
Miti mbi Gjergj Elez Alinë – refleksion sociologjik!
Gjergj Elez Alia në mitologjinë shqiptare shumë herë na përshkruhet si njëri me virtyte të larta, vetëm të kthehemi në histori ate e shohim: si njeri i cili kishte 9 plagë, që ishte luftëtar, besnik dhe një trim i hatashëm. Kur përshkruhet miti i Gjergj Elez Alisë tregohen qartë dhe pasqyrohen traditat e lashta shqiptare. Në këtë mitë, përveç tjerash pasqyrohet edhe një mozaik i tërë traditash. Me faktin që së pari, tregon besën e dhënë Gjergji të motrës, pra besa si element i traditës shqiptare kishte qenë një nga virtytet më të larta në atë kohë, dhe që është bartur brez pas brezi deri në ditët e sotme. Së dyti, tregon trimërinë dhe ballafaqimin e vetë popullit shqiptarë me shumë pushtues, madje kur e përshkruan bajlozin e zi të detit, ka për qëllim të tregon armikun dhe rezistencën e tij (Gjergjit) ndaj armikut se ky vend është shqiptarë dhe nëse është e nevojshme edhe “jetën do të jap për këtë vend”. Andaj, shikuar nga aspekti psikologjik – social këtu kemi të bëjmë me ndjenjën nacionale për atdhe, një motivim psikologjik për atdhe, pastaj një rezistencë tejet të lartë duke e sakrifikuar edhe jetën vetëm e vetëm të jetojnë në liri. Sepse, liria është ai elementi që të gjithë popujtë kanë luftuar që ta kenë sot, madje pikërisht ky element (i lirisë), i parapriu dy revolucioneve të mëdha historike atij amerikan 1776, dhe atij francez 1789. Përveç, tjerash në këtë mitë pasqyrohet edhe nderi dhe besnikëria që paraqesin një traditë të lashtë shqiptare, nderi na paraqitet tek motra e Gjergjit të cilën armiku (bajlozi i detit) kishte ardhur për të marrë pa dëshirë, andaj këtu Gjergji si një përsonazh mitik tregon rezistencën e hatashme edhe pse pothuajse ishte i vetëm karshi armikut, ai mbron me fanatizëm nderin, që e tëra kjo paraqet një karakteristikë tradicionale për popullinë tonë. Edhe pse i plagosur nga luftërat e përgjakshme Gjergji me këmbëngulje mbron pragun e shtëpisë, atdheun, nderin, identitetin e tij, andaj kur përshkruhen 9 plagët e Gjergjit ka mendime dhe studime të ndryshme që theksojnë se ai ishte i plagosur rëndë dhe po në atë gjendje ishte bërë gati të luftonte me armikun, mirëpo një pjesë tjetër e studiusëve pikërisht 9 –të plagët e Gjergjit i lidhë me varfërinë, hakmarrjen e shumë gjëra tjera. Në këtë kontekst studiuesi suedez, Ullmar Qvick, një prej njohësve të historisë, kulturës e traditës shqiptare në një analizë që i bën këngës së Gjergj Elez Alisë, krahas vlerësimit të madh të kësaj kënge monumentale legjendare të popullit tonë, thotë: “Kjo këngë, për fisnikërinë e shpirtit shqiptar ka një mesazh për rininë e sotme shqiptare: Krenohuni! Ju keni pasuri që as koha nuk do t‘i prekë! Dhe në të njëjtën kohë kjo këngë është një kushtrim. Jo për luftë, por për rilindjen e shumëvonuar shqiptare me mjete paqësore. Nëntë plagët mbi trupin e Gjergjit janë trashëguar brez pas brezi. Sot këto plagë mund të quhen: varfëria, papunësia, korrupsioni, hakmarrja, shfrytëzimi i femrave, mosbesimi, demoralizmi, mërgimi dhe prapambetja shoqërore”. Pra, këtu shihen problemet në njërën anë që e kanë preokupuar popullin shqiptarë, por në anën tjetër shihet edhe tradita e lashtë e popullit shqiptarë e cila është bartur gjerë më sot. Kështu, që mitet janë jo vetëm frymëzuesit e përhershëm, por edhe përcjellësit autentikë të gjithçkaje që jetohet e përjetohet të një popull edhe pas mijëra viteve.
Si përfundim, mund të themi se miti i një populli nuk është një lluks, por është një ndër proceset e më të ndërlikuara të historisë së atij populli, mënyrës së jetesës, problemet dhe ballafaqimit të shumë sfidave etj. Andaj, sot miti duhet të paraqitet me një gjuhë bukur të mirë dhe mos të anashkalohet, apo të transformohet në përralla, siç ndodh shpesh. Sepse sot mitet mund të jenë të rëndësishme, por dhe një energji pozitive drejt identitetit kombëtar. Është e rëndësishme të thuhet që sidomos nëpër shkolla, kolegje, universitete të ndryshme mitet duhet të shpjegohen në mënyrën e duhur, e jo vetëm sipërfaqsisht. Por, edhe mediat si ato elektronike, poashtu edhe ato të shkruara të ilustrojnë, të ofrojnë më shumë shkrime, analiza, publikime, programe, madje edhe emisione të ndryshme mbi konceptin, historikun, lashtësinë, të vërtetën e miteve, veçmas miteve shqiptare. Në mënyrë, që nesër mos të instrumentalizohen këto mite, apo thënë shkurtë mos të identifikohen me përralla, sepse mbi të gjitha mitet mund të jetë ndoshta njëri ndër faktorët më fundamental drejt fuqizimit të më tejshëm të identitetit kombëtar.