Mund të kuptohet edhe në një rrafsh tjetër se mos hulumtimi i këtyre personaliteteve, shfaq dyshimin për mos qasje profesionale, shkencore, historike natyrisht edhe mosnjohje të gjuhëve të huaja.
Këtij vorbulli të mos hulumtimit të duhur i renditet personaliteti i gjysmës së dytë të shekullit XIX Sami Frashëri.
Sami Frashëri nga të gjitha shënimet e deritanishme vlerësohet mjaftë lartë si:
Albanolog, Turkolog, linguist, letrar, dramaturg, mendimtar por edhe njëri ndër ideologët e rilindjes kombëtare shqiptare.
Të gjitha këto vlerësime japin një pasqyrë të rëndësishme për figurën universale të Sami Frashërit i cili për një moshë relativisht të re bëri aq shumë sa që vitet e tij janë rresht i madh i angazhimit qoftë shkencor por edhe politikë në shërbim të çështjes kombëtare .
Njohja e shumë gjuhëve nga Sami Frashëri kishte krijuar mundësin e edhe të njohjeve dhe të arriturave të shkencës më përparimtare të botës.
Dhe kjo njohje kishte kaluar kufijtë qoftë edhe të Stambollit që jetoi për një kohë të gjate e mos të flasim për Shqipërinë që ishte një territor i vogël dhe nën sundimin e Perandorisë osmane.
Samiu ishte pjesë e angazhimit dhe e formimit të "Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare''. Ky angazhim që ishte në shërbim të çështjes kombëtare mund edhe të shpjegohet si aspekt i vetë brumosjes intelektuale, edhe i vetë konceptit të ndërtuar në familjen e Frashërlinjëve.
Dy koncepte përputheshin mirë në jetën e Sami Frashërit
Angazhim në krijimin e një hapësirë për ngritjen e idealit kombëtar dhe paraqitja e tij sa më autentike qoftë në publicistik apo edhe përmes punimeve shkencore në rrafshin universal të trajtuar me shumë kujdes në shumë gjuhë.
Në këto parametra Samiu i kalon përmasat edhe të rrafshit intelektual të perandorisë. Ai njohjen dhe ngritje e kuptoi si pjesë të zhvillimit dhe të reformimit të kulturave që mbretëronin aso kohe qoftë në perandorin osmane apo edhe në pjesët tjera të botës.
Konfiguracioni i veprimtarisë së tij në planin kombëtarë është i fokusuar në tri sfera
E para ngritja e disa organizatave në të cilat do të tuboheshin mendjet e ngritura e që kishin të bënin me atdheun
E dyta shkruarja e librave në Gjuhën shqipe
E treta paraqitja e intelektualitetit të shqiptarëve në shkencën si perandorake edhe në nivelet tjera botërore.
Tri pika në të cilat lidhej aspekti i mbrojtjes së kulturës, gjuhës dhe territorit shqiptar ishin edhe mbetën digë e fortë e qasjes dhe krijimit të personalitetit të Sami Frashërit.
Pena e Samiut nuk heshti për asnjë moment
Gjatë majit të vitit 1878 , duke parë shqetësimin e organizimit të një lëvizje kombëtare , filluan penat greke shoviniste të shkruanin në një gazetë greke të Stambollit sipas të cilës shqiptarët e Janinës po përgatiteshin për tu shkëputur Shqipërinë nga Perandoria Osmane. Qëllimi i qarqeve greke ishte që porta e lartë të ndërhynte për të parandaluar formimin e Lidhjes Shqiptare.
Në një artikull të botuar në "Tercumun-i Sark' të Stambollit ai shkruante" …Jo vetëm në Janinë por në çdo këndë të Shqipërisë, jo vetëm shqiptarët mysliman por edhe bashkatdhetarët e krishterë , që kanë dashuri për atdheun dhe që nuk janë të mashtruar nga propaganda e huaj, u mblodhën që të gjithë dhe nënshkruan peticione drejtuar portës së lartë dhe fuqive të mëdha. Me an të këtyre peticioneve ata nuk synojnë të formojnë një principatë të pavarur shqiptare por nisen nga qëllimi që asnjë pëllëmbë tokë shqiptare të mos u jepet Bullgarëve, Serbëve, Malazezëve dhe Grekëve. Me anën e këtyre peticioneve ata kërkonin gjithashtu që shqiptarët duke qëndruar si dhe më parë nën Perandorinë osmane mbasi kështu mund të luftohen më lehtë intrigat e të huajve, të bashkohen nën një administratë të vetme domethënë të krijohet një vilajet që të përmbledh gjithë shqiptarët pa dallim".
Është një moment i veçantë ku me tërë forcën e pendës publicistike më 24 dhjetor 1878 për të treguar hapur objektivat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit theksonte qëllimin e saj se çfarë kishte programi" të shpëtonte nga copëtimi tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe të përmirësonte gjendjen e saj të brendshme me anën e 'reformave" të përshtatshme për vendin.
Sami Frashëri, i cili u dallua më shumë se të tjerët në këtë fushë, argumentoi me një varg artikujsh të botuar në shtypin osman se Lidhja e Prizrenit u formua nga ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve dhe se Porta e Lartë nuk ka pasur gisht në formimin e saj. "Si mund të thuhet, - shkruante ai, - se Lidhja e Prizrenit është formuar mbi bazën e fanatizmit mysliman, kur aty kanë marrë pjesë pa dallim feje myslimanë e të krishterë, domethënë mbarë bijtë e atdheut?". Porta e Lartë, shkruante Samiu në një artikull tjetër, jo vetëm "nuk ka pasur gisht në formimin e saj", por ajo as "nuk është në gjendje t'i ndalojë shqiptarët që të marrin pjesë në të".
Qarqe të ndryshme shoviniste formimit të Lidhjes I jepnin konotacione fetare dhe si shpjegim penat intelektuale shqiptare edhe pse vështirë depërtonin në gazetat me ndikim megjithatë ata arsyetonin formimin e saj. Ishte një luftë e penave, ku shqiptarët të vetmin interes e kishin ruajtjen e tërësisë territoriale ,por edhe shpëtimin e Shqipërisë nga ndarjet eventuale. Ndarja në katër vilajet si i Shkodrës, Shkupit, Manastirit e Janinës kishte krijuar një shkëputje dhe kërkesa për bashkim në një vilajet ishte e domosdoshme dhe e kohës. Andaj Samiu nuk heshti në këtë drejtim, por i ndihmuar edhe nga shumë personalitet si Ismajl Qemajli, Vaso Pasha, Jani Vreto, Hoxha Hasan Tahsini etj
Gazetën më prestigjioze të kohës me qendër në Stamboll "Tercuman-i Sark" ( Interpreti i Lindjes), filloi ta drejtoi më 9 qershor 1878 Sami Frashëri ku dhe zgjidhet kryeredaktor i saj.
Sami Frashëri në gazetën që drejtonte filloi me një seri shkrimesh duke mbrojtur çështjen shqiptare mbi baza shkencore e historike por edhe politike. Kjo ishte një kohë kur fillojnë shumë patriot nga vende të ndryshme si Arbëresh nga Italia apo edhe Greqia të mbrojnë çështjen shqiptare përmes shkrimeve të ndryshme. Në një mënyrë duke iu kundërvënë politikës shoviniste greke e po ashtu edhe penave të tjera që Shqipërinë e shihnin vetëm si nocion gjeografik.
Vlen për tu shtruar se në këtë periudhë historike shumë pena publicistike evropiane e në veçanti penat ballkanike (serbe dhe greke) për të justifikuar lakmitë e tyre ata shkruan në mënyrën më të vrazhdët për Shqiptarët .
Më 3 janar 1879 në organin Tercuman-i Hakikat" ai ndër të tjera theksoi " Se qëllimin e Rusisë e tregoi Traktati i Shën Stefanit. Për të vazhduar më tutje nga se kuptohet nga harta e këtij traktati ajo i dha Bullgarisë mesin e Shqipërisë, me qëllim që një ditë të dalë në Adriatik". Samiu i kishte të qarta synimet e traktatit duke shtuar " Mbasi ta Bullgarizoj mesin e Shqipërisë, pjesët që mbetën në veri të saj, domethënë Prishtinën, Prizrenin dhe Shkodrën të ia falë Serbisë dhe Malit të zi, kurse pjesë që mbetët në jug, domethënë Sanxhakët e Prevezës, Janinës dhe Gjirokastrës të ia japë Greqisë, duke e zhdukur Shqipërinë , madje duke e fshirë atë nga harta" .
Ky traktat për Samiun ishte akti më i turpshëm dhe më i dëmshëm që bëhej në kurriz të popullsisë shqiptare. Guximshëm ngrit zërin, duke i kundërshtuar hapur vendimet e këtij traktati. Lapsi I tij nuk heshti për asnjë moment, prandaj edhe vetë faktet flasin se Samiu dha një ndihmesë në formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Aspekt kulmor ishte unifikimi i mendimit politik e kombëtar që e ndoqi gjerë në vdekje.
Shih çfarë shkruan Sami Frashëri më 20 shkurt 1881 Jeronim Deradës" Punët që po bënë Lidhja e Shqipërisë në Gegëri që prej një muaji e tëhu mbase nuk i kini dëgjuar, sepse gazetat e Evropës nuk bëjnë shumë fjalë për to, meqenëse nga njëra anë Turqia nuk lë që ato të përhapen nëpër botë, nga ana tjetër, armiqtë tanë, grekë dhe sllavë, duan ti tregojnë sikur janë të vogla dhe të pakta".
Samiu e kishte të qartë edhe luftën propagandistike që e bënte porta e lartë, por edhe shtetet siç ishin Greqia, Serbia etj, të cilat kishin edhe ndikimin, por ishin edhe interesat të tyre. Vlen për tu ritheksuar se shumë pena greke ruanin kontinuitetin me politikën shoviniste ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi, ku dhe kishin ndikim të madh edhe në qarqet evropiane.
Në një komunikim tjetër me De Raden në kohën kur Lidhja e Prizrenit ishte në luftë të rreptë me Turqinë më 1881, ai i shkruan " Këtë herë shqipëtarëtë e kupëtuanë fort mirë që mbretëria nukë do të bënë gjë kurrë për ta, edhe Lidhja e Prizrenit pa nevojë të bashkojë Shqipërin e te bënjë një autonomi, a mbase me çkuptje fare, pas punës". Bashkimin dhe luftën Samiu e kuptonte në suaza të ndërgjegjësimit dhe krijimit të parakushteve për një shtet të pavarur demokratik etj.
Sami Frashëri dhe Ismail Qemali, dy nga personalitetet e shquara shqiptare, duke ecur në gjurmët e platformës politike të përcaktuar nga Lidhja e Prizrenit (1878-1881), i dhanë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare një program të përparuar politik, që hapte perspektiva për përmbushjen e objektivave të saj dhe për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Ata u bënë kështu figurat qendrore të lëvizjes çlirimtare, ndërsa pikëpamjet e tyre mbetën një pikë referimi për lëvizjen kombëtare të asaj periudhe.
Programi për çlirimin kombëtar
Nga ky dimension mund të shohim seç shkruan në veprën e Sami Frashërit "Shqipëria ç'ka qënë , ç'është dhe ç'do të bëhetë" në parathënie të përgatitur nga Akademia e Shkencae të Shqipërisë , Instituti i Historisë " Idetë e veprës " Shqipëria çka qenë …" shënojnë shkallën më të lartë të zhvillimit të mendimit politik dhe shoqëror të Rilindjes kombëtare. Ato janë frytë i përvojës jetësore çlirimtare të Samiut dhe i pjekurisë shkencore të tij. Në veprën e Samiut gjenin përpjekjet çështjet më aktuale dhe më të ngutshme që kishin të bënin me shpëtimin e Shqipërisë dhe progresin e saj ekonomik, politik e kulturor. Ajo ruan edhe sot vlerën e dokumentit të qëndrimeve më përparimtare dhe më të drejta të Rilindjes Kombëtare."
Samiu edhe në këtë vepër tregon në mënyrë të qartë dhe fuqishëm kulturën dhe filozofin e shqiptarëve që është përcjellur me shekuj ku shton " Nuk duam të rrëmbejmë gjënë e tjatrit, por sduam të lëmë edhe gjënë tënë e të drejtën sheshit të na i rrëmbejnë me pahir."
Samiu njihte mirë historinë e Shqipërisë dhe në momente e vështira që kalonte populli shqiptarë ai në pyetjen se çduhet të bërë shqiptarët theksonte" duhet të lidhin fjalë midis tyre , të bashkohen gjithë sa janë , të apën e të marrin besë burrërisht, të qëndrojnë në fjalë të patundur dhe të kërkojnë të drejtën e tyre nga Turqia dhe Evropa "
Samiu kishte një bindje shumë të qartë " Turqit do të humbasin dhe duhet të humbasin" .Thellësisht ishte bindja e tij, andaj ai Shqipërinë në një të afërme e sheh të lirë dhe parapëlqente formën republikane të qeverisjes së vendit, formë e vendosur në vendet e Evropës.
Ai jep edhe shpjegime se si duhet të jetë Shqipëria , si do të duket si duhet të zhvillohet etj.
I pari që shfaq në mënyrë të thellë një program politik e kombëtar për perspektivën e shtetit Shqiptar.
Lidhja e ngushtë me Abdylin , që ishte një figurë komplete dhe shumë i angazhuar në çështjen kombëtare ishte pjesë edhe angazhimit të Samiut.
Me veprën e tij "Shqipëria ç'ka qënë, ç'është e ç'do të bëhetë?", që u botua (nga Shoqëria "Dituria" e Bukureshtit) pa emrin e autorit në mars të vitit 1899, Sami Frashëri pasuroi më tej mendimin politik të Rilindjes dhe ndikoi fuqishëm për zhvillimin e lëvizjes kombëtare në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX. Duke pasur një përvojë të gjatë, si një nga udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Samiu e shkroi këtë vepër menjëherë pas Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Pejës, që u mbajt në javën e fundit të janarit të vitit 1899. Vepra zë një vend të veçantë në krijimtarinë e gjithanshme të Sami Frashërit dhe përbën traktatin më të rëndësishëm shqip me karakter politik e shoqëror të Rilindjes Shqiptare.
Samiu pas botimit të kësaj vepre të rëndësishme, nga perandoria osmane u dënua me burg shtëpiak, ku nuk iu lejua as që ta vizitonin miqtë më të afërt të tij.
Kjo vepër është një përgjithësim i përvojës së pasur politike të Samiut dhe i gjithë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, një program i luftës për çlirimin e Shqipërisë dhe për organizimin e saj politiko-shtetëror e ekonomik.
Veprimtaria letrare publicistike
Sami Frashëri një nevojë të ngutshme shihte edhe përgatitjen e librave shqip, ku për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat ,,Abetare e gjuhës shqipe'' (1886), ,,Shkronjtore e gjuhës shqipe''(gramatika, 1886) dhe ,,Dheshkronjë'' ( gjeografia, 1888 ).
Samiu gjatë moshës 54 vjeçare ka arritur të botoj 54 vepra letrare, gjuhësore, kulturore në turqisht e shqip
Natyrisht se Samiu shkroi mjaft edhe në gjuhën turke ku dhe është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke ( Kamus-i turki 1901) i cili përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore. Samiu është edhe autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht, turqisht frëngjisht dhe arabisht-turqisht.
Samiu në letërsinë moderne Turke është i pari qé botoi Turqisht romanin "Dashuria e Talatit me Fitnetin",(Stamboll-1873)
"Kamus al alam" është vepra më e rëndësishme dhe më vëllimore e Sami Frashërit. Eshtë shkruar në gjuhën turke të asaj kohe (dmth me alfabet arab), në gjashtë vëllime me gjithsej 4830 faqe. Eshtë enciklopedi historiko-gjeografike. Këtu Samiu e shënon titullin edhe në gjuhën frënge DICTIONNAIRE UNIVERSEL D'HISTOIRE ET DE GEOGRAPHIE, kurse emrin e vet e shënon të plotë CH. Samy-Bey Fraschery (Sami Bej Frashëri).
"Kamus al-alam" botohet brenda viteve 1889 - 1898; vëllimi i parë dhe vëllimi i dytë botohen në të njëjtin vit, kurse vëllimet e tjera në çdo dy vjet, përveç vëllimit të katërt që botohet tre vjet pas të tretit.
Në këtë enciklopedi Samiu i kushton dukshëm botës shqiptare dhe personaliteteve të historisë shqiptare gjatë tërë historisë së tij.
Samiu hodhi bazat e albanologjisë, duke bërë studime të shumta dhe me vlerë në fushën e turkologjisë. Historia turke Samiun e njeh si turkologun e parë të Turqisë moderne. Reformat gjuhësore në Turqi pas vitit 1923 janë bërë sipas projekteve të lëna dhe të hartuara nga Sami Frashëri.
Sami Frashëri në historinë shqiptare parqet arkitektin e lëvizjes kombëtare Shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XIX.
Krijimtaria e tij qoftë letrare apo publicistike shqipe krijoi premisa për një bazë të mirë në fushën e arsimit, ngritjes së tij si dhe ndërgjegjes kombëtare
Samiu përfaqëson denjësisht kërkesat më përparimtare të kohës, duke aspiruar në çdo moment jo vetëm çlirimin e vendit por edhe krijimin e një shteti demokratik e të zhvilluar.
Ai qartësoi edhe në opinionin publik se Perandoria osmane është në shkatërrimin e saj dhe në këtë kontekst shqiptarët duhet të luftojnë për të drejtat e tyre." Me hir ose pahir" Shqipëria do të çlirohet theksonte Samiu në fillimet e shekullit XX, në pragun e lëvizjeve revolucionare.
Sami Frashëri është unikat, duke pasur për bazë aktivitetin kombëtarë, punën shkencore, letrare, publicistike etj.
Sami Frashëri lindi në vitin 1850 dhe vdiq më 1904.