
Sot në Kosovë na mungojnë shumë gjëra, por jemi të lirë. Shoqëria kosovare për të arritur këtë liri, të cilën po e gëzojmë sot iu deshën shumë sakrifica të mëdha, andaj liria si e tillë nuk mund të parcializohet. Edhe liria e fesë dhe praktikimi i saj është një segment i rëndësishëm në jetën e njeriut. Të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare kanë të drejtë t’i shijojnë frytet e saj. Lira e besimi dhe krijimi i kushteve për shpërfaqjen e tij të lirë, hyn në mesin e këtyre të drejtave, të cilat janë të garantuara me konventat ndërkombëtare, andaj çdo përpjekje për kufizimin apo ndalimin e tyre bie ndesh me normat ndërkombëtare.
Për këtë, institucionet tona duhet të jenë të kujdesshme kur janë në pyetje ndjenjat fetare, cilat do qofshin ato, duke përfshirë edhe praktikimin e normave të fesë në shkollat publike dhe brenda universitetit. Zgjidhja duhet të jetë e atillë, që të respektohen normat ndërkombëtare, por të respektohet dëshira dhe vullneti i qytetarit, me këtë rast të studentëve dhe studenteve. Ky është edhe qëllimi i hartimit të normave ligjore, që të gjithë të jenë të kënaqur, por edhe të barabartë para ligjit.
Së paku kështu veprohet në vendet demokratike, rrugën e të cilave jemi duke e ndjekur edhe ne si shteti më i ri në Evropë dhe në botë. Nëse dëshirojmë të marrim shembull nga përvojat e popujve tjerë si e kanë trajtuar këtë çështje, do të shohim se ajo nuk ka qenë zgjidhje të cilën e propozojnë përgjegjësit tanë. Valiu i Egjiptit me origjinë shqiptare, Mehmet Ali Pasha, në fillim të shekullit nëntëmbëdhjetë kur filloi t‘i dërgojë grupet e para të studentëve egjiptianë për të studiuar në universitetet e Francës, me çdo grup dërgonte edhe një imam për t’u shërbyer në ceremonitë fetare. Kurse sot në të gjitha universitet amerikane apo evropiane gjendet një sallë e caktuar për kryerjen e ceremonive fetare, për profesorët, studentët apo nëpunësit, të cilët donë t’i kryejnë ceremonitë fetare të fesë së tyre.
Një përvojë e tillë e hapjes ndaj besimeve fetare lypset të praktikohet edhe tek ne, sepse me një veprim të këtillë ne do të dmostronim se në vendin tonë mbisundon ligji dhe jemi në ndërtim të një shteti demokratik. Mirëpo, çfarëdo kufizimi apo cenimi i të drejtave të rinjve në kryerjen e obligimeve fetare mund të reflektohet negativisht në sjelljet e tyre. Çfarëdo ndalimi, apo kufizimi nuk është objektiv e shoqërisë kosovare, bie ndesh me orientimet dhe angazhimet e popullit tonë në njërën anë dhe në anën tjetër është vazhdimësi e mentalitetit të së kaluarës moniste që kishin një qasje të mbrapsht ndaj fesë, e kjo qasje mund të çojë në radikalizmin e tyre, për çka ne si shoqëri kosovare nuk kemi nevojë për një hap të tillë.
Andaj rektori dhe varësit e tij para se të kërkojnë “raporte”, se kush e praktikon fenë, duhet të angazhon që atyre që praktikojnë fenë t’u krijojnë kushte normale për ushtrimin e një të drejte universale, e jo të vazhdojnë avazin e mendësisë së kaluar moniste në raport me fenë, nga e cila kemi heq dorë që moti.