Kohë më parë ballinat e gazetave dhe revistave prestigjioze ishin të stërmbushura me lajmet e llojit ‘sanksione’ për nxënëset e shkollave fillore, të mesme dhe kolegjet e shteteve ku pretendohet se buron demokracia. Nga kureshtja, filloje ta lexoje! Sanksionet u merreshin për arsye të mbarëvajtjes së procesit arsimor, duke mohuar në njëfarë mënyrë të drejtën e ‘lirisë personale’, me qëllim të arritjes së rezultateve shume parimore dhe fisnike. Por, për çfarë në realitet bëhej fjalë? “Në një nga shtetet e Amerikës ndalohet bartja e xhinseve me bel të shkurtër nëpër shkolla!”; apo “Në Angli ndalohet bartja e uniformave, pjesë e poshtme të të cilave janë minifundet”! Mirëpo, ne si më kontravers nga seç po ec bota, sanksionet po i ndërmarrim në drejtim diametralisht të kundërt, me ç’rast injorohet veshja dhe preferohet zhveshja!
Në kohën postmoderne në sferën e arsimit, kur flitet për mësmidhënien e shekillit XXI, mendohet në: reforma, projekte aksionare, mësim autentik, strategji të të menduarit kritik e të ngjashme, ndërsa te ne diskutohet dhe protestohet për veprime të pamatura të drejtuesve të institucioneve, të cilët i suspendojnë nga shkolla nxënëset që bartin shami në kokë!
Para një periudhe relativisht të shkurtër në qytetin e rezistencës heroike, qoftë për atdhe e qoftë për fe - Tetovë, nga një drejtor i një shkolle të mesme u mundua të privohet nga e drejta për shkollim një nxënëse me të vetmin preteks, ngase mban shami në kokë. Por, një ‘privilegj’ i tillë këtij drejtori nuk iu lejua. Të gjithë ishim të zgënjyer, meqë kjo ndodh në një hapsirë ku pjesa dërrmuese janë muslimanë dhe mbajnë emra islamë. Kur e themi këtë, kemi parasysh edhe emrin e këtij drejtori, aq më shumë mbiemrin e tij. “Ismaili”, emër ky i një profeti. Pas këtij rasti, në Ferizaj, pason largimi i nxënëses Arlinda Zeka nga mbarëvajtja e procesit edukativo-arsimor, me të njëjtin preteks; pjesë e shkollës, ku drejtor është Isuf Celaj, mund të jenë vetëm nxënëset pa mbulesë! Shqetësues jo vetëm vendimi, po indinjues edhe fakti se tani kemi të bëjme me një individ i cili në këtë rast jo mbiemrin, por emrin e ka të një profeti, Jusuf! Paradoksi edhe më i madh ndodh në Prishtinë, ku Kryetari sjell vendim që në asnjë shkollë të mos lejohet që mësimi të ndiqet nga nxënëset me mbulesë, vendim ky i një funksionari i cilin jo vetëm emrin dhe mbiemrin e ka musliman, po qoftë emrin, qoftë mbiemrin e ka emër të profetëve: Isa Mustafa (Isa, emri i profetit të parafundit, ndërsa Mustafa apo Muhamed, emri i profetit të fundit).
Derisa pseudointelektualët tanë heshtin dhe nuk e ngrenë ‘zërin e arsyes’, kundër një dukurie të këtillë paraqitet intelektuale nga një konfesion tjetër. Dr. Rachel Louise Matiennez, qytetare amerikane, aktiviste e një misioni humanitar në Kosovë, para disa ditësh shprehu përkrahjen e saj për të drejtat e nxënësve që bartin shaminë, duke u deklaruar se qeveria dhe pushteti komunal nuk mund të imponojë se çka duhet të veshin qytetarët e saj. Pas kësaj, dilema duhet shtruar në atë mënyrë që këta persona, edhe pse mbajne emra fetarë, ata, në fakt, janë laikë, apo janë servilë dhe në njëfarë mënyre janë ‘puthadorë’ të ndonjë ‘dore të zgjatur’!
Shtrohet pyetja: do ketë të drejtë morale një Kryetar i këtillë I Komunës të dalë e të kërkon votën në një mes ku auditori, pjesë të konsiedrueshme të veten ka edhe femrën me mbulesë? A do ketë të drejtë të flasë për të drejtat e njeriut, kur ai vetë i ka shkeluar ato? A do ketë të drejtë të flasë për të drejta të grave apo të përfolurën ‘barazi gjinore’, kur ai vetë ka diskriminuar ato? Ndoshta, faji nuk është vetëm tek politikanët të cilët pas marrjes së postit dëshirojnë që ‘sa hap e mbyll sytë’ të bëhen milionerë, por faji është edhe te popullata apo, sipas tyre, elektorati, i cili në shumë raste po ‘han’ atë të cilën u servohet! Zëri i arsyes duhet ngritur lart, sepse liria dhe e drejta personale janë të garantuara me Kushtetutë dhe me akte ndërkombëtare, dhe e njëjta nuk mund të kufizohet me ligj, me rregullore, e aq më pak me veprime të udhëheqësve të institucioneve.
Ekziston përshtypja se me veprime të tilla, shpërqendrohet vëmendja e opinionit në lidhje me gjendjen faktike të arsimit shqip, i cili dita-ditës jo që s’ka progres, por edhe pëson regres. Është e pamundur të fshihet nota ‘më pak se mjaftueshëm (2-), për të mos thënë pamjaftueshëm’ për arsimtarët dhe profesorët, notë kjo e arritur nga vlerësimet integrale që nxënësit ua bëjnë mësimdhënësve. Është e pamundur të fshihen ‘pazarllëqet’ dhe ‘shitjet’ e notave me para nga të njëjtit, që si pasojë kemi korrupsion dhe degjenerim të skajshëm.
Andaj, është përshtypje mjaft e gabuar kur mendohet se politikanët dhe drejtuesit e disa institucioneve i kemi demokratë dhe të moderuar. Përkundrazi, shumë nga ta janë komunsitë të përbetuar, akoma pre e ‘izm’-ave, si: monizmi, servilizmi, komunizmi, indiferentizmi, materializmi, sekularizmi e laicizmi.
Ne si popull si duket po vrapojmë pas së huajës, kur të huajt i injorojnë ato duke i konsideruar antivlera; ndërsa, ne i injorojmë vlerat tona ‘të pavetëdijshëm’ që të huajt i preferojnë dhe i përvetësojnë ato si vlera!
(Autori është Psikolog i diplomuar, vazhdon studimet
post-diplomike në sferën e Psikologjisë arsimore)