AKËCILI TË VEPROJË ME PËRGJEGJËSINË PROFESIONALE!

Sa pushoi “Afera” e zhurmshme e z. Nait Hasanit në Prishtinë, për “Gjykimin e krimeve të regjimit komunist në Kosovë”(!?!?), plasi “Afera” me bubullimë e z. Sali Berisha në Tiranë (shih:”Berisha akuzon Ramiz Alinë për Masakrën e Tivarit”, Koha Ditore, 8 Qershor 2010 dhe “Në kërkim të urdhëruesve”, Express, 10 Qershor 2010 (!?!?!). Përnjëherë dua të saktësojë faktin se ngjashmëritë e “Katinit polak” me të “Masakrës së Tivarit”, ndonëse të dyja ferr, janë si dallimet e natës me të ditës në qellim, planifikim dhe kryerje të krimit. Njësoj është edhe PS-ja e PPSH-ja. Për këto “gjetje” të Z. Berisha, vetëm kaq, ngase “Mësimet e hidhura të së kaluarës duhet të mësohen përsëri!”- do të na sugjeronte i urti Ainshtajni.
Të dyja këto afera (e Prishtinës dhe e Tiranës) plasën në kohë të pa kohë dhe pa asnjë interes për kombin, i cili vazhdon të vuaj nga varganët e robërisë në duar të “Botës demokratike” - për hir të “Botës imperialiste” të paraardhësve të tyre, në shërbim të pansllavizmit ortodoks, si dje dhe sot, u përgjigjet sentenca e filozofit Erich Fromm: “Britma është një gropë e pafund që e dërmon njeriun në një përpjekje të pafund për të kënaqur nevojën pa e arritur kurrë kënaqësinë”!
Për “Aferën Hasani”, për fatin tim nuk më pyeti kush, kurse për “Aferën Berisha”, “TV Klan Kosova”, më 10 Qershor kërkoi një Prononcim timin për “Përgjegjësinë e Enver Hoxhës, të Fadil Hoxhës dhe të Ramiz Alisë në përgatitjen dhe zbatimin e Masakrës së Tivarit”?!? Para kamerës fola nja 10/15 minuta dhe, sa mund të mbahet në kujtesë, nënvizova këto fakte: "Strukturat politike dhe ushtarake të Shqipërisë Londineze dhe të Kosovës, sot Unmikiane, që simbolizoheshin me Enver Hoxhën dhe me Fadil Hoxhën, nuk kanë asnjë faj për Masakrën e Tivarit, sepse as janë planifikues dhe as zbatues, e madje për atë krim kanë mësuar, si nëpër mjegull, shumë më vonë. Ndërkaq, të rangut politik e ushtarak të Ramiz Alisë në radhët e LANÇSH-së kanë qenë dhjetëra veta. Ngjarja nuk ka ndodhur në terrenin e Shqipërisë dhe në informatat e para "Enveri" me shokët kanë “mësuar” se vrasja është shkaktuar “në një mal...në një luginë... etj”!?!
Megjithatë, Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha mund të kenë një përgjegjësi morale relative pse nuk kanë kërkuar nga Aleatet: Ruzvelt, Çercill dhe Stalin zbardhjen e Tragjedisë dhe dënimin e fajtorit!?! Them “përgjegjësi relative” për faktin se tashti në Kosovë ishin mbi 40 mijë ushtarë jugosllavë të njësive më elite çetnike (të amnistuara nga Tito) e komuniste, të cilët kishin urdhra të qarta të vepronin kundër qenies shqiptare të Kosovës, të Kosovës Lindore, të Iliridës, të Sanxhakut dhe të Malësisë shqiptare në Mal të Zi. Kosova, që nga 8 Shkurti, vuante nën “Pushtetin ushtarak “ me firmë të J.B. Titos.
Mirëpo, për hir të realitetit historik duhet të konstatojmë se Enver Hoxha, megjithatë, ka bërë disa përpjekje për të mësuar për tragjedinë e Tivarit dhe për vrasjet e tjera të shqiptarëve nga ushtria jugosllave. Madje ka bërë përpjekje të mësoj nga Jugosllavet edhe për qëllimin vendosjes së “Pushtetit Ushtarak në Kosovë”, duke ua kujtuar faktin se Kosova sipas Marrëveshjeve të “Dy partive komuniste aleate”, për fatin e saj “duhet të përcaktohet me Referendum se kujt do t'i bashkohet!” Dhe, me kompetencë shkencore mund të konstatojë se z. Ramiz Alia nuk ka asnjë përgjegjësi në ketë ngjarje, kurse LANÇSH-ja, deshëm apo nuk deshëm, është luftë e drejt që e nderon kombinonë. Me këtë konstatim nuk u bie fshesë krimeve ndaj shqiptarëve që kanë ndjekur rrugën tjetër (të cilës i ka takuar edhe gjaku im): “Nuk luftojmë veresi - Shqipërinë e ribashkuar që sot...!”. Të themi pa ekuivok: Për ndarjen në dy taborë të atyre që ishin të gatshëm të vdisnin për lirinë e kombit, si dhe për mos plotësimin e kërkesave legjitime të kombit shqiptar në gjakderdhjen shqiptare të Periudhës së Luftës së Dytë Botërore, qartë janë fajtorë tri forcat kryesore të Bllokut fitimtar të Luftës së Dytë botërore: Rusia, Anglia dhe SHBA (shih marrëveshjet e tyre të viteve 1941/45!). Këta aleatë të LANÇSH-së kanë pasur njohuri për krimet serbo-jugosllave duke filluar me Bihorin, Çamërinë, Gjilanin, Drenicën, Vërshacin, por edhe për Masakrën e Tivarit. Heshtën, kurrë nuk reaguan. Pse?!?!
Të spikas edhe këtë fakt: Fadil Hoxha, në pamundësi për të kërkuar llogari nga Aleati Jugosllav, ngase Fadili (dhe komunistët shqiptarë) tashti nuk kishin asnjërin nga postet kryesore në ushtri, në politikë (pushtet) dhe as në siguri (Ozna) të Kosovës, ndaj zgjodhi rrugën qe e kam vu moto të librit tim: “Tivari 1945- Kalvari i Kosovës”: “Ne, në udhëheqjen kosovare i kemi ikur që të bisedojmë për atë. E kemi gjykuar atë sjellje dhe e kemi përfunduar çështjen me atë. Nuk di se ku do të na çonte shqyrtimi…?!”
Ky prononcim imi për “TV Klan Kosova” nuk u dha në kuadër të lajmeve të orës 20, siç më kishte thënë gazetari !?! Sapo u kryen “lajmet” më thërret gazetari dhe kërkoi nga unë që Konstatimin tim ”Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha mund të kenë një përgjegjësi morale relative pse nuk kanë kërkuar nga Aleatet: Ruzvelt, Çercill dhe Stalin - ZBARDHJEN E TRAGJEDISË....”!?! ( shih të plotë mendimin më sipër!), ta vente në fillim të tekstit foljor dhe të shkruar: Historiani Dr, Muhamet Pirraku konstaton: ”Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha mund te kenë një përgjegjësi morale relative në organizimin dhe zbatimin e Masakrës së Tivarit...!”
Refuzova vendosmërisht: “Mos Luani me të vdekurit as me të gjallët...! Të emetohet incizimi i plotë, ose te lihet, të mos preket përmbajtja! Nëse dëshironi të ndihmoni çështjen pa anësi të tarafllëqeve politike të marra, më ftoni mua dhe Profesor Hakif Bajramin për një debat shkencor më së paku Një orë...!”
Meqë kaluan pesë ditë nga dita që mu detyrua “Ky muhabet i hidhur”, i nisur edhe nga një obligim moral që më ngarkohet nga konstatimi i Burrështetasit, Z. Rasmiz Alia: “...t’i gjejnë kosovarët se kush e bëri masakrën...!”, vendosa të nxjerrë në letër mendimin tim ndihmesë për Nismën me bubullimë të Presidentit të Tiranës: Z. Sali Berisha i vetëdijshëm se pak mund të ndikojë, sepse në kombin tonë sot ajo që nuk e vlen ta kesh është dija dhe sinqeriteti, por së fundi do ta qetësoj ndërgjegjen time intelektuale dhe profesionale.
Meqë jemi komb i copëtuar në gjashtë hiç shtete të njerëzishme dhe, siç po tregon përvoja, nuk njihemi midis vetës, për lexuesin e nderuar shqiptarë, e vetëm shqiptar, e shoh të udhës të konstatojë: Jam njëri ndër njohësit e mirë të burimeve ushtarake e politike jugosllave për “Masakrën e Tivarit” të 1 Prillit 1945, dhe gjithsesi njohësi më i mirë i kujtesës historike të popullit për këtë Masakër, me të cilën kam nisur të merrem qysh nga viti i parë i studimeve në histori, më1963. Nga tetori i viti 1967 kam filluar edhe me hulumtimin e lëndës arkivore, por vetëm në vitin 1975 kam pasur fatin t’i evidencoj të gjitha raportet e njësive ushtarake të Serbisë, dhe të Kosovës në fondet e Arkivit të Institutit Ushtarak të Jugosllavisë, të cilat lejoheshin të konsultoheshin për interesa të dijes historiografike të LANÇJ-së. Vetëm pas një viti, pikërisht më 25 Shtator 1976 do të më lejohet që ato dokumente të fotokopjoheshin për nevoja të Entit të Historisë së Kosovës, ku punoja si “Hulumtues shkencor...”.
Mirëpo, për faktin se nga viti 1971, e në vijim, me disa paraqitje në shtyp e pasqyrova fuqimisht “Rezolutën e Bujanit”, dhe në simpoziume për LANÇ të Kosovës “Luftën e Drenicës” e quajta Revoltë të Partizanëve nën udhëheqjen e kreut antifashist Shaban Palluzha, komandant nominal, e jo “Kundërrevolucion”, si dhe hodha dritë mbi shumë masakra të UNÇJ-së ndaj shqiptarëve, dhe madje, “Mi’ piu sorra trutë” dhe e kritikova doktoratën e Dr, Ali Hadrit, pse e kishte përfillur tezën e “kundërrevolucionit”; pse nuk e kishte paraqitur pjesën e Rezolutës së Bujanit për të drejtën e Kosovës në Vetëvendosje, pas fitores së përbashkët Jugosllave-Shqiptare mbi okupatorin...!”; pse nuk kishte shkruar për masakrat në Bihor, Gjilan, Drenicë, Tivar etj. - nuk do të më lejohet të merrem (me program shkencor të Entit), me historinë shqiptare të Kosovës së periudhës së “Luftës së Dytë Botërore” as më “Lëvizjen Kaçake” të viteve të 20-ta, që u bë pretekst të largohem nga EHK. Në fillim të tetorit të vitit 1967, kalova me punë në Institutin Albanologjik (i cili nuk merrej me LANÇ-në) ndaj dokumentet për “Luftën e Drenicës” dhe për “Masakrën e Tivarit” detyrimisht i deponova në “Arkivin e Entit të Historisë”. Mirëpo, që të mos mbetem pa “bazën” e një pjese të punëve të mia publicistike e shkencore, pa dijen e drejtorit, i fotokopjova të mbi 3000 faqet e dokumenteve, të cilat, për fat, i posedoj edhe sot.
Pas fillimit të shthurjes së censurës komuniste jugosllave në vitet e 90-ta, do të më hapen mundësitë për të “devijuar”, nganjëherë, nga “projektet shkencore të detyrueshme” dhe për të prekur temat për gjenocidin Jugosllav ndaj shqiptarësisë së Kosovës, gjithsesi në shërbim të përpjekjeve tona për çlirimin dhe ribashkimin e kombit shqiptar. Në disa momente hodha dritë edhe mbi Masakrën e Tivarit të 1 Prillit 1945, gjithmonë i mbështetur në burime relevante. Të përmendi këtu disa nga shkrimet dhe nga librat ku janë ndriçuar aspekte të veçanta e të përgjithshme të këtij krimi jugosllav mbi shqiptarët, i prirë nga ideja që të dhënat burimore të proveniencës jugosllave të shfrytëzohen mbështetje për një aktakuzë me karakter ndërkombëtar kundër pushtuesit jugosllav në përgjithësi dhe kundër atij serb në veçanti, për Masakrën e Tivarit:
Gjendja në Kosovë gjatë pe¬riudhës së administrimit ushtarak (8.II - 8.VII.1945), Përpa¬rimi. Re¬vi¬stë shke¬n¬core Nr. 5, Prishtinë, 1990; Evropa është faj¬to¬re për gje¬nocidin mbi shqiptarët, Dielli, Zagreb – Prishtinë, nr. 20-34 të vi¬te¬ve 1991, 1992; Në Tivar u masa¬kruan 17¬00 shqiptarë, Zëri, nr. 1434, Prishtinë, 11 Janar 1992, 42-43; Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë, 1992; Ka¬lva¬ri i shqi¬ptarësisë së Koso¬vës. TIVARI 1945, Prishtinë, 1993, Ribotim në vitin 1994; Masakra e Tivarit 1945, Fjala jonë, nr. 4, Prishtinë, 1995; Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Koso¬vës Lindore1941-1951, Prishtinë, 1995; Rëndësia e “Shtabit Suprem të Koso¬vës” në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës (dhjetor 1944 – te¬tor 1945), Gjurmime albanologjike SSHH, 28-29 (1998-1999), Pri¬sh¬ti¬në, 2002; Për kauzën shqiptare 1997-1999, Prishtinë, 2000; Tivari 1945 - Kalvari i Kosovës, Prishtinë, 2005; Për Kauzën e UÇK-së, Prishtinë, 2006; Për kauzën e shtetësisë së Kosovës, Prishtinë, 2008.
I solla këto të dhëna për të vetmin qëllim, që lexuesi të bindet (këtu e dua ta kem në rend të parë Zotëri Sali Berishën) se nuk mora këtë lodhje për mendje teke, as për “biografi”, por i shtyrë nga profesionalizmi dhe Betimi jetësor: Interesi i Kombit mbi interesin tim dhe të Familjes sime! Të më besojë i respektuari im Zotëri Salo, se atë që e flas e mbështeti në fakte dhe gjykoj esëll, në interes të kombit! Mjerisht, të parët e mi janë lutur: “Pshtona Zot nga sherri i Shkaut....!”, kurse unë mbeta në jetë i dënuar për t’u lutur: “ Zot i Madh shpëtona nga partitë politiket vetëquajtura shqiptare...!?!”
Tashti, të ecim përpara së bashku: Nuk e shoh të udhës të sjelli shumë fakte për numrin e eshalonëve të Marsit dhe të Prillit. Do të ndalem pak më shumë në Platformën politike serbo-jugosllave që çoi Masakrën e Tivarit, e cila në publicistikën dhe historiografinë shqiptare të Kosovës është quajtur: “Varri më i madh në Ballkan”, “Varri shqi¬ptar i Tivarit”, "Ploja e Tivarit", "Masakra e Ti¬va¬¬rit", "Tra¬gjedia e Ti¬varit", "Tivari Varri më i madh i shqi¬p¬ta¬rë¬ve", "Nata e Bartolomeut në Tivar", Kal¬va¬ri i shqiptarësisë së Ko¬so¬vës, Kalvari i Kosovës.
Në librin tim të fundit për këtë krim, i mbështetur në burime relevante, kam konstatuar: “Ploja e ushtrisë jugosllave (AJ së) serbomala¬ze¬ze komu¬nisto çentike mbi "rekrutët" shqiptarë, më 1 Prill 1945, në Tivar, është vetëm një ndër sekuencat e gjenocidit sistematik serbomadh nën flamurin e orto¬do¬ksisë shënsaviane mesje¬tare mbi shqiptarët në për¬gjithësi, e në veçanti mbi shqip¬tarët nën okupimin ju¬go¬sllav versajas e avnojist, e që kishte për qëllim spa¬strimin etnik shqiptar dhe serbizimin e Kosovës dhe të viseve shqiptare etnike përreth”. Kësaj nuk kam se çka t’i shtoj.
“...Kosova, së paku nga vjeshta e vitit 1941 deri në vje¬shtën e vitit 1944, në dokumentet oficiale politike e ushtarake të Cen¬tralës kominterniste – Tito, është kra¬hinë autonome (politike dhe ushtarake), e një rangu me Krahinën e Serbisë, të Kroacisë, të Sllovenisë, të Bos¬n¬je Hercegovinës, dhe u printe Sanxhakut, Vojvodinës e Ma¬qedonisë. Misionarët e KQ të PKJ së dhe të Shta¬bit Suprem të APJ së, që dërgoheshin në Kosovë dhe në Shqipëri, sabotuan masivizimin e LANÇ së së Ko¬so¬vës, dhe pikërisht me propagandë nëntokësore ko¬munisto çetnike serbomadhe, kontestuan Rezolutën e Buj¬anit të 2 janarit 1944, e duke inskenuar vrasjen e ko¬mu¬nistëve dhe të antifashistëve shqiptarë më të shquar dhe të komunistëve serbë e malazias internacionalistë, për¬gatitën ak¬tin e ripushtimit jugosllav të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të ndara Jugosllavisë Ver¬sa¬ja¬se, më 1919”. As për këto probleme nuk kam gjykim tjetër.
“...Analizat shkencore kritike e të dhënave buri¬mo¬¬re -po¬litike e ushtarake serbe të periudhës shtator 19¬41 shtator 1944 tregojnë se platforma antishqi¬p¬tare serbe e LANÇJ së, e dëshmuar në Elaboratin: "Pro¬¬blemi i pa¬kicave në Jugosllavi" të ministrit në qeverinë e Ser¬bi¬së, akademikut Vasa Çubriloviq, të 3 Nëntorit 1944, ishte jo vetëm opinion politik, shoqëror e ushtarak i LNAÇ së së Serbisë Jugosllavisë, por ishte synim i qartë për vazhdimin e gje¬no¬¬cidit serbomadh mbi shqi¬ptarët, i ndërprerë pas ven¬do¬sjes së pushtetit okupues nazifashist në Kosovë, por ish¬te edhe pikë e vetme, më kryesorja, që bashkonte ele¬me¬ntët kundërshtarë ko¬mu¬¬ni¬stë e ultranacionalistë dra¬zhi¬sto çet¬ni¬¬kë serbë, mala¬zias e bullgaro-maqedonas në luftë për Ju¬go¬sllavinë Avnoji¬ste në llogari të kërkesave të për¬një¬her¬shme të Serbisë së Madhe, të Malit të Zi të Ma¬dh dhe të Maqedonisë së Madhe - të zgjeruara me toka shqip¬ta¬re!” Me asnjë të dhënë shtesë nuk mund të ndryshohen këto përfundime shkencore të qëndrueshme.
“...Në Elaboratin e 3 Nëntorit 1944 V. Çubriloviq e avancoi amanetin se serbët "nga Kosova e Metohia ku¬¬rrë nuk mund të heqin dorë edhe për shkak të rolit të saj historik edhe të rëndësisë për edukimin kom¬bë¬tar" dhe do të konstatojë se "derisa Kosova dhe Meto¬hia të mos je¬në përfundimisht serbe, deri atëherë ser¬bët dinarikë nuk do të kenë paqe!" Sipas Çubriloviqit, "ideale do të i¬sh¬te si¬kur të mund t'i qëronim të gjithë shqiptarët e ven¬dit tonë edhe atë përnjëherë". Për ta realizuar këtë kërkesë serbe historike, sipas Çubriloviqit: "janë dy mënyra të cilat do të merreshin në konsi¬de¬rim për largimin radikal të shqiptarëve: t'i zhdu¬kim ose t'i shpërngulim!” Kuadri i kësaj platformë serbe antishqiptare mund të plotësohet vetëm me fragmente të tjera nga Projekti i Çubrilloviqit.
Realisht, kërkesa programatike e racizmit antishqiptar serbomadh, sipas porosive të Çubri¬loviqit "Mund të zgjidhet më së miri gjatë luf¬tës, siç është kjo" e LANÇJ së ku, krahas "spastri¬me¬ve ushtarake gjatë ope¬ra¬ci¬one¬ve, duhet të përdoren edhe mjetet e tjera: t'u merren të gjitha të drejtat, të nxi¬rren pa¬ra gjyqit ush¬ta¬rak, të dërgohen në kampe të për¬qe¬ndri¬mit, t'u konfiskohet pasuria dhe të detyrohen të shpë¬r¬ngulen. Për të kaluar nga “pro¬grami” në vepër, nga fillimi i nëntorit të vitit 1944, eprorëve të njësive ushtarake partizane serbe, ma¬lazeze dhe maqedonase iu dha direktiva sekrete që gjatë marshimeve nëpër tokën shqiptare, ”të vrisnin së paku deri në 50% të banorëve shqiptarë...”! Ky konstatim nuk do koment!?!
Mbi bazë të platformës politike që dilte nga dy do¬ku¬mentet e zëna në gojë, më sipër, Komandanti i Divizionit 46 të AJ së, më 21 Dhjetor 1944, i urdhëronte njësitë e ve¬ta, serbe: "Në kryerjen e detyrës të jeni të pashpirt kun¬dër çdo gjëje dhe kundër çdokujt, të zbatoni repre¬za¬l¬je aty ku t'ju bëhet rezistencë, posaçërisht nëse në një¬si¬të tuaja shtinë nga fshati. Kjo do të thotë ndaj fsha¬tarëve të cilët ju bëjnë rezistencë ose u ofrojnë ndihmë bandave, të përdorni masat më të rrepta. Armiqtë e ush¬trisë dhe të popullit tonë (serb) patjetër duhet ta ndie¬j¬në fuqinë e armëve tona!" Po ta dinte këtë i famshmi Gjon Kenedi do të na porosiste: “Armiqtë duhet t’i falini, por kurrë të mos ua harroni emrat…!”
Vërtet, këtu më duhet ta vë në spikamë një fakt: Nëse nuk kihet parasysh platforma programatike jugosllave-serbe e mësipërme për spastrimin etnik të viseve shqiptare nën administrimin e ish- Jugosllavisë (versajase) 1918-1941, të gjitha vrasjet e rekrutëve të Eshalonëve të Mars-Prillit 1944, si dhe vetë Ploja , përkatësisht Masakra e Tivarit, nuk mund të kualifikohet tjetër pos “Një incident i përfunduar me disa qindra viktima...”!?!
Realisht, në funksion të kësaj platforme për gjenocid ndaj shqiptarëve u shpall “çarmatosja” e popullsisë shqiptare, mobilizimi i me¬sh¬kujve të moshës 18 35, përkatësisht 16 60-vjeçar dhe u shpa¬¬llën për të "dyshimtë" dhe për "armiq" i të gjithë shqip¬ta¬rët të cilët nuk e përqafonin pushtuesin serb jugosllav!?! Urdhëresën për mobilizimin e "njerëzve"(ljudstvo) dhe dër¬¬¬gi¬min e tyre për plotësimin e njësive të Armatës IV të AJ së ( komandant Petar Drapshin) e dha Shtabi Operativ i UNÇ së dhe i AP së së Kosmetit (komandant Sava Drleviq) mbi bazë të urdhëresës së Shtabit Suprem të Armatës Jugosllave (Komandant J. B. Tito). Për realizimin e këtij plani antishqiptar në Kosovë, deri më 20 Mars 1945, ishin stacionuar forcat e Divizioni i AJ-së 41, 46, 52, të “Grupit të brigadave” (malazezo kosovare) dhe të Ko¬ma¬n¬¬dës Ushtarake Krahinore të Kosmetit.
Të shtojë edhe këtë të dhënë: Ko¬ma¬n¬danti S. Drleviq u sugjeronte dhe u urdhëronte një¬sive që do të ngarkoheshin për t'i “transportuar njerë¬zit e mobilizuar”: "Gjatë transportit të nje¬rëzve koma¬ndantët e eshalonëve të kenë kujdes që njerëzve t'ua pa¬mundësojnë dezertimin, kurse gjatë pushimit të bë¬het bllokimi i kuarteteve të banimit. Komandantët dhe komisarët politikë të eshalonëve do të jenë persona¬lisht për¬gjegjës, nëse nga pakujdesia ua mundësojnë ikjen!" Përmbajtja e citatit na mjafton të ku¬ptojmë se “njerëzit” (ljudstvo) shqiptarë paraprakisht ishin të apo¬stro¬¬fuar si armiq dhe si të tillë po deportoheshin nga Ko¬so¬va, kurse ushtarakët dhe ushtarët përcjellës të esha¬lo¬nëve shqiptare i kishin duart e lira dhe jetën e çdo sh¬q¬iptari të “mobilizuar” me dhunë mund ta vlerësonin me vlerën e një plumbi !?!
Kur dihen të gjitha këto fakte, a ka logjikë të fajësojmë udhëheqjen e LANÇSH-së për planifikimin dhe zbatimin Masakrës së Tivarit dhe për “gjenocid” mbi “rekrutët shqiptarë”, aq më keq që ky denoncim vije nga kreu i Ekzekutivit qeveritar të “Shqipërisë”, 65 vjet pas krimit?!?! Duke ditur se pas akëcilit veprim politik dhe ushtarak ka një qellim për një përfitim, mund të pyesim ndërgjegjen tonë sot të çakërdisur: “Çka planifikonin të fitonin Enver Hoxha, Fadil Hoxha dhe Ramiz Alia, me “masakrimin” e vëllezërve të tyre edhe bashkëluftëtarë...”?!?! Duke e kujtuar Gjordano Brunon do të thërrisja: “Unë po vdes në një kohë që e ka humbur arsyen!”
Tashti më duhet të konstatojë: me shumë saktësi dihet numri i rekrutëve në Eshalonët e Marsit dhe të Prillit 1944, të nisur nga Prizreni; përafërsisht dihet edhe numri i atyre që kanë arritur në Shkodër; si edhe numri i të arriturve në Ulqin; por edhe numri i atyre që arritën në radhët e Armatës IV të AJ-së. Ka informata bukur të sakta edhe për numrin e atyre që kanë pësuan në kurthet e Përcjellësve serbë, maqedonas dhe malazias të Eshalonëve. Të gjitha të dhënat që ofrojnë raportet e proveniencës ushtarake jugosllave i kam elaboruar “katilishi” në Librin e vitit 2005, me qëllim që të ofrojë argumente të verifikuara mirë për një aktakuzë ndërkombëtare kundër krimit serb ndaj shqiptarëve, ndaj këtu as e shoh të udhës të ndalem në ato.
Megjithatë për këtu më duhet të bëjë një përjashtim vetëm për Eshalonin e Dytë, i cili e përjetoi masakrën e Një Prillit 1944 , në Obrrin e Monopollit të Duhanit në Tivarin e Ri. Sipas të dhënave më të sigurta nga Prizreni në këtë Eshalon u nisën, më 26 mars, “rreth 2400”, më saktë: “2382 përkatësisht 2380 shqiptarë” kurse në Shkodër arriti më 30 mars në orën 8, kurse rreth orës 11 “Eshaloni me 2370 shqiptarë i është dorëzuar Bri¬ga¬dës X Malazeze”. Tashti detyrimisht pyes: Edhe sikur të ishte pushkatuar i tërë efektivi i Eshalonit të Dytë, a mund të thuhet se në “Tivar i masakruan 4000 shqiptarë”?!?! Këtu kërkohet ta kujtojmë një këshillë biblike: “Lum njeriu i cili nuk e ndjek këshillën e të mbrapshtëve”, por pa e larguar nga kujtesa urdhrin kur’anor: “Të mos ju mashtrojnë gabimet e të tjerëve që të mos jini të drejtë!”
Sipas Shtabit të Divizionit 46 më 8.IV.1945 në "incidentin e pakëndshëm”, në Tivar u vranë "rreth 450 dhe u plagosën rreth 120 shqiptarë". Nuk është numër i papërfillshëm!?! Mirëpo, një pasqyrim më të plotë Masakrës së Tivarit ia bëri Zëvendës¬ko¬ma¬n¬dan¬ti i Di¬vi¬zionit të Armatës IV"- dalmatinase, majori Gju¬ro Çet¬nik, i ngarkuar me detyrën e ko¬man¬da¬ntit të Shta¬bit të Kolonës së Arma¬tës IV për sho¬qërimin nga Tivari deri në Ar¬ma¬tën IV, në Dalmaci të "nje¬rë¬zve të mobilizuar...”. Ai midis të tjerash, saktësoi: “Rezultat i tërë kësaj është: 550 të nxjerrë nga radhët, prej të cilëve 150 të pla¬go¬s¬ur, të tjerët të vdekur dhe pak diçka që u fshehën në¬për shtëpi ose ikën. Llogaritet në rreth 430 të vrarë. Në tërë këtë morën pjesë komandanti (Gasha Markoviq) dhe komisari i Bri¬gadës X dhe gati të gjitha institucionet ushtarake e ci¬vi¬le të cilat gjenden në Tivarin e Ri. Shumë prej tyre mo¬rën pjesë aktive në atë plojë pushkësh mbi njerëzit..!”
Në vijim komandanti Gj.Çetnik, i saktësoi edhe këto fakte: “Që e tërë kjo të mos bëhej edhe më dras¬ti¬ke, ishte fakti se në momentin kur po bëhej ploja arr¬i¬¬ti një "xhip" automobil me amerikanë deri në afërsi të ve¬ndit të plojës. Për fat, disa udhë¬heqës tanë u gje¬n¬¬dën aty, i kthyen dhe i drejtuan në drejtim të Ulqinit, pa i lënë që të hetonin diçka!? U panë edhe disa ci¬vi¬lë, të cilët e fotografuan tërë plojën, por ata më vonë hum¬b¬ën në këtë tollovi. Për të gjitha këto po bëhen he¬ti¬me të mëtutjeshme".
Para se të shkonim më tutje kërkohet një sqarim material për konstatimin e Majorit Gjuro Çetnik:“Në tërë këtë morën pjesë komandanti dhe komisari i Bri¬gadës X (malaziase) dhe gati të gjitha institucionet ushtarake e ci¬vi¬le të cilat gjenden në Tivarin e Ri. Shumë prej tyre mo¬rën pjesë aktive në atë plojë pushkësh mbi njerëzit..!”
Pjesëmarrja gjakpirëse ushtarake, e pushtetit dhe e civile malazias të Tivarit të Ri u bë në shenjë hakmarrje e gjakmarrje për humbjet katastrofale të Brigadës së Bokelit në Drenicë në janar dhe shkurt të vitit 1945, si dhe të motivuar nga propaganda serbe për hakmarrjen ndaj shqiptarëve - “...për vrasjen e Miladin Popoviqit...” më 13 Mars 1945. Është e vërtetë se njësitë partizane malazeze lanë në Drenicë disa qindra “partizanë”, por këta këtu kishin ardhur si ushtri e okupatorit, kurse Miladin Popoviqi nuk u vra nga dora shqiptare.
Qartë e saktë: Miladin Popoviqin e vrau serbi Vasa Bogdanoviq nga Go¬razhdeci i Pejës, sipas urdhrit të kryeoznasit të Kosmetit, Spasoje Gjakoviq, i cili e zbatoi diktatin e kryeoznasit të Serbisë, Aleksandër Rankoviq, por për vrasës u shpall Mësuesi patriot, Haki Taha, i cili ishte ekzekutuar me plumb në tëmth pikërisht në zyrat e OZN-as, në natën e 12/13 Marsit 1945. Për instinktin gjakpirës të malazezëve për hakmarrje ndaj shqiptarëve për këto dy humbje malaziase, la një pasqyrim edhe kapiteni i JNA-së, tetovari Baj¬ram Gola, i cili, më 2 Prill 1944, mori pjesë në grupin ushtarak hetimor të JNA-së (në vendin e krimit), për shkaqet dhe përmasat e Masakrës së Tivarit. Kapiteni Gola do të saktësojë: "Klithma luftarake e kë¬ty¬re shovenëve të tërbuar ka qenë: ‘živela osveta! Ta¬ko vam je trebalo, Šiptari! (Rroftë hakmarrja!, “Kështu ju është dashur, shqiptarë!” etj.
Pasi e dimë se Masakra e Tivarit është pasqyruar, shkencërisht, ani mirë, detyrimisht duhet të shtrojmë së paku dy pyetje kruciale: E para, a ka logjikë materiale, morale dhe politike që të akuzohet për planifikues dhe zbatues të Masakrës së Tivarit një “komisar i divizioneve (shqiptare) që shkuan në Kosovë”, i cili në kohën e krimit ishte në Bosnjë, në luftë për krah forcave jugosllave aleate për çlirimin e Jugosllavisë?!?!; Presidenti Berisha është kategorik se “ka fakte”, se “ka dëshmitarë” se ka “dokumente”!?!?. Habitëm prej nga ato”fakte”(!?), ata “dëshmitarë” në Shqipëri(!?!?), ato dokumente në Arkivat e Shqipërisë(!?!?!), kur dihet se LANÇSH-ja nuk e ka pjesën e përgjegjësisë as në planifikim, as në zbatim. Dhe pse të mos pyesim: Ku ishin historianët akademikë të shumtë të Tiranës që nuk i publikuan ato, të gjitha, tash e njëzet vjet që kur “krimineli” Ramiz Alia ia dorëzoi pushttin pa luftë “demokratit” Sali Berisha (Faleminderit Zotëri Ramiz!). Por, këtu më duhet ta thërras në ndihmë një urti që nuk më ndahet: “Kur debatoni për ndonjë gjë mundohuni të fitoj e vërteta, e jo vetvetja!”
E dyta: cili është fitimi i Shqipërisë gjysagjele dhe i kombit shqiptar të copëtuar me dhunë serbo-jugosllave e botërore, që për interesa të politikës ditore të tarafeve politike për pushtet pa shtet, të kërkohet zhvendosja e përgjegjësisë materiale, politike, juridike shtetërore e Jugosllavisë Titiste në kurriz të Shqipërisë Enveriste?!?!. Kjo e tëra është: “Ktheja pushkën veti e tërheqjen e këmbëzës besoja Belzebulit që i priu historikisht gjenocidit mbi Kombin shqiptar...!?!
Para se ta përmbyllja këtë Ndihmesë, lexuesit të nderuar (edhe Presidentit Berisha, të cilin e çmoj shumë) ia bëjë me dije se jam historiani i parë shqiptar i cili i ka pasur në duar dhe i ka përdorur për interesimet shkencore: “Prok¬la¬¬matën e Shtabit të Luftës së LLTSH-së (NDSH-së të fillimtetorit 1945, “Raportin” e Këshillit Drejtues të Organizatës “Besa Kombëtare” të Profesor Ymer Berishës të 22 Tetorit 1945, dedikuar Hadsonit në Tiranë, Parashtresën e inspektorit të financave, Azem Hajdini- Xani, të 18 Nëntorit 1966, dhe Parashtresën e kapitenit Bajram Gola, të 31 Majit 1990. Detyrimisht ta rikujtojmë këtu këshillën e Gëtes: “Është e mirë dhe e lezetshme që njeriu të shoqërohet me vetveten, nëse ajo është e dobishme”!
Në burimet historiografike të zëna ngoje përmasat e Masakrës së Tivarit janë treguar më shumë për efekte propagandistike, për efekte politike kundër pushtuesit jugosllav të tokave shqiptare. Në këtë funksion edhe i kam përdor, pa hequr dorë nga përpjekja për të dëshmuar me kokëfortësi, së në Masakrën e Tivarit të 1 Prillit 1945, serbo- malazezet i masakruan 1560-1700 rekrutë, kryesisht shqiptarë.Por më duhet të saktësoj se përmasat e tragjedisë që i “shpikU” Xani (e të cilave, fatkeqësisht, u jep besueshmëri hajvanllëky ynë medial), janë në funksion të luftës kundër së vërtetës historike, së këndejmi edhe kundër interesave të kombit tonë, për faktin se, nisur nga mësimi i Volterit, “E vërteta mund të plaket, por ajo kurrë nuk vdes”! Një Eshalon prej 2370 vetave nuk mund të prodhoj 4000 të masakruar, e dihet se nuk janë vrarë shumica e pjesëtarëve të Eshalonit të Dytë.
Këtë pjesë të ndihmesës sime në vijim do ta filloj me sentencën e filozofit Karl Popper: “Dija fillon aty ku fillon tensioni midis dijes dhe padijes!” Meqë të vdekurve u flet vepra që duhet t’ua dëshmojnë të gjallët, në interes të zbardhjes të asaj që diktojnë deputeti N. Hasani dhe presidenti S. Berisha, lidhur me pasojat e krimit serbo-malazias të Marsit-Prillit 1945, e ndie për obligim moral të preki me dorën time një përpjekje të Fadil Hoxhës me shokë’ së paku, për t’i rehabilituar, në “heshtje”, e për t’i kompensuar viktimat e Masakrës së Tivarit:
Në shkurt të vitit 1971, më ftoi në Lidhjen e Luftëtarëve të LANÇ” të Kosovës “Shoku” Tafil Hoxha, i cili ndonëse qytetar, i kishte të gjitha tiparet e Malësorit, jo aq i dijshëm, por i sinqertë, (i lidhur me nostalgji për Drenicën) dhe patriot vetëm si Ai. Gati me një ton urdhërues ma shqiptoi detyrën e besuar në “Konfidencë”: ”Drenicë, Ti po e shëtit Kosovën për hulumtime të historisë, Ta kemi për lakmi! Sipas kërkesës së Shokut Fadil, ta ngarkoj një detyrë që do kujdesë: Ku të arrish, bëre evidencimin e të vrarëve dhe të plagosurve në Masakrën e Tivarit, si dhe të personave që e kanë ndihmuar LANÇ-në, e të cilët më vonë kanë pësuar nga regjimi i Rankoviqit. Porositi familjarët e tyre të bëjnë kërkesa me shkrim në Zyrat komunale të Lidhjes së Luftëtarëve dhe të bëjnë Lutjet për pranimin e statusit të Luftëtarit të LANÇ-së, njëkohësisht të bëjnë kërkesa për pensione familjare dhe invalidore...! Këtë kërkesë shtrije gjithandej në Kosovë, por puna të kryhet pa zhurmë, në rrjedh të qetë, që të mos bie në sy të atyre që nuk na donë të mirën...!”
Pas tri dite, së bashku me Bacën Tafil shkuam në Katundin e Ri në majebjeshkës së Drenicës, në konak të Bardhec Kajës, jataku i Aradhës së Rakoshit nga mesi i tetorit deri në mesin e nëntorit të vitit 1944, i persekutuar si “jatak” i Bajram e Halit Berishës nga maji i vitit 1949. Mund të konstatojë se, që nga ajo natë Bardhecit iu pranua statusi i Luftëtarit të LANÇ-së, me të gjitha beneficionet që rrjedhin nga ai status. Atë natë i evidencova shumë emra të Dëshmorëve nga Drenica dhe Llapusha, të rënë në Masakrën e Tivarit, dhe këtu e tutje, sa herë që pata kohë e mundësi materiale të gjurmoj në terren, krejt deri në fund të marsit të vitit 1981, dhe gjatë viteve të 90-ta, i shkela të gjitha viset e Kosovës, dhe i evidencova emrat e shumë dëshmorëve të rënë në Plojën e Tivarit, më 1 Prill 1945. Nuk kam evidencuar asnjë të plagosur i cili nuk e kishte të rregulluar statusin e Luftëtarit të LANÇ-re. Meqë i besoj porosisë së Alfred N. Whitehead: “Të gjitha të vërtetat janë gjysmë të vërteta!”- nuk flas publikisht “gjetjet” e mia për përmasën e Masakrës së Tivarit.
Dua të besoj se më keni kuptuar për çka nuk i “i bëjë të njohuara” publikisht rezultatin për përmasat e Masakrës së Tivarit. Këtë punë ia lë Parlamentit të Prishtinës dhe të të Tiranës, përkatësisht “Komisioneve Parlamentare”(!?!) të ngritura sipas kërkesës së deputetit Nait Hasani dhe urdhrit të Presidentit Sali Berisha, ndjekës të verbër të “historianit” fantom – Xani e të matrapazëve të tjerë të ngritur në “historianë” pa shkelë në derën e arkivit, pa ditur se sa fytyra i ka një e dokument apo një kujtesë, pa dije si të citohet një e dhëne!?!? Pasi e di se nuk do të më pyetni mua as njohësit e tjerë të kësaj problematike, kam vetëm një kërkesë, pak si amanet: Akëcili të veprojë me përgjegjësinë profesionale se na përlanë ujërat e zeza të historisë!
Me këtë ndihmesë, mendoj se kam bërë vetëm atë që e pata për detyrë të bëja i shtyrë nga profesionalizmi, së këndejmi, për fund, ua rikujtoj edhe sentencën e filozofit Uald: “Historinë mund ta krijojë çdokush, por ta shkruajë mundet vetëm njeriu i madh!"

Prishtinë, 18 Qershor 2010.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme