Pse duhet ta mbrojmë traditën tonë islamo-shqiptare?!

Nisur nga kjo e mësipërmes, kuptojmë përgjigjen e pyetjes, të shënuar si titull të këtij shkrimi. Pse, vallë, duhet të shqetësohemi për zhdukjen e traditës? Pse është kaq e rëndësishme ruajta e saj? Dhe a ka gjasa mbijetese, një shoqëri e cila papërfillshëm ndërron traditën dhe trashëgimin e saj?!

Thënë të drejtën, sot trashëgimia e përgjithshme shqiptare kanoset nga tëhuajsimet dhe ndikimet e jashtme të shoqërive të tjera. Kriza e mendimit, e teologjisë, e moralit, etj., është çdo ditë e më e ndjeshme. Më e ndjeshme është kanosja e përzierjes së traditës sonë fetaro-kombëtare, me disa adete e zakone të huaja, të cilat janë më shumë të karakterit lokal, nacional dhe ideologjik sesa pastër fetar. Në fakt, kjo është tema e diskutimi tonë. A jemi duke e ndërruar traditën tonë islamo-shqiptare? Ç’ligjërim teologjik sot zhvillohet në mesin e intelektualëve dhe hoxhallarëve tanë? Ç’gjuhë fetare, shkollare dhe praktike përdoret sot në vendet e ligjërimit edukativo-fetar? Kemi apo nuk kemi rrezik të zhdukjes apo të ndërrimit të traditës sonë fetare? Këto dhe pyetje të tjera na detyrojnë të mendojmë, mbase si të shqetësuar, për fatin e trashëgimisë dhe traditës sonë shumë shekullore të kultivuar dhe zhvilluar, brez pas brezi, me sakrifica të mëdha, nga njerëz që dëshmuan për vlerat e tyre të besimit, atdhedashurisë, iluminizmit dhe veprimtarisë.

Kohëve të fundit, në trevat tona janë paraqitur individë dhe organizata të ndryshme kulturore, edukative e fetare, me tendenca të qarta, e që nga ligjërimi i tyre kuptohet se flasin për një “ripërtëritje” dhe kuptim të ri të mendimit dhe interpretimit të fesë, apo fare nuk tregojnë interes ndaj gjendjes dhe realitetit islam të shqiptarëve, porse më shumë interesohen që të realizojnë misionin për të cilin dikush, nga jashtë, i ka përgatitur.

Ideja nuk është për një reformim dhe tejzhvillim të asaj që kemi trashëguar deri më tani si potencial kulturor e fetar, por për një ndërrim të shkollës, mendimit dhe praktikumit të fesë. Ky diskurs dhe ligjërim mëton në atë që një traditë e vjetër të shpallet e pavlefshme, madje-madje edhe e lajthitur, për të mbjellë një tjetër, të re, e krijuar dhe kultivuar në një tjetër ambient, brenda një shoqërie, komplet, me histori, doke, kulturë dhe traditë tjetër. Kjo nuk ka se si të kuptohet ndryshe, por vetëm si një sulm dhe degradim i trashëgimisë sonë fetare e kombëtare. Ç’është më e rëndësishmja, kjo i shkon për shtati propagandës antiislame dhe antishqiptare, e cila nuk e dëshiron shoqërinë tonë të fuqishme përpara synimeve të tyre djallëzore për ta zhveshur atë nga petku fetar dhe nga vlerat e saja të pastra moralo-etike.

“Interpretuesit” e rinj të Islamit në mesin e shqiptarëve, shumica e tyre e shkulluar dhe përgatitur jashtë vatrës arsimore të këtij populli, tregohen të pamëshirshëm, dhe herë-herë të vrazhdë, ndaj popullit të tyre kur kritikojnë besimin, shkollën, praktikën fetare, dhe traditën e tij në përgjithësi.

Nga ana tjetër, shoqëria jonë shqiptare, e gjetur e dobët në këto kohë, qoftë si shoqëri me organizmi dhe autoritet të dobët politik, qofte edhe në fushën e shkencës, mendimit dhe arsimimit fetar, po përjeton kohën e shoqërisë islame të shekujve V-VI të hixhretit. Bota islame, atëherë, ishte e rraskapitur nga destabilizimi i shtetit Abasid; sulmet e ushtrisë së kryqëzatave nga Perëndimi nga njëra anë, kurse sulmet e ushtrisë gjakpirëse mongole nga Lindja, nga ana tjetër. Në këtë periudhë, popullata muslimane nuk gjeti strehim tjetër pos të strehohet tek ata njerëz, thirrës, të cilët më shumë interesoheshin për botën shpirtërore, ideologjike e sektare, sesa për rikthimin e stabilitetit politik, shoqëror e territorial të Shtetit islam.

Një gjë e këtillë më duke se po ndodh edhe me ne sot. Mesihët janë paraqitur dhe kërkojnë që popullata t’ju kthehet atyre, e cila e shastisur, në mungesë të shkollarëve të denjë dhe të institucioneve të fuqishme të cilat do ta mbronin traditën e saj, po kahëzohet drejtë polarizimeve dhe vetëmohimit!

Tani, le t’iu kthehemi pak disa arsyeve se pse duhet ta mbrojmë traditën tonë islamo-shqiptare.

E para, Feja islame u bë pjesë e kulturës dhe jetesës shqiptare prej më tepër se pesëqind vjetësh. Kjo ka bërë që ne sot të kemi një bagazh të pasur me kulturë dhe traditë, të cilën, falë Islamit, e ruajtëm dhe u identifikuam me të. Normat tona të kodit moral, social, familjarë, të cilat janë zhvilluar përgjatë shekujve si rrjedhojë e faktorëve të ndryshëm, siç janë trashëgimia, ligjet, klima, industria, shijet kombëtare, gërshetimi i kulturave, të përshtatura dhe të vlerësuar me parametrin e teksteve islame, përbëjnë një vlerë dhe specifikë të veçantë në diversitetin kulturor, qytetërues në fushën e gjërë të Qytetërimit islam. Së këndejmi, shkollën të cilën e ndoqi populli ynë, është shkolla e cila ka përfshirje më të gjërë në botën islame: shkolla sunnite hanefito-maturidite, shkollë të cilën e kanë përvetësuar edhe perandori të mëdha islame (Abbasitët dhe Osmanët). Pasur për bazë themelet, parimet, mësimet dhe urtësitë e kësaj shkolle, tradita jonë është shumë më e aftë për të vazhduar më tutje për t’u futur në “planetin” fetar të cilin e përbëjnë besimet e të gjithë popujve. Për këtë ka shumë arsye, por unë do të theksoja vetëm këtë: sepse është e hapur dhe e fuqishme. Thirrja për ndërrimin e traditës apo ligjërimi i ri ideologjik, doktrinar, do ta ndryshonte në mënyrë rrënjësore botëkuptimin e shqiptarëve për tolerancë mes veti dhe ndaj marrëdhënieve të mira me fetë dhe besimet e tjera.

E dyta, ndërrimi i traditës do të sillte rreziqe shumë të mëdha për një pjesë të madhe të shoqërisë. Regresi fetar do të ishte kërcënuesi më i fuqishëm i saj dhe për një kohë shumë të shkurtër do të përjetonim një kolaps kulturor e shpirtëror. Propagandimi kundër (ose inferioriteti i disa të tjerëve) ndaj traditës sonë, se gjoja nuk paskëshim qenë në rrugën e drejtë, se kemi gabime në besim e mendim; se praktika jonë fetare bie “ndesh” me traditën pejgamberike, etj., tregon për tendencën e tyre për një zëvendësim të opusit dhe trashëgimisë sonë fetare, me një tjetër, e krijuar në rrethana dhe momente krejt të veçanta nga ai i fatit tonë. Është absurde t’ia veshësh një popullit një traditë, të cilën ai nuk e ka krijuar dhe zhvilluar vetë.

E treta, nëse ne do ta ndërronim traditën e të menduarit tonë islamik, respektivisht shkollën e mendimit tonë, atëherë cila do të ishte ajo traditë apo shkollë e cila do të ishte si zëvendësuese dhe sa do të ishte ajo e aftë për ta ruajtur shoqërinë nga asimilimi prej traditave jomuslimane dhe njëkohësisht edhe për t’u përballë me to?! Nga ligjërimet e “interpretuesve” të rinj, te një pjesë dërmuese e këtyre, kuptojmë që bëhet fjalë për një traditë që i përket lëvizjes selefijje, e cila është një lëvizje me protagonistë dhe kolorite të ndryshme, porse një gjë e kanë të përbashkët: thirrjen për të kuptuar Islamin nga e para. Por, vallë, sa kjo lëvizje ishte e aftë dhe pati sukses në ato shoqëri tek të cilat u paraqit dhe u zhvillua, për të pasur sukses tek ne? Cilat janë sukseset e saj, e që ne të admirohemi nga to? Nëse e marrim si shembull selefijjen saudite, pasi që në trojet tona ballafaqohemi më së shumti me idetë e kësaj shkollë, e prej të cilave tradita jonë sulmohet më së shumti, atëherë shqetësimi do të rritet edhe më shumë, sepse kjo degë e selefijjes konsiderohet, nga një pjesë e madhe e shkencëtarëve të matur, si puritane, e mbyllur dhe nuk lejon kurrfarë bashkëpunimi me kundërshtarët në mendim. Zëvendësimi i traditës sonë, e cila u gatua në atë mënyrë për të qenë e aftë për të bashkëjetuar dhe bashkëvepruar me të tjerët, me të cilët dallojmë në besim, gjuhë, kulturë, etj., me një tjetër traditë, në këtë rast me traditën dhe mendimin selefist, do të implikonte paragjykime dhe ngërçe shoqërore, ideologjike dhe politike.

E katërta, lejimi i atakimit të traditës sonë fetare do të ishte gabimi më i madh që do ta bënim; mbase kjo do t’u shkonte për dëshire mohuesve të identitetit tonë oriental (lexo: islam), sepse kjo për to do të ishte shumë më lehtësuese që ta superiorizionin elementin kristian në krahasim me elementin islam te shqiptarët.

E pesta, kthimi nga e para, që po kërkohet, nuk synon lidhjen me kohën e artë të Islamit, porse me këtë të mundësohet ndikimi dhe influenca e atyre shteteve nga të cilat burojnë këto ide dhe mësime, etj..

Pra, pa dashur që të zgjatem edhe më shumë, pasi që natyra opinioneske e këtij kontributi nuk lejon një gjë të tillë, besojë se do të ishte e mjaftueshme theksimi i katër a pesë arsyeve të përmendura, e me të cilat dëshiroj ta ngre çështjen në një nivel shqetësimi, në mënyrë që të mos luajmë me zjarrin e besimit, sepse mund të na djeg të gjithëve. Tradita jonë fetare, ndërkohë, ka pësuar shtresime dhe ndryshime nga ajo që do të duhej të ishte, por assesi të lejojmë që për këto devijime dytësore, në vija sipërfaqësore, të rrënohet e gjithë ajo trashëgimi dhe shkollë të cilën e zhvilluam dhe e ruajtëm, me shumë vështirësi e peripeci. Jam pro një reformizmi brenda opusit tonë tradicional, duke shmangur disa praktika të cilat, për kohën tonë, nuk do ta luanin rolin e dikurshëm që patën apo t’ju japim një dimension tjetër, me efekt modernizues dhe më praktik, por assesi të pajtohem për ndërrime rrënjësore brenda mendimit, shkollës dhe thelbit të traditës sonë islame.

Burimi: http://breziiri.com/2010/05/19/pse-duhet-ta-mbrojme-traditen-tone-islamo-shqiptare/

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme