AGJËRIMI - EDUKATË DHE VETËNGADHËNJIM - 1

MUAJI I UDHËRRËFIMIT DHE MËSHIRËS

Muaji i bekuar

Kaloi edhe një vit… Përsëri u kthye Muaji i Bekuar i Ramazanit. Na u kthye meqë shumë diçka kemi harruar, nuk e kemi përfillur pasi që me të madhe u jemi përkushtuar preokupimeve të kësaj bote.

Na u kthye Ramazani dhe ne sërish kemi fat që me më shumë shpirt t’i përkushtohemi ibadetit, t’i jetojmë ditët e tij shumë të bukura dhe netët shumë të ndritshme…! Ç’mendoni, a do të jetojmë edhe kaq dhe përsëri ta pre­sim atë, apo ndoshta në këtë distancë të shkurtër kohore vdekja do të na arrijë dhe ne, ndoshta, më nuk do të takohemi?

A thua ka njeri të cilit All‑llahu i garanton se do t’ia zgjasë jetën, e që edhe vitin e ardhshëm i shëndoshë, me gjendje të mirë materiale, i sinqertë në qëllim, i matur në vendim, ta presë Ramazanin. Por, pasi fati është i panjohur dhe i fshehtë për të gjithë ne, pasi vdekja vjen vetëm për një çast dhe pasi ky çast i caktuar vjenë befas, është një veprim i marrë të shitet ardhmëria për të tashmen, të zëvendësohet bindja me dyshim…!

“Ç'mendon ti, nëse Ne u lejojmë që me vite të dëfrehen dhe në fund t’i gjejë ajo me çka kërcënohen, a thua do të kenë diç nga jeta e ëmbël të cilën e kanë kaluar?” (Esh-Shura, 205-207). “E pse ata nuk mendojnë për Zotin e qiejve dhe të tokës dhe për tërë atë që Ai e ka krijuar, ndoshta fundi i tyre u është afruar? E në cilat fjalë, nëse jo në Kur'anin, ata do të besojnë?" (El-A’raf, 185). Dhe vallë në cilin rast ata shpresojnë? A thua çdo njëri nga ne do të presë derisa nuk do t'i vijë dita në të cilën do të thotë:

“Sunduesi im, më kthe të bëj ndonjë të mirë në atë që e kamë lënë!” (El-Mu’minune, 99-100). Ose do të thotë: 

“Sunduesi im, edhe vetëm pak kohë të më mbashë, që sadakë të ndajë dhe i mirë të jem!” (El-Munafikun, 10).

Jo, kjo nuk do t’i mundësohet askujt. Është e nevojshme që fuqimisht të vendoset dhe të jepet çdo gjë nga vetja, që Ramazani të shfrytëzohet si rasti më i mirë që njeriu t’i përkushtohet ibadetit dhe të bëjë vepra të mira.

Po, ky vërtet është rast i shkëlqyeshëm. A nuk e dini se gjatë vitit është një periudhë që është më frytdhënëse se periudhat tjera, në të cilën gjelbërohen kurorat e drurëve dhe lulet lulëzojnë, periudhë në të cilën fara më lehtë mugullon dhe jep fryte dyfish ose shumëfish më tepër? Kjo është pranvera, të cilën bujqit me gëzim e presin që në të t'i mbjellin arat e tyre dhe t'i kryejnë punët tjera që kanë të bëjnë me agrarin.

Kështu është edhe me Muajin e Bekuar të Ramazanit. Ai është pranverë për shpirtrat. Vlera e çdo vepre të mirë dhe pune të do­bishme të cilën e bën njeriu në këtë muaj, rritet dhe zhvillohet vrullshëm. Agjërimi, na­mazi, veprimet e dobishme, format e ndrysh­me të dhënies e ndihmës dhe synimet tjera mirëbërëse, janë të bekuara dhe sjellin shpër­blim të shumëfishtë. Mjafton vetëm ajo që brenda këtij muaji të bekuar është Nata e Kadrit. “E ç’mendon ti, ç’është Nata e Kadrit? Kjo natë është më e mirë se një mijë muaj.” (El-Kadër:  2-3).

Ndër ne ka edhe shumë të tillë të cilët deri më tash i kanë lëshuar këto raste, e kjo është koha e vërtetë që të inkuadrohen në radhët e musal-live (faltarëve), para se krejtësisht ta humbin rrugën e vërtetë.

E çfarë mundësi të shumta u ofrohen atyre të cilët në ditët e Ramazanit rregullisht praktikojnë që ta shumëfishojnë angazhimin e tyre, që të japin sa më shumë nga vetja dhe të jenë sa më afër idealeve të tyre.

Mirëpo, puna e parë që medoemos duhet ta bëjmë kur ta dëgjojmë këtë thirrje është që të kthehemi pak mbrapa dhe vetë në mënyrë kritike t’i analizojmë rëniet, lajthitjet dhe rrësh­qitjet tona të deritashme, e pastaj të pendo­hemi me një pendim të sinqertë për lëshimet që i kemi bërë ndaj Sunduesit tonë të fu­qi­shëm, të vendosim me një këmbëngulje të thellë që së paku në të ardhmen të jemi lojalë, të zellshëm dhe të qëndrueshëm. Ky është hapi i parë drejt përgjigjes ndaj thirrjes së All‑llahut xh.sh., dhe ky është thelbi i pendimit të cilin All‑llahu e ka bërë garanci të sigurimit dhe shpëtimit në këtë dhe botën tjetër, sikur që vetë All‑llahu, duke iu drejtuar Të Dërguarit të dashur e të mëshirshëm, Muhammedit a.s., thotë:  “All‑llahu ata s’i ka dënuar, sepse ti ndër ta ke qenë; dhe All‑llahu nuk do t’i dënojë derisa ndonjëri prej tyre të lutet me një pendim të thellë që t’i falen mëkatet e bëra.” (En-Enfal, 33). Domethënë, Ummeti (popullata) atëherë ka pasur dy mbrojtës nga fatkeqësia:  i pari, prania e Të Dërguarit në mesin e tyre, dhe i dyti, pendimi i tyre i sin­qertë për mëkatet.  Mbrojtësi i parë që moti nuk është në mesin e të gjallëve të kësaj bote, kështu që na ka mbetur vetëm mbrojtësi i dytë, e nëse edhe këtë e humbim për shkak të mëkateve tona, shkeljes së parimeve e dis­pozitave islame dhe vazhdimit në të këqija e gjëra të ndaluara, do ta humbim kuptimin e vetë jetës sonë, aftësinë e gjykimit të shën­doshë, qetësinë dhe sigurinë tonë shpirtërore, ndërsa pa këto nuk mund të ketë as besim të mirëfilltë .

Pra, aksionin tonë në këtë muaj të bekuar le ta fillojmë me pendim të sinqertë, me lar­gimin e çdo gjëje të shëmtuar dhe me shman­gien nga çdo mëkat: “O Zot, na fal! O Zot, vetë jemi fajtorë ndaj vetvetes, dhe nëse Ti nuk na falë e nuk na mëshiron, ne me sigu­ri do të jemi të humbur!"

Kur këtë hap të gabuar ta përfundojmë me pendim dhe kthim drejt pastërtisë, na mbetet që ta vazhdojmë, ta zbukurojmë, ta përkryejmë dhe ta ndërtojmë këtë synim pozitiv. Po, pasi që t’i pastrojmë zemrat nga errësira e epsheve dhe punëve të liga, duhet t'i mbushim me dritën e urtësisë. Ramazani nuk është vetëm muaj i përmbajtjes dhe i luftës. Ai është diç më shumë se kjo, është muaj i udhërrëfimit e mëshirës…, udhërrëfimit e mëshirës që janë dërguar nga qielli.

Në këtë muaj të bekuar shtëpitë e Zotit janë përplot faltarë, lexues të Kur’ani, udhë­rrëfyes. Aty ka besimtarë që kërkojnë por edhe besimtarë që e duan udhëzimin… Në këtë muaj zemrat e besimtarëve janë përplot mëshirë, ngrohtësi dhe mirësi ndaj varfanja­kut, të rrezikuarit në pikëpamje sociale, jetimit dhe udhëtarit qëllimmirë. Ja, ky është udhë­rrëfimi dhe kjo është mëshira të cilat, duke iu falënderuar diturisë islame, janë shpërndarë anembanë rruzullit tokësor.

Në këtë muaj të bekuar u zbrit Kur’ani, që është rrugë drejtimi për njerëzit, sprovë e qartë e rrugës së drejtë dhe dallimit të mirës nga e keqja. Në të derdhet mëshira dhe plotësohen lutjet: “E kur robtë e mi të pyesin për Mua, thuaju se Unë jam vërtet shumë afër: i përgjigjem lutjes së lutësit kur të më lutet…!” (El-Bekare, 186). Ja, ky është udhë­rrëfimi dhe kjo është mëshira që janë dërguar nga qielli.

O Zot, na bënë të denjë për mëshirën Tënde dhe na frymëzo që ta ndjekim për­udhjen Tënde!

 

Pritja e Ramazanit

Shfaqu oj Hëna e re e Ramazanit! Shfaqu, sepse sytë gjithnjë janë drejtuar lart në qiell duke pritur çastin që të të shohin. Sytë e besimtarëve janë plot dashuri duke shikuar daljen tënde. Disa që nuk e kuptojnë rëndë­s­inë dhe veçanësinë e bukurisë sate, vërejnë: "Ç’është dashuruar aq shumë kjo zemra jote në Hënën e re të Ramazanit? Fundja, edhe ajo është sikur edhe Hënat tjera të reja?". Por, ata nuk e dinë se ti je lajmëtare e muajit të veçantë dhe si e tillë, për zemrat tona je një frymëzim i madh.

Le të shikojnë ata në harkun e ndritshëm posa të shfaqet. A nuk po shohin se krahët e tij janë të kthyer drejt njëri-tjetrit? Pastaj le ta vëzhgojnë çdo mbrëmje! A nuk po shohin se krahët e atij harku i afrohen njëri-tjetrit, derisa përfundimisht nuk bashkohen? A nuk gjejnë në të një frymëzim të thellë dhe a nuk dëgjoj­në thirrjen e saj të fshehtë?

Me këto domethënie sigurisht do të ngazëllehet ai, të cilit Hëna e re mund t'i jetë frymëzim. Mirëpo, këto domethënie në his­torinë tonë islame janë të lidhura me Rama­zanin, në të cilin edhe filloi Shpallja, në të cilin është Dita e Bedrit dhe në të cilin është edhe Nata e bekuar e Kadrit.

Shfaqu oj Hënë e re e Ramazanit! Le të jetë lindja jote për Islamin nga horizonti i fu­qisë dhe madhërisë, për muslimanët nga hori­zonti i lavdisë dhe dinjitetit; le të jetë ardhja jote për tokën paqe dhe mirëqenie, le të jetë shfaqja jote për të gjithë njerëzit përparim, vëllazëri dhe mëshirë! Eja, nxito dhe shfaqu sa më shpejtë, që njerëzve t’u ofrosh kriter të së vërtetës në vend të kriterit të forcës, që ndërmjet tyre të vendosish ligjin e tolerancës dhe butësisë në vend të ligjit të fuqisë dhe ashpërsisë! Eja dhe ndriçoje Tokën me paqe e dritë, sepse është përplotë padrejtësi, dhunë dhe errësirë.

Eja, oj Hënë e re e Ramazanit, ndriçoi me të madhe të gjitha viset e botës islame dhe lëshoi mbi bijt e tyre rrezet e dritës dhe frymëzimit, e cila do t’i shpie dhe do t'i për­cjellë në çdo vend, rreze që do të depërtojnë thellë në zemrat e tyre kur janë të vetmuar dhe kur janë në shoqëri.

Hyn në shtëpitë e Zotit dhe ndriçoi ato me dritë. Lejona që t'i shohim stolitë e minareve në tërë bukurinë e tyre, gjerdanët e ndritshëm të cilët plot mall do t’u bashkohen kandilave qiellorë. Mbaji dyert e tyre të hapura edhe ditën edhe natën, sepse deri tash kanë qenë të hapura vetëm gjatë tubimeve. Mos lejo që për asnjë çast të mbetën të zbrazëta pa musal-li, lexues të Kur’anit, vaizë dhe pa ata të cilët sinqerisht kërkojnë përudhje. Përgatiti ashtu siç kanë qenë që ditën e parë: “Në xhamitë të cilat me vullnetin e Tij i ngritën dhe në të cilat përmendet emri i Tij – e madhërojnë Atë, mëngjes e mbrëmje, njerëzit të cilët shitblerja nuk i pengon që ta përmendin emrin e Tij,  të cilët e kryejnë namazin dhe e ndajnë zekatin.” (En Nur, 36-37).

Hidhe pak shikimin tënd edhe në klubet dhe vendet e ndryshme ku muslimanët kot së koti e kalojnë kohën e tyre,  vende në të cilat nuk ka kurrfarë të mire pos kuvendimeve që shkaktojnë ngatërresa të ndryshme dhe pësh­përitje të fshehta. Kërko nga ata që t'u shmangen punëve të kota, të folurit jo të denjë, paturpësisë dhe të këqijave, përkujtoi në etikën islame të tubimit: “O besimtarë, kur midis veti bisedoni fshehtë, mos bisedoni për mëkatin, armiqësinë dhe mosdëgjimin ndaj Të Dërguarit, por bisedoni për mirë­si­në dhe nderin.” (El-Muxhadele, 9).

Ktheu pak edhe në tregjet e musli­manëve, tregje ku mbretërojnë zhurma e rrëmuja, zënka e konflikti, tregje në të cilat janë përhapur me të madhe grykësia e lakmia, sjellja e pahijshme e gënjeshtra, mashtrimi e vjedhja në peshë, tregje në të cilat nuk janë të rralla ofendimet dhe betimet e rrejshme…! Ktheu dhe shndriti me ndriçimin tënd të larë, hedh mbi ata pak nga pastërtia dhe fisnikëria jote. Përtërije kontratën e imanit në mënyrë që ata ta zvogëlojnë lakminë e tyre. “Thuaj: O njerëz, ju e dini se askush nuk vdes derisa nuk e harxhon furnizimin e vet dhe nuk i vjen momenti i caktuar. Për këtë kini frikë All‑llahun dhe silluni mirë me rastin e fitimit të furnizimit”. Ua përkujto porosinë e kahershme të Të Dërguarit të tyre: “All‑llahu e mëshiroftë njeriun i cili është shpirtmadh kur shet, shpirtmadh kur blen, shpirtmadh kur gjykon, shpirtmadh kur vendos!”

Eja, oj Hënë e re e Ramazanit dhe vizitoje çdo punëtor, zejtar, gjykatës dhe çdo të punësuar në vendin e tij të punës, ua kthe kujdesin në përkushtimin ndaj All‑llahut xh.sh. në punë, ftoi të kenë kujdes për atë që u është besuar dhe ua përcill fjalët e Muhammedit a.s.: “All‑llahu dëshiron që punën të cilën e punoni ta bëni në mënyrën më të mirë”.

Futu nëpër shtëpi, ndërtesa, kasolla e pallate. Çdo gjëje jepi shenjë të Ramazanit dhe të gjithë përkujtoi në obligimin dhe dobinë nga edukimi në frymën kur’anore. Ndër të gjithë besimdrejtët, sa të jetë e mundur më shumë, barazoi urinë e etjen ditën dhe pijet e ushqimin natën. Mos i lejo askujt që të shtrihet në shtrat i ngopur, ndërsa fqinji i tij ta kalojë natën i uritur, as që ndokush të hajë e të pijë gjatë ditëve të Ramazanit, po qe se është në gjendje që ta përmbushë këtë obligim ndaj Sunduesit të tij.

Na eja, o Ramazan, të gjithëve, individëve dhe grupeve. Zgjoi zemrat tona të përgjumura dhe na i çliro shpirtrat tanë të ngatërruar. Eja dhe përtërije kontratën tonë me Kur'anin fis­nik, në mënyrë që të jemi të denjë në punën tonë. Eja o udhëtar fisnik, meqë dëshirojmë të të ofrojmë mikpritje të veçantë…!

Obligimi i agjërimit

O agjërues…!

O ti që agjëron dhe heq dorë nga dëshirat dhe ëndjet tua, ti që vetëdijshëm i mposhtë nevojat dhe dëshirat e trupit tënd, ti që e kalon ditën i uritur derisa ushqimet e shijshme janë në duart tua, ti që e kalon ditën i etshëm derisa pijet e mira e të lejueshme të shkëlqej­në para syve, më thuaj, për hir të Zotit, për ç’arsye ai flijim, për ç’arsye ai vetëmohim?

Njeriu me arsye të shëndoshë nuk ndër­merr kurrfarë aksioni derisa nuk e kupton qëlli­min e tij dhe nuk e përcakton cakun e tij. Po ashtu edhe besimtari nuk punon asgjë derisa nuk e analizon qëllimin e vet dhe nuk e vërte­ton korrektësinë dhe arsyeshmërinë e tij. A e ke përcaktuar t’i cakun e agjërimit tënd dhe a e ke analizuar qëllimin tënd? Mos vallë agjë­rimi yt është vetëm traditë dhe shenjë e jashtme e respektit ndaj mendimit publik.

Unë frikësohem që të mos bëhesh rob i çfarëdo traditave, qofshin individuale apo gru­pore? All‑llahu xh.sh. të ka dhuruar zemër dhe arsye që të të udhëheqin dhe Ai nuk dëshiron që t’i zëvendësosh këta udhëheqës të vërtetë me traditat e verbra që të bëjnë vegël të tyre. Ai të ka krijuar që vetë të jeshë sundues i vet­vetes dhe që askënd mos ta imitosh. A nuk do të agjërosh sepse të tjerët agjërojnë, a thua do të hash e do të pish pse edhe të tjerët hanë e pinë, e të mos e dinë përse agjërojnë dhe përse hanë e pinë.

Mirëpo, nëse pas të menduarit dhe të gjykuarit me vetëdëshirë je përcaktuar për këtë flijim, atëherë të lutem më thuaj se çfarë dëshiron të arrish me agjërimin?

A thua je i mendimit se agjërimi është pushim për organizmin, rast i volitshëm për përtëritjen e qelizave, se është dietë për trupin? Po ndoshta në të nuk gjen ndonjë për­fitim ekonomik ose kursim të kohës, mos vallë në të po e sheh rastin që ta provosh fuqinë, durimin dhe gatishmërinë tënde që të kapesh fyt për fyti me vështirësitë.

O agjërues…!

Unë nuk them se agjërimi nuk duhet t’i ketë të gjitha këto funksione, madje shumë më tepër nga ato që i cekëm pak më parë, por ta tërheq vërejtjen se agjërimi i mirëfilltë nuk mund t'i ngërthejë në vete vetëm këto, andaj, po ta tërheq vërejtjen se po qe se i bën vetëm këto, nëse kufizohesh në qëllimin e arsyeve të sipërpërmendura, ti në të vërtetë nuk dëshiron asgjë tjetër pos që të bëhesh sportist i mirë, kursimtar i shkëlqyeshëm, njëfarë mjeku i vet­vetes që e kërkon rrugën më të lehtë deri te ilaçi, ose të jeshë çfarëdo tjetër, por ti nuk e di se agjërimi vetëm për motive të tilla, nga pikëpamja islame fare nuk të pranohet te All‑llahu xhel-le shanuhu.

Për agjërimin në Islam nuk mjafton që të vijë në shprehje vetëm ana pasive materiale që shprehet nëpërmjet vetëpërmbajtjes nga ushqimi, pija dhe thithja e duhanit. Agjërimi para së gjithash është veprim aktiv shpirtëror, me ç'rast ai i cili e kryen dëshiron të arrijë ca­kun që ia ka caktuar Sheri'ati islam. Për këtë ai për agjërimin edhe e bën nijetin, që është në pajtim me qëllimin të cilin vullneti i Zotit ia caktoi agjërimit. Dije pra, ajo që All‑llahu xh.sh. e dëshiron nga agjërimi yt, është që vendimi yt të jetë në pajtim me vullnetin e Tij. Gjëja e parë që do të të kujtohet me atë rast, le të jetë ajo se All‑llahu xh.sh. është i mëshir­shëm, se Ai me agjërimin nuk synon vuajtjen as vështirësinë tënde dhe se deri te Ai nuk do të arrijë as rraskapitja por as dobësia e trupit tënd.

Edhe pse  ekzistojnë fe dhe mësime të cilat rekomandojnë vuajtjen e trupit dhe të cilat bukuritë e kësaj bote i konsiderojnë armik kundër të cilit duhet luftuar, Islami nuk u përket atyre, e si do t’ju përkiste kur Kur’ani thotë: “O besimtarë, mos ia ndalni vetes gjërat e bukura të cilat All‑llahu ua ka le­juar.” (El-Maide, 87) ose: “All‑llahu dëshiron që t’ua lehtësojë, e jo që vështirësi të keni. " (El-Bekare). Sikur qëllimi i agjërimit të ishte vetëm tërheqja e vërejtjes në urinë dhe etjen, atëherë për njeriun do të mjaftonte të agjërojë vetëm një ditë në vend të numrit të caktuar të ditëve, ndërsa njeriu me oreks të humbur do të duhej të agjëronte më gjatë që ta ndiejë nevojën për ushqim, por ne e dimë se është mëkatar ai i cili agjëron më gjatë dhe nuk han pas perëndimit të diellit, qoftë edhe nëse pushon së agjëruari. Mëkati i tij është i bara­bartë me të atij i cili agjëron më shkurt dhe që han para perëndimit të diellit. Nga ana tjetër, dimë se ai që i respekton kushtet e agjërimit dhe rregullat e tij, përjeton edhe disa ndry­shime në natyrën dhe karakterin e vet.

Domethënë, qëllimi i agjërimit nuk është vuajtja trupore, edhe krahas asaj që disa vështirësi të vogla janë të pranishme gjatë agjërimit. Kur All‑llahu i madhëruar tha: “Ua kam bërë obligim agjërimin!”, ajetin nuk e përfundoi me fjalët “që të vuani”, “që të shëroheni” ose “që të kurseni”, por ka thënë: “që të jeni të devotshëm”. Ai në këtë mënyrë agjërimin e bëri provim shpirtëror dhe moral. Ai dëshiroi që agjërimi të jetë mënyra përmes së cilës do të hymë në radhën e njerëzve të devotshëm.

Devotshmëria…! Ky është qëllimi i vërtetë i agjërimit dhe nëse këtë e kuptoni ose e pranoni si qëllim kryesor të agjërimit, atëherë pas tij do t’i gjeni edhe të gjitha frytet tjera. Por, nëse gjatë agjërimit ju shpëton de­votshmëria, atëherë i tërë angazhimi juaj është i kotë: “Atij që dëshiron shpërblim në atë botë – do t’ia shumëfishojmë, ndërsa atij që e dëshiron shpërblimin në këtë botë – do t’ia japim, por në atë botë nuk ka hise”. (Esh-Shura, 20).

E ç’mendoni, ç’është devotshmëria? Ju nuk mund ta kuptoni thelbin e saj as t’ia për­caktoni vendin e vërtetë derisa nuk i dini statu­tet e qenieve dhe shkallët e ekzistencave. Duhet të dini se ekzistojnë tri shkallë të ekzistencës. E para është “Shkalla e sun­dimit absolut” që i përket një të vetmit All‑llah. E dyta është “Shkalla e nënshtrueshmërisë në këtë botë”, e kjo është shkalla e qenieve që u janë nënshtruar ligjeve të natyrës dhe ato nuk kanë kurrfarë lirie, sikur qeniet jo të gjalla dhe shtazët. Po ashtu edhe njeriu lëshohet në këtë shkallë po qe se bëhet rob i epsheve të veta. Ndërmjet këtyre dy shkallëve gjendet “Shkalla që e bashkon sundimin mbi Gjithësinë dhe nënshtrimin ndaj Krijuesit të kësaj gjithë­sie”, e kjo është shkalla që i përket njeriut nëse i pranon parimet e larta morale nga ana e Sunduesit të vet dhe që në pajtim me to i udhëzon ushtarët e vet, zemrën e vet dhe organet tjera.

Nëse këta ushtarë i dorëzohen atij dhe bëhet komandant i respektuar në armatën e vet, respektivisht nëse bëhet sundues i mbretërisë së tij të vogël, atëherë e arrin edhe cilësinë e devotshmërisë, bëhet i denjë për udhë­heqje të Tokës dhe i nderuar që nën­shtrimin e vet ta orientojë vetëm drejt All‑lla­hut, e kjo njëmend do të thotë liri e vërtetë.

Kjo është devotshmëri, e cila sipas dëshirës së All‑llahut duhet të jetë fryt i agjërimit tuaj. Ajo, në të vërtetë, është qëllimi i përbashkët i të gjitha ibadeteve dhe nënshtri­meve, por asaj agjërimi i jep një dimension të ri dhe domethënie më të gjerë.

Fakti se agjërimi devotshmërisë i jep një dimension të ri dhe domethënie më të gjerë, mbështetet në atë se devotshmëria e cila del nga obligimet tjera paraqet përmbajtje nga e ndaluara, derisa agjërimi këtyre ndalesave ua shton një pjesë të re që na mëson si të përm­bahemi nga gjërat, përndryshe të lejuara dhe, nganjëherë, si mund të heqim dorë nga ajo që rëndom paraqet mjet për jetë. Nëse ndalesat tjera, në trajtë të maturisë dhe vazhdimësisë, lënë në trashëgimi trajtat e para të de­vot­shmë­risë, agjërimi, në manifestimin e sin­qertë të përuljes dhe pendimit, i lë në trashëgim aspek­tet skajore të devotshmërisë.

Agjërimi është forma më e lartë e de­vot­shmërisë dhe vepër e mirë që rangohet në vendin më të lartë te All‑llahu xh.sh. Ibadetet tjera kanë veçori interesante që janë të dashura për njerëzit dhe që atyre u ofrojnë një natyrë të shëndoshë. Kështu, për shembull, në namaz arrihet ëmbëlsia e duas (lutjes) dhe dialogut-të heshtur, në zekat arrihet kënaqësia që e ofrojnë bujaria dhe fisnikëria, ndërsa në haxh arrihet madhësia e fuqisë, unitetit, soli­da­ritetit dhe njerëzishmërisë. Sa i përket agjë­ri­mit, atë natyra nuk e nxit, shpejton, por përkundrazi, i kundërvihet. Pikërisht për atë se kërkon vetëpërmbajtje dhe flijim, agjërimi edhe është vepra më e mirë e cila shpëton nga mëkati. Me siguri për këtë shkak agjërimi edhe shpërblehet me shpërblim të jashtëza­konshëm dhe shumëfish më të madh në kra­hasim me ibadetet tjera. Në të vërtetë, shpër­blimi për një punë të mirë shumëfishohet prej dhjetë deri shtatëqind herë, ndërsa shpërblimi i agjërimit nuk ka as fund as numër, siç është e theksuar edhe në hadithin kudsij: “Çdo punë e njeriut i përket atij, përveç agjërimit. Ai është Imi dhe Unë për të shpërblej”. Ar­gumentin për këtë e gjejmë edhe në Kur’anin fisnik: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të jenë tejet të shpërblyer." (Ez-Zumer, 10).

Kjo vlerë që s'mund të matet, siç kemi thënë, i përket atij që e kupton urtësinë e agjë­rimit, që është plotësisht i bindur në qëllimin e vet dhe e bën maksimalisht të pastër, ndërsa pastërtia kulmore është pastërtia e të zgje­dhur­ve që manifestohet me flakjen e luksit dhe jetës në komoditet, ashtu që kur të para­qi­ten situata në të cilat eventualisht do të duhej të flijojmë çdo gjë për idealet e mëdha, ne vërtet jemi të gatshëm, sepse tashmë i kemi shijuar durimin, etjen dhe urinë.

Kjo është porosia e këtij mësimi që ka të bëjë me agjërimin.

 vazhdon

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme