Po të ishte ndryshe, Radiotelevizioni Publik i Kosovës (RTK) në edicionin e lajmeve qendrore do të duhej që deri tash opinionit publik t’ua kishte kumtuar lajmin për kthimin e tyre në procesin mësimor; së paku për kthimin e Arjeta Halimit, pasi Gjykata e Qarkut të Gjilanit tash e sa kohë e ka dhenë vendimin për kthimin e saj në shkollë - dhe atë si lajm të parë:
“Teleshikues të nderuar, unë jam Mustafë Muçaj, ora 19:30, po ndiqni lajmet qendrore të mbrëmjes në Radiotelevizionin Publik të Kosovës… Nxënësja nga Vitia, Arjeta Halimi, e përjashtuar dhe e ndaluar padrejtësisht që nga fillimi i vitit 2009 nga procesi mësimor në shkollën “Kuvendi i Lezhës” së Vitisë, sot më datë 19.05.2010 iu kthye bankës së saj shkollore dhe kështu e gëzuar iu bashkua shoqeve dhe shokëve të klasës. Për më gjatë së një vit, Arjeta Halimit iu ndalua nga drejtori komunal i arsimit të Vitisë, Fehri Qerimi, ndjekja e mësimit në shkollën “Kuvendi i Lezhës”, pasi ajo kishte venë mbulesën. Edhe pas drejtimit të Arjeta Halimit drejt dyerve të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit, e cila më herët morri vendimin për kthimin e saj në shkollë, Fehri Qerimi, nuk e pati lejuar Arjetën të kthehej për disa muaj rresht në procesin mësimor. Por tani, kthimi i saj në shkollë u realizua pas intervenimit të Bashkësisë Islame të Kosovës, pasi largimi i saj nga shkolla kishte ndodhur për motive religjioze.”
Ja se si shprehet Arjeta Halimi në një bisedë me të gjatë me korrespondenten tonë të Radiotelevizionit Publik të Kosovës nga Vitia, e lumtur pas kthimit të saj në shkollë. Ta ndjekim reportazhin në vazhdim:
“E drejta ka qëndruar gjithmonë në anën time. E kam ditur që në fillim. Këtë gjë më së miri e ka dëshmuar dhe vërtetuar vendimi i vet Gjykatës së Qarkut të Gjilanit që ka vendosur për kthimin tim në procesin mësimor. Mirëpo ai vendim për kthimin tim në shkollë u shpërfill dhe u shkel për disa muaj rresht nga ana e drejtorit komunal të arsimit, Fehri Qerimi, pas largimit tim nga shkolla për më shumë së një vit. Unë nuk ia kam shkelur të drejtën askujt, as nuk kam bërë ndonjë krim në shkollë apo ndonjë vepër penale që do të mund të më përjashtonin nga shkolla. E tëra që kam bërë është vendosja e mbulesës në kokën time, e cila për besimin tim, për mua paraqet dhe është obligim fetar. Dhe si e tillë është pjesë e pashkëputur e identitetit tim. Drejtori nuk ka pasur kurrfarë të drejtë të më largojnë nga shkolla për këtë gjë. Mbulesën nuk e kam venë mbi kokën e askujt, as mbi atë të drejtorit, por mbi kokën time, dhe me kokën time besoj së kam të drejt të bëjë çfarë unë dua. Është e imja. Edhe drejtori edhe secili njeri, ta zëmë, mund të vë kapele mbi kokë të vet, nuk besoj se do t’i përzihet ndokush për një gjë të tillë. ...Nuk mundet askush në botë t’ia mohojë të drejtën e shkollimit një vajze, vetëm pse ajo vendos të vejë mbulesën, së paku jo ligjërisht. Aq sa di unë dhe aq sa jam njoftuar edhe nga avokati im, liria e ushtrimit të fesë dhe e drejta për arsimim, janë të drejta elementare bazë të garantuara me konventa ndërkombëtare, po ashtu edhe me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Po të mos ishte kështu, kryetari i Gjykatës së Qarkut të Gjilanit, Kadri Syla, kurrë nuk do të merrte vendimin për kthimin tim në shkollë. Por sidoqoftë, unë i falënderoj koleget e shkollës dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë që vazhdimisht më kanë mbështetur qoftë edhe vetëm moralisht për t’u kthyer në shkollë. Por, veçanërisht e falënderoj Bashkësinë Islame të Kosovës për aktivizimin e saj, për të mos më lenë të vetmuar në këtë betejë të lodhshme, e cila me ç’rast organizoi peticion nëpër të gjithë Kosovën dhe ankimoi në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për kthimin tim në shkollë. Falë angazhimit të tyre të palodhshëm unë mbërrina të jem sot këtu ku jam. Shpresoj që askush të mos privohet më nga e drejta e shkollimit në Kosovë.”
Në rrethanat normale të një shteti demokratik kështu do të duhej të ishte; Arjeta Halimi dhe Arlinda Zeka tanimë do të duhej të ishin kthyer në shkollë. E vërteta është se ato ende nuk janë kthyer në shkolla. E përsëris, nuk janë kthyer në shkolla! As peticioni dhe as ankimimi në Gjykatën Kushtetuese nga BIK-u për anulimin dhe ndalimin e urdhëresave administrative apo të çfarëdolloj vendimi të drejtorëve a të kujtdo çoftë tjetër që pengon dhe mund të bëhet shkak për largimin e vajzave me mbulesa nga shkollat publike, deri më tani nuk është ndërmarrë.
Kurse RTK-ja në të vërtetë, nuk është marrë fare me investigimin dhe informimin e opinionit publik për rastin e përjashtimit të Arjeta Halimit dhe as të Arlinda Zekës nga shkolla. Si duket RTK-ja nuk ka kamera të mjaftueshme për këto raste. As me rastin e mbajtjes së protestës së 07.05.2010 para MAShT-it në Prishtinë, transmetuesi publik, nuk e ka bërë mbulimin e kësaj ngjarjeje me reporterë e gazetarë si njëra nga ngjarët më kryesore të ditës që ishte në kryeqytet, ku demonstruan mijëra vetë për kthimin në shkollë të Arlinda Zekës, të Arjeta Halimit dhe të vajzave të tjera të përjashtuara nga shkollat publike. Ka qenë KLAN Kosova dhe Top Channeli i Shqipërisë që raportuan dhe shumë agjenci ndërkombëtare të lajmeve (që e përkthyen në internet lajmin në anglisht, turqisht, etj.), por jo edhe Radiotelevizioni Publik i Kosovës, të cilit për vite me radhë të gjithë i paguajmë të holla; i paguajnë edhe Arlinda edhe Arjeta edhe vajzat e tjera me mbulesë.
Mungesa e mbështetjes mediale në rastin e Arjeta Halimit (të cilës Gjykata e Qarkut të Gjilanit ia ka dhenë të drejtën e kthimit në shkollë), si p.sh. rasti i transmetuesit të televizionit publik si kanali më i shikuar në Kosovë (RTK), drejtorit komunal të arsimit të Vitisë, Fehri Qerimit, po vazhdon t’i ndihmojë që vendimi i tij të qëndrojë ende mbi vendimin e gjykatës për moskthimin e Arjetës në shkollë. Edhe në rastin e Arlinda Zekës, fuqia ekzekutive e drejtorit ngjan të jetë më e madhe se sa ajo e gjykatës. Kështu drejtori komunal i arsimit të Ferizajt, Agim Berisha, më 08.05.2010, një ditë pas mbajtjes së protestës për kthimin e Arlindës në shkollë, deklaroi për Kohën ditore: “Mua nuk më interesojnë gjykatat, nuk ma nin për atë punë hiç, unë nuk e lejoj (*këtu është fjala për A. Zekën, dmth. kthimin e saj në shkollë) unë i përkulëm ligjit, por jo gjykatës.” Ja se në çfarë vendi paradoks jetojmë! Kësaj shkurt e shqip i thonë: Matanë drejt(diktat)orisë asgjë të re! Arlinda Zeka, Arjeta Halimi dhe vajzat e tjera vazhdojnë të qëndrojnë jashtë shkollave, drejtorët mbi ligjin dhe BIK-u në gjumë. Storia në vend se tashmë të mbaronte, ajo ende vazhdon.
(*Në shenjë proteste të mungesës së transmetimit të lirë nga transmetuesi publik i Kosovës, RTK, në mungesë të zbatimit të drejtësisë për Arjeta Halimin, si dhe të mungesës së angazhimit më të madh të BIK-ut për zgjedhjen e problemit njëherë e mirë të përjashtimit padrejtësisht prej shkollave publike të vajzave të mbuluara)