
Në ndërkohë, Myftiu Muamer Zukurliq, kërkoi nga redaksia e “Blicit” t’i kërkoj falje atij dhe besimtarëve tjerë, kërkim falje kërkoi edhe nga presidenti Tadiq, kurse prej gazetës kërkoi një dëmshpërblim, të cilin e quajti “simbolik” prej 100 milionë eurosh. Derisa të realizohen këto kërkesa, ai kërkoi nga myslimanët ta bojkotojnë gazetën në fjalë, të filloj ngritjen e padisë penale, si dhe do të informojë të gjitha institucionet ndërkombëtare islame dhe përfaqësitë diplomatike të botës islame në Beograd.
Redaksia e “Blicit” me një herë doli me një deklaratë, ku i kërkonte falje Myftiut dhe myslimanëve për fotomontazhin. Por, në një intervistë që Myftiu Zukurliq pati me Radion B 92, nuk u pajtua me tekstin e redaksisë dhe si të tillë ai nuk e konsideroi se është në nivel të dëmit që i është shkaktuar atij si përfaqësues i Bashkësisë Islame si dhe besimtarëve të tij.
Për këtë, në vikendin e javës që shkoi ftoi në mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendin e Bashkësisë Islame, organin më të lartë legjislativ, i cili aprovoi të gjitha masat që kishte ndërmarrë Kryesia e Bashkësisë Islame ditë më parë.
Myftiu, Muamer Zukurliq, përfaqëson njërin krah të Bashkësisë Islame në Serbi, i cili kohëve të fundit është në konfrontim të hapur me qeverinë serbe, për shkak të përkrahjes që ajo po i jep Bashkësisë tjetër Islame, në krye me reis-ul-ulemanë, Adem Zilkiq, me seli në Beograd, edhe pse kushtetuta serbe nuk lejon ekzistimin e dy bashkësive fetare paralele. Në zgjedhjet e fundit për Këshillat Nacionale që u mbajtën në Serbi, Myftiu Zukurliq sfidoi të gjitha partitë politike të Sanxhakut, duke fituar mbi 50% të votave.
Kështu rastin e fotomontazhit, ai po e shfrytëzon për të bërë presion në qeverinë e Beogradit, për njohjen e Bashkësisë Islame, të cilën ai e përfaqëson si bashkësi të vetme legjitime të myslimanëve në Serbi.
Përdorimi i letrës së internacionalizimit të problemit në aspektin islam, në kohën kur GJND-ja përgatitet të thotë fjalën e tij të fundit lidhur me çështjen e Kosovës, për Serbinë është një grusht i rëndë karshi botës islamike, ku politika serbe kishte mbështetjen më të madhe. Ndoshta kjo kishte bërë që presidenti Tadiq, dje të takohet me autorin e fotomontazhit, për të kërkuar shpjegime prej tij. Në ndërkohë myftiu, Zukurliq në të gjitha prononcimet e tij për media, nuk lëshon pe për 100 milionë eurot në shenjë dëmshpërblimi, duke i cilësuar si shumë tejet “simbolike”, sepse dëmi shpirtëror, që i është shkaktuar atij dhe besimtarëve të tij nuk mund të kompensohet.