A ishte Goethe (Gëte) mysliman?

Marrëdhëniet e Goethes me Islamin dhe me Muhamedin (a.s.), kanë aq shumë anë interesante që sigurisht se ia vlen që të vëzhgohet më thellësisht. Goethe për Islamin, ka treguar një angazhim jashtëzakonisht të ndjeshëm, më shumë se për çdo religjon tjetër jo të krishterë. Ky angazhim vërehej në kohë të ndryshme të jetës së tij. Qysh si njëzetetrevjeçar, Goethe krijoi një këngë lavdie të mrekullueshme për Pejgamberin Muhamed (a.s.) si dhe poeti shtatëdhjetëvjeçar pranon publikisht që me: “Përplot frikë-respekti feston çdo natë të shenjtë, kur Kur’ani iu zbrit Pejgamberit plotësisht nga lart”. Në mes shtrihet një jetë e tërë, në të cilën poeti i shpreh Islamit nder e respekt, në mënyra të ndryshme. Para së gjithash kjo ngjau në veprën, që sot përkrah “Faust”-it, njihet si vepra më me forcë e veçanti poetike: “Divani perëndim-lindor”. Një nga parathëniet e shkruara nga Goethe përmban madje këtë fjali mahnitëse: Përpiluesi i librit “nuk e mohoi faktin se ai vetë është mysliman”. (...)[1]. Në epokën e Goethes Islami vëzhgohej më lirshëm e me më pak paragjykime, se sa që ishte shekuj me radhë (...). Sa i përketë Goethes, me këtë forconte përcaktimin e vet në Islam, pra, hyrjen te Muhamedi (a.s.) dhe religjioni i tij në një marrëdhënie mjaft personale. Për këtë gjë, shprehjet e tij rreth Islamit e tejkalojnë çdo guxim provokues që ekzistonte ndonjëherë në Gjermani. (...) Mjaft herët zgjohej te Goethe një dashuri e veçantë për botën e orientit. Ai kërkonte mbi këtë gjë çdo informacion të mundur. Dëshmia e parë që posedojmë, lidhur me marrjen e tij me Islamin, rrjedh nga qershori i vitit 1772. Gjendet në letrën e famshme dërguar Herderit (...) . Në fund (...) gjendet fjalia: “Dua të lutem si Musai në Kur’an: “Zot, më bëj hapësirë në gjoksin tim”. Me këtë gjë Goethe citonte suren e njëzet të Kuranit, e se çka në thelb mendohej, bëhet më qartë nëse lexohet vazhdimi i kësaj thënie, që Goethe njëkohësisht e shënonte në fragmentet e tij të Kur’anit, për të cilat do të flasim më tej. Aty thuhej . “O Zoti im, më bëj hapësirë në gjoksin tim të ngushtë. Lehtësoma dhe punën time. Zgjidhma edhe nyjen në gjuhen time.“ (...) Goethe ka një ndjeshmëri prekse për bukurinë gjuhësore të Kur’anit. Edhe në moshë të shtyrë hyjnizonte këtë bukuri në notat e “Divan”-it ku thoshte: “Stili i Kuranit është i rreptë, i lartë, i frikshëm, vërtetë i madhërueshëm”. Nëse e njohim mënyrën e shprehjes së Goethes, pra vëhemi në dijeni se, fjala “vërtetë i madhërishëm” i takon predikateve më të larta, me të cilat krijonte një monument gjuhësor. Se Goethe qysh ne moshën e re, në çdo kohë e studionte thelbësisht  Kur’anin / dukej se i bënte dhe hapat e parë të interesimit rreth gjuhës dhe shkrimit arab / na japin të kuptojmë një grumbull letrash në dorëshkrim të tij, nga përkthimi i Megarlinit dhe nga Kur’ani latin i Maraccit, që i posedojmë edhe sot. Goethe këtu shkroi një numër të madh të vargjeve nga dhjetë sure të ndryshme. Ajo çka shënoi është mjaft domethënëse. Ne njohim, për të parën herë, diçka nga ato aspekte të mësimit islam, që Goethe e konsideronte si mendim të vetin. Së pari mund të përmendet bindja themelore goetheiste që Zoti zbulohej në natyrë. Pa dyshim se me këtë qëllim Goethe shënon këto ajete të Kuranit: “Zotit i takon lindja dhe perëndimi i diellit, dhe nga do që të ktheheni, është pamja e Zotit”. “Ai ka vënë mjaft shenja, se është Një dhe mëshirëplotë, para popujve që me vëmendje duan të shikojnë.” (Sure 2). Në fjalët e fundit pasqyrohet edhe mësimi rreth asaj se Zoti është një, poeti ia njeh si meritë të veçantë rreth shpalljes së këtij mësimi Pejgamberit Muhamed (a.s.).

Ajetet e tjera të Kur’anit, që Goethe i shkroi, sillen rreth temës, që para së gjithash, Goethen e ri shumë e preokuponin: pra, që Zoti, jo vetëm përmes një njeriu por përmes shumë të dërguarve i ka folur njerëzimit, edhe i flet më tej. (Sure 3). “Kështu edhe Mahomedi[2] mes jush nuk është tjetër vetëm se i dërguar, edhe shumë të dërguar para tij kanë vdekur. E nëse edhe ai tash do të vdiste: a doni që të shkelni mbi thembrat tuaja?” “Zoti nuk shkon kah ajo që të iu bëj të ditur, atë që është e fshehtë, por ai zgjedh disa nga të dërguarit e vetë, të cilët ai do: që ju, (njerëzit), të besoni edhe në të dërguarit e tij.”

            Pjesët e Kur’anit të Goethes, na bëjnë të njohur, interesimin e veçantë të poetit rreth mënyrës së ndikimt të Muhamedit (a.s.) dhe qëndrimit së tij mes një populli të caktuar. Kështu, shënon Goethe fjalët e mëtejme të Kur’anit (nga Sureja 29): “Shenjat janë te zoti, unë jam vetëm një lajmëtar i shpalljes”, si dhe nga Sureja 13: “Mandej thonë ca mosbesimtarë për ty: pra nuk është zbritur mbi të asnjë shenjë mrekullie nga Zoti i tij. Po ti je vetëm një lajmëtar dhe te secili popull është dërguar nga një lajmëtar për të tërhequr vërejtjen”. Për këtë ajetin e fundit të Kur’anit, Goethe kishte një dashuri të veçantë gjatë tërë jetës. Ai e citon këtë në vitin 1819 në një letër dërguar një nxënësi të ri. “Është e vërtetë se çka thotë Zoti në Kur’an: asnjë populli nuk i kemi dërguar Pejgamber, përveç se në gjuhën e vetë!” Dhe në një letër dërguar Carlyles në vitin 1827 është futur ky citat i Kur’anit: “Kur’ani thotë: Zoti i ka dhënë secilit popull nga një Pejgamber, në gjuhën e tij.” Fjalët e njëjta i përsërit Goethe edhe në një punim në vitin 1828. (...)

Studimet e Kur’anit të vitit 1772 lanë me të vërtetë gjurmë të pashlyeshme. E inspiruan Goethen që të marrë në sy një projekt të madh rreth një tragjedie, titulli i së cilit duhet të ishte “Mahomet”. Ky plan i tragjedisë nuk u realizua, mirëpo Goethe kishte hedhur në letër kornizat e këtij projekti, që ne edhe sot e posedojmë. Lidhur me këto shënime mund të themi lirisht se paraqesin besën më të rëndësishme, që ndonjëherë dha një poet gjerman, themeluesit të Islamit[3]. Lidhur me hulumtimet tona, këto fragmete të tragjedisë janë të një rëndësie të veçantë sepse në thelb të tyre me të vërtetë bëhet e dukshme, ajo se çka e interesonte Goethen aq shumë Islami. Dy aspekte parqiten këtu mjaft hapur.

Së pari, ishte vetë figura e Pejgamberit Muhamed (a.s.) e mandej mësimet e thëna nga ai, të cilat qysh në rini zgjuan interesim te Goethe.

            (...) Mes fragmenteve që posedojmë, ishte e veçantë një këngë lavdie mjaft e famshme Këndimi i Mahometit (më parë të vjershëruara si këngë mes Aliut dhe Fatimesë), që zinin vend dhe vinin në pah figurën e Muhamedit (a.s.). Goethe e shkroi në pranverën e vitit 1773, pasi që studioi literaturën e mundshme mbi Muhamedin (a.s.). Në këtë këngë lavdie, vendos Goethe në krye të rrymës, qenien e dhuruesit të religjionit, këtij udhëheqësi shpirtëror të njerëzimit. Krahasimi i ndihmon rreth pasqyrimit të asaj  që në fillim ishte e brishtë për tu bërë një forcë shpirtërore gjigande në rritje, mandej shtrirja dhe shtjellimi i saj me përfundimin e madhërishëm të rrjedhjes në oqean, që këtu paraqitet si simbol i së parëndësishmes. Kësaj pamje i nënshtrohet fakti: gjeniu fetar, i merr njerëzit e tjerë me vete sikur se vëllezërit e vet, udhëton me ta së bashku, ashtu si lumi i madh që përmbledh me vete përronjtë e ujërat e tjera. Sidomos ky motiv është realizuar me një përshtypje të veçantë.

            (...) Rreth mësimit se Zoti është një, poeti ka pasur gjithmon një kujdes të veçantë dhe nëse ne flasim për marrëdhëniet e tij me Islamin, kështu ne do të shohim në mësimin monoteist vetëm një tregues, me të cilin shprehej simpatia e tij për Islamin.

            (...) Mund të vëhet re se Goethe, sidomos në vitet e mëvonshme, fliste me dëshirë rreth mbështetjes në fatin, ashtu siç apelohej në Islam. Ja disa shembuj:

Gjatë marshimit në Francë (1792), ku mori pjesë Goethe, me dëshirë të zotëruesit të vendit, u gjend njeherë në rrezik jete. Rreth sjelljes së vet, në situata të tilla, poeti tegon në Fushata në Francë: “Sapo bëhej rreziku i madh, mua më vinte në dorë fatalizmi më i verbër, dhe kam hetuar se njerëzit që merren me zanate të rrezikshme, nga besimi i ngjashëm ndihen të çelnikosur dhe të forcuar. Feja e Muhamedit na jep rreth kësaj një fakt.”

Në vitin 1820, kur e reja e Goethes u rrezikua të mbytej në ujë, i shkroi poeti një miku të vetë: “Nuk di se ç’të them tjetër, veçse edhe këtë herë të gjej mbështeje në Islamin”. Po ashtu njëjtë shprehet Goethe në vitin 1831, kur kolera e kaploi vendin. Ai i shkroi një mikeshe që i kërkonte këtij këshillë: “Këtu askush nuk mund ta këshillojë askënd; secili duhet vetë të vendos se ç’do të bëj. Në Islam jetojmë të gjithë, në çdo formë që neve na jep guxim.”

Dhe katër javë para se të vdiste vetë poeti 82 vjeçar shkroi në kohën kur kolera njerëzit i tmerronte: këtu në qytet e në fshat mendohet, se për tu mbrojtur nga e keqja, është krejt e pamundur. Po të shikohet me vëmendje, njerëzit mund të çlirohen nga frika e tmerrshme, me ndihmën e një lehtësie shëruese të mendjes, siç i mvishet Islamit dhe të besohet në këshillat e pahulumtuara të Zotit.”

Këtu shohim, se Goethe me vetëdije të plotë, ka jetuar sipas rregullave themelore të besimit islam, si dhe miqtë e vetë i këshilloi po në këtë drejtim.

            (...) Në përmbledhjen e bisedave të Eckermann-it, hasim në një lëvdatë të plotë e shumë bindëse për Islamin. Goethe këtu shtjellon prapë mësimin e determinizmit, si më të rëndësishmen, dhe shkon më tej – kjo është mjaft singulare – për shkollimin dialektik të myslimanëve, që edhe te ata, të mirat e Islamit të çmohen lartë.

            (...) Përshtypje të gjalla, gjatë luftës çlirimtare kundër Napoleonit, ndikuan që Goethe respektin e vet karshi myslimanëve, ta vërtetonte dhe të realizojë mendimet e veta për një afrim të mundshëm kah ky religjion. Mes trupave aleate ruse, patën ardhë atëherë edhe ushtarë e oficerë myslimanë në Weimer. Këto takime Goethe i shfrytëzoi për kontakte personale. Ashtu si i shkruante mikut të vet Trebra, ai i gëzohej “rastit të veçantë”. Ai shkëmbente dhurata me ta dhe në ditarin e shtëpisë së tij shënoheshin gjithnjë e më shumë mysafirë.

            (...) Goethe mori pjesë personalisht në një ceremoni fetare myslimane në Weimer. Kjo cermoni fetare iu la përshtypje të madhe jo vetëm poetit por edhe shumë njerëzve nga rrethi i tij. Goethe raporton se në përfundim shumë zonja besimtare e kërkuan nga biblioteka Kur’anin. Rreth kësaj ngjarjeje shkruan vetë në janar të vitit 1814 në letrën dërguar Trebras: “Kur flasë për fjalët e urta, mund të theksoj se në kohën tonë po ndodhin gjëra, që asnjë Pejgamberi nuk iu lejua të thoshte. Kush guxonte që para disa viteve të shpallte që në këtë sallë të gjimnazit tonë protestant do të mbahej një ceremoni muhamedane[4] dhe suret e Kur’anit do të nunuriten, dhe ja ndodhi, ne jemi falur bashkë me bashkiriasit[5], kemi parë mullain e tyre, dhe princin e tyre e kemi mirëpritur në teatër.”

Goethe disa muaj më parë ishte marrë prapë me Kur’anin, pasi që ushtarët  e Weimerit nga lufta në Spanjë ia kishin sjellë një fletë nga kodeksi arab. Ai e përktheu te Lorsbach, një orientalist i Universitetit të Jenës: Ishte sureja e 114-të, sureja e fundit e Kur’anit. Poeti mundohej që këtë fletë të bukur ta kopjonte. Shumë prova të tilla nga dora e tij kanë mbetur deri më sot.

            (...) Përveç të tjerash Divani perëndim-lindor ishte shumë fortë i ndikuar nga angazhimi i sërishëm i poetit me personalitetin e Pejgamberit. Sepse krahas veprave të ndryshme burimore orientalistike, që e inspironin Goethen për poezitë e veta, vendin e parë e merrnin: Kur’ani, Suneti, d.m.th. të dhënat gojore të Pejgamberit, si dhe biografi të ndryshme të Muhamedit (a.s.).

Disa shembuj janë këtu të sjellë, një pjesë të Kur’anit i kushton kjo strofë mjaft e njohur e Divanit:

            “I Zotit është orienti!

I Zotit është oksidenti!

Tokat në jug e veri

Pushojnë në paqë duart e tij

Njohësit e Divanit do të kujtohen që një nga vjershat e shumta të Suleikas përmend të njëqind emrat e Allahut:

“ Dhe kur të përmend njëqind emrat e Allahut,

në secilin tingëllon një emër për ty”.

(...) Përveç mësimeve të determinizmit dhe botëkuptimit islam mbi Zotin, – kështu ne erdhëm në përfundim - ishte vetë personaliteti i Pejgamberit Muhamed (a.s.), te i cili Goethe gjente ngrohtësi. Edhe për këtë gjë na ofron Divani perëndim-lindor mjaft të dhëna, ku figura e Pejgamberit ndriçohet në mënyra të shumanshme.

Me mjaft këmbëngulje merrej Goethe me Muhamedin (a.s.) në “Notat dhe studimet” rreth kuptimit më të mirë të Divanit perëndim-lindor. Ngjashëm si në rininë e vetë i intereson qenia e Pejgamberit, shpallësit të religjionit. Ngjashëm, por megjithëatë ndryshe.

(...) Gjithashtu, çdo mësim tjetër ia tërheq vëmendjen Goethes, që ka lidhje me nënshtrimin nën dëshirën e Zotit. Kur ai e thotë në kapitullin Divani i ardhshëm se ka në planë që ta zgjeroj veprën e tij nga se i duket “jo e plotë”, kështu karakterizon një lloj të vjershave të tij që kanë nevojë për përshkrime, si vijon: Ato duhet të paraqesin “ udhëzimet dhe plotësimet e mrekukulleshme, që si rrjedhë e përfundimit të hulumtimeve vijnë nga zoti; ato duhet të “ mësojnë dhe vërtetojnë islamin e mirëfilltë, dorëzimin e patjetërsueshëm në dëshirën e zotit, bindjen se askush nuk mundi ti bishtëroj fatit të vendosur një herë nga ai.” Ne shohim: se poeti ndjente, se kishte thënë shumë pak lidhur me temën e “islamit të mirëfilltë”, që aq shumë e donte. Në këtë fushë i dukej se kurrë nuk i mjaftonte ajo që po bënte. (...)

Shembuj të tjerë, lidhur me këtë temë, gjejmë në broshurën A ishte Goethe mysliman? – bindja e panjohur e poetit gjerman, botuar nga Qendra islame për Da’ve dhe Informacion:

Zoti është vetëm një!: Duke u mbështetur në suren 112 e mohon Goethe krejt qartë birëzimin e Jezusit (a.s) dhe prek përmbajtjen e besimit në Kuran, ku ai shkruante:

Zoti është veç Një,

I vetëm, i pastër.

Nuk ka lindur,

Dhe askush nuk e ka lindur.”

Fuqinë e plotë të Allahut: hiç pa pështjellime fjalësh, Goethe e përforcon kuptimin e madh të ajetit të Kur’anit 42: 49, me pak fjalë në vargjet e mëposhtme (nga Libri i mosguximit):

“Po të më caktonte Allahu  për krimb,

Ai si krimb do të më krijonte.”

Libri i librave!: edhe për këtë, vargjet e mëposhtme tregojnë qartë, se Goethe kishte një diapazan të gjerë njohurish mbi Kuranin. Në përputhje me ajetin e Kur’anit 5:48, në Librin e dhurimeve thoshte:

            “Se Kur’ani nga përjetësia është?

Për këtë nuk pyes as vetë!...

Se ai libër i librave është

Besoj si myslimanët e vërtetë.”

Lëshimi i plotë në Zotin:

Islami është fjalë arabe për lëshimin, dorëzimin, dhënien e plotë në Zotin dhe mund të haset në sure të shumta. Se a kishte Goethe njohuri gjuhësore në arabishte apo kishte një mirëkuptim të qartë për librin e Zotit tregojnë vargjet e rimura më poshtë, nga Libri i fjalëve të urta:

“ Marrëzi, që secili për vete pa plan,

Mendimin e vetë,  veçantë lavdëron!

Nëse, islam, quhet dorëzim në zotin tonë,

Pra, jetojmë e vdesim të gjithë në islam.”

Vullneti i Jezusit!:

Të dhënat kur’anore e theksojnë natyrën njerëzore të Jezusit dhe të nënës së tij, paqja qoftë me ata të dy. Sipas përmbajtjes së dy ajeteve të Kuranit 3:59 dhe 5:116 përpiloi Goethe vargjet e mëtejme nga vjersha trashëguese Fëmijë i dashur, vargje perlash.

Jezusi ndjente pastër dhe mendonte

Vetëm në një Zot në qetësi;

Kush atë vetë, si Zot, e bënte

Fyente vullnetin e shenjtë të tij.

 

Dhe e vërteta  doli në dritë

Ashtu si Mahometi pat bërë;

Vetëm me konceptin e Një-shit

E bindi botën e tërë.”

 Ka shumë shembuj të tjerë, që besimi islam i Goethes mund të ilustrohej. Këtu  do të doja të citoj disa pjesë nga Divani perëndim-lindor. Te Libri i mosguximit në strofën e fundit të vjershës Prehje shpirtërore e endacakut, ndeshim këto fjalë”:

“Përndryshe, kur citohej Kur’ani i shenjtë,

Sures i shtohej edhe ajeti tij,

Dhe çdo mysliman, si e do puna vetë,

Ndërgjen e kishte plot respekt e qetësi.”

            Prapë e gjejmë shprehjen “Kur’ani i shenjtë”. Kjo na tregon se Goethe e kishte pranuar Kur’anin si fjalë të Zotit. Me këtë vjershë tregon trajtimin e citatit të Kur’anit.

Rreth temës së formave të shkrimeve të shumta të Ungjillit, poeti shkruan vargjet e pastajme te “Libri i parabolave”:

Të zbritur nga qielli, Jezusi solli,

Shkrimin e përjetshëm të Ungjillit.

Dishepujve atë ditë e natë ua lexoi

Një fjalë Zoti, që qëllon e shndritë.

Ai u ngritë prapë dhe e mori me vete

E ata e patën ndier, vërtetë.

Dhe secili shkroi, hap pas hapi

Ashtu, si në mendë u kishte mbet’,

Ndryshe.” 

Përktheu nga gjuha gjermane: Gjelbrim Hoxha


[1]  (...) Pjesë të shkurtuara, sepse origjinali i fjalimit është shumë më i gjatë. Redaksia.

[2] ”Mahomet”, është forma e atëhershme që përdorej në zhargonin francez për emrin Muhamed. Redaksia.

[3] Autori ai jomysliman, Muhammedin a.s. e konsideron themelues të Islamit, e jo vetëm të dërguar të Zotit. (Redaksia).

[4] Muhamedanizëm quhej Islami. Redaksia.

[5] Bashkiriasit – Bashkgirdët - fis mysliman i njohur qysh nga mesjeta. Redaksia.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme