BURIMET E GJUHËS LETRARE ARABE*

Kur’ani Fisnik

Kur’ani konsiderohet burimi kryesor dhe argumenti më bindës për vënien e ndonjë rregulli mbi gramatikën e gjuhës arabe dhe shkrimin e këtyre rregullave. Kjo, sepse sipas mësimeve Islame, Kur'ani është fjalë hyjnore e shpallur nga Zoti i gjithësisë, përmes engjëllit Xhebrail, profetit të fundit të njerëzimit, Muhamedit a.s. të cilin e zgjodhi Krijuesi i gjithësisë për t’i bartur mbarë njerëzimit shpalljen e fundit hyjnore. Vetë Muhamedi a.s. ngarkonte me detyrën e regjistrimit të gjithë asaj që shpallej, menjëherë pas shpalljes, njerëzit më besnik të shkrimit si Uthmanin (Osmanin), Aliun, Zejd bin Thabitin, Ubejj bin Ka’bin r.a., etj. Shpallja e Kur'anit zgjati për 23 vjet dhe kjo ishte e ndarë në dy periudha:

a) – Periudha e Mekës – fillon, rreth vitit 610 e. s. duke vazhduar deri në vitin 622 e. s. Përmbajtja e pjesëve të shpallura në Mekë ka të bëjë kryesisht me pastrimin e besimit nga politeizmi dhe idhujtaria, duke i thirrur njerëzit në monoteizëm, të besojnë një Zot të vetëm. Flasin edhe për ringjalljen dhe daljen para Krijuesit të gjithësisë dhe dhënien e llogarisë në Ditën e Gjykimit, para Gjykatësit suprem dhe absolutisht të drejtë. Ata që bëjnë vepra të mira përgëzohen me lumturi dhe parajsë, ndërsa keqbërësit kërcënohen me mjerim dhe ferr. Suret e shpallura në Mekë, janë kryesisht të shkurtra dhe karakterizohen nga një rimë e nivelit të lartë, madje më e larta që kanë njohur ndonjëherë arabët, prandaj edhe konsiderohet burimi kryesor i gjuhës letrare arabe.
b) – Periudha e Medinës – fillon pas shpërnguljes së profetit Muhamed a.s. nga Meka në Medinë më 622 e. r. Suret e Kur'anit të shpallura në Medinë janë kryesisht të gjata dhe kanë të bëjnë kryesisht me norma dhe rregulla për organizimin e jetës së muslimanëve, duke i ilustruar herë-herë me ngjarje të ndryshme nga popujt e mëhershëm dhe profetët e mëparshëm. Këto sure kryesisht flasin fillimisht për nxitjen për vepra të mira, për përcaktimin e normave dhe rregullave, të cilat do t’i përmbahet shoqëria Islame, rregullat brenda familjes, normat e martesës, trashëgimisë, divorcit, mirësjelljes ndaj prindërve. Po ashtu përmenden edhe rregullat sociale-ekonomike si: shit-blerja, garancitë financiare, trajtimi i borxheve, shoqëritë ekonomike të përbashkëta (sh. a.), zeqati, lirimi i robërve. Po ashtu përmenden edhe sanksionet e ndryshme si dhe procedurat e lejimit ose ndalimit të një gjëje. Krahas këtyre udhëzimeve normative nuk mungojnë udhëzimet e përmendura në suret e shpallura në Mekë që kanë të bëjnë me pastrimin e besimit, rregullat e adhurimit qoftë individual apo kolektiv.
Këto sure, jo të gjitha janë të rimuara si suret e shpallura në Mekë, por kryesisht janë të renditura në prozë. Ka edhe prej tyre sure të shkurtra, të cilat kryesisht janë të renditura në fund të Kur’anit, siç është rasti me suret: Insaan, Bejjineh, Zilzele, Nasr, Felek, Naas.
Kur’ani përbëhet nga gjithsej 114 sure. Për të lehtësuar leximin është i ndarë në tridhjetë pjesë të njohura te muslimanët si xhuz’e dhe secili xhuz’ ndahet në dy hizbe, e secili hizb në katër pjesë të njohura si të katërta (4/4).
Ka raste ku në disa sure jo të gjithë ajetet janë të shpallur vetëm në periudhën e Mekës ose Medinës, por brenda të njëjtës sure ka ajete të shpallura edhe në Mekë edhe në Medinë.
Muslimanët edhe në ditët tona besojnë se Kur'ani është i pandryshueshëm deri sa të ekzistojë bota. Deri tani teksti integral i Kur'anit nuk ka pësuar asnjë ndryshim që nga koha e përfundimit të shpalljes së tij.
- Studiuesit e gramatikës arabe ishin unanim për argumentimin e ndonjë rregulli nëse është i qëlluar me dialektet e (mënyrat e të lexuarit të) Kur’anit.
Edhe pse ata mund të lexoheshin në mënyra të ndryshme, të gjitha ishin të transmetuara besnikërisht dhe nga njerëz të dëshmuar për besnikëri, dhe mbështeteshin në shkrimin e Mus-hafeve (kopjeve bazë) të cilat u shkruan nën përkujdesjen e Uthmanit•.
Këto kopje janë më të sakta për t’u argumentuar me to, se sa çfarëdo lloj fjale tjetër e cila nuk është nga përmbajtja e Kur’anit. Vlen të përmendet këtu se ndër shkaqet kryesore të ruajtjes së Kur’anit të pandryshuar është edhe nxënia përmendësh e tekstit të tij në tërësi. Kjo traditë vazhdon edhe në ditët tona nga muslimanët e mbarë botës, madje ka edhe nga shqiptarët, (vetëm në muftininë e Tetovës janë të regjistruar rreth 350 hafizë , në rrethinën e Shkupit ka fshatra ku shumë familje kanë nga një hafiz, madje ka raste kur brenda të njëjtës familje ka nga tre e më tepër hafizë, siç është rasti me fshatin Studeniçan), të cilët e dinë tërë tekstin e Kur’anit përmendësh. Ndërsa fragmente ose kapituj të tërë dinë përmendsh një numër i konsiderueshëm i muslimanëve në tërë rruzullin tokësor.
Radhitja e tekstit të Kur’anit u bë nga vetë Muhamedi a.s. sipas udhëzimeve hyjnore, dhe gjenerata e tij e mësonin përmendësh nga vetë Muhamedi a.s.
Ndër komentuesit më të njohur të Kur’anit, i pari përmendet vetë Muhamedi a.s. i cili ua sqaronte besimtarëve përmbajtjen e pjesëve të caktuara të Kur’anit. Pas Muhamedit a.s. si më të njohur përmenden dhjetë komentues: hulefai rashidinët, Ibn Mes’udi, Ubejj ibn Ka`bi, Zejd ibn Thabiti, Ebu Musa Esh`ariu, Abdull-llah ibn Zubejri dhe Ibn Abbasi. Më pas, me kalimin e kohës, komentimi i Kur’anit u bë shkencë më vete.
Përveç transformimit të arabishtes në gjuhë të fesë së shpallur, në rrafshin gjuhësor, Kur’ani pasuroi gjuhën arabe me fjalë të reja të cilat nuk ishin dëgjuar më herët, si p.sh. :الفرقان ، الكفر ، الايمان ، الاشراك ، الإسلام ، النفاق ، الصوم ، الصلاة ، الزكاة ، التيمم ، الركوع ، السجود. Përveç këtyre, Kur’ani nuk ndërhyri vetëm në fondin e fjalëve të arabishtes, por ndryshoi edhe mënyrën e rrëfimit të ngjarjeve të mëhershme të cilat i trajtonte, ngjarje të cilat arabët nuk i kishin dëgjuar më herët. Thirrja që i drejtohet mbarë njerëzimit për njësimin - "teuhidin" e Allahut, mënyra e përshkrimit të krijimit të universit, krijimi i qiejve e tokës, natës e ditës, etapat e krijimit të njeriut, përshkrimi i krijimit të fetusit që nga çasti i ngjizjes e deri në lindje, etj.
Në vijim po përmendim disa qëndrime të disa njerëzve të njohur rreth Kur’anit:
-"Kur’ani është simfoni unike, tingujt e së cilës i kanë shtyrë njerëzit deri në lotderdhje dhe ekstazë" (Marmadjuk /Muhammed/ Pikthal).
-"Unë shpresoj se s’do të kalojë shumë kohë, kur të urtët e botës do të bashkohen dhe do t’i zgjidhin problemet e botës, sipas parimeve të Kur’anit. Vetëm ato janë të drejta dhe i garantojnë njerëzimit lumturinë" (Napoleon Banaparti).
-"Në sy të Kur’anit, nuk ka ndonjë dallim, një mbret me fuqi të madhe, nga një i vobektë i mjerë. Mbi këto themele dhe në të tilla baza, është trupëzuar dhe kompozuar ligji themelor i Sheriatit, i cili nuk ka shembull në botë" (Edward Gibon).
-"Ne gjejmë, madje, edhe nga të krishterët, si p.sh. Alvari spanjoll, i cili, edhe pse është i njohur për fanatizmin e tij kundër Islamit, pranon se Kur’ani ka stil elokuent dhe të bukur. Të krishterëve, nuk u mbetet tjetër, veçse ta lexojnë Kur’anin dhe të mrekullohen prej tij" (Sir Thomas W. Arnold).
-"Islami s’ka nevojë për pendën tonë, sado që penda jonë të arrijë elokuencën dhe përshkrimin. Penda jonë ka nevojë për Islamin, për pasurinë e tij shpirtërore dhe morale që përmban ai, ka nevojë për Kur’anin e mrekullueshëm, nga i cili mund të mësojmë shumë. Kjo gjuhë që deshi Allahu (të jetë gjuhë e Kur’anit) është gjuhë e përkryer, kulmi i saj është Kur’ani, i cili është maja e majave, sepse ai është fjala e Allahut" (një autor i krishterë libanez).
-"Kur’ani fisnik është krenaria e arabëve në gjuhën e tyre, nuk i është dhuruar ndonjë populli nga popujt e globit libër si ai, as libër fetar e as i përgjithshëm, qoftë nga stili i shprehjes, qoftë nga ndikimi në shpirtërat dhe zemrat e njerëzve. Kjo vihet re qoftë në rastet kur flet për adhurimin e Allahut si një Zot të vetëm dhe madhërinë e tij, ose për krijimin e qiejve e të tokës. Po ashtu kur flet për ringjalljen, dhe kur u përcakton njerëzve rregullat të cilave duhet t’u përmbahen, me të cilat do të arrijnë lumturinë dhe shpëtimin në të dy jetët: në atë të kësaj bote dhe atë pas vdekjes dhe ringjalljes" .
Kur’ani është libër i cili u përcakton muslimanëve rregullat me të cilat duhet ta përputhin jetën e tyre, u përcakton atyre rregullat në familjet dhe shoqërinë e tyre, ku duhet të udhëhiqen nga drejtësia dhe mëshira, nga vëllazërimi i përgjithshëm. I pasuri ndihmon të varfërin me pasurinë e tij. I mëson të ndërtojnë shoqërinë e tyre ku nuk do të ketë dallim mes arabit dhe joarabit, mes të ziut e të bardhit.
Nga sa u përmend, mund të vërejmë se përse Kur’ani ka rëndësinë primare dhe përse konsiderohet burimi kryesor i gjuhës letrare arabe.

Tradita profetike - Hadithi

Hadith quhet krejt ajo që është rrëfyer për Muhamedin a.s. qoftë fjalë, vepër, apo miratim i ndonjë fjale a vepre që është thënë ose është bërë nga dikush në prani të tij ose nga ndonjë paraardhës, e që nuk bie ndesh me normat e Kur'anit .
Hadithi konsiderohet si burimi i dytë autentik pas Kur'anit ku mbështeten arabët për të përcaktuar për ndonjë fjalë se a është e thesarit arab apo jo. Kjo, meqë pas Kur'anit, arabishtja nuk ka njohur ndonjë fjalë që mund të përballet me hadithin për nga lartësia e nivelit të shprehjes, pastërtia e gjuhës, stili poetik, rregullsia e ndërtimit sintaksor, ndërtimi i fjalive, etj .
Hadithi fillimisht ruhej dhe mësohej përmendësh duke u transmetuar gojarisht nga brezi i parë e me radhë, sepse vetë Muhamedi, nuk e pëlqente shkrimin e tij nga droja se mos përzihej me tekstin e Kur'anit, e pastaj nuk do të mund të dallonin njerëzit se cila pjesë është Kur'an - fjalë hyjnore, e cila pjesë është hadith - fjalë ose vepër profetike. Ai i porosiste shokët e tij që t'i mësojnë fjalët e tij dhe t'ua bartin brezave që vijnë pas tyre.
Është e njohur porosia e tij me rastin e hutbes- fjalimit të lamtumirës në Malin Arafat më 632 e.s.: "I pranishmi nga ju le t'ia tregojë këto porosi atyre që nuk janë të pranishëm" .
Për një kohë të gjatë hadithi transmetohej gojarisht nga njëri tek tjetri. Si transmetues më të njohur të hadithit numërohen: Ebu Hurejre, Aisheja, Abdullah bin Umeri, Abdullah bin Amri, Ibn Abasi, Enes bin Maliku, etj. Kështu bartej nga gjenerata në gjeneratë, deri te gjenerata e dytë pas Profetit .
Shkrimi i hadithit fillon që në kohën e vetë Muhamedit, por këtë gjë ia lejoi vetëm një grupi të vogël njerëzish të cilët nuk e kishin shumë të zhvilluar nxënien përmendsh.
Tregohet për një njeri nga radhët e Ensarëve , i cili iu ankua se nuk mund t’i mbante përmendsh porositë e Muhamedit të cilat ia drejtoi popullit me një rast, e ai e porositi atë që "të ndihmohet me dorën e djathtë" (të shkruaj).
Po ashtu me një rast i porositi shokët e tij që t'ia shkruajnë një fjalim të cilin e mbajti para popullit, një Jemenasi i cili nuk mund ta nxinte përmendsh .
Edhe pse kishte raste të veçuara kur ai e lejonte shkrimin e hadithit, ai nuk e lejonte që kjo të përgjithësohej nga droja se mos përzihej me tekstin e Kur'anit .
Përmbledhja e parë e shkruar e hadithit është ajo e Ibn Shihab Ez-Zuhriut, (vdiq më 123 h.) . Pas këtij, regjistrimin e haditheve e vazhduan edhe disa të tjerë duke bërë përmbledhjen dhe klasifikimin e hadithit. Përmbledhjet më të njohura dhe të pranuara nga të gjithë dijetarët në mbarë botën Islame si të sakta janë gjashtë dhe quhen الكتب الستة الصحيحة - /el kutubu es-sittetu es-sahiihatu "të gjashtë koleksionet e sakta". Padyshim se në krye të përmbledhjeve qëndrojnë Buhariu dhe Muslimi. Hadithet e përfshira në këta dy koleksione, janë vetëm hadithe të cilat nuk ka asnjë fije dyshimi se e kanë burimin nga vetë Muhamedi. Kjo është arritur falë kritereve shumë të rrepta që i vunë këta dy dijetarë për ta pranuar një hadith si të saktë.
Pjesë të hadithit kemi të përkthyer edhe në gjuhën shqipe, ku deri tani janë dhjetë vëllime të përmbledhjes së Buhariut me emrin "Sahihul Buhari në gjuhën shqipe". Ka edhe disa përmbledhje të tjera më të vogla të përkthyera por, në ta janë përfshirë kryesisht hadithe për nevoja të përditshme.
Sa i takon hadithit duhen përmendur dy mënyra të ruajtjes së tij: 1. Transmetimi i kuptimit të hadithit, 2. Transmetimi i përpiktë i tij.
Këtu vlen të theksohet transmetimi i përpiktë i tekstit të hadidthit ashtu siç është transmetuar nga vetë Pejgamberi a.s. Rastet e tilla janë të shumta, ku mund të përmendim vetëm disa prej tyre siç janë lutjet e ndryshme, porositë e shkurtra - të cilat kanë marrë formën e fjalëve të urta dhe citohen si nga muslimanët, ashtu edhe nga të tjerët. Pastaj rëndësi të veçantë të pjesës së hadidthit kanë shkresat e ndryshme të cilat ua dërgoi vetë Pejgamberi a.s. personaliteteve dhe udhëheqësve të ndryshëm të asaj kohe, marrëveshjet e ndryshme me fise të ndryshme, besëlidhjet e ndryshme, e të ngjashme.
Hadithi konsiderohet si burimi i dytë pas Kur’anit, meqë vetë hadithi i shtyu studiuesit e ndryshëm të jetës së Pejgamberit a. s. të hartojnë libra të tërë për jetën dhe porositë e tij. Përveç kësaj, këta studiues u morën edhe me jetën e vetë transmetuesve të hadithit. Në këtë mënyrë u shfaqën shkrimet e para historike, të cilat përveç hadithit studionin edhe vetë jetën e transmetuesve në imtësi, për të konstatuar se nëse mund të transmetohet nga ai ose jo.
Hadithit i takon merita e nxitjes së shkrimeve historike dhe hapjes së rrugës për shfaqjen e shkrimeve të ndryshme për dijetarët e secilës fushë në veçanti. Nga sa përmendëm, nuk mbetet vend për dyshim se krahas Kur’anit, Hadithi vjen menjëherë pas tij si burim i gjuhës letrare arabe.
Kjo është vetëm një përpjekje për t’i dhënë një pasqyrë të përgjithshme lexuesit, pa pretenduar se kemi thënë gjithë atë që mund të thuhet për këta dy burime.
_____________________________________
* Ky artikull është botuar për herë të parë në revistën "URA", nr. 1/1, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2008, organ i "Qendrës Shqiptare për Studime Orientale".
www.acfos-albania.org & acfos_albania@yahoo.com

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme