Izraeli, a po shndërrohet në shtet pirat?

Ky udhëtim zgjati disa ditë, ku morën pjesë mbi 600 civilë nga mbi 32 shtete të botës (edhe tre shtas nga Maqedonia). Ndër udhëtarët e këtij udhëtimi humanitar ishin pleq, gra, fëmijë, klerikë fetarë, teologë, me dhjetëra gazetarë nga gjithë bota, duke mos harruar të përmendim edhe fituesin e çmimit Nobel për Paqe irlandezi Mairead Corrigan-Maguire dhe Hedy Epstein i cili njihet edhe si një ndër viktimat e Holokaust-it. Këto udhëtarë nuk i takonin vetëm një feje apo kombi, por ishin një botë e vogël ku përfaqësoheshin shumica e racave, kombeve dhe feve të globit tonë.
Pse ishin të destinuar për në Gaza?
Më 2005, në Palestinë, me mbikëqyrje ndërkombëtare u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme, ku në mënyrë transparente dhe demokratike Hamasi doli si fitues i kësaj gare demokratike. Megjithatë, Izraeli duke mos i respektuar të drejtën elementare të popullit palestinez dhe duke mos respektuar aspak të drejtën ndërkombëtare vendosi të hakmerret duke e shndërruar Gazën në burg më të madh në botë dhe popullin e Gazës në të burgosur. Për realizimin sa më efikas të këtij qëllimi, pos sulmeve luftarake që nëpërkëmbnin të drejtën ndërkombëtare, vendosi edhe përdorimin e embargos duke ndërprerë lidhjet e këtij vendbanimi me botën e jashtme. Me anë të kësaj embargoje populli i Gazës u privua nga drejtat themelore të njeriut ku para se gjithash iu morr e drejta e mbijetesës. Spitalet mbetën pa rrymë, të sëmurit pa ilaçe e foshnjat pa ushqimin e duhur. Këto shkelje të të drejtave më themelore të këtij populli zgjati dhe zgjat plot disa vite.
Embargoja izraelite u shndërrua edhe në sulme gjakderdhëse. Më 2008 makineria e rëndë ushtarake e shtetit izraelit duke mos dalluar mes luftëtarëve dhe civilëve shkaktoi vrasjen dhe plagosjen e mijëra civilëve, ku pjesa më e madhe përbëhej nga pleq, gra dhe foshnja. Nuk mbet vetëm me kaq, por një ndër caqet e këtyre sulmeve ishte edhe zyreja e OKB-së. Ky akt i rëndë ndaj popullit të pafajshëm nga shumë analistë u konsiderua si shembull konkret i terrorit shtetëror.
Mu për këto arsye, udhëtarët e anijeve që pretendonin thyerjen e kësaj embargoje të paligjshme, nuk ishin diç tjetër pos përfaqësues shpirtëror të ndërgjegjes njerëzore. Ato kishin për synim ngritjen e vetëdijes së arenës ndërkombëtare për vuajtjet dhe padrejtësitë të ushtruara ndaj popullit palestinez. Dhe e arritën qëllimin, por për fat të keq duke u bërë një hallkë prej hallkave të sakrificave të udhëheqësisë izraelite.
Shkaqet e sulmeve izraelite
Padyshim se ky akt që shkaktoi vrasjen dhe plagosjen e dhjetëra civilëve nuk është risi për historinë e politikës ushtarake të shtetit izraelit, e cila mund të “krenohet” me shumë ngjarje të ngjashme. Megjithatë dallimi mes sulmit të fundit nga ato të mëparshmeve qëndron në atë se kjo iniciativë humanitare pat përmbajtje nga popuj të ndryshëm në një kohë dhe në një vend të caktuar dhe se këto sulme u transmetuan drejtpërdrejti në shumë kanale televizive në botë. Gjithashtu dallimi tjetër është fakti se shumica e të vrarëve dhe të plagosurve ishin shtetas të Turqisë gjë që shkaktoi efekte të bombës atomike në marrëdhëniet Turqi-Izrael.
Parashtrohet pyetja se si vallë Izraeli mori këtë vendim për vrasjen e civilëve shumica e të cilëve ishin shtetas turq duke pasur parasysh se Turqia është ndër shtetet e rralla që ka marrëdhënie strategjike me të? Sipas mendimit tim ky sulm është i përgatitur shumë mirë si në aspektin ushtarak gjithashtu edhe në atë strategjik dhe politik. Gjithë kjo ndodh në kohë ku qeveria turke në krye me Erdoganin bëri dhe bën hapa strategjike në rajonin e Lindjes së Mesme, hapa këto që cenojnë interesat e shtetit izraelit. Nga këto politika turke mund të përmendim:
-Marrëveshja e fundit mes Iranit me një anë, Turqisë dhe Brazilit në anën tjetër, me qëllim të zbutjes së marrëdhënieve mes Iranit dhe botës perëndimore gjë që do të rezultonte me shtimin e shpresave për paqe në këtë rajon përplot me kriza. Ky hap është rezultat i politikës proaktive dhe paqedashëse turke në rajonin e Lindjes së Mesme. Por, Turqia nuk mjafton vetëm me kaq. Në të njëjtën kohë kërkon edhe pastrimin e këtij rajoni nga gjitha llojet e bombave nukleare, gjë që shkaktoi shqetësimin e Izraelit (shtet ky që njihet si shtet i vetëm në rajonin e Lindjes së Mesme që posedon këtë teknologji shkatërruese).
- Një ndër objektivat e politikës së jashtme turke në Palestinë është edhe pajtimi brenda palestinez. Erdogani në vitet e fundit bën përpjekje të mëdha për arritjen e kompromisit midis grupeve palestineze që shpesh dinë të luftojnë mes vete. Kjo politikë nuk përputhet me interesat afatshkurta dhe afatgjata të shtetit izraelit. Me anë të këtij sulmi Izraeli dëshiron që qeveria turke të ndërmarrë hapa radikale, me çka shteti turk do të humbte kredibilitetin për marrjen e iniciative për paqe në Lindjen e Mesme.
- Me anë të këtij akti synohet edhe pakësimin e prestigjit të Erdoganit në Lindjen e Mesme duke e lënë atë në gjendje të palakmueshme dhe të dobët para popujve të këtij rajoni (duhet përmendur se pas krizës në Davos të Zvicrës, Erdogani me shprehjen e tij të njohur one minute arriti të fitojë simpatinë e popujve të këtij rajoni).
Efektet rajonale dhe ndërkombëtare të sulmeve ndaj shtetit izraelit
Nëse parashtrojmë pyetjen se vallë çfarë do të jenë pasojat rajonale dhe ndërkombëtare e kësaj ngjarjeje ndaj Izraelit? Sipas meje përgjigja ka dy dimensione, dimension rajonal dhe ai ndërkombëtar. Sa i takon dimensionit rajonal ai ka të bëjë me marrëdhëniet turko-izraelite. Këto marrëdhënie nuk do të jenë si më parë. Gjithë kjo nga fakti se tanimë kemi të bëjmë me një Turqi që është faktor rajonal me pretendim për të qenë aktor global. Një shtet me këto kapacitete dhe me një popull që njihet me traditë të lashtë ushtarake nuk mund të harrojë këtë veprim. Nga ana tjetër përmbajtja e Palestinës nga ana e qeverisë turke do të merr përmasa më të mëdha, mu ashtu siç theksoi Erdogani fill pas kësaj ngjarjeje Po edhe nëse e dimë se do të jemi të vetmit në këtë nënqiell që përkrahin çështjen palestineze, atë do ta bëjmë...
Gjithashtu dimensioni ndërkombëtar i këtyre sulmeve ka efekte të pashlyeshme për Izraelin. Si pasojë e këtyre sulmeve ky shtet është shndërruar në shtet pirat që sulmon civilë të pafajshëm në ujëra ndërkombëtarë duke i shkelur të gjitha ligjet dhe normat e së drejtës ndërkombëtare (si veprimi i piratëve somalian). E të mos flasim për prestigjin që do të pësojë humbje të madhe në skenën ndërkombëtare.
Për në fund sugjerimi im për politikëbërësit turq do të ishte që të veprojnë në mënyrë sa më racionale dhe gjakftohtë duke i përdorur të gjitha mekanizmat e së drejtës ndërkombëtare dhe të gjitha mekanizmat diplomatike ku merr pjesë Turqia (si OKB, NATO, OKI etj) për ti thënë mjaft politikës izraelite, politikë kjo që dita ditës shkakton kokëdhembje si në rajonin e Lindjes së Mesme, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

MUHAMED ALI
DOKTORANT I SË DREJTËS DHE POLITIKËS NDËRKOMBËTARE

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme