
Falënderimet i takojnë All-llahut xh. sh., bekimi dhe paqa qofshin mbi shpirtin e Muhamedit a.s., sahabëve të tij dhe familjes së tij. Ndihma e All-llahut qoftë me të gjithë ata që pasojnë rrugën e Kur’anit dhe Sunnetin e Resulullahut a.s.
Në të kaluarën është shkruar për da’ven, e edhe sot e kësaj dite shkruhet në shumë gjuhë e edhe në gjuhën shqipe. Kështu që edhe unë me këtë punim të cilin e kam titulluar Koncepti i Kur’anit për da’ven shpresoj për të dhënë një kontribut modest.
Në këtë punim shqyrtohen gjashtëdhjetë e tre ajete, e për këtë ide më kanë shërbyer autorët dhe veprat e tyre, siç janë: Muhamed Fuad Abdul-Baki, Klasifikimi tematik i ajeteve kur’anore, Osman Nuri Hadžić, Muhammed a.s. i Kur’an, dhe Muhamed Fuad Abdul-Baki, El-Mu’xhemul-mufehres li elfadhil-Kur’ani.[1]
Normalisht se titulli i zënë në gojë është e pamundur të lërohet, thënë kushtimisht, “në mënyrë të përsosur” në një punim të këtij lloji, meqë për të nevojitet më shumë hapsirë[C1] .
Ky punim është i ndarë në tri pjesë.
Pjesa e parë ka të bëjë me Koncepti kur’anor për da’ven në përgjithësi dhe i disa autorëve për vyrtytet e da’iut.[2] Pjesa e parë ka dy tërësi tematike: Koncepti i Kur’anit për da’ven në përgjithësi dhe koncepti i disa autorëve për virtytet e daiut. Pjesa e dytë është titulluar Koncepti i Kur’anit për da’ven gjatë periudhës parakur’anore, e cila gjithashtu përbëhet nga dy tërësi tematike: Da’veja e Nuhit a.s. dhe refuzimi i popullit të tij; dhe Da’veja e Shuajbit a.s. dhe refuzimi i popullit të tij. Pjesa e tretë: Koncepti i Kur’anit gjatë periudhës kur’anore, e cila ka dy tërësi tematike.[3]
I. KONCEPTI I KUR’ANIT PËR DA’VEN NË PËRGJITHËSI DHE I DISA AUTORËVE PËR VIRTYTET E DAISË
1. Koncepti i Kur’anit për da’ven nëpërgjithësi
Për çështjen e konceptit të Kur’anit për da’ven për shqyrtim do t’i kemi gjashtë ajete nga suret: Esh-Shuara’, El-Ankebut, Kaf, dhe En-Nasr.
Në fjalët e All-llahut thuhet:
“Dhe tërhiqju vërejtjen farefisit tënd më të afërt.”[4]
Andaj, Pejgamberi urdhërohet t’i thërrasë të afërmit, edhe pse ndër ta kishte mjaft kundërshtarë të rreptë, e Zoti i garanton se Ai është me të edhe kur është i vetmuar edhe kur është në grup, me xhemat.[5]
Ajeti në fjalë, na jep të kuptojmë se pas pranimit të fjalës së All-llahut, Pejgamberi urdhërohet që të fillojë me da’ve nga rrethi më i ngushtë, respektivisht nga ai familjar.
Në ajetin tjetër thuhet:
“E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne, me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e bëmirësve.”[6]
Sipas këtij ajeti kemi të bëjmë me atë se prej muslimanit, rrespektivisht prej daiut kërkohet iniciativa dhe mundi i tij, e orientimi dhe udhëzimi i përket All-llahut xh.sh., dhe se Ai pamëdyshje është në krahun dhe ndihmën e bëmirësve.
Po ashtu në Kur’ani Kerim thuhet:
“Ne dimë më së miri çka thonë ata, e ti ndaj tyre nuk je ndonjë dhunues, ti këshilloje me këtë Kur’an atë që i ka frikë kërcënimit Tim.” [7]
Kështu që, Muhamedi a.s. si daiu i parë në periudhën kur’anore, urdhërohet të mos u vërë veshin thënieve të tyre, sepse Zoti e di më së miri atë që e thonë ata, i thuhet se ti e ke për detyrë t’i këshillosh e t’i qortosh, e jo t’i fusësh me dhunë në fenë islame, këshilloje atë që i ka frikë dënimit me zjarr.”[8]
Në kaptinën En-Nasr, thuhet:
“Kur erdhi ndihma e All-llahut dhe çlirimi (ngadhënjimi). Dhe i pe njerëzit që po hyjnë turma-turma në fenë e All-llahut. Ti, pra, lartësoje Zotin tënd duke falënderuar dhe kërkuar nga Ai falje. Ai vërtetë pranon shumë pendimin, është Mëshirues i madhë.”[9]
Enes Kariq bënë këtë shpjegim: ”Sureja EN-NASR është medinase dhe ajo flet për çlirimin e Mekës gjë me të cilën muslimanët janë nderuar dhe paralajmërojnë përhapjen e islamit në pjesën e gadishullit Arab e më gjërë… Kjo sure paralajmëron se njerëzit dhe popujt do të hyjnë në islam turma-turma, se flamuri islam do të ngrihet lartë, ndërkaq, adhuruesit e statujave do të zhduken… Kjo është shenjë e njëmendësisë së pejgamberllukut të Muhammedit a.s. (Sabuni, III, 615).[10]
2. Koncepti i disa autorëve për vyrtytet e daiut
Në literaturën islame vazhdimisht është shkruar pë vyrtytet e daiut si element i rëndësishëm dhe me peshë.
Në këtë tekst do të përmendim shtatë autorë të cilët kanë shkruar për këtë temë.
Njëri prej autorëve është Shejh Abdulaziz bin Abdullah bin Baz. Sipas këtij autori, daiu duhet pasur katër virtyte: ihlasi (sinqeritet), dituria, butësia, dhe veprimi sipas da’vetit.[11]
Në veprën e tij, Usulu’d-da’veti, Abdul-Kerim Zejdani numëron pesë vyrtyte të daiut: sinqeriteti, durimi, mëshira, modestia dhe komunikimi.[12]
Ebul-Ala El-Mevdudi thotë se daiu duhet mobilizuar me këto vyrtite: durim, flijim, qëllim dhe ngulm në punë.[13]
Për Abdul-Bedi Sakr, vitytet të cilat duhet poseduar daiu janë: qëllimi i sinqertë, urtësia, durimi, dituria, dhe nxënia e Kur’anit përmendësh (aq sa mundet ).[14]
Xhemal Salihspahiq numëron katërmbëdhjetë virtyte: besimi i fuqishëm, aspekti i moralit, forcë e veçantë e imamit (daiut-A.A), kujdesi në pamjen e trupit, pasimi i mësimit islam, qetësi e brendshme, dashuria ndaj da’vetit dhe xhematit, maturia, modestija, jeta praktike, jeta familjare, kujdesi ndaj pranimit të fjalëve dhe apstenimi nga kritikimi.[15]
Sipas Abdul-Hamid El-Bilali, ata që veprojnë për ndalimin e veprave të shëmtuara, duhet poseduar këto virtyte: urtësinë, durimin, diturinë, sinqeritetin, modestinë, dëgjimi i palës me mirësjellje, shpirtmirësia dhe butësia.[16]
Selman El-Avde, përmend këto virtyte: dashurinë e vërtetë (ndaj islamit-A.A), durimin, modestinë, dhe drejtësinë.[17]
Sipas autorëve në fjalë, daiu duhet të ketë tridhjetë e ca virtyte.
II. KONCEPTI I KUR’ANIT PËR DA’VEN GjATË PERIUDHËS PARAKUR’ANORE
Për këtë periudhë në shqyrtim do ta marim Nuhin a.s. dhe Shuajbin a.s.
Për çështjen e da’vetit këto pejgamberë për bazë kishin sjelljen e mirë, kjo ishte metoda dhe virtyti i tyre kur ka qenë në pyetje shqetësimi, ofendimi dhe sulmi personal, ndërkaq, kur ato kalonin në vetë fenë ata dinin ta ndërronin metodën.
- 1. Da’veja e Nuhit a.s. dhe refuzimi i popullit të tij
a) Da’veja e Nuhit a.s.
All-llahu xh.sh. ja përcjell Muhamedit a.s. se si Nuhi a.s. i ka folur popullit të vet:
“… Unë ju tërheq vërejtjen haptazi. Që të mos adhuroni tjetërkë pos Allahut, sepse unë kam frikë për dënimin tuaj në ditën e pikëllueshme.”[18]
Për ajetin në fjalë, te Ibn Kethiri kemi këtë koment: All-llahu i Madhërishëm lajmëron për Nuhin a.s. të cilin Ai ua ka dërguar banorëve të tokës të cilët kanë qenë idhujtarë. Kështu që, ai haptazi tërheq vërejtjen për dënimin e All-llahut, nëse populli i tij pos All-llahut adhuron diç tjetër, dhe nëse bëjnë ngulm në mosbesimin e tyre.[19]
b) Dyshimi i popullit të tij
Në ajetin në vijim të sures Hud, shohim dyshimet e popullit të Nuhit a.s. ndaj tij, akuzat që ju bënë këtij Pejgamberi dhe mirësjelljen e Nuhit a.s. ndaj tyre.
Andaj, në Kur’anin Fisnik thuhet:
“… Ne nuk të shohim ndryshe vetëm si njeri, sikurse edhe ne,...”[20]
Kështu që, nga ky ajet kuptojmë dhe shohim dyshimin e shprehur të popullit të Nuhit a.s. ndaj tij.
Po ashtu, në Kur’anin famëlartë thuhet:
“…ne nuk shohim se ju keni ndonjë vlerë mbi ne…”[21]
Për këtë ajet, komenti i Ibn Abbasit është: Paria e popullit të Nuhit a.s. atij i thanë: ti je krijesë njerzore, ndërkaq, shohim se ty të besojnë ata të cilët janë të dobët në mesin e tonë, qartë shihet se ata e kanë të menduarit e dobët, kështu që, thuhet: se të kuptuarit e dobët i tyre është shkas për të pasuar ty. Gjithashtu, i kanë thënë:Nuk je më i mirë prej nesh, meqë hanë dhe pinë ashtu si hamë dhe pimë edhe ne. [22]
Andaj, fjala është se ata jo vetëm që dyshojnë, por edhe polemizojnë, megjithatë Nuhi a.s. vazhdon me mirësjellje, është i vendosur, i durueshëm dhe i palodhshëm.
Kështu që, dyshimin e shprehin dhe thonë se Nuhi a.s. nuk ka ndonjë vlerë mbi ta. Ata da’vetin e Pejgamberit e konsideronin bezdisje dhe mendonin se po të ishte i drejtë da’veti i tij edhe ata do ta kishin njohur atë. Populli i tij të mirën e maste me pasuri, mençurinë me pozitë dhe shkollimin me pushtet. Kështu pra, sipas kriterit të tyre pasaniku është më i mirë, ai me pozitë është më i mençur, e ai që ka pushtet është më i arsimuar.[23]
Prandaj, nga kjo që u tha, shihet se ky popull ishte i dhënë pas pasurisë, pozitës dhe pushtetit, nga njëra anë, e nga ana tjetër, mendjemadh, kokëfortë dhe arrogant. Kështu që, të gjitha këto vese i vënin në veprim vetëm e vetëm për mos ta pranuar pejgamberinë e Nuhit a.s. dhe da’vetin e tij. Megjithatë, Pejgamberi i All-llahut vazhdon me mirësjellje ndaj tyre.
c) Akuzat e popullit të tij
Prandaj, kur populli i Nuhit a.s. mbaroi me dyshimet e tij, ai vazhdoi me akuza ndaj pejgamberit në fjalë.
Këtë çështje Kur’ani na e prezenton, ku thuhet:
“…ne nuk po shohim se të pasoi kush, përveç atyre që janë më të poshtërit dhe më mendjelehtit nga mesi ynë…”[24]
Ajetin në fjalë, Ibën Kethiri e komentoi: të pasojnë ata që i takojnë shtresës së ulët, siç janë tregtarët e të ngjashëm, e nuk të pasojnë të shquarit dhe të respektuarit tanë. Pastaj, ata që të pasojnë atë e bëjnë fare pa logjikuar; respektivisht, të pasojnë vetëm e vetëm pse i ke thirrur.[25]
Nehasi thotë: “’Më të poshtërit’, janë të varfërit të cilët nuk kanë mendim të vetin dhe të cilët janë me profesione të thjeshta”[26]
Pra, ata i rradhisin akuzat dhe vazhdojnë me to.
Këtë na e parashtron Kur’ani, ku thuhet:
“… pa menduar!...”[27]
Për mendimin e populli të Nuhit a.s. ata që e pasuan Pejgamberin e All-llahut, nuk kanë qenë të mençur dhe e pasuan pa mendim dhe shikim të vetin, me që, menjëherë ju kanë përgjigjur da’vetit të tij.[28]
Në vazhdim, në fjalët e All-llahut thuhet:
“ …përkundrazi, ne ju konsiderojmë gënjeshtarë! ”[29]
Mirëpo, përkundër dyshimeve, akuzave, ironis, urrejtjes, përndjekjeve e sjelljeve mendjemëdha, Nuhi a.s. është i durueshëm, tolerant dhe i bindur në të vërtetën me të cilën është dërguar nga ana e All-llahut xh.sh. Momenti tjetër i rëndësishëm është se Pejgamberi në fjalë, nuk poshtëron, nuk përgjigjet në të njëjtën masë e nivel të nënçmimit dhe të përgjigjeve të popullit të tij. Andaj, e gjithë kjo sjellje e mirë e Pejgamberit të All-llahut ka të bëj me atë se dyshimet dhe akuzat e popullit të tij lidheshin për shqetësimin personal të tij.[30]
d) Nuhi a.s. përgjigjet
Përgjigjen e Nuhit a.s. Kur’ani fisnik e prezenton:
“O populli im, më thuani nëse unë jam mbështetur në argument të qartë nga Zoti im dhe Ai më dha mëshirë nga ana e Tij, e juve u janë fshehur ato ( argumente ngase jeni dhënë pas kësaj jete ), mos do t’ju detyrojmë për to ( pranimin e tyre ), kur ju jeni urrejtës të tyre! O populli im, unë për këtë nuk kërkoj prej jush ndonjë pasuri, shpërblimi im është vetëm te All-llahu. Dhe unë kurrësesi nuk i largoj ata që besuan, ata janë afër Zotit të tyre; por unë ju shoh si popull që nuk dini e nuk kuptoni. O populli im, a nuk po mendoni se nëse unë i përzë ata, kush do të mund të më mbrojë mua nga Allahu (dënimin e Tij)? Unë nuk ju them juve se tek unë janë depot e Allahut, as nuk ju them se unë di të fshehtën, as nuk ju them se unë jam engjëll, as nuk u them atyre që sytë tuaj i nënçmojnë, se Allahu nuk u dhuroi atyre të mira. Allahu e di më së miri se çka ka në shpirtrat e tyre, pse atëherë unë konsiderohem zullumqar.”[31]
2. Da’veja e Shuajbit a.s. dhe refuzimi i popullit të tij
a) Peshoni drejtë
Edhe te Shuajbi a.s., gjatë procesit të da’vetit e shohim mirësjelljen, nga njëra anë, dhe ironinë, arrogancën e mendjemadhësinë e popullit të tij, nga ana tjetër.
Meqë Shuajbi a.s. kishte ardhur në përfundim për llojin e gabimit të popullit të tij, e ai gabim ishte matja e padrejtë dhe vjedhja në kandarë, nuk i kishte mbetur gjë vetëm se të përdorë mirësjelljen për ndalimin e gabimit në fjalë. Për çështje në fjalë, Allahu xh.sh. thotë se Shuajbi popullit të vet i ka folur kështu:
“ Edhe Medjenit (i dërguam) vëllain e tyre Shuajbin që ju tha: O populli im, adhuronie Allahun, ju nuk keni Zot tjetër pos Tij, mos matni as mos peshoni mangut, unë po shoh se jeni në gjendje të mirë jetësore, pra unë po friksohem për ju nga dënimi që do tju përfshijë një ditë! O populli im, veproni drejt gjat matjes dhe peshimit, e mos dëmtoni njerëzit në asgjë dhe mos shkaktoni rrëmujë në tokë! Atë pjesë që ju lejoi Allahu është shumë më e mirë për ju, nëse jeni besimtarë, e unë nuk jam rojë juaj.” [32]
Në kuadër të ajeteve të sipërshënuara, Kurtubiu thotë: ”Ata përveç asaj që kanë qenë mosbesimtarë, kanë qenë edhe mashtrues dhe koprracë.Kur u vinte shitësi me ushqim për të blerë, ata mernin më shumë se sa ka treguar kandari dhe për imtësira shtyheshin, ndërsa kur u vinte ndonjë blerës, i matnin më pak dhe ishin kopracë ndaj tij.” [33]
Ndërkaq, komenti i Ibn Kethirit është: All-llahu ua kishte dërguar Shuajbin a.s. i cili ishte me prejardhje fisnike në mesin e tyre, për t’i urdhëruar që ta adhurojnë All-llahun të Vetmin, i Cili nuk ka shok dhe t’i ndalojë nga mashtrimi gjat peshimit, meqë populli i tij kishte jetë të mirë, e unë vërtetë friksohem të mos mbeteni pa këtë begati duke i shkelur ndalesat e All-llahut…” [34]
b) Arroganca e popullit të tij
Përkundër mirësjelljes dhe urtësisë të Pejgamberit të All-llahut gjat da’vetit, ky popull përgjigjen ndaj Shuajbit a.s. e ka ironike dhe arrogante. Të shohim si na e parashtron Kur’ani Kerimi përgjigjen e tyre ku thuhet:
“Ata thanë: O Shuajb, a namazi yt po të thotë të na urdhëroshë që ta braktisim atë që e adhuruan prindërit tanë, ose (po të urdhëron) për të punuar në pasurin tonë ashtu sit ë dëshirojmë? Vërtetë, ti qenke i butë e i mençur. ( Kjo ishte tallje e tyre ).”[35]
Përkundër përçeshjes dhe nënçmimit të popullit të tij, Shuajbi a.s. shprehet me mirësjellje siç i ka hije një daiu i cili ka siguri në thirrjen të cilën e bën. Për të nuk çojnë peshë përçëshjet e tyre, i vetëdijshëm për lëshimet e paditurinë e tyre. Po ashtu është i sigurtë në atë se i është dhënë dituri e cila nuk u është dhënë atyre.
Ja fjala e Kur’anit për atë që Shuajbi a.s. i tha populli të tij:
“O populli im, më thuani pra, nëse unë kam argument të sigurtë nga Zoti im dhe nga ana e Tij, Ai më furnizoi mua me të mira (si mund të mos ju udhëzojë në rrugë të drejtë ?) Unë nuk dua tju kundërshtoj (duke punuar) për atë nga e cila po ju ndalojë, unë nuk dua tjetër vetëm të përmirësojë aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e Allahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm te Ai jam drejtuar! O populli im, kundërshtimi ndaj meje të mos u shpie (në mosbesim) që tju gjejë ajo që e gjeti popullin e Nuhit, popullin e Hudit ose popullin e Saliuht. E populli i Lutit nuk është largë prej jush. Kërkoni falje Zotit tuaj dhe sinqerisht pendohuni ndaj Tij. Vërtetë, Zoti im është mëshirues, shum i dashur.” [36]
Te Ibn Kethiri qëndron ky koment: Shuajbi a.s. atyre u thotë: Plotësisht e kam të qartë dhe kam argumente për atë që ju bëj thirrëje. Disa kanë komentuar se për qëllim ka pasur pejgamberllukun, e komenti i disa të tjerëve është se për qëllim ka pasur furnizimin hallall. Gjithashtu, Shuajbi a.s. u ka thënë: nuk ju ndaloj juve për diçka e pastaj vetë ta bëj fshehurazi atë. Le të mos ju provokoj armiqësia ndaj meje e të vazhdoni në mosbesim (kufër), e të dënoheni ashtu siç u dënuan populli i Nuhit, Hudit, Salihut dhe Lutit.[37]
c) Kërcënimi i popullit të tij
Megjithatë, edhe pse Shuajbi a.s. vazhdon me mirësjellje, butësi e urtësi në da’vet, respektivisht ai nuk revanshohet në ironinë dhe arrogancën e tyre, ata kësaj rradhe përpos ironisë dhe arrogancës i përgjigjen me kërcënime.
Ja fjalët e All-llahut xh.sh. lidhur me rastin:
“Ata thanë: O Shuajb, ne nuk po e kuptojmë shumicën nga ajo që thua dhe ne të konsiderojmë ty të dobët në mesin tonë, dhe sikur të mos ishte ai grupi yt, ne do të gurëzonim ty, ngase ti nuk je i çmuar ndër ne.”[38]
Ebu Refki thotë: E konsiderojnë një dhe të poshtëruar meqë fisi i tij nuk e ka pranuar fenë e tij, respektivisht, po të mos ishte fisi dhe autoriteti i tij do ta gurëzonin.[39]
d) Kërcnimi i Shuajbit a.s. me llogarinë përfundimtare
Kur përgjigjet e popullit të tij ndryshuan nga ofendimet personale dhe morën karakter të ofendimit të fesë drejtpërdrejt, por jo vetëm kaq por ofenduan edhe Zotin, me atë rast edhe mirësjellja e Pejgamberit ndryshoi, kështu që i kundërshtoi dhe kërcënoi me llogarinë përfundimtare.[40]
Kur’ani na e prezenton atë që Shuajbi a.s. ja tha popullit të tij:
“O populli im, a është më i çmuar te ju farefisi im se Allahu, që e keni hedhur Atë pas shpine? Nuk ka dyshim, Zoti i di të gjitha ato që veproni. O populli im, veproni sa të mundeni, edhe unë do të veproj, e më vonë do të kuptoni se kush do ta pësojë atë dënimin që do ta poshtëron dhe kush është ai rrenacak. Pritni se edhe unë sëbashku me ju jam duke pritur.” [41]
III. KONCEPTI I KUR’ANIT PËR DA’VEN GJATË PERIUDHËS KUR’ANORE
1. Shkolla kur’anore dhe da’veti i Muhammedit a.s.
Në këtë nëntitull për trajtim kemi katërmbëdhjetë ajete: Et-Tevbe, 128; El-Furkan, 56-58; Sebe’, 28; El-Ehzab, 21; En-Nisa’, 105-106; El A’raf, 157; El-Maide, 67; Junus,2; Er-Rra’d, 40; dhe En-Nahl, 125.
Në Kur’an thuhet:
“Juve ju erdhi i dërguari nga lloji juaj, atij i vie rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndieshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët.[42]”
Pejgamberi ynë është shumë i dhimbshëm për Ummetin e vet. Atë e mundon çdo pakënaqësi që e godet Ummetin, është i pangopur me dashurinë ndaj besimit të Ummetit, është i dhimbshëm e mëshirues.[43]
Në ajetin në fjalë, potencohet lakmia e Muhammedit a.s. për rrugën e drejtë, ndieshmëria dhe mëshira e tij. Andaj, e gjithë kjo bënë pjesë në mirësjellje.
Në fjalët e All-llahut thuhet:
“E ne nuk të dërguam ty për tjetër qëllim, por vetëm si përgëzues e si qortues. Thuaj:” Unë për këtë nuk kërkojë shpërblim prej jush, por vetëm kush të dojë të marë rrugën që e afron te Zoti i vet.” Ti mbështetju Atij të përjetshmit që nuk vdes kurrë, madhëroje me lavdërimin që i takon Atij, Ai mjafton për njohje në hollësi të mëkateve të robëve të vet.”[44]
Edhe në këto ajete shifet se All-llahu i bën me dije Pejgamberit se është dërguar për të kryer misionin e da’vetit, i bën me dije për mirësjellje, si të komunikoj me të thirrurit, etj., dhe më në fund çështja t’i lëhet All-llahut xh.sh.
Në Suren Sebe’, thuhet:
“Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”[45]
Muhammedi a.s. nuk është i dërguar vetëm për një rreth të caktuar e popull të caktuar, por për mbarë popujtë, mirëpo, qufërdarët me ironi dhe tallje pyetnin se kur do t’ia beh Kijameti? Dihet mirëfilli se të besuarit në Ditën e Kijametit është kusht i besimit, e pabesimtarët do të akuzohen mes vete dhe do të provojnë për të fajësuar njëri-tjetrin, megjithatë e tërë ajo do të jetë mëkot.[46]
Në ajetin e sipërshënuar, qartë shifet se Pejgamberit a.s. i bëhet me dije se ai nuk guxon të bëjë dallim mes njerëzve në interpretimin e fesë së All-llahut, e atëherë kur vie në shprehje tallja ndaj tij, atij i mbetet të tërheq vërejtjen me mirësjellje dhe pa ofendime.
Në një ajet tjetër thuhet:
“Ju e kisht shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.”[47]
Shembullin më të mirë për durim, fjalën e mirë, veprat e mira dhe sjelljen e mirë, muslimanët e kanë në Pejgamberin e tyre, ndaj, këtu Muhamedi a.s. shihet si dai dhe për një çështje të tillë duhet përcjellë shembullin e tij.
Në dy ajetet në vijim thuhet:
“Ne të zbritëm ty (Muhamed) librin (Kur’anin) me plot të vërteta, që të gjykosh mes njerëzve me atë që të mësoi Allahu. Mos u ngatrro për tradhtarët (mos u dil në ndihmë). Kërkoj falje (për këtë) Allahut. Vërtetë, Allahu falë, mëshiron.”[48]
Komentatorët e Kur’anit kanë thënë se shkaku i zbritjes së ajeteve të lartëshënuara është rasti kur Tuame bin Ubejrik fqiut të vet Kattade bin Numan ja kisht vjedhur parzmoren.Tuame parzmoren e kishte fshehur te një hebrej, Zejd bin Semij.Parzmorja ishte gjetur në shtëpin e hebreut, e Tuame ishte akuzuar për vjedhje. Kështu që, fisi i Tuames kishte kërkuar prej Pejgamberit të bëhen hetime kundër hebreut, e Pejgamberi ka pritur se çfarë urdhëri do t’i vjen prej All-llahut. Me këtë rast janë shpallur ajetet e përmendura.[49]
Dr. Jusuf Ramiq shënon se sebebi nuzuli i ajeteve, 105-117, Et-Tevbe, është me rastin e vjedhjes së lartëpërmendur.[50]
Edhe nga pjesa e ajetit: ”… e që i urdhëron për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndëshmet, dhe heq nga ato barrën e rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta…”[51], qartë shihet potencimi i Muhammedit a.s. si da’i dhe da’veti i tij nëpërgjithësi.
Gjithashtu në fjalën e All-llahut thuhet:
“O ti i dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk bën (komunikim në tërësi), atëherë nuk e ke kryer detyrën (revelatën-risalen).Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin që mohon.”[52]
Përcillet nga Aishja r.a., të ketë thënë:” Resulullahu s.a.v.s. kishte sigurim deri atëherë kur i zbriti ajeti:”…Allahu ta garanton mbrojtjen prej njerëzve (prej armiqëve …)”[53], e me këtë rast sigurimit i tha:” O njerëz, largohuni meqë All-llahu më siguron.” (Transmetojnë: Tirmidhiu, Hakimi dhe Bejhekiu).[54]
Nga ajeti i sipërpërpërmendur, qartë shihet porosia e All-llahut për da’vetin e Muhamediti a.s. Ai porositet që ta bëjë komunikimin e risales, të kryej obligimin e vet, e nuk porositet për arrogancë, fyerje, kryelartësi, etj. Nga e gjithë kjo, kuptohet se vie në shprehje mirrësjellja e Pejgamberit e jo diç në kundërshtim me të.
Në suren Tevbe, thuhet:
“Ai (Allahu) është që e dërgoi të dërguarin e Tij me udhëzim të drejtë e të vërtetë, e për ta bërë që të dominojë mbi të gjitha fetë, edhe pse e urrejtën idhujtarët.[55]
Nga ky ajet kuptohet se da’veti i Pejgamberit ka qenë i pakontestueshëm, pavarësisht u kishte ardhur mirë apo jo jobesimtarëve. Po ashtu, edhe për ne dhe në të ardhmen obligim është për t’u vazhduar, pa marrë parasysh sfidat dhe dëshirat e kundërshtarëve të Islamit.
Në Kur’an thuhet:
“A ishte çudi për njerëzit, që Ne një njeriut nga mesi i tyre i thamë: ”Tërhiqjau vërejtjen njerëzve, kurse ata që besuan gëzoi se me të vërtetë kanë pozitë të lartë te Zoti i tyre…” [56]
Përcillet nga Ibn Abbasi r.a. të ketë thënë: ”Kur Muhamedi u dërgua Pejgamber, arabët një gjë të tillë e mohuan, ose disa prej tyre e mohuan dhe thanë: ’Allahu është më i madh se sa i Dërguari të jetë njeri’, e me këtë rast zbriti ajeti: ”A ishte çudi për njerëzit…”[57] (Transmetojnë: Ibn Xherir dhe Ibn Merdevejh [58]).
Andaj, për Muhammedin a.s. porosia është që përmes da’vetit t’u tërheq vërejtjen njerëzve, e ata që besuan t’i përgëzojë se kanë pozitë të lartë te All-llahu xh.sh. Kështu që, edhe përkundër asaj se idhujtarët mekas shpalljen e quajtën magji, nga ana e Pejgamberit nuk pati fyerje e nënçmime, përkundrazi mirësjellje dhe urtësi gjë për të cilën e kishte shkollën kur’anore.
Në një ajet tjetër, Muhammedit a.s. i bëhet me dije se pa relevencë është a do të shoh ai dënimin e mohuesve, ose jo, por relevante është që ai të kryej misionin e da’vetit, pra obligimi i tij është të bëj kumtimin, kurse llogaria i takon All-llahut xh.sh.
Në suret Ra’d dhe Nahl, thuhet:
“ Ne mund të mundësojmë ty të shohësh atë (dënim) që u premtojmë atyre, ose ta marim (shpirtin) ty. Obligim yty është vetëm kumtimi, kurse Jona është llogaria.”[59]
“ Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tëndë me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit.”[60]
Në kuadër të ajetit të fundit, komentimi i Sherif Ahmetit është: ”Urdhëri i Zotit, drejtuar Muhammedit, e përmes tij edhe të gjithë besimtarëve që t’i thërasë njerëzit në fe me urtësi, mençuri e butësi dhe të zhvillojë dialog me kundërshtarët në mënyrën më të mirë, me argumente të qarta e me fjalë të buta, është argumenti më i fortë se feja islame nuk e ka për parim dhunën, siç përpiqen disa injorantë e edhe tendencioz t’ia shpifin atë.”[61]
2. Muhammedi a.s. informohet dhe përkrahet për da’ven e mohuesit refuzojnë
A) Pejgamberi a.s. informohet për da’ven
Në këtë nëntitull për shqyrtim kemi dhjetë ajete: Sebe’, 45; Es-Saffat, 12-15; El-Ena’m, 10; El-Hidr, 88-89; dhe Et-Tevbe, 40.
Në Kur’an thuhet:
“Po ne nuk u kemi dhënë atyre ndonjë libër që ta mësojnë dhe as nuk dërguam te ata ndonjë pejgamber para teje (pra ata nuk dinë si është pejgamberi as si është shpallja). Edhe ata që ishin para këtyre (kurejshitëve) patën përgënjeshtuar, dhe këta nuk kanë (kurejshitët) as një të dhjetën e asaj, që ne u patëm dhënë atyre, e i konsideruan rrenacakë të dërguarit e Mij, ja si ishte dënimi Im.”[62]
Komentimi i Sherif Ahmetit është: Ata që ishin para mushrikëve mekas dhjetë fish ishin më të fuqishëm se mushrikët në fjalë, por forca e tyre nuk i shpëtoi dot prej shkatërrimit nga ana e Zotit, pamëdyshje se edhe këta (mushrikët) nuk do të mund të shpëtojnë.[63]
Në surën Saffat, thuhet:
“Po ti je i habitur, e ata tallen. E kur këshillohen, ata nuk marrin parasysh këshillën. E kur shohin ndonjë mrekulli, ata nxitin në përqeshje. Dhe thanë:” Ky (Kur’ani) nuk është tjetër vetëm se magji e kulluar” A, pasi të vdesim ne, të bëhemi dhe e eshtra të kalbur a do të ringjallemi?”[64]
Pejgamberi dhe besimtarët mahniten kur lexojnë këto pjesë të Kur’anit që tregojnë për madhështinë e pakufishme të Krijuesit; ndërsa, jobesimtarët përqeshin Muhammedin a.s. për këtë lexim, mohojnë mundësinë për ringjallje, por për këtë qëndrim të tyre do të vajtojnë veten në Ditën e Kijametit.[65]
Nga këto ajete shihet tallja, mosmarja parasysh e këshillave, përqeshja me rastin e të dëgjuarit të këshillave dhe të quajturit e Kur’anit magji nga ana e mosbesimtarëve. Ndërkaq, Muhammedi a.s. mahnitet për gjthë këtë që i përcillet nga All-llahu xh.sh., dhe në këtë mënyrë denjësishtë merë forcë për të vazhduar misionin e da’ves pa i bërë përshtypje ajo që bëjnë mosbesimtarët.
Në fjalën e All-llahut xh.sh. thuhet:
“Edhe të dërguarit e tjerë para teje janë përqeshur, e ata që u tallën pësuan (dënim) për shkak se talleshin.”[66]
Në tefsirin e tij: Ajka e kuptimeve të Kur’ani kerimit, Ibraim Dalliu thotë: Duhet të keshë durim e të ngushllohesh, meqë përqeshje të tilla kanë përjetuar edhe vllezërit e tu më herët por ata duruan, e mbi mosbesimtarët ja behu ndëshkim dhe i shkatrroi.
Ky ajet, përveq ngushllimit, përfshin edhe frikësimin për mohuesit që talleshin me gjërat e shenjta të Islamit.[67]
Edhe në surën El-Hixhr thuhet:
“Ne të kemi dhënë ty shtatë (ajete) që përsëriten (Fatiha përsëritet në rekate të namazit) edhe Kur’anin e madhërueshëm. E ty të mos shkojnë kurrsesi sytë në atë me çka Ne i pajisëm disa prej tyre, a mos u brengos për ta (pse nuk besuan, kurse ndaj besimtarëve jij i përkulur e i butë. Dhe thuaj: ”Unë jam qortues e i hapët (për dënim nga Zoti për ata që kundërshtojnë)” [68]
Me rastin kur fisit Beni Kurejdh dhe Benu Nadhir ju arritën shtatë karvane me mallra, muslimanët thanë: ”Sa fatlum do të ishim sikur kjo të ishte për ne.” Ky pra është sebebi nuzuli i ajetit, El-Hixhr, 87.[69]
Në këtë ajet përmenden: lakmia, brengosja, përulja dhe qortimi. Prandaj, gjatë rrugës së da’vetit, Pejgamberi porositet që të mos preokupohet me atë që All-llahu ju ka dhënë jobesimtarëve, (thënë ndryshe, të mos vijë në shprehje korruptimi), pasuria, autoriteti etj., mos të brengoset për mosbesimin e tyre, ndaj besimtarëve të ketë respekt, dhe për ata që kundërshtojnë të jetë qortues për dënimin që i pret. Andaj, e gjithë kjo flet për maturinë dhe mirësjelljen e Muhammedit a.s. gjatë misionit të da’vetit, ndërkaq, sa i përket tërheqjes së vërejtjes dhe kërcënimt, ai vetëm kumton porosinë e All-llahut xh.sh.
B) Resulullahi a.s. përkrahet për da’ven
Pasqyrë për ndihmën e All-llahut të Madhërueshëm në rrugëtimin e misionit të da’vetit, e kemi ajetin:
“Në mos e ndihmofshi atë (Pejgamberin), atë e ka ndihmuar Allahu; kur ata që nuk besuan, e nxorën atë vetë të dytin; kur që të dy ishin në shpellë, kur po i thoshte shokut të vetë:” Mos u pikëllo (friko), Allahu është me ne! “E Allahu i zbriti qetësi (në shpirtin e) atij, e fuqizoi me një ushtri që ju nuk e patë; e fjalën e atyre që nuk besuan e bëri më të ulët, kurse fjala e Allahu (është) më e larta, Allahu është më i fuqishmi, më i urti.”[70]
Sipas Jusuf Ramiq, sebebi nuzuli i ajeteve: 39-40, Et-Tevbe, është me rastin kur disa luhateshin për t’u nisur në luftën e Tebukut, për shkak të ushtrisë së madhe (të kundërshtarit-A.A.).[71]
Në këtë ajet përmenden: ndihma e Allahut, mosbesimi i idhujtarëve, përzërja e pejgamberit me Ebu bekrin, qetësia shpirtërore e Pejgamberit, fjala e nënçmuar e idhujtarëve, fjala e Allahut e lartësuar; gjë që jep të kuptohet se pejgamberi duhet vazhduar në rrugën e da’vetit, nga njëra anë, e nga ana tjetër,ai nuk mësohet për arrogancë, fyerje, etj., por mësimi në vazhdimësi është për gjërat me peshë, në të cilat ka urtësi dhe mirësjellje, e burimi i të cilave është shkolla kur’anore e Muhammedit a.s.
C) Mosbesimtarët refuzojnë
Në vazhdim, për shqyrtim do të kemi tre ajete: Sabe’, 43; Sād,4; dhe Junus, 48.
Në Kur’an thuhet:
“E kur u lexoheshin atyre ajetet tona të qarta, ata thoshin: ” Ky nuk është tjetër vetëm se njeri, i cili dëshiron t’ju shmangë nga ajo që adhuronin prindërit tuaj” dhe thoshin: ”Ky (Kur’ani ) nuk është tjetër vetëm se është gënjeshtër e trilluar!” Madje, ata që nuk besuan të vërtetën, pasi ajo u erdhi, i thanë:” Kjo (Muhamed, feja islame, Kur’ani) nuk është tjetër vetëm se magji e qartë!”[72]
Në kuadër të ajetit në fjalë, Sherif Ahmeti komenton: Mushrikët mekas, edhe pse ishin të painformuar sa i përket Pejgamberit, Shpalljes dhe Librit, megjithatë, ata nuk e pranuan Muhammedin a.s. për pejgamber, Kur’anin për shpallje, e nuk ishin të vetëdijshëm se ata që mohuan para tyre u shkatërruan nga ana e Zotit, ndaj, edhe këta një gjë të tillë do ta përjetojnë.[73]
Në një ajet tjetër thuhet:
“Ata (idhujtarët) habiten, ngase u erdhi pejgamberi nga mesi i tyre, e jobesimtarët thanë: ”Ky është magjistar, rrenës!”[74]
Kur paria kurejshite në krye me Ebu Xhehlin shkojnë te xhaxhai i Pejgamberit, Ebu Talibi, për t’ju ankuar se Muhammedi a.s. i fyente zotat e tyre, me atë rast Ebu Talibi e thërret Pejgamberin a.s. Pasi që xhaxhai i tij e shtroi çështjen, Muhammedi a.s. tha: ”O xhaxha, unë prej tyre e dua vetëm një fjalë!”Paria thanë: ”Thuaje cila është ajo?” Pejgamberi tha: ”La ilahe il-lell-llah.” Përgjigja e të pranishmëve ishte: ”Të gjithë zotat don t’i bëj një zot.”[75]
Gjithashtu në Kur’an thuhet:
“Ata thanë:” Kur do të jetë ky premtim (dënim), nëse jeni të drejtë çka thoni?”[76]
Andaj, nga ajeti i sipërshënuar, qartë shihet mirësjellja e Muhammedit a.s. gjë për të cilën është i mësuar permes Xhibrilit a.s.nga ana e All-llahut xh.sh.
Pas gjithë asaj që mushrikët e quajtën të çmendur, i thanë se ti je vetëm njeri, asgjë tjetër, se Kur’ani është gënjeshtër dhe trillim, se feja e tij dhe Kur’ani janë magji etj., d.m.th., pas të gjitha këtyre ofendimeve dhe fyerjeve, mirësjellja e Pejgamberit a.s. është në nivel, i arsimuar dhe edukuar në shkollën kur’anore, ju përgjigjet: Angazhohuni për hir të All-llahut xh.sh., unë nuk kërkojë shpërblim prej jush. Pra në këtë mënyrë ishte da’veti i Resulullahut a.s.
D) Përgjigje e shkollës kur’anore
Në këtë përgjigje të Muhammedit a.s. ndaj jobesimtarëve inkuadrojmë shtatëmbëdhjetë ajete: Et-Tevbe, 129; El-Kehf, 110; Sebe’, 46-50; Fussilet, 6; El-En’ām, 19, dhe Junus, 41, 48-49.
Në Kur’an thuhet:
“Po nëse ata refuzojnë (atë që ju sjell), atëherë thuaj: ”Allahu është për mua mjaft, s’ka të adhuruar pos Tij, vetëm te Ai jam mbështetur, e Ai është Zoti i Arshit të madh!”[77]
Edhe pse Muhammedi a.s. ishte i pajisur me virtytet më të larta, munafikët (hipokritët) nuk pranuan sinqerisht udhëzimet e tij, por ai që ka besën në All-llahun, nuk mbetet keq për askë tjetër.[78]
Në këtë ajet përmenden adhurimi dhe mbështetja në All-llahun e Lartëmadhëruar. Prandaj, shkolla kur’anore Muhammedin a.s. e mësoi se si të hapërojë në misionin e da’vetit, kështu që nëse hasë në rezistencë gjatë predikimit ai duhet adhuruar All-llahun dhe mbështetur në Të.
Gjithashtu në fjalën e All-llahut thuhet:
“ Thuaj: ”Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askë.”[79]
Përcillet prej Ibn Abbasit të ketë thënë: ”Një njeri Resulull-llahut i tha: ‘Unë jam përcaktuar dhe dëshiroj rizanë (kënaqësinë) e All-llahut, e në të njejtën kohë dua të dijë për vendin tim’, mirëpo Resulullahu nuk ju përgjigjë. Me këtë rast zbriti ajeti në fjalë.” (Transmetojnë: Hakimi dhe Bejhekiu).[80]
Prandaj, shkolla kur’anore e mëson Pejgamberin për mirësjellje e modesti, përndryshe çdo gjë i takon All-llahut, ndërkaq, për Muhammedin Alejhisselam është obligim të kumtojë porosinë e Tij.
Në suren Sebe’ thuhet:
“Thuaj: Unë ju këshillojë vetëm me një gjë: Për hir të Allahut të angazhoheni sinqerisht dy nga dy ose një nga një, e pastaj të mendoni thellë (që ta kuptoni) se sho