
Hyrje
Gjysma e dytë e shekullit XIX, sidomos para dhe pas Lidhjes së Prizrenit, për shqiptarët paraqet një ndër periudhat më të rëndësishme gjatë dy shekujve të fundit në pikëpaje nacionale, religjioze, gjeostrategjike e të tjera. Nga një vend relativisht i qetë, trojet shqiptare, sidomos Prizreni me rajon, u bënë epiqendër e zhvillimeve dhe kthesave të bujshme politike, ushtarake, kulturore etj..
Për historinë e Lidhjes së Prizrenit, historianë, por edhe shkencëtarë të fushave të tjera në Shqipëri, Kosovë dhe jashtë, kanë bërë një varg studimesh, por duke trajtuar vetëm segmente të saj. Kjo gjendje mbizotëron që nga rënia e Perandorisë Osmane e deri në fillim të shekullit XXI.[2]
Ndonëse as ky shkrim nuk synon ta përmirësojë këtë gjendje, megjithatë më tepër synon ta aktualizojë temën nga pikepamje më objektive, pa fragmentarizime, thjesht të jetë më afër ndodhive që kanë ekzistuar në kohën kur Lidhja e Prizrenit u formua, kulmoi dhe veproi.
Shqyrtime paraprake
Çka i parapriu Lidhjes së Prizrenit?
Për pyetjen e parashtruar intelektualët dhe hulumtuesit e fushave të ndryshme, shqiptarë dhe joshqiptarë, ende nuk janë në ujdi për burimin dhe motivet e ideve patriotike te shqiptarët vendas ose te ata që banonin jashtë trojeve shqiptare[3] në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Megjithatë, mendimi i Noel Malkolmit, i cili i dallon tre grupime ose kahe politike në periudhën historike para Lidhjes së Prizrenit, kryesisht është i pranueshëm:
- Grupimi i parë, sipas tij, ishte përpjekja e malësorëve për t’i mbrojtur ose edhe për t’i zgjeruar të drejtat e tyre tradicionale të vetëqeverisjes, përballë programit të reformave osmane; në këto reforma dëshirohej të imponohet elementi vendas, si për muslimanët ashtu edhe për kristianët, si për malësorët ashtu edhe për rrafshin. Këtë shtresë Christine von Kohl-i e quan “shtresa e analfabetëve, e çifligarëve të mesëm”[4];
- Grupimi i dytë synonte krijimin e një principate autonome katolike shqiptare, të cilën e përkrahu edhe monsinjor Prenk Bibë Doda. Ai nuk do të zgjedhë mjete për ta sendërtuar këtë ide, madje për këtë qëllim do të bashkëpunojë edhe me Malin e Zi. Këtë ide e ndihmoi edhe Austro-Hungaria, por edhe arbëreshët, si politikisht ashtu edhe me armë. Mirëpo, për shkak të synimeve egoiste katolike, kjo ide dështoi. Këtë shtresë Von Kohl-i e quan si “shtresa e prijësve fisnorë dhe sunduesve feudalë, të cilët herë janë në hasmëri ndërmjet veti e herë në hasmëri me organet lokale”[5];
- Grupimi i tretë, i cili kryesisht jetonte në mërgim, që njihej si grupi i Stambollit, ku shquheshin vëllezërit Frashëri, ishte më aktivi në mesin e tyre.[6] Këtë shtresë Von Kohl e quan “shtresa e intelektualëve të arsimuar në Evropë apo në Turqi, që gëzonin nam dhe autoritet në Stamboll apo në botën arabe”.[7]
Sipas shumicës së studiuesve shqiptarë, grupimi i tretë konsiderohet flamurtar i patriotizmës shqiptare dhe ishte më i zëshmi dhe më aktivi. Ky grup do ta bartë barrën kryesore në përgatitjen dhe organizimin e tubimit të njohur në Prizren më 1878.
[]
Pse dhe si u formua Lidhja e Prizrenit?
Lidhja e Prizrenit, formimi i së cilës kulmoi më 10 qershor 1878 në Prizren nga disa prijës autoritativë fetarë e politikë të trojeve shqiptare, kurse u përkrah edhe nga krerët e popullatës muslimane shqiptare në Ballkan, erdhi si rezultat dhe pasojë i shumë faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm, por sidomos si pasojë e dobësimit të Perandorisë Osmane nga një anë dhe e synimeve gllabëruese, pushtuese dhe asimiluese e shteteve fqinje: Greqisë, Serbisë e Malit të Zi, të bëra publike sidomos në Traktatin e Shën Stefanit më 3 mars 1878, të nënshkruar midis Rusisë dhe Perandorisë Osmane[8], e njohur si Kriza Lindore[9], ku Turqia qe e detyruar ta nënshkruajë këtë marrëveshje në dëm të saj, nga ana tjetër.
“Ideja e Madhe” (Megalo idea) e kryeministrit grek Jani Koleta më 1844[10], angazhimet malazeze për aneksimin e tokave shqiptare[11], “Projekti Naçërtania” i ministrit serb Ilija Garashanin më 1844, projektet ruse për copëtimin e Perandorisë Osmane dhe synimi i tyre të sundojnë sipas shembullit të Perandorisë Bizantine[12] etj., e mohonin ekzistimin e shqiptarëve dhe synonin aneksimin e tërësishëm të tokave të tyre.[13]
Duke komentuar temën e Lidhjes së Prizrenit, Tajar Zavalani thotë: “Kongresi i Berlinit erdhë si pasojë e luftës ruso-turke të vitit 1877.” Mirëpo, ky kongres në tokat shqiptare “kumboi si rrufeja në një qiell pa re”, kështu që “krerët shqiptarë të çdo feje, race dhe kulture vrapuen në Prizren për ta organizuar rezistencën kundër Malit të Zi dhe kundër Evropës që e përkrahte.”[14]
Hulumtimet historike çojnë në përfundim se panortodoksizmi ishte mjaft aktiv dhe i organizuar në përpjekjet për copetimin dhe pushtimin e trojeve shqiptare.[15]
Burimet historike dëshmojnë se cari rus shpresonte të dominojë në Ballkan, duke i sakrifikuar vëllezërit e vegjël sllavë: “serbët, boshnjakët, malazezët e bullgarët e Maqedonisë”. Në këtë drejtim Rusia cariste bëri përgatitje të gjithanshme.[16]
1. Ders’hanja e medresesë së Gazi Mehmed pashës
Dokumentet diplomatike angleze të kohës, sikurse Peticioni i Lidhjes, i dërguar Anglisë më 1879 argumenton se “ngjarjet e fundit dhe rreziku i zhdukjes së kombësisë sonë e rriti dashurinë për atdheun aq shumë të dashur te të gjithë njerëzit e zakonshëm dhe zgjoi në malet tona idetë e përparimit dhe të qytetërimit, të cilat një popull i dëshiron për ruajtjen e ekzistencës së vet, dëshirë kjo e cila nuk mund t’i mohohet ...”.[17]
Von Kohl-i mendon se krahas kushteve të rënda politike, ekonomike, kulturore të shqiptarëve, radikalizmin e vetëdijes kombëtare shqiptare më së shumti e ka nxitur Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit.[18]
Eqrem bej Vlora, si njohës i mirë i rrethanave evropiane, bën një krahasim largpamës, duke pohuar se krijimi i Lidhjes së Prizrenit ishte “spontanisht”, “në një mënyrë qeveri popullore, e ngjashme me besëlidhjen që e krijuan në vitin 1291 kantonet zvicerane të Shvicit, Urit dhe Untervaldit”.[19]
Traktati i Shën Stefanit i shkëpuste perandorisë toka të mëdha të banuara kryesisht me shqiptarë, andaj, një gjë e këtillë shihej me tmerr, si nga shqiptarët muslimanë [20] ashtu edhe nga sulltan Abdulhamiti II, i cili jo në pak raste e kishte vënë në pah dashurinë e tij për kombin shqiptar.[21] Ai, madje, kishte bërë zakon të përsëriste se “perandoria e tij mbahej me shqiptarët dhe arabët.” [22] Qeveria qendrore në Stamboll jo vetëm që u tregua dashamirëse ndaj idesë, por mori pjesë aktive dhe në themelimin e Lidhjes në Prizren: kjo ndodhi për shkak se ishte në interes të saj të nxiste një lëvizje të drejtuar kundër kërkesave sllave, dhe, pak më vonë, edhe kundër kërkesave greke, thjeshtë të bëhej një lëvizje e rëndësishme sa të tërhiqte edhe vëmendjen e Evropës.[23] Sulltani, madje, e ftoi Sheh Mustafë Tetovën dhe Abdul bej Frashërin dhe u bëri rekomandime të caktuara. U shkroi edhe udhëheqësve të tjerë, si Ahmet efendi Korenicës, kadi nga Gjakova, Ymer Prizrenit, myderris e myfti nga Prizreni dhe Jonuz Zyhdi efendiut, myfti nga Dibra. Po ashtu, komandantëve ushtarakë në terren u dha urdhër që mos ta pengojnë Lidhjen.[24]
Krahas asaj se Sulltani ishte i interesuar që në të njëjtën kohë ta ngrinte në revoltë popullatën muslimane në Ballkan kundër Traktatit të Shën-Stefanit, të cilët do të shërbenin si një faktor më shumë për presion ndaj Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë, të cilat kërkonin të përfitojnë nga Traktati, ai dëshironte t’i bindë edhe Fuqitë e Mëdha që Perandoria kishte ende ndikim në Ballkan[25]. Po ashtu, dëshironte të përfitonte në maksimum edhe nga rivaliteti anglo-austriak kundër Rusisë[26] dhe të ruante sa më shumë të ishte e mundur nga perandoria e tij.
Ndërkaq, nga ana tjetër, duke dashur që të ndikojnë në mënyrë të tërthortë dhe t’i sabotojnë vendimet e Shën-Stefanit, Fuqitë e Mëdha fillimisht do të provokojnë zhvillimin e një konferenceje ndërkombetare të paqes, të cilën edhe pse Rusia fillimisht nuk e pranoi, më pas Fuqitë e Mëdha do ta detyrojnë në këtë.[27]
2. Harta sipas Traktatit të Shën Stefanit 1877
Britania e Madhe dhe Austria, të mbështetura nga Gjermania, Franca dhe Italia, ishin ato që kërkonin me ngulmë rishikimin vendimeve të Shën Stefanit, me qëllim të pengimit të ndikimit rus në Ballkan e rajon.[28] Kjo konferencë njihet me emrin Kongresi i Berlinit, që do të mblidhet më 13 qershor 1878, kryesisht nën presionin e Anglisë dhe Austro-Hungarisë kundër Rusisë. Megjithatë Kongresi do të synojë t’i anulojë fitoret ruse nga Shën Stefani dhe ta zvogëlojë në maksimum daljen sllave në Adriatik.[29] Por, Kongresi i Berlinit nuk solli ndonjë dobi të dukshme në llogari të trojeve shqiptare. Peter Bartl këtë e thotë kështu: “Në Kongresin e Berlinit qenë marrë parasysh interesat e të gjithë popujve të Ballkanit me një përjashtim të vetëm - të shqiptarëve.”
3. Kufijtë sipas Traktatit Shën Stefanit
Ai këtë e arsyeton me faktin se shqiptarët nuk gjetën ndonjë protektor të fortë në mesin e fuqive të mëdha për t’i mbrojtur interesat e tyre, por edhe për arsye se shumica dërmuese shqiptare i përkisnin fesë muslimane dhe ishin lojalë ndaj Perandorisë Osmane. Po ashtu, shqiptarët shihnin te Perandoria Osmane edhe garancinë e mbijetesës së tyre fizike përballë synimeve shfarosëse të popujve fqinjë kristianë.[30] Këtë e pohon edhe një dokument i asaj kohe: “Vetë Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte krijuar për ta kundërshtuar politikën shoviniste serbe, malazeze, greke dhe bullgare, e jo atë turke”.[31]
Pikërisht pse sllavët shiheshin si armik më i rrezikshëm, Lidhja e Prizrenit kishte vendosur të mos i shpallë luftë Turqisë, por me ndihmën e saj të mbrohet nga kërcënimi kryesor i fqinjëve. Edhe Hasan Prishtina, udhëheqësi i përgjithshëm i kryengritjes së përgjithshme të armatosur antiosmane “nuk e konsideronte Turqinë, por Serbinë me fqinjët tjerë sllavë si rrezik”. [32]
4. Kongresi i Berlinit (13 qershor- 13 korrik 1878)
[]
Përmasat e Lidhjes së Prizrenit
Literatura shkollore dhe ajo e përgjithshme e historisë vazhdon ta përshkruajë Lidhjen e Prizrenit varësisht nga orientimi politik dhe ideologjik i autorit dhe botuesit. Në këtë rast veçohen, siç do ta thotë këtë H. Feraj, dy kampe kryesore brendashqiptare:
- Kampi i cili mendon se Perandoria Osmane paraqet rrezikun dhe armikun kryesor dhe, për pasojë, kemi bashkimin e shqiptarëve me sllavët, grekët, austrohungarezët francezët, rusët, papatin etj., dhe formimin e grupeve e partive grekomane dhe sllavofile, dhe;
- Kampi i cili konsideron se sulltani osman është më tolerant, më pak i rrezikshëm për asimilim etnik dhe i cili u bashkua me osmanlinjtë në luftë kundër rrezikut sllavizues dhe greqizues, që si rezultat më vonë kemi formimin e partisë nacionaliste.[33]
Po ashtu, nuk bën të shpërfillet edhe analiza mendjehollë e Berhart Tënit, i cili duke i analizuar rrymat shpirtërore dhe politike të Turqisë së asaj kohe shkruan:
“Shqipëria gjatë periudhës së Rilindjes jo vetëm që ka qenë një pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane, por dy të tretat e popullsisë së saj ishin muhamedane, që shihnin te Sulltani përfaqësuesin më të lartë tokësor të Allahut.” [34]
Historiani i madh perëndimor Joseph von Hammer shton edhe një element tjetër duke thënë:
“Shqiptarët ishin të kënaqur me pozitën e tyre brenda perandorisë, pasi që shumica e tyre i takonin klasës sunduese osmane dhe nga ana tjetër në vetë Shqipërinë fiset malësore katolike dhe muslimane në veri dhe fiset greko-ortodokse të zonave jugore, Suli dhe Himara, gëzonin thuajse pavarësi të plotë..” [35]
Mirëpo, kjo gjendje ndryshoi pas vendimeve të Shën Stefanit dhe Berlinit, kur trojet shqiptare filluan të copëtohen në llogari të vendeve të tjera ballkanike që ishin në formim e sipër. Lëvizjet e këtilla e zgjuan ndërgjegjen fetare dhe nacionale të shqiptarëve dhe çuan deri te formimi i Lidhjes së Prizrenit më 1878 dhe deri te paraqitja e grupimeve dhe fërkimeve të ndryshme ideologjike.
Ndoshta përgjigjja më e plotë në dilemën e shumë historianëve dhe analistëve se a ishte Lidhja e Prizrenit me tipare islame apo ishte me tipare të pastra nacionale, kombinim i të dyjave apo ishte vetëm një mashtrim i sulltan Abdulhamidit II, do të gjendet në një studim të Kemal H. Karpat-it, i cili përmend disa faktorë.
Qysh nga mossuksesi osman në rrethimin e Vjenës më 1529-1532, sulltanët osmanë menduan dhe vepruan me ndryshime politike dhe ekonomike në Perandori. Kjo u manifestua me një varg kanun-namesh e rregullativash të tjera. Edhe pse këto kanune nuk kishin prejardhje hyjnore, ato e respektonin traditën muslimane (Kur’anin dhe Hadithin). Sidomos e kishin në konsideratë diversitetin etnik dhe fetar të popujve dhe vendeve ku shtrihej Perandoria Osmane. Kjo dinamikë në aspektin juridik, administrativ, gjyqësor dhe ushtarak bëri që perandoria të ishte joshëse për të gjithë shtetasit e saj për të jetuar dhe vepruar.
Faktorë tjetër ishte edhe problemi i migrimeve. Për shkak të jotolerancës së fqinjëve të Perandorisë Osmane ndaj muslimanëve, shumë muslimanë (por edhe hebraikë) filluan të depërtojnë në brendi të perandorisë. Migrimet më të dhunshme dhe më masive ishin ato nga Kaukazi, por edhe nga veriu i Ballkanit në drejtim të Kosovës dhe të trojeve shqiptare. Në bazë të parimit të solidaritetit në Islam, këta migrues u pranuan dhe u ndihmuan nga vendasit dhe nga vetë sulltani si halif i muslimanëve. Këta dhe faktorë të tjerë e detyruan Sulltan Abdulhamidin II (sundoi më 1876-1909) që ta aprovojë një “politikë islame”, të ndryshme nga pararendësit e tij, duke i respektuar rrethanat e reja dhe duke promovuar koncept të ri të shtetit, i cili e përbën elementin e popullit, të territorit dhe të identitetit islam.
Dhuna sistematike e ushtruar ndaj muslimanëve jashtë kufijve të Perandorisë Osmane (dar’ul-harb) dhe migrimi i tyre nga jashtë në brendi të territorit perandorak (dar’ul-islam) e shtyri Sulltan Abdulhamidin II që ta përdorë pozitën e tij prej halifi lidhur me kohezionin e brendshëm dhe ta kontrollojë fundamentalizmin populist që erdhi sidomos me migruesit dhe ta integrojë atë me islamin ortodoks (të mirëfilltë) të pranishëm në Perandori. Kjo politikë, po ashtu, bëri edhe integrimin ideologjik dhe kulturor të migruesve dhe shtresave të tjera perandorake të popullsisë, si kombi musliman osman (mil-let).[36] Mendojmë se kundrejt rrethanave të gjithmbarshme të asaj kohe politika proislame e Abdulhamidit II është e drejtë.[37] Lidhja e Prizrenit nuk ishte e vetmja e cila vendosi që Sheriati të jetë bazament ligjor në shtetin e tyre të ardhshëm, por këtë e bënë edhe boshnjakët në Bosnjë, të cilët u deklaruan për vlefshmërinë e Sheriatit. Madje, duke u frikësuar nga ndonjë masakër nga Autro-Hungaria, edhe të krishterët e atjeshëm deshën të futen nën autoritetin e Perandorisë Osmane.[38] Boshnjakët e Bosnjës me këmbëngulje madje kërkuan t’i vazhdojnë lidhjet me Portën e Lartë dhe me Shejh’ul-islamin në Stamboll, gjë që u mundësua me Konventën e Stambollit në prill të vitit 1879, në të cilën, me nenin 2, muslimanëve të Bosnjës dhe Hercegovinës iu garantua që pa problem të mbajnë lidhje me eprorët më të lartë fetarë në Stamboll.[39]
Çështjen e përcaktimit ‘islam’ të Abdulhamidit II duhet shikuar nga këndi tjetër, nga ai ndërkombëtar. Për t’i sendërtuar synimet ekspansioniste, Evropa, e sidomos Anglia, filloi të luajë me kartën e nacionalizmit. Evropa e nxiti nacionalizimin arab, duke i forcuar tezat se turqit e kanë uzurpuar të drejtën e tyre për halifat etj. Në këtë ishin mjaft aktiv edhe kristianët arabë në Haleb, Damask, Bejrut, Bagdad e qytete të tjera.[40] Ndërkaq Abdulhamidi II idenë islame e shihte si element integrimi dhe fuqie, kundrejt elementeve separatiste, që më vonë do të jenë fatale për botën muslimane. Edhe sikur ideja panislamiste, e cila i atribuohet Abdulhamidit II, të ishte e keqe, anakronike, destruktive e të tjera, ajo ishte një përgjigje kundrejt pangermanizmit, pankristianizmit dhe pansllavizmit.[41]
[]
Shtrembërimi i realitetit historik të Lidhjes së Prizrenit
Me Lidhjen e Prizrenit abuzuan institucione dhe individë. Ajo vazhdon të përshkruhet si një veprim kryekëput shqiptar, i ndërtuar dhe i nxitur nga elementi anti-turk, i cili ishte në konflikt të hapur dhe të egër me osmanët dhe identitetin islam të shqiptarëve, e jo me pushtuesit serbë në veri dhe grekë në jug.[42] Në pamundësi që të thuhen të gjitha, do ta cekim vetëm Sami Frashërin, cili përmend se në kohën e Lidhjes së Prizrenit gazeta “Courrier d’Orient” akuzoi se Lidhja ishte mbështetur “mbi fanatizmin fetar dhe do të drejtohej kundër të krishterëve”, duke harruar se edhe të krishterët, ani pse për interesat e tyre, dhanë kontribut “në idenë e kombësisë” [43] dhe kishin marrëdhënie reciproke të qëndrueshme me muslimanët.
Edhe më vonë intelektualë dhe institucione të caktuara me të drejtë e kanë vërejtur karakterin islam të Lidhjes së Prizrenit, por për fat të keq, në vend të qasjes objektive, reale e shkencore të këtij realiteti, këta abuzojnë me synimet dhe programet e LP-së, duke promovuar vetëm aspekte të caktuara të saj. Jemi të mendimit se përpjekjet për ta eliminuar elementin islam nga Lidhja janë të pavend në aspektin ideologjik, të paqëndrueshme në aspektin historik, janë falsifikim në aspektin shkencor, duke bërë kështu paralelizma me kristianizmin mesjetar dhe duke mos e njohur fare frymën e islamit.[44] Në fund të fundit, vendimet në Lidhje paraqisnin reflektim të kohës, rrethanave dhe të nevojave të tyre fetare, kulturore, politike dhe ekonomike, pra jo reflektim të kohës që do të vijë.
Ndër veprat që e shtrembëruan Lidhjen e Prizrenit është edhe Enciklopedia e Jugosllavisë. Kjo enciklopedi, me qëllime diskreditimi, pohon se Lidhja e Prizrenit ishte “produkt i Portës” [45], kurse miratimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit nga Perandoria Osmane e mendon si mashtrim, sepse “i ka armatosur shqiptarët dhe financiarisht e ka ndihmuar Lidhjen në mënyrë që territoret e pushtuara megjithatë të mbesin në suaza të Perandorisë.[46]
Në këtë frymë mendoj se ishte edhe “mesazhi telegrafik i dt. 21 shtator 1320/ E.s.: 3 tetor 1879, i dërguar për të përcjellë kërkesën e parisë së Shqipërisë për bashkimin në një Vilajet të vetëm të të gjitha trojeve shqiptare, si kusht që ato të qëndrojnë të bashkuara me Shtetin Osman”.[47]
5. Pamje e Ders’hanes në vitin 2006
Këtu nuk u mbajtë Lidhja e Prizrenit.
Edhe Aleks Buda kur flet për Lidhjen, frymën islame të saj ia përshkruan faktorëve të parëndësishëm, duke pohuar se “roli mbizotërues i feudalëve dhe i elementëve të tjerë konservatorë në Lidhje dhe ndikimi i Portës së Lartë që vepronte nëpërmjet atyre” “nuk mund të mos linin gjurmë në vendimet e Lidhjes në këtë periudhë. Kjo shprehej në mënyrë të veçantë në ato pika të Karar-namesë që donin t’i jepnin Lidhjes karakterin e një organizate të mbështetur në parime fetare islamike, të destinuar për ruajtjen e sundimit turk në Ballkan.” Më tej Aleks Buda frymën islame e gjen edhe në atë që “Lidhja të mbronte me forcat e saj Bosnjë-Hercegovinën, të pengonte formimin e shtetit bullgar”. A. Buda si argument thekson edhe emrin e Lidhjes si element islam e cila quhej Cem’iyyet-i Ihtilat-i islamiyye (Komiteti i Bashkimit Islam).” [48]
Ndër autorët që bëjnë pjesë në kampin antiosman (antiislam) është edhe historiani nga Shqipëria, Kristo Frashëri.[49] Ai në veprën Historia e Popullit Shqiptar kur flet për kohën dhe ngjarjet që çuan në nënshkrimin e Lidhjes së Prizrenit, atë e portretizon si një fushatë presioni nga osmanët, të cilët kërkonin t’i bënin shqiptarët islamikë:
“Funksionarët e administratës dhe përkrahësit e tyre sulltanistë ushtruan në këto mbledhje presion të fuqishëm për t’i detyruar pjesëmarrësit që t’i nënshkruanin protestat e tyre jo si banorë shqiptarë, por si nënshtetas islamikë të lidhur me Perandorinë Osmane.” Megjithatë Kristo Frashëri thotë: “Këto presione nuk dhanë rezultat. Në asnjë nga krahinat shqiptare pjesëmarrësit e mbledhjeve nuk pranuan ta cilësonin veten e tyre si banorë islamikë. Në të gjitha aktet drejtuar Fuqive të Mëdha banorët muslimanë dhe të krishterë, protestonin si shqiptarë, si pjesëtarë të një kombi të vetëm.” [50]
Qëndrimet e K. Frashërit, të paraqitura në shumë shkrime gazetash e veprash, kohët e fundit po sfidohen në shtypin shqiptar, e sidomos në shtypin botëror. Shumë burime historike pohojnë me prova e fakte se Kuvendi i Lidhjes se Prizrenit është mbajtur në xhaminë “Gazi Mehmed pasha” e njohur në popull si Bajraklia, pra në Prizren[51] dhe jo në ndërtesën e vogël në kompleksin e Medresesë së Prizrenit, e njohur si Ders`hane (objekt ku zhvilloheshin mësime fetare me klasat e larta të medresesë), për të cilën propaganda tendencioze iluministe është munduar t’i bindë shqiptarët më parë.[52]
Por, përveç faktit që Lidhja e Prizrenit është mbajtur në Xhaminë e Bajraklisë dhe në objektet përcjellëse të Medresesë së Gazi Mehmed Pashës, historianët e huaj rrëfejnë një version të ndryshëm nga ai i “shkencës zyrtare shqiptare” të historikut sesi Lidhja e Prizrenit u themelua, pse u themelua, nga kush dhe për çfarë arsyesh. Duke u nisur dhe refuzuar pikë së pari citate si ky i Kristo Frashërit, i cili “banorët myslimanë dhe të krishterë, protestonin si shqiptarë, si pjesëtarë të një kombi të vetëm” [53] kundër vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit, duhet të bëjmë disa korrigjime, sipas faktit se në Lidhjen të Prizrenit nuk kanë marrë pjesë patriotët vllahë dhe ortodoksët e Jugut të Shqipërisë. Këtë gjë e vërteton historiani grek Evangelos Kofos në shkrimin “Greek reaction to the Albanian League of Prizren”.[54] Në këtë shkrim Evangelos-i tregon se përkrah Lidhjes së Prizrenit nuk u radhitën “të gjithë shqiptarët myslimanë dhe të krishterë”, siç pretendon më sipër Kristo Frashëri.
Në fakt, Kofos e thotë të kundërtën:
“Në ditët e Kongresit të Berlinit, Maratos (një emisar grek) tregon se të gjithë të krishterët (ortodoksë) të Sanxhakut të Gjirokastrës – duke përfshirë ata të qyteteve të Gjirokastrës, Delvinës, Tepelenës dhe Përmetit – refuzuan të nënshkruajnë peticione (kundër Shën Stefanit). Të njëjtin qëndrim kishin mbajtur edhe të krishterët e Sarandës, siç raportonte konsulli grek në këtë qytet”.[55] Madje, sipas Kofosit “grekët i konsideronin të krishterët më të afërt për ta, dhe si elemente që anojnë kah ata në rast të vendosjes së politikës së re në Shqipëri.”[56] Këtë pretendim të Kofosit, në mënyrë perfide e promovon edhe historiani Paskal Milo, i cili e përqafon tezën e hedhur kohë më parë nga Kiço Blushi,[57] sipas së cilit çështja shqiptare duhej të zgjidhej nga aleanca e shqiptarëve me grekët, serbët e malazezët kundër turqve.[58]
Madje, nga shtypi boshnjak i kohës së Lidhjes së Prizrenit mësojmë se propaganda greke nxiti konflikte të rënda te ortodoksët e jugut etj., më 1883, me qëllim të aneksimit të shumë trojeve shqiptare në llogari të grekëve.[59]
Karakterin islam të Lidhjes së Prizrenit me qëllime tendencioze e pohon edhe Zef Mirdita, duke theksuar se “fryma panislamike, për fat të keq, i përshkoi edhe anëtarët e Lidhjes së Prizrenit”, dhe si argument thekson se në të merrnin pjesë edhe “beglerët nga Bosnja e Hercegovina,[60] që në vijim të librit të tij të theksojë se vetëm kisha katolike ka qenë ajo që është angazhuar për mirëqenien dhe pavarësinë shqiptare. Këto konstatime të Zefit është e qartë se janë të paqëndrueshme. Vrojtimi i Sami Frashërit, i cili e provon të kundërtën e Zefit, thotë se posa “një fuqi e huaj filloi të pushtonte befas e pa të drejtë Bosnjën, si boshnjakët muslimanë ashtu edhe ata ortodoksë e katolikë e kuptuan se ndodheshin përpara një rreziku të përbashkët.” Madje, Samiu pohon se “Myslimanët e Bosnjës, nga njëra anë u zgjatën dorën për ndihmë shqiptarëve, që janë fqinjë të tyre dhe në pjesën më të madhe vëllezër të një besimi ...”.[61]
Në grupin e atyre shkencëtarëve që e kanë ndjekur kursin antiosman kemi edhe një varg historianësh të njohur. Ali Hadri përmend se Lidhja “...ka pasur tri programe. Programi i parë dhe i dytë ishin bukur shumë në frymën panislamiste, ndërsa programi i tretë ka qenë shumë më përparimtar,” [62] duke e hedhur poshtë si anakronik dhe regresiv mendimin e shumicës së popullsisë dhe të shumicës së delegatëve të pranishëm. Duket qartë se mendimi i tij është i ngjyrosur me ideologjinë e kohës kur Ali Hadri jetoi dhe veproi.
Skender Rizaj krahun musliman brenda LSHP nuk e analizon në kontekstin kohor, por e sheh si tendencë të sulltanit për të përçarë shqiptarët dhe madje fut në lojë edhe elementin rusofil, gjoja për të sendërtuar pengesat kundër LSHP-së.[63] Si edhe në raste të tjera, S. Rizaj si senzacionalist, nuk mund ose nuk dëshiron ta kuptojë se Lidhja e Prizrenit mund të jetë edhe ndryshe, e jo vetëm sipas Berlinit apo Shën Stefanit. E vërteta është se vetë Rusia, në vend që ta fusë në lojë kartën e pankristianizmit, luajti me kartën e panislamizmit, duke i sensibilizuar kështu të gjitha vendet sllave për gjoja rrezikun panmusliman. Këtë e theksojnë vetë autorët sllavë[64], ndërsa historianët e proveniencës muslimane shqiptare, të frymëzuar me ide komuniste, e injorojnë realitetin musliman të shqiptarëve dhe e favorizojnë pankristianizmin dhe pansllavizmin.
Megjithatë përveç asaj se kush mori pjesë dhe kush jo në Lidhjen e Prizrenit, një fakt të cilin historiografia komuniste shqiptare, madje edhe pas rënies së ideologjisë komuniste, por edhe ajo që hiqet si nacionale shqiptare e në fakt përfaqëson bindjet prokatolike, një fakt të cilin e ka manipuluar është ai i natyrës së kësaj lidhjeje. Këtë e argumenton edhe fragmenti vijues: “Gjatë punimeve të Lidhjes u vërejtën disa divergjenca në mendime në mes të delegatëve.” Mospërputhja kryesore u shfaq për problemin e statusit që do ta gëzonte vilajeti shqiptar.[65] Konservatorët, siç i quan B. Jellaviç[66], që përbëheshin prej shumicës muslimane, të cilët kishin përkrahje edhe nga sulltani, kërkuan që t’i japin asaj karakter islam. Këtë e kërkonin edhe muslimanët e tjerë ballkanikë, si boshnjakët, pomakët dhe turqit.[67] Burimet historike flasin se boshnjakët e Bosnjës, por edhe vetë Perandoria, nuk pajtoheshin me vendimet e Kongresit të Berlinit që Bosnja të okupohej nga austro-hungarezët.[68] Vetëm pas shumë këmbënguljeve dhe detyrimeve politike-ushtarake, Perandoria u detyrua ta pranojë këtë vendim.[69] Madje, zvarritjen e Sulltanit që t’i dorëzojë tokat shqiptare në favor të Malit të Zi, qeveria malazeze e komenton se ky veprim i ka trimëruar shqiptarët “në pafytyrësinë e tyre, të cilën vendorët dhe Porta e Lartë me qëndrimin e tyre e kanë mbështetur.” [70]
Ndërkaq njohësi i rrethanave shqiptare-boshnjake, dr. Haris Sillajxhiq mendon se fati pak a shumë i përbashkët i këtyre dy popujve në të kaluarën e deri sot duhet të hulumtohet për të ndriçuar aspekte të panjohura.[71]
Krahas elementit fetar të përbashkët mes boshnjakëve dhe shqiptarëve që i bashkoi në Lidhjen e Prizrenit, nuk duhet shpërfillur as fakti i elementit nacional të përbashkët, atij ilir. Hulumtimet e fundit linguistike, arkeologjike e të tjera, janë në favor të mendimit tonë.[72]
[]
E vërteta historike dhe synimet e Lidhjes së Prizrenit
Grupi ose kampi pro-osman a pro-islam, Lidhjen e Prizrenit e shihte në aspektin pozitiv ose si të keqe më të vogël kundrejt pikëpamjeve të kampit tjetër. Një mendim të tillë e jep historiani elbasanas Kastriot Dervishi, në përgjigjen që ia bën Paskal Milos, në një të përditshme të Tiranës (“Paskal Milo midis shërbimit dhe trillimit”), me ç‘rast shkruan se një nga arsyet që e shtynë Sulltan Abdulhamidin II ta ndihmojë formimin e Lidhjes së Prizrenit ishte që të formojë një “Linjë jozyrtare (që) do të ishte zëri shqiptar për të kundërshtuar çdo pretendim në dëm të trojeve shqiptare.”[73]
Edhe pse provenienca kristiane, ortodokse dhe katolike, nuk shihnin në Lidhjen e Prizrenit diçka të mirë për ta, megjithatë disa morën pjesë, si Bibë Doda nga Mirdita etj..[74] S. Kylçe pohon se pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit gjithsej ishin 43 delegatë: 38 muslimanë dhe 5 kristianë.[75]
Mbi karakterin musliman të Lidhjes së Prizrenit, përveç dëshmive të lartpërmendura greke, dëshmojnë edhe shumë historianë perëndimorë, si dhe historiani dhe albanologu i njohur P. Bartl, i cili panislamizmin e sheh në atë që shkruan në Rregullat e Lidhjes të njohura si Karar-name (Libri mbi vendimet), të cilat u shpallën më 18.06. 1878. Sipas tyre, “Lidhja ishte organizatë muslimane e mbështetur në sheriat (e drejta islame religjioze). Të drejtat e sulltanit janë pranuar shprehimisht, kurse si synime të Lidhjes janë cekur: Nuk ka dhënie të territoreve Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, që të gjitha territoret që Serbia dhe Mali i Zi i kanë pushtuar, t’i kthejnë, të dërgohet delegate në Kongresin e Berlinit, që të kërkohet autonomi e gjerë për Shqipërinë duke mos i dërguar regrutë qeverisë qendrore dhe se nuk ka pagesa të tatimeve.” [76]
6. Medreseja e Gazi Mehmed pashës në Prizren – 2006 (Në brendi të xhamisë u mbajtë Lidhja e Prizrenit
më 1878)
Christine von Kohl-i mendon se “shqiptarët e zhgënjyer e të zemëruar krijuan për këtë arsye ‘Komitetin e Muslimanëve të Mirëfilltë’, i cili disa vite më vonë u riemërua me ‘Lidhja e Prizrenit”. Po kjo autore mendon se në “librat shkollorë shqiptarë është falsifikuar në frymë nacionaliste karakteri i kësaj Lidhjeje, duke e kaluar në heshtje orientimin e saj islamik e duke i përqendruar synimet e saj vetëm te kërkesa për një Shqipëri të pavarur. Në të vërtetë, siç pohojnë sot historianët, Lidhja është përkrahur në rrafshin financiar e politik madje edhe nga Sulltani, mbasi ka qenë në vetë interesin e Portës së Lartë të dobësuar – ‘të sëmurit të Bosforit’ – t’i presë rrugën çdo lloj rivendikimi territorial e tjetërsim territorial në favor të fqinjëve të krishterë e sllavë. Qoftë edhe duke pasur parasysh rrezikun, se kështu nxitej prirja shqiptare për mëvetësi.”[77] Nëse është kështu, përse udhëheqja shqiptare ashpërsoi raportet me Stambollin?
Sipas Eqrem bej Vlorës, kjo ndodhi për shkak se shqiptarët i humbën shpresat se Perandoria do të mund t’u ofrojë mbrojtjen e nevojshme nga copëtimi i trojeve të saj[78] dhe për shkak të futjes së përçarjes nga elementet prosllave dhe prokatolike brenda Lidhjes, që ashtu të pengohet një shtet i ri në Ballkan me shumicë muslimane (duke përfshirë shqiptarët dhe boshnjakët).
Edhe historiani britanik Jakob Landau, në librin e tij[79], krijimin e Lidhjes së Prizrenit e sheh si pjesë të projektit të Sulltanit për t’i çliruar muslimanët ballkanas nga sundimi ortodoks. Landau mendon se Lidhja e Prizrenit u sponsorizua indirekt nga sulltani në suazat e pan-islamizmit. Landau thotë:
“Një organizatë edhe më jetëgjatë ishte Lidhja e Prizrenit, në disa raste e njohur si Lidhja Shqiptare. Ajo u ndërtua pas takimit të fisnikëve vendas më 10 qershor 1878, fillimisht për të kërkuar autonomi për Shqipërinë. Megjithatë qëllimi parësor i themeluesve të saj ishte të ndalonte copëtimin e Shqipërisë në Kongresin e Berlinit, kështu që dy dokumentat bazë themelues të Lidhjes, dëshmonin besnikërinë ndaj Perandorisë dhe sulltanit, duke ju referuar kështu edhe sheriatit. Në vitin 1878 ndërmjet Prizrenit dhe qeverisë në Stamboll kishte komunikime intensive. Theksi ndaj identitetit musliman dhe osman ishte natyral për një nga grupet më muslimane të perandorisë, i cili kërkonte siguri në një kohë krize si kjo nga bashkëbesimtarët e tjerë. Abdulhamidi ishte shumë i sigurt për këtë; madje edhe kur tre vite më vonë, gjatë një lëvizje anti-osmane mes shqiptarësh, urdhëroi Dervish Pashën që t’u kërkojë shqiptarëve besnikëri ndaj sulltanit – kalif në emër të sheriatit dhe interesit pan-islamik. Pastaj, edhe një gjeneratë më vonë, në vitin 1911, në Shqipëri sërish u zhvilluan demonstrata për ta mbështetur sulltanin – kalif dhe për shfaqur gatishmëri për të luftuar kundër qafirëve (italianë) që e kishin pushtuar Libinë.” [80]
Në këtë do të ndihmojë edhe shkresa e popullsisë së Tregut të Ri, Nova Varoshit dhe e Sjenicës të cilët i shkruan një shkresë ambasadorit të Francës në Stamboll, se më 29 maj 1878 “më shumë se gjysma e banorëve të rrethit tonë janë muslimanë dhe pjesa tjetër, bashkatdhetarët tonë të krishterë, janë grekë nga feja, por flasin shqip. Prandaj, ne nuk kemi as nga gjuha, as nga raca, as nga besimi, asnjë afri me sllavët.”[81]
Mbi karakterin islamik të Lidhjes së Prizrenit flet edhe historiani britanik Noel Malkolm, i cili saktësisht pohon se “Lidhja e Prizrenit kishte një karakter të fortë mysliman”.[82]
Lëvizja (LP) është më shumë një lëvizje fetare sesa shekullare dhe udhëhiqet nga myftilerët, ulematë dhe kadinjtë…. Jam i mendimit se tashmë është mëse e qartë se Porta e Lartë dhe Lidhja janë në një mendje dhe po punojnë për të arritur një qëllim të përbashkët – mbrojtjen e provincës.[83]
Për karakterin islamik të Lidhjes, Kastriot Dervishi, në shkrimin e sipërpërmendur, thotë se Paskal Milo nga ana e tij, ashtu si edhe mjaft historianë të kudhrës enveriane, e shikojnë Lidhjen e Prizrenit vetëm si një instrument kundër Turqisë.
Në të gjitha deklaratat apo memorandumet e Lidhjes do të vërejmë besnikërinë e treguar ndaj Sulltanit. Po e citojmë vendimin e parë të Lidhjes të datës 18 qershor 1878, të përbërë nga 16 nene:
"1. Lidhja e jonë ashtë formue me qëllim, që të mos njofi asnji qeveri tjetër, përveç se ate të Perandoris ottomane dhe të mbrojë integritetin toksuer duke përdorë të gjitha mjetet.
2. Qëllimi i jonë i naltë asht, me mbrojtë të drejtat e personit të pa-përgjegjsëm të Madhnis së Ti Sulltanit, Sovranit t’onë. ...
4. Në bazë të ligjit të naltë fetar (sheriatit) do të mbrojnë jetën, pasunin, dhe nderin edhe t’atyne që s’janë muhamedanë, po janë besnikë, baras me t’onat. Do të marrim masa ndëshkimore kundra kryengritësve, duke i dënue sipas fajit. ...
6. ... Ne nuk njofim me asnji mënyrë Bullgarin dhe as që duem t'i ndëgjojmë emnin; edhe Serbia në rast se nuk na i dorzon me të mirë toket që na ka shkel, do te dërgojmë kundër sajë fuqi për me i marrë me pushkë...
Dhe kundër Malit të Zi do të veprojmë po në kët mënyrë.
16. Në bazë të besës së lidhun prej përfaqsuesve të burravet të pa-trembun të Shqipnis së veriut e saj të Jugut".[84]
Duke pohuar se Lidhja e Prizrenit pati karakter islam, nuk pretendojmë se brenda Lidhjes nuk pati edhe mendime të tjera. Përkundrazi, të gjithë e pranojnë se në përbërje të Lidhjes së Prizrenit pati dy linja mendimi, njëra autonomiste, e cila kërkonte të shpëtonte popullatat muslimane përballë agresionit kristian, nën suazat e Perandorisë, të cilën linjë historiani M. Prenkaj e kualifikon si ‘tradhtare’, duke e vënë veten në shërbim të linjës mirditore, pro-austro-hungareze[85] dhe, linja tjetër, e njohur nga disa si linja radikale, e frymëzuar nga idetë iluministe franceze, e cila kërkonte largimin nga Perandoria Osmane dhe krijimin e një shteti të pavarur.
Sipas Dervishit, kjo linjë do të çonte në shkatërrimin e Lidhjes së Prizrenit, pasi elementi gegë-musliman shqiptar nuk mundi të dakordohej me idetë e qarqeve bektashiane-ortodokse të kryesuara nga Abdyl bej Frashëri, të cilët kërkonin shkatërrimin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Sunitët shqiptarë, të cilët ndjeheshin ende si pjesë e klasës së lartë në Perandori, nuk i kishin komplekset e rajave ortodoksë ose të bektashianëve që ishin dëbuar nga Stambolli më 1826 dhe që përndiqeshin kudo.[86] Megjithatë, nëse idetë e Abdyl Beut paraqisnin një platformë të mundshme për Jugun shqiptar, për Gegërinë e Epërme dhe për Kosovën, idetë e tij ishin të pamundura, pasi mes gegëve muslimanë ideja e krijimit të një shteti me fqinjët e tyre të krishterë (që këtu ishin serbë dhe vllahë), tashmë ishte e pamundur.
Pamundësia e krijimit të një shteti për kristianët ortodoksë po dëshmohet e pamundur edhe në ditët tona në Kosovë, ku në Mitrovicë, elementi serb vazhdon të refuzojë idenë e bashkëjetesës në një shtet me shqiptarët muslimanë dhe asimilimin e tij kulturor me shumicën. Për këtë arsye, edhe gegëria myslimane, e përqëndruar përreth Prizrenit, idenë e krijimit të një shteti sipas koncepteve të Abdyl Frashërit e shihte shumë më të vështirë sesa ruajtjen e status quo-së nën mbrojtjen e Perandorisë Osmane.[87]
[]
Çka synohej me Lidhjen?
Pa dyshim se Lidhja e Prizrenit fillimisht kishte synime për lirinë të shqiptarëve dhe të popujve të tjerë në afërsi dhe në të njëjtën kohë ta ndalonte copëtimin e Shqipërisë etnike, çfarë e shohim edhe te fjalët e. Abdyl Frashërit: “Qëllimi i ksaj mbledhjeje sot asht me u-a pre hovin ktyne armiqve të pa-shpirtë, duke lidhë besën shqiptare e duke u-betue me i mbrojtë me gjak trojet që na kanë lanë gjuhët e katregjyshët t’onë.” [88]
Në kërkesën e Lidhjes së Prizrenit të 15 qershorit 1878, drejtuar Kongresit të Berlinit, thuhej: “Jemi gati të luftojmë të gjith krah për krah si Shqiptarë pa dallim feje as besimi”[89], e cila demanton paraqitjen e Lidhjes së Prizrenit në aspektin pezhorativ. Mirëpo, pas refuzimit të Evropës dhe të Bizmarkut[90] që t’i shqyrtojnë dhe miratojnë kërkesat shqiptare, paria e Lidhjes së Prizrenit organizoi edhe rezistencë të armatosur për mbrojtjen e tokave shqiptare, të cilat iu dhanë si dhuratë fqinjve të shqiptarëve. Mali i Zi, por edhe fuqitë evropiane u pezmatuan nga gjendja në terren, andaj ata iu drejtuan Turqisë për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit, e më vonë, për shkak të zvarritjes së Turqisë, edhe iu kërcënuan me luftë totale që ajo t’ua dorëzojë atyre tokat shqiptare.[91]
Synimi vijues i Lidhjes, i cili ishte edhe mbrojtja e gjithë popullsisë brenda kufijve të Lidhjes, duke i aprovuar të gjitha racat dhe fetë, tregon qartë për abuzimet me karakterin islam të LP-së: “Në bazë të ligjit të naltë fetar (sheriatit) do të mbrojnë jetën, pasurinë dhe nderin edhe atyne që s’janë muhamedanë, po janë besnikë, baras me t’onat.” [92]
Qëllimi i synuar i LP-së u manifestua madje edhe në vetë fillimin e saj. Në tokën shqiptare të kohës së Lidhjes së Prizrenit mbretëronte “qetsia qe aso kohe aqë e plotë sa që s’qe par më ndonji herë tjetër nji qetësi e këtillë, gjë që shkaktoi lavdimet e të gjithë shtypit europian. Europa tash e kuptoi se Shqiptarët ishin të zotët me u-organizue e meritojshin me pasë një shtet kombëtar të pa-mvarun.” [93]
Në vend të përfundimit
Reflektimi i Lidhjes së Prizrenit në periudhën e mëvonshme
Është mendim mbizotërues se përkundër mosarritjes së synimeve programore dhe organizative, Lidhja e Prizrenit, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare [94], “zhvilloi një aktivitet të dukshëm politikë e që do të shërbejë si udhërrëfyes në zhvillimin e mëtejshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare.”[95] Po ashtu, Lidhja e Prizrenit ndikoi të mbahet dhe vazhdimi i kësaj mbledhjeje më 2 korrik 1878, këtu me disa saktësime dhe detyra të reja, të cilat u imponuan nga zhvillimet më të fundit në trojet shqiptare dhe në regjion,[96] si edhe shume tubime të tjera të kësaj natyre.[97]
Po ashtu, zhvillimet në Kongresin e Dibrës më 1905 do të jenë në ndikimin e Lidhjes së Prizrenit.[98] Edhe për Jugun, ku të krishterët ortodoksë qëndronin nën ndikimin e propagandës greke, Lidhja e Prizrenit paraqiste një lëvizje të pastër muslimane. Nën ndikimin e Lidhjes së Prizrenit ishte edhe fraksioni i saj në Shkodër, i cili përbëhej nga muslimanë dhe katolikë, me të drejta të barabarta, edhe pse në tërësi kristianët (katolikët dhe ortodoksët) përbënin një “sasi të papërfillshme”. [99] Më vonë krahu i Shkodrës, në krye me monsinjorin e Mirditës Prenk Doçin, do të kërkojë formimin e një principate katolike në veri të Shqipërisë, por pasi nuk gjeti mbështetje në Austro-Hungari, ndikimi i tij u lokalizua.[100]
Nisur nga aspekti territorial dhe i numrit të pjesëtarëve të feve që bënin pjesë në hapësirën që e mbulonte Lidhja e Prizrenit, nisur dhe nga Karar-nameja, në të cilën “Lidhja u shpall si një organizatë myslimane që qëndronte në truallin e sheriatit” [101], P. Bartl-i thotë se nuk ka nevojë të krijojmë histori tjetërfare vetëm e vetëm që ta eliminojmë fenë islame dhe muslimanët si faktorë në zhvillimet për arritjen e pavarësisë. Këtë e argumenton edhe Komiteti i Lidhjes në Prizren dhe në Dibër, i cili kërkoi “shfuqizimin e sistemit gjyqësor të futur më 1864 dhe vlefshmërinë e vetme të sheriatit” [102], por edhe zhvillimet e mëvonshme më 1911 në Shqipëri, ku sërish u zhvilluan demonstrata për të mbështetur sulltanin – halif dhe për të treguar gatishmëri për luftë kundër qafirëve (italianë) që e kishin pushtuar Libinë.[103] Muslimanët e kërkonin “rikthimin e sheriatit, sepse sistemi gjyqësor i marrë nga Franca e vitit 1864, gjendjen e popullsisë shqiptare, qe deri tani kishte jetuar sipas sheriatit dhe adetit (e drejta zakonore) më shumë e kishte keqësuar se sa përmirësuar.”[104]
Hulumtuesit nuk duhet t’i tremb elementi islam i Lidhjes, sepse në të nuk ka asnjë të keqe për çështjen kombëtare. Përkundrazi, fetarja dhe kombëtarja mund të bashkëveprojnë në mënyrë të përkryer drejt së ardhmes.[105] Të dyja këto komponenta bazohen në Kur’an dhe Hadith. Madje, raporti i një zyrtari të lartë britanik, në maj të vitit 1880 komentoi se “Lidhja shqiptare, për çudi të madhe, pati sukses të vendosë marrëdhënie më të mira ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve në Shqipërinë e Veriut.” [106]
Me kalimin e kohës, e nën trysnitë nacionaliste si trend i kohës së shekullit XIX, ndikimi i Lidhjes së Prizrenit shkonte në favor të shekullares (kombëtares) kurse në dëm të hyjnores (fetares) dhe të përkeqësimit të raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe turqve. Për më tepër, kur për qëllime të pastra fetare, si grekët, ortodoksët, ashtu edhe grupet françeskane dhe jezuite për qëllimet e tyre fetare themeluan shoqata patriotike-shqiptare, kurse deri në vitin 1905 themeluan 15 gazeta për qëllimet e tyre fetare,.[107]
Është mendim imi se Lidhja e Prizrenit dhe karakteri i saj islam ka reflektuar edhe në shumë lëvizje të mëvonshme në trojet shqiptare deri më sot. Këtë e dëshmon numri i madh i punëtorëve muslimanë në këto organizata dhe roli i tyre tejet aktiv. Për këtë dëshmon edhe vrasja, torturimi dhe dënimi i shumë aktivistëve dhe kontributi i tyre edhe pas vuajtjes së dënimit nëpër burgje.
Pikërisht trajtimi i njëanshëm dhe i pjesërishëm i kësaj teme imponon domosdoshmërinë për hulumtime më të hollësishme dhe më objektive në të ardhmen, që të mësojmë një histori pak më reale, për të ndërtuar vetë një histori autoktone të këtij populli dhe të këtyre trojeve, të liruar nga prangat dhe kufizimet e ndryshme ideologjike.
Shtojcë:
Karar-Nameja
Vendimet e Lidhjes së Prizrenit, 18 qershor 1878
1. Lidhja jonë është forumar me qëllim që të mos njohë asnjë qeveri tjetër përveç Perandorisë Osmane dhe të mbrojë integritetin tokësor me të gjithë mjetet
2. Qëllimi ynë i lart është të mbrojmë të drejtën e lartmadhërisë së tij sulltanit, sovranit tonë. Në do quajmë armiq të kombit (osman) dhe atdheut të gjithë ata që kundërshtojnë dhe prishin qetësinë, ata që dobësojnë qeverinë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Në rast se turbulluesit nuk heqin dorë do i dëbojmë jashtë shtetit
3. Ata delegatë të krahinave të tjera që duan të hynë në Lidhjen tonë do i pranojmë me gëzim dhe regjistrojmë si miq të qeverisë dhe vendit
4. Në bazë të Sheriatit do të mbrojmë jetën, pasurinë dhe nderin edhe të atyre që nuk janë muhamedanë, por janë besnikë, tamam si për veten tonë. Ndërsa kryengritësit do t’i dënojmë sipas fajit.
5. Të gjitha shpenzimet për luftëtarët që do të mbledhin krahinat do të rregullohen dhe perballohen në bazë të dispozitave që do japim. Ndihmat që do na vinë nga jashtë do ti pranojmë me kënaqësi.
6. Duke patur parasysh gjendjen e Ballkanit nuk do pranojmë në asnjë mënyrë fuqitë e huaja në tokat tona.
7. Ne nuk do të njohim në asnjë mënyrë Bullgarinë dhe as duam t’ia dëgjojmë emrin; edhe Serbia në rast se nuk na i dorëzon tokat me të mirë që na ka marrë, do të dërgojmë kundër saj një fuqi dhe t’ia marrim me pushkë. Edhe kundër Malit të Zi do veprojmë në të njëjtën mënyrë.
8. Bashkatdhetarëve besnikë të qeverisë që kanë hyrë në Lidhjen tonë do ti japim dorën dhe ndihmojmë sipas mundësisë.
9. Në rast se një krahinë ka probleme për të zbatuar vendimet, krahinat fqinje do ti shkojnë në ndihmë
10. Kushdo që del nga Lidhja jonë, Zot na ruaj! Kushdo që spiunon, dhe vepron sipas qejfit dhe dëgjon urdhërat e të parëve do të marrë dënimin që meriton.
11. Asnjë vendas i kujtdo krahine që do me dalë nga Lidhja, i çfarëdo feje qoftë nuk do lejohet të shkojë as në Serbi e as në Mal të Zi. Në rast se shkon do njihet si spiun dhe dënohet.
12. Kushdo që ka vënë në dispozicion të Lidhjes diçka dhe i shmanget detyrimit, s’dëgjon urdhërat, sillet brutalisht apo bën ndonjë ç’nderim do të dënohet sipas fajit.
13. Dërgimi i fuqive, thirrja dhe përdorimi i tyre do të bëhet sipas udhëzimeve të përpiluara.
14. Për të zbatuar këto nene do ti jepet rëndësi korespondencës.
15. Është rënë dakort që qeveria nuk do hyjë në punët e Lidhjes dhe as Lidhja në punët e saj; përndryshe ky do shihet si cënim i të drejtës.
16. Një kopje i këtij vendimi do i paraqitet çdo krahine dhe qyteti.
17. Në bazë të besës së lidhur nga burrat e patrembur të Shqipërisë së Veriut, Jugut dhe Bosnjes, të atyre që kur kanë lindur nuk kanë njohur tjetër zanat por pushkën dhe që për Din, Devlet dhe Vatan japin jetën, kanë zgjedhur Prizrenin si kryeqytet të Lidhjes.
Vendimet plotësuese të Lidhjes së Prizrenit më 1878
1. Asnjë krahinë nuk do të njohë ndonjë qeveri tjetër përveç asaj të Perandorisë Osmane.
2. Nëse Turqia nuk paraqitet dhe Kongresi i Berlinit nuk do të njohë të drejtat tona mbi vendet e pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi, atëherë ne do rrokim armët për t’i ri-pushtuar.
3. Në qoftë se fuqitë tona do të mundin të çlirojnë vendet e pushtuara, atëherë do të zbatohen masat e duhura.
4. E gjithë fuqia jonë do të përbëhet pej pesë ushtrishë: atyre të Shkodrës, Shkupit, Kosovës, Jenipazarit dhe të Herzegovinës.
5. Ajo e Shkodrës do sulmojë Malin e Zi: oficerët dhe bajraktarët do të zgjidhen nga populli.
6. Në Guci përveç vendësve do të dërgohen edhe 2000 nga Gjakova dhe Berana dhe 1000 nga Peja.
7. Jenipazari përveç fuqisë që do të mbajë për mbrojtjen e vendit do të dërgojë edhe 1000 në Kolashin.
8. Në Bjelopolje mjafton fuqia vëndase.
9. Në Prepolje, Kajnica, Tashlixhë dhe Foçë përveç fuqive të tyre, do të dërgohen edhe 2000 të tjerë.
10. Për të ruajtur vijën Gracko – Trebinjë, përveç fuqisë së Herzegovinës, do të ketë 10000 burra nga Sarajeva dhe këta së bashku do të formojnë ushtrinë e Herzegovinës.
11. Fuqia e Shkupit, Kosovës dhe Jenipazarit do të sulmojë Serbinë sipas instruksioneve tona.
12. Në qoftë se armiku i kërcënohet njërës krahinë, komandanti i krahinës në rrezik do të lajmëroj komandantët e tjerë që të marrin dijeni të gjithë dhe sulmohet armiku.
13. Në rast se në luftën tonë kundër Malit të Zi, Serbia qëndron asnjanëse atëherë fuqitë që janë caktuar për atë, kalojnë kundër Malit të Zi.
14. Në qoftë se si Mali i Zi ashtu edhe Serbia do të luftojnë kundër nesh atëherë këto fuqi detyrohen të luftojnë burrërisht dhe me ngulm sipas besës që kemi dhënë.
Literatura:
1. Ali Hadri, Historia e popullit shqiptar për shkollat e mesme, Prishtinë, 1973.
2. Azem Zade Refik Beg, Panislamizam i Evropa, Mostar, 1914.
3. Barbara Jelavich, Historia e Ballkanit, I, Tiranë, 1999.
4. Branko Horvat, Kosovsko pitanje, Zagreb, 1988.
5. Charles dhe Barbara Jelavich, Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit, 1804-1920, Tiranë, 2004.
6. Christine von Kohl, Shqipëria, Prishtinë, 2006.
7. Dimitirije Djordjevi?, Nacionalne revolucije balkanskih naroda 1804-1914, Beograd, 1995.
8. Enciklopedija Jugoslavije, I, Zagreb, 1955.
9. Enis Sulstarova, Ligjërimi nacionalist në Shqipëri, Tiranë, 2003.
10. Eqrem bej Vlora, Kujtime – Vëllimi i parë 1885-1912, Tiranë, 2001, fq. 163.
11. Ferdinand Schevill, Ballkani – Historia dhe qytetërimi, Tiranë, 2002.
12. Fermane: Të shkruash historinë me tolerancë…”, Tiranë, 2005 (Libri me dokumente është i shkruar në gjuhën osmane, dhe i përkthyer në gjuhën turke, shqipe dhe angleze).
13. Fikret Kar?i?, Muslimani Balkana – Isto?no pitanje u XX vijeku, Tuzla, 2001.
14. Fransoa Žoržon, Posljednji trzaji (1878-1908) në: Rober Mantran, Istorija Osmanskog Carstva, Beograd, 2002.
15. H. Prishtina, Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vjetit 1912, Tiranë, 1995
16. Hamdi Ertuna, Mbrojtja e Shkodrës dhe Hasan Riza pasha, Tiranë, 2006.
17. Haris Silajdži?, Albanski Nacionalni pokret, Sarajevo, 1995.
18. Historia e Popullit Shqiptar, II, Tiranë, 2002.
19. Historia e popullit shqiptar, vëll. II, bot. II, Prishtinë, 1978.
20. http://www.freewebtown.com/zeriislam/artikulli/NeIslamkavendedheperjomuslimanet.htm .
21. Hysamedin Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, bot. II, Shkup, 1999.
22. Hysni Myzyri në: Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, Prizren, 2001
23. Isa Bicaj, Marrëdhëniet shqiptaro-malazeze (1881-1914), Prishtinë, 2003.
24. Joseph von Hammer, Historija Turskog /Osmanskog/ Cartsva, libri 3, Zagreb, 1979.
25. Konferenca Shkencore e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, I, Prishtinë, 1981.
26. Kongresi i Dibrës – Konferencë Shkencore me rastin e 95 vjetorit të Kongresit të Dibrës, Dibër 2005.
27. Marjan Prenkaj, Prizreni dhe rrethina në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX, Prishtinë, 1998.
28. Miroljub Jefti?, Džihad – Savremeni džihad kao rat, Beograd, 1989.
29. Muhamet Pirraku, Myderriz Ymer Prizreni – Ora, zemra dhe shpirti i Lidhjes Shqiptare 1877-1887, Sharr, 2003.
30. Mustafa Imamovi?, Pravni položaj i unutrašnjo-politi?ki razvitak BiH od 1878-1914, Sarajevë, 1976.
31. Nexhat Halimi, Njerëzit dhe Malet, Gazeta Rilindja, Prishtinë, 1 shtator 1978
32. Nexhat Ibrahimi, Muslimanët në kërkim të Islamit (Në Islam ka vend edhe për jomuslimanët), I-II, Shkup, botohet në Logos-A, Shkup.
33. Noel Malcolm, Kosova – një histori e shkurtër, Tiranë – Prishtinë, botimi II, 2001.
34. Nuray Bozbora, Shqipëria dhe nacionalizimi shqiptar në Perandorinë Osmane, Tiranë, 2002.
35. Nusret Šehi?, Autonomni pokret muslimana za vrijeme austrougarske uprave u Bosni i Hercegovini, Sarajevë, 1980.
36. Olsi Jazexhi, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe politika panislamiste e Sultan Abdulhamidit II, në: http://groups.yahoo.com/group/alb-muslimnews/message/3411.
37. Panislamizam i panturcizam, Mostar, 1914.
38. Peter Bartl, Albanci od srednjeg veka do danas, Beograd, 2001, fq. 92 e tutje.
39. Peter Batrl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912), Tiranë, 2006
40. Preporod – Islamske Informativne novine (Dr. Ibrahim Paši?, Predslavenski korijeni bošnjaka), nr. 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9 / 2007 e deri në fund të fejtonit, Sarajevë.
41. Qemajl Morina, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian (1878-1881), Prishtinë, 2006.
42. Roberto Moroco dela Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944, Tiranë, 1994.
43. Sami Frashëri, Zëdhënësi i Lindjes, vepra 14, Shkup, 2005.
44. Shkelzen Raça, Marrëdhëniet shqiptaro-greke 1829-1881, Prishtinë, 1990.
45. Shukri Rahimi, Vilajeti i Kosovës më 1878-1912, Prishtinë, 1969, fq. 3.
46. Shukri Rrahimi, Gjurmime historike të Rilindjes Kombëtare, Prishtinë, 1986.
47. Skender Rizaj, Shqiptarët dhe serbët në Kosovë, Prishtinë, 1991, fq. 125 e tutje.
48. Stanford J. Shaw & Ezel Kural Shaw, Historia e Perandorisë Osmane dhe Turqisë Moderne, II, Tiranë (2006).
49. Stevan K. Pavlovi?, Istorija Balkana, Beograd, 2001.
50. Studime Orientale, 2/2002, Prishtinë
51. Sulejman Kylçe, Shqipëria në historinë osmane, Tiranë, 2004.
52. Tajar Zavalani, Histori e Shqipnis, botimi II, Tiranë, 1999.
53. Vasilj Popovi?, Isto?no pitanje, botimi III, Beograd, 1996.
54. Xhafer Belegu, Lidhja e Prizrenit, Tiranë, 1939.
55. Zef Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Prizren - Zagreb, 1998.
56. http://listserv.buffalo.edu
[1] Këngë që e kanë kënduar nxënësit e medresesë së Prizrenit ne krye me Ymer Prizrenin në ditën e mbledhjes: Nexhat Halimi, Njerëzit dhe Malet, Gazeta Rilindja, Prishtinë, 1 shtator 1978, fq. 15.
[2] Shih një elaborim të qëndrueshëm në: Olsi Jazexhi, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe politika panislamiste e Sultan Abdulhamidit II, në: http://groups.yahoo.com/group/albmuslimnews/message/3411.
[3] Është interesant të shtohet edhe mendimi i autorit serb Dimitrije Gjorgjeviq, i cili thekson se pengesë në vetëdijesimin e vonuar nacional të shqiptarëve paraqet mosintegrimi ekonomik ndërmjet jugut dhe veriut dhe, si rezultat i kësaj, sipas tij, paraqiten edhe programe të ndryshme politike. Kjo tendencë është pankristiane (sllaviste dhe katolike). E vërteta është se shqiptarët vetëm brenda Perandorisë Osmane paraqisnin një tërësi, që nuk ka qenë rast as më herët as më vonë. Shih: Dimitirije Djordjevi?, Nacionalne revolucije balkanskih naroda 1804-1914, Beograd, 1995, fq. 95.
[4] Christine von Kohl, Shqipëria, Prishtinë, 2006, fq. 60.
[5] Ibid., fq. 60.
[6] Gjerësisht: Noel Malcolm, Kosova - Një histori e shkurtër, Tiranë - Prishtinë, 2001, fq. 226 e tutje.
[7] Christine von Kohl, op. cit., fq. 60.
[8] S. Kylçe, shqiptar nga Turqia, pohon se “qeveria turke u detyrua të firmoste një traktat me Rusinë.” Sipas: Sulejman Kylçe, Shqipëria në historinë osmane, Tiranë, 2004, fq. 126.
[9] Shukri Rrahimi, Gjurmime historike të Rilindjes Kombëtare, Prishtinë, 1986, fq. 100.
[10] Për aspekte historike të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe sidomos LSHP shih: Shkelzen Raça, Marrëdhëniet shqiptaro-greke 1829-1881, Prishtinë, 1990, fq. 177 e tutje.
Krhs.: Joseph von Hammer, Historija Turskog /Osmanskog/ Cartsva, libri 3, Zagreb, 1979, fq. 479.
[11] Mali i Zi ishte nga fqinjët më fanatik kundër trojeve shqiptare. Këtë e shohim nga disponimi i tyre nga vendimet e Shën Stefanit dhe Berlinit. Gjerësisht: Isa Bicaj, Marrëdhëniet shqiptaro-malazeze (1881-1914), Prishtinë, 2003, fq. 11 e tutje; fq. 27 e tutje. Edhe shtypi boshnjak i kohës së Lidhjes e komenton qëndrimin malazez rreth moszbatimit të vendimeve të Berlinit. Një një gazetë shkruan: “Zvarritjen e Sulltanit që t’i dorëzojë tokat shqiptare në favor të Malit të Zi, qeveria malazeze e komenton se ky veprim i ka kurajuar shqiptarët ‘në pafytyrësinë e tyre, të cilën vendorët dhe Porta e Lartë me qëndrimin e tyre e kanë mbështetur’.” Sipas: Bosansko-hercegovacke novine, br. 6, e dt.18.1.1880, sipas: Haris Silajdži?, Albanski Nacionalni pokret, Sarajevo, 1995, fq. 53 e tutje.
[12] Azm Zade Refik Beg, Panislamizam i Evropa, Mostar, 1914, fq. 28-29 etj.
[13] Hysni Myzyri në: Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, Prizren, 2001, fq. 114 e tutje. Shih edhe: Enis Sulstarova, Ligjërimi nacionalist në Shqipëri, Tiranë, 2003, fq. 28-29.
[14] Sipas: Tajar Zavalani, Histori e Shqipnis, botimi II, Tiranë, 1999, fq. 171-173.
[15] Olsi Jazexhi, Roli i aleancës panortodokse ballkanike në divorcin e shqiptarëve nga shteti osman, në: Studime orientale, 2/2002, Prishtinë, fq. 191-200. Krhs.: Azm Zade Refik Beg, op. cit., fq. 29 e tutje.
[16] Xhafer Belegu, Lidhja e Prizrenit, Tiranë, 1939, fq. 6 e tutje.
[17] F.O. 78/1879; Account and papers (36)). 1978-1879. LXXVII, 77, 345-348, sipas: Skender Rizaj, në: Konferenca Shkencore e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, I, Prishtinë, 1981, fq. 374.
[18] Christine von Kohl, op. cit., fq. 62.
[19] Shih: Eqrem bej Vlora, Kujtime – Vëllimi i parë 1885-1912, Tiranë, 2001, fq. 163.
[20] Peter Bartl, Albanci od srednjeg veka do danas, Beograd, 2001, fq. 92 e tutje.
[21] Olsi Jazexhi, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe politika panislamiste e Sultan Abdulhamidit II, në: http://groups.yahoo.com/group/albmuslimnews/message/3411.
[22] Roberto Moroco dela Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944, Tiranë, 1994, fq. 22 dhe fusnota 7 në fq. 94.
[23] Shih: Eqrem bej Vlora, op. cit., fq. 163-164.
[24] Xhafer Belegu, op. cit., fq. 17-18.
[25] Hysni Myzyri në: Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, Prizren, 2001, fq. 114; Krhs.: Skender Rizaj, Shqiptarët …, op. cit., fq. 127 e tutje .
[26] Për angazhimet ruse kundër Turqisë, shih: Skender Rizaj, Shqiptarët dhe serbët në Kosovë, Prishtinë, 1991, fq. 125 e tutje.
[27] Peter Bartl, Albanci, op. cit., fq. 93.
[28] Gjerësisht: Ferdinand Schevill, Ballkani – Historia dhe qytetërimi, Tiranë, 2002, fq. 326 e tutje. Krhs.: Joseph von Hammer, op. cit., fq. 473.
[29] Peter Bartl, op. cit., fq. 93.
[30] Peter Bartl, Albanci, op. cit., fq. 94. Peter Batrl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912), Tiranë, 2006, fq. 142. P. Bartl thekson se këtë kërkesën e shqiptarëve për moscopëtimin e trojeve të tyre nuk e pranoi asnjëra palë (as Kongresi i Berlinit as Sulltani), madje qeveria turke qe e detyruar, madje edhe ushtarakisht, t’i zbatojë vendimet e Kongresit, edhe pse kjo nuk i shkonte në favor të saj dhe këtë e veproi me zemër të thyer. Sipas: Peter Bartl, Albanci, op. cit., fq. 97.
[31] Programi i Lidhjes për Shqipërinë Veriore e Verilindore, 18. 6. 1878, fq. 40-41 etj., sipas: H. Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, botimi II, Shkup, 1999, fq. 103.
[32] H. Prishtina, Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vjetit 1912, Tiranë, 1995, sipas: H. Feraj, op. cit., fq. 103.
[33] Sipas: Hysamedin Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, bot. II, Shkup, 1999, fq. 96.
Brenda këtij grupimi kemi dy grupime: Grupimi i parë karakterizohet me radikalizëm dhe autonominë dëshiron ta realizojë me çdo kusht, të cilën e përfaqësonte Abdyl Frashëri dhe grupimi tjetër, i moderuar, që kërkonte autonominë pa iu kundërvënë sulltanit. Sipas: Enis Sulstarova, Ligjërimi nacionalist në Shqipëri, Tiranë, 2003, fq. 31.
[34] Christine von Kohl, op. Cit., fq. 60.
Shih për minoritetet dhe pozitën e tyre në Kosovë para dhe pas Lidhjes së Prizrenit: Noel Malcolm, Kosova – një histori e shkurtër, Tiranë – Prishtinë, botimi II, 2001, fq. 210-224.
[35] Sipas: Joseph von Hammer, op. cit., fq. 484. Krhs.: Tajar Zavalani, op. cit., fq. 171 e tutje. Edhe studiuesi E. Sulstarova mendon se “statusi i popullsive jomuslimane barazohej me ato muslimane”. Enis Sulstarova, op. cit., fq. 28.
[36] Gjerësisht në: Fikret Karçiç, Muslimani Balkana – Istoçno pitanje u XX vijeku, Tuzla, 2001, fq. 65-92. Për problemin e migrimeve nga jashtë brenda Perandorisë, shih edhe: Stanford J. Shaw & Ezel Kural Shaw, Historia e Perandorisë Osmane dhe Turqisë Moderne, II, Tiranë (2006), fq. 238 e tutje.
[37] Pseudo-shkenca serbe Abdulhamidin II e quan kundërshtar të reformave osmane dhe nxitës dhe mecenë të panislamizmit modern dhe praktikues të xhihadit të gjithmbarshëm ndaj kryengritjes serbe-malazeze në kohën e tij. Për këtë dhe dhunën serbe të shekullit XVIII e më pas, shih: Miroljub Jefti?, Džihad – Savremeni džihad kao rat, Beograd, 1989, fq. 46-47.
[38] Gjerësisht: Sami Frashëri, Zëdhënësi…, op. cit., fq. 115-116.
[39] Gjerësisht: Nusret Šehi?, Autonomni pokret mullimana za vrijeme austrougarske uprave u Bosni i Hercegovini, Sarajevë, 1980, fq. 21.
[40] Fransoa Žoržon, Posljednji trzaji (1878-1908) në: Rober Mantran, Istorija Osmanskog Carstva, Beograd, 2002, fq. 644-645. Faktorë tjetër në aktivizimin politik të shqiptarëve, krahas rrezikut panortodoks, ishte ‘lulëzimi’ i nacionalizmave në Evropë dhe Ballkan dhe rrezikimi i shqiptarëve nga këto nacionalizma, sepse sllavët, grekët e të tjerë, nuk e njihnin të drejtën e popullit shqiptarë në shtet dhe mëvetësi. Sipas: Charles dhe Barbara Jelavich, Themelimi i Shteteve Kombëtare të Ballkanit, 1804–1920, Tiranë, 2004.
[41] Shih: Panislamizam i panturcizam, Mostar, 1914, fq. 22, por edhe faqet tjera.
[42] Olsi Jazexhi, op. cit.
[43] Sami Frashëri, Zëdhënësi i Lindjes, vepra 14, Shkup, 2005, fq. 41.
[44] Karakteri islam i Lidhjes së Prizrenit nuk e mohon ekzistimin dhe pjesëmarrjen e feve të tjera. Përkundrazi, fetë tjera gëzojnë të drejta maksimale brenda sheriatit islam. Shih për këtë: Nexhat Ibrahimi, Në Islam ka vend edhe për jomuslimanët, në: Muslimanët në kërkim të Islamit, I-II, Shkup, botohet në Logos-A, Shkup ose http://www.freewebtown.com/zeriislam/artikulli/NeIslamkavendedheperjomuslimanet.htm .
[45] Kongresi i Berlinit përcakton që “Malit të Zi t’i ndahet Podgorica, Tivari, Plava dhe Gucia me popullsi të konsiderueshme shqiptare. Që t’i shmanget dorëzimit të këtyre viseve, qeveria turke nxiti shqiptarët në rezistencë. Sipas cytjes së tyre u formua Lidhja në qershor të vitit 1878, me pjesëmarrje të kristianëve dhe muslimanëve, për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar.” Sipas: Enciklopedija Jugoslavije, I, Zagreb, 1955, fq. 157.
[46] Branko Horvat, Kosovsko pitanje, Zagreb, 1988, fq. 30.
[47] Fermane: "Të shkruash historinë me tolerancë…”, Tiranë, 2005, fq. 152. (Libri me dokumente është i shkruar në gjuhën osmane, dhe i përkthyer në gjuhën turke, shqipe dhe angleze).
[48] M. Pirraku, Myderriz Ymer Prizreni, op. cit., fq. 78. Aleks Buda, op. cit., fq. 123-124.
[49] Kristo Frashëri në: Historia e Popullit Shqiptar, II, Tiranë, 2002, fq. 153, 155 e tutje.
[50] Kristo Frashëri, op. cit., fq. 153 e tutje.
[51] Sipas: Sulejman Kylçe, Shqipëria në historinë osmane, Tiranë, 2004, fq. 130.
[52] Edhe Aleks Buda e devijon lexuesin duke pohuar se mbledhja e Lidhjes së Prizrenit është mbajtur në një nga sallat e Medresesë së Prizrenit. Por, ne konstatojmë se Mbledhja e LP-së është mbajtur brenda xhamisë së Gazi Mehmed Pashës – Bajraklisë. Këtë pohim e provojnë të gjitha burimet relevante. Shih: Aleks Buda, op. cit.
[53] Kristo Frashëri, HPSH, op. cit., fq. 153.
[54] Evangelos Kofos, Greek reaction to the Albanian League of Prizren, Balkan Studies, Vol 23, 1982, sipas: Olsi Jazexhi, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe politika panislamiste e Sultan Abdulhamidit II, në: http://groups.yahoo.com/group/albmuslimnews/message/3411.
[55] Evangelos Kofos, op. cit., fq. 356. Krhs.: Shkelzen Raça, op. cit.
[56] Sipas: Konferenca Shkencore e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, I, Prishtinë, 1981, fq. 85.
[57] Në: Gazeta Tirana, shtator 1992 dhe Zëri i Rinisë, 11 nëntor 1992, Tiranë në: http://listserv.buffalo.edu
[58] Sipas: Kastriot Dervishi, Paskal Milo midis shërbimit dhe trillimit në: http://listserv.buffalo.edu
[59] Sarajevski list, br. 132, i dt. 8. 11. 1883, sipas: Haris Silajdzic, Albanski Nacionalni pokret, Sarajevo, 1995, fq. 72.
[60] Zef Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Prizren - Zagreb, 1998, fq. 364. Kurse njohësi i rrethanave shqiptare-boshnjake dr. Haris Sillajxhiq mendon se fati pak a shumë i përbashkët i këtyre dy popujve në të kaluarën e deri sot duhet të hulumtohet për të ndriçuar aspekte të panjohura. Haris Silajdzic, op. cit., fq. 45-46.
[61] Sami Frashëri, Zëdhënësi …., op. cit., fq. 115.
[62] Ali Hadri, Historia e popullit shqiptar për shkollat e mesme, Prishtinë, 1973, fq. 100-101. Habit fakti se ku e sheh akademik A. Hadri përparësinë e programit të tretë të LSHP-së ndaj dy të parëve, pos në faktin se edhe Hadri ishte vetëm një hallkë në zinxhirin e sistemit komunist, pa analiza gjeopolitike dhe gjeostrategjike dhe të tjera.
[63] S. Rizaj, Shqiptarët …, op. cit., fq. 132 e tutje.
[64] Vasilj Popovi?, Istoçno pitanje, bot. III, Beograd, 1996, fq. 187.
[65] Nuray Bozbora, op. cit., fq. 169 dhe fusnota 86.
[66] Barbara Jelavich, Historia e Ballkanit, I, Tiranë, 1999, fq. 336.
[67] Nuray Bozbora, op. cit., fq. 169 dhe fusnota 169-170.
[68] Praninë e disa feudalëve boshnjakë në punën e LSHP-së autori serb, S. K. Pavloviq, e komenton me “idenë panislamiste”, se gjoja, duke hyrë në aleancë me shqiptarët, disa nga ata kanë dëshiruar ta theksojnë unitetin osmano-musliman. Sipas: Stevan K. Pavlovi?, Istorija Balkana, Beograd, 2001, fq. 218.
[69] Mustafa Imamovi?, Pravni položaj i unutrašnjo-politi?ki razvitak BiH od 1878-1914, Sarajevë, 1976, fq. 14-15.
[70] Bosansko-hercegova?ke novine, br. 6, e dt.18.1.1880, sipas: Haris Silajdži?, op. cit., fq. 53 e tutje.
[71] Haris Silajdži?, op. cit., fq. 45-46.
[72] Edhe autorët boshnjakë kanë filluar ta theksojnë gjithnjë e më tepër faktorin e përbashkët nacional, ilir. Shih për këtë studimin e dr. Ibrahim Paši?: Predslavenski korijeni bošnjaka, Preporod – Islamske informativne novine, nr. 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9/2007/2007 e deri ne fund të fejtonit, Sarajevë.
[73] Gazeta ditore Korrieri, i datës 17 maj 2001, Tiranë. Krh.: Xhafer Belegu, Lidhja e Prizrenit, Tiranë, 1939, fq. 17.
[74] Sipas: Nuray Bozbora, Shqipëria dhe nacionalizimi shqiptar në Perandorinë Osmane, Tiranë, 2002, fq. 168.
[75] Ndër muslimanët kemi: Shaqir Aga nga Prizreni, Myftiu Zejnel Abedin efendiu e Zija beu nga Prishtina, Ilijaz Pashë Deralla, Hasan Pasha e sheh Mustafai nga Tetova, Abdullah Pasha e Mustafa Vokshi nga Gjakova, Ismail efendiu nga Kumanova, Spahovik nga Sjenica, Haxhi Zeka nga Peja, Ahmet Aga e Ismail Aga nga Luma, Haxhi Osmani nga Mitrovica, Sinan efendiu nga Ohri dhe nga anët e tjera të Shqipërisë Abdyl beu (Frashëri) e Aqif pashë Elbasani (Biçaku). Sipas: S. Kylçe, op. cit., fq. 130. Shih edhe faqet: 130 dhe 147 në poshtëshënim. Për numrin, strukturën nacionale dhe fetare të delegatëve ka shumë versione dhe ne nuk do të ndalemi në këtë temë.
[76] Peter Bartl, Albanci, op. cit., fq. 97.
[77] Christine von Kohl, op. Cit., fq. 62.
[78] Eqrem bej Vlora, op. cit., fq. 164.
[79] Jakob Landau, Politika e Pan-Islamit: ideologjia dhe organizimi’ (Oksford 1990), sipas: Olsi Jazexhi, op. cit.
[80] Jakob Landau, op. cit., fq. 49.
[81] S. Pollo – S. Pulaha, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, Memorandume, Protesta e Thirrje, Tiranë, 1978, fq. 11, sipas: Muhamet Pirraku, Myderriz Ymer Prizreni – Ora, zemra dhe shpirti i Lidhjes Shqiptare 1877-1887, Sharr, 2003, fq. 57.
[82] Noel Malkolm, op. cit., fq. 234 e tutje.
[83] Jakob Landau, op. cit., fq 222.
[84] Shih: Xhaferr Belegu, Lidhja e Prizrenit, Tiranë, 1939, faqe 31.
[85] Marjan Prenkaj, Prizreni dhe rrethina në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX, Prishtinë, 1998, fq. 204.
[86] Dhe jo më kot, Evangelos Kofos kujton se peshkopi i Korçës, qeverisë së Athinës i thoshte: “Abdyl Beu veproi sinqerisht për bashkimin e shqiptarëve të krishterë dhe muslimanë, që jetonin në Epir dhe Maqedoni dhe që t’i ngrinte ata në një komb “modern” me principatë të tyre”. Evangelos Kofos, Reagim i grekëve …, në: Konferenca shkencore e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të prizrenit, I, Prishtinë, 1991, fq. 93.
[87] Shih gjerësisht: Olsi Jazexhi, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe politika panislamiste e Sultan Abdulhamidit II, në: http://groups.yahoo.com/groupalbmuslimnews/message/3411.
[88] Xhafer Belegu, op. cit., fq. 20.
[89] Tajar Zavalani, op. cit., fq. 173.
[90] Turqia në Berlin përfaqësohej nga Karateodor pasha. Ky thotë se Kongresi dominohej tërësisht nga Bismarku. Po ashtu pohon se “midis pesë kërkesave të Turqisë, që duhej t’i mbronte delegacioni i saj, tri janë më kryesorët: Të ruhen kufijtë perandorakë në Ballkan; Kalaja e Varnës t’i mbetej Turqisë dhe të pengohej zgjerimi i madh i Malit të Zi dhe, të Serbisë në anët e Shqipërisë.” Sipas: M. Pirraku, Myderriz Ymer Prizreni, op. cit., fq. 66.
[91] Tajar Zavalani, op. cit., fq. 174-175.
[92] Shih gjerësisht: S. Brestovci, Kararnameja …., op. cit., sipas: M. Pirraku, Myderriz Ymer Prizreni, op. cit., fq. 78.
[93] Xhafer Belegu, op. cit., fq. 21.
[94] Shih: Qemajl Morina, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian (1878-1881), Prishtinë, 2006.
[95] Shukri Rahimi, Vilajeti i Kosovës më 1878-1912, Prishtinë, 1969, fq. 3.
[96] Shukri Rahimi, Gjurmime historike, op. cit., fq. 103-104. këtë e thotë edhe H. Myzyri thekson se LP-ja u takua sërish dhe më 02 korrik 1878 miratoi Kanunin e Ri me saktësime të reja dhe me kompetenca të shtuara. Sipas: H. Myzyri, op. cit., fq. 118-119 e tutje.
[97] Edhe H. Myzyri thekson se LSHP-ja u takua sërish dhe më 02 korrik 1878 e miratoi Kanunin e Ri me saktësime të reja dhe me kompetenca të shtuara. H. Myzyri, op. cit., fq. 118-119 e tutje.
[98] Kongresi i Dibrës – Konferencë Shkencore me rastin e 95 vjetorit të Kongresit të Dibrës, Dibër 2005, fq. 238. Tajar Zavalani, op. cit., fq. 176-177.
[99] Citati sipas; Ippen, Kontribute për historinë e brendshme, fq. 384, në: Peter Bartl, Myslimanët …, op. cit., fq. 158-159.
[100] Shih: Nuray Bozbora, Shqipëria …, op. cit., fq. 203 e tutje. Shih për raportet e P. Doçit me Malin e Zi, Rusinë dhe qarqet tjera në: Aleks Buda, sipas: Grup autorësh, Historia e popullit shqiptar, vëll. II, bot. II, Prishtinë, 1978, fq. 111-115.
[101] Peter Bartl, Myslimanët …, op. cit., fq. 158.
[102] Peter Bartl, Myslimanët …, op. cit., fq. 158.
[103] Sh. Ballvora, La Ligue de Prizrend et la question de l’autonomie de l’Albanie, pp. 50, sipas: Olsi Jazexhi, Roli i aleancës panortodokse …, op. cit., fq. 193. Krhs.: Jakob Landau, op. cit., fq. 49, sipas: Olsi Jazexhi, op. cit.
[104] Citati sipas; Ippen, Kontribute për historinë e brendshme, fq. 384, në: Peter Bartl, Myslimanët …, op. cit., fq. 158.
[105] Shih gjerësisht për angazhimet për pavarësi: Peter Bartl, Myslimanët …, op. cit., fq. 160 e tutje.
[106] Noel Malcolm, op. cit., fq. 234.
[107] Christine von Kohl, op. Cit., fq. 64 e tutje.