Pas ligjit per shamite qendron frika

Artikulli është botuar në Le Monde, më 22 Shkurt 2004


1. Një ditë prej ditësh, disa republikane e republikanë të mirë argumentuan se u dashka një ligj për ndalimin e gjithë shamive mbi flokët e vajzave. Fillimisht në shkolla, më pas diku tjetër, mundësisht gjithkund. Thashë gjë, një ligj? Një ligj! Presidenti i republikës ish një politikan sa i limituar aq dhe i pashqitshëm. I zgjedhur totalitarisht prej 82% e votuesëve, ndër ta edhe gjithë socialistët, njerëz midis të cilëve rekrutoheshin edhe republikane(ë)t e mirë në fjalë, u përkul me nderim: një ligj, po, një Ligj kundër atyre pak mijë vajzave të reja që e vënë të lartpërmendurën shami përmbi flokët e tyre. Qeroset, zgjebëset! Edhe myslimane, pale! Dhe kështu, edhe një herë nga fillimi, në vazhdën e kapitullimit të Sedan-it, të Pétain-it, të luftës së Algjerisë, të shtirjeve të Mitterrand-it, të ligjeve perfide kundër puntorëve pa letra, Franca shastisi botën. Pas tragjedive, farsa.

2. Po, Franca gjeti më në fund një problem të denjë për përmasat e saj: shaminë në kokën e ca vajzave. Tashmë mund të themi se, dekadenca e këtij vendi është ndalur. Dyndja myslimane, diagnostikuar prej kohësh nga Le Pen-i, konfirmuar sot nga intelektualë të padyshimtë, ka gjetur kujt t’i flasë. Beteja e Poitiers-së nuk ish veçse një gotë birrë mes shokësh, Charles Martel-i, një figurant me thikë gome. Chirac-u, socialistët, feministët dhe intelektualët e Iluminizmit të kapur prej islamophobisë do ta fitojnë betejën e shamisë. Nga Poitiers tek shamia, rezultati është i mirë, progesi i konsiderueshëm.

3. Kauza e madhe lyp të tjerë argumentë. Për shembull: shamia lipset të ndalohet sepse shenjon pushtetin e meshkujve (babai, vëllai i madh) në këto gra e vajza. Përjashtohen atëherë të gjitha ato që këmbëngulin ta mbajnë. Përfundimi: këto gra e vajza shtypen. Aherë, duhen ndëshkuar. Pak a shumë sikur të thoshim: “Kjo grua është përdhunuar, ta burgosim”. Shamia është aq e rëndësishme sa meriton një logjikë me aksioma të rinovuara.

4. Ose, në të kundërt: janë ato që duan ta mbajnë lirisht të mallkuarën shami, rebelet, lojëcaket! Aherë, do të ndëshkohen. Një minutë: nuk qenka shenjë shtypjeje nga meshkujt? Babai, vëllai i madh nuk kanë të bëjnë fare me këtë? Për cilën arsye duhet ndaluar, aherë, kjo shami? Sepse është shenjë e përtejdukshme fetare. Këto lojëcake e shfaqin « dukshëm » besimin e tyre. Me një këmbë të rini!

5. Ose është babai e vëllai i madh dhe shamia duhet shkulur sipas perspektivës feministe. Ose është besimi i vajzës dhe shamia duhet shkulur sipas perspektivës “laike”. Shami të mirë s’ka. Kokë zbathur! Kudo! Gjithë bota le të dalë, thoshim qëmoti - edhe jo myslimanët e thoshin – “kokë zbuluar”.

6. Mbani vesh mirë se, babai e vëllai i madh i vajzës me shami nuk janë thjesht figurantë familialë. Shpesh e nënkupotjmë, herë e deklarojmë: babai është një copë puntor, një i qyqar “i ardhur nga fshati” taze, futur të punojë në zinxhir në uzinat e Renault-së. Arkaik. Por budalla. Vëllai i madh, spaçator bari. Modern. Por i korruptuar. Periferi të frikshme. Klasa të rrezikshme.

7. Feja myslimane vjen e i shtohet peshës së feve të tjera, dhe më e keqja: në këtë vend, është edhe fe fukarenjsh.

8. Përfyryrojmë drejtorin e një liceu, shoqëruar nga një skuadër inspektorësh të armatosur me centimetra, gërshërë, libra jurisprudence: nisen të verifikojnë në dyert e shkollës nëse shamitë, kipat e kapelet e tjera janë “të dallueshme”. Kjo shamia e madhe sa një pullë poste lidhur në topuz? Kjo kipa si një monedhë dy euroshe? E dyshimtë, shumë e dyshimtë. E vogla mundet fare mirë të jetë pjesa e dukshme e së madhes. Por, çfarë shoh? Kujdes! Një kapele të lartë! Aime! Mallarmé, kur u pyet për kapelet e larta, e tha: “Kushdo që e mban një të tillë nuk mundet dot ta heqë. Bota do të soste, jo kapelja.” Dukshmëri e përjetëshme.

9. Laiciteti. Parim inoksidabël! Liceu para tre apo katër dekadash: ndalohej përzierja e gjinive në klasa, pantallonat të parekomandueshme për vajzat, katekizëm, priftërinj. Komunioni solemn, me djemtë me fashë të bardhë në krah e me çupërlinat nën vello tyli. Vello të vërtetë, jo shami. Edhe doni të ma shisni si kriminale këtë shami? Pikërisht këtë shenjë distace, trazimi, kapërthimi të së këtushmes? U dashkan përjashtuar këto zonjusha që ndërlidhin kaq ëmbël të djeshmen dhe të sotmen? Hajde tani, lëreni të grijë makinën e mishit kapitaliste. Cilatdo qofshin vatjet e ardhjet, pendesat, prurjet e largëta punëtore, ajo do të dijë t’i zëvendësojë zotët e vdekur të feve me Molokun e dhjamur të mallrave.

10. A nuk është ndërkaq feja e vërtetë masive ajo e tregtise? Krahas së cilës myslimanët e bindur duken si minoritet asketik? Nuk është shenjë e dukshme e kësaj feje degraduese fakti që mund të lexojmë mbi pantallona, atlete, tee-shirt: Nike, Chevignon, Lacoste,... Nuk është më meskine të shkosh në shkollë si një grua sanduiç trustesh se sa si një besimtare në Zot? Për t’i qëlluar në zemër shënjestrës, për t’i parë gjërat tamam, e dimë ç’na lipset: një ligj kundër markave. Futju punës, Chirac. Të ndalojmë pa u trembur shenjat e dukshme të Kapitalit.

11. Ndriçomëni. Racionaliteti republikan dhe feminist i pjesës që shfaqim prej trupit dhe pjesës që nuk shfaqim, në vende të ndryshme dhe epoka të ndryshme, cili është? Nuk di që në ditët tona, dhe jo vetëm në shkolla, të tregohen thithat e gjoksit apo ballukja pubike, as veglat. Duhet vallë të nxehem që këto pjesë i “fshihen vështrimit”? Duhen dyshuar vallë bashkëshortët, dashnorët, vëllezërit e mëdhenj? Vetëm pak kohë më parë në fshtatrat tona, në Siçilinë e ditëve të sotme e gjetiu, vejushat mbajnë shami të zeza, çorape të errëta, maramanë. S’është e nevojshme të jesh e veja e ndonjë terroristi islamik për këtë.

12. I habitshëm tërbimi që i rezervojnë kaq shumë zonja feministe vajzave me shami, deri aty sa t’i luten të gjorit president Chirac, sovietikut me 82%, t’i dënojë në emër të Ligjit, ndërkohë që trupi i prostituar femëror gjendet kudo, pornografia më poshtëruese shitet universalisht, këshillat për ekspozimin seksi të trupit mbushin bujarisht hapësirat e faqeve të revistave për adoleshentë.

13. Shpjegimi i vetëm: vajza lipset të tregojë ç’ka për të shitur. Duhet të ekspozojë mallin. Duhet të bëjë të ditur se, tashmë qarkullimi i grave i bindet modelit të përgjithësuar, jo shkëmbimit të kufizuar. Kush pyet për baballarët e vëllezërit mjekroshë! Rroftë tregu planetar! Modeli, është top modeli.

14. Besonim se ish mirëkuptuar që e drejta e paprekshme e gruas është që ajo të zhvishet vetëm përpara syve të atij (ose asaj) që ajo zgjedh. Por, jo. Është detyrë ta sugjerosh zhveshjen në çdo çast. Kushdo që e mban mbyllur mallin për treg nuk është tregtar besnik.

15. Mbrojmë këtë, çka është bash e habitshme: ligji për shaminë është një ligj i pastër kapitalist. E urdhëron feminitetin të ekspozohet. Me fjalë të tjera, qarkullimi sipas paradigmës tregtare të trupit femëror, është i detyrueshëm. Ai ndalon në thelb - dhe për adoleshentët, zonën e ndjeshme të gjithë universit subjektiv – çdo rezervë.

16. Gati kudo thuhet se “mbulesa” është simboli i patolerueshëm i kontrollit të seksualitetit femëror. Pse vërtet imagjinoni se, nuk kontrollohet ditëve të sotme në shoqëritë tona, seksualiteti femëror? Ky naivitet do e kish bërë Foucault-në të qeshë. Kurrë nuk është treguar kaq imtësisht kujdes për seksualitetin femëror, gjithë ato këshilla të dijshme, gjithë ato diskriminime higjenike midis përdorimit të mirë e të keq të Kënaqësisë, kthyer në një detyrim të frikshëm. Ekspozimi universal i pjesëve të supozuara eksituese, një detyrë e ngurtësuar më tepër se e urdhëruar e moralit të Kantit.

Sakaq, midis slloganit “Shijoni, gra!” të fletushkave tona dhe detyrimit “Mos shijoni!” të stërgjysheve tona, Lacan-i vendosi kaherë isomorfinë. Kontrolli tregtar është më i qëndrueshëm, më i sigurt, më masiv se ç’mund të ketë qenë ndonjëherë kontrolli patriarkal. Qarkullimi i përgjithësuar prostitucionist është më i shpejtë dhe më i sigurt se mbylljet vështirësuese familjare, mundja e të cilave, midis komedisë greke dhe Molierit, ka shkrepur të qeshura për shekuj të tërë.

17. Mami dhe kurva. Vende të caktuara bëjnë ligje reaksionare për mamin e kundër kurvës, të tjera, ligje progresiste për kurvën e kundër mamit. E megjithatë, altenativës i ndalohet të flasë.

18. Jo detyrimisht me “as kjo, as ajo”, që vazhdon të përtërihet në terrenin neutral (në qendër, si François Bayrou?) të cilin pretendon se e kundërshton. “As nënë as kurvë” ngjall pak trishtim. Si “as kurvë as e nënshtruar”, lëvizje ndërkaq absurde: përgjithësisht, “kurva” nuk është e nënshtruar, e çfarë se? Kaherë i quanim të respektueshmet. Publikisht të nënshtruara, me një fjalë. Sa për “të nënshtruarat”, ndoshta janë vetëm kurva private.

19. Po aty kthehemi: armiku i mendimit sot, është prona, tregtia, gjërat si shpirtrat, jo besimi. Të themi më mirë se, është besimi (politik) ai që mungon më shumë. “Rritja e integrizmës” nuk është veçse pasqyra në të cilën Perëndimorët e ngopur shohin me tmerr efektet e rrënimit të ndërgjegjeve, rrënim të cilin vetë e drejtojnë. Dhe veçanërisht shkatërrimin e mendimit politik, të cilin ngado përpiqen ta organizojnë, herë nën petkun e demokracisë së pakuptimtë, herë me furnizime parashutistësh humanitarë. Në këto kushte, laiciteti, i cili pretendohet t’i shërbejë dijeve, nuk është veçse një rregull shkollor për respektin ndaj konkurrencës, stërvitje për normat “perëndimore” dhe armiqësi ndaj çdo bindje. Shkolla e konsumatorit kuller, e tregëtisë së lehtë, e pronarit të lirë dhe votuesit të zhgënjyer.

20. Kurrë nuk do të kalojmë mjaftueshëm në ekstazë me trajektoren e këtij feminizmi unikal që, nisur për të liruar gratë, sot predenton se kjo “liri” është aq të detyrueshme sa të kërkojë përjashtimin e vajzave (dhe asnjë djali!) për shkak të paraqitjes në veshje.

21. Gjithë zhargoni i shoqërisë rreth “komuniteteve” dhe përleshjes sa metafizike aq dhe të ekzaltuar midis “Republikës” dhe “komunitarismave”, është krejtësisht i kotë. T’i lëmë njerëzit të rrojnë si të duan, ku të munden, të hanë atë që hanë zakonisht, të mbajnë turbanë, fustane, mbulesa, minifunde, kastanjeta, të përkulen gjithë ditën para zotave të lodhur, të fotografojnë njëri-tjetrin në përkulje e sipër apo të flasin me zhargone piktoreske. Këto lloj “diferencash” nuk bartin më të voglin mesazh universal, as e pengojnë mendimin, as e mbrojnë atë. Nuk ka asnjë arsye atëherë, as për t’i respektuar, as për t’i sharë. “Tjetri” – sikurse dhe thonë pas Levinas-it amatorët e teologjisë diskrete dhe moralit portativ – të jetojë pak ndryshe, ja një konstatim pa firo.

22. Sa për faktin se kafshët njerëzore grupohen sipas prejardhjes, është një rrjedhojë natyrore dhe e paevitueshme e kushteve shpesh të këqija të mbërritjes. Vetëm kushëriri mundet, ose bashkëfshatari, të mirëpresë, do s’do, në strehën e periferisë Saint Ouen Lëmosha. Kinezët të shkojnë atje ku ka ndërkaq kinezë, lipset të jesh i trashë për të formalizuar më tej.

23. I vetëmi problem me këto “diferenca kulturore” e këto “komunitete” nuk është sigurisht ekzistenca e tyre sociale, e habitatit, punës, familjes apo shkollës. Është se emrat e tyre janë të pavlefshëm atëherë kur bëhet fjalë për çështje të vërteta, qofshin ato të artit, shkencës, dashurisë dhe, mbi të gjitha, të politikës. Që jeta ime prej kafshe njerëzore të mbruhet me veçanti, ky është rregulli i gjërave. Që kategoritë e kësaj veçantie të pretendohen universale, duke u marrë seriozisht me Subjektin, kjo është rregullisht shkatërrimtare. E rëndësishme është ndarja e predikatëve. Mund të merrem me matematikë i veshur me pantallona të verdha kalërimi dhe mund të militoj për një politikë nënprodukt të “demokracisë” elektorale me flokë me Rasta. As teorema s’është e verdhë (apo jo e verdhë), as fjala që na mbledh s’ka gërshet. E aq më pak mungesë gërshetash.

24. Kur thonë se shkolla kërcënohet shumë prej një veçantie aq të parëndësishme sa shamia e disa vajzave, ndillen dyshime se nuk bëhet fjalë kurrë për të vërtetën. Por për opinione, të ulta dhe konservatore. Nuk i dëgjuam vallë politikanët dhe intelektualët të pohojnë se, para së gjithash shkollën e kemi për të “përgatitur ndërgjegje qytetare”? I errët program. Në ditët dona, “qytetari” është shijues i hidhëruar, i kapur pas një sistemi politik në të cilin çdo ngjashmëri me të vërtetën është e përjashtuar.

25. Nuk janë vallë të shqetësuar, si lart ashtu dhe poshtë, që shumë vajza me orgjinë algjeriane, marokene e tuniziane, me topuzin shtrënguar fort, hijerënda në fytyrë, punëtore të shfrenuara, po thurin, bashkë me ca kinezë jo pak të sulmuar në universin familiar, krerët e frikshëm të klasës? Në ditët tona, lipsen sakrifica të numërta. Mundet që Ligji i sovjetikut Chirac të sjellë përjashtimin e dhunshëm të disa nxënëseve të shkëlqyera.

26. “Shijoni pa fre”, ky gomarllëk i ‘68, nuk arriti kurrë të vërë në funksion me regjim të lartë motorrin e dijeve. Një dozë e caktuar asketizmi vullnetar, arsyen e thellë e njohim prej Freud-it, nuk është i huaj për fqinjët e mësimdhënies apo të paktën ndonjë fragment i ashpër për të vërtetat efektive. Kështu që, një shami, tek e fundit, mund të hyjë në punë. Atje ku ndërkaq patriotizmi, alkool ky i fortë për nxënie, shfaqet krejtësisht difektoz, çdo idealizëm, edhe i paketuari për import, është i mirëpritur. Të paktën për ata që mendojnë se shkolla nuk është bërë për të “përgatitur” qytetarë-konsumatorë.

27. Në të vërtetë, Ligji shamior shpreh veçse një gjë: frikën. Në përgjithësi perëndimorët, francezët në vençanti, nuk janë veçse një grumbull të frikësuarish që dridhen. Nga se kanë frikë? Nga barbarët, si gjithmonë. Ata të brendshmit, “të rinjtë e periferive”; ata të jashtmit, “terroristët islamikë”. Përse kanë frikë? Sepse janë fajtorë, por hiqen të pafajshëm. Fajtorë se, qysh prej viteteve 1980, kanë refuzuar dhe tentuar të shfarosin çdo politikë emancipimi, çdo arsye revolucionare, çdo pohim të vërtetë të gjërave sikuse janë. Fajtorë sepse të kapur pas privilegjeve të tyre të vogla. Fajtorë sepse nuk janë veçse fëmijë të plakur që luajnë me ato që blejnë. E pra kjo është, “janë plakur në një fëmijëri të gjatë”. Kësisoj, kanë frikë prej kujtdo më pak plak se ata. Për shembull, nga një zonjushë kokëfortë.

28. Por mbi të gjitha, Perëndimorët në përgjithësi dhe francezët në vençanti kanë frikë nga vdekja. As që u shkon ndërmend që një Ide mund të vlejë aq sa të merret për të rreziku në sy. “Zero të vdekur”, kjo është dëshira më e rëndësishme e tyre. Megjithatë, e shohin se kudo në botë miliona njerëz nuk kanë asnjë arsye t’i tremben vdekjes. E midis tyre, shumë, pothuaj çdo ditë, vdesin në emër të një Ideje. Për “të civilizuarin”, ky është burimi i brendshëm i terrorit.

29. E di mirë që Idetë për të cilat pranojnë sot të vdesin përgjithësisht, nuk vlejnë shumë. I bindur se gjithë zotat janë tërhequr prej kohësh, më vjen keq që djem të rinj, vajza të reja, copëtojnë trupat në masakra të tmerrshme nën thirrjen mortore të atij që prej shumë kohësh nuk është më. Di po ashtu se instrumentalizohen, këta “martirë” të frikshëm, nga komplotistë pak të dallueshëm nga ata që pretendojnë të vrasin. Kurrë nuk përsëritet mjaftueshëm se Ben Ladeni është krijesë e shërbimeve amerikane. Nuk kam naivitetin të besoj në pastërtinë, as në madhështinë, as në cilindo efikasitet, të kasaphaneve vetëvrasëse.

30. Por, them se ky çmim i tmerrshëm i paguhet fillimisht shkatërrimit në detaj të gjithë racionalitetit politik nga dominuesit në Perëndim, ndërmarrje të cilën e praktikuan po aq gjërësisht sa dhe bollëkun, në Francë konkretisht, lidhjet intelektuale dhe popullore. Donit të shfarosnit me shfrenim edhe kujtimin e Idesë së revolucionit? Të çrrënjosnit çdo përdorim, edhe alegorik, të fjalës “punëtor”? Mos u qani për rezultatin. Shtrëngoni dhëmbët e vritini fukarenjtë. Ose lërini t’i vrasin miqtë tuaj amerikanë.

31. Kemi luftërat që meritojmë. Në këtë botë të përshkuar nga frika, banditët e mëdhenj bombardojnë pa mëshirë vendet e dobëta. Banditët e mesëm praktikojnë vrasjen me shënjestër të kujdo që i bezdis. Banditët e vegjël fare bëjnë ligje kundër shamive.

32. Do thonë, gjysma e së keqes. Sigurisht. Gjysma e së keqes. Përpara zjarrit të Gjykatës së Historisë, do përfitojmë për rrethana lehtësuese: “Specialist në krehje flokësh, luajti në këtë mesele vetëm një rol figuranti”.

Alain Badiou është filosof, shkrimtar dhe profesor në Ecole Normale Superieure.

Shqiperoi: Nermin Begzade.

http://www.facebook.com/notes/ezani-nalte/pas-ligjit-per-shamite-qendron-frika/10150221948410121

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme