
Caktimi i ministrave të rinj
Caktimi i bashkëpunëtorëve dhe ndihmëtarëve të sinqertë është problemi i parë që duhet të zgjidhet pas marrjes së pushtetit nga një parti e caktuar apo e kandidatit në një qytet të caktuar.
Kështu vepruan edhe halifët pas pranimit të detyrës së halifes. Ai duhej të caktonte edhe mëkëmbësit e rinj nëpër krahinat e ndryshme varësisht prej nevojës, e posaçërisht në ato të posaçliruarat. Ndër parakushtet e caktimit të mëkëmbësve të rinj ishte njohja e tyre me Librin e All-llahut, Sunnetit të Pejgamberit s.a.v.s., përvojën në luftë në rrugën e All-llahut, modestinë dhe mosangazhimin e tij pas zbukurimeve të kësaj bote të cilat janë të përkohshme.
Jo vetëm kjo por me rëndësi primare ishte se me kë ka mësuar dhe ku ka marrë dituri.
Kishte njerëz që për nga natyra ishin orator të mëdhenj, të talentuar dhe të kthjellët. Të tillët janë të udhëzuar si duhet, janë në gjendje tërë botën ta rregullojnë dhe në të të sjellin rend dhe drejtësi, e nëse janë të prishur, askush prej njerëzve sikur ata nuk mund të mbjellin çrregullim dhe grindje më të madhe. Prandaj, përzgjedhja dhe caktimi i përgjegjësisë në postet e reja është prej çështjeve shumë të rëndësishme, sepse përveç formës së jashtme, gjithashtu është e mirë dhe e ndershme të shikohet edhe atë që e fsheh në vete.
Pse e them këtë. Jemi dëshmitarë të fushatës parazgjedhore gjatë nëntorit 2009 dhe zërave të bukur me plotë premtime. Idetë, projektet, zemërgjerësia dhe vizitat e ndryshme të kandidatëve nëpër vendbanime rurale, por mos t`i harrojmë mediat që patjetër duhet të ishin prezente. Por, ajo që më së shumti ra në sy dhe që u pengonte qytetarëve ishte angazhimi praktik i disa prej kandidatëve në pastrimin e qyteteve. Në parim ajo është punë e mirë dhe e ndershme por në këtë rast ajo u hakmor sepse populli e ka parasysh se po bëhej vetëm për hatër të votës dhe më nuk do të përsëritet asnjëherë. Prandaj, për ta bindur popullin nuk mjaftoi forma e jashtme por duhet bindur atë edhe me vlera të brendshme shpirtërore e morale.
Si në mbrëmjen e errët, papritmas, paraqitet hëna e plotë dhe ua ndriçon rrugën udhëtarëve të humbur. Ashtu janë edhe udhëheqësit e rinj me plotë entuziazëm si ilaçi më i mirë për plagët e marra gjatë gjithë këtyre viteve të para dhe pas luftës.
Zgjidhja e problemeve pa mjete - para
Për beteja kaq të mëdha siç është qasja ndaj problemeve të grumbulluara dhe të atyre që janë në fillimet e tyre duhet përgatitje dhe pastrim shpirtëror. Kjo është më se e nevojshme. Jam thellë i bindur se asnjë popull, pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë, nuk mund t`i realizojë qëllimet më të larta nëse kështjellat e tyre janë të dobësuara dhe i janë ekspozuar rrezikut që vetvetiu mund të rrëzohen nga brenda.
Kështu të gjithë ata që premtuan se do të angazhohen që ta përmirësojnë jetën e qytetarëve në fakt nuk përmendën asnjëherë se do t`u ndihmojnë të varfërve, jetimëve, të vejave, pleqve. Do ta ndihmojnë bashkësinë islame, do t`i ndërtojnë dhe do t`i mirëmbajnë medresetë në Kosovë. Se do të ndërtojnë xhami të reja dhe ato të vjetrat do t`i mirëmbajnë. Se do të kujdesen për restaurimin e varrezave dhe monumenteve tjera islame dhe kombëtare. Asnjëra parti dhe asnjëri kandidat nuk përmendi futjen e mësim-besimit në sistemin arsimor të Kosovës përveç njërës, që shumë pak u përmbajt dhe u votua nga populli 90 % musliman. Asnjëherë nuk përmendën se do të ndërtojnë ndonjë bibliotekë moderne të standardeve botërore. Po t`i lëmë ato që kërkojnë mjete materiale. Ajo që nuk kërkon para është së paku në të ardhmen të dëshmojnë edukatë, modesti, urtësi. Sikurse H. Omeri, derisa të gjithë flinin ai shëtitej rrugëve të Medines për të parë ata që kishin nevojë për të, pra skamnorët.
"Të pyesin se ç'duhet të japin. Thuaj: "Atë që jepni prej pasurisë jepni për prindërit, jepni për të afërmit, për jetimët, për të varfrit, për kurbetçinjtë!". E çdo të mirë që punoni, s'ka dyshim se All-llahu e di!" (Kur`an, 2: 215).
Të familjarizohemi me ata që kanë nevojë për ndihmë – jetimët.
"(të mendoni) Për këtë botë dhe për botën tjetër! Të pyesin ty për jetimët. Thuaj: "Po t'i ndihmoni në punët e tyre është më mirë, e nëse i përzieni (pasurinë e tyre me tuajën), ata janë vëllezërit tuaj! All-llahu di ta dallojë qëllimkeqin nga qëllimmiri. E sikur të dëshironte All-llahu do t'ju rëndojë. All-llahu është më i fuqishmi, më i urti!" (Kur`an, 2: 220).
Ebu Umame (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhis-selam ka thënë: "Kush e ledhaton kokën e jetimit, do të marrë aq shpërblime sa qime i ka prekur dora e tij! Unë dhe ai që merr përsipër të kujdeset për ndonjë jetim do të jemi si këto dy gishta në Xhennet!". [Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu]
Konsultimi me udhëheqësit shpirtëror
A do të ishte i nevojshëm konsultimi me njerëz pa ambicie në pushtet. Jopartiak dhe punëtor të palodhshëm, që tërë jetën ia kanë kushtuar edukimit, mësimit ... që me besim të thellë dhe vendosmëri të fortë arritën deri te qëllimi i tyre. U bënë ballë të gjitha furtunave të cilat sa herë që vinin, çdo gjë përpara nxirrnin, rrënonin dhe bartnin. Janë pjesë e këtij realiteti që me sa dëshirë do ta ndihmonin edhe nga këndi politik. Ata me vete bartin urtësinë, drejtësinë, respektin në popull. Ata janë edukatorët tanë, xhamitë janë shkollat tona, odat ishin vendtubimet ku imamët edukonin masën. Ata e ushqejnë shpirtin me moral islam, ata nuk e politizojnë atë. Ushqimi islam aq i nevojshëm në këto vitet e fundit ku vetëm atij po i bëhet e padrejtë. Ai është lënë anash, nuk i jepet asgjë.
Mos të bëhemi nga ata që bie hidhërimi i Allahut, e as nga të humburit.