Kommentet: Komunarë të të gjitha partive: Mjaft!

Komunarët e të gjitha partive politike të Kuvendit Komunal të Prishtinës, me përjashtim të atyre të PD-së, tashmë si duket po ua tregojnë elektoratit të tyre fytyrën e vërtetë, duke iu kthyer rrënjëve të tyre të vjetra për t’u përbashkuar rreth parullës së njohur por tashmë të tejshkuar: ‘‘Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!’’; mirëpo jo si proletarët nga fusha, mali e ara, por prej karrigeve në pushtet.

Ky lloj bashkimi i komunarëve, me qëllimin për të venë në fuqi një vendim qyqar, vendim ky që qenies të cilën Zoti i Madhëruar e ka krijuar në formën më të bukur dhe të cilën e ka dalluar nga të gjitha krijesat e tjera me logjikë dhe mendje, t’ia ndalojnë të drejtën e shkollimit në shkollat publike dhe njërën prej urdhrave të parë dhe më të lartë me të cilin Krijuesi i botëve e ka obliguar qenien njerëzore për ngritjen dhe zhvillimin e mendjes; 30 ditë pas mbarimit të ‘‘debatit publik’’ nga dita e aprovimit në parim të atij vendimi.

Po të ekzistonte një bashkim i tillë unik i të gjitha partive politike për luftimin e tenderomanisë dhe të korrupsionit, për ndalimin e krimit të organizuar dhe të prostitucionit, për çrrënjosjen e bandave të trafikimit të drogës dhe të qenieve njerëzorore; për ndalimin e nepotizmit, ryshfetit, reketit e të familjarizimit; bashkimi për uljen e papunësisë dhe për luftimin e varfërisë, etj., etj., etj..., ashtu siç janë bashkuar për t’ia ndaluar të drejtën e shkollimit vajzave që bartin mbulesë; me siguri se Kosova nuk do t’i kishte punët kaq keq dhe se do të ishte prej shteteve të para në rajon që do të mund t’i plotësonte kushtet në të gjitha nivelit për integrimin në Bashkimin Evropian. Por fatkeqësisht një bashkim i tillë nuk shihet as në horizontin e katërt dhe as në fund të tunelit!

Më e keqja është se këta njerëz janë pikërisht vet aktër stimulues të punëve të tilla të liga dhe të përlyer direkt ose indirekt më se paku në njërën prej këtyre fenomeneve negative, të cilat e kanë dërrmuar për vdekje popullin e shkretë, gjë që po e shndërron atë përditë e më shumë në një popull servil, të varfër, lypsar dhe të mbytur në borxhe të kamatave të larta të bankave të huaja komerciale që operojnë në Kosovë.

Por tani, përveç rritjes së papunësisë dhe të varfërisë, është prezent edhe një rrezik tjetër: Stimulimi dhe shtimi i analfabetizmit që po vije përsëri prej vet klasës qeverisëse. Por kjo nuk është edhe shumë çudi, ngase zinxhiri i të keqes është një zinxhir hallkash të pashkëputura prej njëra-tjetrës. Një klase të tillë politike i konvenon dhe i shkon për shtati një popull i lodhur, i ngathët dhe analfabet. Sepse për t’i mbushur xhepat ujku vëlla do mjegull! Dhe forma më e mirë e krijimit të kësaj mjegulle është padyshim cungimi nga e drejta e arsimimit. Ky mentalitet qeverisës dhe kjo mënyrë e veprimit dhe e sjelljes së politikanëve me qytetarin, Republikën e Kosovën e kanë mbërthyer për fat të keq në një banana-republikë sui generis, larg, shumë larg integrimeve euroatlantike, ku pakkush përveç politikanëve po i gëzohet një këso lloj ‘‘pavarësie’’.

Por është shumë për t’u habitur, se sa herë që vijnë pastaj zgjedhjet të gjithë komunarët i sheh tek dalin në mediume dhe bilborda të buzëqeshur, duke thirr secili për vete: ‘‘Ama kokrrën mu, ama kokrrën mu, aman ama mu!’’, mirëpo duke e mbajtur gjithmonë të heshtur dhe të fshehur pjesën tjetër të medaljes së kësaj fraze, e cila për shumë qytetarë, kishte mbetur deri më tani disi enigmatike; se: ‘‘(Pu)shtetin du me e marrë, (pu)shtetin du me e ru, se pa të s’muj me rrnu!’’.

Lloji i tillë i frazave të politikbërësve për minimum gjatë 30 ditë të fushatës në zgjedhjet e këtyre dhjetë viteve të fundit, i kanë kushtuar qytetarëve të Kosovës me qindra miliona euro, kurse arritja e marrjes së kokrrës pastaj, me dhjetëra miliarda euro të tjerë.

Përveç këtyre arsyeve pse sot politikanët nuk duhen, por që urrehen edhe nga vet elektorati i tyre, lista e të cilave për qytetarin ngjan të jetë të pafund, në mesin e tyre si arsye më kryesore janë:

- Për shkak të punës për interesat e tyre personale, në vend të përfaqësimit të interesave të qytetarëve,
- Për shkak të shkeljes së të drejtave të qytetarëve në vend që t'i mbrojnë të drejtat e tyre,
- Për shkak të mos përmbajtës së premtimeve dhe të mungesës së rezultateve në të mirë të qytetarëve,
- Për shkak se politikanët paguhen dhe jetojnë shumë mirë prej taksave të qytetarëve, por që nuk përpiqen të punojnë që edhe atyre t'ua përmirësojnë kushtet e tyre të jetesës,
- Për shkak të mbajtjes së më shumë së dy poste zyrtare publike njëkohësisht, kurse qytetari për vite me radhë ende qëndron i papunë,
-Për shkak se politikanët nxjerrin vendime dhe ligje që u siguron atyre profite dhe benificione të ndryshme në vazhdimësi, si dhe vendime dhe ligje të tilla që i ndalojnë dhe i kufizojnë lirinë dhe të drejtat më elementare të qytetarëve,
- Për shkak se pagat mes shërbyesve civil dhe të politikanëve kanë dallim të madh sa prej tokës e në qiell, ndonëse ata punojnë po aq, nëse edhe jo më shumë se politikanët në shërbim të vendit,
- Për shkak se kur vije stina e ngrohtë e verës sikur tani, politikanët dalin në media dhe me krenari i tregojnë popullit se në cilin vend do të shkojnë në pushime, kurse në ndërkohë qytetari duhet të përballët përditë me sigurimin e mbijetesës dhe kërcënimit të vazhdueshëm, për shembull nga këputja prej rrjetit elektrik, për shkak të pamundësisë së pagës së faturave të rrymës,
- Për shkak se politikanët pasurohen brenda nate, kurse qytetari në një gjendje të tillë varfërohet përditë e më shumë,
- Për shkak të diskriminimit, aplikimit të standardeve të dyfishta dhe të qasjes së padrejtë dhe të pabarabartë ndaj qytetarëve të kulturave dhe të feve të ndryshme,
- Për shkak se për të realizuar një të drejtë më elementare, qytetarët gjithmonë detyrohen prej politikanëve pa lidhje të ngritën në protesta,
- Për shkak të moralit të tyre të ulët, mungesës së thellë të sinqeritetit, mosdhënies së llogarisë ndaj votuesit dhe të mos dhënies dorëheqje si shkak i dështimit,
- Dhe për shkak të keqinterpretimit, keqpërdorimit dhe moszbatimit të drejtë të Kushtetutës së vendit dhe të shkeljes së Konventave Ndërkombëtare që flasin dhe garantojnë qartë liritë dhe të drejtat e njeriut.

Kjo qasje fatale qeverisëse për vite me radhë i ka inatosur në atë shkallë qytetarët, se vështirë që do të dalin për të votuar në zgjedhje përsëri. Edhe nëse dalin për votime, do të dalin fatkeqësisht që të zhvlerësojnë votën, si mënyrë e vetme për të shmangur së paku grabitjen e votës së tyre. Kjo qasje e re e qytetarit ndaj politikës që po dëgjohet ditëve të fundit gjithandej vendit, do të përkeqësohet edhe më shumë dhe nuk do të ndryshojë, derisa nga të gjitha partitë politike të mos korrigjohet dhe të mos ndryshojë ky mentalitet dhe kjo mënyrë qeverisëse në shërbim dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme