Tym para zjarrit në Bejrut



Sa’d el-Hariri është i biri i ish kryeministrit libanez që u vra në mes të Bejrutit nga shpërthimi një bombe të tmerrshme. Si inxhinier i ri kishte shkuar në Arabinë Saudite dhe për më pak se dy dekada fitoi miliarda dollarë. Me ndihmën e Saudëve kthehet në Bejrut, fiton zgjedhjet dhe bëhet kryeministër i Libanit. Edhe pse shquhej me politikën e tij të mençur, el-Hariri baba, sikur edhe shumë kryeministra tjerë para tij nuk arriti dot ta stabilizoj vendin. Për vrasjen e tij, gishti drejtohet kah Siria, ndërsa kjo e fundit edhe më tutje akuzon Izraelin. Edhe pas katër vitesh, GJND-ja ende nuk arriti fundin.

El-Hariri i dytë, Sa’di pra, pas vdekjes së babait, në zgjedhjet e para fiton postin e kryetarit të partisë, e menjëherë pas tyre, në zgjedhjet parlamentare arrin të bëhet kryeministër i Libanit. Gëzon përkrahje të fuqishme nga shtetet e pasura të Gjirit Persik, ndërsa SHBA-të për te dhe politikat e tij tregojnë një interesim të posaçëm.

Dihet mirëfilli, pushtetet në Liban janë të ndarë në tresh dhe atë sipas përkatësisë fetare dhe sektare: Qeverinë e udhëheqin myslimanët sunnit (të mbështetur nga Arabia Saudite), parlamentin shiitët (mbështeten nga Siria dhe Irani), ndërsa presidenca u takon të krishterëve marunit (kanë mbështetjen e Francës). Durzët, edhe pse pretendojnë të jenë faktor, për shkak se një pjese të tyre që jeton në Izrael ka një afërsi të theksuar me qeveritë izraelite, në Liban nuk kanë arritur të vejnë fërkeme të rëndësishme. Durzitët e Izraelit janë të përfaqësuar edhe në Kneset andaj ata refuzojnë kategorikisht të jenë kartë bisedimesh mes shteteve në rajon. Ndarja e pushteteve sipas përkatësisë fetare po provohet edhe shtetin ku Eufrati e ndanë në dysh. Sipas analitikëve, një politikë e tillë që po iniciohet në Irak do të dështojë për aq sa është e dështuar përvoja libaneze.

Ardhja në Bejrut e Asadit të Sirisë bashkë me mbretin e Saudisë, kësaj radhe ka një domethënie të posaçme. Pesha dhe rëndësia e kësaj vizite të “papritur” do të kuptohet atëherë kur të dihet përgjigjja e këtyre tri pyetjeve: Si do të ndjehen aleatët e secilit lojtarë veç e veç të këtij “tandemi” të ri? Çfarë qëndrimi do të mbajë Irani për mikeshën shumëvjeçare Sirinë, dhe çfarë Egjipti, vëllai për nga interesat i Saudisë në Lindjen e Mesme? A thua si do të ndjehen Irani dhe Egjipti kur dalëngadalë po ulën në bankat e rezervistëve tani pas prezencës ditë e më shumë të Turqisë në rajon, ose, si do ta përjetojë Irani dritën e gjelbër të cilën dje e ndezi Liga Arabe për bisedime direkt mes palestinezëve dhe Izraelit. Hamasi i cili pas Hizbullahut llogaritet si aleati i dytë i Iranit në rajon këtë herë do të jetë jashtë loje. Ata mund të qëndrojnë brenda fushës vetëm nëse edhe më tutje nga Rripi i Gazës kundërshtojnë bisedimet me Izraelin, dhe kështu të prishin llogaritë në Ramallah të Abasit dhe partisë së tij në pushtet. Ajo çka e përshkon vizitën e mbretit të Saudisë është edhe fillimi i realizimit të një projekti i cili kohë më parë përmendet në qarqet diplomatike të shteteve të moderuara arabe. Fjala është se si të tërheqin Sirinë nga Irani shtet i cili nëpërmes Hizbullahut ekspozon një forcë që aspak nuk mund të nënvlerësohet në Lindjen e Mesme.

Kohëve të fundit po diskutohet mjaft rreth qëndrimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në rastin Hariri. Prokurorët nga Haga, ditë e më shumë po “vërtetojnë” se Siria do të jetë përgjegjëse kryesore për shpërthimin fatkeq të Bejrutit. El-Hariri i ri patë deklaruar se përderisa nuk dalin para gjyqit vrasësit e babait të tij, nuk do të ketë qetësi në rajon. Nëse kjo ende qëndron, atëherë si do të zhvillohen bisedimet ndërmjet sirianëve që po akuzohen për këtë vrasje dhe Libanezëve të cilët një kohë të gjatë kërkojnë dorasit pikërisht në Siri? Pika tjetër për të cilën po bisedohet, është edhe gjetja e mundësisë për një afrim qëndrimesh të cilat do të hapnin rrugën e një marrëveshje të mundshme mes dy vendeve. Pak janë ata që pohojnë se përafrimi i pozicioneve mes Libanit dhe Sirisë do të ndikojë në vendimet e gjyqit të Hagës.

“Veliahdi” i Arabisë Saudite, para se të mbërrijë në Damask më parë ishte ndalur në Aman ku kishte marrë bekimin e Abdullahut, mbretin të Jordanisë.Vetëm dy ditë para kësaj vizite, pa asnjë lajmërim paraprak, në rezidencën e vet Abdullahu kishte pritur Natanjahun, kryeministrin e Izraelit. Kjo vizitë ishte kritikuar tepër ashpër nga partitë politike të vendit, megjithatë, sipas kushtetutës, mbreti nuk gabon dhe si i tillë është i paprekshëm. Kësaj radhe Arabia Saudite, ka shumë punë për të bërë. Para saj qëndron Irani, lëkura e ujkut mbi kokën e arabëve, pastaj Turqia që po shtrinë ndikimin e saj jo vetëm shtetet e Kafkazit por edhe në Lindje të Mesme. Detyrë tjetër që domosdo duhet të kryejnë sauditët është edhe përgjigjja që duhet t’i japin aleatit të tyre në kufi me Rripin e Gazës. Egjipti, sigurisht që do të ndjehet i anashkaluar nga zhvillimet e fundit. Ani pse ky shtet është kritikuar ashpër për shkak të mbylljes së kufirit me Gazën, apo siç e quajti një diplomat anglez, burgu më i madh në botë, Kajroja zyrtare nuk do të rrijë duarkryq. Ajo nuk do të pranoj të mbetet vetëm spektatore ndaj ngjarjeve të reja, tek e fundit ajo konsideron që më së shumti ka “hjek”nga luftimet e përgjakshme që me vite po zhvillohen në Gaza.

Roli i ri i Turqisë në rajon po shikohet nga dy prizma. Nga njëra anë Turqia po shihet si një forcë e re e cila pozitivisht po ndikon në politikat e rajonit, nga ana tjetër ky vend ende shihet si “ therësi pas shpine” të arabëve. Sipas këtij mendimi Turqia nuk është asgjë më shumë se sa një “Iran i ri” që për shkak të ekspansionit të politikës persiane në rajon, donë të ndalë hovin e mollahëve që i ka në kufi, por kësaj radhe, nëpërmes zhytjes dhe zgjerimit të politikës së saj në Lindjen e Mesme!

Cilado qoftë e vërtetë, pritja e Mbretit Abdullah që po zbriste nga shkallët “me lift” të aeroplanit dorë për dorë me el-Asadin, ishte pritje spektakolare. Para se të mbërrinte aeroplani, për orë të tëra syrat e kamerave të kanaleve televizive zinin zyrtarët me protokoll duke rregulluar dikush kravatat, dikush kostumet e dikush tjetër shamijat e bardha mbi kokat e arabëve që fluturonin nga era e cila rrihte Aeroportin e Bejrutit. Bejruti, me muaj po jeton në ankth. Parisi i dikurshëm e Lindjes së Mesme edhe një herë është duke u dridhur nga frika e fillimit të një lufte të re qytetare.

(Ky tekst, me datë 1 Gusht 2010, është botuar tek e përditshmja ZËRI)



RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme