
Vlerat themelore të agjërimit
Sado që në agjërim ka vetëpërmbajtje dhe sprova të ndryshme, megjithatë ato nuk janë qëllimi i tij, meqë ai është mënyrë dhe mjet për realizimin e qëllimeve fisnike. Agjërimi është ushtrim i sundimit të vetvetes dhe udhëheqje e vetvetes. Ai është përmbajtje nga dëshirat dhe epshet e shpirtit. Derisa nuk ke agjëruar ti e ke ruajtur organizimin tënd nga futja e të palejueshmes dhe asaj që i bën dëm. Mirëpo, sot kur agjëron, ti e privon veten edhe nga e lejueshmja. Dje je përmbajtur që mos ta qortosh dhe mos ta ofendosh dikë, e sot madje ke kujdes që mos të përgjigjesh as në provokimet dhe ngacmimet e ndryshme, prandaj, nëse dikush të provokon ose të nxitë, ti nuk do t’i thuash asgjë më tepër se: “Unë agjëroj, unë agjëroj!”. Në këtë mënyrë përmes agjërimit ti e mban nën kontroll litarin e epsheve, pasioneve dhe të urrejtjes. Agjërimi, në të vërtetë është durim që shpie kah durimi i përhershëm, fitore që shpie kah fitorja përfundimtare dhe e plotë. Nëse agjërimi të cilin vetë e ke zgjedhur të mëson të jeshë i durueshëm në kohën që e karakterizojnë siguria dhe mirëqenia, do të jeshë më i aftë dhe më i gatshëm për durim edhe në fatkeqësi, vështirësi, në luftë dhe në të gjitha rastet tjera. Nëse agjërimi të mëson se si ta mposhtish veten, bëhesh edhe më i gatshëm që nesër ta mposhtish edhe armikun. Ky është rezultati i devotshmërisë, për të cilën All‑llahu xh.sh. e ka caktuar agjërimin.
Qëllimi i sipërtheksuar ende gjendet në gjysmë të rrugës, të cilën All‑llahu ua ka trasuar atyre që agjërojnë. Pos këtij synimi ekzistojnë edhe qëllime të tjera, shumë më të rëndësishme dhe më madhështore.
Me të vërtetë, sikur e gjithë ajo që kërkohet nga agjëruesit, qoftë që të përmbahen nga dëshirat, epshet, pasionet, mallëngjimet dhe iritimet, e nëse nuk do të ekzistonte kurrfarë aktiviteti i ri pozitiv që e plotëson këtë zbrazëtirë, agjërimi, nga njëra anë, do të paraqiste zvogëlim të fuqisë punëtore dhe, nga ana tjetër, ajo fuqi me asgjë nuk do të kompensohej e as nuk do të shpejtohej. Pra, do të ishte, sipas vlerësimit të disa mentarëve, “i zbrazët”, “pa dekor”, ose “tregti e cila nuk do të pësojë humbje, por e cila nuk sjell as profit”.
A do të thotë kjo se institucioni i agjërimit në Islam ka një pasqyrë aq të mjerë e të zbehtë? Jo, kurrsesi! Institucioni i agjërimit është ibadet nga të dy anët. Ana e tij e parë është vetëm hyrje në të dytën. Ky është dru, trungu i të cilit është durimi. Mirëpo, All‑llahu xh.sh. nuk dëshiron që ai i cili agjëron ta lërë këtë trung pa fryte, por dëshiron që te ai t'i kultivojë degët e falënderimit dhe që kurorën e tij ta stolisë me gjethe dhe me frytet e dhikrit dhe përsiatjes. Me të vërtetë, ai i cili mendon për fjalën devotshmëri, me të cilën Kur’ani e ka shprehur urtësinë e agjërimit, do të vërejë se ajo në vete i përmbanë këto dy anë.
Devotshmëria në pjesën e vet të parë paraqet abstenim, lëshim, largim dhe vetëpërmbajtje, ndërsa në pjesën e dytë ajo është dalje, afrim dhe ngritje. Pra, nuk mbështetet qëllimi kryesor në atë që ai i cili agjëron t’ua mbyllë vrimat shqisave të veta dhe ta heshtë zërin e epshit në vete, e kjo do të thotë mbyllje e derës xhehennemit, por në atë që mbyllja e vrimave të shqisave njëkohësisht të nënkuptojë hapjen e shtigjeve të shpirtit dhe që heshtja e zërit të epshit të jetë jehona e zërit të të vërtetës, e këta janë çelësat e xhennetit. E kush, nga ana tjetër, dyshon në atë se kjo anë pozitive nuk është synimi kulmor i agjërimit, le ta lexojë Librin e Zotit dhe për këtë do të gjejë dëshmi në ajetet që flasin për agjërimin, le ta studiojë Sunnetin meqë në të do të ndeshet me fjalën e qartë dhe me praktikën e përpiktë të Të Dërguarit.
Islami e ka bërë Ramazanin kohë të jashtëzakonshme kur shpirtrat dalin pas veleve të veta në dy dyer, në derën e humanitetit dhe derën e devotshmërisë. Kur është fjala për daljen e shpirtit në derë të humanitetit, Islami na mëson se modestia jonë në të ushqyer gjatë kohës së Ramazanit nuk guxon të shndërrohet në kursim e grumbullim, por në devotshmëri dhe dhënie. O agjërues, mos e shuaj vetëm urinë dhe etjen tënde, shuaje urinë dhe etjen edhe të të tjerëve! Kjo është domethënia e agjërimit si e ka kuptuar I Dërguari ynë. Ai gjatë Ramazanit ishte edhe më bujar. Pikërisht për atë, Zekatu-l-fitri në fund të Ramazanit nuk është asgjë tjetër pos hallka përfundimtare dhe manifestimi i përbashkët publik i këtyre formave individuale të devotshmërisë, në të cilat durimi shndërrohet në falënderim dhe pajtim me përudhjen e Kur’anit të ndershëm: “Dhe që të jeni mirënjohës." (El-Bekare, 185).
Dalja e shpirtit në dyert e devotshmërisë gjatë Ramazanit, shihet në atë që Islami në të i ka hapur shtigjet e njohura të devotshmërisë, si madhërimin, falënderimin, lavdërimin dhe lartësimin: “…dhe që All‑llahun ta madhëroni për atë se ju ka përudhur në rrugë të drejtë!” (El-Bekare, 185). Pastaj të drejtuarit, duaja dhe lutja penduese: “E kur robtë e mi të pyesin për Mua, Unë jam vërtet afër: i përgjigjem lutjes së lutësit kur më lutet!” (El-Bekare, 186). Pastaj rukui, suxhudi, kijami, vigjëlimi dhe vetëprovimi: “Kush e agjëron Ramazanin me besim të sinqertë dhe me vetëpërmbajtje të vërtetë, do t’i falet e gjithë ajo që ka gabuar më parë.” (Hadith), ndërsa i'tikafi (izolimi) në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit është pjesa e fundit në këtë udhëtim, udhëtimit drejt All‑llahut dhe dorëzimit të plotë ndaj Atij: “Me gratë tuaja nuk guxoni të keni marrëdhënie derisa jeni në i’tikaf në xhamia!” (El-Bekare, 187).
Kjo pikëpamje e devotshmërisë e arrinë kulmin e vet në dialogun me All‑llahun përmes fjalëve të Tij dhe gjatë studimit të Librit të Tij, ashtu siç e kanë bërë këtë njeriu i zgjedhur, Muhammedi a.s. dhe engjëlli i zgjedhur, Xhibrili a.s., sepse ata të dy çdo vit gjatë Ramazanit së bashku e kanë mësuar Kur’anin. Pikërisht theksimi i kësaj lidhjeje të fortë ndërmjet Ramazanit dhe Kur’anit, paraqet njërën nga karakteristikat më të rëndësishme të këtij muaji të bekuar: “Në muajin e Ramazanit ka filluar Shpallja e Kur’anit, i cili është udhërrëfyes për njerëzit, dëshmi e qartë e rrugës së vërtetë dhe e dallimit të mirës nga e keqja!” (El-Bekare, 185). Me këtë na bëhet me dije që pjesën më të madhe të Ramazanit duhet t'ia kushtojmë Kur’anit.
Nëse popujt, të cilët kujdesen për të kaluarën e vet, e kanë traditë ta kremtojnë përvjetorin e kushtetutave të veta, atëherë jo vetëm që nuk do të ishte kurrfarë risie, por për arsye shumë më të mëdha Islami, respektivisht muslimanët, do të mund ta caktonin Ramazanin për kremtimin e përvjetorit të kushtetutës së tyre qiellore, me të cilën All‑llahu i mbylli sheriatet dhe i bëri të përkryera e të kompletuara rregullat e sjelljes fisnike.
Gjëja më e mirë që njerëzit e dinë me rastin e shënimit të përvjetorit të kushtetutave të tyre, është që të njëjtën ta shndërrojnë në përtërirje të lojalitetit të tyre ndaj saj, theksim të kujdesit të tyre për të dhe të veprimit sipas neneve dhe dispozitave të saj. Për këtë arsye edhe kremtimi ynë i Ramazanit le të jetë kremtim i Kur’anit që u shpall gjatë tij, kremtim që do të jetë në shenjë të mësimit dhe dëgjimit të Kur’anit, mësimit përmendsh të ajeteve të tij, kuptimit të domethënies së tyre, aprovimit të mirësjelljes kur’anore dhe ndjekjes së parimeve të tij. Bashk me këtë, para syve tanë le të jetë edhe e vërteta dëshpëruese, se numri i atyre që e mësojnë Kur’anin dhe e dinë përmendsh, nga viti në vit bëhet gjithnjë e më i vogël dhe se numri i atyre që u përmbahen dispozitave kur’anore dhe kufijve të tij është krejtësisht i vogël. Duke u nisur nga kjo të gjithë e kemi për detyrë ta japim kontributin tonë për rritjen e këtij numri. Kur’ani, Kur’ani, o muslimanë! Kini kujdes që mos t’ju ikë kjo pasuri (ky thesar) nga duart! Dine se All‑llahu xh.sh. nuk do t’ju dënojë derisa Kur’ani është me ju!
Na e pranoftë All‑llahu agjërimin tonë dhe ibadetet tona, dhe na bashkoftë nën bajrakun e Kur’anit në Ditën kur çdo popull do të identifikohet me Librin e vet qiellor! Amin!
Duaja (lutja) jonë e fundit është: “Lavdia i qoftë All‑llahut, Sunduesit të botëve. "
Manifestimi i unitetit
Deri më tani i përpunuam dy tema për zbulimin e fshehtësive të institucionit të agjërimit. Sa i përket temës së parë, erdhëm në përfundim se besimtari nëpërmjet agjërimit e përforcon vullnetin e vet, se në të zbulon mundësi të shumta që të zotërojë me vetveten. Thamë se ibadetet tjera e zbrapsin nga epshet e ndaluara dhe manifestimi i egër e i vrullshëm i emocioneve. Mirëpo, ai me agjërim i ngadhënjen madje edhe instinktet e veta të lejuara dhe ndjenjat e pastra shpirtërore. Po ashtu thamë se ibadetet tjera, me maturi dhe vazhdimësi, i ofrojnë format e para të frikërespektit, derisa agjërimi, nëpërmjet përultësisë, i ofron pikëpamjet e tij kulmore. Në temën e dytë erdhëm në përfundim se ato synime janë vetëm hyrje dhe përgatitje për synimet tjera më të mëdha, më pozitive, konstruktive, ndërtimore. Me vetëkontrollin e ndjenjave, agjëruesi dëshiron t’i hapë shtigjet e shpirtit të vet, ndërsa me heshtjen e zërit të epshit (lakmisë), ai dëshiron që te ai të flasë zëri i të vërtetës dhe aksionit që është në pajtim me të. Për agjëruesin, urtësia me të cilën fillojnë ajetet për agjërimin: "Që të kemi frikërespekt...", është vetëm hyrje dhe përgatitje për urtësinë me të cilën përfundojnë: “…dhe All‑llahun ta madhëroni për atë që ju ka përudhur në rrugë të drejtë dhe të jeni mirënjohës!” (El-Bekare, 185).
Tash kur mbaruam me këto dy tema, të ftoj, vëlla agjërues, në shqyrtimin e temës së tretë, ku do të zbulosh një fenomen tjetër që është i pranishëm vetëm në agjërimin e Ramazanit. Ky agjërim, veçohet nga të gjitha llojet tjera të agjërimit në Islam, sepse ai nuk është veçim i një personi apo grupi, çfarë është për shembull rasti me agjërimin vullnetar (nafile) dhe me agjërimin për kompensim (kefaret). Po ashtu, askujt nuk i është dhënë e drejta ta zgjedhë fillimin dhe fundin e agjërimit, as ta bashkojë e ta ndajë kur dhe si të dojë, por është bërë i obligueshëm për të gjithë muslimanët në një periudhë të caktuar të vitit, me numër saktësisht të caktuar të ditëve, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën mënyrë.
Kjo pikëpamje unike dhe gjithëpërfshirëse e këtij institucioni të madhëruar, është shenjë e mjaftueshme se me agjërimin nuk dëshirohet që ai të jetë ushtrim i rëndomtë shpirtëror që e lidhë njeriun dhe Sunduesin e tij, as manifestim i rëndomtë i njerëzishmërisë, bashkëndjenjës dhe gjithëmëshirës në raste individuale dhe në raste të kohëpaskohshme, por dëshirohet që ai, njëkohësisht, të jetë hallkë e cila shpirtërisht i lidhë të gjithë muslimanët, të jetë lidhje e mëshirës e cila prej tyre përbën një trup.
Institucioni i agjërimit, kur kjo është në pyetje, nuk është asgjë e re ndër institucionet e mëdha të Islamit dhe dispozitat e tij praktike. Nëse mendojmë pak më thellë, do të konstatojmë se kjo natyrë e dyfishtë, shpirtshmëria dhe uniteti, është përfaqësuar në të gjitha obligimet. Madje, edhe ritualet me anë tejet të theksuar shpirtërore, si namazi dhe haxhxhi, Sheriati i ka përfaqësuar me elemente, përmbajtje dhe aspekte të reja, të cilat bëjnë që ana e tyre shoqërore të mos jetë aspak më pak e ndershme as më pak e rëndësishme se ana shpirtërore.
Shikoje namazin! Të gjithë ngrihen që të falen, të moshuarit dhe të rinjtë, të pasurit dhe të varfërit, të nënshtruarit dhe sunduesit. Shiko si janë të përzier, si janë të kthyer të gjithë drejt një kibleje, si të gjithë e ndjekin një imam, si janë të gjithë të ngjeshur në radhë, se si lëvizjet, fjalët dhe gjestet i kanë të njëjta; sikur trupat e tyre të jenë shndërruar në një trup të vetëm; sikur veshët, sytë dhe gjuha e tyre të jenë një vesh, një sy dhe një gjuhë.
Shikoi edhe ritualet e haxhxhit! Njerëzit nga të gjitha anët e botës vijnë në një vend dhe mbesin gjysmë të zbathur, gjysmë të zhveshur; te ata nuk ka kurrfarë stolish të kësaj bote; te ata nuk ka asgjë përveç teshave (ihramave) që duken si teshat e të vdekurve; dallimet e prejardhjes, fisit, pozitës dhe emrit këtu janë të fshira. Dëgjoi, të gjithë i përsërisin fjalët e njëjta, fjalët e drejtuara All‑llahut xh.sh. dhe braktisjes së çdo gjëje përveç All‑llahut.
Nëse agjërimin e kundrojmë nga këndi i njëjtë, edhe te ai do të hasim në aspektin e kësaj kompaktësie, vëllazërie dhe barabarësie islame. Njerëzit agjërojnë së bashku, bëjnë iftar së bashku, nuk ka kurrfarë dallimi ndërmjet tyre…!
Kur të ngrihet bajraku i Hënes së re të Ramazanit lart në qiell, do të shohish se muslimanët në skaj të Lindjes dhe në skaj të Perëndimit qëndrojnë të gatshëm ta fillojnë ushrimin e disiplinës dhe të regjimit të caktuar. Të gjithë dëgjojnë dhe presin shenjën të bëjnë iftar ose që t’ju shmangen dëshirave të veta. Ata këto përudhje me radhë i dëgjojnë dy herë në ditë, kur të fillojë të zbardhet dita e dëgjojnë shenjën që t’u shmangen dëshirave të tyre, ndërsa kur të perëndojë dielli, e dëgjojnë shenjën që t’u kthehen dëshirave të lejuara. I shikon se si të gjithë në një moment e bëjnë të njëjtën levizje, lëvizje që te ata lë gjurmë që i përcjellin edhe ditën edhe natën. Gjatë ditës nuk e sheh askënd që han dhe pin, ndërsa natën sërish nuk sheh askënd që përmbahet nga ushqimi dhe pija. Regjimi i tyre i jetës merr trajtë të re, aktiviteti i tyre, pushimi, ëndrra, zgjëndrra dhe aspektet tjera të angazhimit marrin rrjedha të reja. Ndoshta shfaqja e Hënës së re në muajin e Shevalit do të thotë ndërprerje e këtij regjimi dhe kthim mënyrës së rëndomtë të jetës, natyrisht me forcë, vrull dhe elan të ri.
Këto janë, siç po sheh, themelet e Fesë Islame dhe institucionet e saj të mëdha. Secili nga këto dy institucione ka nga dy pikëpamje, e para - që besimtarin e lidhë me Sunduesin e tij dhe e dyta - që e lidhë me besimtarët e fesë së tij. Përveç kësaj, çdo institucion është burim i dy dashurive pa të cilat nuk ka emër komplet: Dashuria ndaj All‑llahut dhe dashuria në emër të All‑llahut.
Domethënë All‑llahu xh.sh. dëshiron që ibadetet tona të jenë shenjë e unitetit tonë, respektivisht dëshiron që kjo shenjë të shndërrohet në ndjenja që bëhen zjarr dhe dritë, zjarr armiqve dhe dritë miqve. Përbashkësia, gjithëmëshira, ndihma, solidariteti dhe virtytet e ngjashme vijnë në shprehje në çdo ibadet që ka karakter të përbashkësisë, e më se shumti në agjërim, ku të gjitha zemrat bëhen një zemër dhe të gjithë trupat një trup. Ja, në këtë qëndron vlera e jashtëzakonshme e agjërimit të Muajit të Bekuar të Ramazanit…
Agjërimi dhe vlerat njerëzore
Ajo në çka nuk ka kurrfarë dyshimi është që ana njerëzore, zë vend të lakmueshëm në Islam. Sikur ta pyetnim muslimanin, sadopak të udhëzuar, që shkurtimisht të na thotë prej cilave elemente përbëhet mendimi islam, do të na përgjigjej me dy fjalë: Uniteti i hyjnisë dhe uniteti i pejgamberisë. Përgjigjja është e saktë, por ai në mendimin islam hedh dritë tepër të pamjaftueshme dhe na jep pasqyrën e mentalitetit të muslimanit, bartësi i të cilit, si duket, i është përkushtuar ekskluzivisht Zotit dhe i cili nuk ka kurrfarë lidhje me botën në të cilën jeton, ose ajo lidhje është hedhë në prapavijë dhe është harruar deri në atë masë, saqë në Islam nuk i dihet thelbi i vërtetë.
Feja në trajtën e vet të përkryer paraqet të vërtetën që është në harmoni të plotë me nevojat e shpirtit të njeriut dhe prirjet e tij, e vërtetë që e përcjell çdo hap të tij dhe që e shpie në çdo aksion të tij. Kur e përcjellim aktivitetin e shpirtit të njeriut, shohim se ai zhvillohet në dy drejtime të ndryshme: i pari, sikur të mishërohej do të paraqitej me vijën vertikale me të cilën ngjitet kah e Vërteta e shenjtë absolute, dhe i dyti, sikur ai të mishërohej do të shfaqej në trajtë të rrethit në sipërfaqen horizontale, i cili shpirtin e lidh me familjen e gjithmbarshme njerëzore, anëtar i së cilës është edhe vetë ai.
Analiza e gjerë e fesë në tërësi do të duhej ta përcaktojë qëndrimin e saj ndaj këtyre dy lidhjeve:
1. Lidhja e njeriut me Sunduesin e tij.
2. Lidhjet e njerëzve ndërmjet veti, si do të duhej të dukeshin ato, dhe
3. Ta shpjegojë qëndrimin e fesë për natyrën e sundimit që i rregullon këto dy lidhje.
Domethënë, simboli i Islamit duhet të përbëhet prej tre elementeve.
Por, ku do ta gjesh këtë simbol të trefishtë të mendimit islam nëse jo në gjuhën e themeluesit të tij! Për atë ta dëgjojmë se si i drejtohet All‑llahut me këto tre pohime:
“O Zot, Sundues i gjithçkaje, dëshmoj se Ti je vetëm Një dhe se nuk ke të barabartë me Veten. O Zot, Sundues i gjithçkaje, dëshmoj se Muhammedi është robi Yt dhe i dërguari Yt. O Zot, Sundues i gjithçkaje, dëshmoj se të gjithë njerëzit janë vëllezër”.
Por, përse të gjurmojmë për të kuptuarit e tillë nëpër veprat sunnetike, kur këtë të njëjtën e kemi në Kur’an në tri kaptinat e tij të njëpasnjëshme:
“Dije se nuk ka zot (tjetër) përveç All‑llahut!”. (Muhamed, 19);
“Muhammedi është i dërguari i All‑llahut.” (El-Feth, 29) dhe;
”O njerëz, Ne nga një mashkull dhe nga një femër ju krijojmë juve.” (El-Huxhurat, 13).
Këto janë, pra, parimet e mëdha të Islamit, e ky është simboli dhe shumëfishi i tyre i përbashkët:
-Besimi i sinqertë në All‑llahun xh.sh.
-Lidhja e vëllazërisë midis të gjithë njerëzve dhe
-Kushtetuta qiellore që i rregullon lidhjet tona me All‑llahun dhe njerëzit.
E tash fluturimthi ta hedhim një shikim dhe ta krahasojmë këtë simbol të trefishtë të Islamit me simbolin e njohur të cilin shumë kohë më parë e shpiku Revolucioni francez dhe të cilin e përvetësuan popujt tjerë të qytetëruar të botës.
Liria... Vëllazërimi... Barabarësia...!
Para së gjithash, t’i shikojmë të dy simbolet në tërësi! Do të shohim se simboli i Islamit në mënyrë të barabartë i rregullon të dy anët, shpirtëroren dhe shoqëroren, derisa simboli i Evropës bashkëkohore nuk ka lidhje me qiellin dhe është i privuar nga çdo kuptim dhe domethënie shpirtërore. Pastaj, po qe se e shikojmë faktorin që është i përbashkët për të dy simbolet, e kjo është ana njerëzore, humane, do të konstatojmë se Islami e jep nëpërmjet parimit të qartë dhe unik, përderisa ideja evropiane hamendet ndërmjet këtyre tre parimeve, i pari e zbraps të dytin, ndërsa i dyti e shkatërron të parin.
Për atë nëse parimi i lirisë kuptohet në mënyrë të shtrembëruar dhe në kuptimin e vet më të gjerë, ai bëhet pikënisje që nuk di për kufij dhe rrathë, kështu që shkaktohet anarki që nuk i nënshtrohet kurrfarë ligji as rendi. Gjithashtu edhe parimi i barabarësisë nëse kuptohet fjalë për fjale, bëhet ligj i egër e i hekurt, bëhet goditje lirive që nuk përfill kurrfarë dallimi në vlerësim dhe çdo përparësi, edhe në qoftë se ato janë rezultat logjik i dallimeve në kualifikim dhe gatishmëri…!
Mirëpo, në prehër të vëllazërimit islam takohet liria në kuptimin e vet pozitiv dhe konstruktiv, liria pa egoizëm dhe humbje drejtimi, sikur të takohet njëjtësia e cila zë fill në korrektësi dhe drejtësi, njëjtësia pa ekskluzivitet dhe privim.
Kjo është ajo vëllazëri të cilën Kur’ani e bën për lidhje farefisnore ndër të gjithë njerëzit dhe na porosit që maksimalisht ta respektojmë dhe ruajmë.
“O njerëz, frikësojuni Sunduesit tuaj, i cili nga një njeri ju krijoi…!” (En-Nisa, 1).
Ja, këtu qëndron kushtetuta e njerëzisë dhe prej këtu nxirren të gjitha ligjet e saj.
Sikur t’i numëronim të gjitha ligjet në Islam, individuale ose shoqërore, ekonomike ose juridike, politike ose ndërkombëtare, në to nuk do të gjenim asgjë tjetër përpos përpunimit preciz dhe zbatimit të përpiktë të kësaj kushtetute absolute.
Nga kushtetuta për vëllazërinë e të gjithë njerëzve doli ligji me të cilin Islami i fshiu gjurmët e ndasisë dhe i çrrënjosi dallimet në bazë të prejardhjes, kombit dhe racës. Sunduesi juaj është Një… Babai juaj është Një… Të gjithë jemi nga Ademi, ndërsa Ademi është nga dheu… Nuk ka përparësi arabi ndaj joarabit, as i ziu ndaj të bardhit. Përparësia është në devotshmërinë dhe vetësakrifikimin: "Më fisniku tek All‑llahu është ai i cili më së shumti i frikësohet…!” (El-Huxhurat, 13).
Nga kushtetuta për vëllazërinë u krijua ligji për respektimin e të gjitha religjioneve e ideologjive dhe manifestimin e tyre të jashtëm, pastaj liria e mendimit dhe shprehjes së lirë.
“Në fe nuk ka dhunë…!” (El-Bekare, 256).
“Thuaj: Vetëm All‑llahut i falem, sinqerisht duke ia shprehur besimin tim, e ju, përveç Tij, faljuni kujt të doni!” (Ez-Zumer, 13-15).
Nga kjo kushtetutë gjithashtu doli ligji i drejtësisë së përkryer, i cili në rregullat e veta barazon ndërmjet të panjohurit dhe të njohurit, armikut dhe mikut:
“Urrejtja të cilën ndaj disa njerëzve e ndieni, kurrsesi mos t’u shtyejë të jeni të padrejtë! Bëhuni të drejtë, kjo është më e afërt me ndershmërinë…!” (El-Maide, 8).
Nga kushtetuta për vëllazërimin e mbarë njerëzisë u nxor edhe ligji për proklamimin e gjërave të lëna amanet dhe për obligimin e dorëzimit të tyre pronarëve, edhe në qoftë se ata e mohojnë vendin, kombin dhe religjionin e tyre:
“Po! All‑llahu e do vetëm atë i cili e përmbush obligimin e vet dhe që shmanget nga mëkati!” (Ali Imran, 76).
Nga kushtetuta për vëllazërinë e gjithmbarshme njerëzore u nxor edhe ligji për obligimin e mbrojtjes së armikut, i cili te ne ka gjetur strehim:
“Nëse ndonjëri nga politeistët të lutet për mbrojtje, ti mbroje që t’i dëgjojë fjalët e Zotit, e pastaj përgatite dhe përcille në një vend të sigurt për të!” (Et-Tevbe, 6).
Nga kushtetuta për vëllazërinë e të gjithë njerëzve të botës, doli edhe ligji për përmbushjen e kontratës dhe porosive të kundërshtarëve tanë:
“Dhe përmbushni obligimet në të cilat me emrin e All‑llahut jeni obliguar dhe mos i thyeni betimet pasi fort i keni dhënë, e All‑llahun si dorëzan për vete e keni marrë, sepse All‑llahu e di atë çka veproni. Dhe mos u bëni si ajo…!” (El-Maide: 91-92).
Nga kushtetuta për vëllazërinë e mbarë njerëzisë është edhe ligji për barabarësinë e të gjithëve kur janë në pyetje ndalesat:
“…Nëse dikush e mbyt dikënd i cili nuk e ka mbytur askënd, ose atë i cili në tokë rrëmujë nuk bën – sikur i ka mbytur të gjithë njerëzit…!” (El-Maide, 32).
Nga kushtetuta për vëllazërinë e gjithmbarshme të njerëzve doli edhe përgjegjësia e shtetit që të kujdeset për qytetarët dhe të garantojë sigurinë e jetës dhe të pasurive të tyre: “Zotërojnë të drejtat e njëjta sikur edhe ne, por i zotërojnë edhe obligimet e njëjta sikur edhe ne”.
Nga kjo kushtetutë për vëllazërinë njerëzore u nxor edhe ligji për ndihmën ndaj të varfërve dhe pjesëmarrjen e tyre në pasurinë e të pasurve:
“Edhe ata të pasurit, në pasurinë e të cilëve është pjesa e caktuar për lypësin dhe për atë i cili turpërohet të lypë!” (El-Mearixh, 24-25), respektivisht, pjesëmarrjen e tyre në pasurinë shtetërore:
“…që mos të kalojë vetëm nga duart në duart e pasanikëve tuaj…!” (El-Hashr, 7).
Në mesin e këtij kopshti të vëllazërisë së të gjithë njerëzve të botës, rritet trungu i bekuar i vëllazërisë islame, e cila nuk e rrënon të parën as nuk e kundërshton, aq më tepër, ajo i bashkohet dhe e përforcon. Lidhja e tyre e ndërsjellë nuk është lidhje e armikut dhe mikut, as e të largëtit dhe të afërmit, por kjo më tepër është lidhje e të afërtit dhe të afërmit ose vëllait të lindur dhe vëllait nga babai.
Institucioni i zekatu-l-fitrit
O agjërues, ju përshëndes në ditën kur keni vendosur që me durim të thellë ta agjëroni Ramazanin, ndërsa ju përshëndes edhe në ditën kur me sukses e agjëruat.
Tani do të bëjmë fjalë për gëzimin me të cilin sot jemi të preokupuar. I jemi kthyer mënyrës së rëndomtë të jetesës. Sërish kënaqemi me të gjitha të lejuarat, pasi që me një vendosmëri, sinqeritet dhe besnikëri të thellë e kaluam rrugën e agjërimit. Nuk do t’ju flas për këtë gëzim dhe për ndjenjat e lartësuara shpirtërore si për diç të zakonshme e spontane, por do t’ju flas për qëndrimin e Islamit ndaj saj dhe për mënyrën të cilën na e zgjodhi Islami, e në të cilën duhet ta shprehim atë. Islami nuk dëshiron që ky gëzim të mbetet i mbyllur në ne, as që të manifestohet në mënyrë të ulët e jo të denjë, por kërkon që atë ta shprehim në një mënyrë sa më dinjitoze. Ai assesi nuk lejon që kjo jetë jona e përditshme të shndërrohet në dëfrim të shfrenuar, as në lojë të zhurmshme e të paturpshme, por shpreh dëshirën që të manifestohet në dy mënyra fisnike: shpirtërore, me të cilën i drejtohemi All‑llahut me dhikër, falënderim, tekbir dhe dua, dhe njerëzore, ku u drejtohemi njerëzve duke u solidarizuar me ta, duke i kuptuar, respektuar dhe ndihmuar.
Nuk do të flasin për anën shpirtërore, sepse shohim se grupe të tëra me dhikër e dua e madhërojnë emrin e All‑llahut, por do të flasim për anën njerëzore, e cila më të vërtetë i konfirmon të dy këto anë, e cila nga pikëpamja islame ka një rëndësi të madhe dhe ka një domethënie të thellë në jetën e botës muslimane, e ky është institucioni i Zekatu-l-fitrit, institucion të cilin Islami e obligoi nga fundi i Ramazanit. Ky është institucion i madh dhe nuk dëshiroj të them se është unitar në legjislaturën botërore, porse nuk ka të ngjashëm as në vetë legjislaturën islame. Kjo është kështu sepse zekati është obligim i njerëzve të pasur, ndërsa Zekatu-l-fitri, te pjesa dërrmuese e imamëve, është obligim i barabartë i pasanikëve dhe varfanjakëve, meqë pasaniku solidarizohet me varfanjakun, ndërsa varfanjaku solidarizohet dhe ndihmon varfanjakun edhe më të madh se vetë ai. Pasi durimi dhe modestia bëhen obligime të muslimanëve gjatë Ramazanit, ashtu edhe obligimi i dhënies dhe bujarisë i përfshinë të gjithë: “Pasaniku le të harxhojë sipas pasurisë së vet, ndërsa ai i cili është në skamje – sipas asaj sa i ka dhënë Zoti…!” (Et-Talak, 7), dmth. ashtu siç janë barazuar muslimanët në etje e uri gjatë Ramazanit, ashtu edhe sot së paku përafërsisht, të gjithë duhet të barazohen në bollëk, ushqim dhe pije. Kjo edhe është ana praktike e mirënjohjes, derisa namazi i Bajramit dhe tekbirët që lexohen me atë rast, paraqesin formën e njëmendtë të mirënjohjes. Por, a e dini se fjala e mirë përpiqet që të ngrihet në qiell, ndalet në rrugë dhe pret të ndihmohet me ndonjë vepër të mirë, e nëse nuk i arrin ndihma, i kthehet pronarit të saj, e nëse ndihma i arrinë, ajo ngrihet deri te Sunduesi i madhëruar?
“Te Ai ngrihen fjalët e mira, dhe veprën e mirë Ai e pranon!” (El-Fatir, 10).
Ju bëj thirrje që së paku të mendoni për sekretin e këtij institucioni, në mënyrë që të shihni se ai është institucion ideal që krijon shoqëri ideale. Shikoje këtë ushtrim praktik të unitetit dhe barabarësisë dy herë; një herë kur të gjithë të abstenojnë që së bashku me fatkeqët ta shtojmë varfërinë, dhe hera e dytë, kur të gjithë të kapen për duar, duke u ndihmuar mes veti, që të ngrihen mbi varfërinë. Në këtë mënyrë Bajrami është ditë e gëzimit dhe haresë. A thua bajramet tona vërtet janë festa të gëzimit e haresë?
Si do t’i jetë dita e gëzimit dhe haresë atij, sytë e të cilit mbushen plot lot nga skenat e të mjerëve, veshët e të cilit i dëgjojnë lutjet e lypsarëve, ndërsa zemra i lëngon nga dhembja për ta? Jo, Islami kërkon që sot mos ta dëgjojmë vajin dhe mos ta shohim të uriturin e të zhveshurin. Ai na thotë: “Mos lindtë dielli i ditës së sotme, nëse në ndonjë shtëpi në afërsinë tuaj ka ndonjë të uritur, ose nuk ka çka të mbathë, apo nëse në ndonjë rrugë ka ndonjë që lyp ose nuk është i furnizuar. " Gëzimi duhet t’i përmbushë të gjitha zemrat dhe buzëqeshja të shihet në çdo fytyrë. Sot çdokush duhet ta ndiejë krenarinë dhe madhërinë…!
Ky është mësimi i Islamit në domethënien e vet të fjalëpërfjalshme dhe thelbësore, shpirtërore…!
E tash po ua shtroj një pyetje të gjithë atyre që janë përgjegjës në shoqërinë tonë, në të gjitha nivelet. Ç’kemi bërë praktikisht për sendërtimin e këtyre parimeve të larta? Deri kur do të lejojmë që fatkeqët dhe të nevojshmit të na trokasin nëpër dyer, t’i ndalin kalimtarët në rrugë dhe t’ia prishin disponimin xhematit në dyert e xhamive? Kjo është një pasqyrë e shëmtuar për shoqërinë dhe bashkësinë islame, ndërsa në Ditën e Bajramit është një turp i madh.
Islami na e trasoi rrugën e madhërisë dhe dinjitetit njerëzor. A ekziston atëherë ndonjë mjet i qëlluar, i cili edhe më tej do ta hapë këtë rrugë? Pyetja mbetet e hapur për shoqëritë humanitare, për të gjitha organizatat e saj si dhe për pushtetet e vendeve islame. Obligim parësor i tyre si dhe obligim yni është që të bëjmë përpjekje maksimale për sendërtimin e këtij synimi, me ofrimin e organizuar, të përhershëm e sistematik të ndihmës sa më të madhe fatkeqëve, e para së gjithash me ofrimin e përkrahjes për zgjidhjen permanente të çështjes së ekzistencës së tyre.
Agjëruesi ka dy gëzime
Ndërrohet faqja e Ramazanit. Tregu i cili ishte mjaft i pasur dalëngadalë zbrazet. Kush fitoi, fitoi, e kush humbi, humbi.
Sot për askënd s’është turp që në cilëndo kohë të ditës ose të natës të kënaqet me begatitë e lejuara të kësaj bote.
I shikon ata që kanë agjëruar dhe ata që kanë ngrënë, e të duket sikur të gjithë janë të njëjtë: Por, a janë vërtet të njëjtë?
Para se të japim shenjë në disa dobi të cilat i kanë agjëruesit nga agjërimi, nga të cilat joagjëruesit janë të privuar, duhet tërhequr vëmendjen në një anë pasive të agjërimit, por anë e cila është tejet e rëndësishme, kështu që ata të cilët kanë agjëruar, plotësisht kanë të drejtë ta fusin në bilancin e tyre, e kjo është ana e sigurisë nga rreziqet e rrejshme me të cilat kanë qenë të frikësuar. Në fillim të Ramazanit atyre u është thënë se fizikisht do të dobësohen, se do të vdesin nga uria, se do të shkatërrohen nga etja dhe se do të shtrihen nga sëmundja...! Mirëpo, shikoi sot! Nuk vdiqën nga uria, nuk u shkatërruan nga etja e nuk i sulmoi as s'i shtriu sëmundja, siç patën parashikuar zemërkëqijtë. Ata parashikimin e pavend të tyre e shndërruan në forcë, kështu që nga kjo betejë dolën të shëndoshë dhe fitimtarë.
Kjo ishte begatia e sigurisë, e tash shikone begatinë e dobisë, fitimit.
Besimtarët nga kjo përvojë dolën më të vendosur dhe më të fortë. Ata janë të gatshëm që të kapen fytafyt me problemet jetësore dhe me shpresa më të mëdha për fitore hyjnë në luftë me vështirësitë. Materia është orvatur t’i mposhtë, por ata e ngadhënjyen atë; epshet dëshiruan t’i nënshtrojnë, por ata i nënshtruan ato. Ç’mund t’u dalë atëherë sot atyre përpara?
Ai që nuk e ka përjetuar përvojën e agjërimit, as nuk i ka shijuar ëmbëlsitë e kësaj fitoreje. Por për cilën fitore bëhet fjalë? Kjo fitore është më e madhe nga cilado fitore tjetër. Fitoren që e fiton ndaj armikut tënd dhe aleatëve të tij, është fitore më të cilën duhet të krenohesh. Mirëpo ajo, në krahasim me fitoren për të cilën bëjmë fjalë, është shumë më e vogël, sepse kur i kundërvihesh armikut e vë në gatishmëri të plotë gjithë potencialin tënd të forcës: arsyen, zemrën, epshin, urrejtjen, ndjenjat dhe vetëdijen, e kur t’u kundërvihesh epsheve dhe tekeve tua, atëherë shumica e këtyre forcave të tradhtojnë, të braktisin dhe të lënë të vetmuar në fushëbetejë, përveç besimit dhe ndërgjegjes. Kur t’i mposhtish epshet tua, atëherë dëshmon se te ti ekziston fryma e lartë qiellore dhe se në ty gjendet njëri nga ushtarët e Zotit.
Agjërimi është ndjenjë përgjegjësie. Ai është ndjenjë suksesi në punë dhe dëshirë që të jemi të tillë në çdo detyrë. Ai është ndjenjë e kënaqësisë në kraharor, ngrohtësisë në zemër dhe bukurisë në sy...! Për këtë, kur të bëjë iftar agjëruesi i ndjenë të gjitha këto kënaqësi, kënaqësinë e sigurisë dhe shëndetit, kënaqësinë e fitores ndaj epsheve, kënaqësinë e suksesit në punë dhe shumë kënaqësi të tjera… Të gjitha këto dhe kënaqësitë e ngjashme paraqesin vetëm njërin nga dy gëzimet e agjëruesit, edhe atë gëzimin që është më pak i vlefshëm. Gëzimi i dytë i madh që mbetet për më vonë, është gëzim i cili është e pamundur të përshkruhet, as që dikush mund t’ia përcaktojë vlerën e vërtetë përpos Krijuesit të botëve.
Në një hadith kudsij thuhet se All‑llahu i lartësuar ka thënë: “Shpërblimi për të mirën që e bën njeriu shumëfishohet prej dhjetë deri në shtatëqind herë, përveç agjërimit. Agjërimi më takon Mua dhe Unë për të posaçërisht shpërblej, sepse njeriu vetëm në emrin Tim u shmanget pijeve dhe ushqimit. Agjëruesi ka dy gëzime, një kur han dhe tjetri që duhet ta përjetojë në botën tjetër, është gëzimi i takimit me Sunduesin.”
Ne themi se gëzimin e parë e kemi sendërtuar, e sa i përket gëzimit tjetër, atë e presim dhe fuqimisht dëshirojmë nga All‑llahu xh.sh. ta përmbushë dhe sëndërtojë.
“Thuaj: Për atë le t’i gëzohen bekimit dhe mëshirës së All‑llahut, kjo është më mirë nga ajo çka grumbullojnë”. (Junus, 58).
Vazhdon