[Fletëpalosja 6.]
Në emër të All-llahut, Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Gusël apo pastrim do të thotë: Larja e trupit të njeriut me ujë (duke e përfshirë në tërësi). Gusli apo pastrimi është një ndër obligimet e Sheriatit islam.
Këtë e vërtetojmë me fjalët e All-llahut xh. sh. ku thotë:
“Në qoftë se jeni të papastër, atëherë pastrohuni”. Si dhe fjalët: “Të pyesin ty për të përmuajshmet (hajzin), thuaj: Ajo është gjendje e neveritur andaj largohuni prej grave gjatë të përmuajshmeve dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen, e kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç ju ka lejuar All-llahu”. (El Bekare, 222)
KUR DUHET TË PASTROHEMI?
1. Duhet të pastrohemi pas ejakulimit (derdhjes së spermës) me epsh, qoftë kur jemi të zgjuar apo në gjumë.
Ky është mendimi i të gjithë dijetarëve islamë, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit alejhisselam “Uji prej ujit”. (Muslimi)
Si dhe në hadithin në të cilin Ummu Seleme thekson se Ummu Sulejme, nëna e besimtarëve, ka thënë:
Te Pejgamberi alejhisselam erdhi Ummu Sulejme, bashkëshortja e Ebu Talhait dhe e pyeti:
“O Resulull-llah, All-llahu nuk turpërohet nga paraqitja e së vërtetës, prandaj edhe unë nuk turpërohem të pyes a është e detyruar gruaja të lahet kur derdhet në ëndërr (polucioni)?”
“Po, kur sheh lëng (ujë)”, - u përgjigj Pejgamberi alejhisselam (Buhariu).
Në lidhje me këtë, dëshirojmë të cekim ca vërejtje apo situata në të cilat nuk kemi nevojë për pastrim edhe atë:
a. Në qoftë se sperma del pa ndonjë ngacmim të epshit, atëherë pastrimi nuk është i nevojshëm.
Pejgamberi alejhisselam njëherë i kishte thënë Aliut r.a.: “Kur të shohish se sperma del me vrull, atëherë pastrohu”.
Në qoftë se sperma rrjedh apo del nga organi seksual gjatë kryerjes së nevojës së vogël, as në atë rast nuk kemi nevojë për pastrim.
Kur Ibn Abbasi r.a., e pyeti Pejgamberin alejhisselam për këtë çeshtje, ai iu përgjigj: “Ty në këtë rast nuk të nevojitet pastrimi, por duhet të marrish abdest”.
b. Në qoftë se njeriu ejakulon në ëndërr mirëpo kur zgjohet nuk heton dot ndonjë lagështi apo gjurmë të spermës.
Këtë e vërtetuam me fjalët e mëparshme të Ummu Sulejmes kur Pejgamberi s.a.v.s. i ishte përgjigjur se në qoftë se hetohen gjurmë lagështie, atëherë nevojitet pastrimi. Mirëpo, nëse sperma del pasi që njeriu të jetë zgjuar, atëherë nevojitet pastrimi.
c. Në qoftë se njeriu i cili është zgjuar nga gjumi dhe në vete heton gjurmë lagështie, por nuk i kujtohet aspak se ka ejakuluar (në ëndërr). Mirëpo, në qoftë se është i sigurt se ajo lagështi është nga sperma, atëherë nevojitet pastrimi, ngase mund të ndodhë që të lind dyshimi.
d. Në qoftë se njeriu ndjen se sperma e tij do të gufojë, por zgjohet dhe e ndalon atë, atëherë nuk nevojitet pastrimi.
2. Marrëdhëniet seksuale
Pa dyshim se pas çdo marrëdhënie seksuale mes bashkëshortëve nevojitet pastrimi i të dyve. Pastrimi në këtë rast nevojitet në qoftë se koka e organit mashkullor depërton në atë femëror, edhe në qoftë se nuk ejakulon.
Pejgamberi alejhisselam thotë: “Kur takohen dy organet, atëherë nevojitet pastrimi.”
3. Hajzi dhe Nifasi
Hajz janë të përmuajshmet, ndërsa nifas është gjaku i cili i rrjedh femrës pas lindjes. Pastrimi nevojitet kur femra e kalon cilëndo nga këto dy periudha.
4. Vdekja
Kur njeriu vdes atëherë nevojitet pastrimi i tij. Ky është mendimi i përbashkët i të gjithë dijetarëve islamë.
5. Pabesimtari i cili pranon Fenë Islame
Në qoftë se ndonjë pabesimtar e pranon Fenë Islame, atëherë atij i nevojitet pastrimi.
ÇKA I NDALOHET PERSONIT KUR ËSHTË I PAPASTËR
Personi i cili është i papastër, qoftë femër apo mashkull, i ndalohen disa gjëra, edhe atë:
a. Namazi,
b. Tavafi (rrotullimi rreth Qabes),
c. Prekja dhe bartja e musafit (Kur’anit),
ç. Leximi i Kur’anit,
d. Qëndrimi në xhami (hyrja në të).
PASTRIMI I PËLQYER (MUSTEHAB)
Është mirë që muslimani të pastrohet veçanërisht në këto raste:
a. Pastrimi në Ditën e xhumasë (e premte),
b. Pastrimi në ditët e bajramëve,
c. Pastrimi i atij i cili e ka pastruar të vdekurin,
ç. Pastrimi gjatë hyrjes në ihram (në Haxh),
d. Pastrimi gjatë hyrjes në Mekke,
dh. Pastrimi kur vjen koha për të qëndruar në Arafat (në haxh).
KUSHTET E GUSLIT (PASTRIMIT)
Nuk do të koniderojmë se jemi të pastër përveç nëse i plotësojmë këto kushte:
a. Nijjeti
Nijjeti mjafton të bëhet me zemër duke mos cituar gjë të posaçme, edhe pse nuk paraqet problem të shprehurit e tij.
b. Pastrimi i të gjitha gjymtyrëve
Nënkuptojmë atë që e thamë më parë: përshkimi i trupit me ujë. Sipas drejtimit hanefi kusht është edhe futja e ujit në gojë dhe hund tre herë.
SUNNETET E GUSLIT
Sunnetet janë veprime të cilat i ka bërë Pejgamberi alejhisselam
Sunnetet e guslit janë këto:
a. Pastrimi i duarve tre herë.
b. Pastrimi i organit seksual.
c. Larja e brendisë së gojës dhe e hundës tre herë, duke futur ujë thellë në brendinë e tyre.
ç. Marrja e abdestit të plotë, përveç larjes së këmbëve, ngase lejohet pastrimi i këmbëve në fund.
d. Të hedhurit e ujit mbi kokë tre herë duke i fërkuar flokët.
dh. Të hedhurit e ujit mbi trup, edhe atë duke filluar me fërkimin e pjesës së djathtë të trupit e mandej atë të majtën, pastaj duke fërkuar brendinë e veshëve, kërthizën, gishtërinjtë e këmbëve dhe pjesët tjera të cilat i konsiderojmë pjesë të brendshme.
PASTRIMI I PEJGAMBERIT ALEJHISSELAM
Transmeton Aisheja r.a., se Pejgamberi alejhisselam kur pastrohej fillonte me larjen e duarve, mandej hedhte ujë me dorën e djathtë në të majtën dhe e pastronte organin e tij, mandej merrte abdest sikur për namaz, merrte ujë dhe e hedhte mbi kokë derisa të arrinte uji në brendinë e flokëve e pastaj e përshkonte tërë trupin e tij me ujë.
Disa herë merrte ujë dhe e shpërlante brendinë e gojës dhe të hundës.
PASTRIMI I FEMRËS
Edhe pastrimi i femrës bëhet në të njëjtën mënyrë si pastrimi i mashkullit, përveç se ajo duhet të ketë më shumë kujdes në arritjen e ujit deri te flokët e saj.
Femra e cila ka flokë të gjata, e që është rëndë për të t’i shtjellojë, atëherë ajo duhet që vetëm të hedhë mbi kokën e saj tre herë ujë e pastaj ta pastrojë trupin e saj.
VËREJTJE
Personit i cili është i papastër, qoftë mashkull apo femër, i lejohet të shkurtuarit e flokëve, shkurtimi i thonjve, dalja në treg etj. Në qoftë se është pastruar mirëpo nuk ka marrë abdest, atëherë pastrimi i tij e zëvendëson abdestin.
Nuk lejohet pastrimi i personit të zhveshur para të tjerëve, ngase zbulimi i pjesëve të turpshme para të tjerëve është i ndaluar. Lejohet pastrimi i të dy bashkëshortëve në një vend dhe bashkë, si dhe nga ena në të cilën është larë ndonjëri nga bashkëshortët, lejohet për tjetrin që ta përdorë ujin e mbetur në enë.
Lusim All-llahun xh. sh. që të gjithë atyre të cilët do ta lexojnë këtë fletushkë, t’ua bëjë të mundshme që ta kuptojnë dhe t’ua përcjellin të tjerëve.