Islami dhe islamizmi

Shqyrtim hyrës

 

 

Përkundër lëvizjeve të shumta në botën arabo-islame, përkundër faktit se bota përreth Islamit dhe muslimanëve operojnë me terma të ndryshëm, shpesh me kuptime të shëmtuara në llogari të fesë islame, bota arabo-muslimane, e sidomos ajo arabe, nuk i ka kushtuar vëmendje të meritueshme fenomenit të islamizmit. Mungojnë studimet serioze shkencore historike, filozofike, sociologjike etj.. Sidomos indiferentë në këtë rrafsh kanë qenë dhe janë edhe sot e kësaj dite intelektualët fetarë muslimanë, respektivisht ulemaja. Ka disa faktorë për këtë gjendje, por një ndër ta është edhe prirja e një numri të ulemasë për simpati ndaj islamizmit dhe disa lëvizjeve islamistike që operojnë rreth islamizmit. Të tillët madje kanë tentuar që t’i eliminojnë kufijt ndërmjet Islamit dhe ideologjisë të formuar rreth tij.

Gjuhëtarët arabë nuk kanë zhvilluar terminologji të veçantë për këtë qëllim, ndaj edhe termin islamizëm në gjuhën arabe do ta gjejmë me termin „islamijjun“ (اسلاميون = islamistët)[1], kurse për ideologjinë e reflektuar nga ky term do ta gjejmë me togfjalëshin harekat islamije. Por, në leximin e këtyre termave, nuk do ta gjejmë dallimin e qartë ndërmjet nocionit Islam, islam(ik)e dhe islamistike. Ne do të hasim edhe formulime të tjera, si ideja islam(ik)e (الفكر الإسلامي), nga fjala فكر , që do të thotë: mendim, ide, ideologji.[2] Mirëpo, edhe kur flitet për këto terma, disi shmanget të shkruhet e flitet për “mendimin islam” edhe nga rrafshi i konotacionit ideologjik “të interpretimit njerëzor të vullnetit të Zotit dhe tekstit të shenjtë.”

Pikërisht për këtë arsye, do të hulumtojmë, shkurtazi, më tepër në literaturën perëndimore, për ta gjetur gjenezën e termit islamizëm, përkufizimet e këtij termi dhe të tjera.

Përkufizimet e termit Islam dhe islamizëm nëpër kohë

 

Termi islamizëm, sipas Melvin E. Matthews, në Perëndim për herë të parë u përdorë në Francë nga mesi i shekullit XVIII dhe shërbente si sinonim për fenë islame, e cila në këtë kohë dendur njihej dhe identifikohej me termin muhamedanizëm.[3] Kjo tendencë ishte një përpjekje që të hedhet paralelizëm me kristianizmin. Jezu Krishti ishte themelues i kristianizmit ndaj dëshiruan që edhe Muhamemdin a.s. ta vendosin në rolin e Jezu Krishtit dhe Islamin ta quajnë muhamedanizëm.[4]

Edhe filozofi e intelektuali francez Voltaire[5], i njohur për nga gjuha e mprehtë dhe kritike ndaj Islamit, në një nga shkrimet e tij për Islamin thotë:

“Ky religjion quhet islamizëm” ("This religion is called islamisme").[6]

Martin Kramer, ekspert amerikan per çështjet islame dhe arabe, punëtor shkencor shumëvjeçar në Izrael, duke folur për termin islamizëm në shekullin XIX thotë:

“Edhe pse në shikim të parë ka përcaktuar doktrinën islame, ky term nuk ka përfshirë në tërësi karakterin e Islamit... dhe përveç kësaj ky term nuk arriti ta zbrapsë termin muhamedanizëm madje as nga mesi i ekspertëve.” Madje, Alexis de Tocqueville, shkroi në vitin 1838 se rrënjët e Islamit gjendet në judaizëm ("root of islamisme in Judaism")[7]. Edhe orientalisti Ernest Renan, kritik i njohur i Islamit, në një shkrim të tij nga viti 1883, e përdori termin islamizëm (L'Islamisme et la science).[8]

Termat me konotacion pezhorativ në Perëndim filluan të bëjnë një përmirësim dhe të zëvendësohet vetëm gjatë shekullit XIX, kur institucionet por edhe autorët evropianë filluan të kuptojnë se ndër lexuesit e tyre janë edhe muslimanët dhe se për këtë shkak ekziston një indiferencë dhe injorim i tyre nga muslimanët. Dal nga dal, gjatë shekullit XX, vendin e termave muhamedanizëm, islamizëm e të ngjashëm filloi ta zë termi Islam.[9]

Mirëpo, për shkak të ndryshimeve të mëdha shoqërore-politike në botën arabe-islame gjatë shekullit XX, për shkak të trendit të pavarësimit territorial dhe ideologjik të këtyre vendeve, sidomos pas Revolucionit Islam të Iranit më 1979 por edhe zhvillimeve të tjera në Afganistan, Algjeri e vende të tjera, termi islamizëm, por edhe të tjerë me karakter pezhorativ, sërish filluan të vëhen në qarkullim. Filluan të jepen shpjegime nga më të ndryshmet, nga ato mediatike senzacionaliste (pa ndonjë kriter të caktuar) deri te ato më të matura e shkencore. Kryesisht kuptimet e interpretuara silleshin në atë që të bëhet dallimi ndërmjet Islamit dhe islamizmit. Në këtë aspekt, pranohet Islami tradicional por edhe ai historik, ideologjik si perceptim njerëzor.[10]

Në një tubim të vitit 1990 të organizuar nga The Middle East Forum, do të dalin disa përkufizime të termit islamizëm

Kështu për shembull, John Esposito, termin islamizëm e kupton si “islam të interpretuar si ideologji në mënyrë që të përkrahet aktivizmi politik dhe shoqëror.”

Edhe shkencëtari më parë i theksuar Martin Kramer thotë:

“Ky është islam i riformuluar si ideologji moderne. Deri sa Islami tradicionalisht ka lindur në klasën e judaizmit dhe kristianizmit, islamizmi është përgjigje ndaj ideologjive të cilat u krijuan në perëndimin modern, sikur janë komunizmi, socializmi apo kapitalizmi.”

Edhe Gruham Fuller, këshilltar në RAND Corporation thotë:

“Islamizmi në pjesën më të madhe është sinonim për islamin politik – përpjekja që prej Islamit të nxirren zgjidhje për problemet bashkëkohore shtetërore, shoqërore dhe politike.” [11] 

Pothuaj se me të njëjtën gjuhë flet edhe profesori kroat dr. Mirko Billaxhiq. Ai islamizmin e përkufizon si “islam politik” i cili ka të bëjë me “strategjinë politike e cila nga gjysma e dytë e shekullit XX paraqet artikulimin dominues të aspiratave politike muslimane. Islamizmi është emërtim i përbashkët për ideologjitë politike të cilat konsiderojnë se si Islami nuk është vetëm religjion por edhe sistem politik.” Më tej ai pohon se “Brenda tij ekzistojnë diversitete të shumta: nga veprimi socialo-karitativ nëpërmjet veprimit politik deri te shfrytëzimi i veprimit të dhunshëm dhe luftarak (xhihad)”.[12]

Është e qartë se këto përkufizime karakterizohen me dy veçanti:

- E para - islamizmit medoemos dhe apriori i jepet ngjyrim ideologjik dhe i implikohen të gjitha negativitetet që i nënkupton çdo ...izëm dhe;

- E dyta - ende nuk kemi zbërthime meritore të islamizmit si ideologji por edhe si aktivizëm të zakonshëm. Për këtë arsye shpesh nuk bëhet dallimi ndërmjet islamizmit si sistem ideologjik si edhe shumë izma të tjerë dhe aktivizmit islam i bazuar në Islamin tradicional.

Për fat të mirë, këtë do ta vërejmë vetëm në Raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave më 2005, ku autorët e tyre e shtrojnë nevojën e ripërkufizimit të termit islamizëm. Të vetëdijshëm se nocioni islamizëm pëson ndryshime dhe për shkak të kompleksitetit të vetë nocionit, ata e përkufiozuan si “aktivizmi islam”, i cili sipas tyre është “promovimi aktiv i bindjeve, dispozitave, ligjeve apo politikës, të cilat konsiderohen sipas natyrës së tyre islame.” [13]

Grupi Ndërkëmbëtar i Krizave përfundoi:

“Raportet më të hershme të Grupit të Krizave në përgjithësi islamizmin e kanë përkufizuar ngushtë, si “pikëpamje / trajtë politike e Islamit”. [14] Por, të gjithë autorët, apo intelektualët e kanë vështirë ta bëjnë dallimin ndërmjet aktivizmit politik, aktivitetit misionarist dhe dhunës, respektivisht Islamit, aktivizmit islam dhe sistemit ideologjik, i cili gjithnjë e më agresivisht paraqitet në skenën muslimane. Është shumë e vështirë të tërhiqet vija e qartë se ku përfundon Islami dhe ku fillon islamizmi si ideologji.

Kontribut për të ndriçuar këtë çështje kanë dhënë edhe Caroline Cox dhe John Marks, por mendojmë se në këtë përpjekje nuk ia arritën. Në të tri solucionet që i ofrojnë ata interpretimet e tyre i ngjyrosin ideologjikisht.[15]

Dallimi ndërmjet Islamit dhe islamizmit 

Shumë autorë janë marrë me fenomenin e islamizmit si ideologji (fundamentalizmi islam) dhe vërejtjet e tyre mund të ndihmojnë në perceptimin e dallimit të Islamit si fe dhe Islamit si ideologji.

Është karakteristikë e përgjithshme e të gjithë fundamentalizmave religjiozë se së tepërmi e theksojnë një vlerë të religjionit të tyre dhe këtë vlerë të theksuar e proklamojnë si shtyllë bazore. Për mbrojtjen dhe realizimin e kësaj shtylle ata shkelin parimet e religjionit të tyre.[16] Kjo ndodh edhe në judaizëm, edhe në kristianizëm por edhe në Islam. Dëshira që të realizojnë synimin bazë të tyre i shtynë të shkelin të gjitha metodat e tjera të padrejta: Vrasin njerëz, vetëvriten dhe përdorin metoda të tjera presioni e dhune. Kjo na çon deri te parimi i njohur i Nikolla Makiavelit, i cili pohon se qëllimi i arsyeton mjetet, duke thyer parimet islame të Kur’anit dhe Sunetit. Të gjithë këtë e themi për arsye që të bëhet dallimi ndërmjet Islamit dhe grupeve që thirren në Islam, ndërmjet Islamit e aktivizmit islam nga një anë dhe instrumentalizimit dhe abuzimit të Islamit për qëllime politike e ideologjike nga ana tjetër.[17]

Përmbledhje 

 

 

Islamizmi si një nga perceptimet historike të Islamit në qarqet shkencore mendohet se paraqitet nga mesi i shekullit XVIII, natyrisht si sinonim i Islamit. Me varietete të vogla ky term përdoret deri në ditët tona. Është e qartë se me termin islamizëm individë por edhe grupe të ndryshme jomuslimane kanë abuzuar, duke i dhënë kuptime vetëm abuzive, pa i analizuar shkaktarët që sollën deri te këto grupe apo tendenca shoqërore. Është e rrugës që në kohët që vijnë përdorimi i termit Islam dhe islamizëm të përdoret në kontekstin e vetë e jo duke ngatërruar gjerat. Përdorimi i mirë do të çojë në mirëkuptim dhe ulje tensionesh, kurse përdorimi abuziv i këtyre termave do të çojë në thellimin e të keqes në rrafshin individual, grupor dhe global. Roli i dijetarëve të të gjitha profileve do të jetë i çmueshëm drejt një të ardhmeje më të mirë. 

Literatura e shfrytëzuar: 

 

  1. Hisham Xhait, Evropa dhe Islami, Shkup, 2004.
  2. Islamism, Webster’s Online Dictionarty në: http://www.civitas.org.uk/pdf/cs29.pdf .
  3. Islamski fundamentalizam - šta je to? Editor: Nusret Čanćar dhe Enes Karić, Sarajevo 1990.
  4. Martin Kramer, Coming to Terms: Fundamentalists or Islamists?, në: http://www.geocities.com/martinkramerorg/Terms.htm .
  5. Melvin E. Matthews, What Is the Difference Between Islam and Islamism?, sipas: http://hnn.us/articles/1671.html .
  6. Mirko Bilandzic, Islamske oružane organizacije i islamizam na primjeru Bliskog istoka, sipas: Revija za sociologiju, Vol XXXIX. (2008), No 4: 307–330, në: http://hrcak.srce.hr/index.php?show=clanak&id_clanak_jezik=55470 .
  7. Muhamed Jusic, Islam i islamizam, në: Takvim za 2007 g., Sarajevo, 2006.
  8. Tevfik Muftic, Arapsko-srpskohrvatski jezik, I-II, Sarajevo, 1973.
  9. The ‘West’, Islam and Islamism -Is ideological Islam compatible with liberal democracy?, Caroline Cox i John Marks, Civitas: Institute for the Study of Civil Society, London, 2003, fq. 6 ose: http://www.civitas.org.uk/pdf/cs29.pdf.


[1] Fjalori i Muftiqit nuk i jep këtij termi ngjyrime të shëmtuara dhe abuzive, por vetëm atë leksikor dhe kuptimor brenda Islamit. Shih: Tevfik Muftic, Arapsko-srpskohrvatski jezik, I, Sarajevo, 1973, fq. 1559.

[2] Tevfik Muftic, po aty, II, fq. 2653.

[3] Melvin E. Matthews, What Is the Difference Between Islam and Islamism?, sipas: http://hnn.us/articles/1671.html . Shih po ashtu: Islamism, Webster’s Online Dictionarty në: http://www.civitas.org.uk/pdf/cs29.pdf .

[4] Sipas: Melvin E. Matthew, po aty. 

[5] Voltaire (François Marie Arouet – u lind më 21 nëntor 1694 kurse vdiq në Paris më 30 maj 1778), sipas: Melvin E. Matthew, po aty. 

Për Voltaire-in dhe pikëpamjet e tij vis-a-vi Islamit dhe Muhammedit a.s. mund të lexoni gjerësisht: Hisham Xhait, Evropa dhe Islami, Shkup, 2004, fq. 33-43.

[6] Quoted in André Versaille, Dictionnaire de la pensée de Voltaire par lui-même (Brussels: Complexe, 1994), sipas: Melvin E. Matthew, po aty. 

[7] Alexis de Tocqueville, Oeuvres complètes, ed. J.P. Mayer (Paris: Gallimard, 1961-77), vol. 3, p. 155, sipas: Martin Kramer, Coming to Terms: Fundamentalists or Islamists?, në: http://www.geocities.com/martinkramerorg/Terms.htm .

[8] Henry Laurens, La royaume impossible: La France et la genèse du monde arabe (Paris: Armand Colin, 1990), p. 202, n. 23, sipas: http://www.geocities.com/martinkramerorg/Terms.htm .

[9] Sipas: Melvin E. Matthew, po aty.

[10] Po aty. 

[11] Shih: Is Islamism a Threat? (debata) The Middle East Quarterly decembar 1999. tom VI, broj 4.

[12] Mirko Bilandzic, Islamske oružane organizacije i islamizam na primjeru Bliskog istoka, sipas: Revija za sociologiju, Vol XXXIX. (2008), No 4: 307–330, në: http://hrcak.srce.hr/index.php?show=clanak&id_clanak_jezik=55470 .

[13] Izvještaj Krizne grupe za Bliski istok Middle East/North Africa Report N°37 – 2 mart 2005. str. 1, sipas: Muhamed Jusic, Islam i islamizam, në: Takvim za 2007 g., Sarajevo, 2006, fq. 134 e tutje.

[14] Shih raportet e Grupit të Krizave të cilat flasin për termin islamizëm: Islamism in North Africa I: The Legacies of History, 20 April 2004; Islamism in North Africa II: Egypt's Opportunity, 20 April 2004; Crisis Group Middle East and North Africa Report N°29, Islamism, Violence and Reform in Algeria: Turning the Page, 30 July 2004; also, Crisis Group Asia Report N°83, Indonesia Backgrounder: Why Salafism and Terrorism Mostly Don't Mix, 13 September 2004, and Crisis Group Middle East Report N°31, Saudi Arabia Backgrounder: Who Are the Islamists?, 21 September 2004.

[15] Shih: The ‘West’, Islam and Islamism -Is ideological Islam compatible with liberal democracy?, Caroline Cox i John Marks, Civitas: Institute for the Study of Civil Society, London, 2003, fq. 6 ose: http://www.civitas.org.uk/pdf/cs29.pdf , të cilin version edhe ne e përdorëm.

[16] Për fundamentalizmin islam dhe për fundamentalizmin në përgjithësi shih: Islamski fundamentalizam - šta je to? E përgatitën: Nusret Čanćar i Enes Karić, Sarajevo 1990. Libri është përkthyer edhe në gjuhën shqipe qysh në vitet e nëntëdhjeta, por për fat të keq edhe nuk është botuar.

[17] Muhamed Jusic, po aty, fq. 137-138. (Meqë autori boshnjak në masë të madhe është bazuar në Melvin E. Matthews, ne iu referuam origjinalit, e jo autorit boshnjak.).

____________________________________________________

* Shkeputje nga libri me i ri: Nexhat Ibrahimi, Premisa per dialog ndermjet Oksidentit dhe Orientit, Kryesia e Bashkesise Islame te Kosoves, Prishtine, 2010.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme