Recension i librit “Meditime Sociologjike mbi Islamin” të autorit Prof. Dr. Fadil Maloku

Andaj, edhe profesori i nderuar siç shihet edhe në libër ka pasur një vullnet jashtëzakonisht të madh për të hartuar këtë që unë e quaj “projekt”. Meditimi, në fakt nga prizmi logjik mund të konsiderohet si një komunikim introspeksional, subjektiv, analitik, një komunikim i brendshëm, një përqëndrim, një thellësi në mendime për një problem të caktuar. Mirëpo, në suazat më të gjëra meditimi mund të përshkruhet edhe si veprimtari shpirtërore intencionale, ndërsa në fushën e religjionit zakonisht është i drejtuar kah bota shpirtërore e njeriut me të vetmin qëllim që njeriu si qenie e tërësishme, si krijesë t’i ofrohet Zotit, Krijuesit, All-llahut sa më afër!
Libri “Meditime Sociologjike mbi Islamin”, të autorit prof dr. Fadil Maloku, është një libërth i cili në vehte ngërthen një estetik filozofike, autori në këtë libër jep një mesazh të qartë mbi ate se Islami është një fe hyjnore, dhe se ligjet hyjnore janë ngadhënjimtare karshi atyre ideologjike, politike, sepse ligjet politike, ideologjike mund të ndryshohen, mund të manipulohen shumë lehtë, ndërsa tek ligjet hyjnore kjo nuk mund të ndodhë. Kështu, që duke ecur më tutje shohim që në këtë libër autori paraqet disa nga tezat që tani më janë bërë pjesë e diskursit global. Dhe pasi që libri në fjalë trajton tema aktuale dhe mjaftë mbresëlënëse, atëherë në pika të shkurtëra jemi munduar që këtë libër ta ndajmë në katër pjesë:
Pjesa e parë, ku autori flet për nevojën e besimit që sipas tij është natyrale, pra njeriu si qenie sociale biologjike, gjithnjë është munduar që të gjej një formë komunikimi, adhurimi, të bëj rituale, të meditoj për Krijuesin, ku varësisht nga konteksti social, ai (njeriu) nuk ka jetuar pa besimin. Me fjalë të tjera vet besimi në një fuqi mbinatyrore ate (njeriun) e ka ndaluar nga shumë veti negative dhe e ka afruar sa më afër Krijuesit. Kështu, që autori i librit në fjalë, stoikisht mbron qëndrimin se edhe përkundër faktit që sidomos shekullin e kaluar ideologjia Leniniste-Marksiste, u mundua që fenë të pasqyron si “Opium për popullin”, si prodhim i mendjes njerëzore ajo këtu dështoi. Në këtë drejtim, edhe populli shqiptar si një popull i izoluar ka vuajtur shumë si në Shqipëri, poashtu edhe në Kosovë, megjithëatë besimin e ka ruajtur si një besim natyral. Andaj, duke folur për ndryshimet dhe zhvillimet sociale, autori argumenton se krahas këtyre zhvillime që janë zhvilluar tek shqiptarët, sidomos në Kosovë, pas periudhës së luftës, kemi qenë dëshmitar të asaj që shumë gjëra janë importuar nga jashtë. Kriza e identitetit, sistemi i vlerave, euforizmi i demokraicisë, lakmia globale, si dhe nevoja për identifikim me të tjerët ka bërë që shqiptarët gjatë periudhës së tranzicionit të kenë probleme, veçmas me identitetin e tyre. Vlen të theksohet se me ardhjen e një demokracie neoliberale, siç e quan autori edhe gjeneratat e reja e kanë konsumuar të ashtuquajturën “Standarte të Demokracisë” që sipas autorit në mënyrë të pavetëdijshme të rinjët janë pllakosur me sjellje devijante të cilat nuk kanë qenë, ose kanë qenë fare pak në shoqërinë tonë. Por, duke parë procesin e globalizmit, kalimin nga solidariteti mekanik në atë organik sipas gjuhës Dyrkeminiane, edhe sistemi i vlerave tek të shoqëria shqiptare ka përjetuar një transformim të dhimbshëm. Autori këtu thotë që demokracia nuk është një sistem i brishtë, mirëpo me ardhjen e një demokracia më shumë neoliberale, nevoja për një grykësim psikologjik ishte e madhe, pastaj roli i mediave të ndryshme, ardhja e shumë subkulturave të ndryshme e të tjera, kanë bërë që të importohen edhe shumë elemente devijante që më parë nuk kanë qenë prezente tek ne. Duke folur për demokracinë, sidomos në vendet post-komuniste, autori vë në pah se demokracia sot si mundësi ofron dy tipa alternativash: “E para, alternative islame ka të bëjë me konceptin dhe filozofinë e zhvillimeve islame që është një konglomerat i praktikës politike dhe religjionit që është e bazuar në principet e Kushtetutës së parë në botë, e cila doli si rezultat i marrëveshjes në Medine, dhe u quajt “Karta e Medinës”. Alternativa e dytë, që sipas autorit mund të quhet edhe si Alternativë Aziatike, është një përvojë shumë e rëndësishme, për vetë faktin se sot po e ndjek këmba këmbës konceptin e demokracisë perëndimore me sukseset e papara deri më tani të zhvillimit ekonomik. Dhe gjysmë alternativa e tretë, e shquar si “ofensivë kulturore singapuriane” që sipas këtij koncepti, njerëzit kanë nevojë jo për një qeveri demokratike, por për një qeveri të mirë dhe funksionale”. Nga këto alternativa, autori mundohet të nxjerrë një konkludim se krahas këtyre alternativave, Kosova i takon zonjës së vjetër Evropës dhe si vend post-komunist ka nevojë për një demokraci funksionale, për mësimet e vetë demokracisë, sepse siç thotë ai “ky model i qeverisjes i ndihmoi (Kosovës) që të çlirohej nga zgjedha e obskurantizmit neofashisht serb”.
Humanizmi dhe Filantropizmi i Fetullah Gylenit, është pjesa e dytë sipas këtij recensioni e cila flet për një dijetar islam me prejardhje nga Turqia, një autor i mbi 40 librave. Autori kur flet për humanizmin e madh të këtij dijetari, pohon dy arsye: “Arsyeja e parë ka të bëjë me nevojën e një shtendosje të përgjithshme kolektive, pasi që edhe ne si popull përjetuam një dramë të madhe që kanë lënë pasojat e një frustrimi dhe një ngulfatje të paimagjinueshme për mendjen e njeriut”. Kështu që edhe libri i Fetullah Gylenit “Dashuri dhe Tolerancë” sipas prof. Dr. Fadil Malokut ofron një diskurs të ri pak të njohur, jo vetëm në kulturën dhe atmosferën tonë mediale, por, përgjithësisht, edhe në mbarë kohën në të cilën po jetojmë. Arsyeja e dytë, është nevoja për socializimin apo nevoja për t’u njohur me një dijetar të madh islam, një udhëheqës shpirtëror, njeri me ndikim social në botën bashkohore, jo vetëm atë islame por, në përgjithësi. Gyleni, si një humanist i madh flet për natyrën e Islamit, por edhe për religjionet tjera, se natyra e këtyre religjioneve nuk është dhuna, konflikti, urrejtja, por dashuria dhe toleranca, sepse siç pohon edhe ai vetë “Të gjithë jemi krijesa të Krijuesit të përbashkët”. Kështu, që duke folur për filantropizmin e Gylenit, apo siç do ta quaja unë “Sorosi Turk”, autori i librit “Meditime Sociologjike mbi Islamin” prof. dr. Fadil Maloku, tregon interpretimin e tij kushtuar çështjes dhe besimit Islam, sidomos pas 11 shtatorit 2001. Gyleni tregon qartë dhe në mënyrë argumentuese se “Një Terrorist nuk mund të jetë musliman dhe një musliman i vërtetë nuk mund të jetë terrorist”, në këtë mënyrë Gyleni si një Soros i vërtet, paraqet filozofinë, imazhin, besimin e vërtetë të Islamit, duke treguar se Islami është një fe universale që asesi nuk lidhet me dhunën, terrorin. Gyleni sipas profesorit Maloku, thekson një dialog ndërqytetërues që duhet të kenë muslimanët me të tjerët, sepse një gjë e tillë është edhe vetë në natyrën e Islamit si fe racionale, dhe universale. Gyleni si një udhëheqës shpirtëror ka lënë prapa një lëvizje të fuqishme që aktualisht është duke punuar në drejtimin e ngritjes të saj intelektuale, shpirtërore, morale, edukative, sociale, mediale etj.
Një pjesë tjetër, autori i librit “Meditime Sociologjike mbi Islamin” prof. dr. Fadil Maloku, ia kushton edhe raportit në mes të Islamit dhe Globalizmit, pastaj përleshjeve të qytetërimeve, sidomos debatit të profesorit të njohur Samuel P. Huntington, si dhe filozofisë islame e posaqërisht studiuesit të njohur Corbinit dhe librit të tij “Historia e Filozofisë Islame”. Autori në fjalë, duke folur për një qytetërim të mundshëm, si bazë merr argumente nga Kur’ani famëlartë, dhe nga fjalët e profetit Muhammed. Ai është skeptik rreth idesë së një qytetërimi të vetëm, siç thekson: “…kujtoj, si dhe besoj shumë që utopia e re për një qytetërim të vetëm është e pamundur. Këtë e ilustroj me bindjet dhe njohjet që i kemi të gjithë, pak a shumë mbi historitë e popujve të mëhershëm para nesh, të përshkruar nëpër të gjithë librat e shenjtë dhe librat e historive”. Më tej duke folur po në këtë pjesë, flet edhe për misionet e ndryshme që kishin ardhur në Kosovë pas luftës me qëllime të ndryshme, ku këta misionar e shihnin Kosovën si një Eldorado, që sipas tij ata hasën në një “Mission (In) Possible. Sipas autorit qëllimi i tyre ishte paragjykues, në fakt ata ishin ardhur këtu për një mbjellje të farës së kulteve dhe një misticizmi, por ja që në Kosovë, shqiptarët edhe pse nuk kishin kulm shtetëror, të paktën identiteti fetar ishte i pandryshueshëm. Ndërsa, duke folur për filozofin në Islam, ai është i mendimit se ekziston një korrelacion në mes të fjalëve greke dhe atyre arabe kur jemi tek filozofia p.sh. Hikme = me Sophia. Pra, sipas autorit në fjalë, filozofia islame dhe ajo perëndimore kanë vënë themelet e para të meditimeve dhe aspiratës së njeriut por edhe një karakter të veçantë kuptimi të vetë jetës. Kështu, që autori përmend edhe studiuesin e njohur Henry Corbin i cili flet për historinë e filozofisë Islame, ndarjet brenda saj dhe filozofët e njohur islam, veçmas për kontributin e tyre.
Në pjesën e katërt, autori flet edhe për përleshjen e civilizimeve për ate që Huntington-i e quan “Etnos Global, autori vë në pah se Huntington kishte paraparë një përleshje të mundshme të civilizimeve, mirëpo teoria e tij me rastin e konfliktit në Bosnje dhe Kosovë nuk dha rezultatin e duhur të cilin pritej që më gjerësisht lexuesit mund të gjejnë po në këtë libër. Përveç, tjerash prof. Maloku në këtë libër shtjellon edhe temën e diskursit rreth “Laicizmit në Kosovë”, sidomos rreth nenit 8 që është quar mjaftë pluhur së fundi, por edhe asaj që shpesh keqkuptohet laicizmi si termë, si koncept, madje ai shpesh identifikohet edhe me ateizëm etj. Dhe në fund prof. dr. Fadil Maloku nuk e lënë anash të përmend edhe vizitën e tij në vendin e shenjtë (Meken dhe Medinën), përshtypjet e tij lidhur me këtë vizitë, pastaj demografinë e vendit të shenjtë, vendilindjen e profetit Muhammed që të gjitha këto paraqesin ate që quhet “Mrekulli”.
Si përfundim, mund të themi se ky libërth në vehte përmban një mesazh modest nga rrafshi: social, fetar dhe kulturor, i cili trajton shumë tema të rëndësishme, tema aktuale, tema të një rëndësie e të veçantë, dhe mbi të gjitha ky libërth ka një mesazh të qartë “Islami është fe universale, fe e paqës, fe e cila trajton të gjithë të barabartë pa dallime etnike, kombëtare, fetare, gjinore, klasore”. Lexuesi në këtë libër përveç tjerash mund të gjenë edhe përgjigje të shumta të pyetjeve aktuale që bëhen sot, sidomos pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA. Në këtë recension jemi munduar pak a shumë që të pasqyrojmë përshtypjen tonë lidhur me këtë libër, por edhe shumëçka ndoshta kemi lënë pa cekur, në mënyrë që lexuesi të krijon një përshtypje të tij, të familjarizohet me të më shumë, si dhe të thellohet në atë që quhet “Meditime Sociologjike mbi Islamin”.

MA. Ferdi Kamberi, sociolog

(Shkrimi është botuar në revisten PAQJA)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme