqi si rivalë të osmanlinjëve në Anadoll: principata Eretna me kryeqytetin në Sivas, vendbanim i mëparshëm i qeverisë mongole, dhe principata Karamania, të cilës në atë kohë i takonte edhe Konja, kryeqytet i vjetër i selxhukëve. Në vitin 1354, osmanlinjtë Eretnës ia morën Ankarën, por ende duhej të kishin kujdes për aleancën ndërmjet Eretnës dhe Karamanisë. Në vitin 1362 do ta humbin Ankarën dhe sërish do ta kthejnë.
Gjatë sundimit të Muratit I (1362-1389), mundësia për të fituar pozitë me rastin e zgjerimit të shtetit osman u jepte shembuj joshës gazive dhe ardhacakëve nga Anadolli. Burimet bashkëkohore të Lindjes së Afërt shënojnë se ky sulltan ka qenë sundimtar i të gjitha principatave kufitare, për këtë arsye, pa shumë vështërsi, osmanlinjtë arritën t’i aneksojnë pjesët e rëndësishme të principatës Germijanë me kryeqytetin Kutahi, si dhe Hamidilinë andej nga jugu. Ata, prapëseprapë, me këmbëngulje mundoheshin t’i legalizojnë aktet e tyre agresive, duke pohuar se territoret e Germijanës i kanë marrë si pjesë të mirazit që i takonin Sulltan Bajazitit, kurse tokat në Hamidili i kanë blerë. Aneksimi i Hamidilisë e rrezikoi seriozisht kryeqytetin e Karamanisë. Kur forcat karamane u nisën kundër osmanlinjve, këta hapin e tyre e quajtën tradhëti të luftës së shenjtë që bëhej, duke thënë se ofensiva e tillë u ndihmon armiqve të fesë, andaj sipas Sheriatit, detyrë e tyre e shenjtë ishte që ta nënshtrojnë dinastinë karamanide. Osmanlinjtë shpeshherë udhëhiqnin një politikë të këtillë kur i sulmonin fqinjët e tyre muslimanë në Lindje. Më vonë do të shërbehen me të njejtën akuzë kundër memalikëve egjiptianë, kundër Uzun Hasanit dhe safafidëve iranianë, me fetva i shpallën luftë të tërë botës islame.
Murati I në vitin 1387 e priti sulmin karamanid me trupat ku merrnin pjesë edhe vasalët e tyre të krishterë në Ballkan-mbreti bizantin, despoti serb dhe princërit tjerë serbë dhe në këtë rast e theu vendosmërisht rivalin e tij musliman, ushtrinë e të cilit më tepër e përbënin aristokratët. Pas kësaj fitoreje, mbretërit e pavarur në Anadoll – karamanidët, xhandaridët në Kastamoni, si dhe dega e dinastisë hamidiane në Antali – e pranuan sulltanin osman për mbrojtës të tyre. Vetëm Kadi Burhanedini, i cili e ndërroi dinastinë Eretne në Sivas e kundërshtonte sulltanin osman, duke penguar përhapjen e osmanlinjëve në Amasi, qytetin më me rëndësi në rrugën tregtare me mëndafsh.
Përderisa Murati I merrej me problemet e Anadollit, Serbia, Bullgaria dhe Bosnja u bashkuan kundër tij në Ballkan, dhe serbët në vitin 1388 i dhanë një grusht të rëndë ushtrisë turke te Ploçniku, por në të njejtin vit osmanlinjtë me një operacion të shpejtë ushtarak e nënshtruan Bullgarinë Vidine. Vitin e ardhshëm Murati I kaloi përtej detit në Evropë me forcat ndihmëse që ia dërguan princërit e tij vasalë dhe më 15 qershor të vitit 1389 theu ushtrinë e bashkuar të Sërbisë dhe të Bosnjës në betejën e përgjakur të Fushë Kosovës. Me këtë fitore osmanlinjtë e përforcuan fortë sundimin e tyre në Ballkan.
Dhe kështu, rreth vitit 1389, osmanlinjtë ia vunë themelet perandorisë së tyre të përbërë prej principatave vasale në Ballkan dhe në Anadoll. Megjithatë, të themi se këto shtete do të shfrytëzojnë çdo rast që të çohen në kryengritje kundër qeverisë osmane, andaj më në fund osmanlinjtë u detyruan që t’i përmbysin dinastitë e tyre dhe çdo principatë të tillë ta shndërrojnë në provincë, të cilat drejtpërdrejtë i drejtonin ata.
Kur u hap lajmi se një serb e ka mbyt Muratin I, në betejën e Kosovës, dinastitë anadollake u çuan në kryengritje. Sulltani i ri, Bajaziti (1389-1402), ndërmjet viteve 1389-1392 ia bashkangjiti perandorisë së vet shumë principata anadollake, ku nëpër pozita të zyrtarëve të lartë vëndonte robër që i edukonte në oborrin e vet.
Derisa Bajaziti i kushtonte kujdes Anadollit, ndikimi osman në Ballkan gjithnjë e më tepër binte. Aspiratat e Hungarisë dhe të Vllahisë ndaj Bullgarisë Vidine në Dobruxhe mbretërinë e sakatosur bullgare e sollën në një pozitë të vështirë. Mirçej princi vlleh, që e mbrojshin hungarezët, e mori Dobruxhën dhe Silistrën në bregun e djathtë të rrjedhës së poshtme të Danubit, ndërsa hungarezët u munduan të përforcohen në Vidinë. Mbrojtja të cilën turqit ua jepnin bullgarëve nuk nënkuptonte patjetër dëshminë se do të shmangë rrezikun. Sulltani osman me të ardhur në Ballkan më 1393, Bullgarinë Vidine e vendoi nën qeverinë e drejtëpërdrejtë osmane, mbretin bullgar e shpalli princ vasal në Nikopojë dhe e përzuri Mirçen prej Dobruxhe dhe Silistre. Despotia serbe, madje duke luajtur rolin e tampon shtetit ndërmjet hungarezëve dhe osmanlinjve, gjendej njësoj në pozitë të vështirë, por nuk e gjeti i njejti fat. Despoti serb iu përkul sulltanit. Mbytja e Muratit I i trimëroi Morenë dhe Paleologët në Bizant. Ata u munduan që të përfitojnë Papën, duke premtuar bashkimin e të dy kishave që të organizojë luftën kryqtare. Ndikimi i Venedikut në More arriti pikën më të lartë.
Bajaziti I, i ballafaquar me një situatë të këtillë i thirri princërit vasalë në Ballkan duke përfshirë edhe Paleologët që të vijnë të betohen në (vitin 1394), që edhe një herë të vërtetojnë qëndrimin e tyre vasal ndaj tij. Pas ikjes së paleologëve, ai e bllokoi Stambollin, e mori Thesalinë dhe dërgoi gazitë e vet në More. Edhe me një marshtim ushtarak, osmanlinjtë e shtynë Shqipërinë nën sundimin e tyre të drejtëpërdrejtë, duke i përzënë mëkëmbësit e vendit. Në vitin 1395, Bajaziti ndërmori edhe një operacion, bile deri në Sllankamen në Brigjet e Danubit, pastaj duke depërtuar në Vllahi e mundi Mirçen në Rovine. Bajaziti I duke depërtuar kah Nikopoja, e zuri rob mbretin bullgar, Shishmanin dhe e likuidoi, pasiqë më parë e akuzoi se ka bashkëpunuar me armikun. Duke i hequr dinastitë lokale, ai bëri disa reforma për krijimin e një perandorie me qeveri të centralizuar, në vend të mbretërisë në përbërje të së cilës hynin edhe shtetet vasale. Shteti Osman, me likuidimin e mbretërisë bullgare, mori përgjegjësinë e drejtëpërdrejtë për mbrojtjen e pellgut danubian prej Hungarisë, në vend që atë t’ia lë si një tampon- mbretërisë së dobët. Po ashtu edhe Vllahia u bë vasale. Lufta kryqtare e Nikopojës në vitin 1396 shënoi kulminacionin e luftës ndërmjet osmanlinjëve dhe hungarezëve për të sunduar pellgun e poshtëm danubian. Gjithashtu, Venediku kishte interesat e veta në luftërat për Ballkanin. Ajo në këtë luftë u mundua të shfrytëzojë flotën e vet të ndërpresë komunikimin e Anadollit me Ballkanin ke Dardanelet; për princërit perëndimorë, ky operacion nënkuptonte thjeshtë një aventurë në të cilën ushtria kryqtare pësoi humbje të mëdha.
Osmanlinjtë, me fitoren që arritën te Nikopoja, jo vetëm që vërtetuan mbisundimin e tyre në Ballkan, po bile e ngritën autoritetin e tyre në botën islame. Bajaziti, përplot me lëvdata u tkhye në Anadoll në vitin 1398 dhe e aneksoi Karamaninë, si dhe principatën e Kadi Burhanedinit, në këtë mënyrë krijoi një perandori të centarlizuar, që shtrihej prej Danubit deri në Eufrat. Me rastin e përpjekjeve që të marrë Stambollin, i cili natyrisht do të ishte qendër e perandorisë, ai e përforcoi rrethimin e këtij qyteti. Timurlengu në të njejtën kohë (1336-1405) themeloi perandorinë superiore në Azinë Qendrore, në Iran dhe veten e shpalli trashigimtar i të drejtave sovrane të ilhanidëve në Anadoll. Sulltani e provokoi Timurlengun në fushëbetejë, por në betejën ke Ankara më 28 korrik 1402 humbi rëndë dhe u zu rob. Gjatë kësaj përleshjeje, kalorësit anadollakë të vendit kaluan në anën e zotërinjve të tyre të dikurshëm, të cilët gjetën strehim në oborrin e Timurlengut. Këta ish sundimtarë, filluan në të gjitha anët, nën mbrojtjen e Timurlengut, t’i përtrijnë principatat e tyre të vjetra të pavarura. Kështu që përpjekjet e Bajazitit që të krijojë perandori qenë të pasukseshme. Pjesën tjetër të territorit osman e ndanë mes veti djemt e Bajazitit, duke pranuar sovranitetin e Timurlengut. Pas vdekjes së Timurlengut, turqit do të fillojnë luftën intenzive për të mbisunduar tërë këtë territor.7


Kreu i III
INTEREGNUMI* DHE PËRTËRIRJA

Pas humbjes ke Ankara, lehtë mundte të vijë deri te shpartallimi i shtetit osman. Mirëpo, osmanlinjtë, rreth vitit 1415 i mblodhën fuqitë që sërish t’i kthejnë pozitat e tyre të dikurshme në Rumeli dhe në Anadoll. Në vitin 1453, me marrjen e Stambollit, ata i realizuan ambicjet imperiale të Bajazitit I. Çështja qendrore historike prej 1402 deri më 1453 kërkon komentim: si arriti që Perandoria Osmane të ripërtrihet në mënyrë të mrekullueshme në kohën kur i kërcënoheshin luftërat qytetare, marshimet kryqtare dhe krizat e tjera që ta shkatërrojnë plotësisht.
Mehmed Çelebiu, djali më i ri i Bajazitit, e forcoi pushtetin e tij në Anadoll; për kryeqytet e mori Amasinë, e pastaj Brusën, duke u munduar që të zotërojë Rumelinë dhe Edrenenë. Vëllau i tij më i vjetër, Sulejman Çelebiu(1402-1411), me vendbanim në Edrene u mundua që ta zgjerojë pushtetin e tij në Anadoll. Që të dy e kuptuan se shteti osman i reduktuar në Rumeli ose në Anadoll nuk mund të ekzistojë. Disa shtete dhe sundimtarë në Ballkan dhe në Anadoll morën qëndrim negativ ndaj kësaj lufte, duke u përpjekur që të mbajnë status quo-në, të miratuar në vitin 1402. Siç u përtrinë principatat e pavarura në Anadoll në vitin 1402, njashtu në Rumeli, sundimtarët e Bizantit, Serbisë, Vllahisë dhe Shqipërisë i kthyen vendet e tyre dhe filluan të veprojnë të pavarur. Sulejman Çelebiu në vitin 1403 nënshkruajti marrëveshje me bizantinët, në bazë të së cilës ua lëshoi disa territore në brigjet e detit së bashku me Selanikun. Mbreti bizantin, që të ruajë baraspeshën, gjatë kohës së interegnumit, vazhdimisht i përmbante principatat më të dobëta osmane kundër atyre më të fortave. Kur Musa Çelebiu (1411-1413) u bë jashtëzakonisht arrogant në Rumeli, bizantinët i ndihmuan Mehmed Çelebiut që të kalojë në Ballkan. Po ashtu, despoti serb, lidhi aleancë me Mehmedin dhe i kontribuoi fitores së tij vendimtare. Megjithatë, kur Mehmedi i aneksoi disa principata anadollake, e të tjerat i bëri vasale, Bizanti dhe sundimtarët ballkanas e kuptuan se prej tij u kanoset rreziku. Në vitin 1416 Venediku, Bizanti dhe Vllahia ndërmorrën aso politike energjike sa që shteti osman, të cilin sërish e bashkoi Mehmedi, u detyrua të ballafaqohet përsëri me kërcënimin për copëzim dhe zhdukje.
Përderisa i vëllai i Mehmedit, Mustafa u vu në krye të krynegritjes kundër Mehmedit, në Rumeli më 29 maj të vitit 1416, në çka e cytën Bizanti dhe Vllahia, flota venedikase i shkatërronte forcat detare osmane ke Galipoli. Princi vlleh, Mirçeja më parë e përmbante Mustafën, e pastaj filloi ta mbrojë Shejh Bedredinin, i cili në Anadollin Përendimor në regjionin e Dobruxhes dhe Deliormanisë, në kufi të Rumelisë, u çua në kryengritje. Në të vërtetë, Mirçeja u përpoq që t’i zotërojë ato vende. Mehmed Çelebiu e detyroi Mustafën që të kërkojë strehim te bizantinët, kurse në vjeshtë të vitit 1416 e shuajti kryengritjen e Shejh Bedredinit. Duke e parë se duhet patjetër të lidh paqe me Bizantin, nënshkruajti me të kontratën sipas së cilës mbreti duhej ta mbajë Mustafën në robëri, ndërsa ai i premtoi se do ta respektojë status quo-në. Në ndërkohë në Anadoll i biri i Timurlengut, Shahruhi i kërcënohej secilit që do të merrte guxim ta ndërrojë situatën të cilën e kishte krijuar babai i tij. Mehmedi iu drejtua Shahruhit duke u arsyetuar me fjalë se është vasal lojal, duke pohuar se i sulmon principatat anadollake vetëm për arsye që të mos e pengojnë në udhëheqjen e luftës së shenjtë. Mehmedi në territorin e Ballkanit e sulmoi vetëm Mirçen, të cilin e detyroi të tërhiqet në anën tjetër të Danubit, kurse në vitin 1419, Gjurgjevën e shndërroi në pararojë të zgjatur osmane në bregun e majtë të lumit. Mehmedi, që nga viti 1416, me të kuptuar se është ende heret që të përtërihet perandoria e centarlizuar e Bajazitit, u përcaktua për një politikë paqedashëse.
Ngjarjet e kësaj periudhe tregojnë se familjet e famshme anadollake, që e mbanin tokën në formë të vakëfit, bëmirësive fetare ose të emlakut, prodhimeve të lira të fushës, si dhe fiset që formonin njësi luftarake, e kundërshtonin administratën e centarlizuar osmane. Ata i përmbanin ish-dinastitë, në luftë kundër osmanlinjve, të cilat u garantonin privilegje personale. Në të njëjtën pozitë ndodheshin edhe dinastitë lokale në Ballkan. Banorët e vendeve kufitare duke vazhduar traditat e vjetra të shteteve kufitare, e kundërshtonin centarlizimin dhe i përmbanin pretendentët në sulltanat, duke luajtur rol me rëndësi jetike në luftërat qytetare. Në shkekullin e pesëmbëdhjetë, regjioni Dobruxhe-Deliorman, regjion kufitar me popullsi më të dendur, u bë fole e kryngritjeve.
Mirëpo, kishte edhe faktorë superiorë që vepronin në favor të bashkimit osman dhe të administratës së centralizuar. Faktori më i fortë i këtillë ishte kuli, në realitet sistemi osman i robërve. Korparmata e jeniçerëve, numri i të cilëve u rrit në gjashtë deri më shtatë mijë, para së gjithash, sulltanit osman i siguronte superioritet të pamohueshëm ndaj rivalëve të tij. Osmanlinjtë nëpër provinca, formonin korparmata ushtarake të mëkëmbësve me prejardhje robërish dhe ushtri të spahinjëve me çka mjaft e forcuan pushtetin qendror, të cilin vetëm ata e prezentonin dhe i cili iu garantonte statusin personal. Gjithashtu, edhe fshatarët edhe tregtarët u gjetën në një pozitë më të volitshme nën administratën e centralizuar osmane se sa gjatë kohës së regjimit të mëparshëm feudal. Faktor i fundit ishte autoriteti i madh i sulltanit osman në vetëdijen e popullatës muslimane; ai ishte udhëheqësi më i lartë i luftës së shenjtë, kurse autoriteti i tillë në vete përmbante epërsi të rëndësishme morale dhe materiale.
Pas vdekjes se Mehmedit I, më 1421, filluan krizat që zgjatën tre vjet. Bizantinët e liruan princ Mustafën, i cili pranoi t’ua lëshojë Galipolin. Atë e pranoi për sulltan e tërë Rumelia. Megjithate, jeniçerët dhe ulematë e përmbanin djalin shtatëmbëdhjetë vjeçar të Memedit, Muratin II, dhe ai u vendos në Brusë, në kryeqytetin osman. Murati II, në vitin 1422, e mundi mixhën e vet, i cili ishte nisur kundër tij prej Rumelie, në krye të ushtrisë së mëkëmbësve të vendeve kufitare. Ai pasiqë i tuboi të gjitha forcat e veta, prej 2 qershorit deri më 6 shtator 1422, e rrethoi Stambollin, i cili e përmbante kundërshtarin e tij. Këtë rast e shfrytëzuan të gjithë princërit e nënshtruar në Anadoll, u çuan në kryengritje dhe i kthyen të gjitha territoret që me shumë vështirësi i kishte marrë Murati I. Ata e trimëruan vëllain më të ri të Muratit, Mustafën që të çohet në kryengritje dhe e rrethuan Brusën. Murati II e ndërpreu rrethimin e Stambollit, e mundi vëllain e vet dhe më 20 shkurt të vitit 1423 i dënoi sundimtarët anadollakë që e nxitën. Ai i shkarkoi të gjitha principatat në Anadollin Perëndimor, me përjashtim të atyre që sundonin xhandaridët dhe karamanidët. Në këtë mënyrë sulltani i ri arriti që t’i zgjidhë problemet e brendshme shtetërore dhe të rregullojë gjendjen ashtu siç ka qenë para vdekjes së babait të tij. Pastaj vëmendjen e tij e orientoi kah tokat të cilat i rrezikonin pronat e tij në Ballkan.
Angazhimin e turqve nuk e shfrytëzuan vetëm hungarezët që të zgjerohen në degën e poshtme të Danubit, por edhe venedikasit, të cilët dëshironin që t’i zaptojnë tokat bizantine. Venedikasit, gjatë kohës së rrethimit të Stambollit filluan të bëjnë marrëveshje me bizantinët për mbikqyrjen e Selanikut dhe të Moresë. Bizantinët, në verë të vitit 1423, Venedikut ia lëshuan Selanikun, i cili atëherë gjendej i bllokuar nga osmanlinjtë. Osmanlinjtë duke u frikësuar se bizantinët nuk do të heqin dorë edhe prej Stambollit, lidhën kontratë me ta. Bizantinët u pajtuan të paguajnë tatim vjetor dhe t’i lëshojnë territoret që i kishin marrë në vitin 1403, kurse osmanlinjtë u obliguan që të mos e sulmojnë Bizantin. Në po të njëjtën kohë Murati II lidhi paqe me sundimtarët e Anadollit dhe i mblodhi të gjitha forcat ushtarake qe t’i sulmojë venedikasit në Selanik. Lufta me Venedikun zgjati deri në vitin 1430, kur osmanlinjtë e kthyen Selanikun.
Derisa në Perandorinë Osmane bëheshin luftëra qytetare, ndikimi i hungarezëve rritej në Serbi dhe në Vllahi, kështu që në vitin 1427 lindi konflikti ndërmjet Hungarisë dhe osmanlinjëve rreth trashëgimisë së mbretërisë serbe. Gjuraq Brankoviqi u pranua despot i Serbisë, despotia e të cilit u bë tampon-shtet ndërmjet hungarezëve në Beograd dhe osmanlinjëve në Golupcë. Të dy palët në konflikt nënshkruan kontratën paqesore në vitin 1428.
Osmanlinjtë, pas kthimit të Selanikut, në vitin 1430, filluan një politikë më agresive në Ballkan. Ata e kishin të qartë se territoret në jug të Danubit do të jenë të siguruara vetëm nëse hyjnë nën qeverisjen e tyre të drejtpërdrejtë, andaj për këtë arsye duhej patjetër t’i refuzojnë kërkesat hungareze në lidhje me Serbinë, si dhe kërkesat venedikase për Morenë dhe Shqipërinë.
Me të kaluar afati i kontratës me Hungarinë, në vitin 1431, ambasadori i Sigismundit, kërkoi prej sulltanit që të pranojë që mbreti hungarez të mbikqyrë Bosnjën, Serbinë dhe Bullgarinë e Pellgut danubian. Më parë Sigismundi e strehoi Fruzhinin, pretendent i fronit bullgar. Shtetet ballkanike, në ndarjet e kërkesave ndërmjet rivalëve, Hungarisë dhe perandorisë Osmane, luftonin për ekzistencë. Turqit pasi e hetuan se ndikimi hungarez gjithë e më tepër rritet në Serbi dhe Vllahi, në vitin 1434 u përcaktuan për një politikë më agresive. Për një gjë të tillë u dha rast vdekja e Sigismundit në vitin 1437. Vitin e ardhshëm ushtria osmane nën udhëheqjen e sulltanit e kaloi Danubin dhe depërtoi bile deri në Sibinj (Hermanshtat), qendrën administrative në Erdel. Osmanlinjtë pas këtij demonstrimi të forcave të veta në Hungari, e morën Despotinë serbe dhe në vitin 1439 e shpallën provincë osmane. Ata në vitin 1440 pësuan humbje gjatë përpjekjeve që t’i largojnë hungarezët nga Beogradi. Në vitin 1441 dhe 1442, Janko Hunjadi i mundi forcat e rumelive të cilat kishin depërtuar në Erdel, kurse vitin e ardhshëm ushtria hungareze nën udhëheqjen e tij kaloi Danubin dhe arriti madje deri te Mali Ballkan, duke futur ngatëresa në mesin e turqve. Në Anadoll, karamanidët kaluan në sulm dhe i morën territoret e dikurshme hamidiliane. Murati II atëherë iu kthye politikës paqedashëse dhe më 12 qershor 1444, në Edrene nënshkroi kontratë me Hungarinë. Despoti i Serbisë këtë kontratë e vërtetoi në Segedin. Osmanlinjtë e dhanë pëlqimin e tyre për përtërirjen e Despotisë serbe, ndërsa hungarezët u pajtuan që të mos e kalojnë Danubin dhe të mos kenë pretendime ndaj Bullgarisë.
Murati II u kthye në Anadoll dhe në bazë të kontratës së Jenishehirit të lidhur në verë të vitit 1444, karaminidëve ua lëshoi territoret në Hamidili. Mbeti i kënaqur, mbase kështu e siguroi kufirin lindor dhe atë perëndimor të shtetit të vet. Mirëpo, që kur bizantinët e strehonin Orhanin, njërin nga nipat e Bajazitit, ekzistonte rreziku nga luftërat qytetare, gjë e cila Muratin e II e brengosi mjaft seriozisht. Ai duke qenë ende në gjendje të mirë shëndetësore, në vitin 1444, abdikoi në favor të birit të vet Mehmedit, duke shpresuar se në këtë mënyrë me siguri do ta forcojë në fron. Bizantinët dhe papa, duke mos dëshiruar që ta lëshojnë këtë gjasë, i nxitnin hungarezët në luftë. Ladisllavi, mbreti i Hungarisë dhe i Polonisë, e konsideronte të pavlefshme kontratën paqesore me turqit dhe përgatitej për luftë. Ish dinastitë vendase anekënd Rumelisë, po ashtu i rrokën armët kundër osmanlinjve. Njëri prej tyre, Gjergj Kastrioti, i njohur me emrin Skenderbe, dëshironte ta kthejë trashëgiminë e babait të vet, Gjon Kastriotit në Shqip

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme