Opinioni i GJND-së shans i mirë për Kosovën

   Për këtë opinioni i GJND-së.  është një shans shumë i mire, të cilin diplomacia kosovare duhet ta shfrytëzoj për sensibilizimin e opinionit  ndërkombëtar për njohjen e pavarësisë. Këtë duhet bërë pa asnjë vonesë, jo duke dërguar letra, ashtu siç u tha ditë më parë, por duke ndërmarrë një ofensivë diplomatike për  vizita të niveleve të larta, në shumicën e vendeve të botës.

 Me këtë rast vlen të theksohet se duhet zgjedhur me urgjencë ato qendra të botës, të cilat mund të ndikojnë në vendet tjera. Se çështja është e ngutshme dhe nuk toleron vonesë, po përmendi një mori  shkrimesh  të botuara në të përditshmen autoritative të Kajros, “el-Ahram”, e cila prej kohës së shpalljes së pavarësisë, qe më shumë se dy vjet, nuk ka patur aq shumë shkrime për Kosovën se sa që është shkruar këto ditë. Edhepse gazeta në fjalë është gjysmë zyrtare dhe paraqet mendimin e qeverisë egjiptiane, ajo nuk la pa kritikuar qëndrimet e deritanishme të qeverisë egjiptiane për qëndrimin e saj mospërfillës lidhur me çështjen e Kosovës, në veçanti pas shpalljes së pavarësisë saj. Andaj, ky është një moment të cilin duhet shfrytëzuar për ta fituar një përparësi, të cilin na  ka ofruar GJND-ja, që në qendrat e mëdha botërore, siç është Kajroja  të marrim ofensivën diplomatike për t’ia ndalur hovin Serbisë, e cila nën pretekste të ndryshme kishte primatin së pari në Kajro e pastaj edhe në një numër të konsiderueshëm të vendeve  tjera arabe. 

Kajro, përveç se është kryeqytet  80 milionësh i Egjiptit, ajo është seli e Ligës Arabe, ku marrin pjesë 22 shtete me një popullatë  340 milionëshe, andaj ndryshimi i qëndrimit të saj do të thotë një kthesë e madhe edhe në shtetet tjera. Tash, sa i përket botës arabe, gjendja është shumë më e volitshme, kur dihet se 8 shtete të Ligës Arabe e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, disa prej tyre kanë peshë dhe autoritet në politikën arabe, siç është Arabia Saudite.

Në këtë drejtim duhet të vendosen kontakte edhe me vendet e Magrebit, ku gjenden tri shtete të mëdha: Maroku, Algjeria dhe Tunizi. Përfaqësuesi i Marokut në GJND  ishte në mesin e katër gjykatësve që votoi kundër. Kjo nuk duhet të na habit kur dihet se  Maroku, ashtu edhe Algjeria, kanë rezerva ndaj pavarësisë së Kosovës për shkak të problemeve të brendshme që ato kanë brenda vendeve të tyre. Maroku me Polisarion, kurse Algjeria me pakicën amagazite me origjinë berbere. Por, kjo nuk do të thotë se qëndrimet e tyre janë të pandryshueshme, kur atyre t’u shpjegohet se çështja e Kosovës, është krejtësisht ndryshe nga problemet e vendeve të tyre, ashtu siç u përmend edhe në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Për këtë, ashtu siç thotë populli, hekurin duhet rrahur sa është i nxehtë, edhe diplomacia kosovare lypset të veprojë me shpejtësi, duke mos i dhënë shans diplomacisë serbe për veprim dhe duke deklasuar propagandën e saj. Opinioni i GJND-së,  është një shans, të cilin duhet shfrytëzuar për njohjen dhe afirmimin e Kosovës në të gjitha meridianët  e botës.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme