Kuptimi i drejtë i hadithit që flet për mangësitë e femrës

Besoj se duke folur rreth një teme të tillë, do të përpiqemi të kurojmë praktikisht një problem tejet  të rëndësishëm. Kjo temë mbi të cilën do të flasim, përbën një nga sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet gruaja në shoqëritë myslimane. Çdo banorit të perëndimit i është mbjellur ne mendje se Islami është shumë përbuzës dhe tiran ndaj gruas. Fatkeqësisht edhe disa myslimanë fanatik kanë rënë në teoritë e perëndimorëve të cilët gruan e konsiderojnë si person i dorës së dytë, duke u arsyetuar se përkrahës i ideve të tyre është Islami.

Ata idetë e tyre i argumentojnë me hadithin e Pejgamberit a.s : ” Gratë janë me mendje dhe besim të mangët.”  

Hadithi është i vërtetë, mirëpo nëse e marrim pa e analizuar mirë e mirë atëherë do të gabojmë pasi që në Islam si mashkulli ashtu edhe femra janë pjesëtarë dhe anëtarë të sojit njerëzor dhe Kur`ani pandryshueshëm i quan ata ndihmëtarë e shoqërues të njëri-tjetrit. Si të tillë pra të dytë së bashku si qenie njerëzore, burrat dhe gratë janë të barabartë në kamjen e të drejtave dhe obligimeve të njëjta. Sikur të ishte ashtu siç disa të “mençur” e kuptojnë hadithin atëherë padyshim se All-llahu xh.sh do ta dallonte femrën nga mashkulli në shumë sfera, pasi që nuk mund të jetë i njëjtë si i mençuri i  marri.

Mirëpo All-llahu xh.sh thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zeqatin, respektojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë All-llahu. All-llahu është ngadhënjyes, i urtë.” (Teube, 71) Pra obligime të njejta si për mashkullin ashtu edhe për femrën.

Pastaj femra është e obliguar me detyrën më të shenjtë, rritjen dhe edukimin e fëmijëve prandaj ajo do duhej që këtë detyrë ta kryejë me përpikshmëri. Vallë sikur të jetë ashtu siç thotë hadithi, Zoti do ta kishte obliguar femrën më këtë obligim i cili kërkon një aftësi të madhe? 

Kuptimi i hadithit:

Vërtetë që në hadithet e Pejgamberit a.s fshihen urtësi të shumta, mirëpo jo çdo njeri mund ti kuptojë. I këtillë është edhe hadithi i lartpërmendur ku Pejgamberi a.s thotë: “Gratë janë me mendje dhe besim të mangët” Ky hadith është i vërtetë dhe transmetohet edhe nga Buhariu edhe nga Muslimi.

Mirëpo mënyra se si është kuptuar ky hadith është gabim, pasi që ky hadith nuk ka për qëllim dobësin e femrës dhe injorimin e saj, por ky hadith na tregon natyrshmërinë e gruas nga ana e krijimit. Gruaja nga natyra e sajë është krijesë që e mbizotërojnë emocionet, kjo nga shkaku se Zoti i ka ngarkuar gruas funksione dhe detyra të ndjeshme, si shtatzania, gjithënia, rritja dhe edukimi i fëmijëve, funkcione të cilat nuk kryhen me anë të mendjes por me anë të emocioneve.

Psilkologu Dr.Fredrik Kohin thotë:“Femra ruan disa karakteristika të fëmijës jo vetëm në trupin e saj, por edhe në natyrën dhe psikikën e saj. Sikur të ndryshonte në shumë aspekte nga fëmija, ajo nuk do të mund të ishte nënë e mirë. Falë ndjenjave të saj fëmijërore, ajo kupton kërkesat e fëmijës, përderisa burri është larg logjikës dhe ambientit të fëmijës për shkak të avancimit të tij mendor. Kurse ajo “mbetet” si fëmija dhe e kupton atë më mirë se burri. Ndjenjat e saja mbizotërojnë logjikën e saj dhe ato janë më të shprehura se sa aktiviteti i saj mendor, ngase ajo është e formuar më shumë të bartë se sa të imponojë, më shumë pranon të nënshtrohet se sa të sundojë. Syri i saj i kujdesit është në mes të burrit dhe fëmijës. Kështu ajo në familje është qendër për të ruajtur harmoninë në mes të anëtarëve të saj të cilët bartin dëshira të ndryshme.” 

Gratë në dituri

Përmes historisë islame, shohim se gratë myslimane kanë marrë pjesë në ndërtimin e shkencave të ndryshme. Bile gratë myslimane ishin prezente edhe në shkencën më të rëndësishme, në transmetimin e haditheve. Dijetarët nuk kanë refuzuar asnjë hadith si jo korrekt për shkak se tranmetuesi ishte një grua, e padyshim se nëse hadithi i lartpërmendur do të ishte ashtu siç shihet në shikim të parë gruas nuk do të ju lejonte marrja me hadithin dhe transmetimin e tij. Pastaj  nuk ka dijetarë që njihet se ka refuzuar një transmetim për shkak se transmetuesi ishte një grua. Shumë vepra nga suneti u pranuan nga Ummeti mysliman nga një grua e vetme nga sahabijet e Profetit. Asnjë nga dijetarët e sunetit nuk mund të mohojë këtë fakt.

Vetë Pejgamberi a.s për shumë çështje u konsultonte me gratë e veta, prej të cilave në të shumtën e rasteve gjente rrugëdalje. Shembull e kemi marrjen e këshillës nga Ummu Selemja në ngjarjen e Hudejbisë. Pasi Profeti a.s e kishte nënshkruar marrëveshjen e Hudejbisë, u kërkoi myslimanëve të thernin kurbanet dhe të rruajnë flokët e kokës, njëlloj sikur ta kishin kryer umren pasi që nuk u lejuan ta kryenin nga ana e mushrikëve. Edhe pse Pejgamberi a.s i urdhëroi, asnjë nga shokët e tij nuk u ngrit. Ishte hera e parë që diçka e tillë ndodhte. Pejgamberi a.s ua përsëriti urdhrin tre herë, por asnjëri nuk u ngrit. I zemëruar, Pejgamberi a.s hyri në çadrën e tij ku ndodhej Umu Seleme. Ai i tha:”Mjerë këta njerëz!” Umu Seleme i tha:”O i dërguar i Allahut! Këtë e kanë bërë nga dashuria që ndjejnë për fenë. A të të jap një mendim më të mirë o i dërguar i Allahut?” Profeti a.s i tha:”Po o Umu Seleme.” Umu Seleme i tha:”O i dërguar i Allahut! Nëse dëshiron që t’i rruajnë flokët, fillo ti i pari dhe rruaji flokët e tu dhe mos i fol askujt, qoftë dhe një fjalë!”

A është e logjikshme që një grua t’a këshillojë dhe orientojë Profetin a.s si të sillet? Pas kësaj a mund të thuhet se islami e ka diskriminuar dhe ia ka shkelur të drejtat gruas? Kur e dëgjoi sugjerimin e Umu Seleme, Profeti a.s i tha:”Më ke dhënë një këshillë të vyer o Umu Seleme.”

Pra gruaja në Islam është e vlefshme dhe me dinjitet! E përfaqëson komplet shoqërinë, ngase është gjysma e saj dhe ndërtuesja e gjysmës së tjetër të shoqërisë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme