
Sigurisht që të shash e të ofendosh muslimanët, ti fusësh të gjithë në një thes, ti quash otomanë, të prapambetur, deve, etj., është moda e ditës. Muslimanët sot janë çifutët modernë të Evropës dhe Kastriot Myftaraj, është rreshtuar në vazhdën e atyre pseudo-nacionalistësh të shtypit të Tiranës të cilët duke sulmuar, sharë e ofenduar, mundohen të krijojnë një emër për veten e tyre, pa marrë parasysh se ndjenjat e kujt plagos, mbi kë shkel apo kë ofendon. Po le ti shohim dogmat e “Gazetarit” dhe “Historianit” tonë një nga një:
Në shkrimin e tij “Dy Kohët e Devesë në Shqipëri”, ai fillon duke sharë e mallkuar Islamin me pretendimin se osmanët kthyen të gjithë katolikët në muslimanë me dhunë. “Historiani” nuk përmend faktin që Islami kishte hyrë në Shqipëri përpara pushtimit osman. Pa mohuar që ka pasur dhe të krishterë që janë kthyer në muslimanë për ti shpëtuar taksave apo për ndonjë përfitim tjetër, nuk mund të lihet pa përmendur fakti që shumë shqiptarë, madje në disa raste fshatra të tërë, janë kthyer me dëshirën e tyre në fenë Islame, ndërkohë që degëzime të të njëjtave familje vazhduan pa asnjë lloj presioni të ushtrojnë fenë katolike apo ortodokse në territorin që sot njihet si Shqipëri. Kjo gjë ka ndodhur dhe me fisin tim në Dibër, në fillim të viteve 1600 kur njëri vëlla ndërroi fenë ndërsa vëllai tjetër vazhdoi me të njëjtin mbiemër dhe të njëjtën fe pa pasur asnjë konflikt me njëri-tjetrin dhe asnjë trysni nga pushteti.
Myftaraj, i cili mesa duket nuk ka patur fatin të lexojë asnjë libër mbi qytetërimin arab, turk, iranian dhe atë islamik, e quan gjuhën arabe të pakultivuar dhe primitive, që nuk mund të krahasohet me gjuhën në të cilën u shkruajt Dhjata e vjetër apo Dhjata e re. Ai me qëllim harron, apo ndoshta vërtet nuk di që edhe vetë Jezu Krishti foli dhe shkroi në këtë gjuhë, aramaike, dhe Dhjata e vjetër u shkrua me simotrën e arabishtes, hebraishten. Të dyja këto gjuhë kanë patur të njëjtin zhvillim, të dyja kanë qenë gjuhë të shkruara dhe të folura. Poetët arabë të kohës paraislamike ishin të famshëm dhe gjuha e tyre si një gjuhë që më shumë transmetohej, njihej pikërisht për tingullin e bukur, poezinë dhe shumëllojshmërinë e epiteteve. Arabishtja në të cilën është shkruar Kuràni dhe me të cilën Abasidët, Umajadët dhe Andaluzianët ngritën qytetërimet e tyre të mrekullueshme është edhe sot e kësaj dite standardi i artë i gjuhës arabe. Ishin pikërisht këta arabë që ruajtën pasurinë helenistike dhe persiane të botës dhe i kaluan evropianëve Aristotelin, Platonin dhe Sokratin.
“Historiani” me një padije apo vetështrembërim të fakteve që do të ishte i pafalshëm për çdo nxënës historie të tetëvjeçares, pa përmendur fare një studiues serioz, mundohet tu hedhë edhe hi syve lexuesve të tij kur pretendon se arabët pasi pushtuan krahinat më të zhvilluara të Bizantit, thithën kulturën e tyre dhe nuk bënë asgjë me këtë kulturë por thjesht e çuan atë në shkatërrim. Ai harron të përmendë që dhe vetë Krishtërimi ka patur një histori të ngjashme me Islamin në Evropë. Ai erdhi nga Bota Arabe, u bë fe zyrtare në tokat e pushtuara romake dhe banorët e këtyre vendeve janë në fakt ata që janë kthyer në Krishtërim, pasi perandori romak Justiniani adoptoi Krishtërimin Trinitar si fe të Perandorisë së tij duke detyruar çdo qytetar të saj që të ndërronte fe dhe më pas Theodhosi e imponoi këtë fe me dhunë. Në një kohë kur fanatizmi i Krishterë e ndau Evropën nga kultura e saj greko-romane, ishin mbretëritë muslimane që shtriheshin nga Bagdadi e deri në Kordovë ato që ruajtën klasikët e mendimit Grek, Platonin, Aristotelin dhe të tjerët dhe i pasuruan ato mendime me filozofinë dhe shkencat e tyre. Ishin këta muslimanë që zhvilluan sistemin e numërimit që ne kemi sot, të cilin e përdor dhe vetë Kastriot Myftaraj kur merr ylyfetë për shkrimet që ai bën duke ofenduar dhe shpifur kundër feve dhe njerëzve të Shqipërisë. Ishin muslimanët që zhvilluan algjebrën që e ka emrin nga matematikani Al Xhabir Ibn Hajan, ata që zhvilluan poezinë dhe historinë. Ndoshta ai nuk e di që kur këto shkenca zhvilloheshin në perandorinë e Harun al Rashidit, Karli i Madh nuk dinte as të shkruante as të lexonte dhe Europa e Krishterë ishte e mbytur në errësirën në të cilën Papët ziheshin për pushtet me mbretërit infidelë. Vetëm pak kohë më parë u hap në Londër ekspozita “1001 Shpikje” ku shpikjet dhe risitë e qindra shkencëtareve muslimanë në matematikë, fizikë, mjekësi, filozofi dhe art pasqyroheshin më së miri. Jonathan Lyons në librin e tij “Shtëpia e Mençurisë” thotë se “Mendimi dhe mësimi Islamik e transformoi Kristiandomin përtej çdo imagjinate.” Një shembull është edhe ai i Roxher Bakonit, filozof dhe shkencëtar anglez që udhëtoi nëpër Spanjën Muslimane i veshur si arab dhe ishte ndër të parët që filloi të jepte mësim filozofinë natyrale në Paris. Pa këto importime, shkruan Lyons, Rilindja (europiane) do të kishte qenë e pamundur dhe progresi europian i paimagjinueshëm. Ky nuk është vetëm se një episod në morinë e përkthimeve nga autorë europianë të punimeve shkencore të muslimanëve. Dhe Evropa rilindi duke përqafuar arritjet intelektuale të Islamit dhe refuzuar dhunën e Krishtërimit. Kjo është e vërteta.
Për sa i përket osmanëve, një gjë është e sigurtë, me gjithë mizoritë që ata mund të kenë kryer në pushtimet që çuan në lindjen e një prej perandorive më jetëgjata në historinë e njerëzimit, ata asnjëherë nuk kanë zhdukur popullata të tëra siç bëri Evropa e Krishterë me popullsitë autoktone të Amerikës apo siç kërkoi të bënte me hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore. Por ishin osmanët dhe gjyshërit tanë që ruajtën kufijtë e kësaj perandorie ata që pranuan hebrenjtë kur u përzunë nga mbreti katolik Ferdinandi dhe mbretëresha Isabela nga Spanja. Në një kohë kur Evropa i urrente hebrenjtë dhe organizonte programe si ato që kërkon të bëjë fanatiku Kastriot Myftaraj me muslimanët e Shqipërisë, osmanët ndërtuan me ata qytetet e Selanikut dhe Stambollit ku një nga perandoritë më jetëgjata të njerëzimit arriti të rrisë me tolerancë njerëz të feve e etnive të ndryshme ku edhe sot e kësaj dite kanë selitë e tyre Kisha Ortodokse dhe ajo Armene.
Duke përfituar nga tolerance dhe mosfanatizmi i muslimanëve shqiptarë, renegati Myftaraj i quan muslimanët shqiptarë deve. Përgjigja për këtë, pa dashur të bie në të njëjtin nivel me të sipërpërmendurin, është e thjeshtë: Më mirë deve se sa gomar. Dhe pyetja që vjen natyrshëm për është kjo: cila është lidhja e myslimanëve shqiptarë sot në vitin 2010 me Perandorinë Osmane që ka pushuar së ekzistuari pothuaj 100 vjet më parë? Unë, si shumë të rinj muslimanë, jam musliman jo se më ka dhunuar turku apo pse kam ngrënë grosh në kazanët e Kishës Katolike apo Baptiste siç mund të bëj Myftari. Unë as nuk kam takuar ndonjëherë turq që më kanë detyruar apo folur për Islamin, jam lindur, rritur, dhe shkolluar në Shqipëri dhe në Perëndim, dhe nuk kam patur në vendimin tim asnjë lloj forcimi apo detyrimi nga askush. Si unë ka me mijëra muslimanë që sot jetojnë në Britani, Gjermani, Francë dhe Amerikë. Ottomanizmi nuk ka asnjë lidhje me ne. Prandaj unë pyes sesi guxon Kastriot Myftaraj duke përdorur argument të kohës së kryqëzatave të thyejë lirinë time të ndërgjegjes, besimit dhe fjalës? A mos vallë Kastrioti është Shqiptar i dorës se parë, ndërsa unë dhe të tjerët si unë të dorës së dytë? Kush e shtyn Kastriotin të mundohet të fusë përçarje në këto momente delikate të historisë së gjithë shqiptarëve kudo që janë?
“Gazetari” dhe “Historiani” Kastriot Myftaraj si duket ka ngrënë diku një lugë vrer të prishur dhe me vrerin e tij kërkon të na infektojë të gjithëve ne. Nëse vërtet në shkrimet e tij ai do të kërkonte një debat shkencor, ton i këtij artikulli do të kishte qenë shumë ndryshe, madje nevoja nuk do të kishte qenë fare për një artikull. Në të kundërt, është detyrë morale që sharlatanëve që synojnë të bëjnë emër në kurriz të të tjerëve ti çirret maska.