Sido qoftë problemi në përkthimin apo transliterimin e termit në fjalë, vlen të theksohet se te dy termet e përkthyera përmbajnë fjalën “luftë” (War), ndërkohë që Kur’ani në fjalën “xhihad” nuk e përmban këtë fjalë dhe nuk ka këtë kuptim. Fjala “harb” është ekuivalent i fjalës “war” në anglisht apo “luftë” në shqip. Në anën tjetër trashëgimia islame nuk i njeh dy termet perëndimor “luftë fetare” dhe “luftë e shenjt”. Këto dy terme origjinën e tyre e kanë në trashëgiminë kishtare të modelit perëndimor të kohës së mesjetës. Sepse ata kanë të bëjnë me luftërat fetare që zhvilloheshin për mbrojtjen e feve apo përhapjen e tyre në mesin e një numri sa më të madh të njerëzve. Kështu në Perëndim u ngulit ideja e “luftës së kryqëzatave”, të cilën Evropa katolike e ndërmori kundër Lindjes islame, nën pretekstin e fesë për rikthimin e vendeve të shenjta - duke përfshirë edhe Kudsin (Jerusalemin) - nga myslimanët, “armiqtë e Jezusit”. Ky term poashtu ka të bëjë edhe me luftërat fetare që bënin mbretërit të krishterë njëri kundër tjetrit, në kuadër të njëjtit sekt apo sekteve të ndryshme në mesjetë.
Meqenëse, termi “xhihad” u përkthyua - gabimisht – në dy terma që përmbajnë fjalën “luftë”, kuptimi luftarak i xhihadit mbizotëroi, pa qëllim në pak raste, e me qëllim në shumë raste tjera, në qarqe akademike dhe politike perëndimore me gjithë dallimin e qartë në mes termit “luftë” dhe “xhihad” në përdorimin gjuhësor të Kur’anit.
Si rezultat i ngatërrimit të termave “luftë” dhe “xhihad”, orientalisti i njohur amerikan, Bernard Luis shkon aq larg sa që e identifikon “xhihadin” me veprimet ushtarake, të cilat kanë zanafillën prej fillimit të paraqitjes së Islamit e që vazhduan deri në ditët e sotme me qëllim të përhapjes së Islamit dhe zgjerimit të ndikimit të tij.
Poashtu, shohim David Kuk, i cili pohon se termi “xhihad” ka kuptim luftarak dhe se ata që thonë se “xhihadi” ka kuptime tjera, kanë për qëllim mbrojtjen e Islamit dhe ruajtjen e imazhit të tij.
Kështu në enciklopedinë e njohur Vikapedia, si ilustrim citohet ajeti kur’anor: “ Po ti mos i dëgjo pabesimtarët e luftoj ata me të ( me Kur’anin) me një luftë të madhe” (el-Furkan: 52). Aty komentohet se ky ajet lejon përdorimin e dhunës ndaj jo myslimanëve. Në ndërkohë që kuptimi i “xhihadit” në ajetin e përmendur ka të bëjë me “xhihadin” misionarist në aspektin e dialogut dhe bindjes me argumente logjike.
Nuk ka dyshim se dedikimi i termit “xhihad” vetëm me veprimet ushtarake, pa e shikuar fare kontekstin e kuptimit gjuhësor të fjalës arabe, ka qëllime orientalistike për ta paraqitur imazhin e myslimanit duke ngjeshur shpatën apo duke veshur rripin e vdekjes rreth trupit ë tij. Kjo bëri që orientalisti amerikan, Daniel Pajp ta përshkruaj “xhihadin” sinonim të terrorizmit, duke e quajtur “xhihadin” burim të parë të terrorizmit”.
Një qëndrim të ngjashëm lidhur me përkufizimin e “xhihadit”mban edhe Departamenti amerikan i Drejtësisë, ku thuhet: “Xhihadi është fjalë arabe që do të thotë “luftë e shenjtë” në kuptimin e përdorimit të dhunës dhe veprimeve ushtarake kundër personave dhe qeverive, të cilët fundamentalistët islamikë i konsiderojnë armiq”. Përshkrimi i përmendur përfshin: planifikimin, përgatitjen, pjesëmarrjen në veprime të dhunës fizike, vrasje, shkatërrime, kidnapime dhe marrjes së pengëve.
Kështu pra shohim se shtegtimi “xhihadit” sipas rregullave akademike, politike dhe mediave perëndimore përputhet me kuptimin e “terrorizmit ndërkombëtar”, gjë që është në kundërshtim të plotë me etimologjinë e fjalës “xhihad” në gjuhën arabe. Ashtu siç është në kundërshtim të plotë me rregullat e “xhihadit” në kuptimin e luftarak të hartuar nga ana e jurisprodentëve myslimanë, prej të cilave: “të lihen të qetë pleqtë, fëmijët, gratë, të mos prehen pemët, të mos digjen qytetet, fshatrat, të mos shqetësohen njerëzit e fesë, rabinët, murgjit etj.”
Vlen të theksohet se ajo që ndikoi në ngatërrimin në mes termit të “xhihadit” dhe “terrorizmit”, përveç faktorëve të lartpërmendur duhet potencuar edhe rolin e shumë grupacioneve luftarake, në botën islame, të cilat u quajtën me këtë emër, por pa qenë në gjendje të ngritën në nivelin moral të termit në fjalë në kuptimin e tij kur’anor, ashtu siç pohon ajeti: “Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që teprojnë” (el-Bekare:190).
Esenca e kuptimit gjuhësor të fjalës “xhihad” do të thotë përpjekje , në aspektin qytetar, fetar e luftarak. Këtë më së miri e ilustron thënia e profetit Muhamed me rastin kthimit të tij nga njëra prej betejave të tij : “Jemi kthyer prej betejës së vogël në betejën e madhe”. Duk dhënë me kuptuar se lufta më e madhe është përpjekja e njeriut për ta mposhtur të keqen e për të ngadhënjyer e mira.