Burmalia është identitet i Shkupit

Pse kërkohet xhamia Burmali?

Derisa shtetit përgjatë gjithë viteve të '90-ta e fillimit të 2000-tave vendoste kryqe vend e pavend mbi secilën kodër e kodrinë, si mbi sahat kullat e Prilepit e Manastirit, duke i vënë kapak me atë kryqin inkuizitor të Vodnos në vitin 2000, prishte xhami si ajo e Imaretit në Ohër dhe mbi të ndërtonte kishë, digjte xhaminë e Prilepit dhe sot nuk e lejon ndërtimin e saj, shqiptarët, po edhe të gjithë myslimanët e tjerë, ndonëse kundërshtonin, megjithatë nuk turbullonin shumë ujë. Ndonjë deklaratë, reagim dhe aq! A ishte kjo nga frika apo nga hesape të tjera, këtë do ta marrin vesh gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Pastaj vijon ndërtimi i Kishës së Shën Mërisë përballë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, ndërsa po aty pranë nuk u lejua të ndërtohet xhamia e Jelen Kapanit që ishte rrënuar në vitin 1965. Pastaj vjen vendosja e gurthemelit të Filarmonisë mbi themelet e xhamisë Ibni Pajko, bile me shenjtërim me ujë të bekuar të z.z. Stefanit e do "stefanëve" tanë, por edhe kjo, me pak reagime, kaloi. Megjithatë kur shteti vendosi që në sheshin e qytetit, i cili u përket të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pra jo vetëm atyre që jetojnë në nënkomunën e Shkupit - Qendër, kjo më e derdhi kupën. Shteti vendosi që me para të qytetarëve taksapagues të vendit (ku as gjysma nuk janë ortodoksë) në sheshin e qytetit të ndërtojë një kishë që dikur paska qenë aty pranë, që tash i bie të jetë nën Qendrën Tregtare të Qytetit. Ky ishte shkaku i fundit që myslimanët e këtij vendi përfundimisht ta marrin seriozisht këtë punë dhe t'i thonë shtetit se: "Nëse ti do ta kthesh imazhin e dikurshëm të vendit", siç dëshmoi edhe me teatrin serb, po edhe me dëshirën për ngritjen e Pallatit të Oficerëve, e sidomos me portat triumfale, statujat antike, kristiane e tjera, "atëherë këtë punë do ta bëjmë si duhet".
"Meqë, pra, bëjmë fjalë për imazh, për identitet kulturor të kryeqytetit, atëherë të mos e diskriminojmë askënd. Se, para se të ketë qenë aty teatri, pallatet e ndërtesat e tjera, aty ka qenë për 400 e kusur vjet, nga shek. XV deri më 1925, xhamia Burmali. Kështu, ndonëse ne myslimanët të prirë nga dëshira që të mos bëjmë telashe, deri sot s'e kemi kërkuar këtë xhami, se bëhej fjalë për sheshin e kryeqytetit (ndërsa ne kemi menduar se shteti dëshiron të jetë shekullar), por meqë ju dëshironi që këtij shehri t'i krijoni identitet kristian, atëherë edhe ne si qytetarë të këtij vendi, si taksapagues, por edhe si myslimanë të këtij vendi, kërkojmë që në shesh të kthehet edhe xhamia Burmali. As më shumë as më pak. As për inat, as për lezet."
I zënë ngushtë pas kësaj kërkese, shteti luajti lojë: të gjitha kompetencat (bashkë me buxhetin) për sheshin e kryeqytetit ia kaloi Komunës Qendër, që për hir të së vërtetës duhet të themi se Qendra nuk është as komunë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës - ajo është pjesë e Qytetit të Shkupit. Aq më tepër kur bëhet fjalë për sheshin e kryeqytetit, që duhet të paraqesë interes nacional të të gjithë qytetarëve të vendit (që mund të jenë të feve të ndryshme, por edhe ateistë), është paradoks i llojit më unik në botë të lejohet që një nënkomunë të merret me çështje kaq të rëndësishme për të gjithë qytetarët e këtij shteti. Natyrisht sherri nga Gruevski and company ishte se Këshilli i Qendrës ishte "i pastër nga të tjerët" dhe se aty kalonte çdo gjë e tij. Dhe, tani sa herë që ka nevojë, Gruevski arsyetohet me vendimet e këtij këshilli.
Në fakt ky ishte një karrem që e hëngrën edhe kërkuesit e Burmalisë: filluan t'i drejtohen Këshillit të Komunës Qendër, t'i shkruajnë letra kryetarit të Qendrës, të bëhen takime me të dhe të kërkohet prej tij. Në vend që ta thyejnë këtë çelës, të mos e pranojnë këtë lojë, ta bojkotojnë krejt dhe ta delegjitimojnë këtë këshill dhe të kërkojnë që me këso çështje kaq të rëndësishme të mos lejohet të merret një nënkomunë e Qytetit.

Pesë shartet/shtyllat argumentuese PËR Burmalinë

1. Xhamia Burmali nuk është imponim shtetëror si Kisha e Mbretit Konstatin dhe Shën Helena. Ajo është kërkesë e qytetarëve: mbi 95 % e myslimanëve të Maqedonisë e dëshirojnë atë;
2. Xhamia Burmali nuk ndërtohet mbi themele të diskutueshme, si Kisha që vendoset mbi themelet e shtëpisë së nobelistes shqiptare, Nëna Terezë;
3. Xhamia Burmali nuk ndërtohet pse nuk kanë ku të falen myslimanët që jetojnë e veprojnë në anën tjetër të Vardarit, por ajo ndërtohet atje për ta ruajtur identitetin kulturor të Shkupit;
4. Xhamia Burmali nuk kërkohet për inat të Kishës (dhe ne nuk guxojmë të heqim dorë edhe nëse shteti heq dorë nga Kisha), por ajo ndërtohet si baraspeshë e identitetit të ri të Kryeqytetit dhe të gjithë shtetit: nëse shteti ka vendosur ta kristianizojë, antikizojë e bizantinizojë Maqedoninë, atëherë të vijë në konsideratë edhe prania osmane e islame këtu;
5. Xhamia Burmali nuk bëhet që aty të vijnë të falen zyrtarë myslimanë të huaj që do të vijnë në Maqedoni, madje nuk është fare e rëndësishme a do të falen aty të gjitha vaktet, a do të falet xhumaja e a do të këndohet ezani. E rëndësishme është që ajo të jetë simbol i pranisë myslimane të këtij vendi dhe dëshmi se Maqedonia është vend multikulturor dhe multireligjioz.

Dhe, para se të përfundoj, të them edhe diçka: sado që dikush mundohet t'ia mohojë vlerën Këshillit Koordinues për Ndërtimin e Xhamisë Burmali, e vërteta është se ky trup e aktualizoi dhe, bile, e ndërkombëtarizoi problemin e identitetit kulturor të Shkupit, duke e kërkuar xhaminë Burmali. Pastaj, sado që BDI-ja është e ngathtë në zgjidhjen e këtij problemi dhe e hëngër karremin se "për sheshin e Kryeqytetit është përgjegjës Komuna Qendër", ndërsa PDSH-së s'i kërcet se çka vihet në Shkup, megjithatë BFI-ja nuk guxon të shpallë luftë me ta - siç kemi qenë dëshmitarë kohëve të fundit. Keq apo mirë, ata të politikës kanë pak më shumë fuqi se të gjithë ne që duam ta ndihmojmë Burmalinë.
Se pastaj vjen pyetja a janë për xhaminë apo duan të luftojnë PDSH-në e BDI-në?! Po ashtu as Këshilli Koordinues për Burmalinë nuk duhet të sulmohet nga BFI-ja, se në gjithë botën e qytetëruar asociacionet joqeveritare janë një segment shumë i rëndësishëm që vetëm i ndihmojnë proceset. Sa për kujtim, në këtë trup marrin pjesë organizata që i kanë marrëdhëniet shumë të mira me BFI-në. Dhe, në fund, as Gruevski e Todoroviqi nuk bën të shahen e quhen me emra më të ndryshëm, se nuk është qëllimi të luftohet Gruevski e Todoroviqi, por të ndërtohet xhamia.
Dhe, ndonëse personalisht për shumë arsye nuk dëshiroj të kem ndonjë punë me ata BFI-së, megjithatë nëse ata lëshojnë kushtrimin për faljen e xhumasë në një ditë pranvere aty te vendi i Burmalisë, unë do të jem i pari që me sixhade në dorë do të rreshtohem aty.
"Burmalia do të bëhet!" Kjo duhet të jetë kryefjala jonë sot.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme