Një vit pas fjalimit të presidentit Obama në Kajro

Fjalimi ishte i koncipuar në atë mënyrë, ku ishin përfshirë të gjitha aspektet, të cilat ishin konsideruar si pengesë e zhvillimit të marrëdhënieve në mes të dy popujve, duke përfshirë edhe kauzën palestineze si njërën ndër çështjet kruciale dhe pikën më të dobët në mes SHBA-së, si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe botës arabe dhe asaj islame.
Thënë realisht, përkrahja e pa rezervë e SHBA-së, në aspektin politik dhe ekonomik ndaj Izraelit, tek popullata arabe dhe ajo myslimane ka krijuar një lloj aversioni ndaj Amerikës si një shtet që fuqinë dhe ndikimin e saj po e përdor në dëm të interesave të popullatës së pambrojtur palestineze, në veçanti me përdorimin e të drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit, kundër të gjitha vendimeve të Bashkësisë Ndërkombëtare. Kjo urrejtje u shtua edhe më tepër me rastin e invazionit ushtarak amerikan në Afganistan më 2001 dhe në Irak në vitin 2003.
Ardhja e Barak Obames në krye të administratës amerikane më 2009, si dhe deklaratat e tij gjatë fushatës zgjedhore kishin bërë që myslimanët të mbështesin shpresat e tyre tek ky njeri, i cili përveç tjerash vinte nga një baba mysliman dhe një pjesë të fëmijërisë së tij kishte kaluar në shtetin më të madh mysliman në botë në Indonezi.

Zgjedhja e Kajros, nga administrata amerikane, për t’iu drejtuar botës arabe dhe islame nuk ishte rastësi, por këtë e kishte imponuar pesha që Egjipti ka në botën arabe dhe atë islame, sepse moderizmi dhe mesatarja ashtu ekstremizmi dhe fundamentalizmi kishin dal prej Egjiptit.
Andaj, një vit pas fjalimit historik të presidentit amerikan, Barak Obames ishin bërë shumë analiza në shtypin arab dhe atë perëndimor, ishin organizuar shume konferenca për të bërë një vështrim se cilat ishin rezultatet e tij. Në mesin e tyre ishte një kongres i madh që zhvilloi punimet e tij prej 16-18 të këtij muaji në Bibliotekën e Aleksandrisë, me temën bosht:”Amerika dhe Bota Islame një fillim i ri”, ku morën pjesë ekspertë të fushave të ndryshme për të analizuar se çka ishte bërë gjatë një viti dhe çka duhet të bëhet në të ardhmen për t’u eliminuar të gjitha keqkuptimet dhe paragjykimet, të cilat kanë ekzistuar apo janë krijuar gjatë administratës së mëhershme të presidentit Bush, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Ishte konstatim i përgjithshëm se presidenti amerikan pati sukses të bind botën, se Islami nuk është pjesë e problemit në mes Lindjes dhe Perëndimit, që ka të bëjë me ekstremizmin, dhunën, terrorizmin, duke propozuar që ai të jetë pjesë e “zgjidhjes së problemit” sipas shprehjes së tij. Ai u angazhua në pajtimin midis islamit dhe myslimanëve si dhe SHBA-ve, duke u mbështetur në kontributin e civilizimit islam që pati në përparimin e tashëm të Perëndimit, duke dëshmuar këtë me citate të Kur’anit, të cilat bëjnë dallim në mes mësimeve të islamit dhe sjelljeve të myslimanëve, jo vetëm në Amerikë, por edhe në vet vendet islame, siç janë Iraku, Pakistani, Afganistani, Jemeni, Algjeria etj. M këtë qëndrim të qartë po binte poshtë teoria e mëhershme e përhapur për domosdoshmërinë e konfliktit të kulturave.
Konstatimi i dytë ishte gatishmëria e përparimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve të SHBA-së me shtetet arabe dhe islame në fushën e edukimit, shkencës dhe kulturës. Kështu një ekspert amerikan i edukimit u shpreh se do të ishte shumë më mirë sikur SHBA-të në vendet arabe dhe islame në vend të ushtarëve të dërgonin mësues.
Konstatimi i tretë ishte domosdoshmëria e dialogut ndërfetar, për këtë temë me kompetencë folën myftiu i Egjiptit, Dr. Ali Xhuma dhe Dr. William Vendly, sekretar i përgjithshëm Fetë për Paqe me seli në Nju Jork, i cili përvojën e dialogut ndërfetar në Kosovë e përmendi si një përvojë tejet të suksesshme, që vlen të merret si shembull.
Të gjithë të pranishmit shprehën shqetësimin e tyre për ngecjen e dialogut palestinezo-izraelit si dhe vazhdimin e ndërtimit të kolonive izraelite në tokat palestineze, në Jerusalem dhe në Bregun perëndimor të lumit Jordan, duke kërkuar prej administratës amerikane angazhim më të madh për të ndikuar tek qeveria izraelite për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.
Mirëpo, të gjithë ishin të pajtimit se periudha kohore prej një viti, nuk ishte e mjaftueshme që të zgjidhen të gjitha problemet e akumuluara me vite të tëra. Këtë më së miri e kishte shprehur edhe vet presidenti Obama një vit më parë në fjalimin e Kajros, ku kishte thënë: “Amerika dhe islami nuk përjashtojnë njëri-tjetrin dhe nuk kanë nevojë t’i bëjnë konkurrencë njëri-tjetrit. Në realitet, ata ndërlidhen dhe ndajnë parime të përbashkëta – parimet e drejtësisë dhe përparimit, tolerancës dhe dinjitetit të të gjitha qenieve njerëzore. E themi këtë të vetëdijshëm se ndryshimet nuk mund të ndodhin brenda natës.”
Megjithatë, të gjithë u pajtuan me atë se prej ardhjes së presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë, ai ia shtriu dorën botës islame. Ai iu drejtua myslimanëve me fjalimet e tij nga Ankara dhe Kajro, emëroi Husen Reshadin, përfaqësues të tij special në Organizatën e Konferencës Islamike Por ajo që është me rëndësi ndryshoi gjuha e Amerikës sa i përket lidhjes së kryesve të veprave terroriste me përkatësinë e tyre fetare. Presidenti Obama, në fjalimin e tij në Kajro kishte premtuar, se ai do t’i kundërvihet formave sterotipe negative ndaj islamit, kjo më së miri u vërejt me rastin e akteve terroriste që u zbuluan gjatë muajve të fundit, që është një hap i ri në marrëdhëniet në mes Amerikës dhe botës islame..

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme