
Deri në moshën dyzetvjeçare Muhammedi nuk njihej si shtetar, predikues apo si orator. Atë asnjëherë nuk e kishin parë duke folur për parimet e metafizikës, etikës, drejtësisë, politikës, ekonomisë apo të sociologjisë. Pa mëdyshje, ai kishte një karakter të shkëlqyer, veti mahnitëse dhe kulturë të lartë. Megjithatë, në të nuk kishte ende asgjë thelbësore dhe të jashtëzakonshme, për të pritur në të ardhmen ndonjë vepër të madhe dhe revolucionare nga ai. Mirëpo, kur doli nga Shpella (Hira) me porosi të re, ai ishte plotësisht i transformuar. A është e mundur që një njeri me tipare të këtilla përnjëherë të shndërrohet në “mashtrues”, të kërkojë të jetë “pejgamber i All-llahut dhe të shkaktojë zemërimin e popullit të vet?” Dikush do të bënte pyetje: për ç’arsye të gjitha ato mundime? Populli ishte i gatshëm ta pranojë si mbret të vetin dhe t’ia shtrojë para këmbëve të gjitha pasuritë e vendit, me të vetmin kusht që ta braktisë predikimin e fesë së tij. Mirëpo, ai i refuzoi të gjitha këto oferta joshëse dhe vazhdoi ta predikojë fenë e tij, duke u ballafaquar me përbuzje të llojllojshme, me bojkot shoqëror e madje edhe me sulme fizike nga populli i vet. A nuk qe në pyetje vetëm përkrahja e Perëndisë, dëshira e tij e ngulmët për përhapjen e porosisë së All-llahut dhe besimi i rrënjosur thellë në të se Islami do të paraqitet si rrugë e vetme e jetës së njeriut, që qëndroi si shkëmb përballë të gjithë kundërshtarëve dhe komplotistëve për zhdukjen e tij? Aq më tepër, po të paraqitej me rivalitet të paramenduar me të krishterët dhe hebrenjtë, me çfarë arsye do të besonte në Isaun (Jezu Krishtin), Musaun (Mojsiun) dhe në pejgamberët e tjerë të Perëndisë (paqja mbi ta), kusht ky themelor i besimit pa të cilin askush nuk mund të jetë musliman?
A nuk është dëshmi e pamohueshme e pejgamberisë së tij ajo që përkundër faktit se ishte i pashkolluar dhe bëri jetë plotësisht normale e të qetë dyzet vjet, kur filloi ta predikojë porosinë e tij e tërë Arabia habitej dhe e respektonte thellë e mahnitej me elokuencën dhe oratorinë e shkëlqyer të tij? Ishte aq i pakrahasueshëm saqë një legjion i tërë poetësh arabë, predikuesish dhe oratorë të kalibrit më të lartë nuk ia dolën të krijojnë një të ngjashëm me të. E mbi të gjitha, si mund t’i shqiptonte të vërtetat e natyrës shkencore që gjendeshin në Kur’an, të cilat asokohe askush nuk i kishte zhvilluar ende?
Dhe së fundi, pse bëri jetë të vështirë edhe pas arritjes së fuqisë dhe autoritetit? T’i kujtojmë fjalët që i shqiptoi para vdekjes: “Ne pejgamberët nuk kemi trashëgimtarë. Çdo gjë që lëmë pas është dashuria ndaj Perëndisë”.
Në të vërtetë, Muhammedi alejhisselam është hallka e fundit e zinxhirit të të dërguarve, të dërguar në vende e në kohë të ndryshme që nga zanafilla e jetës së njeriut në këtë planetë.
“Nëse madhështia e qëllimit, mjetet e vogla dhe rezultatet e pabesueshme janë tre kriteret e gjeniut njerëzor, atëherë kush guxon ta krahasojë ndonjë personalitet të madh nga historia moderne me Muhammedin? Njerëzit më të famshëm krijuan vetëm armë, ligje dhe mbretëri. Ata s’krijuan asgjë më tepër se fuqi materiale, të cilat shpesh shpartalloheshin para syve të tyre. Ky njeri lëkundi jo vetëm armata, legjislacione, mbretëri, popuj e dinasti, por edhe miliona njerëz të një të tretës së popullsisë së atëhershme të botës, e për më tepër, ai lëkundi altarë, perëndi, fe, ide, besime dhe shpirtra… maturia e tij gjatë fitoreve, ambicia e tij e cila në tërësi i kushtohej një ideje e kurrsesi krijimit të një mbretërie; lutjet e tij të pambarim, bisedat mistike me Perëndinë, vdekja dhe triumfi i tij pas vdekjes; të gjitha këto dëshmojnë jo për mashtrim por për bindje të fortë që i dha fuqi për të restauruar një dogmë. Kjo dogmë ishte dyshtresore: Bashkimi i Perëndisë dhe jomaterialiteti i Perëndisë; e para, për të treguar ç’është Perëndia, kurse e dyta, çka nuk është Perëndia; njëra duke mënjanuar perënditë e rreme me shpatë, kurse tjetra duke filluar një ide me fjalë.
Lamartine, Histoire de la Turquie, Paris, 1854, vol. II. pp. 276-277.
“Përhershmëria e jo propagandimi i fesë së tij është ajo që meriton interesimin tonë; është ruajtur përshtypja e njëjtë e pastër dhe e përkryer të cilën ai e farkoi në Mekke e në Medine, pas revolucioneve 1200 vjeçare të ithtarëve të rinj indianë, afrikanë dhe turq të Kur’anit… Muhammedanët kanë përballuar në tërë orvatjen për redukimin e objektit të besimit dhe të besnikërisë së tyre në nivel me ndjenjat dhe me imagjinatën e njeriut. “Unë besoj në një Perëndi dhe në Muhammedin – Të Dërguarin e Perëndisë”, - është predikimi i thjeshtë dhe i pandryshuar i Islamit. Imazhi intelektual i Hyjnisë asnjëherë nuk është dërguar me ndonjë idhull të dukshëm. Nderimet e Pejgamberit kurrë nuk e kanë kapërcyer masën e virtytit njerëzor, kurse parimet jetësore të tij e kanë mbajtur mirënjohjen e ithtarëve të vet brenda kufijve të arsyes dhe të fesë”.
Edward Gibson and Simon Ocklay, History of the Saracen Empire, London, 1870, pp. 54.
“Ai ishte Qesari dhe Papa i mishëruar në një trup, mirëpo ai ishte Papë pa pretendimet e Papës, Qesar pa legjionet e Qesarit; pa armatë të rregullt, pa truprojë, pa pallat, pa të ardhura të caktuara. Po qe se dikush ka pasur të drejtë të thotë se ka sunduar me të Vërtetën hyjnore, atëherë ai ka qenë Muhammedi, pasi që kishte fuqi të pakufishme pa instrumentet e saj dhe pa u mbështetur në të”.
Bosworth Smith, Mohammed and Mohammadanism, London, 1874, pp. 92.
“Është e pamundur që çdonjëri që e studion jetën dhe karakterin e Pejgamberit të madh të Arabisë, e që di se si mësoi dhe jetoi ai, të ndiejë diç tjetër pos respektit të thellë ndaj tij, njërit nga përcjellësit e mëdhenj të porosive Të të Lartmadhërishmit. Edhe pse me këtë që e shtroj para jush do të them shumë gjëra të cilat për shumë njerëz tashmë janë të njohura, prapëseprapë sa herë që i rilexoj ato, më kaplon një ndjenjë e re admirimi dhe respekti ndaj mësuesit të madh arab”.
Annie Besant, The Life and Teachings of Muhammad, Madras, 1932, pp. 4.
“Gatishmëria e tij për të përjetuar persekutime për shkak të besimit, karakteri dhe morali i lartë i njerëzve që i besonin dhe që e konsideronin udhëheqës, si dhe madhështia e të arriturave të përnjëhershme, dëshmojnë për integritetin e tij fundamental. Ta konsiderosh Muhammedin mashtrues, më shumë shkakton probleme se sa që i zgjidhë ato. Aq më tepër, asnjë personalitet i madh historik nuk është ndriçuar më zbehtë në Perëndim se sa Muhammedi”.
W. Montogmery, Mohammad at Mecca, Oxford, 1953, pp. 52.
“Muhammedi, njeriu i frymëzuar që themeloi Islamin, u lind rreth vitit 570 të erës së re në një fis arab që i adhuronte idhujt. Pasi mbeti jetim që nga lindja, ai gjithmonë qe i kujdesshëm posaçërisht ndaj varfanjakëve dhe ndaj nevojtarëve, ndaj të vejave dhe ndaj të shtypurve. Në moshën njëzetvjeçare ai ishte afarist i suksesshëm dhe së shpejti u bë udhëheqës i karvaneve me deve për një grua të vejë e të pasur. Kur i mbushi njëzet e pesë vjet, punëdhënësja e tij duke ia njohur meritat, i propozoi martesë. Edhe pse ishte 15 vjet më e vjetër, ai u martua me të dhe gjatë tërë jetës mbeti burrë besnik.
Gati si çdo pejgamber i madh para tij, Muhammedi nuk dëshironte të shërbejë si përcjellës i fjalëve të Perëndisë, duke ndier se nuk ishte përkatës për një gjë të tillë. Mirëpo, engjëlli i dha urdhër: “Lexo!” Me sa dimë deri tash, Muhammedi nuk dinte shkrim e lexim, por filloi t’i diktojë fjalët e frymëzuara të cilat së shpejti do ta revolucionarizojnë një segment të gjerë tokësor: “Ekziston vetëm një Perëndi”.
Në të gjitha gjërat Muhammedi ishte thellësisht praktik. Kur vdiq i biri i tij i dashur, Ibrahimi, pasoi zënia e Diellit dhe me të shpejtë u përhapën fjalët për ngushëllimin personal të Perëndisë, me ç’rast për Muhammedin thuhet të ketë deklaruar: “Zënia e Diellit është fenomen natyror. Është marri të ndërlidhen këto gjëra me vdekjen a lindjen e njeriut”.
Kur vdiq vetë Muhammedi, pati tentim që atë ta ngrenë në cilësinë e hyjnive, por njeriu që duhej të bëhej pasardhësi i tij administrativ, e zhduku këtë histori me njërin nga fjalimet më madhështore në historinë fetare. ”Nëse ndonjëri prej jush e ka adhuruar Muhammedin, ai ka vdekur. Por, nëse Perëndia është ajo të cilën e keni adhuruar, ajo jeton përherë”.
James A. Michener, Islam: The Misunderstood Religion, në The Reader’s Digest (American Edition), Maj 1955, pp. 68-70.
“Vënia e Muhammedit në krye të listës së personaliteteve më me ndikim në botë mbase mund t’i befasojë disa lexues, e të tjerët t’i bëjë të pyesin për një rangim të tillë, por ai ishte njeriu i vetëm në histori i cili ishte bindshëm më i suksesshëm si në aspektin fetar, ashtu edhe në atë profan”.
Michael H. Hart, The 100: A Rankino of the Most Influential Persons in History, New York: Hart Publishing Company, Inc. 1978, pp. 33.
Përktheu nga anglishtja:
Ylvi Durguti