Ishte kohë që hakërrohej e keqja. Mbillej dhe korrej trishtimi. Nën atë qiell, pabesia, anarkia, sistemi klasor, epërsia fisnore, padrejtësia, tradhtia, vrasja, hakmarrja ishin veçoritë e shoqërive të mbrapshta, ndërsa robëria ishte fenomeni dhe trendi i kohës. Skllevërit shiteshin e bliheshin, rriheshin e vriteshin, torturoheshin e mundoheshin pa pasur fare llogari. Ishte një kohë vërtetë e tmerrshme! Gjendja e asaj kohe ishte në një situatë të tillë, e cila domosdo kërkonte një çlirimtar. Gjendje e cila nuk përshtatej me natyrën njerëzore, madje as me atë kafshore, por e përshtatur iluzioneve dhe imagjinatave djallëzore, tekeve dhe dëshirave të paskrupullta, bindjeve nomade dhe të sistemit të robërisë.
Bota, pra, ‘para ardhjes së Islamit, ishte si një burg i madh i të vërtetave dhe të drejtave’ – Muhamed Gazali, botë që e kishte përshkruar e keqja dhe errësira. Ishte si një diell i eklipsuar. Kështu fati i botës varej nga dora e të fortit mendjemadh dhe tiran.
Domosdo kërkohej një dore e butë, mëshiruese, e cila do ta kapte të dobëtin dhe robin e do ta mëkëmbte në trastën e zhvillimit normal, siç duhej të jetonte një njeri normal, me një sistem dhe jetë të lirë normale. Ky normalizim nuk u kthye derisa nuk erdhi Islami. Këtë e dëshmon shkenca e historisë. Këtë e dëshmojnë vetë mësimet e Islamit. Thirrjet e tij se të gjithë njerëzit janë krijuar prej një materie, se janë prej një babe dhe nëne, se janë të barabartë, se nuk lejohen dallime racore e klasore, se kanë vetëm Një Zot, se rruga e tyre e vetme është Një, etj., dëshmon qartë se pse Islami është çlirues në të gjitha kuptimet.
Islami nuk erdhi të robërojë njerëz e shoqëri. As për të përdorur dhunën në mjedise paqësore. Përkundrazi, ai erdhi për ta larguar dhunën nga ato mjedise që kërkonin të liroheshin nga barbarizmi. Pjesëtarët e vetë i mësoi të jetojnë të dinjitetshëm dhe të çliruar, duke i nxitur që të mos shfrytëzojnë forcën e tij për të kaluar më pas në ekstremitete dhe për të bërë shtypje mbi të tjerët, sikur që vepruan shumë sisteme të tjera. Kështu veproi krishterimi, i cili në fillim ishte i padëshiruar dhe i përndjekur, i persekutuar, kurse kur kaloi në anën e forcës, u kthye në një persekutues dhe ekzekutues të tmerrshëm me kasaphanet e tij të Inkuizicionit. Kështu vepron sot edhe hebraizmi. Mjafton t’i kujtojmë holokaustet e tyre, e sot, po këta po u krijojnë holokauste shoqërive të tjera!
Edhe nëse ndodh që muslimani të ushtroj dhunë, ai këtë nuk e bën me dorën e Islamit, e aq më pak me miratimin e tij, por me të djallit dhe të egos së vet. Islami, dhunës ia ka mbyllur dyert hermetikisht, kurse për dëshmi ka Kur’anin dhe pejgamberin, Muhamedin a.s.
Nuk do të ishte aspak etike të thonim se Islami është pushtues. Por edhe nëse do të thoshim një gjë të tillë, atëherë kjo për të do të kishte këtë kuptim: Islami pushton për të çliruar. Sa bukur po tingëllon! Islami pushton për të çliruar. Po vallë, si ta kuptojmë këtë? Këtë e kuptojmë kështu: Islami pushtoi të keqen, për ta çliruar të bukurën. Islami pushtoi errësirën për ta sjellë dritën. Islami pushtoi perandoritë, për t’i çliruar njerëzit. Islami pushtoi shqiptarët, për t’i çliruar nga barbarët. Islami i pushtoi zemrat, për t’i çliruar ato nga besëtytnitë dhe egoizmat. Islami, asnjëherë, nuk pushtoi për të robëruar. Por, përkundrazi, ai pushton, sikur zemra që pushton zemrën, dhe fillon dashuria!