
Nëse shikojmë me kujdes hartën gjeopolitikë të rajonit, do të shohim se problemi i Maqedonisë nuk është i vetmi që ka dimensionin rajonal. Këtu do të shohim se ende latent është problemi i statusit të Bosnjë e Hercegovinës dhe mosnjohja ndërkombëtare e Kosovës (deri tash 68 shtete e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës), probleme këto, që nëse do të zgjidheshin, do të ndryshonte harta gjeopolitike e disa shteteve të tjera, p.sh. në rast të trazirave në Bosnjë, Kroacia dhe Serbia do të pretendojnë të bashkangjesin shteteve të tyre pjesët serbe, respektivisht kroate, pastaj në rast të pranimit të Kosovës nga OKB-ja, Serbisë edhe formalisht do t’i shkëputej ai territor dhe gjithashtu në rastin e trazirave në Maqedoni do të mund të ketë ndërlidhje nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia. Nga kjo mund të konstatojmë se Maqedonia është shteti i cili qëndron më afër derës së hapjes së të ashtuquajturës "Kuti e Pandorës”, andaj edhe disa politikanë e shfrytëzojnë këtë situatë me Maqedoninë dhe kështu e mbajnë tensionin e lartë në Ballkanin Perëndimor.
Teza ime është se Maqedonia me arritjen e kompromisit me Greqinë nuk do të humb asgjë (më së paku identitetin). Përkundrazi do të përfitojë shumë: marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, fillimin e bisedimeve me BE-në, rritjen e investimeve të huaja, me çka dukshëm do të përmirësohej gjendja ekonomike, do të rritet kohezioni brendashtetëror për çështjet strategjike dhe do të uleshin tensionet ndëretnike që janë ndër shtyllat e stabilitetit të shtetit etj. Atëherë pse heziton Maqedonia? Serbia, përgjigja është Serbia. Edhe përkundër simulimit se gjoja Maqedonia ka problem me Serbinë rreth pranimit të autoqefalisë së Kishës Ortodokse Maqedonase, Serbia për maqedonasit është miku dhe shpëtimi i tyre i vetëm. Prejardhja e përbashkët sllave, gjuha e ngjashme, lidhjet e shumta që janë formuar në shtetin e përbashkët jugosllav dhe mbi gjitha feja e përbashkët, janë lidhjet që mbajnë këta dy popuj të miqësuar skajshmërisht, edhe pse në qarqet diplomatike dhe në komunikimin ndërkombëtarë ato ndonjëherë aktrojnë se kinse kanë marrëdhënie të tensionuara. Skema e vëllait të madh, Beogradit, kësaj here është që Maqedonia të aktrojë negociata me Greqinë dhe assesi të mos arrijë kompromisin e duhur por të qëndrojë pranë portave të NATO-s dhe BE-së duke mbajtur rajonin e tensionuar derisa të zgjidhet çështja përfundimtare e Kosovës, me çka Serbia vazhdimisht do të konsistojë se zgjidhja përfundimtare e Kosovës do të ketë konsekuenca rajonale duke u kërcënuar me destabilizimin e Maqedonisë, me çka, siç u tha më lart, në Ballkan përsëri do hapej "Kutia e Pandorës". Serbia as nuk mund dhe as nuk ka qëllim ta ndalë njohjen ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimin në OKB, por intenca e saj është që pjesën e Kosovës në Mitrovicë mëtanë Ibrit ta kontrollojë pikërisht ajo, duke e ndërlidhur me enklavat tjera serbe në brendi të Kosovës, me çka Kosova do mbetej një shtet tejet jofuksional, i varur në masë të madhe nga Serbia dhe me një karcinom malinj që, edhe pse të gjallë, do ta lodhte deri në vdekje këtë shtet.
Maqedonia dhe strukturat udhëheqëse në këtë shtet e ndihmojnë këtë kauzë serbe duke pritur që bashkë me vëllezërit e tyre serbë të ndajnë fatin e përbashkët, pa marrë parasysh a shkojnë në NATO e BE apo do të zgjedhin ndonjë rrugë tjetër. Ata gjithnjë do të jenë pranë vëllezërve të tyre duke u ndjerë më të sigurt në prehrin e tyre. Sipas këtij skenari, Nikolla Gruevski (i cili para se të bëhej kryeministër, disa vite qëndroi në Serbi duke qenë këshilltar në qeverinë e Voisllav Koshtunicës), luan rolin të cilin ia përcaktuan kur në zgjedhjet e 2006-tës të gjitha strukturat proserbe në Maqedoni (Llatasi, Tomiçi, Milenko, Xingoja, Pavle Trajanovi, Siteli, TVM-ja, Kanal-5 etj, etj.) u radhitën përskaj subjektit të tij politik dhe e ushqejnë edhe sot me përkrahjen e tyre dhe të “vëllait të madh”, që ashtu t'i fitojë të gjitha betejat politike me strukturat e brendshme, siç është opozita maqedonase të cilën e fitoi në të gjitha zgjedhjet e deritanishme, por edhe tërë palën shqiptarë të cilëve nuk u lënë rrugëdalje tjetër, pos të zgjedhin mes qëndrimit anemik në qeveri ose shkuarjes në shtëpi. Argumenti që flet për politikën proserbe të qeverisë së Gruevskit është edhe vendimi që me projektin famoz “Shkupi 2014” të kthehet “Pallati i oficerëve”, të cilën në vitin 1925 e ndërtoi ushtria e Karagjorgjeviçit duke e rrënuar në mënyrë të dhunshme xhaminë Burmali. Përndryshe, cila do të ishte logjika që të rikthehet ky objekt i cili simbolizon pushtimin serb në Maqedoni?!
Në fund, nëse politikanët tanë pajtohen me këtë tezë, atëherë porosia ime është se ata sa më parë duhet ta ndërrojnë kursin politik në lidhje me kontestin në fjalë. Në atë rast ka mënyrë - dhe unë jam i gatshëm të ndihmojë në këtë drejtim - se si do të kryhej presioni i brendshëm dhe ndërkombëtar që Maqedonia të marrë të mbarën duke u integruar në NATO e BE, duke hipur në trenin në të cilin gjenden Shqipëria dhe Kosova. Përndryshe do të mbetemi bashkë me maqedonasit e serbët në pritje të trenit që do të na kthejë në histori ose të na dërgojë në një humnerë të radhës.
Krejt në fund, po them se kjo është vetëm edhe një tentativë e radhës për një vështrim analitik nga ana ime rreth problemeve që na preokupojnë. Kësaj radhe mund t’ia kem qëlluar, por mund edhe të kem gabuar në vlerësimet e mia, por gjithsesi, unë nuk kam asnjë përgjegjësi dhe asnjë përfitim nga shqiptarët për publikimin e vështrimit tim. Nga ana tjetër, kur politikanët tanë ia qëllojnë, shpërblehen nga shqiptarët në disa cikle zgjedhore radhazi duke iu mundësuar atyre të qëndrojnë në kolltukët e rehatshëm, të përfitojnë të mira materiale personale, tenderë, punësime të familjarëve (merr rrogë e rri në shtëpi) dhe të gjitha të mirat që i sjell për qeveritarët një shtet i korruptuar siç është Maqedonia, ndërsa kur gabojnë, jo vetëm në vlerësimet, por edhe kur gabojnë rëndë në vendimet e tyre, ata nuk japin përgjegjësi për humbjet dhe dështimet e mëdha që i sollën shqiptarëve në këtë vend. Alamet përgjegjësie, apo jo!!!!