Kërkesat – muhabet pas darke

1. Konteksti terminologjik

Kur ju KËRKONI diçka prej dikujt, në mënyrë të drejtpërdrejtë pranoni pozitën inferiore që keni në atë relacion. Shqiptarët e Maqedonisë janë lodhur e rraskapitur duke lutur e kërkuar nga pala tjetër për çështjet që na mundonin që prej pavarësimit të Maqedonisë e këtej. Andaj kur në vitin 2001 Ali Ahmeti doli në ballë të UÇK-së, shumica e të rinjve shqiptarë iu bashkëngjitën këtij formacioni, ndërsa një ndër arsyet dhe motivet më kryesore pse ato u bashkëngjiteshin këtyre radhëve ishte pikërisht nevoja dhe dëshira për ta ndërprerë atë mënyrë të veprimit politik kur shqiptarët gjithmonë kërkonin diçka, ndërsa maqedonasit duhej të jepnin diçka. Ndërsa tash edhe pas nëntë viteve të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, në momentin kur BDI-ja përsëri KËRKON diçka nga pala tjetër, kjo na rikujton se ende është gjallë dhe shumë aktual relacioni në fjalë, ai i shqiptarit – lypsar dhe i maqedonasit – pronar. Duke shtruar argumentin e kontekstit terminologjik për të realizuar një agjendë politike të premtuar para elektoratit shqiptar, më e keqja qëndron në faktin se terminologjia është e saktë, por veprimi politik i gabuar.

2. Konteksti kohor – tajmingu

Njëri nga problemet kryesore që e mbante peng përfundimin e konfliktit të armatosur të vitit 2001 dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit ishte pikërisht problemi rreth statusit të ushtarëve të UÇK-së. Ky problem po zvarritet nëntë vite dhe vazhdimisht ka qenë pjesë e marketingut politik në të gjitha fushatat parazgjedhore të partive politike shqiptare në të gjitha ciklet zgjedhore. Gjithashtu u aktualizuan shumë shpejt edhe rastet e Hagës, të cilat pasi u ngritën aktpaditë ndaj Boshkovskit dhe Tarçullovskit nga ana e Tribunalit, pala maqedonase kërkonte që edhe nga ana shqiptare të paraqiten në bankën e të akuzuarve në Hagë. Por, pasi ajo nuk ndodhi, pala maqedonase vendosi që këto raste të kthyera nga Tribunali i Hagës t’i procesuojë në gjykatat e korruptuara dhe të padrejta të Maqedonisë. Në anën tjetër edhe rasti i Sopotit po zvarritet që nga viti 2003 kur ndodhi shpërthimi i minës në Sopot me ç’rast u vranë dy ushtarë polakë të NATO-s dhe një qytetar nga Maqedonia. Rastet e lartpërmendura janë shumë mirë të njohura në opinion ngaqë shumë vite sillen në mediat tona, andaj e quaj shumë të gabuar momentin kohor kur këto u vunë në tavolinë, jo se këto raste nuk duhet të zgjidheshin menjëherë, por:
- sepse i tërë faktori ndërkombëtarë është i fokusuar rreth gjetjes së zgjidhjes rreth kontestit (jo kontekstit si e gabojnë disa politikanë shqiptarë) të emrit të shtetit,
- sepse Maqedonisë i është rekomanduar që deri në qershor të gjendet zgjidhje,
- sepse çdo ditë vijnë zyrtarë të lartë amerikanë dhe europianë për të na kumtuar se duhet të vëmë theks të veçantë mbi këtë problem,
- sepse vetë zyrtarët e lartë të BDI-së kanë potencuar se qershori është afati kur ajo (BDI-ja) duhet të zgjedhë mes popullit dhe Gruevskit, andaj duke e analizuar këtë kontekst kohor më duket tejet e palogjikshme që këto kërkesa të shtrohen pikërisht TASH për zgjidhje.

3. Konteksti i adresimit

Është për t’u habitur dhe vajtuar naiviteti që është treguar gjatë publikimit të lajmit se BDI-ja i ka shtruar këto kërkesa deri te kryeministri Gruevski. Pse?
Përveç kërkesës për statusin e UÇK-së, e cila kërkon zgjidhje në parlament dhe qeveri dhe për të cilën duhet marrëveshje mes partnerëve të koalicionit qeveritar, dy kërkesat e tjera për nga natyra e tyre kërkojnë zgjidhje në Gjykatën Supreme të Maqedonisë (rasti i Sopotit), respektivisht në Prokurorinë Publike (rastet e Hagës), andaj si mundet që një subjekt politik të mos e dijë funksionin e tij primar, se si e ku duhet adresuar kërkesat politike. Si mundet që një alamet profesorësh e juristësh të mbledhur në atë subjekt të mos e dinë se nuk mundet një kryeministër të zgjidhë probleme të natyrës së drejtësisë, sepse autonomia e gjykatave dhe e prokurorisë është një nga parimet elementare të sistemeve demokratike?! Ky është një indikacion për mosnjohjen e sistemit politik të shtetit që e “bashkëqeveris” ky subjekt dhe i kompetencave të institucioneve themelore në shtet. Nga ana tjetër, edhe po të kishte vullnet politik që të zgjidheshin këto raste në këtë moment, më tregoni cili ministër apo kryeministër (sidomos i vendit i cili ka aspirata për NATO e BE) do të pranonte se do të ndërhyjë në Gjykatën Supreme dhe në Prokurori që të zgjidhen këto raste? Jam shumë i sigurt se këtë e dinë shumë mirë edhe zyrtarët e BDI-së, andaj më duhet të konstatoj se parashtrimi i këtyre kërkesave nuk është bërë që vërtet të zgjidhen rastet, por që më shumë të tërhiqet vëmendja nga problemi primar, ai i kontestit të emrit, si dhe të tërhiqet vëmendja pas likuidimit të Harun Aliut, ngase me vetë adresimin e këtyre kërkesave deri te kryeministri në fakt është bërë minimi i tyre.
Nga argumentet e shtruara më lart më duhet të konstatoj se veprimet e tilla politike si puna e këtyre kërkesave janë dualiste: ose reflektojnë mosseriozitet të skajshëm, mosdije të thellë dhe padenjësinë e një subjekti serioz politik që mëton të zgjidhë problemet e shqiptarëve në Maqedoni ose janë thjeshtë muhabet pas darke. Në realitet rezultati politik i këtij dualiteti në të dyja versionet është i barabartë me zero.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme