Kur ka ra Kushtrimi...

Në orët e para të 12 majit të vitit 2010 në një aksion qyqar, në pritë, policia maqedonase ndër të tjerash ekzekutoi edhe Harun Aliun-Kushtrimin.
Mes këtyre dy ngjarjeve e datave gjendet një oqean me diskriminime, tortura, vrasje, maltretime, shkelje të drejtave, mashtrime, dredhi, fyerje e ofendime. Mes këtyre datave ndodhi rasti i Bitpazarit, ndodhi vrasja në hapjen e Universitetit të Tetovës, ndodhi Ladorishta, ndodhi rrënimi i mureve në Haraçinë, ndodhi Gostivari i Rufi Osmanit, afera e armëve dhe burgosja e disa dhjetra shqiptarëve. Po ashtu përdorimi i gjuhës shqipe u minimizua skjashmërisht, shkollimi i shqiptarëve në këtë shtet u frenua me çdo metodë, shumë shqiptarë mbetën pa shtetësi duke qenë të lindur e rritur në këtë vend, ndërsa punësimi i tyre në organet shtetërore kurrë nuk arrinte as 5 %.
Përveç diskriminimit etnik, ekonomik, kulturor e arsimor, në këtë shtet urrehej çdo gjë që asoconte shqip. Në prag të hapjes së Fakultetit Pedagogjik në Shkup u mbajtën protesta të nxënësve dhe studentëve maqedonas me parullat “dhoma gazi për shqiptarët”, ndërsa në anën tjetër në mediumet maqedonase përgatitej luftë psikologjike së shqiptarët janë armiqtë e vetëm të maqedonasve që dëshirojnë t’ua prishin shtetin atyre që mezi e kishin bërë. Me këto gjykime vazhdonte ndërtimi i anës së majtë të Shkupit dhe ana jug-lindore e Maqedonisë, ndërsa shqiptarët edhe në këtë aspekt getoizoheshin dhe izoloheshin, si nga aspekti i ndërtimit të vendbanimeve të tyre, po ashtu edhe me ndarjen teritoriale në komuna jofuksionale dhe pa ingerenca e me një pushtet tejet të centralizuar.
Ndërkaq sistemi zgjedhor diskriminues nuk ju mundësonte partive shqiptare të faktorizoheshin, ashtu që në Parlamentin e Maqedonisë nuk u votua asnjë amandament i cili kishte të bënte me avancimin e të drejtave të shqiptarëve, sepse mbivotimi ishte parimi i vetëm në marrëdhëniet ndëretnike.
Në këso konstelacionesh pasoi 2001-shi, konflikti i armatosur i cili përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit e cila u garantua edhe nga SHBA-të, BE-ja dhe NATO-ja. Çka ndodhi pastaj?
Pas ndryshimit të kushtetutës, filluan të ndryshojnë disa numra dhe statistika, por në asnjë moment nuk u evitua avazi i vjetër.
Ndryshoi numri i të punësuarve, ai vërtet u rrit brenda këtyre 9 viteve por ende nuk ka kaluar 10 % (edhe pse askush nuk e di numrin e saktë që është shumë joserioze). Sa për ilustrim, çdo ditë lexojmë në gazeta se ka institucione publike ku ndër 150 të punësuar nuk e gjen asnjë shqiptarë. Ose diku i gjen nja dy rojtarë. E kur të kthehemi në anën tonë, u rrit numri i nxënësve dhe studentëve, ngaqë u zyrtarizua UT-ja dhe u hap UEJL-i, por niveli i cilësisë në arsim ra shumë. U soll ligj i ri për shtetësi, por ende ekziston një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve që nuk kanë shtetësi. Ndarja teritoriale e vitit 2004 solli disa përmirësime, por krijoi edhe shumë komuna jofunksionale e kaotike shqiptare. Me siguri me 2001-shin lidhen edhe shumë avancime që është lehtë të evidentohen, por ka edhe shumë ngjarje të rënda që nuk kanë ndodhur as para 2001-it. Të tilla janë vrasja e komandant Telit me shokë (në vigjilje të nënshkrimit të MO-së), tentativa për atentat ndaj komandant Hoxhës – Xhezair Shaqirit, u vra komandanti Isa Lika, u vra Ridvan Neziri duke marrë me vete edhe shumë qytetarë shqiptarë kalimtarë të rastit, dyshohet se u inskenua fatkeqësi automobilistike ndaj hoxhës Jakup Hasipi, u burgosën sopotasit e pafajshëm, ndodhi Kondova e Agim Krasniqit, pasoi aksioni famëkeq i Brodecit dhe maltretimet fizike të të burgosurve pas atij aksioni, asnjëherë nuk u ndalën bastisjet nëpër shtëpitë e ish-ushtarëve të UÇKsë, ligji i amnistisë kurrë nuk u respektua plotësisht, ashtu që sot edhe rastet e kthyera nga Haga procesuohen në Gjykatat e Maqedonisë, më tej erdhi Enciklopedia Maqedonase, vijoi ligji për shtimin e natalitetit në komunat maqedonase, në Bukuresht të 2008-tës Maqedonia dështoi për të marrë ftesë për anëtarësim në NATO, rendi edhe Brukseli i 2009-tës ku nuk u soll vendim për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, këndej u prezantua projekti etnocentrik “Shkupi 2014”, e shumë e shumë data e ndodhi të ndryshme që vërtetojnë tezën se avazi i vjetër maqedonas për të shkelur fillimisht mbi dinjitetin e shqiptarëve, e pastaj edhe mbi çdo të drejtë të tyre, nuk ka të ndalur assesi, por tani është edhe më i avancuar.
Të gjitha këto ndodhi që i shënova, duke qenë i sigurt se edhe shumë të tjera i kam harruar për momentin, nuk i kam përshkruar nga asnjë enciklopedi, e as nga ndonjë kalendar historik. Por, të gjitha këto i kam shumë të freskëta, ngaqë secili nga këto raste ka lënë mbresa të pashlyera në kujtesën time; i kam ndjerë e përjetuar vetë. Nga këto kujtime përbëhet jeta e një të riu shqiptar në Maqedoni.
Zoti i ka dhënë njeriut liri shumë të madhe dhe kompetenca të shumta, por punën e dhënies e të marrjes së shpirtit e ka lënë në dorë të Vet. Ka disa nga ato krijesa që u ngjajnë njerëzve të cilët duke shkelur çdo ligj mbi të drejtat e lirisë së njeriut dhe të drejtës elementare për jetë, ndërhyjnë edhe në "punët e Zotit" duke marrë shpirtin e dikujt tjetër, në procese të montuara politiko-policore.
Kupa u mbush, KUR RA “KUSHTRIMI” vërtet kupa u tejmbush. Ai kishte të drejtë së paku të gjykohej për veprat e tij, nëse konsiderohej se ka bërë ndonjë faj. Se në Maqedoni ta duash lirinë është faj. Ai ia kushtoi jetën e tij popullit të vet, por asgjë nuk mori prej tij - vetëm dha - e dha edhe jetën, kaloi në atë botë krenar dhe faqebardhë. Vetë “Kushtrimi”, si ajo fjala e urtë, pat thënë: “Më mbroj nga miku se nga armiku mbrohem vetë”. Andaj nëse në krejt këtë punë ka gisht shqiptari atëherë le ta dinë ata se kjo punë nuk do mbetet pa u zbardhur dhe do t’u kthehet po në të njëjtën masë, si fjala tjetër popullore që thotë: “Ç’ke mbjellë do të korrësh”.
Nga e tëra kjo më duhet të konstatoj se KËSHTU, MË NUK BËN. Vërtet nuk e di se si bën, por KËSHTU JO!!!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme