U shënua dhjetëvjetori i FRI-së

Me një program të lehtë e modest, të përcjellë me një koktel më pas, udhëheqësia e Forumit Rinor Islam së bashku me tërë anëtarët e aktivistët e saj patën se çfarë të paraqesin para të pranishmëve që morën pjesë në këtë eveniment.

Më datë 8 korrik 2010, u shënua dhjetëvjetori i themelimit të Forumit Rinor Islam në hotel-restorantin “Holiday Inn” në Shkup. Të pranishëm në këtë eveniment ishin institucionet më relevante në vend si dhe figura e personalitete të rëndësishme të skenës politike, fetare, sociale, intelektuale e kështu me radhë. Në të mori pjesë Zëvendëskryeministri për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit – z. Abdilaqim Ademi, Kryetari i Demokracisë së Re – z. Imer Selmani, numri një i Ambasadës së Sllovenisë, përfaqësues nga Ambasada e Francës, një këshilltar i z. Ervan Fueres, Kryetarë të Komunave, diplomatë, profesorë, intelektualë etj. Njashtu, ky eveniment qe mbuluar edhe në aspektin medial. Të pranishëm për të regjistruar këtë mbrëmje të sontme ishin: Tv Alsat-M, TVM2 kanali në gjuhë shqipe, Tv Era, etj.

Mbrëmja qe ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë dhe mbrëmja njëkohësisht qe hapur nga Sekretari gjeneral i FRI-së – z. Milazim Mustafa i cili i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për pjesëmarrjen. Bëri të ditur edhe agjendën e mbrëmjes, për t’ia dhënë fjalën menjëherë më pas Kryetarit të FRI-së – z. Sali Shasivarit. Ky i fundit, në cilësinë e nikoqirit, po ashtu iu drejtua të pranishmëve me një përshëndetje islame e miqësore për t’i falënderuar që të gjithë ata që iu ishin përgjigjur pozitivisht ftesës nga ai për të marrë pjesë në këtë jubile.

Z. Shasivari tha se Forumi Rinor Islam mëton të jetë mostër ndryshimi për të mirë në shoqërinë ku funksionin kjo organizatë. Ai argumentoi, me këtë, moton, e cila edhe ishte e mbishkruar dhe e vënë në sallë dhe që gjendej në ballinë të buletinit që FRI-ja e ka përgatitur me rastin e shënimit të përfundimit të dekadës së parë të funksionimit të vet. Ai tha se FRI mëton të jetë promotor vlerash, në shërbim të shoqërisë, në funksion të ngritjes morale dhe të ndërgjegjes së popullatës, kuptohet konform normave të fesë islame dhe standardeve të gjithëpranuara botërore njerëzore.

 

Krahas buletinit të përgatitur, i cili në mënyrë më të detalizuar për Forumin Rinor Islam, strukturën e saj, shtrirjen e saj, aktivitetet e saj etj., qe paraparë që të bëhet edhe një dokumentar i shkurtër që në mënyrë të lëvizshme dhe më të shkurtuar të prezantohen disa nga aktivitetet më të mëdha e më të rëndësishme të FRI-së. Dokumentari në fjalë përmbante edhe një tekst shumë interesant që në mënyrë psikologjike fliste përmbledhtazi për mënyrën e perceptimit të realitetit aktual që mbretëron dhe se si kjo organizatë mundohet që ta pasqyrojë atë sa më pozitiv duke ia bashkënjgitur një punë të zellshme. Kishte edhe prononcime të disa prej aktivistëve të FRI-së në lidhje me atë se çka mendojnë ata rreth kësaj organizate dhe se sa ajo ka ndikuar në jetën dhe formësimin e tyre.

Z. Mustafa, për të përfunduar me pjesën e parë të mbrëmjes, në emër të Forumit Rinor Islam falënderoi edhe një herë themeluesit e saj, hoxhallarët, anëtarët, aktivistët, donatorët e brendshëm e të jashtëm, bashkëpunëtorët lokalë, rajonalë e nga më larg si dhe të gjithë dashamirët e kësaj organizate për tërë mundin, përkrahjen dhe sakrificën e treguar. Në saje të kësaj, Forumi Rinor Islam, në dhjetëvjetorin e vet të parë kishte vendosur që disa prej të lartpërmendurve edhe t’i dekorojë. I pari që u dekorua ishte mr. Bashkim Aliu – hoxhë e punëtor i palodhshëm i FRI-së, një nga themeluesit e tij dhe Kryetari i saj i parë që prej se ekziston. Pasoi dekorimi për z. Rufat Sherifin, përndryshe aktualisht Kryetar i Qendrës për Bashkëpunim dhe Mirëkuptim Institucional, i cili po ashtu ishte një nga shtyllat kryesore të themelimit të FRI-së si dhe Kryetari i dytë i kësaj organizate. Pas këtyre pasoi dekorimi për z. Muhamed Murtezin, Drejtor i Shtëpisë Botuese “Furkan ISM”, i cili njihet si kryesues i Lidhjes së Rinisë Islame – asociacion ky që i parapriu Forumit Rinor Islam. Përveç këtyre, u dekorua edhe z. Suat Idrizi – i cili është përkujdesur me përkushtim për arkivimin e materialeve të organizatës në fjalë si dhe në të njëjtën ka kryer punën e Sekretarit teknik.

Pas kësaj moderatori i mbrëmjes e shpalli të mbyllur pjesën e parë të mbrëmjes, duke bërë me shenjë për pjesën e dytë, që kishte të bëjë me koktelin modest. Të pranishmit patën mundësinë të shërbeheshin me lëngje e ca ëmbëlsira të përgatitura, të cilat patën mundësinë t’i konsumojnë në përcjellje melodish nga prof. Xhengiz Ibrahim dhe shoqëruesit e tij.

Sektori për Media dhe Informim pranë FRI-së

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme