Historiku i këtij kontesti pak a shumë të gjithëve na është i njohur, andaj pikësynimi i këtij shkrimi nuk është të merremi me historikun dhe me natyrën e problemit në fjalë, sa me ngjarjen më të re që e solli përsëri këtë kontest në top-lajmet e të gjitha mediave botërore dhe me konsekuencat që i ka kjo ngjarje në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Na është e njohur shumë mirë se para disa ditëve ushtria izraelite sulmoi një konvoj humanitar me disa anije në të cilat ishte grumbulluar ushqim, ilaçe e veshmbathje për banorët e Gazës. Konvoi humanitar përbëhej nga një delegacion që përbënte aktivistë të mbi 30 shteteve të ndryshme me prejardhje të ndryshme etnike, fetare racore e tjetër, por që të gjithë ata i bashkonte një ideal, ai i humanizmit dhe solidaritetit. Megjithatë epilogu i atij aksioni ishte me 9 persona të vdekur.
Vështruar nga aspekti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i realpolitikës, ky është një moment që mund të bëjë kthesë të madhe në zgjidhjen e këtij kontesti disa dhjetëvjeçarë. Jo se aksione të tilla kjo ushtri nuk ka ndërmarrë edhe më herët, sepse mirë e dimë se janë bërë shumë ndërhyrje luftarake me shumë viktima, duke sulmuar edhe kampe të refugjatëve e duke vrarë me qindra fëmijë, gra e të sëmurë, megjithatë ky problem assesi nuk zgjidhej dhe mbetej në kornizat e vendosura qëkur ishte krijuar si problem. Parashtrohet pyetja se cilat janë karakteristikat e rastit të fundit dhe si mund të dalë ky problem kësaj radhe nga konteksti që shtjellohet me vite të tëra?
Nëse problematikën e këtij kontesti e vështrojmë kronologjikisht, do të shohim se në sajë të marrëdhënieve ndërkombëtare ky problem është vendosur në kornizën e problemit të brendshëm të shtetit izraelit dhe të gjitha orvatjet për zgjidhjen e këtij problemi janë bërë me ndërmjetësues e lehtësues të ndryshëm, që mundoheshin të gjejnë njëfarë zgjidhje më të qëndrueshme, por të gjithë jemi dëshmitarë se kjo nuk ka ndihmuar gati aspak për t’u arritur ai qëllim. Dallimi i këtij rasti nga intervenimet e tjera qëndron në faktin se tashmë kemi edhe një palë të tretë që futet në problematikë dhe bashkë me të po bëhet internacionalizimi i këtij problemi. Brenda për brenda termit “pala e tretë” qëndron edhe një kompleksitet tjetër që më duhet ta shtjelloj për ta argumentuar qëndrimin se kësaj radhe kontesti palestinezo-izraelit do të zhvendoset nga sfera bilaterale (si dy palë) ose nga sfera e problemit që ka një shtet brenda territorit të vet (principi ndërkombëtar i mospërzierjes në punët e brendshme të një shteti), duke e transferuar atë në sferën multilaterale (përfshirja e palës së tretë) ose në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtarë. Dy fakte janë themelore për ta shtjelluar “palën e tretë”: i pari është argumenti i përfshirjes së Turqisë i cili ishte në njëfarë mënyre organizator i këtij aksioni humanitar dhe i cili ka humbur 9 shtetas të tij në këtë aksion, me çka në mënyrë të drejtpërdrejtë futet si palë e tretë në këtë problem dhe, i dyti, vetë përbërja e konvojit humanitar dhe mënyra e organizimit. Në fakt, ky konvoj ishte një lloj “mini OKB-je” (nëse merret parasysh diversiteti i ndryshëm etnik, religjioz, kulturor e racor i pjesëmarrësve), andaj me sulmin ndaj këtij konvoji në fakt është sulmuar edhe vetë sistemi i OKB-së që për 60 vite tërë bashkësia ndërkombëtare po mundohet ta krijojë duke hartuar rregulla e ligje (konventa dhe rekomandime), të cilat duhet të respektohen nga të gjithë nëse duam që të gjithë së bashku ta ruajmë paqen në botë. Në këtë kontekst një nga konventat e OKB-së është se asnjë konvoj humanitar nuk mund të sulmohet, pa marrë parasysh se cilit vend apo cilit popull i është dedikuar, aq më pak kur konvoji sulmohet në ujëra ndërkombëtare, ku asnjë shtet nuk ka juridiksion mbi po ato ujëra. Prandaj del se aksioni në fjalë është plotësisht në kundërshtim me këto konventa dhe, në fakt, me sulmin ndaj konvojit humanitar, Izraeli ka atakuar në sistemin e OKB-së dhe të gjithë bashkësisë ndërkombëtare duke i shpallur luftë paqes në botë.
Duke pasur parasysh faktet e lartpërmendura dhe konstelacionet që reflekton kjo situate e re e posakrijuar, mund të konstatojmë se me kryerjen e aksionit në fjalë janë lëkundur shumë BARASPESHA: së pari, do të ndryshojë roli i Turqisë si baraspeshues mes Lindjes e Perëndimit dhe, nga ana tjetër, pritet të ridefinohet balancimi që kishte vendosur SHBA-ja mes Izraelit dhe Turqisë. Për këtë arsye kur kemi të bëjmë me lëkundjen e këtyre baraspeshave në këtë rajon aq të ndjeshëm, atëherë me siguri pritet që problemi të zhvendoset nga pika e vdekur ku po qëndron aq gjatë.
Parashikimet e realpolitikës në këso konstelacione japin indikacione se Turqia, nga njëra anë, do të marrë bajrakun e palës së tretë, e nga ana tjetër do të mundohet të jetë zëri i botës për paqe dhe për zgjidhjen e problemit në fjalë. Ajo si duket do ta përdorë gjithë kapacitetin e saj diplomatik me qëllim që ta zhvendosë problemin në një dimensioni krejt tjetër, në një tavolinë tjetër të bisedimeve ku pjesëmarrës aktivë nuk do të jenë vetëm përfaqësuesit izraelitë e palestinezë, por edhe palë të tjera me peshë të barabartë në bisedime, me çka do të afrohen drejt daljes nga ky labirint politik, territorial, kulturor e religjioz, në të cilin janë futur këta dy popuj me vite të tëra.