Çka po ndodh në KK të Prishtinës dhe në banana-republikën tonë?

Ka kohë që në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe në banana-republikën tonë po aplikohen standarde të dyfishta ndaj qytetarëve. Në kohen kur katedralja me përmasa gjigante çdo ditë e më shumë po e merr formën e vet në qendër të qytetit, ndërtimi i së cilës ishte legjitimuar vite më parë nga KK i Prishtinës, po i njëjti kuvend së fundi ka marrë iniciativën me qëllim për nxjerrjen e një vendimi për ndalimin e shkollimit të nxënëseve të mbuluara nga shkollat fillore dhe të mesme publike në këtë komunë.

Po kështu, kjo klasë politike edhe më herët kishte marrë vendimin për ndalimin e ndërtimit të Qendrës Islame në Prishtinë, megjithëse ishte dhenë leja dhe pati filluar ndërtimi i saj. Prej kohës së anulimit të ndërtimit të Qendrës Islame, Komuna e Prishtinës ende nuk e lejon dhe nuk e ofron hapësirën për ndërtimin e saj, kurse tani po bën përpjekje për ndalimin e vajzave të mbuluara nga shkollat publike.

Është shumë paradoksale të ndalohet mbulesa në shkollat publike, sikur edhe moslejimi i ndërtimit të Qendrës Islame në emër të laicizmit, por që në anën tjetër, duke aplikuar standarde të tjera të lejohet ndërtimi i katedrales në mes të Prishtinës, kurse qytetarët serb të Kosovës në enklavat e tyre vazhdojnë të aplikojnë orën mësim-besimit pa u penguar fare nga institucionet e banana-republikës. Çfarë mund të thotë dhe si mund t’i quaj njeriu që ka mendje dhe logjikë të shëndoshë këto veprime? Kurrsesi ndryshe, veçse si standarde të dyfishta.

Prandaj iniciativa për vendime tilla nga komunarët e Prishtinës në dëm të besimtarëve islam janë të papranueshme, sepse janë të padrejta, dhe përveç që janë të padrejta janë edhe diskriminuese, sepse të gjithë duhet të trajtohen njësoj. Si të tilla, këto veprime janë qartazi provokime dhe aplikim i standardeve të dyfishta. Ose nëse nuk janë të tilla, atëherë çfarë vallë tjetër janë?!

Mund të themi lirisht se muslimanët në Kosovë edhe pse e përbejnë shumicën e popullatës, si pasojë e heshtjes me vite me radhë për kërkimin e të drejtave të tyre legjitime, sot janë kategoria shoqërore më e diskriminuar, më e shkelur dhe më dëmtuar në këtë farë banana-republikën tonë.

Por si duket, kjo iniciativë e padrejtë dhe diskriminuese e ka zgjuar e vetëdijesuar përfundimisht edhe Bashkësinë Islame të Kosovës, e cila përmes imamëve të xhamive të saj në xhumanë e fundit reagoi ndaj iniciativës së Kuvendit Komunal të Prishtinës në lidhje me përpjekjet për ndalimin e nxënëseve nga shkollat fillore dhe të mesme publike, vetëm pse mbajnë mbulesë. Gjithashtu u bë me dije se nuk do të heshtet më siç është heshtur deri tani në shkeljen e të drejtave dhe lirive të besimtarëve në Kosovë dhe se do të fillojë angazhimi për mbrojtjen dhe jetësimin e të drejtave të tyre.

Çështja është se, nëse Kuvendi Komunal i Prishtinës arrin t'i ndalojë vajzat e mbuluara nga shkollat publike, Bashkësia Islame e Kosovës dhe besimtarët islam që përbejnë shumicën në Kosovë, lirisht mund të përshëndeten dhe të harrojnë se Qendra Islame do të ndërtohet ndonjëherë në Prishtinë.

Ja përse. Kur, një gjë që është kaq e thjeshtë dhe gjë elementare si e drejta e një vajze për t’u shkolluar në një shkollë publike nuk lejohet nga KK i Prishtinës, atëherë si do të mund të vijë në shprehje dhënia e hapësirës dhe lejimi i ndërtimit të një Qendre Islame, e cila për nga përmasa e saj nuk do të jetë aspak më e vogël se sa katedralja që gjendet sot në qendër të Prishtinës?!

Por me gjasë, duket se kjo edhe është prapavija e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për ndalimin e shkollimit të vajzave me mbulesa nga shkollat publike, që apriori do të zhvlerësojë edhe kërkesën e BIK-ut për ndërtimin e Qendrës Islame në kryeqytet, por edhe kërkesën për aprovimin e lëndës së edukatës fetare në shkollat publike. Tendenca e komunarëve të Prishtinës në këtë rast është më së e qartë: Të zmbrapsen të gjitha kërkesat dhe iniciativat e tilla mënjanë.

Prandaj këtu nuk është në pyetje vetëm e drejta e shkollimit dhe dinjiteti i vajzave të mbuluara, por në pyetje është edhe e ardhmja se çfarë në të vërtetë do të ndodhë me Qendrën Islame në Prishtinë, se a do të lejohet apo do të ndalohet përfundimisht ndërtimi i saj. Dhe po ashtu, përmes këtij vendimi të KK të Prishtinës, do të pësojë edhe kërkesa e BIK-ut dhe PD-së për futjen e lëndës së edukatës fetare në shkollat publike.

Prandaj mbrojtja e të drejtës së shkollimit të vajzave të mbuluara, si për BIK-un ashtu edhe për besimtarët islam në përgjithësi, ka një peshë të madhe, sepse në këtë kauzë të drejtë, përveç rrezikimit të humbjes së drejtës së shkollimit të atyre vajzave, tani po rrezikohen seriozisht edhe dy projekte madhore: E para, projekti për ndërtimin e Qendrës Islame në Prishtinë dhe e dyta, përpjekja tash e sa kohë e BIK-ut, PD-së dhe e besimtarëve islam për aprovimin e lëndës së edukatës fetare në shkollat publike.

Nëse humbet e drejta e vajzave për shkollim si pasojë e këtij vendimi të KK të Prishtinës, atëherë do të humbë edhe sensi i kërkesës për ndërtimi e Qendrës Islame në kryeqendër dhe po ashtu do të pësojë goditje të fortë edhe iniciativa e deritanishme për futjen e lëndës së edukatës fetare në shkollat publike. Në atë rast, humbjet do të jenë të pallogaritshme. Shoqëria jonë do të vazhdojë të degradohet edhe më shumë.

Prandaj BIK-u duhet të vazhdojë me iniciativën që edhe në xhumatë e ardhshme të njoftojnë dhe të sensibilizojë nëpër xhamitë e Kosovës të gjithë besimtarët islam me problematikat në fjalë, që kanë të bëjnë me të drejtat elementare të tyre, derisa ato të mos cenohen dhe të realizohen në tërësi. Gjithashtu është koha që seriozisht të mendohet edhe për protesta paqësore masive, para së të merret ndonjë blic-vendim nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Këtyre provokimeve duhet t’i dalin të gjithë qytetarët përballë, në mënyrë që të ndërpriten fushatat agresive dhe diskriminuese ndaj muslimanëve në Kosovë. Sepse në pyetje është edhe dinjiteti ynë si njerëz dhe shumëçka tjetër në pyetje. Në të kundërt, jeta në këtë farë banana-republikën tonë të dashur do të bëhet edhe më e ngushtë dhe do të rendohet edhe më shumë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme