Nga lëmia e gjeografisë janë shkruar shumë vepra.
Nuk dëshiroj këtu të flasë mbi zhvillimin historik të gjeografisë arabe,as për veprat e mëdha që kanë shkruar gjeografët arabë dhe myslimanë me të cilat e kanë begatuar trashëgiminë kulturore të njerëzimit në këtë disiplinë shkencore.
Këto vepra shkencore,si dhe shumë instrumente të navigacionit dhe harta gjeografike, i kanë shfrytëzuar lundruesit evropian në udhëtimet e tyre rreth botës dhe në zbulimin e hulumtimin e pjesëve të ndryshme të planetit tonë.
Gjeografia - nevojë për arabët
Interesimi i arabëve për gjeografi, në masë të madhe, është fryt i mesit në të cilin kanë jetuar. Aktiviteti i tyre i parë ka qenë në shkretëtirë. Ajo i ka detyruar të mbledhin sa më shumë shënime (informata) gjeografike. Lëvizja në shkretirë ka qenë shumë e vështirsuar dhe gati e pamundur po që se nuk ka pasur shënime të duhura mbi yjet dhe trupat e tjerë qiellorë,të cilët arabëve u kanë shërbyer si mjete të vetme të orientimit në hapësirë. Edhe si blegtor ata kanë qenë të detyruar të njohin rrethin e afërt dhe të largët,që të mund të gjejnë burime të reja të ujit dhe kullosa të begatshme.
Poezia paraislame arabe përfshin shumë fakte gjeografike dhe përshkruan shumë dukuri,ngjarje në shkretëtirë dhe,si e tillë,ajo është bërë njëri prej burimeve të rëndësishme të gjeografisë arabe. Në poezinë paraislame hasim në shumë emra të rrafshinave,të burimeve,të bjeshkëve,të kodrave dhe të vendeve historike. Vetëm një shikim në shtatë apo dhjetë "muallaka" tregon se sa rëndësi i kanë kushtuar arabët gjeografisë dhe rrethit në të cilën kanë jetuar. Këto njohuri gjeografike janë përcjellur brez pas brezi. Kultivimi i poezisë ka qenë diç më hyjnore,së cilës arabët, gjatë shekujve, i kanë kushtuar rëndësi të madhe. Për këtë arsye nuk duhet të habitemi nëse gjeografinë e gjejmë në mes të disciplinave shkencore me të cilat, zakonisht, janë marrë filozofët. Al-Asmei (shek. 8) ka qenë filozof i madh, por njëkohësisht ka qenë edhe gjeograf i madh. Lidhja e filoyofisë me gjeografinë është mbajtur deri në kohën e re. Kjo shifet edhe te Al-Zubejdi në fjalorin e tij të madh "tagj al-ans".
Islami zgjon interesimin për gjeografi
Islami është paraqitur në shekullin e shtatë dhe, vetëm pas dy shekujve, Shteti Islam ka përfshirë një territor të madh në kontinentin e Azisë dhe të Afrikës. Ky zgjerim i Shtetit Islam ka shtuar nevojën e interesimit më të madh për gjeografinë e territoreve të çliruara. Ky interesin ka qenë nevojë nga aspekti politik, administrativ dhe tregëtar me qëlim që të njihen vendet e çliruara, rrugët dhe largësia e disa regjioneve të një shteti kaq të madh. Ndërsa,para kësaj edhe haxhi, njëri nga shtyllat e islamit, ka paraqitur nevojën e njohjes së rrugëve tokësore dhe detare deri në Mekke dhe Medine. Njëkohësisht Haxhi ka qenë edhe faktor shumë me rëndësi për zgjerimin e marrëdhënieve dhe për këmbimin e mendimeve mes myslimanëve. Mekkeja u bë qendër në të cilën mblidheshin me dhjetëra mijëra myslimanë të nacionaliteteve të ndryshme nga mbarë bota. Mes tyre ka pasur udhëpërshkrues,të cilët kanë shkruar udhëpërshkrime me vlerë të përhershme.
Arabët dhe trashëgimia e vjetër kulturore
Me zgjerimin e shtetit islam,myslimanët kanë ardhur në kontakt me kulturën dhe civilizimin greko-romak, prej së cilës, edhe pse ishte e bazuar në idhujtari, kanë arritur të veçojnë ato vlera të cilat nuk kanë qenë në kundërshtim me ideologjinë islame.
Puna kërkimore-shkencore para paraqitjes së islamit ishte në rënie të vazhdueshme. Shkencëtarët grek dhe ata që kanë pranuar filozofinë e tyre nuk kanë arritur t’i kënaqin filozofët-teologë krishter në shekujt e parë të krishterizmit. Arabët,me formimin e shtetit të tyre e kanë ringjallur filozofinë greke, shkencën dhe kulturën dhe kështu kanë vënë lidhje në mes të kulturës së vjetër e të pasur me të arriturat e reja shkencore. Grekët kanë qenë popull i civilizuar dhe me kulturë, romakët kanë qenë luftëtar dhe pushtues, ndërsa myslimanët i kanë pasur që të të dy këto veti. Myslimanët kanë krijuar shtet të madh,i cili ka qenë i mbështetur në themelet e sigurta me ligje dhe kulturën që nuk ka qenë e kënaqur vetëm me ate lokale, por ka pranuar të arriturat kulturore të popujve tjerë,të cilët i kanë paraprirë historisë së njerëzimit. Me çlirimin e Sirisë arabët kanë ardhur në kontakt me krishterët nestorian, mbrojtës të njohurive të vjetra dhe,prej tyre,kanë marrë dhe përkthyer shumë vepra greke dhe njohuri të popujve lindorë.
Pas çlirimit kanë filluar punën kërkimore-shkencore. Halifët prej dinastisë Abbasite kanë meritë të madhe për to. Ata kanë përkrahur këtë punë kërkimore-shkencore kështu që në gjuhën arabe janë përkthyer veprat më të njohura dhe më të mëdha,të shkruara në gjuhë të tjera. Në këtë aspekt kanë qenë tolerant deri në kufi të fundit. Ata kanë shfrytëzuar njohuritë nga të gjitha vendet e botës,pa marë parasysh përkatësinë e tyre fetare dhe nacionale. Kulminacionin e vet kjo punë shkencore e ka arritur në kohën e halifit Al-Me'mun. Flitet se përkthyesve ua ka paguar me ari peshën e veprës së përkthyer. Bizantinasit janë çuditur me këmbëguljen e myslimanëve që,në kuadër të ndonjë kontrate,t'iu jepet edhe ndonjë vepër greke.
Duke iu falënderuar aktivitetit përkthyes të myslimanëve, shumë dorshkrime greke janë ruajtur nga shkatërrimi kështu që përkthimi në këto suaza u bë njësoj e rëndësishme sikurse edhe krijimtaria origjinale. Fati ka qenë që shkenca greke ka qenë shumë e zhvilluar në Siri kur atë e kanë çliruar arabët, kështuqë përkthyesit gjerësisht I kanë sqaruar tekstet më pak të qarta greke dhe,në këtë mënyrë,i kanë lehtësuar shkencëtarëve të perëndimit që më lehtë të kuptojnë dhe të thellohen.
Në këtë mënyrë myslimanët kanë ruajtur ato vlera në të cilat sot mbështetet kultura dhe civilizimi evropian, kanë ruajtur civilizimin dhe kulturën greke e me këtë edhe lidhjen në mes të së kaluarës dhe të sotmes së Evropës.
Arabët dhe njohuritë gjeografike greke
Njohuria gjeografike greke kulminacionin e vet e ka aritur në kohën kur Ptolomeu ka shkruar veprat e tij "Sistemi i madh matematikor i astronomisë" dhe "Hyrja në gjeografi". Nuk do të teprojmë nëse themi se zbulimet e vjetra gjeografike janë kryer me paraqitjen e këtyre veprave. Prej kësaj kohe dhe gjatë tërë shekujve mesjetar Evropa ka jetuar në detin e errësirës. Myslimanët kanë ruajtur kulturën e vjetër greke,të cilën e kanë trashëguar. Veprat e para që kanë tërhjekur vëmendjen e arabëve janë veprat e cekura të Ptolomeut nga gjeografia.
Veprën,"Sistemi i madh matematikor i astronomisë" e ka përkthyer në gjuhën arabe Al-Hagjagj ibn Jusuf bin Meta (786-835) me titulla "Al-Magest". Këtë përkthim më vonë e ka reviduar Ibn Kurra al-Hurani (834-901) pas të cilit teksti në gjuhën greke është humbur, ndërsa ka mbetur përkthimi në gjuhën arabe të cilën në shek. XII në gjuhën latine e ka përkthyer Zherardi nga Kremona (1175). Ky përkthim paraqet vetëm një pjesë të aktivitetit përkthyes të Zherardit,e cila është e lidhur për të gjitha disiplinat shkencore dhe për shumë shkrime greke të cilat janë përkthyer në gjuhën arabe.
Vepra e dytë e Ptolomeut "Hyrja në gjeografi",e cila në mes të myslimanëve ishte e njohur me titull "Gjeografia",është përkthyer disa herë, ndërsa prej përthimeve më të mira janë përkthimet e Sabit ibn Kurra-s dhe Muhammed ibn Musa al-Havarizmit (ka vdekur më 850). Kur ka shkruar veprën e vet të njohur "Suret al-Erd" (Përshkrim i Tokës) në dorë ka pasur "Gjeografinë" e Ptolomeut, për të cilën Nollino, orientalist i njohur italian, thotë se nuk ekziston asnjë vepër evropiane të cilën mund ta krahasojmë me veprën e Al-Havarizmit - me shkrimin më të vjetër arab nga gjeografia, edhe pse Al-Havarizmi në Evropë më shumë është i njohur si matematicien se sa si gjeograf. Duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat në të cilat ka jetuar dhe vepruar Al-Havarizmi, Sartoni konsideron si matematicient më të madh të të gjitha kohërave.
Evropa dhe kontaktet e saj me shkencën arabe
Shkenca arabe ka rëndësi botërore. Ajo ka pasur sukses që t’ua përcjellë popujve të krishter të Evropës Perëndimore trashëgiminë e vjetër kulturor të Lindjes e të Perëndimit. Popujt evropian kanë ardhur në kontakt me shkencën arabe në Siri gjatë luftërave të kryqëzatave, në Sicili dhe në shtetet arabo-evropiane në Spanjë.
Në shekullin e pestë hixhri ose shek. XI e.r. filluan luftërat e kryqëzatave. Këtyre konfrontimeve Evropa ia mveshi petkun fetar dhe në këtë mënyrë tentoi të fshehë qëllimet e veta kolonialiste. Luftërat e kryqëzatave kanë zgjatur gadi dy shekuj me radhë. Okupuesit europian kanë menduar se në vendet arabe do të hasin në një popull primitiv dhe të pakulturuar. Mirpo duke ardhur në kontakt me kulturën dhe civilizimin arabo-islam ata kanë qenë të detyruar që ta ndërrojnë këtë mendim. Arabët kanë qenë në nivel të njëjtë kulturor sikur edhe bizantinasit të cilët evropianët i kanë marrë si shembull të popullit kulturor dhe progresiv. Për këtë arsye luftërat e kryqëzatave kanë marrë kahje tjetër dhe janë shndërruar në aktivitet të vjeljes kulturore,përmes të cilës Evropa është njohur me të arriturat shkencore arabo-islame dhe popujve të tjerë lindorë.
Arabët qysh në shekullin e IX kanë zotëruar me Sicilinë. Më vonë ata i kanë shtytyr normanët. Normanët kanë qenë adhurues të mëdhenj të shkencës dhe të mendimit shkencor.
Ata kanë pranuar kulturën dhe civilizimin arabo-islam. Marrëdhëniet e mira në mes të krishterëve dhe myslimanëve në ishull si dhe ekzistimi i gjuhës arabe, pranë asaj latine, më shumë kanë kontribuar bashkëpunimit shkencor në mes të dy popujve në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore.
Shembull tipik të një bashkëpunimi të tillë kemi te Al-Idrizi, gjeografit dhe hartografit më të madh të shekullit mesjetar,i cili ka punuar në oborrin e Roxherit të II (rreth 1095-1154, mbret i parë sicilian, djali i Roxherit të I, grof i Sicilisë) në Palermo të Sicilisë. Përveç këtyre dyve ka ekzistuar edhe qendra e tretë e kontaktit të Perëndimit me kulturën dhe civilizimin arabo-islam. Ajo qendër ka qenë Spanja arabe (Andaluzia). Spanjës i takon vendi i parë dhe më meritor në përcjelljen e kulturës dhe civilizimit arabo-islam në Evropë. Perëndimi ka ditur më shumë mbi Spanjën se sa mbi Lindjen e Afërt. Universitetet e Spanjës kanë qenë qendra të cilat i kanë vizituar studentët nga të gjitha viset e Evropës.
Në të njëjtën kohë kur luftërat e kryqëzatave kanë arritur kulminacionin e vet, në shek. XII në Spanjë,me të madhe,kanë punuar shkollat e përkthyesve, posaçërisht shkolla përkthyese e Toledos,e cila ka arritur të përkthejë veprat më të mëdha dhe më të rëndësishme arabo-islame në gjuhën latine, gjuhë e shkencës në të gjitha viset e Evropës, dhe të të folurit në shumë viset e Spanjës,. Nga kjo kohë fillon ndikimi kulturor dhe shkencor arabo-islam në Evropë dhe në mendimin evropian,e cila do të zgjasë gati plot tre shekuj.
Edhe pse shkolla përkthyese e Toledos nuk ka pasur dimenzionet e shkollës përkthyese të Bagdadit, prap se prap ka pasur rol të madhë në përhapjen e shkencës,të kulturës dhe të civilizimit arabo-islam në Evropën Perëndimore dhe të Mesme.
Edhe pse kjo vulë e madhe e krijimtarisë shkencore dhe kulturore, e cila ka filluar në Egjipt, Babiloni, Asiri dhe Feniki, është udhëzuar në Greqi,e cila më vonë, është kthyer prapë në formë të kulturës dhe të civilizimit grek,të cilën arabët e kanë punuar dhe plotësuar me burime hindiane dhe pastaj kanë përshkruar në veprat e veta shkencore, pastaj si të tillë,nëpërmjet të Afrikës,kanë transmetuar në Spanjë, prej së cilës përmes qendrave shkencore janë shpërndarë në Francë, Gjermani, Itali, Angli dhe në vende të tjera të Evropës.
Ndikimi i gjeografisë arabo-islame
Nuk dëshirojmë këtu të flasim mbi kontributin e myslimanëve në këtë disciplinë shkencore, posaçërisht në gjeografinë deskriptive dhe në astronomi, sepse mbi këto janë shkruar me dhjetëra libra në shumë gjuhë. Por dëshirojmë vetëm të tregojmë dhe të sqarojmë se si shkrimet arabo-islame kanë qenë bazë në të cilën është mbështetur renesansa evropiane e kohës së re. Shkencëtarët arabo-islam përmes vëzhgimeve astonomike dhe shqyrtimit të traditës e kanë ndarë atë që është e vërtetë dhe shkencore nga jo e vërteta.
Ata ua kanë ndriçuar rrugën lundruesve europian, të cilët, kanë pranuar të arriturat e tyre dhe kanë vazhduar udhëtimin rreth botës në zbulimin dhe hulumtimin e pjesëve të pazbuluara të planetit tonë.
Zbulimet gjeografike
Zbulimet gjeografike dhe udhëtimi në pjesët e pazbuluara të botës kanë qenë pikënisje e zgjimit evropian. Këto zbulime gjeografike nuk do të kishin sukses sikur evropianët të mos kishin arritur deri te shkrimet gjeografike arabo-islame dhe te instrumentet e navigacionit,të cilët ua kanë lehtësuar lundrimin në detin e hapur. Myslimanët kanë dhënë kontributin e vet të plotë në zbulimin e pjesëve të pazbuluara të botës. Ata kanë njohur tërë Evropën me përjashtim të pjesëve veriore të saj,të cilët edhe vetë europianët e kanë zbuluar në kohën e re. Gjithashtu kanë njohur Azinë Jugore dhe Jugperëndimore, Afrikën Veriore deri në Ekuador, madje edhe nën te. Ata hollësisht kanë përshkruar pjesët të njohura për ta të botës. Al-Mesudi, për shembull, në veprat e veta ka shkruar mbi erërat sezonale në Oqeanin Indian dhe ndikimin e tyre në lundrim.
Al-Biruni ka konstatuar se India në të kaluarën ka qenë gji detar të cilin lumenjtë nga Himalajet e kanë mbushur me shtresa pjellore dhe kështu e kanë shndërruar në tokë pjellore. Ai ka treguar edhe mbi të ashtuquajturat kohët e detit dhe ka sqjaruar se ato lindin nën ndikimin e forcës tërheqëse të Hënës në sipërfaqe të detit. Përveç kësaj, gjeografët mysliman kanë folur mbi gjeografinë ekonomike të vendeve që kanë njohur, mbi pasuritë nëntoksore, prodhimet bujqësore, rrugët, popullsinë, jetën shoqërore dhe sociale. Puna kërkimore-shkencore sot ka vërtetuar rëndësinë e të dhënave (shënimeve) të cilat i kanë mbledhur gjeografët arabo-islam mbi vendet e pazhvilluara. Këto shënime mbi vendet e pazhvilluara më vonë i kanë shfrytëzuar udhëpërshkruesit dhe hulumtuesit europian në periudhën e zbulimeve të mëdha gjeografike. ثshtë konstatuar dhe vërtetuar se Evropa e ka njohur Afrikën dhe brendinë e saj vetëm përmes shënimeve arabo-islame. Relievi ka qenë pengesë për hulumtimin e brendisë së saj, kështu që aktiviteti i tyre ka qenë i kufizuar rreth brigjeve, ndërsa tërë pjesa veriore ka qenë e njohur vetëm myslimanëve. Shënimet e myslimanëve kanë qenë burimi i vetëm për gjeografinë e kësaj pjese deri në shek. XIX. Mjajfton të cekim vetëm Az-Zejatin, i njohur në Europë me emrin Leon i Afrikës dhe veprën e tij "Përshkrimi i Afikës" në të cilën detajisht ka përshkruar pjesën veriore të Afrikës. Këtë vepër vetë Leoni e ka përkthyer në gjuhën italiane,derisa ka qenë në shërbim te papa Leo X.
Detaria dhe navigacioni
Udhëpërshkruesit evropian,në masë të madhe,janë bazuar në burimet islame gjatë zbulimit të pjesëve të panjohura të botës. Kjo shifet qart edhe te Marko Pollo i cili ka përdor shumë emra gjeografik në formët arabo-islame dhe persiane. Në shumë udhëpërshkrimet e veta Marko Pollo ka cekur njohuritë,të cilat i ka marrë nga burimet arabo-islame (vizatimet dhe hartat e lundruesve mysliman në Cejlon).
ثshtë dashur që të kalojnë shumë gjenerata të lundruesve europianë që njohuritë e tyre mbi Oqeanin Indian t’iu ofrohen përmes njohurive myslimane. Njohuritë myslimane për këtë oqean kanë qenë bazë mbi të cilën është mbështetur navigacioni europian i kësaj pjese të botës. Portugezët,qysh nga koha e princit Enrikut Lundrues,kanë tentuar disa herë që të arrijnë në Indi. Kur lundruan kah brigjet perëndimore të Afrikës,tentuan që të mos largohen shumë prej brigjeve. Në vitin 1487 Bartollomeo Diazi ka arritur që të lundrojë rreth Kepit të Shpresës së Mirë, të cilën e ka emërtuar Bregu I Stuhisë(Cebtomentosa), për shkak të stuhisë dhe erërave të fuqishme në të cilat ka hasur gjatë lundrimit rreth saj. Dijazi ka vërejtur që bregu kthehet kah verilindja dhe për këtë arsye ka vendosur të kthehet në Lisabon.
Pas tij, me të njëjtën rrugë, ka ecur Vasko de Gama. Ka kaluar rreth Kepit të Shpresës së Mirë dhe me vështirësi të madhe ka vazhduar rrugën deri në Malindi Kambi (Kenija e sotme). Këtu, prej detarve mysliman,është informuar se India gjendet në largësi prej rreth 600 ferseh larg kontinentit të Afrikës. Në Malindi, Vasko de Gama qëndroi disa javë duke menduar si të kalojë Oqeanin Indian, për të cilin ka pasur njohuri të pakta,dhe të arrijë në brigjet perëndimore të Indisë. Ishte më se e sigurt se udhëtimi i Vasko de Gamës këtu do të përfundonte. Mirëpo, duke iu falënderuar marrëdhënieve të mira në mes të tij dhe mbretit kambijas, si dhe marrëdhënieve të mira me pilotin Shihabudin Ahmed ibn Maxhidit, njohës i mirë i Oqeanit Indian, Vasko de Gama ka vazhduar rrugën dhe ka arritur në brigjet perëndimore të Indisë më 14 maj 1498,pa vështirësi të madhe. Vasko de Gama me atë rast ka qenë i habitur me shkathtësinë e udhëheqësit mysliman dhe me diturinë e tij për orientim me ndihmën e yjeve.
Deri në atë kohë portugezët për orientim kanë shfrytëzuar Diellin, çka do të thotë se udhëtimi i tyre gjatë natës ka qenë shumë i rrezikshëm.
Historiani Joao de Barros i cili ka udhëtuar me Vasko de Gamën thekson, duke mos përmendur emrin e Shihabuddin Ahmed ibn Maxhidit, se Vasko de Gama e njohu këtë udhëheqës me astrollabin e madh të drurit, me diametër 60 cm dhe busullë. Mirëpo, e gjithë kjo nuk e befasoi ibn Maxhidin, por u befasua lundruesi portugez kur ibn Maxhid ia tregoi hartat detare me sistem koordinativ dhe astrollabin e metalit si dhe instrumente të tjera, me të cilat janë shërbyer lundruesit mysliman.
Shumë historian , duke shkruar për udhëtimin e Vasko de Gamës, pajtohen se udhëheqësi i ekspeditës portugeze ka qenë arab, por nuk pajtohen rreth emrit të tij. Mirëpo, a është ai ibn Maxhidi apo ndonjë arab tjetër,me ndihmën e tij Vasko de Gama ka arritur në brigjet perëndimore të Indis. ثshtë e njohur në qarqet shkencore se termini oqeanografi i pari e ka përdor Shihabuddin Ahmed ibn Maxhid. Nga lëmia e oqeanografisë ka shkruar disa vepra të vlefshme. Në mes tyre, me siguri, më e njohura është "Al-Fevaid". Ai është fryt i eksperiencës së pasur dhe udhëtimit të tij në Oqeanin Indian, në Detin e Kuq dhe Kinez. Këtë vepër në gjuhën frënge ka përkthyer dhe botuar orientalisti francez Gabrijell Ferand (1921-1923). Në këtë libër ibn Maxhid, ka shkruar mbi njohuritë e tij teorike dhe praktike mbi këto detëra,mbi thellësitë e tyre, kanalet, ujëdhesat, gjitë dhe erërat sezonale. Kjo është vepra më e rëndësishme e shkruar në shekullin mesjetar nga lëmia e oqeanografisë. Ajo paraqet njëkohësisht efektin e përparimit të madh të navigacionit mysliman në detari. اdo vepër në shekujt e mëvonshëm, të shkruar mbi gjeografinë e Azisë, siç thekson Joao de Barros, është marrë nga burimet gjeografike arabo-persiane.
Instrumentet shkencore
Rezultate kaq të mëdha myslimanët, i kanë arritur duke iu falënderuar instrumenteve të konstruktuara precize. Gjatë lundrimit në detin e hapur kanë shfrytëzuar gjilpërën magnetike. Disa konsiderojnë se busolla është shpikje kineze, ndërsa të tjerët mendojnë se ajo është greke, ndërsa Gustav Le Ron,në veprën e vet mbi kulturën dhe civilizimin arabo-islam,pohon se busolla është instrument origjinal arab. Në mes të instrumenteve greke,që njëkohëisht janë përdor në detari,kanë qenë: astrollobi dhe armili. Krahas këtyre instrumenteve myslimanët kanë pasur instrumetet e tyre origjinale të cilat i kanë konstruktuar vetë si për shembull: ora e diellit, kolure, katrori etj. Tipi i përsosur i astrollobit "safihah" të Az-Zerkovit ka pasur ndikim të madh te evropianët dhe ka qenë i njohur nga lundruesit evropian disa shekuj me radhë.
Instrumenti "sudas-al-fahri" i Al-Havkudijevit ka qenë bazë e instrumentit bashkëkohor,të njohur me emrin sekstant. Në mes të astronomëve të shumtë mysliman,të cilët kanë konstruktuar një numër të madh instrumentesh në observatoriumin "Sheref al-devle" të Bagdadit,kanë qenë edhe Al-Kavhi dhe As-Sagani.
Për këtë arsye nuk është për t’u befasuar që arabët kanë qenë njohës më të mirë të yjeve dhe janë shërbyer me to për orientim në detin e hapur. Edhe sot, shumë emra të yjeve në gjuhët evropiane kanë bazë arabe si p.sh. Achernar, Aldebaran, Alaid, Altair, Betelguese, Centaurus, Markab, Mirfak, Regal, Famalhut etj.
Ekspozimi ynë do të ishte shumë i gjatë po që se do të flisnim mbi terminologjinë arabe e cila ka kaluar në Evropë dhe këto evropianët i kanë përdor në origjinal.
Madhësia dhe forma e Tokës
Për sa i përket formës dhe madhësisë së Tokës Evropa mesjetar ka qenë shumë e ndarë. Formën e rumbullakët të tokës Augustini i shenjtë e ka konsideruar të pamundur.
Ibn Hordazbeh (ka vdek më 885 e.r.) , Ibn Rusteh (ka vdekur më 903 e.r.), Al-Mesudi, Abu al-Fida dhe shumëtë tjerë, pohimet e tyre mbi formën e rumbullakët të tokës kanë dhënë edhe argumente. Abu al-Fida si argument mbi formën e rumbullakët të Tokës cek se këndi prej së cilës shiqohen yjet në drejtim të veriut rritet nëse shkohet në drejtim të veriut, ndërsa është më e vogël ndaj yjeve të cilët gjinden në pjesën jugore nëse largohemi prej tyre. Këtë kuptim mbi formën e rumbullakët të Tokësa, në të vërtetë, ka treguar lundrimi i Kolombos në drejtim të Perëndimit mund të çojë deri në Juglindje të Azisë dhe Kinës. Gjeografët arabo-islam, pasi kanë konstatuar se Toka ka formë të rrumbullakët, kanë tentuar të masin edhe madhësinë e saj. Greku Eratosten është i pari i cili ka arritur përafërsisht të matë gjatësinë e meridianit në mes të dy poleve dhe, përmes kësaj edhe madhësinë e tokës. Ai ka vërejtur se gjatë verës Dielli gjendet në zenit mbi Asuan, ndërsa devijon për një të pesëdhjetën e rrethit mbi Aleksandri. Për të fituar perimetrin e tokës sipas meridianit, ai gjatësinë në mes të Asusit dhe Aleksandrisë e ka shumëzuar me pesëdhjetë dhe ka konstatuar se gjatësia e meridianit është 66,2 milje.
Matja e gjatësisë së meridianit nga ana e arabëve ndaj matjes së grekve dallohet nga që arabët dretpërsëdrejti e kanë matur largësinë e dy pikave në provincën Sergjov në Irakun Verior. Matja është bërë gjatë kohës së halifit Al-Me'mun, nën kontrollin e djemve të Musa ibn Shakirit, astronomëve dhe matematicientëve të njohur mysliman. Rezultati i matjeve ka qenë 56.625 milja arabe. Këtë rezultat pastaj e kanë shumëzuar me 360 dhe në këtë mënyrë kanë fituar perimetrin e Tokës nëpër pole e cila shumë pak dallohet nga gjatësia e vërtetë e matur në të njëjtin vend.
Shkencëtarët grek kanë pohuar se Toka është e palëvizshme, që nuk lëviz dhe gjendet në qendër të kosmosit. Këto pohime të tyre kanë pranuar edhe shumë gjeograf arab. Por ka pas të tillë, të cilët kanë hudhur sistemin gjeocentrik. Në mesin e tyre padyshim janë: As-Singjari, Ash-Shirazi, Abu al-Feregj, Ash-Shami etj. Kuptimi mbi sistemin heliocentrik te mendimi arabo-islam ka paraprirë disa shekuj para asaj evropiane, dhe në të vërtetë, ka qenë udhë për Kopernikun,i cili në gjysmën e shek. 16 ka vërtetuar se Toka dhe planetet tjera rrotullohen rreth Diellit. ثshtë për tu befasuar se Koperniku është vonuar në vërtetimin mbi lëvizjen e trupave qiellor deri në gjysmën e shek. 16, krahas bazave shkencore të hershme myslimane.
Hartografia
Arabët kanë vërejtur se harta është vegël më e rëndësishme në duart e gjeografëve dhe për këtë arsye kësaj dege të gjeografisë ia kanë kushtuar rëndësi të posaçme. Muhammed ibn Musa al-Havarizmi dhe Al-Behli janë në mes të gjeografëve të parë arabo-islam të cilët veprat e veta i kanë plotësuar me harta gjeografike. Krahas veprës së Al-Havarizmit "Suret al-erd" gjendet përmbledhja e hartave gjeografike,ndërsa krahas veprës së Al-Belhit "Suver al-ekalim", teksti origjinal i të cilit është humbur, gjendet edhe atlasi i parë arab. Gjatë kohës së halifit Al-Me'mun një grup shkencëtarësh mysliman ka punuar në përpilimin e hartës gjeografike të cilën Al-Mesudi e ka emërtuar "As-shra al-Me'munija". Si bazë për përpilimin e saj ka shërbyer gjeografia e Ptolomeut. Ajo ka qenë më e mirë dhe më e qartë ndaj hartave gjeografike të Ptolomeut, Marinos dhe hartografive të tjera antike. Edhe pse arabët nuk kanë qenë origjinal në hartografi, ata kanë ruajtur trashëgiminë e vjetër nga hartografia. Ata fuqimisht kanë qenë nën ndikimin e hartografisë greke, posaçërisht të Ptolomeut ,të cilët i kanë shumë borxh si edhe Evropa. Harta gjeografike e Al-Idrisit (vit. 1154) është gjurmë e vetme e hartografisë.
Hartat gjeografike arabe kanë qenë më të mira, më të qarta dhe më shumë janë përputhur me argumente shkencore,se ato harta gjeografike evropiane të shekullit mesjetar, në të cilët kryesisht ka dominuar mitologjia fetare (Mappae Mundi). Gjurmët mitologjike shifen qartë në hartat gjeogrrafike të Psalterit (rreth vit. 1200), Hetorfordit (1280) Marina Sanotoa (1321), Estea (1459) etj.
Edhe pse të kufizuar, hartografët evropian nuk kanë lënë pas dore njohuritë myslimane,të cilat ata i kanë arritur në këtë degë shkencore. Ndikimi i hartografisë islame është mjaft e theksuar në hartat gjeografike të Mas Marina Sanotoes, me të cilën sqaron bllokadën ekonomike të botës islame. Kraqkovski konsideron se kjo është kopje nga atlasi botëror islam.
Kulminacionin e vet hartografia evropiane e ka arritur me paraqitjen e të ashtuquajturës harta detare "Portoloni". Edhe në këto harta shifen gjurmët e gjeografisë myslimane dhe gjurmët e hartave detare myslimane për udhëtim nëpër Oqeanin Indian. Kimble në veprën e vet "Geography in the middle ages" thekson se në hartën gjeografike të botës, të cilën e ka profektuar Este më 1450 nuk shifet ndikimi i Ptolomeut ,por gjurmët e arabëve dhe e hartografisë së tyre.
Në fund mund të themi se rrënjët e hartografisë bashkëkohore gjenden larg,pra në të kaluarën e hershme. Arabët dhe myslimanët gjatë mesjetës kanë qenë levë në mes të së vjetrës dhe të resë. Ata kanë ruajtur traditën dhe kanë begatuar gjeografinë me zbulime të reja gjeografike, me isntrumente origjinale të navigacionit,me të menduarit e lirë etj. Kontributi dhe ndikimi i tyre në mendimin shkencor mbi gjeografinë ka zgjatur deri në kohën e renesansës evropiane dhe të zbulimeve të mëdha gjeografike.